• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Monday, October 27, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Kur i shkuan në takim në Degën e Brendshme të Elbasanit, Shahini Dosku, nuk e njohu djalin e tij, Halilin dhe kur Azizi i tregoi, se ishte i biri, ai…”/ Historia e trishtë e familjes nacionaliste Dosku

“Në ‘76-ën, kur e arrestuan Haxhi Balliun, Refatin e thërresin në Degën e Brendshme të Librazhdit, ku e torturojnë dhe i kërkojnë të dëshmojë për Haxhiun…” / Historia e trishtë e familjes Dosku
“Në ‘76-ën, kur e arrestuan Haxhi Balliun, Refatin e thërresin në Degën e Brendshme të Librazhdit, ku e torturojnë dhe i kërkojnë të dëshmojë për Haxhiun…” / Historia e trishtë e familjes Dosku
“Në 1952, i ndihmuar nga vëllai i tij, Tafili, merr me vete të shoqen e Ismail Balliut, me dy vajzat, që kërkonin të largoheshin dhe arratiset në Jugosllavi, ku…”/ Historia e panjohur e Hamit Lukës nga Funarësi
“Kur Sami Baholli i kërkoi Daut Gurrës, që të bashkohej me Frontin, ai i tha; keq më vjen se të kam mik, por s’na lejon kurani të bëhemi me ju, pasi…”/ Ana e panjohur e konfliktit gjatë luftës në zonën e Librazhdit
“Kur ‘Gazi’ dhe ‘Ifa’ lanë xhadenë dhe u futën në rrugën e baltosur të Ardenicës, më kapi makthi: mos sjellja e butë e shefit të Degës Brendshme, ishte kurth, pasi…”!/ Kujtimet e shkrimtarit Sokrat Shyti
“Kur pa se në sallë ndodhej dikush që i kishte shkaktuar 23 vite burg, ai iu drejtua ambasadorit amerikan: Shkëlqesi, më keni nderuar shumë sot, por…”/ Historia tronditëse e të riatdhesuarit nga SHBA-ja

Nga Ali Buzra

Pjesa e tridhjetegjashtë

                                                 JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE 

                                                 (VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)

Gjithashtu mund të lexoni

“Kisha Autoqefale Shqiptare dhe ‘Vatra’, janë dy shtyllat që i vunë bazat lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA-ës, por ishin disa shqiptarë grekomanë…”/ Refleksionet e studiuesit Prof. Petër Priftin  

“Në ‘76-ën, kur e arrestuan Haxhi Balliun, Refatin e thërresin në Degën e Brendshme të Librazhdit, ku e torturojnë dhe i kërkojnë të dëshmojë për Haxhiun…” / Historia e trishtë e familjes Dosku

Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.                           

                                                                                                                          Bedri Kaza

                                                 Vijon nga numri kaluar

Shahini ruajti miqtë tradicionalë të familjes, ndërkohë krijoi edhe miq të rinj. Ai fejoi djalin e tij Xhevitin, me vajzën e Azis Biçakut nga Letmi. Ata që e kanë njohur, thonë se Shahini ishte orator i zoti. Në mexhlize e kuvende, dëgjohej me shumë kureshtje e vëmendje fjala e tij. Në periudhën e luftës e në ngjarjet e ngatërruara që kalonte vendi, nuk mund të qëndronte jashtë saj, një figurë e tillë e spikatur siç ishte pinjolli i kësaj familje, Shahin Dosku.

Ashtu si në fshatrat e tjerë, edhe në Dorëz, aty nga fillimi i vitit 1943, krijohet çeta e ‘Ballit Kombëtar’, në krye të së cilës u vu Shahin Dosku. Kushëririn e tij Demir Doskun’ e kishte sekretar. Çeta e Ballit kishte rreth 50-60 burra të armatosur, që thërriteshin në rast nevoje, kryesisht për vetëmbrojtje. E veçanta për të është se Shahini gjatë luftës, ka qenë mjaft i ekuilibruar ndaj ngjarjeve të kohës. Nga dëshmitë e shumta të bashkëkohësve, rezulton se Shahini, pavarësisht situatave të nxehta e konfliktuale mes forcave politike, në sjelljet e veprimet e tij, nuk ka shfaqur asnjëherë prirje radikale. Këtë e vërteton edhe fakti se ai ka bashkëpunuar gjatë luftës, edhe me Frontin Nacional-Çlirimtar.

Vëllai i tij Maksuti, sot 92-vjeçar, rrëfen se në vjeshtë të vitit 1944, Shahini ka pranuar të zgjidhet Kryetar i Frontit Nacional-Çlirimtar të fshatit. Shtëpia e Shahin Doskut, është bërë strehë për partizanët, dhe jo vetëm në dy apo tre raste, por me dhjetëra të tilla. Në shtëpinë e tyre, kanë treguar vëllezërit, Maksut e Muhamet Dosku, shtrohej për çdo natë një sofër bukë me 15-20 vetë. Kur vinin partizanët, shtihej disa herë në ditë furra e bukës, duke gatuar për ta, ku u shtrohej në sofra për të ngrënë dhe u jepej me vete. Ka patur raste, rrëfejnë ata, që në konakun e miqve lart, ishin miq të Ballit, ndërsa poshtë, në dhomën e gatimit, qëndronin partizanët, mes të cilëve kishte edhe gra.

Muhameti, në atë kohë 13-14 vjeçar, bashkë me djalin e Shahinit, Xhevitin, disa herë kanë përcjellë partizanët, duke i shoqëruar deri në dalje të fshatit. Në ditën e zhvillimit të luftimeve mes Brigadës së Dytë partizane e, çetave nacionaliste të Zgoshtit e të Letmit në Qafë Drizë, Shahin Dosku me çetën e tij, u pozicionua në kodrën e Ortojonit, ndërsa Zeq Hunçi, në kodrën e Hoxhojve. Kjo, për arsye vetëmbrojtje, mbasi Komanda e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë partizane, kishte urdhëruar formacionet e saj, për të eliminuar çetat e Ballit, në disa zona të Librazhdit. Me Brigadën e Dytë, ndodhi e kundërta. Njësitë e saj, pothuaj u shkatërruan në luftën vetëmbrojtëse që organizuan çetat e Zgoshtit e të Letmit, të udhëhequra nga Isak Alla e Azis Biçaku.

Gjithsesi, në rastin konkret, është për t’u vënë në dukje qëndrimi tolerant i mbajtur nga ana e Shahin Doskut dhe Zeq Hunçit, të cilët përderisa ishin të njohur me urdhrin për eliminimin e çetave të Ballit, edhe mund të kishin shkuar në ndihmë të fshatrave fqinjë. Ata, jo vetëm që nuk e bënë këtë, por ndihmuan disa partizanë, të cilët mundën të largohen nga Rrapuni e, duke kaluar mes për mes fshatit Dorëz, arritën në Krastë. Zeq Hunçi dërgoi atje Abdulla Dobrën, Ramadan Koxhën dhe Abdulla Kojkun, të cilët ndihmuan partizanët, i mjekuan të plagosurit e u dhanë ushqim për rrugë. Ishin të dy komandantët e çetave nacionaliste, Zeq Hunçi dhe Shahin Dosku, që mundësuan të kalojë lirshëm grupi partizan, duke i përcjellë me ushtarët e tyre deri në Qafë-Shlli. Gjatë kësaj kohe, ata bënë nga një batare pushkë në ajër, nga vendet ku qenë pozicionuar, me qëllim shmangien e djegies së fshatit nga forcat gjermane, që ishin në Babje.

Dorzakët kanë qenë unikë në qëndrimin e tyre, ndaj partizanëve të thjeshtë. Për këtë thuhet se edhe Maliq Dosku, i cili nuk përzihej pothuaj fare me çështjet e luftës, në rastin konkret, është shprehur, se; “partizanët nuk mund t’i vrasim në dyert tona, edhe sikur të digjemi të gjithë”. Është plotësisht e qartë, se nuk mund të kalonte grupi i partizanëve të Brigadës së Dytë Sulmuese, nëpër territoret e fshatrave Dorëz e Gizavesh, në qoftë se nuk do t’ua mundësonin krerët e fshatrave përkatës.

Nga ana tjetër, nisja e tyre në këtë drejtim, nuk ishte spontane. Ata patjetër që kishin marrë informacion mbi qëndrimin e fshatrave ndaj luftës. Dhe jo vetëm kaq, por edhe Zgoshti e Letmi, që u sulmuan nga forcat e Brigadës së Dytë partizane, mbas betejës, jo vetëm nuk i keqtrajtuan robërit, por i liruan ata, duke i lejuar të shkojnë në drejtimin ku nuk përbënte rrezik nga gjermanët. Këto fakte flasin për akte të larta humanizmi e fisnikërie, të krerëve nacionalistë të zonës.

Përkrah Frontit Nacional-Çlirimtar, vepronte edhe Batalioni territorial i Bilal Biçakut, nga Qarrishta. Shahini dërgon atje disa ushtarë të Dorëzit, mes të të cilëve edhe vëllanë e tij, Maksutin 16-17 vjeçar. Për këtë, Maksuti tregon se kanë shkuar në Shmil e, deri në malet e Tiranës. Ai mban mend të kenë qenë të inkuadruar në këtë batalion, disa djem nga Dorëzi e Gizaveshi, siç ishin; Rexhep Mema, Isuf Brazhda, Shefqet Dosku, Ramadan Koxha, Ibrahim Brazhda, Ramadan Vërçani, Tafil Kojku, Ramadan Dosku etj., të cilët pas shkrirjes së Batalionit territorial, kaluan në formacionet partizane, kryesisht të Brigadës së Parë të Mehmet Shehut. Nga biseda me të ndjerin Beg Hoxha, 92 vjeçar, në vitin 2013, ai shprehet se Shahin Dosku e ka mbrojtur fshatin, si dhe ka ndihmuar luftën e partizanët.

“Në bashkëpunim me Ram Kurtin, i cili ishte zgjedhur kryetar i Këshillit Nacional-Çlirimtar për fshatin Dorëz, – rrëfen ai, -Shahini dërgon disa djem në Brigadën XV-të dhe IV-ët partizane. Nga të gjitha dëshmitë e marra rezulton, se nuk ka asnjë rast të konfrontimit të çetës balliste të Dorëzit, si dhe të asaj nacionaliste të Gizaveshit, me partizanët, përkundrazi, janë dhjetëra familje të këtyre fshatrave, që kanë pritur e përcjellë ata, ndërkohë mbi 20 burra të fshatit Dorëz, janë rreshtuar në formacionet e luftës. Gizaveshi, rreshtoi në radhët e luftës partizane 43 burra, duke zënë vendin e parë në shkallë rrethi, për pjesëmarrje në luftë. Ndihma e Shahin Doskut, ashtu si edhe e krerëve të tjerë nacionalistë të zonës, është evidente edhe në kalimin e Brigadës së Parë Slmuese të Mehmet Shehut, së cilës i u mundësua dhe lehtësua lëvizja drejt Qarrishtës.

Pas lufte, në fillim të vitit 1945, në fshat vjen e deleguara e qarkorit të Partisë, Vjollca Xhufka, e cila merr kontakt me Shahinin, si kryetar i Frontit Demokratik, si dhe Ram Kurtin, i cili mbante detyrën e kryetarit të Këshillit Nacional-Çlirimtar, për Dorëzin. Me porosi të tyre, atë e ka shoqëruar për në Librazhd, Musa Dosku, i cili ishte caktuar korrier fshati. Drejtuesit e fshatit Dorëz, si dhe Gizavesh, menjëherë pas çlirimit të vendit, u angazhuan dhe ndihmuan në marrjen e masave të para për rindërtimin e banesave të dëmtuara në qytetin e Librazhdit. Lind pyetja! Me gjithë qëndrimin e denjë të mbajtur gjatë periudhës së luftës, a mund të pajtoheshin Shahin Dosku dhe Zeq Hunçi, me reformat drastike që do të ndërmerrte shteti komunist pas lufte? Natyrshëm, që jo?

Kështu rrjeti informativ shtetëror i shpërndarë kudo, piketonte në çdo fshat e zonë personat që do të eliminoheshin, si pengesë në ndërmarrjen e reformave socialiste në Shqipëri. Shahin Dosku, jo vetëm si ish-komandant i çetës së Ballit Kombëtar, por edhe si drejtues i një familje me një bazë të mirë ekonomike, nuk mund t’i shpëtonte terrorit komunist. Ndërkohë, ai ishte mik me Azis Biçakun, i cili kishte kaluar në arrati. Në fillim të vitit 1946, Shahini arrestohet, por për mungesë provash e lirojnë. Arrestohet për së dyti duke manipuluar disa dëshmitarë kundër tij. Në fund të vitit 1946, arrestohet edhe Zeq Hunçi në Gizavesh.

Në gjyqin ndaj Shahinit u thirrën 27 dëshmitarë, mes të cilëve edhe një grua plakë nga Bërzeshta. Kur u pyet plaka nga gjykatësi, i cili siç duket e dinte se ajo qe e parapërgatitur, në se e njihte Shahin Doskun, ajo i përgjigjet se nuk e njihte, por se i kishin thënë se është armik e duhet dënuar. Pra, ashtu si dhe për qindra nacionalistë të tjerë në Shqipëri, gjyqi ishte i inskenuar dhe i parapërgatitur për të dënuar ata. Fillimisht, masa e dënimit për Shahinin, ishte me pushkatim. Në seancën e dytë 101 vjet, dhe së fundmi i u la 25 vjet, me motivacionin si “armik i popullit”.

Familja e madhe e Shahin dhe Azis Doskut shpronësohet, ndërsa familjarët persekutohen, duke u cilësuar kulakë

Arrestimi dhe dënimi i tij u shoqërua me masa të tjera të ashpra ndaj familjes. Vëllezërit që ishin ende të pandarë, u përpoqën që t’i shesin apo t’i çojnë te miqtë bagëtitë, por edhe kjo ishte e vështirë. Përballë masave shtrënguese të shtetit, gjithkush përpiqej të ruante “lëkurën” e vet. Menjëherë pas arrestimit të Shahinit, familjes i konfiskuan 12 qe parmende, 4 lopë, 1 kalë, një numër i madh bagëtish të imta, ku familjarët mbajnë mend se vetëm dele të zeza, u morën 110 kokë, si dhe sasi të konsiderueshme ushqimesh, si bylmet pekmez etj., duke lënë në mëshirë të fatit, afro 70 pjesëtarë të familjes. U sekuestrua dyqani në lagjen Qendër, në të cilin më pas do të vendosen zyrat e lokalitetit. U sekuestrua edhe shtëpia në Librazhd, me 7 dhoma, ku fillimisht u vendosën mësuesët e shkollës, ndërsa më pas u vendosën zyrat e gjendjes civile, të administratës së rrethit.

Shahinin, Zeq Hunçin, Maliq Doskun, Sehit Albrahimin nga Luniku, Sadik Muzhaqin nga Vilani, Daut Gurrën e shumë të tjerë të burgosur, i dërguan në kënetën e Maliqit. Kampi i punës në Maliq ishte një “Gulak” mizor shqiptar. Të burgosurit punonin në ujë deri në gju, e në mjaft raste deri në brez pa asnjë mjet mbrojtës. Me të dënuarit, është tharë në vitet e para pas çlirimit, këneta e Maliqit, ajo e Hoxharës etj. Ata i shfrytëzonin në maksimum në këto këneta, e kur bëheshin të paaftë për punë, i largonin prej aty duke i zëvendësuar me të tjerë. Shumë prej tyre u sëmurën dhe vdiqën. Më pas, Shahini dërgohet në burgun e Elbasanit. Edhe aty ata i çonin në punë, ku më shumë kanë punuar në ndërtimin e kanalit të Hajdares.

Familjarët e tij shkonin çdo muaj te ai duke i dërguar ushqime kafe e duhan, me gjithë vështirësitë ekonomike që ata kalonin në shtëpi. Për këtë, më 30 mars 2019, duke biseduar me vajzën e vogël të Shahinit, Xhevrien, e cila është e shoqja e Rrahman Gjëkolës nga Dorëzi, mësuam mjaft detaje nga takimet me babain e saj, si dhe të vështirësive që kalonte familja e tyre. Ajo rrëfen, se disa herë ka shkuar të takojë babanë te burgu, duke shkuar me Xhaxhanë e saj Azizin, xhaxhanë tjetër Sehitin, si dhe me Xhevitin, nënën e saj Mejremen e, njerkën, të ëmën e Halilit dhe Avniut. Në Elbasan, shkonin gjithmonë më këmbë. Me shumë dhimbje, ajo shprehet për një rast që i ka mbetur brengë e pashlyer në zemër. Shkojnë bashkë me Azisin, Menduhien dhe Halilin, djalin e dytë të Shahinit.

Si për çdo rast, takimi bëhej nga përtej hekurave. Mbasi përshëndeten me të, Shahini, nuk e njohu djalin e tij Halilin dhe e pyet Azisin për të, se cili ishte. Ky i fundit i thotë se është Halili. Nga ky moment, ai nuk mundi të flasë më me asnjërin prej tyre, duke u shkrehur në vaj. U mbyll takimi me të pa arritur të komunikonin më tej. Mbas gati dy orësh, Azizi i kërkon rojës, që të takohen përsëri, sepse nuk mundën të komunikojnë fëmijët me të, por ai nuk i lejoi, duke thënë se takimi kishte mbaruar. Atë natë, në darkë shkuan te një miku i tyre në Elbasan. Njerka ia futi këmbët Xhevries në shëllirë, sepse i qenë ënjtur nga rrugëtimi, mbasi të nesërmen do të ecnin përsëri. U nisën për në shtëpi, ku as Xhevria, e as Halili, nuk mundën të flasin me babanë e tyre. – “Ky qe takimi i fundit, – rrëfen ajo, duke u përlotur, – dhe nuk e pashë më babanë”. Shahin Dosku, ndërroi jetë në burgun e Elbasanit, në vitin 1953.

Ky ishte shpërblimi që i dha shteti komunist Shahin Doskut, i cili strehoi e ndihmoi dhjetëra partizanë gjatë periudhës së luftës. Ai ishte baba i shtatë fëmijëve, tre djem e katër vajza, të cilët mbetën jetimë. Familja e madhe e Shahin Doskut, ashtu si edhe shumë të tjera të cilësuar kulakë, kalonte vështirësi të shumta ekonomike. Në familjen e tij ishin dy motrat e Mefail Biçakut nga Qarrishta, njëra ishte e shoqja e Latifit, i cili kishte ndërruar jetë, duke lënë tre vajza të cilat i martoi Shahini kur qe i lirë, ndërsa tjetra, ishte e shoqja e vëllait tjetër, Azisit. Në rrethana të tilla, në kushtet e shpronësimit e të përbuzjes, vëllezërit vendosën të ndahen për të mbijetuar, por ata kurrë nuk ndërprenë ndihmën e kujdesin ndaj njëri-tjetrit.

Siç e kemi theksuar më lart, familjet kulake ishin të privuar nga shumë të drejta civile, prandaj secila prej tyre përpiqej të negocionte me shtetin, për të hequr titullin kulak. I pari që mori triskat e Frontit, duke i u hequr titulli kulak, ishte Maksuti. Ai kishte qenë në luftë, ndërkohë kishte marrë gruan te familja Gjeta, në Librazhd, të lidhur gjatë luftës me Frontin. Vëllezërit e gruas ndërhynë dhe ndihmuan atë, në heqjen e titullit kulak. Pas tij morën triskat edhe Muhameti me Hamdinë, të cilët ishin vëllezër të një nëne me Maksutin. Peripeci të shumta kaloi familja e Azizit, i cili ishte vëlla i një nëne me Shahinin. Ai kishte pesë djem e dy vajza. Djali i madh i tij, Mendui, ishte mjaft i shkathët e inteligjent. Ai ngjante shumë me xhaxhain e tij, Shahinin.

Duke ditur se qenia kulak, i privonte nga e drejta e fjalës, e mbledhjes, e shkollimit etj., ai zbriste herë pas here në Librazhd, Elbasan e deri në Tiranë. Duke trokitur në dyert e qeveritarëve, ai kërkonte të drejtat njerëzore të mohuara, ku shpesh pretendonte ballafaqim me ligjin. Me këmbënguljen e tij, u arrit që në vitin 1956, t’i hiqet titulli kulak edhe familjes së Aziz Doskut. Nga informacionet e marra sot nga vëllezërit e kësaj familje, rezulton se megjithëse iu hoq titulli i kulakut, ata edhe për shumë vite më pas, nuk i morën triskat e Frontit! Vëllaun e tij të vogël, Pëllumbin, e dërgon në shkollën Pedagogjike Elbasan, për mësuesi. Ai punoi si mësues në ciklin fillor në fshatra të ndryshme të rrethit, ndërsa për të vazhduar shkollën e lartë, as që mund të bëhej fjalë, mbasi vinte nga një familje ish kulake.

Fillimisht, djemtë e Shahinit ndejën të pandarë me xhaxhanë e tyre, Azizin. Djali i madh, Xheviti, nuk hoqi dorë nga martesa me vajzën e Azis Biçakut, megjithëse ajo ndodhej në internim. Siç e kam përshkruar më lart, ata martohen në vitin 1952, ku nusen e tij, Menduhien, e liruan nga internimi, mbas disa kërkesash të bëra nga ana e familjes Dosku. Mbas shkrirjes së lokaliteteve, e pas shumë kërkesave, fëmijët e Shahinit mundën të marrin shtëpinë e konfiskuar në Qendër. Vijnë nga Ortojoni, me pak orendi e një thes misër, sa për të mbajtur frymën. Familja e Shahin dhe Azis Doskut, me afro 1000 kokë bagëti, tashmë ishte shkatërruar krejt ekonomikisht. Djali i Shahinit, Avniu, mbaroi shkollën fillore në fshat me rezultate të shkëlqyera.

Ai dëshironte të vazhdonte shkollën Pedagogjike në Elbasan, por kjo nuk u bë e mundur. Komiteti Ekzekutiv i rrethit, nuk e miratoi kërkesën. Ish mësuesi i tij, Qemal Çiftja, nga Elbasani, u tha se do ta mbante në shtëpinë e tij, për të vazhduar shkollën si i jashtëm, por edhe kjo nuk u mundësua. Familja e tyre mbante ende titullin, “kulake”. Një interesim të veçantë për djemtë e mitur të Shahinit, Avniun e Halilin, ka bërë xhaxhai tjetër i tyre, Sehit Dosku, i cili qe shkëputur nga fshati dhe banonte në Librazhd. Sehiti pati blerë tokë e, ndërtuar shtëpi në qytet.

Ai, merr Avniun e shkon në Tiranë të takojë Gogo Nushin, i cili ishte me pozitë të lartë shtetërore. Në kohën e luftës Gogoja qe strehuar në shtëpinë e tyre dhe Sehiti e pati përcjellë për në Qarrishtë, te Bilal Biçaku. Ata njiheshin mirë. Ai i priti në zyrë. – “I kujt je ti”?- e pyeti ai Avniun. – “I Shahin Doskut, baba më ka vdek në burg”, – i tha Avniu. – “Si ka mundësi? Unë nuk e di se ka qenë në burg”, – iu drejtua ai Sehitit. – “Shahini, na ka ndihmuar shumë në kohën e luftës”. – “Erdha t’ju kërkoj të ndihmoni fëmijët e Shahinit, për të marrë triskat e Frontit”, – i thotë Sehiti. – “Shkoni, se do t’ua sjellim atje”, – i thotë së fundmi ai. / Memorie.al

                                                        Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Ai ishte një nga pesë lojtarët më të mirë në Shqipëri, të viteve ’80-të, një nga më të vështirët për t’u markuar,  por edhe njeri model, pasi...”/ Vlersimet e Gaz Çaçit dhe Cukës, për Sokol Kalajn e “Vllaznisë”!

Next Post

“Me komandantin e gjindarmërisë, u dëbuam nga Esat Pasha, në Tiranë e Durrës gjendja ka ndryshuar, kanë nisur veprime që...”/ Historia e panjohur e Tefik Rogut nga Skrapari, mikut të Ismail Qemalit

Artikuj të ngjashëm

“Zyrtarë të Departamentit të Shtetit, janë në pritje për heshtjen tuaj të gjatë, në lidhje me çështjet midis SHBA-ve, dhe…”/ Letrat e panjohura të Nolit me Enverin, për anëtarësimin Shqipërisë në OKB, në ’46-ën
Dossier

“Kisha Autoqefale Shqiptare dhe ‘Vatra’, janë dy shtyllat që i vunë bazat lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA-ës, por ishin disa shqiptarë grekomanë…”/ Refleksionet e studiuesit Prof. Petër Priftin  

October 26, 2025
“Materialet e dërguara nga ju, u studjuan nga zv.ministri Feçor Shehu, i cili miratoi asgjesimin e dokumentëve për antarët dhe kandidatët e partisë, si Ismail Kadare dhe…”! / Dokumenti sekret i janarit 1979
Dossier

“Në ‘76-ën, kur e arrestuan Haxhi Balliun, Refatin e thërresin në Degën e Brendshme të Librazhdit, ku e torturojnë dhe i kërkojnë të dëshmojë për Haxhiun…” / Historia e trishtë e familjes Dosku

October 26, 2025
“Daut Gurra strehoi për disa kohë, shtatë partizanë që kishin ngrirë, por pas 1944-ës, familja e tij u masakrua, dy djemtë ia burgosën, ‘për atentat ndaj Hrushovit’ …”/ Historia e trishtë e fisit nga Librazhdi
Dossier

“Daut Gurra strehoi për disa kohë, shtatë partizanë që kishin ngrirë, por pas 1944-ës, familja e tij u masakrua, dy djemtë ia burgosën, ‘për atentat ndaj Hrushovit’ …”/ Historia e trishtë e fisit nga Librazhdi

October 26, 2025
“Me kërkesën e diplomatëve perëndimorë, Kadare doli publikisht në mbrojtje të procesit të Rambujesë dhe kur Thaçi e pyeti, në se…”/ Refleksionet e publicistit të njohur, për marrëveshjen e famshme
Dossier

“Me kërkesën e diplomatëve perëndimorë, Kadare doli publikisht në mbrojtje të procesit të Rambujesë dhe kur Thaçi e pyeti, në se…”/ Refleksionet e publicistit të njohur, për marrëveshjen e famshme

October 24, 2025
“Kur Sami Baholli i kërkoi Daut Gurrës, që të bashkohej me Frontin, ai i tha; keq më vjen se të kam mik, por s’na lejon kurani të bëhemi me ju, pasi…”/ Ana e panjohur e konfliktit gjatë luftës në zonën e Librazhdit
Dossier

“Kur Sami Baholli i kërkoi Daut Gurrës, që të bashkohej me Frontin, ai i tha; keq më vjen se të kam mik, por s’na lejon kurani të bëhemi me ju, pasi…”/ Ana e panjohur e konfliktit gjatë luftës në zonën e Librazhdit

October 26, 2025
“Koço Plaku, mbronte specialistët me përbërje të keqe politike, dhe shprehej; me cilët do të punoj, kur komunistët janë të pa aftë…”?! / Akt-akuza e Aranit Çelës, ndaj “Grupit sabotator të naftës”, qershor 1976
Dossier

Skandali në Gjykatën e Lartë në 1960-ën: “Kur prokurori kërkoi dënimin me vdekje, kryetari gjykatës dha pafajësinë e, lirimin në sallë të K. B., por unë s’pranova dhe…”/ Zbulohet dokumenti sekret i Sigurimit të Shtetit

October 23, 2025
Next Post
“I konsideroj aspak dinjitoze, që komisioni Juaj për Reparacionet pranë Konferencës së Paqes, refuzoi propozimet dhe praninë time, pasi…”! / Zbulohet letra e Esat Pashë Toptanit, për Pashiqin, 20 janar 1920

“Me komandantin e gjindarmërisë, u dëbuam nga Esat Pasha, në Tiranë e Durrës gjendja ka ndryshuar, kanë nisur veprime që...”/ Historia e panjohur e Tefik Rogut nga Skrapari, mikut të Ismail Qemalit

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme