Nga Nini Mano
Pjesa e parë
Memorie.al / Sotir Kolea në janar 1920, i kërkonte Parashqevi Qiriazit të ndikonte tek Presidenti amerikan, për mbrojtjen e çështjes kombëtare: “Puna e jonë ka mbetur ndër duart e Amerikës m’u porsi puna e Fjumesë”. Kur çështja shqiptare në Konferencën e Parisit në fillim-shekullin e XX-të ishte në rrezik nga interesat shoviniste të fqinjëve, përpjekjet e një grupi patriotësh, që nuk ishin pjesë e delegacionit shqiptar, ishin të mëdha. Ata synuan gjetjen e përkrahësve të fortë për çështjen kombëtare në kancelaritë më të mëdha, ndërsa publicistika e penave shqiptare në gazetat dhe revistat, që botoheshin nga patriotët në emigracion, godiste fortë. Por për fatin e keq të kombit, për këto përpjekje, dallon gati si një mallkim fakti, që qysh para një shekulli, krahët politikë shqiptarë jo rrallë, punonin nën rrogoz kundër çështjes kombëtare.
Në fondin Sotir Kolea në letërkëmbimet me Parashqevi Qiriazi në vitet ’20-të të shekullit të kaluar, kupton se çfarë ndodhte nën dhe mbi rrogozet e atyre, që ne kemi konsideruar prej shumë kohësh dhe jo pak, si patriotë të mëdhenj të kombit. Arkivat ende të pastudiuara, kërkojnë urgjencë në zbardhjen e të vërtetave historike pa dorashka.
Nga Lozana, në 9 janar 1920, Kolea me bashkëpunëtorin në revistën ‘D’Albanie’, Hilmi Këlcyra, në një letër Parashqevi Qiriazit, që aso kohe jetonte në SHBA-ës, në Boston, kërkonin përpjekjet për të trokitur në çdo kancelari për çështjen shqiptare. Kjo çështje kërkonte njerëz besnikë të çështjes kombëtare. Një prej tyre ishte Parashqevi Qiriazi. “Zonjë e ndershme dhe atdhetare e vlejturë”.
“Zonjë e ndershme dhe atdhetare e vlejturë,
Thika mbi shqiptarët arriti gjer më ashtë, tashti është lufta e fundit vdesim, o rrojmë, do të ndahet për pak kohë, andaj gjithë ata që kanë zemrën të zhuritur nga malli për Shqipërinë, gjithë ata që nuk kanë pasur në jetë të tyre tjetër ëndërr përveç lirijëse dhe mbarësijës së Atdheut, ngjan tashti më se kurdo, të vënë fuqinë e tyre për të prapsur dëshpërimin. Se dëshpërimi është vdekja, shqiptarët ende nuk kanë vdekur dhe Shqipëria nuk do të vdesinjë.
Ju zonjë që keni marrë një pjesë kaq të madhe ndë luftën e shenjtë, që keni vënë botë –a- botë fuqinë tuaj për t’i bërë ballë rrezikut të jashtëm dhe për të shkundur fatkeqësijën e brendshme, ju prapë kini detyrë të madhe të përpiqi sa më shumë tashti, që është dhe ndahet fati i Shqipërijësë. Puna e jonë ka mbetur ndër duart e Amerikës, mu porsi puna e Fjumesë.
Me gjithë që Amerika sikur paska dëftuar se nuk do përzihet ndë punë të Europëse, prapë të mëdhenjtë e kësaj ane, nuk guxojnë të lidhin gjë prej gjëje pa volinë e pëlqimin e saj. Nevoja që kanë prej saj dhe frika që kanë për shoqi-shoqin, i shtrëngon që të ecin ndë këtë udhë. Shpresat tona nga ana e përtej Atlantikut, janë fare të ftohta.
Franca nuk ka ndryshuar mëndje qysh në 1912, e mahniturë prej grekëve të z. Venizell dhe pas serbëve të z. Pashiq, nuk ka sy të shohë kombe të tjerë, as të dëgjojë klithmën e atyre, që gjinden ndë rrezik vdekje. Këtë gjë e patë më mirë dhe ju vetë sa kohë që ndenjët në Paris.
Italia, po ajo e gjithë jetës, diplomatët e saj kanë harruar ç’është të skuqurit përpara gënjeshtrës, tashti ndë këtë luftë e sipër dhe pas saj, i vunë kulmin e turpërimit. Zoti Klemaso u shtrëngua të thotë ufiqërisht përpara botës se, diplomatët e Italisë hëngrën fjalën që u kishin dhënë Frëngjëjve dhe Inglezëve. Pasi e mbaruan me Greqinë mbi kurriz të Shqipërisë, me Korçën, Gjinokastrën dhe Khimarën do të paguhet Greqia, me Shkodrën dhe malësijën e fushës së saj, do të paguhen Jugosllavët.
Këto na punon mikja e Libohovasve, e Turhanit dhe e sogërijës së tyre. Tashti për së fundi, e rrëfyen plot gojën qëllimin e tyre pas fjalëve, u erdhi radha veprës. Gjaku që u derdh ndë Vlorë të 28-në e Vjeshtës së Tretë, gjaku dhe zjarri i Hormovës dhe kaq e kaq të tjera gjakëra dhe zjarre, na janë provë e aftëtë për jetën që na pret ndënë thonjët e Sonnino / Tittonervet.
Sa për nga ana jonë, këto kishim si dhe ju trajtuam që në krye të herës, që kur pamë Qeverinë e Romës të përkrahnin gjithë sa vagabondë numërohen ndër shqiptarët faqezezë, vepra e Kushullatës së këtushme me Turhan Përmetin, Tahsin Mesarenë (ata të Selanikut) Viska Dodaninë (atë të Dhjatës së Tërpos) dhe me ca zagarë të tjerë si këta, na qe me aftë, andaj që ndë krye të herës, nuk pushuam së protestuari dhe së ngrituri zërin kundër të punuarve të Italisë mbi kurriz të Shqipërisë.
Një pjesë të madhe të telegrafëve që kemi rrahur, i shtypëm dhe i nxjerrim ndë fletën që kemi këtu, kur ia kemi volijënë. Por janë aq shumë telegrafë e lutje e shkresa të tjera, që nuk mund t’u gjejmë vend ndë fletën tonë, ose se janë të shumta, ose sepse nuk na jep dorë t’i qisim ndë shesh të madh. Të fundit janë protestat tona për vrasjen e Vlorës, që keni për t’i gjetur këtu brenda.
Nuk vëmë asnjëfarë dyshimi se me të dëgjuar këtë mynxyrë të papritura, me gjithë shokët tuaj të mirë, kini ngritur zërin dhe keni qarë brengën te Qeveria e Amerikës. Por kjo sot nuk është me aftë, veç veprës që duhet vështruar si të veprojnë gjithë po aq, edhe të tjerët.
Ndë Amerikë janë një gjëmë shoqërish dhe vëllazërish, që nuk u dimë adresat, se asnjë gazetë nuk u kujtua të përmbledhë një shënim të stërhollë, ndonjë adresë ndo për qëllimin e veprën e tyre. Këto tokica pra, janë një fuqi e madhe për ne dhe në ditën e sotme një e tillë fuqi nuk duhet lënë pa përdorur. Kjo detyrë rëndon mbi gjithë atdhetarët e vërtetë e të kthjellët, që janë dhe rrojnë ndë Amerikë.
Kur ishte njëherë tjetër prapë për Vlorën, një farë Bahri Omari, që për fat të prapë, kishte mbirë redaktor i ‘Diellit’, bëri ç’ishte e mundur për me u mbajtur dorën atyre, që donin të hidhnin protesta e luta. Ndofta ashtu i jepte dorë z. Omarit, por tashti ky zotni u zhduk nga ‘Dielli’. Nuk besoj të ketë mbirë ndonjë tjetër kërpudhë si ay. Por sidoqoftë është barra juaj të kujdeseni, që të mos përsëritet gabimi i parë.
Ne kemi shkruar ndë ndoca vise dhe do të shkruajmë edhe më mbi këtë çështje, por veprimi i tyre ndër atdhetarët e atyshëm, nuk mund të ketë rëndësijën tuaj, që e njihni vendin dhe njerëzinë, si tanët, edhe të huajt. Ndaj zonjëzë, ju lutemi të mos kurseheni. Me të urtë e me të butë, mbushuni mendjen edhe atyre, që mund të mos rrëfehen aq të ngrohtë nga zemra.
Puna jonë nuk është aq e pashpresë. Italia mund të lidhë godija me dyzina, këto nuk e bëjnë punë sa pa ia qasur Amerika, se për këta të kësaj ane s’do as thënë, se ia kanë qasur me kohë. Andaj porta e Amerikës duhet trokitur sa më shpejt dhe sa më fortë. Për këtë punë janë vëllezërit tanë të botës së re, sa kushdo tjetër ndë shkallë, të veprojnë me dobi e me fitim për atdheun.
Përveç të ngriturave, që ju zumë ndë gojë këtu sipër, d.m.th., të telegrafëve për Mbretërijën e Tij, Mbretin e Italisë dhe për Parlamentin e për Kryesijën e Konferencës ndë Paris, si dhe të këpujës, për të cilën ju bëmë fjalë, ju mbyllim këtu këto:
1 -të lutjes që hodhëm Kumisijës së Senatit të Amerikës në 16. XII.1919;
2 -të telegrafit që rahëm për bajlozat e Amerikës e të Ingliterrës ndë Paris, më 13 të muajit që kaloi;
3 -të telegrafit që u rrah në 13 të Dimëruarit të Parë, zotit Klemanso;
4 – të letrës që i shkruam kryesijës së Diligatës sonë më 31.XII.1919;
5 – të letrave që i kemi shkruar ‘Vatrës’ të 2 dhe 19 të Dimëruarit dhe të 3 të këtij muaji.
Duam të shihni ato, që ne bëjmë për veprën e zotërinjve të ‘Vatrës’ e ‘Djellit’, të cilat na duket se nuk janë përkujdesur për punët që duhet të kujdeseshin, duke pasur gjithë atë fuqi te lëndët dhe moralin që u dhanë shqiptarët e Amerikës.
Le të shpresojmë se do ndreqen të metat kështu e tutje pa u bërë vonë. Tuke pritur lajme të mbara nga ana juaj, ju përshëndesin zonjë e ndershme dhe atdhetare. Për Redaksinë e De L’Albanie, firmat Sotir Kolea dhe Hilmi Këlcyra. (A.Q.SH., Fq. 47, D. 14, fl. 8)
Çfarë ndodhte në Paris, tradhtia e delegatëve shqiptarë
Gjithçka prej një shekulli në historinë e kombit tonë, nga lufta për pavarësi, dhe demokraci, përgjegjësia kryesore u takon politikanëve.
Ta quash “fatkeqësi”, është fjala më e butë që mund të zgjidhet, sepse mëkatet janë jo të vogla, për pasojat që kanë lënë pas për kombin. Për sa ka ndodhur para një shekulli nga ata që u morën me politikë, asgjë nuk mbulohet. Ndonëse historiografia e kohës së komunizmit, si kudo, edhe në arkiva bëri seleksionime jo pak sipas preferencave politike, sot nuk fshihen më, sepse arkivat tregojnë dhe flasin të vërtetat.
Gjatë punimeve të Konferencës së Parisit kishte delegatë shqiptarë, që ishin shitur në armiqtë tanë si Italia, Greqia sdhe Sërbia, për interesat e tyre meskine personale, që sot pa frikë quhen dhe “tradhtare”. Shumë prej tyre edhe nuk janë ditur, sepse janë mbuluar jo rrallë herë.
Parashqevi Qiriazi kishte qenë disa muaj pranë Delegacionit Shqiptar e dërguar nga Partia e saj nga SHBA-ës në Konferencën e Parisit në vitin 1919. Ajo kishte parë dhe dëgjuar se çfarë dhe si punonin anëtarët e Delegacionit zyrtar shqiptar atje dhe ishte tmerruar. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













