Nga Dr. Laurent Bica
Pjesa e parë
-POLIFONIA E SHQIPTARIZMIT ARISTOKRAT: TEQEJA SHUMËPLANËSHE E FRASHËRIT –
Memorie.al / Teqeja e Frashërit printe në ballë të shqiptarizmës, në ballë të teqeve shqiptare nga Gjakova e Kosovës, në Durballa të Thesalisë, e deri në Kavallë të Selanikut! Nderime e respekte pafund Frashërit dhe Frashërllinjve, për atë ndihmesë të paçmuar që kanë dhënë në altarin e çështjes kombëtare, dhe për njerëzit e shquar që i kanë dhënë Panteonit Kombëtar, me në krye vëllezërit zulmëmëdhenj Frashëri; Abdyl, Naim, Sami, Mehmet!
SALLONET E ARISTOKRACISË SHQIPTARE NË SHQIPËRI DHE NË STAMBOLL
Evlija Çelebiu në veprën e tij “Sejahatname”, mbi tre shekuj më parë, tregonte për medresetë e kohës në Berat, Elbasan, Prizren, etj., dhe kafenetë ku ajka e inteligjencës së kohës, bënte diskutime filozofike, teologjike, letrare etj. Poetët, dijetarët e kohës, ishin të shumtë dhe ata i jepnin tonin jetës intelektuale në fund të shekullit XVII-të. Mbi dy shekuj e gjysëm, sipas Hafiz Ali Korçës, “Elbasani ka qenë qendra e ulemave (dijetarëve) në Shqipëri.
Atje shkruanin vjersha të çdo lloji si edhe rubai (Çdo rubai përmbledh një mendim ose, ide të plotë, ose pohon një të vërtetë morale apo filozofike të shprehur në vargje). Atje shkruanin vjersha të çdo lloji, si dhe rubai në gjuhën arabe, perse, turke dhe shqipe. Nga nami i madh dhe buja e përhapur që ka pasur Elbasani, i vinin vizitues nga Arabia, Persia dhe Turqia”. Hafiz Ali Korça u referohet dy dijetarëve të mëdhenj, shqiptarëve Hasan Zyko Kamberit nga Kolonja dhe mistikut me fame, Ibrahim Nezim Frakulla të Beratit, që vdiq në Stamboll.
Siç na njoftojnë udhëtarët e huaj apo diplomatët që lëvizën në Pashallëkun e Ali Pashë Tepelenës, në sallonet e sarajeve të tij në Janinë dhe Tepelenë, ata hasën aty apo jashtë tyre njerëz të dijshëm, dijetarë, intelektualë të ndryshëm. Po jo vetëm në Pashallëkun e Jugut. Edhe në atë të Veriut, të Bushatlinjve, apo dhe të Ahmet Kurt Pashës së Beratit. Në Shkodër gjejmë një dijetar si Isuf Tabaku, në Jug, në Filat, një Osman Hoxha (i ati i Hasan Tahsinit), apo një Muhamet Kyçyku Çami, në Konispol…!
Ky zhvillim u reflektua edhe në qytete malore si Voskopoja, Vithkuqi, Frashëri, Leskoviku, Konica, etj. Në Frashër nga shtëpitë e bejlerëve, oxhakë me emër si Sulejmanbellinjtë, Vilakët, Skënderajt etj., njerëzit e shkolluar nga fisi i tyre në Teheran, Stamboll, Kajro, apo ndonjë edhe në Perëndim, që përbënin elitën e qytetit të vogël malor, mblidheshin në teqenë e Nasibiut, që ishte bërë një qendër kulture, sidomos të kulturës lindore.
Në këtë vatër diturake “mori pagëzimin” e parë dhe poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri. Aty, në këtë “sallon” të Frashërit malor, mori edukatën orientale. Aty ai dëgjoi nga baballarët e kulturuar të Teqesë frashërjote, divane të tëra poezish në persisht, arabisht e osmanisht. Aty atij i ranë në dorë libra në tre gjuhët e lindjes, që ndodheshin në bibliotekën e Teqesë. Aty ai mësoi poemat e Dalip e Shahin Frashërit në shqip.
Më pas, me transferimin në Janinë, në vitet ’60-të të shekullit XIX-të, Janina e cila ruante ende kujtimin e “Luanit Shqiptar”, Ali Pashë Tepelenës; në sallonin e gjimnazit klasik “Zosimea”, ai me të vëllanë Samiun, do të mësonin greqishten dhe latinishten, po dhe italishten dhe frëngjishten. Jashtë tij do të perfeksiononin gjuhët e lindjes…!
Në këtë gjimnaz, ku studiuan vëllezërit Frashëri, në gjurmë të shkollimit të tyre, ka qenë një gjurmues i apasionuar i jetës, veprës dhe ideve të tyre, si profesor Zija Xholi, dhe së bashku me të, një ish- punonjës i ambasadës sonë në Greqi dhe më pas ambasadori ynë në Turqi, zoti Jonuz Begaj…! Në sallonin e këtij gjimnazi, rilindasit tanë Naim e Sami, djelmosha n’atë kohë, u njohën me klasikët greko-latinë të kohës së vjetër dhe me klasikët italianë e francezë në kohët e reja.
Aty në gjimnaz apo në konsullatën franceze të Janinës, Naimi ynë mori nga albanologu francez, August Dozon, porosinë për të mbledhur fjalë të urta në vendlindje, në krahinën e Dangëllisë. Në mjedisin e teqesë, ku vinin e shkonin njerëz nga të katër anët e krahinës, në komunikim me ta, po dhe të krahinave përreth si Skrapari, Tomorica, Opari, Kolonja, Përmeti, etj., edhe në fshatin Frashër midis njerëzve, i qëmtoi me kujdes fjalët e urta dhe ia dha dijetarit të vyer Dozon, siç na bën me dije shkrimtari nga Kolonja me banim në Bullgari, Thoma Kacorri.
Kjo lidhje me konsullin frëng Dozon, qysh në moshë të re, është një tjetër dëshmi më tepër se Naimi i ka pasur lidhjet të hershme, dhe jo vetëm nëpërmjet librave, por dhe të gjalla, me kulturën frënge dhe njerëzit e kësaj kulture dhe më gjerë asaj europiane…!
Teqeja e Frashërit dhe salloni i saj ishin një si mikrokozmos ku dëgjoheshin tërë gjuhët që fliteshin në Frashër, këtë qytetth të vogël mes maleve të Dangëllisë. Ne sot s‘mund ta përfytyrojmë statusin e atëhershëm shumëgjuhësh, ku u lind dhe u rritën një Naim, një Sami, e përgjithësisht vëllezërit Frashëri e të tjerë. Në Frashër, veç lagjeve myslimane bektashiane, kish dhe një lagje të krishterë, e një lagje vllahe.
Në to kish dhe shkollat përkatëse. Veç një shkolle fillore (mejtepit) në gjuhën osmane, aty kish një shkollë greke (për të krishterët) dhe kuptohet me mësuesit përkatës nga Frashëri ose jo. Sigurisht që kishte edhe kishë. Madje, siç na bën me dije Samiu në “Kamus-ul Alam” (Fjalori i botës), kish dhe dy teqe, një e sektit bektashi dhe tjetra e sektit sadi.
Kuptohet dhe dihet historikisht që teqeja bektashiane e Frashërit qe më kryesorja, dhe ajo u shndërrua në qendrën intelektuale të këtij qyteti malor. Ajo u bë “Akademia” ku rriheshin probleme filozofike, fetare, letrare, shkencore, artistike, kulturore, politike etj., etj. Aty në teqe dëgjoheshin dhe tërë gjuhët që fliteshin në fshat, sado që të gjithë ishin shqiptarë. Myslimanët bektashinj dinin turqisht (dhe jo vetëm ata), se qe gjuha e administratës, shkollës, fesë etj.
Ata më të shkolluarit, që kishin shkuar deri në Iran ose, pa shkuar atje, flisnin persishten, gjuhë që e dinin normalisht baballarët e teqeve, po dhe dervishët dhe të tjerë. Po edhe arabishten që mësohej në mejtep krahas osmanishtes e persishtes, e dinin shumë njerëz si gjuhë e kuranit, librit të shenjtë, gjuhë e liturgjisë islame në xhami, po dhe në teqe.
Të krishterët ortodoksë mësonin “gjuhën e tyre” greqishten, të njohur si gjuhë e ortodoksëve të Ballkanit e të krejt Perandorisë Osmane, pra dhe të krishterëve shqiptarë. Shkolla greke dhe kisha ku mësohej po në greqisht, shto dhe lidhjet tregtare me Janinën e Greqinë më thellë, e mbanin të gjallë këtë gjuhë. Madje atë e dinin dhe e flisnin edhe një pjesë (veç të krishterëve), e myslimanëve të jugut shqiptar, përfshi edhe bektashinjtë. Sido që të ishte, greqishtja ishte një gjuhë kulture e vjetër, e trashëguar që nga antikiteti dhe Bizanti.
Jo më larg se një vrap pele, ajo flitej dhe ishte folur, shkruar e mësuar në Voskopojën e Vithkuqin fqinj, qytete malorë njësoj këto si edhe Frashëri, por më të mëdhenj. Të mos themi dhe tjetrën që kishin edhe lidhje të shumëllojta si fqinjë që ishin, lidhje tregtare, ekonomike, kulturore, të gjakut, si dhe Voskopoja ishte në lidhje pronësie me Frashërin. Pas rënies e djegies së Voskopojës nga derebejtë, figurojnë bejlerët frashërllinj, si pronarë feudalë të qytetit zulmëmadh të Voskopojës…!
Pra, në teqenë e Nasibiut në Frashër, si në mbarë qytezën e Frashërit, dëgjohej rëndom të flitej persishtja, arabishtja, turqishtja, greqishtja, vllahishtja dhe së fundi, llaçi lidhës ishte gjuha e vetme që nuk shkruhej, gjuha e “njerkës”, “hirushja e votrës”, që flitej në çdo shtëpi. Në teqe të gjithë merreshin vesh nëpërmjet shqipes, kjo qe “gjuha ndërkombëtare”, “esperantoja” që merreshin vesh të gjithë, por që përbuzej nga pushteti administrativ dhe ndalohej shkrimi i saj. Të priste burgu po të mësoje e të lexoje e të shkruaje shqip. Me gjithë ndjekjet, prapë shqipja mësohej fshehurazi, bash në teqenë e Frashërit.
Madje, tregojnë se në një fshat të Skraparit, në derë të një teqeje është gdhendur një shqiponjë, që ka mbërritur deri në ditët tona, e trashëguar qysh nga kohërat e osmanllisë. Guximi dhe kurajoja nuk u ka munguar shqiptarëve dhe aq më tepër bektashinjve. Njerëzit në sallonin e teqesë i bashkonte jo vetëm gjuha e përbashkët, meqenëse ishin shqiptarë dhe e mësonin qysh me qumështin e nënës, por dhe traditat shqiptare, si besa, burrëria, ndershmëria, mikpritja, kurajoja, guximi, etj.
Në lidhje me ndershmërinë tregojnë në një fshat të Skraparit a të Dangëllisë, se një mjeshtër oparak ndërtoi një teqe. Si e mbaroi, e thirri Babai i teqesë dhe e pyeti: “Ustabash, sa të bën haku”? Mori një tas me monedha të arta e të argjendta, mexhide turke të kohës, apo monedha të arta të shteteve të tjerë, si korona austriake, mbushur plot e përplot, dhe ia vuri përpara. “Merr sa të duash”, – i tha shehu.
Por ustai me atë ndershmërinë që i karakterizonte njerëzit e asaj kohe që ruanin zakonet shqiptare, zgjati dorën, mori disa monedha prej tasit dhe u tërhoq. “Kaq është haku im” – i tha. Ndërsa babai i teqesë me fisnikërinë që e karakterizonte, kapi dhe një monedhë tjetër ari dhe ia dha: “Këtë e ke peshqesh nga mua për punën me cilësi të mirë që ke bërë për teqenë”. Të tillë ishin njerëzit e asaj kohe…
Pra, në një qytet të vogël si Frashëri, as më pak e as më shumë, fliteshin gjashtë gjuhë, persisht, arabisht, osmanisht, Greqisht, vllahisht dhe shqipja që e dinin të gjithë, që ishte si ndonjë gjuhë që e kemi sot në përdorim, por që nuk shkruhet nëpër qytetet tona, p.sh., gjuha që flasin arixhinjtë, ciganët…! Kish njerëz që kishin bërë në shtëpitë e tyre, apo dhe kishin mbaruar licetë, gjimnazet apo dhe universitetet në Europë, nga oxhakët e Frashërit, që dinin dhe gjuhët e perëndimit, kryesisht frëngjishten, italishten, ndonjë dhe gjermanisht e shumë rrallë dhe anglisht…!
Në këtë mjedis u rrit në dekadën e parë të jetës së tij Naimi, Samiu e vëllezërit e tjerë, dhe më pas në dekadën e dytë të jetës së tyre, ngjiteshin deri në Frashër, sidomos Naimi në pushimet e verës të shkollës. Pasi çlodhej në Bredhat e Hotovës tek burimi, i ngjitej malit të Kokojkës, dhe pastaj përmes të tatëpjetës, e mbante frymën në Teqe për të takuar Baba Alushin, mikun e shtëpisë e të zemrës dhe të gjakut të Frashërllinjve, pa shkuar në shtëpinë prindërore. Pastaj shkonte tek shtëpia e vet, e Dukollarëve dhe shkonte në gjëri, në farefis, në “akraba”, dhe më pas çmallej me shtëpitë e njerëzit e lagjeve apo mëhallëve në tërë Frashërin. Nuk harronte të shkonte të shihte dhe kopetë e bagëtive e, të dëgjonte zilet e tyre, sidomos në mëhallën e vllehve. I tillë ishte Naimi.
Vite më vonë këto mbresa të ngulitura në kujtesë në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme mbi bagëtitë, mbi malet, apo pishat, lisat, bredhat e drejtë si qiriu të Hotovës, ai do të derdhte si ndoca statuja e do t’i gdhendte me shpirt “ustai”, në vargjet e veprës së tij të pavdekshme “Bagëti e Bujqësia”. Në të ai do t’i këndonte Tomorrit të lashtë antik e Tomorrit mal i shenjtë, tek rrinin perënditë e shqiptarëve dhe të bektashinjve…! Frymëzimi i tij nga Tomorri do të frymëzonte dhe elektrizonte me shqiptarizëm mbarë shqiptarët: “O Tomorr, o mal i lartë, ku rrij zoti/ Pas fesë që kishin shqiptarët qëmoti…”!
Në “Akademinë” e Teqesë së Frashërit, në këtë vatër diturake me bibliotekë të pasur e, me dijetarë me emër e me kulturë solide lindore dhe vendore, në këtë strehë ku përcillej brez pas brezi kultura shqiptare dhe kodet e zakonet morale të shqiptarëve, në këtë vatër kulture ku zhvilloheshin biseda në gjuhë të ndryshme nga elita e Frashërit, sidomos bejlerët e shkolluar të shëtitur e të gjezdisur të tij, në këtë “univers” gjuhësh, në këtë vend ku vinin e rrinin e zhvillonin biseda nga më të ndryshmet, nga filozofia e feja e, deri tek letërsia dhe kultura e orientit po dhe e oksidentit, duhen kërkuar bazat e kulturës poliedrike, enciklopedike, të krye poetit tonë, “Bilbilit” të Frashërit.
“Bilbil” i Frashërit duhet ta marrim jo vetëm në kuptimin se prej andej ka prejardhjen, është ky qytet e kjo trevë e Dangëllisë apo Përmetit që e nxori, domethënë nga rridhte edhe në kuptimin më të thellë se është Frashëri, teqeja e tij e bektashinjve, dhe “salloni” i saj, që i hodhën themelet e formimit të tij si njeri, si humanist, si panteist, si shqiptar me Sh të madhe, dhe po këtu u hodhën bazat e kulturës së tij të ardhshme si poet, po edhe si dijetar, si një erudit e poliglot që zotëronte mbi 10 gjuhë…!
Por le të lemë pakëz, për pak çaste Teqenë e Frashërit, këtë “Akademi të Vogël”, që na përgatiti Naimin e Samiun tonë të madh, dhe të ecim në rrugëtimin e tyre jetësor drejt Stambollit, kryeqytetit të Perandorisë Osmane, ku i hodhën valët e jetës dy korifenjtë tanë, por dhe shumicën e rilindësve tanë më të rëndësishëm…! Në këtë qytet të stërmadh, kryqëzim veç të tjerash të kulturave të popujve të ndryshëm të Ballkanit, Anadollit, Kaukazit, jugut të Europës e Mesdheut e më gjerë, të Lindjes së Mesme, Afrikës Veriore, Azisë së Mesme, Ukrainës e Krimesë, Iranit, Indisë etj., etj.
Aty, në atë pikëtakim të kulturave të lashta me ato të reja, të Lindjes dhe të Perëndimit, të Veriut e të Jugut, aty në atë pikëpjekje të tre kontinenteve, do të konsolidoheshin ata si filozofë e dijetarë, si poetë e shkrimtarë të përkushtuar ndaj popullit të vet, si shqiptarë të vërtetë…! Naimi në Stamboll ka qenë mysafir i shpeshtë në dy “konakët”, sallonet e Munif Pashës, ministër i Arsimit në kohën kur ai punonte në këtë ministri, por dhe më parë në fillim të viteve ’70-të të shekullit XIX-të, bashkë me Hoxha Tahsinin dhe të vëllanë Sami Frashërin…!
Këto dy sallone ishin fare pranë Ministrisë Osmane të Arsimit, njëri në Nuriosmanije e tjetri në Sulejmanije. Në të merrnin pjesë edhe gra të arsimuara, intelektuale, poetesha plus dhe dijetarë, si nga Persia, Pakistani, India, Arabia, Egjypti, por dhe nga Norvegjia…! Në medresenë e Hasan Tahsinit në Stamboll, vinin intelektualë të vendit, personalitete të arsimit dhe kulturës osmane, si Munif Pasha, por vinin siç na bën me dije Sami Frashëri, dhe dijetarë të huaj, si gjermani Pol Gronifel, apo dhe të tjerë.
Naimi në Stamboll do të punonte për dy dekada në Ministrinë e Arsimit të Perandorisë, dhe aty në sallonin e saj, ai do të kish rast të dëgjonte e të merrte pjesë në pritjet e përcjelljet e personaliteteve të vendit e të huaj. Unë, kam qenë në katin e tretë apo të katërt të kësaj ndërtese, sot Muzeu i Shtypit të Stambollit (“Press Museum” apo “Basin Muzesi”), dhe aty ndodhet salla e bibliotekës së këtij institucioni.
Po unë e përfytyroj këtë sallon të stërmadh, ku bëheshin konferenca, në të cilin vinin të huaj nga mbarë bota e asaj kohe, dijetarë hungarezë si Arminius Vamberi, mik shtëpie i Sami Frashërit etj. Naimi në rolin e zëvendësministrit, ndofta në krah të Munif Pashës, titullarit të asaj ministrie, priste e përcillte këta njerëz të shquar të kombeve të ndryshëm, si akademiku i Akademisë së Shkencave të Budapestit, Vamberi etj.
Është interesant se para disa vitesh kur isha në Stamboll, më ra në dorë një material i cili konfirmonte se në të njëjtën ndërtesë ku ka qenë Ministria Osmane e Arsimit, aty më tepër se një dekadë më parë, ishte çelur universiteti i parë osman, dhe nga ballkoni i saj rektori i parë i tij, Hoxha Tahsini, u qe drejtuar mbi 1000 e ca studentëve (talebeve) në inaugurimin e tij. Aty ishin mbajtur në sallonin në fjalë dhe disa prej konferencave shkencore, që mbaheshin në muajin e Ramazanit për studentët e më gjerë.
Naim Frashëri, Naimi ynë, shkonte dhe në sallonet e të krishterëve armenë, apo rumë të Stambollit të lagjeve “Fener” apo “Balata”, etj., në sallonet e tyre ku mblidhej ajka e inteligjencës së Stambollit. Është me interes të theksoj një fakt kuptimplotë. Pas vdekjes së Hoxha Tahsinit, në medresenë e tij pas vitit 1881, ka qenë instaluar një drejtori e Ministrisë së Arsimit, ku ndofta mund të ketë punuar Naimi. Çka ndjerë poeti ynë, duke qenë në të njëjtën ndërtesë ku kish jetuar rilindasi Hasan Tahsini, apo fakti tjetër që në ndërtesën e Ministrisë së Arsimit, kish qenë më përpara ndërtesa ku u çel universiteti i parë Osman, nga Tahsini.
Sallonet e Vlorajve, qoftë të degës së Ismail Qemalit, diplomatit më të madh të Perandorisë Osmane, apo të degës tjetër të Syrja e të Eqerem bej Vlorës, qoftë në Vlorë apo në Stamboll, nuk u linin gjë mangët atyre të kryeministrive osmane. Sallonet e sadrazemëve si Ali Pasha etj., që patën lidhje edhe me rilindasit tanë, ku ulej e ngrihej sofra për 200-300 vetë çdo ditë, ishin çerdhe intelektuale të ajkës së elitës osmane po dhe shqiptare…!
Shtëpitë e Pashko Vasës, Ismail Qemalit, ofiqarë të lartë osmanë, të Abdyl Frashërit (deputet në parlamentin osman), në Bejollë, në zemër të Stambollit, ishin qendra të lëvizjes atdhetare shqiptare. Në sallonet e tyre zhvilloheshin biseda politiko-atdhetare e merreshin vendime historike, siç ka qenë ai për shpalljen e pavarësisë, 30 vjet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në shtëpinë e Abdyl Frashërit, në Merxhan Jokushu (E tatëpjeta e Merxhanit), sa del nga Kapallë Çarshia (Pazari i floririt në Stamboll), u mbajt mbledhja historike që shënoi themelimin e Shoqërisë së të “Shtypurit Shkronja Shqip”. Në sallonin modest të saj u mblodhën firmëtarët e kanonizmës (statutit) të saj.
Shtëpitë e Naim e Sami Frashërit në pjesën europiane, e më pas në pjesën aziatike të Stambollit, ishin vende tubimesh intelektuale e atdhetare. Aty vinin dijetarë nga Lindja e nga Perëndimi. Në to rrinin pranë e pranë, prifti dhe hoxha, po dhe shehu bektashi e rabini hebre, siç na bëjnë me dije albanologu Piter Bartl apo, Mit’hat Frashëri, e ndonjë burim tjetër. Kur s’i nxinte salloni i pritjes, kalohej në kopsht.
Për rilindasit tanë s’kanë qenë të huaja sallonet e mëdha. Kështu Naimi kish qenë shumë herë në sallonin e Liceut francez të Gallatasarajt, ku në tubime shkencore asistonin profesorë frëngj, ambasadorë e konsuj të huaj, liceistë e të tjerë. Tashmë është e njohur pjesëmarrja e Naim Frashërit në fund të shekullit XIX në kolegjin amerikan të vajzave në Ysqydar (rajon i Stambollit në pjesën aziatike), në ceremoninë e dhënies së diplomave maturantëve të tij, midis të cilave dhe Sevasti Qiriazit. N’atë sallon ndodhej dhe vetë ambasadori amerikan i kohës./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm