Nga Ali Buzra
Pjesa e njëzetekatër
– JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Bedri Kaza
Shteti komunist, fillon të arrestojë burrat e familjes Biçaku
Kjo familje, ashtu si edhe shumë të tjera në Shqipërinë e pas luftës, të cilat ekonomikisht ishin mirë, nuk mund të anashkalohej nga pushteti i ri komunist, që po instalohej në Shqipëri. Masa e parë, e marrë në fillim të vitit 1945, ishte konfiskimi i dyqanit me gjithë mall në Librazhd, e cila për kohën, kapte një vlerë të konsiderueshme në franga ari. Por shteti i kohës nuk do të mjaftohej vetëm me kaq. Kjo familje do të ishte pengesë në rrugën e reformave absurde, socialiste që do të ndërmerreshin.
Aty nga mezi i vitit 1945, rrethohet shtëpia nga forca të shumta të Ushtrisë. Arrestojnë Eminin, i cili tashmë ishte i moshuar. E lidhin atë, duke e vendosur përballë kullës, te furra e bukës. Ndërkohë, kontrollojnë shtëpinë dhe u marrin mall e bagëti, si dhe një sasi monedhash floriri, që u gjendën aty. Më pas arrestojnë vëllanë e tij, Kapon. Me një gjyq të inskenuar, i akuzojnë se kanë ndihmuar grupin e armatosur të Azis Biçakut e, të Isak Allës, si dhe kanë strehuar Sadik Kaçin, nga Pajova.
Ky i fundit ishte mik i familjes së tyre, si dhe qe bërë vëlla me Kapon. Ai ishte arratisur e ndiqej nga forcat e Sigurimit të Shtetit. Dënohen, Emini me 15 vjet burg, ndërsa Kapoja 10 vjet. Dy kryefamiljarët, burrat më të moshuar të familjes, bëjnë nga 7 dhe 6 vjet burg, duke i kryer në kamp-burgjet e Elbasanit, Maliqit e Libofshës. Lirohen në vitet 1952 e 1953. Ndërkohë që pleqtë ishin në burg, në vitin 1951, arrestojnë Nexhipin, djalin e Eminit, por për mungesë provash e lirojnë.
Shteti i diktaturës komuniste përsëri nuk heq dorë. Pas disa muajsh e arrestojnë përsëri. Akuzohet edhe ky se ka mbajtur lidhje me Azis Biçakun, e të arratisur të tjerë. Dënohet me 10 vjet burg, me motivacionin banal të kohës, “Për krime kundër shtetit”. Pas një viti, në rrethana të dyshimta e të panjohura, Nexhipi ndërron jetë në burgun 303 Tiranë, në moshën 36 vjeç. Ai la gruan Fizen, (e bija e Liman Koxhës nga Gizaveshi), si dhe 4 djem; Adilin 17 vjeç, Mevlutin 11 vjeç, Besimin 6 vjeç, si dhe Agimin 2 vjeç. Ashtu si dhe për shumë të dënuar të tjerë të diktaturës, edhe për Nexhipin sot nuk ka një varr.
E ndiejmë të nevojshme të komentojmë faktin, se turqit, serbët, italianët, e gjermanët, në të vërtetë qenë pushtues, kanë kryer vrasje e krime të shumta në kohë lufte, por nuk i kanë mohuar të drejtën familjarëve, që të marrin e të varrosin kufomat. Shembulli i shtetit diktatorial komunist në Shqipëri, i vendosur pas lufte, i udhëhequr nga Partia radikale komuniste, përbën shembullin më antinjerëzor e të pazakontë të një diktature staliniste.
Në vitin 1954, një vit mbas lirimit nga burgu, ndërroi jetë Emini. Mbas tij familja u drejtua nga vëllai i tij Kapua, e më pas, meqenëse ky ishte i moshuar, atë e drejton Veliu, djali i Eminit, ndërsa Rrahimi, vëllai më i madh kaloi në lagjen “Qytezë”. Me gjithë vështirësitë e krijuara nga shteti, familja e tyre ende mbahej mirë. Siç edhe e përmenda më lart, ata ishin njerëz të zotë e punëtorë. Kjo nuk shihej me sy të mirë. Siç duket, synimi i pushtetit të kohës, ishte shkatërrimi i plotë i kësaj familje. Burrat e saj survejoheshin ditë e natë nga Sigurimi i Shtetit e shërbëtorët e tyre. Në vitin 1960, arrestojë dy vëllezërit, Rrahimin e Veliun. Ata u mbajtën për gati 11 muaj në hetuesi, duke përdorur tortura nga më çnjerëzoret.
Rezultat i qëndresës së tyre dhe të mos-gjetjes së fakteve i lirojnë. Në vitin 1962, familja e tyre me 57 anëtarë, u nda për të mundësuar një jetë secila më vete, por duke qëndruar në të njëjtën banesë. Ata kishin punuar për këtë. Patën grumbulluar materiale; si gurë e lëndë drusorë, si dhe patën djegur një furrë gëlqereje disa tonëshe, për të ngritur kulla të tjera për çdo familje. Por drama e familjes Biçaku, nuk merr fund këtu.
Në korrik të vitit 1962, bëhet përsëri rrethimi i shtëpisë e arrestohet Veliu, shtylla e familjes që tashmë ishte 47 vjeç. Ai ishte babai i katër fëmijëve, dy djemve e dy vajzave. Më e madhja, vajza e quajtur Hire, ishte 13 vjeç, djali i madh, Fatmiri, 8 vjeç, Reifi 5 vjeç, ndërsa vajza tjetër, Qamilja, 2 vjeçe. Edhe në këtë rast, familjes i marrin mall e bagëti, si dhe i sekuestrojnë furrën e gëlqeres. E mbajnë dy vjet në hetuesi, nën tortura nga më çnjerëzoret. Në biruca, ka treguar ai, shpesh ua merrte miu bukën, sepse qëndronin me duar të lidhura.
Dënohet fillimisht me vdekje, me motivacionin; “për agjitacion e propagandë kundër shtetit dhe tentativë për arratisje”. Ai nuk pranon asnjë nga akuzat e ngritura ndaj tij. Në lidhje me tentativën për arratisje, ai i përgjigjet trupit gjykues: “Në qoftë se doja të arratisem, askush nuk mund të më pengonte. Unë mund të isha arratisur familjarisht, sepse e njoh kufirin në pëllëmbë të dorës, por nuk e pata menduar”. Mbas apelimit, me një vendim tjetër të gjykatës, dënohet me 25 vjet burg. Veliu, qe me shëndet të mirë. Ai kishte trup të fuqishëm, në të cilën qenë të skalitura tiparet e një malësori trim e krenar.
I vuajti vitet e dënimit në Elbasan, Ballsh, Spaç, Reps e Laç, ku asnjëherë nuk iu nënshtrua kanosjeve e keqtrajtimeve në burg. Ai u përgjigjej me përbuzje fyerjeve që i bënin disa nga punonjësit e burgut, për ta nënshtruar atë. Por, jo pak vuajtje e pasoja pati edhe familja e tij, gruaja e fëmijët e mitur. Ndërkohë, në këto kushte, trungu familjar i familjes së tyre përpiqet të mbijetojë duke ndihmuar njëri-tjetrin. E shoqja e Veliut, Hamideja, vajzë nga Borova, bashkë me djalin e saj Fatmirin, e më pas kur u rrit pak, edhe Reifin, shkonin te burgu, për t’i çuar atij ndopak ushqime. Në të gjitha rastet, e patën shoqëruar në rrugën e gjatë e të mundimshme, kunetërit e saj, Shukriu, Isai e të tjerët.
Disa herë e shoqëron nënën e gjorë, me djemtë e saj, Nazimi, djali i Rrahimit. Për këtë, djali i saj Fatmiri, shprehet: “Nazimi ishte me zemër të madhe. Ai tregohej gjithmonë i gatshëm për të na shoqëruar”. Në atë kohë ishte problem edhe transporti. Me shumë dhimbje rrëfejnë për këto vajtje-ardhje, vëllezërit Fatmiri e Reifi. – “Kemi fjetur në mjaft raste jashtë, si në Laç, në Spaç e vende të tjera. Duke fjetur natën jashtë, na hanin mushkonjat”, – tregojnë ata.
Rrugën nga Tirana në Laç, në shumicën e rasteve e bënin në këmbë sepse makinat nuk i merrnin. Duronin fëmijët e gjorë bashkë me nënën e tyre, shiun të ftohtit, vapën, pagjumësinë e lodhjen në rrugën e gjatë, për të takuar babain. Kujtimet e tyre janë vërtet rrëqethëse. Gjatë rrugës më këmbë, nga lodhja e stërmundimi, i luteshin nënës e xhaxhait, për të pushuar sadopak. Kur pushonin, menjëherë i zinte gjumi të rraskapitur nga lodhja. U thërriste e ëma me zemër të copëtuar, se kishin akoma shumë rrugë për të bërë. “Na lerë edhe pak” – i luteshin ata, por ç’të bënte nëna e gjorë.
Kujtojnë me dhimbje dy raste, kur nuk mundën të takojnë babanë, një herë në Laç dhe një herë tjetër në Spaç. Mbasi mbërrijnë te burgu, rojat u thonë se nuk mund ta takonin Veliun. Ai “kishte thyer disiplinën” e, i qe mohuar e drejta për të takuar familjen për disa kohë. Ishte mbas dite vonë. Pritën më kot në Spaç, duke fjetur buzë një kanali, nëna me dy djemtë, si dhe xhaxhai e Nazimi, me shpresë se të nesërmen do t’u mundësohej takimi. Në mëngjes erdhën oficerët e komandës së burgut. Iu lutën atyre, duke u treguar fëmijët e vegjël, por nuk qe e mundur.
Urdhri i komandës ishte i prerë: “Nuk do të ketë takim për Veli Biçakun, deri në një urdhër të dytë”. Edhe ushqimet nuk ua pranuan. Ishte vapë. Kthehen familjarët të dëshpëruar për në shtëpi. Ushqimet e siguruara me vështirësi, detyrohen t’i hedhin gjatë rrugës, sepse filluan të prishen nga i nxehti. Në një rast tjetër, – tregojnë të afërm të tyre, – gjatë udhëtimit më këmbë nga Laçi për në Tiranë, shiu nuk pushoi gjatë gjithë rrugës. Nata i zuri në rrugë. Trokasin e kërkojnë strehim gjatë rrugës, por nuk ua hapin derën. Në afërsi të Tiranës, një plakë që jetonte e vetme i pranon, dhe e kalojnë natën aty. Ajo ishte e varfër. Xhaxhai që i shoqëronte, i jep asaj 50 lekë.
Të ndodhur nën survejim e rrezik arresti, disa nga burrat e familjes vendosin të arratisen
Ndërkohë që Veliu ishte në burg, familja survejohej vazhdimisht. Burrat e saj i provokonin për të gjetur ndonjë pretekst. Priteshin arrestime të tjera. Në këto rrethana, arratiset Adil Biçaku, djali i Nexhipit. Adili kishte qenë pikë e dobët, për xhaxhanë e tij, Veliun. Ky i fundit e donte shumë atë. Duke parë te ai dhunti të veçanta për mësim, Veliu, para arrestimit, e dërgon djalin e vëllait të tij, të vazhdojë arsimin 7-vjeçar në Elbasan. Mbasi mbaroi arsimin e detyrueshëm atje, i rregullon një të drejtë studimi për në Shkollën Pedagogjike, duke qenë i jashtëm. Veliu kishte miq kudo. Adilin e strehon te një mik i familjes në qytetin e Elbasanit.
Adili e mbaron shkollën Pedagogjike, për mësues, me rezultate të shkëlqyera. Për vazhdimin e studimeve të larta, as që mund të bëhej fjalë. Babai i tij Nexhipi, siç e përmendëm më lart, qe dënuar e ndërroi jetë në burg. Djaloshi i ri, konsiderohej si “biri i armikut të popullit”. Sapo mbaroi pedagogjiken ai shpresonte të fillojë punë në fshatin e tij. Por, kjo gjë nuk u bë e mundur asnjëherë. Dhe jo vetëm kaq. Atë e caktojnë mësues në Roskovec të Fierit. Një rast ky i veçantë për një librazhdiot, sepse rrethi ynë, kishte shumë nevojë për mësues.
Mësuesit vendas në vitet ’60-të, qenë shumë të paktë. Në mjaft fshatra, ishin emëruar mësues vendali, me kurse tremujore, pa arsim Pedagogjik. Në shkolla jepnin mësim mësues të ardhur nga Elbasani, Korça, Saranda, Vlora, Gjirokastra etj. Adili, jo vetëm nuk caktohet mësues në fshatin apo rrethin e tij, por ai qe mësues në internim. Atij i ishte ndaluar të shkojë në Qarrishtë, edhe për të takuar familjen e tij. Pra, një mësuesi, një intelektuali shembullor, i ishte privuar e drejta për t’ju bashkuar familjes. Kërkon disa herë të shkojë në Qarrishtë, të takojë nënën e vëllezërit e tij më të vegjël, por nuk e lejuan. Survejohej dhe shpesh e provokonin në forma nga më të ndryshmet. Në këto rrethana, si dhe duke ndjerë rrezikun e një arrestimi të mundshëm, Adili vendos të arratiset.
Largohet fshehurazi nga Roskoveci, së bashku me Mustafa Leshanakun, të cilin e kishte shok dhe i besonte. Vijnë në Librazhd, e udhëtojnë natën drejt kufirit. E kalojnë atë me shumë vështirësi duke mbërritur në Strugë, ku ndalen te disa miq të familjes. Për fat të keq, policia maqedonase, bie në gjurmë të tyre dhe i arrestojnë. Një rikthim në Shqipëri, do t’u kushtonte jetën djelmoshave. Me sa dihet, në atë kohë ekzistonte një marrëveshje të policisë shqiptare, me atë jugosllave dhe bënin shkëmbim të të arratisurve, nga njëra anë e kufirit në tjetrën. Në rrethana të panjohura, për të cilat nuk kam informacion, ata arratisen nga burgu e, dalin në Greqi.
Në shtetin grek, ata dorëzohen e i dërgojnë në një kamp refugjatësh. Për fatin e mirë, kampin e inspekton një grua europiane e të Drejtave të Njeriut. Adili, që zotëronte gjuhën e huaj, kontakton me të. Ajo i jep mundësinë për të shkuar në Suedi, ndërsa Mustafa Leshanaku, shkon në Amerikë. Mbasi vendoset atje, Adili regjistrohet dhe vazhdon Universitetin e Stokholmit, duke e mbaruar me rezultate shumë të mira. Aty, u njoh dhe u martua me një studente spanjolle, duke krijuar familjen. Fillon punë në një kompani prestigjioze suedeze, në stafin e saj drejtues. Adili ishte dhe është një nacionalist i devotshëm.
Ai ka shërbyer si përkthyes i shqiptarëve në mërgim, duke ndjekur problemet e tyre, e gjyqe që ato kishin në proces, për rregullim dokumentesh nënshtetësie etj. Ishte admirues i familjes Mbretërore Shqiptare, e qe i ftuar në dasmën e martesës së trashëgimtarit të Mbretit, Leka I-rë. Atje në mërgim, Adili, pati sukses e ndërtoi jetën më së miri, por zemra e tij mbeti e dëshpëruar për vuajtjet e peripecitë e familjes së tij, deri sa u përmbys diktatura komuniste. Pas vitit 1990, ai vjen në Shqipëri, duke u përmallur me nënën e tij e, vëllanë Besimin, ndërsa dy vëllezërit e tjerë, Mevluti e Agimi, qenë arratisur në vitin 1978, rastin e të cilëve do ta përshkruajmë më poshtë.
Duke iu rikthyer ngjarjeve të familjes së Emin e Kapo Biçakut, lexuesi do të njihet me peripecitë e vuajtjet e mëtejshme të saj, që s’kanë të mbaruar. Ndërsa Veliu, kryetari i familjes, vuante dënimin në burg, kulla e tyre vëzhgohej natë e ditë nga komanda e forcave ushtarake të Kufirit si dhe oficerët e Sigurimit të Shtetit. Vinin gjatë ditës e u thonin se; “këtu ka lëvizje gjatë natës”, e se “vijnë të arratisur”, duke nxjerrë pretekste nga më të ndryshmet; se “ky gur ose kjo degë, ka lëvizur, janë ndjerë zhurma, kanë lehur qentë” etj. Duke e ndjerë rrezikun e arrestimit, në pranverë të vitit 1965, arratiset Kadriu, vëllai i Veliut, bashkë me Ferit Doskun, nga Dorëzi.
Feriti, ishte krushk në familjen Biçaku, mbasi vëllai i tij Ganiu, kishte për grua motrën e tyre. Nga kontakti me Kadri Biçakun, në shtator 2018, në shtëpinë e tij në Elbasan, u njoha me motivin dhe momentet e arratisë së tij. Në pranverën e vitit 1965, ai punonte në Gosë të Kavajës, me vëllanë e tij Hakiun. Krahas veprimtarisë bujqësore dhe blegtorale në fshat, burrat e familjes Biçaku, punonin me sezone edhe si ndërtues në zona të ndryshme të vendit, profesion të cilin e njihnin shumë mirë. Ishte në moshën 27 vjeç, i martuar dhe kish një djalë, Yllin, dy vjeç. Aty vjen një banor vendas, e i thotë të shkojë në shtëpi, në Qarrishtë, se e kërkonte familja. Vëllai qëndron në punë, ndërsa ai niset për në shtëpi.
Atë natë qëndron në Elbasan. Në mëngjes me makinat e para, zbret në Librazhd. Aty takon dy banorë të fshatit të tij, me njërin nga të cilët niset për në Qarrishtë. Gjatë rrugës, ndien se diçka nuk shkonte mirë, mbasi shoku e provokon disa herë, gjatë rrugës më këmbë për në fshat, në lidhje me familjet e Azis Biçakut e të Isak Allës. Kadriu ishte shumë i zgjuar. Ai nuk bie në grackën, që mund t’i kishte ngritur Sigurimi i Shtetit. Me shumë kujdes ai i shmanget bisedës me të, duke u anashkaluar nga pyetjet provokuese. Kur shkoi në shtëpi, ata i thonë se nuk kishin dërguar njoftim që ai të vinte. Ndërkohë, tregon ai, dhjetë ditë më parë, gruaja e tij kishte lindur një vajzë. Emrin ia vunë Sabire.
Të nesërmen niset për në Librazhd, e prej aty do të shkonte në Gosë, për të përfunduar bashkë me vëllanë punën e nisur. Gjatë rrugës Qarrishtë-Librazhd, e cila mban rreth katër orë më këmbë, Kadriut i vinin nëpër mend lloj-lloj mendimesh. Për të një gjë ishte e qartë, se ai tashmë ndiqej. Dhe ndodhi ajo që pritej. Kur mbërriti në Librazhd, aty pranë një lokali ku luhej edhe bilardo, e prek në shpatulla me dorë nënkryetari i Degës së Punëve të Brendshme, duke i thërritur në emër. Ai i thotë se duhej të paraqitej në Degë. Shkon lart në zyrën ku ishin të pranishëm; Kryetari i Degës, nënkryetari, dhe dy oficerë të sigurimit. Ata i kërkojnë të punojë në shërbim të Sigurimit të Shtetit, duke i premtuar shtëpi në Librazhd e, lehtësime të tjera për familjen.
“Ky, – i thonë ata, – është një shërbim ndaj Partisë e shtetit”, e për të, do të ishte mirë ta pranonte, në të kundërt mund të kishte edhe pasoja, – “mbasi vëllanë, Veliun, e keni në burg”, – ia rikujtojnë ata. E ndien veten shumë ngushtë e pa rrugëdalje. Mendohet pak, e u përgjigjet se do të punonte, “por duhet të më orientoni”- u përgjigjet ai. Ndërkohë u thotë se do të vijë mbas dy ditësh, mbasi i duhej të shkonte në Peqin, për të siguruar tagji për bagëtitë e imta që kishin atje, në familjen e Tahir Rusit. Ata i besuan dhe nuk paramendohej se mund të arratisej, mbasi kufiri mbi Qarrishtë, kishte mbi dy metra borë.
Ishte 11 marsi i vitit 1965. Në lartësitë e maleve 1.800 e 2.000 metra, në ato vite ende binin reshje të dëborës. “Kur dola te dera, – tregon Kadriu, – nuk më kishte mbetur shpirt në trup. Disa oficerë që kishin dalë aty, më përqafuan, duke më thënë se ke bërë mik të fuqishëm, e na ke ne për çdo gjë”. Niset për te agjencia e makinave, ndërkohë që vendimin e kish marrë, që kur qe brenda në zyrat e policisë. “Çfarë vendimi kishe marrë”? – i thashë gjatë bisedës Kadriut. – “Unë nuk do të shitesha. Më mirë të vuajnë fëmijët e mi, se sa të merrja më qafë fëmijët e të tjerëve, duke u bërë spiun”, – m’u përgjigj ai. E dinte se e ndiqnin.
I hipën një makine në karroceri e niset për në Elbasan. Aty te kalaja një plak i leckosur, i kërkon një cigare duhan. I jep gjysmën e kutisë, me gjithë letra. Në mbrëmje, aty në Elbasn, takon Ferit Doskun. Feritit i besonte, jo vetën se ishin miq, por se ishin nga e njëjta shtresë të persekutuarish. I tregon për vendimin që kishte marrë dhe i thotë në se mund të bëhej shoq me të. Feriti tregohet i gatshëm. Dalin natën nga Elbasani dhe hipin në një “Skodë” çeke për në Librazhd. Ndalojnë pa e kaluar urën. Në urë kalojnë herë njëri e pastaj tjetri, duke vërejtur se mos ndiqeshin. Futen nën urë poshtë, rrapishtës, e marrin rrugën nga Xhamia e re, sot Librazhd-Qendër. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm