Nga Ilirjan Gjika
Memorie.al / Midis figurave të shquara që ka nxjerrë Shqipëria gjatë shekullit të kaluar, përmendet edhe emri i Nelo Drizarit, një figurë që për disa arsye, për më tepër të politikës së kaluar ka mbetur e pa njohur për shqiptarët. Kjo gjë edhe për faktin se aktivitetin e tij intelektual, ai e kreu për më se një periudhë 50 vjeçare (1928-1978) në SHBA – ës. Zenel Sulaj siç është emri i vërtetë apo Nelo Drizari, siç njihet në rrethet intelektuale, ka qenë njëkohësisht historian, publicist, gazetar, studiues, gjuhëtar, shkrimtar, piktor dhe mbi të gjitha, gjë që pakkush e di, ai është themeluesi i seksionit shqip të Radios “Zëri i Amerikës”.
Do të ishte viti 1942, kur SHBA-ës, të përfshira në Luftën e Dytë Botërore, si kontribueset kryesore të Koalicionit Antifashist Botëror, nisën për qëllimet e tyre propagandistike edhe transmetimet Shqip të “Zërit të Amerikës”, ku folësi i parë i saj do të ishte pikërisht ai, Nelo Drizari.
Zenel Sulaj lindi në Drizar, një nga fshatrat e njohur të Mallakastës në vitin 1902. Për arsye ekonomike, ashtu siç e pohon edhe ai vetë në një letër dërguar në shkurt të vitit 1930, Kryegjyshit Botëror në Tiranë, Sali Njazi Dedeit, në moshën 10 vjeçare do të largohet nga atdheu i tij për në SH.B.A.-ës. Ai do të shkonte në kontinentin e largët, ku do të jetonte fillimisht me vëllezërit Riza dhe Shaqir Hamitaj, nipër të heroit të kryengritjes popullore kundër Tanzimatit, Rrapo Hekalit.
-“I ati i tij i varfëruar nga hallet e jetës”, – shkruan midis të tjerave autori Nishat Hamitaj në librin e tij “Hekali dhe Mallakstra në thellësi të shekujve”, “e sakrifikoi aq larg Nelon, udhëve të kurbetit edhe pse e dinte se zor mund të kthehej i gjallë prej andej”. Kështu djali i njomë do të përballej me punët më të vështira në fabrika, por si një njeri kurajoz, i shkathët dhe i zgjuar, do të arrinte që me sakrifica të përfundonte studimet e mesme dhe të larta, duke u diplomuar në Universitetin e Kolumbias, në degën e gazetarisë.
Nga fotot e rralla të tij kemi edhe një që është ruajtur në arkivin e familjes Hamitaj. Fotoja është bërë diku rreth vitit 1913 dhe në të kanë dalë, Riza Hamitaj, njeriu që u kujdes fillimisht për të në Amerikë dhe Neloja i ri. Vetëm nga një vështrim i shpejtë i saj mund të vësh re një fëmijë inteligjent që jetonte mes një ambienti burrash emigrantë.
Nga letërkëmbimi i Riza Hamitajt me familjen, shprehet shqetësimi i emigrantëve shqiptarë për zhvillimet politike dhe lëvizjen kombëtare. Në këto ambiente ku punohej me nder dhe me djersën e ballit, për të mbajtur familjet dhe ku shprehej shqetësimi për fatet e vendit, u formua karakteri prej patrioti i Nelo Drizarit.
Gjatë jetës së tij ai do të mbante lidhje me shumë nga njerëzit e shquar të diasporës shqiptare, përfshirë edhe personalitete të tilla si Konica dhe Noli. I diplomuar për gazetari, emri i tij do të ndeshet në faqet e shtypit të shkruar jo vetëm të gazetave të diasporës shqiptare, por edhe në disa të mirënjohura amerikane, duke përfshirë edhe prestigjiozen New York Times. Duhet theksuar se ai shërbeu për disa kohë edhe si editor i gazetës shqiptare “Dielli” dhe si president i degës së Federatës “Vatra” në New York.
Në profilin e tij të gazetarit, ai u shfaq si reporter, analist, publicist, redaktor dhe editor. Kjo përvojë e ndihmoi më vonë atë, që gjatë viteve të Luftës, me angazhimin e autoriteteve amerikane, të ngrinte dhe drejtonte seksionin shqip të Radios “Zëri i Amerikës”. Por si një njeri pasionant dhe ambicioz, Nelo Drizari, do të merrej gjatë jetës së tij edhe me disa fusha e disiplina të ndryshme.
Së pari ai punoi si pedagog i gjuhës shqipe në Universitetin e Kolumbias, dhe më vonë në “Institutin Ushtarak të Gjuhëve të Huaja”, në Monterei të Kalifornisë, ku në funksion të punës së tij shkroi, siç na njofton Prof. Nasho Jorgaqi, në një artikull të tij të disa viteve më parë, disa vepra.
Ndër to mund të përmendim: “Fjalorin Shqip-Anglisht dhe Anglisht-Shqip” dhe “Shqipja e folur dhe e shkruar”. Gjithashtu Nelo Drizari u mor edhe me studime letrare. Janë të njohura punimet e tij si: “Historia e Dramës Moderne” dhe “Fjalori i Kolumbias për Letërsinë Moderne”.
Ndërkohë që gamën e profilit të tij intelektual ai e plotëson edhe me botime të karakterit historik. Në vitin 1968, Nelo Drizari, boton veprën historike “Skëndërbeu, Jeta e Tij”, duke ju shtuar emrave të njerëzve që kanë kontribuar në Historinë Kombëtare.
“Nga trajtesat botuar jashtë Shqipërisë me rastin jubileut” (500 vjetorit të vdekjes së Skëndërbeut), thekson në librin e tij “Skëndërbeu, Jeta dhe Vepra”, Prof. Kristo Frashëri, “do të përmendim punimin e Nelo Drizarit, Scandërbeg. His Life. Palo Alto, Kalifornia, 1968”, ku “…autori përpiqet të trajtojë historinë e Heroit nga një kënd i përshtatshëm për publikun amerikan…”.
Ndër të tjera, Prof. Nasho Jorgaqi, tek artikulli i tij “Zëri Shqiptaro-Amerikan i Nelo Drizarit”, botuar në ‘Shekulli’, dt. 11 mars 2007, shkruan se; “Portreti i Nelo Drizarit si intelektual krijues do të ishte i mangët, n.q.s. do të linim pa përmendur edhe aspekte të tjera të veprimtarisë së tij”.
Në këtë drejtim do të përmendim veprimtarinë e tij letrare si prozator, ku shkroi tregime dhe një roman; disa përkthime letrare si dhe pasionin e tij për pikturën, me punimet e së cilës arriti të hapte edhe disa ekspozita. Së fundmi romani i tij “Kënga e Irenës” i publikuar vite më parë në SHBA-ës, u botua edhe në Tiranë në vitin 2010.
Pas një veprimtarie intensive intelektuale dhe artistike, Nelo Drizari, do të ndahet nga jeta në vitin 1978, në shtetin amerikan të Kalifornisë, ku u varros në Karmel. Ashtu siç qëndroi gjatë gjithë jetës së tij, si një njeri i thjeshtë dhe i pabujë, edhe varrimi i tij u përcoll pa publicitet të madh, ndërsa në Shqipërinë komuniste ishte tabu që emri i tij të përmendej.
Vetëm në këto vite të fundit emri i Nelo Drizarit ka nisur të lakohet dendur. Kujtojmë se disa nga autorët e nderuar që kanë kontribuar me shkrimet dhe artikujt e tyre në këtë drejtim kanë qenë: Prof. Nasho Jorgaqi, Nishat Hamitaj, Dalip Greca, Zaho Sula, Bujar Muçaj, etj. Pikërisht në njërën nga biografitë e formuluara rreth tij, njëri prej autorëve të mësipërm, do ta konsideronte Drizarin si: “Pionierin e mësimdhënies së gjuhës dhe letërsisë shqipe në universitetet amerikane”.
Ndërsa së fundmi, në librin e tij “Faik Konica-Jeta në Uashington”, autori Ilir Ikonomi citon edhe një përcaktim për Konicën, të bërë nga kryeredaktori i “Diellit”, Nelo Drizari. Për mikun e tij Faik Konica, midis të tjerave Drizari shkruante: “Shembull për të tjerët” dhe “Njeri me veti kreshnike”.
Në dhjetor të vitit 2010, Këshilli i Bashkisë Ballsh e nderoi Nelo Drizarin me titullin “Qytetar nderi”. Ndërsa në maj 2011, do të ishte Këshilli i Qarkut Fier, që do ta pasonte këtë nismë, ku gjatë vlerësimit me titullin “Qytetar nderi”, të disa figurave përfaqsuese dhe intelektuale, do të spikaste edhe emri i Nelo Drizarit, një figure që ka nisur të njihet tashmë jo vetëm në rrethet intelektuale por edhe nga publiku i gjerë./ Memorie.al













