Nga Dr. Laurent Bica
Pjesa e dytë
– POLIFONIA E SHQIPTARIZMIT ARISTOKRAT: TEQEJA SHUMËPLANËSHE E FRASHËRIT –
Memorie.al / Teqeja e Frashërit printe në ballë të shqiptarizmës, në ballë të teqeve shqiptare nga Gjakova e Kosovës, në Durballa të Thesalisë, e deri në Kavallë të Selanikut! Nderime e respekte pafund Frashërit dhe Frashërllinjve, për atë ndihmesë të paçmuar që kanë dhënë në altarin e çështjes kombëtare, dhe për njerëzit e shquar që i kanë dhënë Panteonit Kombëtar, me në krye vëllezërit zulmëmëdhenj Frashëri; Abdyl, Naim, Sami, Mehmet!
Rilindasit tanë, kur e solli rasti e koha dhe e patën mundësinë, vizituan dhe sallonet mondane të Europës, si të Vjenës, Romës, Parisit, Londrës, Madridit, Moskës, Amsterdamit etj., siç ndodhi me një Abdyl Frashëri, Abedin Dino, Mehmet Ali Vrioni, Pashko Vasa, Turhan Pashë Përmeti etj. E dimë nga historia se me këto sallone kanë qenë të “familjarizuar” mirë dhe Dora d’Istria dhe Faik Konica, të zonës së Përmetit e përreth…!
Zonjës së madhe Elena Gjika, i kushtuan një antologji me poezi njerëz të shquar të inteligjencës arbëreshe të Italisë, arbërorëve të Greqisë, po dhe nga Shqipëria (Shkodra), që e njihnin personalisht apo kishin korrespondencë me të. Në sallonet mondane franceze, ku mblidhej ajka e inteligjencës së Francës, po dhe nga kombe të tjerë, në mjedisin e tyre (dhe të mos na vijë çudi) ka pasur dhe dijetarë arbëreshë, shqiptarë, ballkanas, etj., që i njohim apo s’i njohim aspak.
Edhe sot e kësaj dite ndërtesa stambollite, apo përgjithësisht turko-mane, ka në përbërje sallonin e madh të pritjes së miqve, ndofta odën më të madhe të shtëpisë. Ajo si sistem është institucionalizuar në shekuj dhe vjen deri në ditët tona e trashëguar më së miri, ashtu sikurse oda e pritjes në kullat kosovare e, deri poshtë në Çamëri e në Manastir e më tej. Konakët e Ismail Qemalit, rilindas shqiptar, e të Ahmet Refik Pashës, rilindas osman, në rajonin e Arnaut-Qojit buzë detit Marmara në Stamboll, ishin model i këtyre salloneve, dhe jo që s‘u linin gjë mangët salloneve europiane, po konkurronin me to si nga hapësirat që përfshinin ashtu dhe nga bukuria e mobilimi.
Aty ndërthurej në shkallën më të lartë mikpritja me fisnikërinë shqiptare e osmane dhe bollëkun e menysë së gjellëve dhe cilësinë e tyre dhe sqimën e të zotërve të shtëpisë…! Autori i këtyre radhëve ka parë me sytë e vet sallonin tepër të madh, në Bejollë pranë Liceut të Gallatasarajt, të Shoqatës së Shqiptarëve të Stambollit e, të krejt Turqisë, si dhe një sallon të stërmadh të një familjeje të pasur turke në Jajla (një rajon tjetër i Stambollit), me piano e mobilie të tjera tepër të vyera, në ditët tona…!
I ndoqën Frashërllinjtë, po dhe rilindasit e tjerë shqiptarë, në rrugëtimin e tyre nga Shqipëria drejt qendrës së Perandorisë Osmane, Stambollit, dhe për një pjesë prej tyre dhe drejt Europës. I ndoqën një Naim, Sami, po dhe një Abdyl në trajektoren e tyre të jetës nga “salloni”, apo oda e pritjes e teqesë së Nasibiut në Frashër, në “konakët” e Stambollit dhe Abdylin, udhëheqësin shpirtëror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, deri në sallonet mondane të Parisit, Vjenës etj.
Por për ta, kudo që vajtën, ngado që shkuan, nga Frashëri në Janinë, nga Janina në Stamboll, nga Tripoli i Libisë në Vjenë të Austrisë apo në mbarë Europën, siç bëri Abdyli, nga kujtesa mbeti e pashlyer ajo, kudhra e parë, Teqeja e thjeshtë e Frashërit, ku morën mësimet e para të shqiptarizmës e bektashizmës, të dashurisë për njeriun e veçanërisht atë shqiptar.
Naimi dhe Samiu nuk e panë më Teqenë e Frashërit, se ishin të internuar e të izoluar në Stamboll. Vdiqën në mërgim dhe u varrosën pranë në Merdiven Qoj, në varret bektashiane pranë xhamisë së Sahrai-Xhedid. Por teqe ata patën në anë të Kadiojit, e kontaktet me bektashinjtë e baballarët e tyre (disa prej të cilëve shqiptarë), në sallonet e tyre nuk i ndërprenë asnjëherë. Këto u sillnin deri diku në mendje Frashërin me teqenë e tij bektashiane, dhe i bënin të mos e ndjenin deri në njëfarë mase mallin e mëmëdheut që i përvëlonte.
Në kujtesën e tyre më e dashur se sallonet europiane apo osmane, mbetën ato shqiptare, dhe në mënyrë të veçantë shëmbëlltyra e pashlyer, vizioni i Teqesë së Nasibiut, aty në Frashërin malor, ku bënë pagëzimin e parë me idetë e misticizëm bektashiane e të shqiptarizmës. Naimi, Samiu, e mbarë korifenjtë e Rilindjes sonë Kombëtare, ishin iluministë të shquar që ndriçuan popullin shqiptar në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe progresit. Për këtë ata janë të pavdekshëm, si ata vetë bashkë me trashëgiminë që na lanë. Nuk mund të mohojmë ndikimin e iluminizmit francez në ta.
Por bashkë me të dhe vlerat e tij të padiskutueshme, nuk mund të mos i japim të drejtë të ndjerit Padre françeskan, At Zef Pllumbit, i cili nënvizon se; kemi një komponentë të iluminizmit shqiptar. Madje, sipas tij, Bushatlinjtë e Shkodrës bënë një gjysmë shekulli më parë, para Revolucionit Borgjez francez, në mënyrë paqësore shndërrime, që ky i fundit i bëri me dhunë. Prandaj rrënjët e iluminizmit shqiptar, sipas Pllumbit, janë edhe më të hershme se ato të atij francez.
Sidoqoftë rilindasit tanë të mëdhenj, me një Hoxha Tahsin dhe Frashërllinjtë në krye, në formimin e tyre patën të gërshetuar si komponenten vendase, ashtu dhe atë europiane të iluminizmit, dhe të armatosur me to i hapën sytë popullit të vet e në një plan më të gjerë me veprat e tyre ndikuan mbi popujt e tjerë të Perandorisë Osmane. I tillë qe Sami Frashëri, i tillë qe Naim Frashëri, e tillë qe dhe Elena Gjika (Dora d’Istria)….!
Në rrugën e tyre të ndritur këta rilindas lanë gjurmë të pashlyera. Është mirë që ata të përjetësohen, dhe këta njerëz të pavdekshëm jo vetëm në Shqipëri po dhe jashtë saj, sepse e tillë është vepra e tyre, të tilla janë meritat e shërbimet që i kanë bërë popullit, kombit, atdheut tonë. Sa herë shkoj në Stamboll, ku kam jetuar përmbi një dekadë, kam dy vende të shenjta të mijat: medresenë e Hoxha Hasan Tahsinit, në Xhahalollu dhe ndërtesën e Ministrisë Osmane të Arsimit, në Çemberlitash, të cilat nuk i lë pa vizituar, sido që të jetë.
Nuk bëhet ndonjë qamet, në qoftë se në rrugë qeveritare, institucionale, nga Ministria jonë e Jashtme, u kërkohet autoriteteve shtetërore në Stamboll, vendosja e dy tabelave të thjeshta, një me mbishkrimin; “Këtu ka banuar rilindasi shqiptar dhe osman, Hoxha Hasan Tahsini 1871-1881”, në murin e medresesë së tij, që sot është një librari e M.E.B. – it (Milli Egitim Bakanilgi (Ministria Turke e Arsimit). Dhe në murin e Muzeut të Shtypit (“Press Museum” apo “Basan Muzesi”) tabela tjetër: “Në këtë ndërtesë të Ministrisë Perandorake Osmane të Arsimit, për 20 vjet rresht (1881-1900), ka punuar rilindasi dhe poeti kombëtar i Shqipërisë, Naim Frashëri”.
Mos harrojmë që maqedonët kanë brenda Universitetit të Stambollit, në “Edebiyat Fakultesi” (Fakulteti i Letërsisë), s’e di prej sa dekadash, bustin e një rilindasi të tyre, që ka jetuar e punuar në Stamboll…! Për të përmbyllur këto rreshta, po them se sikur të kish gojë Teqeja e Frashërit dhe salloni i saj, do të na shpalosnin thesare…!
– TEQEJA E FRASHËRIT SI SALLON
E krijuar nga dijetari Tahir Skënderasi, në krye të saj qenë njerëz që shkollimin e tyre e bënë në Iran, si Teheran, Ispahan, Shiraz, Harasan etj; apo Stamboll apo Kairo etj., me kulturë solide lindore dhe që zotëronin gjuhët e lindjes, arabishten, persishten, osmanishten, po dhe gjuhë lokale si greqishten, bullgarishten, vllahishten etj., pa folur për gjuhën amtare.
Familjet fisnike të Frashërit, përfshi dhe Dukollarët (fis i Naimit), merrnin mësues të huaj shpesh nga Europa, si Itali, Austri etj., dhe këtë traditë do ta vazhdonin dhe në Stamboll në Turqi (p.sh., Sami Frashëri). Kështu bënin dhe Vlorajt në Vlorë, Vrionasit në Berat, Toptanët në Tiranë, Gropajt në Dibër të Madhe, Kryezinjtë në Gjakovë, Begollajt në Pejë, Dinot në Çamëri etj. Pa dashur të zgjatem, “Salloni” apo Oda e madhe e Teqesë së Frashërit, ka kryer disa funksione legale dhe ilegale.
FUNKSIONE LEGALE:
- – Funksioni fetar: Në Teqe, si objekt kulti, janë ushtruar ritet bektashiane, kremtimi i festave fetare, si ditët e matemit (zisë), dita e ashures, etj.
- – Funksioni kulturor-letrar. Ajo qe një vatër dijeje dhe kulture, ku recitohej poezia në disa gjuhë, sikurse dhe krijohej në çast, provohej aftësia vjershëruese e miqve intelektualë të ardhur, aty lexoheshin kaside e gazele të klasikëve persianë, si Firdusiu, Saadiu, Rumiu, Shiraziu etj., po dhe klasikë osmanë, si Bakiu dhe Fuzuliu, po dhe një Haxhi Bektash Veliu, e një Jonuz Emre, krijues bektashianë. Diskutohej në këtë sallon me zjarr për letërsinë arabe, perse, osmane, dhe duke dëgjuar ato i mori zanafillat “fenomeni” Naim.
- – Funksioni arsimor. “Salloni i Frashërit”, do ta quaja sallonin e Teqesë, ishte një vatër diturie, ku mësoheshin të paktën disa gjuhë të huaja lindore, si persishtja, arabishtja dhe osmanishtja (turqishtja e vjetër), dhe në një mënyrë ose tjetër dhe shqipja, e mbase edhe ndonjë tjetër.
- – Funksioni mediatik. Në këtë Teqe, në këtë sallon, bëheshin diskutime filozofike, teologjike, politike, shoqërore. Ai ishte një klub diskutimesh, debatesh, shpesh të zjarrta. Këtë atmosferë autori i këtyre radhëve e ka përjetuar në shumë raste në Stamboll, në ambientet e medreseve të vjetra, njëra prej të cilave e ndërtuar nga arkitekti i madh Sinan Shqiptari.
Në të përmendeshin filozofë të Lindjes, po edhe të Perëndimit, diskutoheshin ngjarjet në Perandorinë Osmane dhe shtetet e asaj kohe, përfshirë dhe “Memleqetin” (vendin amë) Shqipërinë. Teqeja luante rolin e një “qendre mediatike” për Frashërin. Në ndonjë prej tyre, si në Teqenë e Helvetive në shekullin XVIII-të në Tiranë, arritën të nxjerrin edhe revistë në gjuhën persiane, që ekzemplari i saj ruhet sot në Pallatin e Topkapive të sulltanëve në Stamboll.
- – Funksioni ekonomik (turistik). Teqeja, në kushtet e mënyrës së hoteleve, ishte vend i pritjes e i përcjelljes së udhëtarëve të huaj e të vendit, i njerëzve të ditur, po edhe i kalimtarëve të rastit. Aty shpalosej mikpritja shqiptare. Jo më kot ka mbetur shprehja “si në teqe”…!
- – Funksioni social. Teqeja ka luajtur dhe rolin e një strehe sociale për të varfrit, fukarenjtë, skamnorët, invalidët, të pastrehët e fshatrave përreth apo, që u binte rruga andej etj. etj.
- – Funksioni politik-kombëtar. Teqetë, po sidomos ajo e Frashërit, kanë qenë vatra të shqiptarizmit. Është i padiskutueshëm, i jashtëzakonshëm, dhe i pastudiuar, si dhe sa duhet, roli i sektit bektashi dhe i bektashinjve për çështjen kombëtare. Ky sekt, të paktën në Shqipëri, më tepër se një sekt fetar njihet si sekt kombëtar. Ne themi thjeshtë, siç kanë kaluar në tekstin e Historisë së politizuar të Shqipërisë, dy mbledhjet e Frashërit në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878 dhe 1889, dhe të krijohet përshtypja sikur ato ishin takime të thjeshta individësh. Por ato ishin Kongrese heroike të Shqiptarizmit, ku morën pjesë rilindasit tanë më të shquar, më eminentë, vetëm nga Jugu shumica, por dhe nga Veriu, nga të katër anët e trojeve shqiptare.
Aty ishte dhe një Abdyl por dhe një Hoxha Tahsini, ishte dhe një Jani Vreto etj., etj. Abdyli e Naimi, që do të asistonin në sallonin e Prizrenit si mysafirë në krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 10 qershor 1878, krahas Ymer Prizrenit, do të ishin në Frashër me Baba Alushin në krye, të zotët e shtëpisë në organizimin e tubimit kombëtar, dhe mbi shpatullat e tyre 30 vjeçare, do të rëndonte barra e organizimit të një tubimi mbarëkombëtar shqiptar, dhe në ç’kushte e rrethana, pa asnjë mbështetje veç popullit, e nën hundën e sulltanit. Dhe “Pallati i Kongreseve”, i të ashtuquajturave “Mbledhje të Frashërit”, do të ishte “Teqeja e Nasibiut”
FUNKSIONET ILEGALE
- – Funksioni i shkollimit. Në sallonin e Teqesë së Nasibiut është mësuar fshehurazi gjuha shqipe, para gjatë dhe pas Lidhjes së Prizrenit deri më 1912. Siç na bën me dije Prof. Agron Xhagolli, nga goja e popullit na vjen e dhëna që në teqenë e Frashërit, ka shërbyer si mësues në mënyrë ilegale, prifti atdhetar At Stath Melani. Ajo ka shërbyer edhe si qendër ku grumbullohej e nga ndahej literatura në gjuhën shqipe. Të njëjtën gjë si nën osmanllinjtë, e përjetuan kosovarët nën serbomëdhenjtë në vitet ’80-të, ’90-të të shekullit të njëzet, për arsimimin shqip…!
- – Funksioni politiko-ushtarak. Në to fshiheshin komitët, kaçakët e malit, luftëtarët e lirisë, në to bëheshin mbledhje ku flitej për çlirim dhe gatiteshin aksionet e ardhshme të armatosura; ato ishin bërë çerdhe të kryengritjeve popullore, ishin kthyer në qendra organizative të lëvizjes atdhetare-patriotike, baza të komiteteve të fshehta për liri dhe jo rrallë, në krye të tyre, të lëvizjeve, kish dhe baballarë të teqeve.
- – Funksioni fetaro-ushtarak. Në shekuj teqetë e bektashinjve dhe ky sekt heterodoks, simbiozë e veçantë e islamizmit me kristianizmin, ka qenë i lidhur me urdhrin e ushtarëve jeniçerë të Sulltanit, një pjesë e mirë e të cilëve kanë qenë edhe të gjakut shqiptar. Në vitin 1826, Sulltan Mahmuti II-të e mbyti në gjak urdhrin e jeniçerëve, dhe sekti i bektashinjve u përndoq gjatë gjithë shekullit XIX-të. Deti Marmara në Stamboll u skuq nga gjaku i jeniçerëve, tregojnë dëshmitarët okularë të asaj kohe, nga ajo masakër e përbindshme, batërdi gjakderdhjeje, që u bë n’atë kohë…!
– SALLONI I TEQESË SË FRASHËRIT DHE RILINDASIT PËRMETARË KOSTANDIN DUKA, NAIM FRASHËRI, SAMI FRASHËRI DHE DORA D’ISTRIA
Për t’i dalë ballas gjuhës së “kukuvajkave”, që po bëhet gjithnjë e më e pranishme në mjediset tona të zakonshme dhe intelektuale në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Çamëri, Turqi e kudo që ka shqiptarë, që flet me përulje për Europën e nëpërkëmb krenarinë tonë kombëtare si shqiptarë, më lejoni të heq disa paralele, për problemin e salloneve që po flasim.
Pukëvili, konsulli i Francës pranë Ali Pashë Tepelenës, gjeti në Përmet një burrë të ditur shqiptar, që quhej Kostandin Duka. Ai kish qenë në Paris dhe në Kafen “Prokop”, ku mblidheshin iluministët francezë, kish pirë kafe e kish biseduar me ta. Dhe këta njerëz që jemi mësuar t’i shohim me nderim me të drejtë, si një Deni Didero, Zhan Leron D’Alamber, Markezi Kondorse, Volteri, Rusoi etj., hartuan në grup Enciklopedinë e Madhe Franceze, që ndikoi aq shumë në Francë e jashtë saj.
Veç harrojmë, nga padija e plot shkaqe të tjera, që edhe rilindasit shqiptarë dhe ata osmanë, e kishin një “Kafe Prokop” të tyre në Stamboll, në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, pranë një xhamie shumë të vjetër, të themeluar rreth një dekadë pas pushtimit të Konstandinopolit, nga osmanllinjtë më 1453. Aty shkonte dhe Hasan Tahsini dhe Naim e Sami Frashëri, dhe rilindas osmanë të shquar, ndonjë edhe prej gjakut shqiptar, si Namik Qemali, Ahmet Xhevdet Pasha, Munif Pasha etj.
Ajo nuk ishte shumë larg nga Ministria Osmane e Arsimit, ku punoi edhe Naimi ynë. Dhe bash ndofta dhe që këtu zunë fill projektet e iluministëve shqiptarë e osmanë, të cilat i realizoi një njeri i vetëm, përmendore e gjallë pune, dhe i njohur me nofkën “Ebu-Lisan” (baba i gjuhëve), biri i kësaj toke dhe i këtij fshati, kollosi rilindas shqiptar i njohur në Perandorinë osmane me emrin Shemsedin Sami.
Një shkrimtar dhe enciklopedist Persian, Didhoda, bashkëkohës i tij, do të fliste me respekt e nderim të jashtëzakonshëm për Samiun, për “Kamus’ul Alam”-in e tij. Atë që enciklopedistët frëngj e bënë si grup, atë Sami Frashëri e bëri një i vetëm, një njeri – një Akademi bëri “Enciklopedinë e botës” në 6 vëllime, me rreth 5000 faqe, që u bë bibla për diplomatët, qoftë të Lindjes apo të Perëndimit, për njohjen e Perandorisë Osmane e më gjerë, në fund të shekullit XIX-të e, fillim të shekullit XX-të.
Një akademik rus, Gordlevskij, që e kish njohur vetë Samiun, shkruan për të se; “ka të ngjarë që ky shqiptar të ketë bërë shumë më tepër se ç’kanë bërë osmanët për veten e tyre”. Një orientalist rus në vitet ’50-të të shekullit XX-të, një nxënësit të tij nga Shqipëria, i tha: “A e di se cili është turkologu më i madh në botë, i të gjitha kohërave”? – “Jo”, – iu përgjigj studenti nga Shqipëria. – “Është një bashkëkombësi yt që quhet Shemsedin Sami Frashëri” – qe përgjigja e orientalistit rus…!
Ndërsa Kafen “Prokop” e kemi dhe në Teqenë e Frashërit. Ajo ka pasur edhe këtë funksion, dhe aty shërbehej sipas traditës bektashiane edhe shqiptare me kafe dhe raki, të shoqëruara me biseda intelektuale sipas radhës që mbahet në odën e burrave shqiptarë, në bazë të moshës, rëndësisë, mençurisë e të zakoneve të moçme…! Paralelja e dytë që do të donin të na hiqnin europianët neve, do të ishte ajo e salloneve mondane të dukëve, kontëve dhe markezëve të tyre, dhe ajo që do të ishte asgjësuese për ne prej tyre, do të ishte ekzistenca e salloneve të mëdha të grave mondane si një Madam D’Montenon, Madam Deni, Zonjës Pompadur në Francë, apo salloni i zonjës franceze Grafinji (mikeshës së Volterit), letrare e shquar për kohën e saj, etj.
Por dhe këtu iu siguroj se s’janë të suksesshëm. Salloni shqiptar, oda e pritjes, është një sallon që vjen prej shekujve dhe është shenjë e mikpritjes proverbiale shqiptare me famë botërore, tipike për çdo shtëpi shqiptare. Por mund t’u them se familjet fisnike shqiptare, kanë pasur sallonet e tyre në sarajet-pallatet e tyre. Mjafton t’u përmend Vlorajt. Në shtëpinë e Ismail Qemalit në Vlorë, çdo ditë në sallonin e tij mund të hanin 100-150 njerëz. Kushëriri i tij në Stamboll, dijetari Syrja Vlora, i ati i Eqerem bej Vlorës, bënte të njëjtën gjë.
Në sallonet e rilindasve osmanë, si një Ahmet Xhevdet Pashë, Munif Pashë në Nuriosmanije dhe në Sulejmanije etj., rrinin dhe Frashëllinjtë dhe Hoxha Tahsini, Pashko Vasa, etj. Ata zbukuronin kuvendet ku shkonin me praninë e tyre. Në konakët e tyre merrnin pjesë edhe gra, si poetja Lejla Hanëm, e bija e Ahmet Xhevdet Pashës, apo poetesha Nigjar Hanëm, e bija e një pashai me origjinë polake, apo dhe intelektuale të shquara të gjakut shqiptar…! Por sfisa është tek sallonet e grave franceze. As me këtë s’dalin fitimtarë.
Po iu përmend vetëm dijetaren rilindase me origjinë përmetare, Elena Gjikën. Për të shkruhet: “Zonja Dora nga Përmeti/ Me dituri porsi deti”. Ajo ishte mysafire e Akademive të ndryshme të Europës, si të Parisit, Athinës, Bukureshtit. Xhaxhai i saj Jon apo Jan Gjika, ishte kryetar i Akademisë Rumune të Shkencave. Për të qenë hapur sallonet nga Petërburgu e Moska në Rusi, deri në Paris, Berlin, Vjenë e Romë e Gjenevë të Zvicrës. Ajo kish bërë kërkime në arkivat e Venecias, Vjenës, Stambollit etj.
Shtëpinë e saj në Zvicër, apo së fundi Firence, e kish kthyer në një qendër, sallon, ku vinin ajka e inteligjencës italiane, europiane, por dhe rilindas shqiptarë, si një Mitko, De Radë, etj. Kjo dijetare e nderon Përmetin tonë, kombin tonë. Pra nuk kanë qenë vetëm zonjat franceze, si ajo Pompadur, Grafinji etj., po dhe një zonjë e tillë e rëndë përmetare, si Dora d’Istria e jonë. Një zonjë e tillë e rëndë, e njëkohësisht tepër e thjeshtë, përmetare nga e ëma, është Solanzh D’Anzheli, e bija e albanologut Robert D’Anzheli, autor i librit “Enigma”. / Memorie.al