Nga BESNIK DIZDARI
Pjesa e dytë
Memorie.al / Për ndokënd ndoshta mund të duket si diçka e habitshme: një martir që është edhe rekordmeni i parë i sportit të një kombi! Në të vërtetë, në këtë titull të këtij shkrimi apo në këto tetë fjalë të tij, gjithçka është sa e natyrshme, po aq dhe e vërtetë. Ndonëse ajo sapo vërtetohet përmes këtij tregimi të herës së parë të këtij viti 2018. E çuditshme është se si ka qenë e mundur që deri më sot, më 2018 pra, kjo e vërtetë ka mbetur e panjohur, e pa ditur, e pa fiksuar. E prapë nuk duhet të çuditemi. Historia në Shqipëri, ajo e sporteve në veçanti, ende ecën tejet ngadalë, si diçka e dorës së dytë, me të pavërteta të pafund, me tregime naive, me shpërndarje afirmimesh, të pamerituara madje. Deri aty, sa një historiani profesionist të ndershëm, i duhet veç të ndreqë pa ndalë sjelljet brutale të shkruesve të pandërgjegjshëm, të cilët për çudi vazhdojnë të mbushin faqet e gazetave.
Kurrë nuk do të ndodhte në historinë e sportit të Shkodrës, që një “Vllazni” e tij të fitonte një titull të Kampionit, duke pasur 60 për qind të një formacioni të saj me sportistë të ardhur prej një klubi tjetër! Si ia kishte arritur, pra, Shkodra – e nënshtruara e hershme e trysnisë rrëmbyese kryeqytetase dhe ministrore në të gjitha fushat e jetës – t’i merrte për vete këta tre yje?! Treshen e Tiranës, këtë Radoja – Guraziu – Lahi? Ishte një forcë befasuese, të cilën sporti shkodran me futbollin do ta përfitonte vetëm në fillim të viteve ’70-të, me rikthimet e talenteve të tij të shfrytëzuar prej kryeqytetit. Rragami, Zhega, Bizi…!
U përmend një emër: Prof. Hamit Beqja – pionier i basketbollit të Shkodër, por tashmë me një funksion të rëndësishëm në Komitetin Qendror të PPSH-së. Pedagog liberal, sportdashës i spikatun, asokohe edhe një ndër krerët e Federatës së Basketbollit – i cili me dinakëri do të shfrytëzonte sa popullaritetin, po aq edhe funksionin. Kështu, përmes “mbrapa-skenave” tejet tërheqëse që ia gatuante mendja e një njeriu me emrin Rifat Uruçi, gazetar sportive, ndër më të shquarit në Shqipëri, por dhe punonjës i klubit “Vllaznia”, komitetqendrorasi i mençëm, me sa dukej, kishte dy vjet që ëndërronte të përgatiste rikthime për “Vllazninë”.
Ndërkaq, papritmas, më 13 nëntor 1966, “Partizani” fiton 53-47 në Shkodër, teksa një skuadër tejet e bukur e Durrësit, “Lokomotiva” e treshes Hercek – Dollani – Profkola, kryeson kampionatin së bashku me “Partizanin” dhe “Vllazninë” në vendin e tretë, me 1 pikë më pak. Dhe mû në këtë çast nis një dramë tjetër. Tash më shumë se sportive! Është drama e një politike të pamëshirshme. Siç do të ishte për Shqipërinë vetë viti fatal 1967…! Krejt papritmas, kur nis periudha e dytë e Kampionatit, te skuadra shkodrane mungon emri i një prej protagonistëve më të parë: Filip Guraziu! Ky është çasti po fatal kur një regjim i pamëshirshëm, rifillon hakmarrjen kriminale. Protagonisti i parë, dihej, kishte qenë një martir: Pjetër Guraziu.
Protagonisti tjetër është një universitar i matematikës, sportist ndër më të mirët e atdheut të tij, biri i martirit: Filip Guraziu. Lufta, gjithnjë në përtëritje, ajo e klasave! Vite më vonë, më 1990, gazetari i mirënjohur, Namik Mehmeti, do të botonte në “Sporti”-n që drejtoja, një shkrim të shkëlqyeshëm me titullin kushtuar Filip Guraziut. Po shkëpus këto radhë, që janë thënie të vetë Filipit, të botuar në atë shkrim; “… Ishte një ditë stërvitje, mbas dreke. Shokët i gjeta të grumbulluar së bashku me Esatin, trajnerin tonë. Të gjithë pa humor. Diçka duhej të kishte ndodhur, por nuk më shkonte mendja te ndonjë fshesë. Kur dëgjova fjalët e mësuesit tim, Esat Haxhi, që nuk fliste, por belbëzonte, e kuptova se isha i dëbuar…”. Drejt e në Dukagjin.
“Streha e intelektualëve të dëbuar. Mësues, mjekë, ekonomistë. Pra dhe basketbollisti Filip Guraziu, duhej të shtegtonte Alpet për të provuar izolimin shpirtëror, ndrydhjen e shpirtit e të talentit”. Në të vërtetë, ai ishte kampioni Filip Guraziu. Kishte luajtur gjithë periudhën e parë të Kampionatit. Përmes shkrimit të Namik Mehmetit, më flet Filip Guraziu: “..Zbrita nga Dukagjini atë ditë të shpalljes së ‘Vllaznisë’ kampione. Një atmosferë elektrizuese në Këndin ‘Spartak’. Dorëzohej Kupa dhe medaljet. Ndenja pranë hekurave, duke provuar kënaqësi dhe dhimbje bashkë. Kisha kontribuar një fazë për këtë fitore. Emri im nuk u përmend.
Lëviza këmbët si pa komandim dhe vetëm disa zëra më përmendën kur thërrisnin: ‘Po Filip Guraziun e keni harruar!’”. Dhimbja e trajnerit fisnik të kësaj “Vllaznie” – kampione, themelues i pazëvendësueshëm për basketbollin e Shkodrës e të Shqipërisë, të paharrueshmit Esat Haxhi, ishte më prekësja. Këto kanë ndodhë në Shqipëri. Këputeshin në mes ëndrrat e bukura e të merituara…! Në të vërtetë jo ëndrrat, por prishej jeta e një sportisti të madh. Pa pikë mëshire shteti përjashtonte nga sporti Filip Guraziun, njeriun i cili qysh fëmijë kishte shpërthyer si një nga talentet më të mëdha të basketbollit shqiptar.
Me Tiranën kampion i gjithë shkollave të mesme të Shqipërisë, kombëtaras i padiskutueshëm i Shqipërisë së 22-vjeçarëve, tri herë radhazi Kampion i Shqipërisë (1961, 1962, 1963) me “17 Nëntorin” e Tiranës – skuadra që revolucionarizoi basketbollin shqiptar, 19 vjeç (1962) Mjeshtër Sporti – rast krejt i rrallë në sportet kolektive në Shqipëri, po 19 vjeç lojtar i Kombëtares – pjesë e pesëshes së Ballkaniadës 1965, kur së bashku me shokët fiton Anketën e mirënjohur të më të mirëve të Vitit të gazetës “Sporti popullor”.
Dhe të gjitha këto suksese të pandalshme të arritura vetëm deri në këtë vit 1966, kur ai ishte vetëm 23 vjeç! Çka absolutisht duhen quajtur krejt të rralla në sportin shqiptar për një basketbollist. Filip Guraziun e ndiqte mbas tragjedia e të atit, të cilin sot, mbas gati një shekulli, ne e zbulojnë dhe e afirmojmë, përveç të tjerave, edhe si një pionier i sportit shqiptar në dhjetëvjetëshat e parë të shekullit XX-të. Madje, siç do ta tregojmë në mbas, në rrjedhën e këtij tregimi, Pjetër Guraziu është një ndër themeluesit drejtues të sportit shqiptar në tërësi…!
Rrokullisja e viteve të mëpastajmë është vërtet plot trille, sa shpresëdhënëse, por në fund të fundit krejt të pamëshirshëm. Papritmas, mbas 18 muajve dukagjinas, Filip Guraziun e kthejnë në Shkodër, në profesionin e tij të mësuesit të matematikës dhe në rolin e tij të basketbollistit të pazëvendësueshëm.
Fizik thuajse si të një atleti, shtatlartë, sa shpërthyes i një dinamike e kërcyeshmërie, po aq plot larmi gjuajtjeje nga afër e nga larg, nën tabelë e në pamjen e kthjelltë të aksioneve rreth saj, basketbollisti Filip Guraziu qe prototipi i një arsenali modern të basketbollistit. Ndërsa në atë që quhet shpirti i garës apo, guximi i pamat sportiv i një vullneti të papërkulur, ai nuk kishte rival. A thua, këto cilësi e detyronin regjimin që ta rikthente? Është një rikthim i një vullneti të pakrahasueshëm. 18 muaj në malet e Dukagjinit pa luajtur basketboll dhe një rifillim i bujshëm, për të ri ushtruar sportin thuajse si një triumfator. Duket se mallkimi i diktaturës mbetet mbas tashmâ…. …
Por nuk është kështu. Shumë shpejt historia përsëritet. Jo vetëm ia ndalin përsëri basketbollin, por shpejt ia heqin edhe të drejtën e profesionit të mësuesit të matematikës. Drejt e punëtor në Kombinatin e Drurit në Shkodër! Krejt në kundërshtim edhe me ligjet e asaj kohe. Dhe nëse më mbas synon të punojë të paktën si një llogaritar i thjeshtë, ndonëse është diplomant universitar i matematikës, i duhet t’i nënshtrohet provimit të shkollës ekonomike të mbrëmjes për të zënë një vend si llogaritar. Vonë, tepër vonë, Filip Guraziu do ta kishte rilindjen e tij të dytë të madhe vetëm në demokraci, kur qytetarët e tij e zgjedhin deri dhe kryetar i Bashkisë së Shkodrës (1992-1996).
Këtu e deri më sot, si thuash, është jeta e dytë e Filip Guraziut, i cili ka një veprimtari hapësinore të pamat. Kryetar i Bashkisë, drejtor i Shkollës së mesme “Jordan Misja”, drejtues i Shoqatës së Miqësisë Itali – Shqipëri me qendër në Firence e Shkodër, President i Klubit Sportiv “Vllaznia”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, nënkryetar i Shoqatës së ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë me qendër në Shkodër.
Dhe pa harruar veprimtaritë në lamën e kulturës, të mbrojtjes ekologjike, të turizmit, të artit, po si autor botimesh. Një pleksje tejet e shtrirë në larminë e saj gjeografike: Firence, Venecie, Gjakovë, Shkodër, Laç, Adriatik, Alpe, Shqipëri, Francë, Austri, SHBA-ës. E deri te “Qytetar Nderi” i qytetit Linkoln Nebraska të SHBA-ës. Çka megjithatë, nuk shlyejnë një histori dramatike. Si gjithnjë shkaku i gjithë asaj drame të pjesës së parë të jetës së tij, me ngritje-uljet e saj, me pamëshirën e saj, me fundosjen dhe ngritjen e saj të përkohshme, për basketbollistin e madh shqiptar, Filip Guraziu, kishin vetëm një shkak: babanë.
Njeriun e mirë, qytetarin fisnik, profesionistin e shquar të një kulture perëndimore, i cili i rënë prej plumbave të një regjimi gjakatar pa asnjë faj, i kishte lënë djalin e tij Filipin dhe të bijën e tij, Elizabetën, fëmijë thuajse ende në prehrin e nënës së tyre, Ermelinda…! E pra, cili ishte Pjetër Filip Guraziu – babai i Filip Pjetër Guraziut? Në përgjigje të kësaj pyetje nis pjesa e dytë e kësaj historie çuditërisht zbuluese edhe për vetë historinë e sportit shqiptar, që sa i takon jetës shqiptare në tërësi, po aq i takon edhe vetë sportit tonë kombëtar.
Pjetër Filip Guraziu kishte lindur më 1906-ën, në Shkodër, në “Rrugën e Gurazezve”, “Gjuhadolit” historik, prej një familjeje të mirënjohur tregtare dhe e shquar për veprimtari atdhetare. Emrat e shquar shfaqen radhazi në arkivat e historisë. Axha Shan Guraziu qe zgjedhur anëtar i “Mexhlisit” si një ndër përfaqësuesit e lagjeve katolike të qytetit. Gjyshi Pjetër Guraziu bënte pjesë në Komitetin Drejtues të Degës së Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën. Baba Filip, i burgosur nga pushtuesi turk për veprimtari atdhetare si firmëtar i peticioneve që shqiptarët e diasporës, u dërgonin fuqive të mëdha në favor të Shqipërisë së “pamvarme”.
Për të mbërritur së fundi te vëllai Tonin – pianisti themelues – të cilit nipi i tij, Filip Guraziu i sotëm, i ka kushtuar librin “Tonin Guraziu – Një jetë në piano”. I prejardhur dhe i jetuar midis këtyre emrave të shquar, më 1912-ën, gjashtëvjeçari Pjetër Guraziu me familjen e tij, gjenden në Bari të Italisë, e cila ia blaton arsimimin, duke përfunduar madje shkollën e mesme Tregtare. Dhe duke kulmuar me vitin 1929, me Doktoraturën për Ekonomi në Universitetin e Barit.
E më shumë se kaq do t’i mëkojë edhe sportin…! Më 1930-ën, Pjetër Guraziu kthehet ne Shqipëri dhe fillon punën si pedagog pranë shkollës së mesme Tregtare ne Vlorë. Mandej punon në Doganën e Tiranës, ndërsa në vitet e pushtimit, tërhiqet në veprimtarinë private të familjes që drejtohej nga i ati. Në vitin 1938 martohet me Ermelinda Saraçin, bijë e Patuk Saraçit të mirënjohur – deputet i Parlamentit të parë Shqiptar. I lindin dy fëmijë, Elizabeta dhe Filipi.
Ndërkaq, familja e Gurazezve, me banim në Tiranë, ndihmon financiarisht Luftën Nacional-Çlirimtare, duke shpresuar dhe besuar në realizimin e një Shqipërie demokratike. Çka sigurisht nuk do të ndodhte. E ftojnë të marrë pjesë në formimin e qeverisë së re në Berat, si një intelektual i pa komprometuar, çka pengohet për shkaqe shëndetësore. Por nuk e pengon assesi veten që të pranojë të shërbejë në detyra të rëndësishme në dikasteret qendrore të shtetit të ri (ministritë e Bujqësisë e të Financave) si drejtues i sektorëve ekonomikë e të financës.
Kam njohur njerëz që kanë punuar me të në ministri dhe më kanë treguar se ishte një model për të gjithë dhe për gjithçka: në aftësi, në sjellje, në profesion, në dituri, në shoqëri. Siç më kanë treguar bashkë-punonjës të tij ministrorë, ishte ndër të rrallët që jo në një rast të vetëm, duke kuptuar vështirësitë e viteve të para të atij shteti, kishte refuzuar edhe rrogën.
Duket si e pabesueshme, por është krejt e vërtetë. Dhe me të gjitha këto, Pjetër Guraziu do të mbërrinte te data fatale e 26 shkurtit 1951, kur arrestohet dhe një ditë më mbas, 27 shkurt 1951, së bashku me 21 intelektualë të tjerë, pa asnjë lloj faji, do të pushkatohet pa gjyq. Dyzet vjet më vonë, më 11 gusht 1991, Plenumi i Gjykatës se Lartë në Tiranë, shpalli publikisht vendimin e pafajësisë për të 22 të pushkatuarit e 27 shkurtit 1951, të të ashtuquajturit incident të bombës në Ambasadën e BRSS-së në Tiranë.
Më 1993 organizohet solemnisht rivarrimi i 22 martirëve në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë. Ndërsa më 2011-ën dekorohen me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Kjo është tragjedia e “Nderit të Kombit”, Pjetër Guraziu, që sot mbas 93 vjetëve ne do ta njohim edhe si rekordmenin e parë të historisë së sportit shqiptar. Interesant, vërtet! Shqipëria komuniste është i vetmi vend në Europë, e cila ka pushkatuar tre rekordmenë të saj, në sportin e atletikës së lehtë.
Këta janë Sejfedin Biçaku, Pjetër Guraziu dhe Abdyl Këllezi. Jo sportistë të zakonshëm, pra. Por rekordmenë të shquar të vendit të tyre me në krye atletin e nivelit evropian, Sejfedin Biçaku. Një regjim që në krimet e tij është vërtet origjinal. Kësisoj, njeri prej kësaj tresheje, që në gjithë kompleksitetin apo veçorinë e saj të vetme (unikale) duhet quajtur legjendare për sportin shqiptar, është dhe Pjetër Guraziu. Në njëfarë mënyre madje, më i veçanti.
Sepse Pjetër Guraziu është rekordmeni i parë, jo vetëm i atletikës së lehtë, por i krejt sportit shqiptar. Tjetër kapitull i jetës tij, ana tjetër e medaljes: ai është dhe një nga organizatorët e parë të sporteve në Shqipëri. Kulminacioni i historisë së tij për fatin tonë të madh dokumentohet në mënyrë më të paprekshme. Ai daton më 11 prill 1925, në Bari të Italisë.
Çka e vërteton dokumenti autentik, që biri i tij Filip Guraziu dhe familja e tij, e ruajnë sot e kësaj dite si një medalje më vete e vërtetësisë së një kohe, pra, e vitit 1925. Fjalët këtu janë të tepërta. Flet vetë kjo diplomë bashkangjitur në këtë “dossier” tonin, ashtu e shndritshme e denjë për Lojërat Olimpike në stampimin e saj të një klasikeje të perëndeshës së fitores, që përmblidhet në afirmimin sublim të këtyre fjalëve: “Diploma conferito allo studente Guraziu per ‘1 classificato nel salto in lungo con risultato m. 6.15. Campionato Regionale Studentesco. Bari. 10-11 aprile. 1925”.
Një konfirmim me vulë e firmë të organizatorëve. Një dokumentim që drejt një kahu pozitiv të një buje, madje, përmbys jo pak ecurinë kronologjike të rekordit të Shqipërisë në kërcimin së gjati. E nga ana tjetër, i dhuron sportit shqiptar dokumentin e parë zyrtar të një gare fitimtari, në këtë rast disi dhe ndërkombëtare, që i përket pra, një sportisti shqiptar.
Nëse do ta shohim rezultatin me sytë e specialistit, është pak që ne ta quajmë të jashtëzakonshëm në arritjen cilësore të tij. Aq më tepër që është arritur prej një djaloshi student, i cili në atë 11 prill 1925 të garës së zhvilluar është saktësisht i moshës 18 vjeç e 6 muaj – çka nga ana tjetër përbën edhe rekordin e parë kombëtar të atletikës së lehtë për të rinjtë. Dhe vetvetiu, po me sytë e teknikut, 6.15-ta e vitit 1925 e Pjetër Guraziut përbën një rezultat të një lloj niveli tejet të lartë për Shqipërinë e asokohe.
Madje, edhe duke guxuar për ta krahasuar me një rezultat kulmor, siç ishte rekordi kombëtar i kërcimit së gjati i Italisë në kërcim së gjati. Dhe është, pra, vërtet interesante se vetëm dy ditë më vonë, mbas vendit të parë dhe rekordit tonë të Pjetër Guraziut, më 13 prill 1925, atletika italiane mbas 13 vjetëve thyen rekordin e saj të kërcimit të gjati, që ishte vendosur më 1912 nga atleti Virgilio Tomasi me 7 metra. Autori i rekordit të ri Italian, të 13 prillit 1925 është Tonini i US Milanese me 7.17 metra./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













