Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e dytë
Memorie.al / Ngjarjet e Kosovës të pranverës së vitit 1981, që nisën në fillimin e muajit mars me protestat dhe demonstratat e rinisë studentore e më pas edhe të popullit të Kosovës, të cilët u ngritën për të kërkuar liritë dhe të drejtat e tyre të ligjshme, ashtu si të gjithë popujt dhe etnitë e tjerë që ndodheshin asokohe në Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë, siç dihet tashmë, patën një reagim të ashpër nga Beogradi zyrtar. Udhëheqja e lartë e Serbisë nga e cila varej asokohe Krahina Autonome Socialiste e Kosovës, dërgoi atje tanket dhe i shtypi ato protesta studentore, jo vetëm me forcat policore, por duke nxjerrë edhe ushtrinë e tanket në rrugët dhe sheshet e Prishtinës dhe qyteteve të tjera ku u zhvilluan ato protesta paqësore, ku gjatë gjithë atyre ditëve (11 mars -11 prill 1981), pati gjithsej 12 viktima.
Këto ngjarje që u bënë lajm i parë në të gjitha mediat botërore, patën një reagim të madh edhe nga Tirana zyrtare, ku vetë udhëheqësi i Shqipërisë komuniste Enver Hoxha, u impenjua maksimalisht në mbrojtje të çështjes së Kosovës dhe të drejtave e lirive themelore të kosovarëve, të cilët jetonin në trojet e tyre amtare, brenda territorit të Republikës Federative të Jugosllavisë.
Sa më sipër dhe se si u zhvilluan ato ngjarje dhe çfarë përfundimi patën, tashmë janë tepër të njohura, por ajo gjë që ka mbetur ende një enigmë e madhe, është ajo se; a kishte dijeni Tirana zyrtare, se çfarë po ndodhte në Kosovë, (pasi ato demonstrata proteste nuk shpërthyen në një ditë, pa një farë organizimi paraprak) dhe përse nuk e ngriti zërin ajo, para se të ndodhin ato?
Nëse do të bëjmë një retrospektivë dhe t’i kthehemi periudhës së para fillimit të atyre protestave, duke u fokusuar te tre katër muajt e fundit (nëntor 1980 – shkurt 1981), do të shikojmë se; marrëdhëniet në mes Tiranës zyrtare dhe Beogradit, jo vetëm nuk ishin aspak të acaruara, por kishin një ngritje të madhe drejt normalitetit.
Kjo gjë e kishte zanafillën që në nga viti 1968, kur pas agresionit ushtarak të Bashkimit Sovjetik ndaj Çekosllovakisë, Josif Broz Tito deklaroi publikisht se; në rast të një invadimi të trupave të Traktatit të Varshavë të udhëhequra nga ato sovjetike për të pushtuar Shqipërinë, Jugosllavia do të mbyllte kufijtë dhe nuk do e lejonte një gjë të tillë.
Kjo deklaratë e Marshallit Tito, duket se zbuti “gjakrat” me Tiranën zyrtare dhe që nga ajo kohë e deri në marsin e vitit 1981, midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë pati një klimë tepër miqësore dhe bashkëpunim në disa fusha, ku përveç marrëdhënieve ekonomike e shkëmbimit të mallrave me import-eksporte, u rritën ndjeshëm edhe ato të artit, kulturës, sporteve etj.
Në këtë kuadër, asokohe pati shumë shkëmbime delegacionesh, grupesh artistike, ekipesh sportive, profesorësh nga Tirana që jepnin leksione në universitetet e Prishtinës, apo dhe vizitorëve e turistëve që shkonin e vinin në dy vendet, gjë e cila nuk kishte ndodhur që nga fundi i vitit 1948, kur Enver Hoxha prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos e, duke mbajtur anën e Stalinit dhe Moskës zyrtare.
Siç theksuam pak më lart, këto raporte miqësore dhe marrëdhënie zyrtare në mes Tiranës dhe Jugosllavisë së Titos, vazhduan krejt të qeta dhe pa asnjë problem, deri në marsin e vitit 1981, madje në ditët e para të marsit 1981, në kinematë e Tiranës dhe qytetit të Durrësit etj., po shfaqej filmi artistik, “Kur pranvera vonohet”, (prodhim i “Kosova-Film”), që ishte realizuar sipas motiveve të ditarit të Fadil Hoxhës, një nga udhëheqësit politikë kryesorë të Kosovës, që nga viti 1943.
I cili, sipas dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, dërguar Enver Hoxhës, (që do i shikojmë në këtë shkrim), rreth një vit më parë, (maj 1980), kishte qëndruar pranë krevatit të Josif Broz Titos, kur ai vdiq në spitalin e Ljubjanës në Slloveni. Pra, nisur nga kjo panoramë e zhvillimit të ngjarjeve të asaj kohe, në pamje të parë duket se Tirana zyrtare dhe vetë udhëheqësi kryesor i PPSH-së, Enver Hoxha, nuk kishte asnjë informacion se çfarë po “gatuhej” në Kosovë, sepse përndryshe do të kishin ngritur zërin, (ashtu siç e ngriti dhe vepruan më pas), apo do të kishte shkruar në ditarin e tij politik, ashtu siç shkruante, mbante shënime e bënte analiza, për çdo konflikt që ndodhte kudo në botë, si në Lindjen e Mesme, etj., ku bëri dhe libra për to!
Por, duket se kjo gjë nuk ka qenë kështu, pasi Tirana zyrtare dhe Enver Hoxha, jo vetëm që kanë pasur dijeni se çfarë po “gatuhej” në Kosovë, por ata kanë pasur dijeni dhe informacione tepër të hollësishme se çfarë po ndodhte në Krahinën Autonome Socialiste të Kosovës dhe në të gjithë Jugosllavinë e asaj kohe.
Drejtoria e III-të e Sigurimit të Shtetit, e cila ishte Zbulimi Politik dhe e atashuar në ambientet dhe strukturat e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, nëpërmjet drejtorit të saj Perlat Çaushi (ish-zbulues pranë ambasadës shqiptare në Beograd në vitet ’70-të, i kamufluar si sekretar i parë të asaj ambasade), ka informuar eprorët e tij dhe udhëheqjen e lartë të PPSH-së, për gjithçka që ndodhte në Kosovë dhe Federatën Jugosllave.
Por, Enver Hoxha nuk e ngriti zërin për çështjen e Kosovës, apo më saktë për ato që po ziente aty, (për të cilat kishte informacion të hollësishëm ), që në një farë mënyrë do “t’ja digjte letrat në dorë” Beogradit, pasi Enverit nuk i interesonte që Kosova të shpallej republikë, qoftë dhe brenda Federatës Jugosllave, sepse në një farë mënyrë do ishin dy shtete shqiptare në Ballkan, e Kosova do merrte vëmendjen dhe rolin kryesor në arenën ndërkombëtare, duke e eklipsuar fare Shqipërinë e Enver Hoxhës!
Pa i hyrë analizave rreth kësaj, gjithçka përmblidhet në një pikë, në atë se sa e ka dashur Enver Hoxha Kosovën dhe kosovarët? Lidhur me këtë, është i njohur fakti se; që nga fundi i viteve ’50-të, e deri në shembjen e regjimit komunist, në fillimin e viteve ’90-të, me qindra e qindra kosovarë që të detyruar nga politika shtypëse e diskriminuese e Beogradit ndaj popullit të Kosovës, braktisën trojet e tyre dhe erdhën në Shqipëri, ku pjesa më e madhe e tyre, përfunduan kampeve të internimit e burgjeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, duke u akuzuar si agjentë të UDB-së.
Sa më sipër kjo mbetet objekt analizash për studiuesit e historianët, ndërsa në këtë shkrim po publikojmë disa dokumente arkivore sekrete të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë të de-klasifikuara dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
RAPORT – INFORMACIONI I DREJTORIT TË DREJTORISË SË ZBULIMIT POLITIK, PERLAT ÇAUSHI, LIDHUR ME SITUATËN POLITIKE DHE SOCIALE NË KOSOVË DHE JUGOSLLAVI NË VITET 1980-1981
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E TRETË Tiranë, më 10.X.1982
INFORMACION
Informacion Nr.1820, datë 16.12.1980;
“Me datën 25 nëntor 1980, në disa fshatra të Gjakovës dhe Rahovecit, për veprimtari antishtetërore janë arrestuar 33 arsimtarë.
UDB-a ka organizuar shërbimin e rojeve sekrete, pasi ka të dhëna se do të shkruhen parulla…!
Në organizatat e LKJ-së është shpërndarë dhe punuar një material, në të cilin bëhet fjalë për “Bashkim-vëllazërimin”.
Kjo bëhet për shkak të kontradiktave nacionale dhe nga frika që kanë jugosllavët nga thellimi i tyre në Kosovë, ku pritet të shpërthejnë mosmarrëveshjet…!
Rinia kosovare është e shëndoshë dhe me ndjenja të theksuara patriotike.
Disa të rinj në Kosovë, botojnë një gazetë ilegale me titull “Lirija”, nëpërmjet së cilës kërkojnë që populli i Kosovës, të ketë më shumë të drejta”.
Informacion Nr.1968, datë 31.12.1980;
“Si rezultat i kontrollit të befasishëm të bërë nga organet e UDB-së në shtëpitë e arsimtarëve të shkollës Pedagogjike të Gjakovës, janë arrestuar 15 veta, mbasi ju gjetën materiale të PPSH-së. Këto masa kanë elektrizuar gjendjen në Gjakovë…!
Ne në Kosovë nuk jemi dakord me veprimet e tepruara të disave, që në mënyrë demonstrative, kërkojnë bashkimin sot. Koha do ta bëjë të vetën. Me këto parulla ne u dogjëm në vitin 1968, dhe përsëri para disa muajve, u dënuan disa persona…!
Në Kosovë janë ndjekur me vëmendje emisionet e dhënë për veprat e shokut Enver, “Shënime për Kinën”, “Me Stalinin” dhe “Hrushovianët”,- kujtime, të cilat kanë sqaruar qëndrimin e PPSH-së ndaj çështjes së Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi…!
Unë me shoqet e mija mblidhemi çdo natë dhe dëgjojmë Radio-Tiranën, lexojmë veprat e shokut Enver dhe bisedojmë për Shqipërinë. Si ne ka shumë në Universitet.
Studentët në përgjithësi janë patriotë, e duan Shqipërinë e shokun Enver…! Serbët na kanë bërë shumë të këqija, prandaj jemi të armiqësuar për vdekje me ta.
S’na pritet deri sa të bashkohemi me Shqipërinë. Vërtetë Kosova ka njëfarë degjenerimi, por atë mënyrë jetese na kanë servirur. Ardhtë ajo ditë që të bashkohemi, pa do i djegim me zjarr të gjitha, e do të jetojmë ashtu siç jetoni ju këtu në Shqipëri…!
Jeta ekonomike në Kosovë karakterizohet nga kaosi, fuqia blerëse është në nivelet më të ulëta të këtyre viteve të fundit, çmimet shkojnë vazhdimisht në rritje…!
Sot në thelb vazhdon politika e Çubrilloviçit, lidhur me shqiptarët në Jugosllavi, që janë ndarë në mënyrë artificiale në republika të ndryshme”.
Informacion Nr.78, datë 19.1.1981;
“Me datën 19 dhe 20 dhjetor 1980, në të gjitha konviktet e studentëve të Universitetit të Prishtinës, organet e UDB-së kanë bërë kontrolle të imta, për të gjetur autorët e gazetës ilegale “Lajmëtari i Lirisë”, dhe ata që e lexojnë dhe e shpërndajnë këtë gazetë, si dhe materiale të PPSH-së…!
Aktualisht në Jugosllavi zbatohet politika e Çubrilloviçit dhe Cvijiçit. Kjo është arsyeja që shqiptarët i kanë ndarë copa copa, në mënyrë të tillë që të mos bëjnë një shumicë, sepse do të ishte e rrezikshme për sllavët…!
Qëllimi ynë ka qenë dhe do të mbetet, bashkimi me Nënën Shqipëri, sepse edhe ne jemi pjesë e pandarë e trupit të saj. Tek ne ka shumë gjëra të reja, por ja ne ende heshtim. Gjatë festive të nëntorit në Kosovë, janë shkruar parulla nëpër mure, me kërkesën që 28 dhe 29 nëntori, të shpallet edhe atje festë zyrtare…!
Studentët e vitit të katërt të Metalurgjisë në Mitrovicë, në mënyrë demonstrative nuk kanë hyrë në leksionet që jepen në serbisht dhe kanë kërkuar që lëndët të jepen në gjuhën shqipe”.
Informacion Nr.178, datë 5.2.1981;
“Të gjitha masat e UDB-së, nuk po bëjnë efektin e kërkuar prej saj, por të kundërtën. Po thellohet hendeku midis krerëve drejtues të pushtetit dhe popullit, midis serbëve dhe shqiptarëve…!
Në shkollën “Normale” të Gjakovës e Deçan, janë arrestuar nxënës dhe pedagogë, sepse në kontrollet e befasishme, u kanë gjetur veprat e shokut Enver “Eurokomunizmi është anti-komunizëm” dhe “Hrushovianët” – Kujtime…!
Këngëtarja……….është arrestuar, sepse nuk ka pranuar të këndojë këngë për Titon. Ajo ka thënë në UDB-ë, se nuk i këndoj këngë renegatit të popullit tim…!
Në Kosovë qarkullojnë literaturë nga vendi ynë dhe atje ka “biblioteka të nëndheshme”. Studentët flasin me fraza të tilla, si; “Jemi gati ta tundim Kosovën”, “I kemi sytë andej, etj”.
Informacion Nr.254, datë 20.2.1981;
“Kontradiktat nacionale në Kosovë, janë duke u thelluar…! Kundërshtimi që u bëhet serbëve në Kosovë, mbështetet edhe nga kroatët e sllovenët, të cilët thonë: “Le ta fillojë e para Kosova, ne atë presim, pastaj edhe ne do ta vazhdojmë rrugën tonë, të shkëputemi nga Federata dhe të mos kemi të bëjmë me serbët”.
Informacion Nr.359, datë 3.3.1981;
“Në buletinin e brendshëm që del në Jugosllavi për kuadrot e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe ata me funksione në pushtet, në numrin e fundit, shkruhej dhe për Shqipërinë, ku thuhej: “Shqipëria ka pretendime territoriale ndaj Jugosllavisë.
Kjo është arsyeja që Shqipëria mundohet që marrëdhëniet t’i forcojë më shumë sidomos me Kosovën dhe Viset e, për të rritur influencën e saj në popullsinë shqiptare”.
Ministria e Jashtme në Beograd, me njerëz të posaçëm, është duke studiuar me vëmendje të gjithë dokumentacionin e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, që nga fillimi i shekullit e deri tani.
Kjo nuk është një diçka e rastit, po të kemi parasysh se në prapaskenë, të gjitha grupimet politike e sidomos ato nacionaliste, punojnë e përgatiten për ngjarjet e ardhshme…!
Problemi shqiptar në Jugosllavi, sa më shumë që të kalojë koha, aq më i rëndësishëm do të bëhet për Federatën, sepse minoritetet e tjera nuk kanë peshë.
Problemi shqiptar është më i rëndësishmi për Federatën, pasi ata janë një komb dhe s’kanë të bëjnë fare me sllavët. Por më tepër aspirata e shqiptarëve, për t’u bashkuar me kombin mëmë, sa vjen bëhet dhe më real.
Ata shohin padrejtësinë që u ka bërë historia; të cilën koha duhet që ta ndreqë medoemos. Zgjidhjen e kësaj duhet ta japë gryka e pushkës. Për këtë jemi të ndërgjegjshëm dhe po përgatitemi për momentin e caktuar…!
Njerëz patriotë në Kosovë, në formë grupesh, organizojnë ndihma të vazhdueshme ndaj familjeve që kanë pjesëtarë në burg, për motive politike anti-jugosllave. Kjo ndihmë jepet në të holla dhe interesime për problemet e tjera që kanë”.
SHËNIM:
- Informacionet 10 e 15 ditore me probleme nga më të ndryshmet, janë rreth 160 faqe. Armiku Feçor Shehu urdhëroi me datën 18.11.1981, të mos bëhet më, por të bëhet informacion i shpejtë mbi ngjarjet, sipas çështjeve për shokët lart.
Këtë gjë ai e bën fill pas Kongresit të 8-të të PPSH-së, ndonëse të dhënat e mëparshme, kanë qenë po aq të rëndësishme, në mos më tepër.
- Mbajtja e këtyre të dhënave, pa ja kaluar Partisë, mendojmë se është bërë me qëllime armiqësore. / Memorie.al
DREJTORI I DREJTORISË SË III-TË
PERLAT ÇAUSHI













