• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Wednesday, December 31, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Kështu Fishta kritik, bëhet edhe filozof i veprës së artit; por jo vetëm filozof, bëhet edhe filolog i saj, edhe historian, edhe psikolog i saj…”/ Refleksione e studiuesit të njohur të letërsisë shqipe

NË DITËN KUR FILLOI PËRJETËSIA E POETIT AT’ GJERGJ FISHTA
Memorie.al
“Te familja e kapedanit të Mirditës, Prenkë Bib Doda, takova fratin françeskan Gjergj Fishta, i cili u shkreh me rreptësi, kundër barbarizmave të malazezëve…”/ Refleksionet e publicistit të njohur
Si u bë i mundur botimi i “Lahuta e Malcisë” dhe fjala e prof. Aleksandër Xhuvanit në varrimin e Fishtës më 31 dhjetor 1940
“Në vitin 1975, e parandjeva arrestimin dhe groposa në kopsht pranë shtëpisë të gjitha dokument fetare, por Sigurimi…”/ Dëshmia e rrallë e Ipeshkvit Zef Simoni
Si u bë e mundër botimi i “Lahuta e Malcis” dhe fjala e panjohur e prof. Aleksandër Xhuvanit në ceremoninë e varrimit të Fishtës më 31 dhjetor 1940

Dr. Aurel PLASARI

Pjesa e parë

Memorie.al / Në kulturën shqiptare të dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit të XX-të, mendimi teorik‑estetik njeh hopin e parë cilësor, që do të bëhet i ndjeshëm sidomos në periudhën mes dy Luftërash botërore. Si në shumë kultura me fat të ngjashëm, edhe në atë shqiptare zhvillimi i këtij mendimi shfaqet me karakteristikë të parë ndërthurjen, që duket si e përhershme, mes kritikës letrare dhe asaj të artit, mes historisë (përkatësisht teorisë) së dukurisë artistike dhe analizave që i brendashkruhen estetikës si disiplinë e specializuar. Faktorët që e kushtëzojnë përhapjen e ideve estetike, si dhe imponimin e tyre, në kulturën shqiptare të këtyre dhjetëvjeçarëve, janë të shumtë dhe të ndërlikuar, në mos edhe të implikuar me elemente kontradiktore që mund të ndikojnë si në përhapjen, ashtu në zgjerimin e këtyre ideve.

Duke pasur për sfond zhvillimin e vetëdijes për misionin e artit në jetën shoqërore dhe kulturore, në letërsinë (më shumë se në artet) shqiptare të asaj periudhe nisin të lulëzojnë dhe të bëhen të njohura krijime madhore, të kultivuara, si dhe gojore. Duke iu përgjigjur nevojave shpirtërore të shoqërisë shqiptare, por, siç është e natyrshme, edhe duke i nxitur e madje provokuar ato, krijimtaria letrare‑artistike e periudhës mesdyluftore në Shqipëri vjen duke i shtuar kërkesat estetike, si dhe duke u sinkronizuar gjithnjë më mirë me stadin e ngritur të konceptit artistik modern europian.

Gjithashtu mund të lexoni

“Gjatë pushtimit fashist, kur Mustafa Kruja ishte kryeministër, pjesët më të mëdha të Kosovës, Dibrës dhe Çamërisë, u bashkuan me Shqipërinë, pasi…”/ Refleksionet e historianes së njohur

“Pa dashuri s’ka entuziazëm, s’ka shpresë, nuk kryhet asnjë vepër, dashuria e sinqertë dhe të thellë, duhet të jetë si ata trëndafila që…”/ Letrat e dashurisë së Mit’had Frashërit, për të dashurën rumune

Nga ana tjetër, është i ndjeshëm në të njëjtën periudhë edhe një mjedis artistik periferik, pa kritere e kërkesa estetike, që fut në perimetrin e krijimtarisë letrare tonalitete të rrëgjuara, sentimentalizma të vjetëruara, tanimë edhe një barrë keqkuptimesh lidhur me “vlerat” e asaj letërsie që quhet “e rilindjes kombëtare”. Formësohet atëherë një éventail perspektivash që ndihmojnë në mënyrë të ndjeshme në mëvetësimin e fushës së estetikes, duke çelur para mendimtarëve shqiptarë një vis të dendur problemesh, gjithë pretendime, vështirësi, të papritura.

Historikisht i bie të jetë Faik Konica (1876‑1942) i pari teoricien shqiptar që do t’i japë shtytje vështrimit kritik të punëve në letërsinë shqipe, duke u përpjekur t’i kthjellojë ato, t’i nxjerrë në rrafshin e vetëdijes kritike dhe, sidomos, t’u japë një status sa më aktiv, më konstruktiv, në përputhje me nevojat konkrete, me dinamikën e kulturës shqiptare të kohës. Konica do të jetë (historikisht) edhe i pari mendimtar shqiptar që përhap ide estetike bashkëkohore në kulturë përgjithësisht.

E kam fjalën jo aq për shkrime deri diku të njohura, si Kohëtore e letrave shqipe (1906), i cili mbahet për dokument i themelimit të kritikës letrare shqiptare, Letërsia shqiptare, Shënim për metafizikën e bektashinjve apo për kritikë të llojit utilitar, si ato recensionale për libra të ndryshëm të botuara gjithnjë në Albanian e tij, por për shkrime si Skicë e një metode për t’u duartrokitur prej borgjezëve (1903), Sprovë mbi gjuhët natyrore dhe gjuhët artificiale (1904), Mistifikimi më i madh në historinë e gjinisë njerëzore (1904) etj.

Një një pjesë e përfillshme e mendimit estetik të Konicës ose nuk pati ndonjë rezonim të veçantë në kulturën shqiptare, ose në të nuk u receptua aspak. Atëherë, fill mbas tij, duke filluar prej viteve ’10 të këtij shekulli, do të jetë një tjetër personalitet proteik i kulturës shqiptare, Gjergj Fishta (1871‑1940), ai që do të imponohet në këtë kulturë jo vetëm si shkrimtar (poet, dramaturg, prozator etj.), por edhe si kritik, historian i letërsisë e, posaçërisht, estet.

Fillimet e mendimit estetik të Fishtës mund të llogariten me Parathânen e shkruar prej tij për përmbledhjen Visari komtaar. Kângë popullore gegnishte (Sarajevë 1911) të V. Prennushit. Mund të thuhet se me këtë shkrim nis një periudhë e parë në mendimin teorik‑estetik të tij, e cila do të lidhet më drejtpërsëdrejti me themelimin prej tij të njërit nga organet më të rëndësishme të kulturës shqiptare, së parës revistë kulturore në Shqipëri, Hylli i Dritës, në vitin 1913. Duke filluar prej nr. 2 të vitit të parë të kësaj reviste, me shkrimin polemik (me vijime) A janë të zott shqyptarët me u majtë shtet n’vedi, përvijohet në mënyrë të qëndrueshmë, si tipar kryesor i shkrimeve të tij teoriko‑estetike të kësaj periudhe, shtysa polemike.

I shqetësuar jo thjesht nga libri‑paskuil i një ish‑kryeministri serb (V. Gjeorgjeviç), por nga një propagandë e tërë gazetash të huaja të kohës për “mbrapambetjen”e popullit shqiptar, “nivelin e ulët” të zhvillimit të tij, “barbarinë” e tij dhe, sidomos, “paaftësinë” e tij për të ndërtuar një shtet të vetin e për jetuar në të, Fishta i kundërvë kësaj propagande tezat e veta. Kryeteza ndër to është se niveli i zhvillimit të një populli matet me nivelin e poezisë së tij, të ligjeve dhe të kodit dokesor të tij, shkurt: me parametra të sferës psikike të atij populli.

Për të vërtetuar këtë, ai shtie në punë edhe argumente mirëfilli të rendit estetik: shqyrton (dhe përpiqet ta përkufizojë) të bukurën (pulchrum), duke e ballafaquar atë me të mirën (bonum); introdukton në mendimin teorik‑estetik shqiptar parimet e harmonisë, të përkryerjes, të rrëgullit t’shestimit (ordo); shpjegon çështjen e “këndelljes” (diçka mes delectatio dhe voluptas), duke vënë në pah kështu komponenten hedonike që e shoqëron detyrimisht artin; rifunksionalizon kategorinë e moçme të “dritës”, ndoshta të përpunuar prej claritas‑it të Shën Tomës s’Akuinit apo prej splendorit të skolastikëve; duke folur për një aftësi të posaçme në të përkapurit estetik, sado kalimthi, fshik një nga trajtat e teorisë relativiste të shijes të përpunuar prej traditës empiriste (angleze) dhe këtu koncepti i tij i “synit të mendjes”, nuk mund mos të përkujtojë “shqisën morale”, “syrin e brendshëm” të kontit Shaftesbury apo “shqisën e së bukurës” të F. Hutcheson‑it etj.

Argumente të të njëjtit rend janë shtënë në punë, për të mbrojtur identitetin kulturor dhe nivelin e zhvillimit qytetërimor të popullit shqiptar, në Parâthanen e Visarit (1911), si dhe do të përdoren në tekstin Shqyptarët e të drejtat e tyne, shkruar nga Fishta në Paris (1919) për t’u ligjëruar prej Imz. Luigj Bumçit në Universitetin e atij qyteti.

Po në këtë periudhë zë fill edhe kontributi i tij në fushën e kritikës letrare, me shkrime recensionale te Hylli i Dritës (një ndërkohë dyvjeçare edhe te Posta e Shqypnís) për vepra të ndryshme, kryesisht të letërsisë shqipe. I përftuar me një strukturë klasike, në fushën e kritikës letrare ai fillon të sqarojë, drejtpërsëdrejti ose tërthorazi, një sërë konceptesh themelore, duke theksuar dukshëm përpjekjen për integrimin e letërsisë, të kritikës dhe të historisë së letërsisë shqipe në sitemin e vlerave universale.

Periudha e dytë, që përvijohet përfarësisht në vitet ’20, e ka edhe ajo të ndjeshme “shtysën polemike”, por tanimë për këtë shtysë mund të thuhet se funksionon së brendshmi. Kjo periudhë fillon me shkrime, si Perlindja e Shpirtenve (1921), Kisha katolike ka trajtue kulturën okcidentale (1923) etj. Mund të karakterizohet si periudhë e zgjerimit të bazës së interesave estetikë të Fishtës, që na e dëshmon, për shembull, si shkrimi Federata “Vatra” dhe muzika (1923), ashtu edhe skica e pambaruar Përmi pesë rende t’arkitekturës mbarë (vitet ’20).

Duke tejkaluar çështjet e estetikës së përgjithshme, në të dyja Fishta studion përftimin e dukurisë konkrete të arteve, duke e shndërruar shqyrtimin e saj në një studimi mbi format, mbi teknikën dhe mbi përmbajtjen shpirtërore të krijimit e të kundrimit, në kuadrin specifik qoftë të muzikës, qoftë të arkitekturës. Në këtë periudhë të dytë interesat artistikë të Fishtës hapen edhe në veprimtarinë praktike. Duke qenë i vetëdijshëm se ekzistimi kombëtar i një vendi lidhet drejtpërsëdrejti me ekzistimin artistik të tij, ai u vihet personalisht organizmit teatror (si regjisor), projekteve dhe realizimeve arkitekturore, deri edhe pjesëmarrjes në ekzpozita pikture.

Një periudhë e tretë, që do të emërtohej “e viteve ’30”, nis po ashtu me shkrime të konceptuara polemikisht. Por tani ky konceptim ngjan hapur me një “shkas”. I kthjellët për faktin që në Shqipëri krijimi artistik (posaçërisht ai letrar) ka mbërritur në një stad që kërkon një sqarim parimor dhe një nxitje të domethënies së koordinatave specifikisht estetike të veprës së artit, Fishta i vihet punës për të ofruar modelin e një optike më të nuancuar, më të eptueshme në gjykimin e vlerës estetike.

Këtë synon ai të realizojë përmjet polemikash, si Nji atentat shurdhë (1930), Hijeve të Parnasit (1932), Vjerrsha heroike shqyptare (1935) etj., me anë parathëniesh, si ato për Poetët e mëdhej t’Italís (1932) apo Kanuni i Lekë Dukagjinit (1933), por edhe shkrimesh të ndryshme, ndër të cilat shënon kulmin Në rasë të Qindvjetit të dekës së Wolfangut Goethe (1932). Të kërkosh parimin estetik do të thotë tani për të: të ballafaqosh kryeveprat duke nxjerrë prej tyre ligjësitë për krijimet e ardhshme.

Duke punuar për t’i dhënë aktit të vlerësimit të veprës letrare (dhe asaj artistike) eptueshmëri, stërhollësi dhe rreptësi, me shkrimet e tij teorike të kësaj periudhe ai bëhet shembulldhënës. Simbas normave të retorikës klasike, me tekstet e tij estetike (dhe kritike) njofton të vërteta thelbësore tanimë në formula të papritura. Ka mundësi që një aftësi oratorike e lindur, ose e stërvitur prej profesionit të predikatorit, ta ketë prirë atë drejt konstruksionesh me një rregullsi të përkryer, të përkapshme në nivelin më të thellë, të komunikimit të ideve.

Kësi konstruksionesh funksionojnë si kanune stilistike (që të bëjnë për vete me trillin dhe gjallërinë) për të mbërthyer vëmendjen e auditorit/lexuesit përmjet digresimesh, figurash plastike, metaforash, asociacionesh etj., të cilat dëshmojnë një lëvizshmëri (të frikshme) mendore dhe një ngarkesë (të madhe) kulturore, me referime të hapura nga fusha e arteve.

Ka pohime të tijat, të kësaj periudhe, të cilave mund t’u bëhen verejtje; por kemi të drejtë të mendojmë edhe që Fishta t’i ketë konceptuar “predikimet” e veta estetike (dhe kritike) në mënyrë sentencioze, pa ngulmuar gjithmonë në shpjegimin e të gjitha mendimeve pikërisht me qëllimin për të nxitur diskutimin, madje ridiskutimin e vlerave nga një perspektivë vetjake, përmjet një akti kritik vetjak. Duke qenë prirja e “klasikut” të formulojë fjali, shprehja e tij ndodh të bëhet apoftegmatike; atëherë jo e vërteta ka rëndësi, por fjalia.

(Kjo mund të jetë e vështirë për t’u përkapur nga lexues të sotëm, për të cilët një propositio nuk është më, si në kohën e traditës retorike latine, “fjali” në gramatikë dhe, njëherësh, “premisë silogjizmi” në filozofi.) Në shkrime të kësaj periudhe, si dhe te ndonjë i mëparshëm apo i mëmbasshëm, ai që shkruan duket i kapluar nga një frymë ludike, nga një endirë spekulative që të rrëmben. Por është një lojë që do kuptuar në nivelin më të lartë, atë klasicist, e cila ka të bëjë me shprehjen e paformuluar ndonjëherë më parë, provokuese, me asociacione që shtyhen deri në pikën e nxitjes së reagimeve.

Në këtë periudhë edhe krijimtaria e tij kritike, pavarësisht formës së saj, vjen e ngarkohet me peshë filozofike. Eseja magjistrale Në rasë të Qindjvjetit të dekës të Wolfangut Goethe (1935) mund të shërbejë si ilustrim i goditur për një kësi ngarkese. Duke i veçuar tanimë me saktësi fushat, pa i vënë vetes detyrë ta shndërrojë kritikën në estetikë, Fishta nuk ngurron të përdorë koncepte të afërta me filozofinë kur bën fjalë për krijim, liri, inventim, imitim, ndjenjë, shije etj. Në këtë pikë, marrëdhëniet kritikë/estetikë shtrojnë, në rastin e Fishtës, një problem që ndoshta kurrë më nuk do të vijë hera të shtrohet në historinë e kulturës shqiptare: “filozofia dhe kritika” apo “filozofia e kritikut”?

Fishta paraqitet në këtë kulturë si arketip i artistit për të cilin kritika është filozofi. Ngjan sikur pikërisht për të ta ketë formuluar Croce‑ja parimin se kritiku, në mbarim të hulumtimit të tij, duhet të orvatet ta përmbledhë gjykimin e vet në “një formulë”, e cila të mbetet gjithnjë e hapur, për sa kohë nuk përjashtohet kurrë një proces i mëtutjeshëm analize që ndikon mbi vetë formulën dhe e modifikon atë. Thuajse në asnjë rast Fishta nuk synon t’u imponojë lexuesve një “kanun”, një model të ngulët për t’u ndjekur me bindje e rreptësi.

Në këtë mënyrë, Fishta zë në historinë e letërsisë shqiptare vendin e njërit nga më të parët kritikë që e kupton se, për shembull, edhe figura është një ndjenjë. Atëherë, duke u ngritur përmbi vlerësimin empirik, ligjërimi i tij kritik merr edhe vlerë shkencore në vetvete. “Formulat” e tij, ndonëse përfaqësojnë një opinion individual dhe jo një dije universale, bëhen sinteza e një shijeje ngaqë kritiku punon për t’i vënë themel shkencor opinioit të tij. Interesi i hulumtimit të tij qëndron tani jo tek opinioni, por te themeli. Që Fishta e gjen Faustin jo protagonist të veprës dhe kryeveprën e Goethe‑s pa unitet organik etj., kjo pak rëndësi ka; rëndësi ka themeli që ai këtyre gjykimeve u vë.

Kështu Fishta kritik bëhet edhe filozof i veprës së artit; por jo vetëm filozof, bëhet edhe filolog i saj, edhe historian, edhe psikolog i saj. Të kujtohet se, veçanërisht në vitet ’10 dhe ’20, kritiku shqiptar kufizohej duke bërë historinë e poetit dhe të veprës së tij, duke vendosur lidhjet mes artistit dhe veprës së tij, ose duke u endur nëpër krahasime leksikore, çfarë nuk e dallonte shumë nga hulumtuesi historik e filologjik në përgjithësi. Pak ndryshim kishte, në një rast të tillë, nëse zgjidhej për për subjekt një poezi apo një regjistër famullie. Me përçapjen e vet, Fishta ofron jo vetëm një shembull të aktit krijues të quajtur kritikë ‑ histori letërsie ‑ komparatistikë, si anë të të njëtit proces rekuperimi të vlerave domethënëse të letërsisë, por edhe një mësim mbi lirinë sovrane të shpirtit të artistit, mbi aftësitë e tij për shkapërciminin e kufijve të të menduarit konvencional.

Realizimin më të rëndësishëm në këtë fushë, jo vetëm për këtë periudhë, por për krejt mendimin teorik‑estetik të Fishtës dhe, ndoshta, edhe për traditën e mendimit estetik shqiptar, e përbën Shenime estetike. Mbi natyrë t’artit (1933), botuar me dy vijime në Hyllin e Dritës dhe ndërprerë. Rrafshi i përgjithshëm i një sipërmarrjeje të tillë teorike, me pretendimet e një traktati estetik, synon tani drejt një shkepjeje të plotë të dukurisë estetike prej sferave të tjera të përafërta shpirtërore; është fjala për një rrokje të specifikës së kësaj dukurie dhe, në të njëjtën kohë, normëzimin (nëpërmjet aktit kritik) të krijimit artistik e letrar.

Nevojën e shkepjeje të tillë të dukurisë estetike prej një konglomerati dukurish heterogjene duket se, para Fishtës, e kishte kuptuar vetëm Koniza, ndërkohë që për të nuk ka qenë aspak i vetëdijshëm De Rada tek ato që ai i ka quajtur Parime të estetikës (1861).

Fati i veprës Shenime estetike në historinë e mendimit estetik shqiptar të përkujton çuditërisht fatin e një traktati të famshëm në historinë e mendimit estetik botëror: të ashtuquajturit “Longin i rremë”. Quajmë kështu në historinë e këtij mendim veprën Mbi ngritjen (Peri hypsous), e përkthyer nga romakët si Mbi të madhërishmen (De sublimitate), të cilin ia kanë atribuar gabimisht filozofit helen Longin (rreth 210‑273). Edhe mbasi është vërtetuar që traktati nuk i përket Longinit, autori tij i vërtetë, me gjasë ndonjë hebré i diaporës aleksandrine, ka mbetur pa u zbuluar.

Shenimet estetike të Fishtës, të nënshkruara me inicialin A., kanë mbetur për mjaft kohë pa u përmendur si të tijat. Deri edhe në tekstin e tij Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504‑1983 (Prishtinë 1983, Tiranë 1996), duke përshkruar Shenimet estetike të botuara te Hylli i Dritës, I. Rugova nuk e paskësh identifikuar autorin e tyre (f. 365‑366). Madje dy faqe më tej, duke përshkruar një artikull të vitit 1941 të K. Prelës po te Hylli, I. Rugova shkruan: “Na jepet të mendojmë se ky autor, Kolë Prela, mund të jetë autor edhe i artikullit “Shenime estetike”, që e vështruam më lart e që e nënshkruante me “A”.

Këtë e themi duke u mbështetur në gjuhën dhe terminologjinë e njëjtë të këtyre dy punimeve” (f. 370). Një konstatim befasues, përderisa në bibliografinë “zyrtare” Vepra letrare e At Gjergj Fishtës, të hartuar prej sivëllait (françeskan) të shkrimtarit, At B. Demës dhe të botuar në organin kulturor të françeskanëve (Hylli i Dritës) njoftohet shkoqur si vepër e Fishtës Shenime estetike. Mbi natyrë t’artit (1933). Të hamendosh që Rugova të mos e ketë njohur këtë bibliografi? Nuk mundesh, mbasi bibliografinë në fjalë, të botuar në përmbledhjen At Gjergj Fishta 1871‑1940, vetë Rugova e përshkruan në veprën e tij shtjellimisht në f. 350 të të njëjtit punim: “37. At Benedikt Dema: Vepra letrare e At Gjergj Fishtës”.

A është i njëjti Rugovë ai që ka shkruar faqet 348‑350 me atë që ka shkruar faqet 365‑370? Sa kohë nuk do ta shpjegojë ai vetë, lidhur me veprën e Fishtës do të mbetet edhe ky një mister më shumë. Kalimthi kujtoj se një estet si J. Mato, kur vendos të shprehet për mendimin estetik të Fishtës (më 1996), identifikimin e autorësisë së Shenimeve estetike nuk e ka të vështirë.

Traktati i Longinit, i shkruar me gjasë në shek I (të e. r.), paraqitet sot si një tekst i ardhur nga një dorëshkrim i shek. X, me mangësi dhe i pambaruar. Teksti i Shenimeve estetike, i filluar prej autorit dy herë (më 1932 dhe më 1933), vjen gjithashtu i pambaruar. Nuk dimë nëse ai nuk është mbaruar së shkruari apo ka mbetur pa u botuar i gjithi dhe pjesa tjetër e dorëshkrimit nuk gjendet. Historikisht dimë vetëm se, prej atij viti (1933), autorit do t’i duhet të largohet nga Shqipëria për shkak të “sherrit” me shtetin shqiptar: nën variantin e mbylljes së “shkollave private” françeskanëve u kishin mbyllur liceun zulmëmadh të drejtuar prej vetë Fishtës!

Hebent sua fata libelli, thoshin latinët: Çdo libër ka fatin e vet. Mund vetëm të shprehësh keqardhjen që një “fat” i tillë i paskësh qëlluar edhe një vepre si Shenimet estetike. Botimi i parë që njohim i traktatit të “Longinit” është ai latin i vitit 1554. Prej tij kanë kanë kaluar dy mijë vjet dhe kush e lexon atë sot mahnitesh prej frymës së gjallë që ai sjell. Është, pra, një vepër dymijë vjetsh e vjetër, të cilës nuk i ndihet aspak myku i skolastikës apo i bibliotekave. Më shumë se gjashtëdhjetë vjet kanë kaluar nga botimi i traktatit estetik të Fishtës, ndërkohë që me rishfaqjen e tij sot nuk mund të mos befasohesh prej freskisë së mendimit, origjinalitetit.

Shfaqja e helenit të panjohur në shekullin e I-rë mund të quhet një mrekulli, aq përmbi kohën e tij ka qëndruar “Longini”. Mirëpo, edhe botimi i parë që prej tij njohim (1554) ka kaluar thuajse pa rënë në sy. Mendimi i tij, prandaj, është quajtur një “shkëndijë që nuk ndezi askund”. Diç e përafërt mund të thuhet edhe për traktatin e Fishtës dhe rolin e tij në kulturën shqiptare. Që dikur Antikiteti të paskësh bërë komplotin e heshtjes kundër “Longinit”, është një nga simptomat më të qarta të bjerrjes së fuqisë intelektuale të asaj epoke në sosje e sipër. / Memorie.al

(Titulli origjinal: FISHTA MEDITANS)

                                                                Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Pa dashuri s’ka entuziazëm, s’ka shpresë, nuk kryhet asnjë vepër, dashuria e sinqertë dhe të thellë, duhet të jetë si ata trëndafila që...”/ Letrat e dashurisë së Mit’had Frashërit, për të dashurën rumune

Next Post

“Shatku ishte lojtar pesëshes parë të ‘Vllaznisë’ dhe kombëtares shqiptare, në vjetin 1960, përfaqësoi Shqipninë në Ballkaniadën që u zhvillue në Bullgari...”/ Kujtimet e Filip Guraziut, për shokun e ekipit

Artikuj të ngjashëm

“Gjatë pushtimit fashist, kur Mustafa Kruja ishte kryeministër, pjesët më të mëdha të Kosovës, Dibrës dhe Çamërisë, u bashkuan me Shqipërinë, pasi…”/ Refleksionet e historianes së njohur
Personazh

“Gjatë pushtimit fashist, kur Mustafa Kruja ishte kryeministër, pjesët më të mëdha të Kosovës, Dibrës dhe Çamërisë, u bashkuan me Shqipërinë, pasi…”/ Refleksionet e historianes së njohur

December 30, 2025
“Pa dashuri s’ka entuziazëm, s’ka shpresë, nuk kryhet asnjë vepër, dashuria e sinqertë dhe të thellë, duhet të jetë si ata trëndafila që…”/ Letrat e dashurisë së Mit’had Frashërit, për të dashurën rumune
Personazh

“Pa dashuri s’ka entuziazëm, s’ka shpresë, nuk kryhet asnjë vepër, dashuria e sinqertë dhe të thellë, duhet të jetë si ata trëndafila që…”/ Letrat e dashurisë së Mit’had Frashërit, për të dashurën rumune

December 30, 2025
“Mustafa Kruja pranoi propozimin italian për t’u bërë kryeministër, pasi Italia ra dakord të bënte disa koncesione në drejtim të autonomisë shqiptare, si…”/ Refleksionet e historianes së njohur
Personazh

“Mustafa Kruja pranoi propozimin italian për t’u bërë kryeministër, pasi Italia ra dakord të bënte disa koncesione në drejtim të autonomisë shqiptare, si…”/ Refleksionet e historianes së njohur

December 29, 2025
“Frank Shkreli është vazhdues i një tradite të mendimit kritik shqiptar, që shkon nga Konica te Repishti, nga Koliqi te Camaj, një linjë mendimtarësh…”/ Refleksionet e Prof. Dr. Gjek Marinaj nga SHBA-ës
Personazh

“Frank Shkreli është vazhdues i një tradite të mendimit kritik shqiptar, që shkon nga Konica te Repishti, nga Koliqi te Camaj, një linjë mendimtarësh…”/ Refleksionet e Prof. Dr. Gjek Marinaj nga SHBA-ës

December 29, 2025
“Dom Mikel Koliqi, ka qenë drejtor i ‘Veprimit Katolik’, për qarkun e Shkodrës, ku merrshin udhëzime që të luftonin komunizmin dhe…”/ Dëshmia në hetuesi e Padër Agostin Ashikut, nëntor 1947
Personazh

“Pasi e rrahën për vdekje, duke e shpërfytyruar, në grahmat e fundit të jetës ai kërkoi ujë për të pirë, por e mbyten të gjallë në gropën e nevojtores…”/ Historia tragjike e Dom Aleksandër Sirdanit

December 26, 2025
“As sot nuk dihet, se përse nga specialist muzike në Pallatin e Kulturës në Durrës, u transferua në një fshat të largët si mësues vizatimi e punë dore…”/ Historia e trishtë e kompozitorit të shquar Shaqir Kodra
Personazh

“As sot nuk dihet, se përse nga specialist muzike në Pallatin e Kulturës në Durrës, u transferua në një fshat të largët si mësues vizatimi e punë dore…”/ Historia e trishtë e kompozitorit të shquar Shaqir Kodra

December 24, 2025
Next Post
“Shatku ishte lojtar pesëshes parë të ‘Vllaznisë’ dhe kombëtares shqiptare, në vjetin 1960, përfaqësoi Shqipninë në Ballkaniadën që u zhvillue në Bullgari…”/ Kujtimet e Filip Guraziut, për shokun e ekipit

“Shatku ishte lojtar pesëshes parë të ‘Vllaznisë’ dhe kombëtares shqiptare, në vjetin 1960, përfaqësoi Shqipninë në Ballkaniadën që u zhvillue në Bullgari...”/ Kujtimet e Filip Guraziut, për shokun e ekipit

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme