Nga Harrison E. Salisbury – “NEW YORK TIMES” –
Pjesa e parë
Memorie.al / Një lyrje këpucësh me shkëlqim kushton 1 dollarë në Tiranë, por kjo është gjëja e fundit që shqetëson shqiptarët. Mjaft prej tyre nuk i lyejnë fare këpucët. Në të vërtetë, pjesa më e madhe ecin zbathur dhe një pjesë tjetër veshin nallane prej druri. Industrializimi i shekullit të XX-të vetëm sa e ka cekur këtë vend të rrethuar me male, që dikur ishte Mbretëria e Ilirisë dhe tani mban emrin krenar Republika Popullore e Shqipërisë – Vendi i Shqiponjave. Se sa pak e ka prekur industrializimi vendin e kupton menjëherë, kur shoferi i makinës “Varshava” (një model polak i versionit sovjetik “Pobeda”), pasi kemi bërë 8 orë ngjitje – zbritje nëpër male, e ndalon makinën me shpejtësi buzë një humnere. Udhëtimi me ulje-ngjitje në rrugët e malit, ka nxjerrë jashtë përdorimit sistemin hidraulik të frenave. “Do të përdor ujë derisa të gjej pak verë”,- thotë shoferi, duke vënë një maskë filozofi
Ai i hedh ujë deri në fshatin tjetër, ku mund të blejë një shishe me verë të kuqe. Ai thotë se vera është mjaft e mirë për frenat, për shkak të alkoolit, dhe shton se rakia është shumë e fortë. Edhe pse në kryqëzimet kryesore në Tiranë, e madje edhe në qytetet e vogla qëndrojnë policë të veshur me uniforma simpatike, ka vetëm pak makina në rrugë.
Ndërsa udhëton për në Elbasan apo ndanë fermave, rrugës për në Liqenin e Ohrit, anash sheh më shumë gomerë të ngarkuar sesa “Xhip”-a, dhe kopetë me dele janë po aq të zakonta, sa karvanët e mëdhenj me “Skoda” çeke apo kamionë sovjetikë të tipit “Zis”, që bëjnë zigzage nëpër kthesat e rrugëve malore të ngarkuara me krom apo me furnizime të çfarëdo lloji.
Më të përhershmit janë këmbësorët. Gra me kana uji prej balte në ngjyrë ndryshku, të cilat i mbajnë me kujdes mbi kokë; vajza me fund të kuq të qëndisur dhe mbulesë të zbukuruar prej leshi, burra me breza dhe gra me shallvare, barinj me guna të ashpra dhe fëmijë të veshur me lecka.
Vendasit transportojnë gjithçka me gomar. Ata përdorin njëlloj kallamishteje, e cila është shumë funksionale: në muret e shtëpive, ndarjet e një dhome, shtrojë për dyshemenë, mbulesa për të fjetur. Ka karroca të vogla dore, po aq të shkurtra sa djemtë me lëkurë të zezë që i shtyjnë dhe karro të mëdha me katër rrota, që lëvizin të ngarkuara përplot dhe të veshura me dru në formë gardhi.
SKENA TRADICIONALE
Shqipëria nuk ka ndryshuar shumë, me atë që ishte para se të vinte komunizmi: me burra që mbajnë në kokë plisa të bardhë, gratë të veshura në të zeza, në pjesën më të madhe dhe pak gra myslimane me ferexhe. Ndërsa ecin ose kalërojnë, gratë kanë gjithmonë një foshnjë për të cilën kujdesen, e ushqejnë apo e përkëdhelin.
Burrat mbajnë shkopinj të gjatë (kërrabë) me të cilën nxisin delet, shpesh të binte në sy ndonjë pushkë e varur krahaqafë, në shpinën e ndonjërit prej tyre. Rrugët, pjesa më e madhe janë po ato që përdornin dikur romakët dhe ilirët, pak prej tyre u rregulluan gjatë pushtimit italian në Luftën e Dytë Botërore dhe nga këto kanë mbetur vendroje gri nëpër kthesa, prej nga ruheshin malet.
Ka baraka për ushtarë të ndërtuara në shpate malesh apo buzë fushave dhe rrugës, afër Liqenit të Ohrit. S‘dihet se përse, kur lufta ishte në kulmin e saj, njësi ushtarake viheshin për të hapur shtigje në mal. Prej larg dëgjohen zhurmat e një batareje të artilerisë. Manovra? Ndoshta.
Delet dhe barinjtë duken të pa shqetësuara prej tyre, ndoshta janë mësuar me këtë zhurmë. Për rreth 1 milje buzë lumit, në një shteg në mal, një divizion i tërë është duke u larë dhe larë rrobat, në ujin e ftohtë e të freskët. Pothuajse gjithë mali është mbuluar me këmisha, të cilat thahen në diellin e pasdites së vonë.
Buzë rrugës, shqiptarët kanë vënë duajt e thatë e të dobët të grurit, ndërsa barinjtë kullosin tufat, që tremben sa herë kalon ndonjë kamion, “Xhip” apo makinë zyrtare, e në të rrallë edhe ndonjë me pasagjerë. Nuk ka kampe pune për të burgosur, rrugëve të Shqipërisë.
Unë pashë një burg të madh, në të dalë të Vlorës, me një hajat të gjerë para, ku gratë prisnin të takonin burrat e tyre apo, t‘u dërgonin ushqim përmes rojeve. Pashë një numër të madh zonash të rrethuara me tela me gjemba, që mund të ishin njëkohësisht grumbullime të ushtrisë ose kampe përqendrimi.
RRUGËT PO PËRMIRËSOHEN
Ndërtesa të mëdha janë bërë gati për skuadrat vullnetare të ndërtimit të rrugëve, ku mund të shihen grupe të burgosurish që thyejnë gurë. Disa shqiptarë kanë biçikleta, por nuk ka makina private. Një i ri tha: “Për se na duhen? Ku mund të shkonim me to? Kushtet tona nuk na lejojnë gjëra të tilla”.
Padyshim që ai ka të drejtë. Rrugët e këqija janë të mjaftueshme, për ta kthyer një makinë amerikane në një grumbull hekurishtesh, brenda pak javësh. Në Tiranë ka disa makina të prodhuara në SHBA-ës, që u përkasin diplomatëve.
Këtu, përveç francezëve, jugosllavëve dhe italianëve, pjesa tjetër e diplomatëve i përkasin Bllokut Lindor sovjetik, nga Evropa ose Azia. Krenaria e kryeqytetit janë dy “Vollga” të reja, prodhime të kombinatit të makinave “Gorki” në BRSS.
Të kombinuara me një ngjyrë të kaftë karameleje dhe një portokalli sintetike, ato rrëshqasin përgjatë bulevardit “Stalin” drejt Këshillit të Ministrave. Shqipëria ka edhe sistem telegrafik, edhe rrjet telefonik. Vetëm në tavolinën e kryeministrit Mehmet Shehu, ka katër telefona. Por, Numëratori i Tiranës ka vetëm 90 faqe, me një mesatare prej 12 numrash për faqe.
NË QYTET PIHET BIRRË
Në mbrëmje në Tiranë apo edhe në qytetin port të Durrësit, njerëzia mund të mblidhen në kafet e quajtur “Vollga” dhe të kthejnë ndonjë birrë. Edhe pse me vreshtat që ka Shqipëria duhej të ishte një vend që prodhon verë në shumicë, birra është pija standarde në qytete. Ka aq shumë rusë në Shqipëri dhe ndikimi i tyre është aq i madh, sa edhe pasta e dhëmbëve shqiptare, ka të njëjtën aromë me atë të Moskës.
Askush nuk mund të thotë se sa rusë ka në vend. Me siguri duhet të jenë disa mijëra. Ka këshilltarë, ekspertë, delegatë tregtie, specialistë sigurie, ushtarakë dhe inxhinierë. Një pjesë e madhe e tyre popullojnë katet e sipërme të hotelit të ndërtuar nga italianët në bulevardin “Stalin”. Ata bëjnë plazh në vendet me rërë të bardhë të Durrësit dhe pinë në kafene të hapura.
Një inxhinier sovjetik që kishte kaluar tre vjet në Shtetet e Bashkuara, na buzëqesh thuajse miqësisht, ndërsa kthen me fund aperitivin e tij me raki. “Çfarë njerëzish!- thotë ai. – Ju nuk mund ta imagjinoni se si janë. Çfarë vendi”. Ai tund kokën në mënyrë ironike dhe të dëshpëruar dhe fillon të flasë për “Broduein”, “Time-Squer”, ndërtesat e vogla në Nju Jork, turmat me njerëz në rrugën “Forty-Second Street”, “të ngjeshura si mur”.
Nuk ka asnjë dyshim për vendin që ai do preferonte. Rrugët e vështira për makina. Gomerët vazhdojnë të jenë transportuesit kryesorë në male. Këshilltarët rusë të plotfuqishëm dhe përditshmëria e shqiptarëve “krenarë” për klasën punëtore, por pa para për të lyer këpucët. Më poshtë, pjesa e tretë e një cikli shkrimesh nga Shqipëria.
KLASA MIRËNJOHËSE INDUSTRIALE
Se çfarë mendojnë shqiptarët për veten e tyre, është e vështirë të merret vesh? Edhe pas një duzine bisedash, gjithmonë përmes një përkthyesi të Ministrisë së Jashtme, është e vështirë të jesh i sigurt. Sigurisht klasa proletare e vendit të vogël, ndjehet mirënjohëse për forcat që e nxorën në jetë, Partinë Komuniste Shqiptare dhe Bashkimin Sovjetik.
Sa për fshatarët, ata nuk kanë ndonjë gjë për t‘u thënë të huajve. Ata na japin ca shenja të pakuptueshme të lumturisë dhe mirëqenies. Struktura e tyre fizike, duket sikur shpreh sëmundje kronike të dorëzimit.
Ndoshta përshtypjen më të mirë mundëm t‘ia merrnim një shqiptari që fliste anglisht, që kishte jetuar dhe punuar në SHBA-ës për 15 vjet, përpara luftës. “Kam punuar në Kliverland”,- thotë. “Më 1939 u ktheva për të parë njerëzit e mi. Lufta më zuri këtu dhe nuk munda të kthehesha”.
Unë i thashë: “Nuk ngjan shumë me Kliverlandin këtu”. “Vëlla”,- tha, duke kuptuar që ishte dakord shqiptari,- ti as mund ta imagjinosh diferencën”. “Si ia del të qëndrosh”? – e pyes. Ai mbledh supet. “Thjesht kam harruar gjithçka. I kam thënë vetes; unë nuk kam qenë kurrë në Amerikë. Është e vetmja mënyrë për të mbijetuar”.
Tirana, Shqipëri – Do të ishte e thjeshtë të shkruaje, dhe aspak e padrejtë, që Shqipëria është një fragment i Rusisë Staliniste që në mënyrë anakronike, ia ka dalë të mbijetojë edhe në botën post-staliniste. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Një udhëtar në këtë vend mysliman në ndërtim buzë Adriatikut, menjëherë zbulon se Shqipëria është një vend që Perëndimi e ka harruar.
E varfër deri në hidhërim, e plagosur rëndë nga Lufta e Dytë Botërore, e shkatërruar nga armiqësitë e “luftës së ftohtë”, Shqipëria është duke u mbytur dhe në një gjendje të tillë, saqë banorët e saj, në historinë e të cilëve ka vetëm tragjedi, të dëshpëruar nga kjo situatë e tmerrshme, janë të gatshëm të provojnë gjithçka.
Gjendja e vendit sot nuk është aspak e kënaqshme. Standardi i të jetuarit është më i ulëti në Evropë ose shumë afër më të ulëtit. Vetëm në zona të thella në Siberi ose Azinë Qendrore, mund të shohësh kaq shumë njerëz të parruar e të paveshur. Po duhet të shtohet se përmirësimi i gjendjes kulturore dhe ekonomike është përmirësuar nga regjimi komunist, i cili është ndihmuar nga fakti që Perëndimi ka refuzuar në mënyrë brutale, të ketë të bëjë me këtë vend.
Vizita e disa korrespondentëve dhe e një grupi të vogël turistësh nga Britania dhe Franca, duket se tregon një domosdoshmëri qoftë edhe të vogël, për të përmirësuar marrëdhëniet armiqësore dhe izoluese me Perëndimin. Kryeministri Mehmet Shehu insiston se Shqipëria do që t‘i normalizojë marrëdhëniet me Perëndimin. Ka arsye të mjaftueshme për të besuar që Moska nuk do ta lejonte këtë normalizim, por të paktën ky është një hap para dhe një ndryshim i madh nga situata e dy viteve më parë.
Nëse Shqipëria ndodhet në këtë gjendje të keqe, një pjesë e madhe e fajit është e vetë vendit dhe e udhëheqësve të tij, por po ashtu është një e vërtetë të cilën e dinë shumë pak shqiptarë, se këtu ka ndikuar edhe qëndrimi në distancë, neglizhenca dhe armiqësia e Perëndimit ndaj një vendi të vogël me njerëz krenarë.
PËRSHTYPJA E PARË
Përshtypja e parë kur zbrita në Aeroportin e Tiranës, ishte se kisha zbritur diku në Bashkimin Sovjetik, ndoshta diku mes maleve të Kaukazit. Gjëja e parë që pashë ishin një grusht ushtarësh, të veshur me diçka që dukej si uniformë e pisët dhe e brejtur sovjetike. Të gjithë këta mbanin pushkë të gjata me bajoneta të mbërthyera.
Gjithandej dukej sikur kishte oficerë sovjetikë, madje edhe policë sovjetikë në uniformat e tyre karakteristike blu dhe me shiritin e kuq në këmishët verore. Polici e drejtonte trafikun e paqenë, duke bërë shenja me duar të ngjashme me ato të kolegëve të tij në Moskë dhe qëndronte në këmbë në mes të një kryqi bardhë e zi, të njëjtë me atë të Moskës. Të shkruarat në dhomën e pritjes në aeroport, ishin në rusisht dhe shqip./ Memorie.al
(Speciale e New York Times, më 9 shtator 1957)
Vijon numrin e ardhshëm











