• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, October 19, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Kur Sigurimi i Shtetit, nga fundi i 1960-ës, kapi në postën e Librazhdit, dy letra të dërguara Mefailit nga Rusia, prej miqve izraelitë që kishte mbajtur dikur në shtëpi, ai u tha…”/ Historia e panjohur e familjes Biçaku

“Kur Sigurimi i Shtetit, nga fundi i 1960-ës, kapi në postën e Librazhdit, dy letra të dërguara Mefailit nga Rusia, prej miqve izraelitë që kishte mbajtur dikur në shtëpi, ai u tha…”/ Historia e panjohur e familjes Biçaku
“Mugosha dhe Miladini, ndikuan ndjeshëm në vendimet e marra nga ana e Enverit dhe PKSH-së, si dhe në Shtabin e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur
“Pasi Nako Spiro ndodhej në Moskë, Lef Nosin e çuam për ta fshehur te nipi i një miku të tij, personalitet i shquar, por ai, e dorëzoi te Sigurimi…”/ Kujtimet e hebreut, Marko Menahem
“Në 1952, i ndihmuar nga vëllai i tij, Tafili, merr me vete të shoqen e Ismail Balliut, me dy vajzat, që kërkonin të largoheshin dhe arratiset në Jugosllavi, ku…”/ Historia e panjohur e Hamit Lukës nga Funarësi

Nga Ali Buzra

Pjesa e njëzeteshtatë

                                                   – JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –

                                                    (VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)

Gjithashtu mund të lexoni

“Burrat me pamje të vrazhdë, shikojnë një djalosh me zinxhir floriri të trashë në qafë me ‘BMW’, simbol i ‘lumit’ të parave, që i tërheqin nga Western Union…”/ Reportazhi i panjohur për Beratin, i gazetarit nga SHBA-ës

“Anëtar i Rinisë së Ballit, i ati milic e spiun i SIM-it, dy dajo komandantë Balli…”/ Dokumenti sekret i Sigurimit, për ballistin që hetoi Koci Xoxen, Dali Ndreun, Teme Sejkon, “sabotatorët e naftës”, etj.!

Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.

                                                                                                            Bedri Kaza

                                                             Vijon nga numri kaluar

MEFAIL BIÇAKU, STREHUESI I HEBREJVE GJATË LUFTËS, PËRBALLET ME HETUESINË E SHTETIT KOMUNIST

Mefail Biçaku, nga fshati Qarrishtë, ishte i biri i Mahmut Biçakut. Ky i fundit ishte vëlla me Shemen, Sadikun, Eminin, dhe Kapon. Mahmuti ishte person i njohur në krahinë për burrëri, besë e mikpritje. Ai kishte shumë miq e të njohur në Maqedoni, jo vetëm ndër shqiptarët atje, por edhe nga figura të njohura me kombësi maqedonase. Mahmuti pati pesë djem; Jahon, Nebiun, Shabanin, Mefailin dhe Izerin.

Katër të parët, jetuan në Qarrishtë, duke u marrë me blegtori e duke siguruar kushte përgjithësisht të mira jetese, ndërsa i fundit, emigroi në Turqi dhe nuk u kthye më në fshat. Pas vdekjes së babait të tyre, vëllezërit u ndanë secili familje me vete. Për kohën që jetoi, dallonte Nebiu, i cili njihej si burrë i zgjuar i fjalës dhe njohës i mirë i situatave politike që kalonte vendi. Mefaili, merrej kryesisht me punë bujqësore dhe blegtori. Ai ishte një burrë i çiltër, human, mikpritës e i besës.

Familja Biçaku në Qarrishtë, i ruajti miqtë edhe pasi ndërroi jetë Mahmuti. Nga fundi i muajit tetor 1943, në familjen Biçaku në Qarrishtë, vjen një miku i tyre, i quajtur Pop Stojçe, maqedonas. Thuhet se ky i fundit, kishte qenë deputet në parlamentin Jugosllav, para lufte, ndërsa në periudhën e luftës ndiqej.

Ndërkohë, ai kishte shërbyer edhe si klerik në Velçan të Maqedonisë, dhe ruante miqësi me familjen Biçaku. Shtetasi maqedonas, vjen aty me 12 hebrenj, dhe u kërkon miqve të tij, që t’i strehojnë ata, mbasi në Maqedoni qëndrimi i tyre ishte bërë i pamundur, prej forcave gjermane. Miqtë qarrishtarë pranuan kërkesën e tij dhe këtë mision e mori përsipër ta kryente, Mefail Biçaku.

Mefaili ishte rreth 45 vjeç. Ai, dallohej jo vetëm për besë e trimëri, por kishte një fizik të fuqishëm e, mund të përballonte edhe vështirësi të mundshme. Mefaili, i vendosi familjet hebreje në një pyll, në periferi të fshatit, vend ky shumë i përshtatshëm, për të mos rënë në sy të kalimtarëve. Fillimisht u ndërtoi një barakë me dërrasa, të mbrojtur mjaft mirë nga era apo shiu. Më pas u ndërtuan edhe baraka të tjera; ku ishte kuzhina dhe dhoma të fjetjes.

Zakonisht, një herë në javë, Mefaili, shkonte në Strugë te një tregtar i quajtur Spiro Gozhda, ku merrte furnizim sipas porosisë së tyre me faturë. Ndërsa Mefaili shkonte në Strugë me kuaj, duke u përballur me vështirësi e rreziqe, të diktuara jo vetëm nga forcat pushtuese, por edhe nga bandat e hajdutëve që zinin prita në rrugëkalime, djali i tij i madh Njaziu, në atë kohë 14 vjeçar, kontrollonte rrugëkalimet në fshat, për të mbrojtur me armë familjet izraelite, të marra në besë nga babai i tij.

Familjarët rrëfejnë, se izraelitët filluan të mësojnë nga pak shqip. Kur vonohej Mefaili nga Struga, ata mërziteshin e përsëritnin; “ishalla nuk i ndodh gjë”, ndërsa kur ai vinte, sapo e shihnin, ata bërtitnin: “erdhi bab zoti”. Mefaili, shpesh i ndihmonte ata edhe me ushqime tradicionale, si mish e bylmet, duke i konsideruar si miq, me qëllim që të ndjeheshin sa më mire.

Në pranverën e vitit 1944, drejtuesi i tyre i quajtur Simon Aroesti, i thotë Mefailit, se; në qoftë se do të mundej, të shkonte në Tiranë, për të tërhequr një grup tjetër hebrenjsh, e për t’i sjellë aty, meqenëse atje ndodheshin në rrezik. Ishte kohë lufte, e megjithatë, Mefaili, me guximin që e karakterizonte niset për në Tiranë.

Shkon, sipas porosisë së tyre, në lagjen e quajtur në atë kohë “Ceno Sharra”, Nr.17, te “Rruga e Barrikadave”, i gjen ata dhe u jep letrën, që e ruante me shume kujdes në një xhep të brendshëm të xhamadanit. Të nesërmen, grupi i hebrenjve, i përbërë prej 14 vetash, nisen me të, në besë të tij. Mefaili i solli ata shëndoshë e mirë në Qarrishtë, te të afërmit e tyre. Ai komunikonte pothuaj për çdo ditë me ta. Zakonisht shkonte atje natën, duke u plotësuar nevojat e mundshme.

Rreziku ishte në çdo kohë evident, mbasi një sinjalizim te forcat gjermane të dislokuara në Babje, mund të masakronte jo vetëm familjen e tij, por edhe të gjithë fshatin. Natyrshëm, pati reagime edhe nga persona të veçantë në fshat, të cilët i kërkuan Mefailit, që t’i largonte hebrenjtë, përballë rrezikut të mundshëm për fshatin, por ai ua pret shkurt, se ata janë në besë të tij, e se pa u vrarë ai, askush s’mund të prekte miqtë.

Kur shkonte në pyll, ai merrte shpesh edhe fëmijët e tij me vete, të cilët kujtojnë pamjen e bukur që ishte krijuar atje. Pylli qe i dendur, e nëpër drurë hebrenjtë kishin varur llamba me vajguri për ndriçim, ku komunikonin mes tyre, nga njëra barakë në tjetrën. Ishte krijuar një qytezë e vogël, që në mbrëmje kishte pamje mahnitëse. Shumica e izraelitëve ishin të shkolluar, me profesione, si inxhinierë, mjekë etj. Aty, ata qëndruan deri dhjetor të vitit 1944.

Në fund të muajit dhjetor, apo fillimi i janarit 1945, familjet hebreje, ku kishte edhe gra e fëmijë, Mefaili i shoqëron për në Strugë. Aty vendosen në një hotel. Pas pesë ditësh, ai ndahet me ta, duke marrë prej tyre gjithë falënderimet e sinqerta për çka bëri dhe kthehet në Qarrishtë. Sipas rrëfimit të djalit të tij, Njaziut, njërën nga gratë izraelite e cila ishte shumë e moshuar dhe e pamundur për të përballuar udhëtimin në dimër, ai la në shtëpi, të cilën e çoi në Strugë, në fillim të pranverës.

Pas çlirimit të vendit, siç e kam përshkruar më lart, xhaxhallarët e tij, Emini e Kapuak u arrestuan e u dënuan me burg, ndërsa përndiqeshin djemtë e familjet e tyre. Por, vallë, a do të harrohej Mefail Biçaku nga Sigurimi i Shtetit?! Ai kishte martuar vajzën e tij me djalin e Selim Gurrës, një familje kulakësh të Dragostunjës. Për disa vite e lanë në qetësi. Por, më në fund, preteksti u gjet.

Të afërmit tregojnë se, Sigurimi i Shtetit, nga fundi i vitit 1960, kapi në postë dy letra të dërguara nga miqtë izraelitë. Me sa dihet letrat vinin nga dy hebrenjtë, por që tashmë ishin me banim në Rusi. Kështu, në vitin 1961, e arrestojnë duke e akuzuar për bashkëpunim me UDB-në jugosllave, e mbajtje kontakti me të huaj. Atë e mbajtën afro tre vjet në hetuesi. I kërkohej të tregonte “bashkëpunëtorët”.

Mefaili qe një besimtar i devotshëm. Kurrësesi nuk mund të shpifte për të tjerët, për të shpëtuar veten. Duroi për tre vite të pangrënët dhe torturat nga më çnjerëzoret, të përdorura në birucat e burgut, pa pranuar asnjë akuzë. Tashmë ai ishte 65 vjeç. Në duart e xhelatëve të pashpirt, duke e kërcënuar edhe me jetën e djemve, ai sëmuret, duke kaluar në stres. Kur u pa se gjendja e tij shëndetësore ishte tepër e rëndë, e dërgojnë në spital.

Kushëriri i tij, Bilal Biçaku, duke mësuar për gjendjen e tij shkon të takojë Haxhi Lleshin, në atë kohë Kryetar i Kuvendit Popullor, me të cilin njihej që nga koha e luftës, mundet edhe më parë. Ky i fundit e priti Bilalin dhe e pyet se sa shkollë kishte Mefaili. Ai i shpjegoi se personi nuk dinte shkrim e këndim, ai ishte analfabet. “Shko në shtëpi – i tha ai Bilalit, – se do ta lirojmë”.

Kështu, në fund të vitit 1963, atë e lirojnë dhe kthehet pranë familjes. Djemtë e tij u kujdesën maksimalisht për të dhe gjendja e tij shëndetësore pati përmirësim. Mefail Biçaku, burri i guximshëm e besnik, mbrojtës i 26 hebrenjve të ndjekur këmba-këmbës nga gjermanët, ndërroi jetë në vitin 1969, në moshën 71 vjeçare, pranë familjes, duke u përcjellë për në banesën e fundit, nga bashkëfshatarët e tij qarrishtarë, si dhe miq të shumtë që ai pati kudo.

Në vitet ’70-të, shteti shqiptar ishte pothuaj i izoluar nga bota e jashtme. Me Izraelin nuk kishte marrëdhënie. Në vitin 1974, familjes së tyre në Qarrishtë, u vjen një letër nga Argjentina, e dërguar nga Simon Aroesti, i cili ishte një nga hebrenjtë që jetoi në Qarrishtë në vitet e luftës, bashkë me të shoqen. Letra ishte shkruar në anglisht. Djali i tij Muhameti, shkon në Elbasan te i vëllai Njaziu dhe së bashku interesohen e përkthejnë atë te një mësues, që njihte gjuhën angleze.

Mes të tjerash ai shkruante se, duke shëtitur me gruan e tij në Buones Aires, i kujtohet Qarrishta dhe Mefail Biçaku. Nuk mund të harroj, vazhdonte ai, dhe ende i dukej sikur e ka në gojë shijen e bukës së misrit të gatuar në Qarrishtë. “Për çfarë të keni nevojë, – shkruan më tej ai,- më thoni t’jua dërgoj”. Për të marrë detaje në lidhje me këtë çështje, më datën 5 nëntor 2019, takova personalisht në Elbasan, Elida Hazbiun (Biçaku), e bija e Njazi Biçakut, sot 64 vjeçe.

Ajo ishte me profesion stomatologe, ndërkohë, për shumë vite, kishte qenë pjesë e ekipit të vajzave në volejboll të Elbasanit. Elida, mbesa e Mefail Biçakut, ruante me fanatizëm dhe me mallëngjim, kujtimet e babait të saj për hebrenjtë, të mbajtur në Qarrishtë. “I shkruam letër përgjigje, Simon Aroestit – rrëfen ajo, – në adresën që kishin”, ndërkohë Elida i vendos edhe një album me foto; “Elbasani në luftën për çlirim”. Dihej se letrat kontrolloheshin dhe patjetër do të binin në duart e Sigurimit të Shtetit.

Kështu në përgjigje, ata shkruan se ishin shumë mirë dhe se nuk kishin nevojë për asgjë. “Në të vërtetë, ne kishim shumë nevojë, – shpjegon ajo, – se ishim mbi 10 persona në familje, por kjo ishte me shumë rrezik”. Nuk dihet në se i shkoi letra ose jo, mikut izraelit, por siç duket jo, sepse me të nuk patën më tej lidhje. Elida ruante me fanatizëm fotot e dërguara nga Simoni, ku kishte dalë me të shoqen dhe vajzën e vetme, që ai kishte në Argjentinë.

Pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri, marrëdhëniet ndërshtetërore morën drejtimin e duhur. Natyrshëm, pas 45 viteve, mjaft prej bujtësve izraelitë të Qarrishtës, nuk jetonin. Në vitin 1993, kryetar i shoqatës Shqipëri-Izrael, Refik Veseli, shkon në Izrael. Atje ai takon Rafael Falagin ,i cili jetonte ende. Rafaeli e pyet atë në se jetonte Njazi Biçaku, nga Qarrishta e Librazhdit.

Ai ishte moshatar me Njaziun e, kur ishte në Qarrishtë, shoqërohej shumë me të. Refiku, i thotë se mbasi të kthehej në Shqipëri, do t’i kthente përgjigje. Dhe kështu u bë. I ndjeri Refik Veseli, kontakton me Njaziun në Elbasan. Ky i fundit, tashmë duke qenë i moshuar, nisi djalin e tij, 42 vjeçar, Qemalin, për në Izrael. Në aeroportin izraelit, atë e priste Rafaeli, i cili mbante përpara një pankartë me mbishkrimin në shqip “Biçaku” Takohen, e merr Qemalin në shtëpi, i cili qëndroi atje 18 ditë, aq sa kishte marrë leje nga puna në Shqipëri.

Rafaeli i shpreh mirënjohjen e jashtëzakonshme për familjen e tyre, Qemalit. Midis të tjerash ai i tregon se; “i thonim Mefailit, që të punonim edhe ne, se ishin 26 persona, e familja e tyre po bënte shpenzime për ne, por Mefaili u përgjigjej; miqtë nuk i vëmë në punë”. Qemali, pa në shtëpinë e Rafaelit objekte të thjeshta të marra në Qarrishtë, në kohën që ishin atje, të cilat Rafaeli i ruante me shumë kujdes.

Në Izrael, në vendin e quajtur Jahtvashem (Muri i kujtesës), ndodhet biblioteka me shkrime për Holokaustin. Aty ndodhet edhe libri “Besa”, me përmbledhje shkrimesh nga izraelitët për familjet shqiptare që kanë mbajtur hebrenj. Pikërisht këtu, në vitin 1996, në shenjë kujtese dhe mirënjohje për familjet që strehuan hebrenjtë, bëhet një ceremoni përkujtimore, ku jepet një dekoratë për Mefail e Njazi Biçakun. Për këtë qëllim u mbollën 26 pemë, si simbol i mbijetesës, ndërsa emrat e Mefail e Njazi Biçakut, janë të gdhendur në “Murin e kujtesës”.

Në vitin 1998, në shtëpinë e kulturës Librazhd, rikthehen kumtesat dhe në një ceremoni të veçantë, i dorëzohet Dekorata izraelite në dorë, vetë Njazi Biçakut, tashmë i moshuar. Në vitin 2007, lobi izraelit në SHBA-ës, fton familjet e Mefail e Njazi Biçakut, në Nju Jork, ku u bë një ceremoni përkujtimore, e në prani të tyre, midis të tjerash u tha se; “një familje myslimane, ka mbajtur e mbrojtur 26 hebrenj”.

Aty u dha edhe “Çmimi i mirënjohjes”, për aktin e lartë të besës e bujarisë të familjes Biçaku. Dekorata, përfaqësuesve të familjes, u janë dhënë edhe nga Presidenti Bamir Topi e Bujar Nishani. Sot në hyrje të fshatit Qarrishtë, ndodhet memoriali kushtuar Mefail e Njazi Biçakut. Në kujtim e respekt të gjyshit dhe babait të saj, Elida Njazi Hazbiu (Biçaku), mban detyrën e Kryetares së shoqatës Elbasan-Izrael.

Familjarët sot shprehen se, Mefail Biçaku, ndërroi jetë duke marrë me vete kujtesën për miqtë izraelitë, pa mundur të takohet më me ta, apo të shohë e dëgjojë vlerësimet që iu bënë atij dhe djalit të madh, për aktin e lartë fisnik e human. Personalisht, ruaj një kujtim nga Mefail Biçaku. Mundet të ketë qenë viti 1965. Isha aty rreth moshës 12 vjeç.

Në muajin prill të çdo viti, (25 prill mesa më kujtohet), organizohej festa e Kufirit në Qarrishtë. Shkonin atje, atë ditë, nga fshatrat përreth në mënyrë të organizuar, kuptohet nën një kontroll të rreptë nga organet policore e të Kufirit. Fshati Gizavesh, që ishte përfshirë në kooperativë, kishte të ngritur grupin artistik, pranë shtëpisë së kulturës. Unë isha nxënës dhe pjesë e grupit, me një recitim e në këngë me grupin.

Morëm pjesë në festë dhe dhamë koncertin për të pranishmit. Ishte bërë traditë që pas ceremonisë, ata që vinin nga fshatrat e tjerë, priteshin për drekë nga familjet vendase. Vetë familjarët që ishin të pranishëm aty, merrnin disa persona, edhe sipas njohjes, por edhe pa i njohur. Kishte familje që merrnin edhe 12-13 persona, apo më shumë, mbasi shpërndarja bëhej në shtëpitë që ndodheshin sa më afër postës dimërore të kufirit.

Mua më qëlloi të shkoj në shtëpinë e Mefailit. Na mori djali i tij, Muhameti, dhe të parin me kapi mua për krahu, si më të voglin. Atëherë ai, mund të ishte aty rreth 26- 27 vjeç dhe binte në sy për trupin e gjatë e të bukur, por dallohej edhe se mbante veshje qytetare. Shtëpia tyre ishte pranë postës, rreth 40-50 metra largësi. U futëm brenda, kuptohet unë si më i vogli, pothuaj isha në fund.

Mefaili, që në atë vit duhet të ketë qenë 67 vjeç, qëndronte në mes të konakut më këmbë, e na takoi të gjithëve. Ishte krejt i thinjur, por nuk thonë kot: “Dëbora u ka hije maleve”. Dukej shumë i hijshëm. Shihja me kureshtje veshjen e tij me xhamadan, këmishë e kësulën borë të bardhë. Edhe trikon e leshit e kishte të bardhë, mbasi kur u ulëm në sofër për të ngrënë, ai, duke qëndruar në ballë të oxhakut, e hoqi xhamadanin duke i kthyer shpinën zjarrit që bubulonte. / Memorie.al

                                                    Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Ndonëse Patër Anton Harapi, kishte marrë një përgjegjësi shumë delikate, si anëtar i Këshillit të Regjences, ai kishte refuzuar...”/ Kujtimet e panjohura të ministrit të Hitlerit në Shqipëri, Neubacher

Next Post

“Burrat me pamje të vrazhdë, shikojnë një djalosh me zinxhir floriri të trashë në qafë me ‘BMW’, simbol i ‘lumit’ të parave, që i tërheqin nga Western Union...”/ Reportazhi i panjohur për Beratin, i gazetarit nga SHBA-ës

Artikuj të ngjashëm

“Burrat me pamje të vrazhdë, shikojnë një djalosh me zinxhir floriri të trashë në qafë me ‘BMW’, simbol i ‘lumit’ të parave, që i tërheqin nga Western Union…”/ Reportazhi i panjohur për Beratin, i gazetarit nga SHBA-ës
Dossier

“Burrat me pamje të vrazhdë, shikojnë një djalosh me zinxhir floriri të trashë në qafë me ‘BMW’, simbol i ‘lumit’ të parave, që i tërheqin nga Western Union…”/ Reportazhi i panjohur për Beratin, i gazetarit nga SHBA-ës

October 18, 2025
“Si e varën në litar, Nezir Muzhaqin, komandantin e ‘Ballit Kombëtar’ për Elbasanin, me vendimin e Gjykatës së Lartë Ushtarake, pasi…”/ Ish-i dënuari politik, publikon dokumentin
Dossier

“Anëtar i Rinisë së Ballit, i ati milic e spiun i SIM-it, dy dajo komandantë Balli…”/ Dokumenti sekret i Sigurimit, për ballistin që hetoi Koci Xoxen, Dali Ndreun, Teme Sejkon, “sabotatorët e naftës”, etj.!

October 18, 2025
“Në vitin 1978, kur punonjësi i Degës i tha: ‘e more vesh moj plakë, djali yt në Suedi, Agimi, është vrarë’, nënë Fizja iu përgjijgj; ‘të rroni ju more bir’, dhe…”/ Historia e trishtë e familjes Biçaku nga Librazhdi
Dossier

“Në vitin 1978, kur punonjësi i Degës i tha: ‘e more vesh moj plakë, djali yt në Suedi, Agimi, është vrarë’, nënë Fizja iu përgjijgj; ‘të rroni ju more bir’, dhe…”/ Historia e trishtë e familjes Biçaku nga Librazhdi

October 17, 2025
“Nën ritmin e orkestrave popullore, çingijet e gdhinin bashkë me dasmorët apo klientët e zgjedhur të lokaleve e, në vende të fshehta me të pasurit…”/ Historia e panjohur e “femrave të përdala” të Elbasanit
Dossier

“Nën ritmin e orkestrave popullore, çingijet e gdhinin bashkë me dasmorët apo klientët e zgjedhur të lokaleve e, në vende të fshehta me të pasurit…”/ Historia e panjohur e “femrave të përdala” të Elbasanit

October 16, 2025
Dossier

“Kur drejtori i burgut të Strugës, u thotë: ‘ju jeni enveristë’, Kadriut, që i kishin ngrirë këmbët dhe ishte i rraskapitur, ia kthen…”/ Historia e trishtë e K. Biçakut e F. Doskut, që u arratisën në Maqedoni, në mars 1965

October 17, 2025
“Në 1952, i ndihmuar nga vëllai i tij, Tafili, merr me vete të shoqen e Ismail Balliut, me dy vajzat, që kërkonin të largoheshin dhe arratiset në Jugosllavi, ku…”/ Historia e panjohur e Hamit Lukës nga Funarësi
Dossier

“Pasi ikën natën nga Roskoveci ku ishte mësues, me shokun e ngushtë, Mustafa Lleshnaku, arratisën nga kufiri e dalin në Strugë, ku UDB-ja…”/ Historia e panjohur e Adil Biçakut që sot jeton e punon në Suedi

October 15, 2025
Next Post
“Burrat me pamje të vrazhdë, shikojnë një djalosh me zinxhir floriri të trashë në qafë me ‘BMW’, simbol i ‘lumit’ të parave, që i tërheqin nga Western Union…”/ Reportazhi i panjohur për Beratin, i gazetarit nga SHBA-ës

“Burrat me pamje të vrazhdë, shikojnë një djalosh me zinxhir floriri të trashë në qafë me ‘BMW’, simbol i ‘lumit’ të parave, që i tërheqin nga Western Union...”/ Reportazhi i panjohur për Beratin, i gazetarit nga SHBA-ës

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme