• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Thursday, October 9, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Një natë, ‘Toger Tava’, siç e quanin të internuarit, futi në biruca Z. Mirakën e Sh. Dobrën, por kur hynë aty, ata u tmerruan, pasi panë një vajzë të…”! / Dëshmia e rrallë që tronditi kampin e Tepelenës

“Ja historia tragjike e familjes së Kol Bib Miraka në regjimin komunist, ku ata…”/ Rrëfimi i Fatbardha Mulleti Saraçi
“Mugosha dhe Miladini, ndikuan ndjeshëm në vendimet e marra nga ana e Enverit dhe PKSH-së, si dhe në Shtabin e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur
“Në Porto-Palermo, ne po verboheshim, por kur u sëmur për vdekje i riu, Musa Sina, rreshter Qaniu, u tha atyne që e ruanin: merreni këtë kërmë e hidheni në… “! / Kujtimet e Lek Pervizit, nga Belgjika
“Nexhipi me Demirin, ushtarë në Vlorë, pinë gjak dhe u bënë byrazerë, por kur u takuan vite më vonë në shtëpinë e Demirit, nëna e tij u tha…”/ Historia tronditëse e familjes nga Shalsi Elbasanit
“Në Letëm, sollën Medi Canin nga Borova, të lidhur me litar dhe e pushkatuan e, pas tij edhe Ahmet Hoxhën, i cili kishte jetuar me Azis Biçakun…”/ Historia e panjohur e familjeve “reaksionare” të Librazhdit
“Kur shkonte një herë Enveri, për në Gjirokastër, pyeti: ‘Ç’janë këto varre këtu mo’?! Dhe kur i thanë se janë të atyre të kampit, ai…”/ Dëshmia e rrallë nga SHBA-ja, e ish-të internuarit në Tepelenë

Nga Ali Buzra

Pjesa e shtatëmbëdhjetë

                                      –  JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –

                                        (VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)

Gjithashtu mund të lexoni

Si u organizua nga KGB-ja vrasja e Trockit, kundërshtarit të stalinizmit, që jetonte ekzilin në Meksikë dhe si u mbajt sekret edhe mbi pllakën e varrit në Moskë, emri atentatorit, pasi vuajti 20 vite burg?!

“S’dihet se, Enveri apo Koci Xoxe, apo të dy bashkë, e denoncuan Fadil Hoxhën te OZNA e Jugosllavisë dhe ministri A. Rankoviç, i cili e mori në pyetje Fadilin dhe….”/ Libri më i ri i ish-shefit të kabinetit

Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.

                                                                                                               Bedri Kaza

                                                       Vijon nga numri kaluar

Fëmijët e kampit që shkonin në shkollë, ishin të uritur. Kur dilnin nga mësimi, mezi qëndronin në këmbë. Shumica prej tyre, kur kalonin nga tregu, u lypnin bukë njerëzve që shisnin. Këta të fundit, i pyetnin; – “nga të kampit jeni”? Nxirrnin bukën nga çanta e pothuaj gjithmonë u jepnin pak bukë këtyre fëmijëve të drobitur.

“Tepelenasit ishin shumë bujarë”, – rrëfejnë të mbijetuarit. Në vjeshtë e në pranverë, kur punohej toka, mbas dite dhe në ditë pushimi, fëmijët i vinin të mblidhnin gurët që nxirrte plugu në parcelat e ekonominë ndihmëse, që ndodheshin përreth kampit.

Kjo punë ishte shumë e lodhshme për ata, që ishin të pangrënë, por ç’të bënin, policët u rrinin te koka. Të ardhurit në kamp, shtoheshin çdo ditë, sa që kazermat nuk i mbanin më. Dyndje të madhe pati nga Mirdita, pas vrasjes së Bardhok Bibës. Për këtë mirditorët, tregonin se shumë burra u vranë atje në prani të fëmijëve të tyre nga Mehmet Shehu, ndërsa dhjetëra familje u sollën në kampin e Tepelenës.

Një ditë, nënë Xhemilja merr të qepë pantallonat e Shefqetit, të cilët qenë grisur, por iu mbarua peri. I palosi pantallonat e u vuri gjilpërën përsipër. Një grua mirditore e quajtur Mrikë, e vuri re shqetësimin e saj dhe e pyeti, se përse nuk i përfundoi së qepuri pantallonat. – “M’u mbarua peri”, – iu përgjigj ajo. – – “Të jap unë”, – i tha Mrika dhe i zgjati fijet.

Kur i mori Xhemilja, vuri re se ato nuk ishin fije peri, por fije floku. Mbrika, e sqaroi atë, se me to i qepte ajo rrobat në kamp. Mrika kishte flokë të gjata e të dendura. Deri në vitin 1970, familja e Islam Dobrës dhe ajo e Mrikës, që ishte me djemtë e saj, kaluan bashkë në kampet e internimit. Nënë Mrika, kujtojnë ato, i ruajti rrobat e fëmijëve të saj qepur me fijet e flokut, për të mos e harruar Tepelenën e asaj kohe.

Vdekjet vazhdonin të shtoheshin çdo ditë. Konkluzioni ishte i qartë. Ato ishin rezultat i keq ushqyerjes e kushteve tepër të rënda në kamp. Më në fund, një natë, u thonë që të nesërmen të merrnin me vete një enë për të marrë gjellë, mbasi deri më tani jepej vetëm bukë thatë. Për të gatuar u përdorën mbeturinat e ushqimeve të mbetura nëpër magazine.

Filloi të gatuhej; fasule, bollgur, oriz e makarona. Thuhet, se kuzhinierët i hidhnin fillimisht në ujë, që të dilnin krimbat përsipër, por sado që pastronin, gjella ishte me krimba. Një ditë, Muhametin, që ishte më i rritur e larguan nga kampi. Më vonë morëm vesh se atë bashkë me shumë të tjerë, i kishin çuar në Vlorë për punë, ku ndërtohej një burg.

Në Tepelenë mbeti nëna me dy fëmijët e saj më të vegjël, Hatixhen dhe Shefqetin. Jo vetëm nënat dhe të rriturit, por edhe fëmijët përpiqeshin të bënin diçka për të mbijetuar. Për këtë, Shefqeti, rrëfen një detaj mjaft rrëqethës nga jeta në kamp. Një ditë, ai bashkë me disa shokë të tjerë, kishin mbushur nga një trastë të vogël me hithra.

Për të mos rënë në sy, u futën nga pas banjove, mbasi ajo pjesë ishte larg dhe më pak e kontrolluar. Ecin fëmijët, pak si të shkujdesur për të mos rënë në sy, por dëgjohet bilbili i rojës. Kapter “Tava”, kështu quhej ai, i rreshton e u thotë të derdhin trastat me hithra. I luten fëmijët e gjorë që t’i falte por më kot. “Hajdutër, rrjepacakë të ndyrë”, – hakërrehet ai. I merr fëmijët, e i fut në një dhomë që kishte vetëm muret, pa dyer e pa dritare.

Aty kaluan natën fëmijët, duke mërdhirë nga të ftohtit, e vetëm afër mëngjesit, i kapi gjumi. Në mëngjes kishin njoftuar të afërmit t’u sillnin bukën. Kur erdhën nënat, ata i kishin nxjerrë jashtë në lëndinë. Të gjithë ishin të lidhur me tela mbrapa, ndërsa Zef Mirakën, që ishte më i madhi dhe më i “pabinduri”, e kishin lidhur me tela me gjemba. – “Bëjeni bukën copa copa dhe hidheni në tokë”, – u thotë roja. – “Nuk do i zgjidhni”? – flet e ëma e Shefqetit.

– “Bëni si ju them unë”! – bërtet ai. Shtrihen fëmijët barkas, e përpiqen të hanë çikërrimat e bukës, duke i kapërdirë një e nga një nga uria. Nënat qëndronin të përlotura në këmbë, ndërsa kapter “Tava”, duke u gajasur së qeshuri, ua largonte ato me shkop. Fëmijët, vetëm me ndihmën e këmbëve, përpiqeshin t’i arrinin ato për t’i ngrënë.

– “Në atë moment, – kujton Shefqeti, – del një toger nga zyrat dhe i thotë kapterit: -I paske vënë të kullosin ëëë…? Kur pa nënat të përlotura, ndryshoi qëndrim dhe urdhëroi kapterin: -Zgjidhi, lëshoi të ikin. Fëmijët u ftohën atë natë, e për disa ditë qenë të sëmurë, por edhe në këto kushte ishin të detyruar të ngriheshin në mëngjes se do t’i numëronte polici”.

Një kujtim i hidhur, për Shefqetin dhe disa bashkëfshatarë të tij, mbetet edhe ngjarja, që kishte të bënte me përgjegjësen e kazermës, një vajzë nga të internuarat. Në një rast tjetër, 5-6 fëmijë, midis tyre edhe Shefqetin, i kapin në “gabim” dhe i dërgojnë te biruca e kampit. Polici, hap derën dhe i shtyn brenda, por pa hyrë vetë, dhe u mbyll derën. Fëmijët shtangën sapo u futën në birucë.

Në të ndodhej përgjegjësja kazermës, Shega, e varur. Nuk dihen rrethanat, në të cilat ajo vajzë, u vetëvar. Çfarë nuk ndodhte atje. Policët e pashpirt, përpiqeshin të kryenin akte nga më të përçmuarat ndaj të internuarve. Më pas u tha se është tentuar ta përdhunonin, apo…., por gjithsesi duket se arsyeja e vetëvarjes, duhet të ketë qenë nga motive të rënda.

Në vendin ku ndahej buka, ishte i varur një kandar me bisht, ku buka peshohej për çdo familje, sipas numrit të frymëve. Mbasi merrnin bukën, atë e ndante Hatixhja, për secilin në tre copa, për tre vakte. Në mbrëmje Shefqeti i vogël, kërkonte edhe racionin e mëngjesit për ta ngrënë. Ai këmbënguli, t’ja jepnin se gjoja nuk donte mëngjes, e kështu motra ia dha. Në mëngjes, kur do të nisej për në shkollë, Shefqeti lëshoi sytë nga buka e të tjerëve me uri.

Nëna e ndau dhe i dha gjysmën e racionit të vet. Motra i foli Shefqetit; “pse e merr”, se nëna do të shkonte në punë. Shefqeti, duke pasur uri, e bën disa herë këtë, duke i dhënë fjalën motrës, se nuk do të merrte më nga racioni i nënës, por nëna vazhdonte t’ja jepte. Zemra e nënës digjej e shkrihej për fëmijët e saj, duke i parë të uritur.

Një mbrëmje, vjen në kamp një familje nga veriu. Të mbartur në një batanije, fusin brenda në kazermë, gruan e kësaj familjeje dhe disa gra të tjera. U tha, se gruaja lindi një fëmijë. Pas pak, babain e fëmijës që lindi, e thërritën në komandë, duke i kërkuar të japë emrin e fëmijës. – “Ta mendojmë njëherë”, – u përgjigjet burri. Togeri, kërkoi emrin medoemos. Atëherë burri jep një emër që mendoi për momentin; “Dedë”.

Në mëngjes, edhe gruaja lehonë u detyrua të rreshtohet për apel. Pas emrit të së ëmës, u lexua emri i Dedës. I ati, i tha se ishte në gjumë, por kapter “Tava”, këmbënguli se e donte aty. E morën fëmijën, e ia treguan policit. Në kamp, ishte shtuar një “armik” i ri i sapolindur, dhe ky ishte Deda. Një ditë, vjen urdhri për t’u liruar shumica e mirditorëve, të cilët qenë sjellë aty, me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës.

Kjo ditë, u shoqërua me një dhimbje të rëndë për të gjithë njerëzit e kampit. Ndërkohë, që po lexoheshin emrat e personave që do të liroheshin, mes tyre ishte një djalë, 12-13 vjeçar i cili merr leje e del nga rreshti, për të shkuar te banjot. Kur po kthehej me vrap gjithë gëzim, u dëgjua një shpërthim i fuqishëm. Një minë shpërtheu nën këmbët e tij.

Sa e sa njerëz, kishin kaluar aty në këto vite, por mina e fshehur shpërtheu për t’i marrë jetën atij djaloshi të njomë, që po e pritnin njerëzit e familjes në rresht, për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Trupi i tij u bë copë e çikë nga plasja e predhës. Një copë çorape mbeti në fushë. Nuk mbeti asnjë pa u përlotur, duke parë këtë skenë rrëqethëse. Njerëzit e kampit jetonin në një vend të pa ç’minuar!

Më e rëndë për fëmijët e Islam Dobrës, ishte kur ata i ndanë edhe nga nëna e tyre. Këtë ngjarje e kujtojnë me shumë dhimbje. Jepet urdhri për t’u rreshtuar. Shumica menduan se do të ketë lirim, por u zhgënjyen. Matanë telave u dukën disa makina. Ata ishin të mbushura me njerëz, shumica të moshuar dhe fëmijë. Dy të moshuar bien duke u rrëzuar për tokë. Ata i mori infermieri i repartit.

Të tjerët i futën në kamp. Ata brenda filluan të rreshtohen, sipas urdhrit të dhënë. Më në fund, foli togeri. Ai sqaroi, se më të aftët nga kampi, janë zgjedhur për të punuar dhe se kush do të dëgjonte emrin, të hipte në makinë. Fëmijët filluan të qajnë kur nënave u lexohej emri. Këtë shqetësim e provoi edhe Shefqeti. Nëna e tij, po i jepte porosi, se në se do të ishte caktuar për të ikur, ai të dëgjonte motrën, ndërkohë përpiqej t’u jepte kurajo të dyve.

Në fakt, ajo që pritej, ndodhi. U dëgjua emri, Xhemile Dobra. Shefqeti i vogël, 7-8 vjeçar, e kap nënën për dore dhe qante. Ndërkohë, ndjen dorën e fuqishme të policit, që e shkëputi atë nga nëna e tij, dhe që nuk e lejoi as ta përqafonte, duke bërtitur; “shpejt, shpejt, hipni në makinë”. Qëndroi ashtu duke qarë, deri sa nënën nuk e pa më. Së fundmi, kur u nda me nënën, vogëlushi mendonte edhe atë, se tanimë, nuk do të ishte nëna që i jepte nga racioni i vet.

E mori motra e tij, Hatixheja, e cila ishte 5 vjet më e madhe në moshë, duke i thënë, të mos mërzitej, se nëna do të kthehej përsëri. Për këtë, Shefqet Dobra në librin e kujtimeve të tij shkruan: “Makinat u nisën në të perënduar të diellit…! Tani, kampi ynë u bë burg fëmijësh, pleqsh dhe të sëmurësh. Kjo ndarje ishte drama më e dhimbshme. Ne ishim fëmijë që kishim humbur fëmijërinë, jeta jonë bëhej përditë e më e trishtë; të gjithë vuanim nga pafajësia.

Të gjithëve na zuri gjumi duke qarë, në ëndërr na bëhej sikur dëgjonim britmën e policëve, të cilët na dukeshin me pamje të llahtarshme. Qanim në errësirë, deri sa na zinte gjumi, dhe përsëri shikonim të njëjtën ëndërr. Të dy fëmijët të mbetur si jetimë, qëndronin së bashku me familjet e Isak Allës e të Azis Biçakut, të cilat kujdeseshin aq sa mundnin për to, në kushtet e tmerrshme të kampit. Të nesërmen në mëngjes, në vend të dëgjonim zërin e ngrohtë të nënës të na zgjonte, u trembëm nga britma rrëqethëse e kapter Selfos: Shpejt para krevatit.…!

Si zogj të humbur ishin fëmijët, si trungje të thatë, pa degë e rrënjë, ishin të vjetrit, të vetmuar e të braktisur mbetën fëmijët e pleqtë; ky kamp ishte vendi i mundimit e i përçmimit, i lodhjes i urisë, i vdekjes masive, të dytët varroseshin aty ku traktori kishte prishur të mëparshmit, që të mos diheshin se sa shumë vdisnin, Ky ishte ferri, xhelati dhe togeri”.

Pas disa muajsh, Xhemile Dobra, ishte takuar me të birin, Muhametin, te fabrika e tullave në Tiranë. Aty, i kishin grumbulluar të gjithë të internuarit e punës. Nënën e tij e kishin caktuar në punën më të vështirë, aty ku nxirrnin kallëpin e argjilës së presuar të tullave. Me ndërhyrjen e Muhametit, nëpërmjet një të njohuri të babait të tij, që u takuan atje, Xhemilen e hoqën nga puna e rëndë dhe në vend të saj vendosën një burrë. Pas afro tre vitesh, nënë e bir u kthyen përsëri në kamp.

Pavarësisht nga kushtet, të paktën tani ishin të katër së bashku. Në vjeshtë të vitit 1954, u liruan dy fëmijët më të vegjël të Islam Dobrës, Hatixheja me Shefqetin, që ishin përkatësisht 16 dhe 11 vjeç, dy djemtë e Halil Allës nga Zgoshti, Sehiti me Faikun, edhe këto afërsisht të kësaj moshe, dy djem të Sabire Xhikës nga Gostima e Elbasanit, dhe Afeza Velmishi nga Lushnja, me një fëmijë të vogël, që ishin në të njëjtin itinerar rruge.

U japin nga 150 lekë të vjetra me vete, i nxjerrin te porta dhe u thonë: “Ikni në shtëpitë tuaja”. Të gjithë ishin të vegjël, përveç Sehitit, që ishte pak më i madh dhe Afeza. Morën ato pak lecka, që kishin, dhe dolën nga porta ogurzezë e kampit të Tepelenës, me kënaqësinë që shpëtuan. Fëmijët e Islamit, kishin me vete brengën, se aty po linin nënën e vëllanë e tyre, Muhametin. Pritën makinë për në Vlorë, por gjithë ditën nuk gjetën. Atë natë fjetën rrëzë kalasë.

Të nesërmen përsëri nuk gjetën makinë. Në drekë u kthyen në kamp për të kërkuar bukë. Qëndruan edhe një javë tjetër aty. Ditën e fundit nga dreka, Hysni Biçaku, djali i Azis Biçakut, kishte takuar një shofer që vinte në Vlorë. Shoferi i mori dhe i zbret te Sheshi i Flamurit. Dy autobusë, ishin për Rrogozhinë, por ishte shumë vështirë të prisje biletë. Njerëzit hidheshin mbi kokat e njëri-tjetrit e në fund biletat mbaronin, duke mbetur shumë pa marrë.

Këtë episod, që ndodhte në prerjen e biletave, në të gjitha agjencitë e vendit, e kemi përjetuar të gjithë gjatë periudhës së komunizmit, por me këta fëmijë ishte ndryshe. Një javë, grupi i të internuarve, mbeti në Vlorë. Blinin nga njëqind gram bukë misri për të dy, se kjo ishte më e lira, por paratë po mbaroheshin. Një ditë, Sehiti me shumë vështirësi, kishte mundur të presë dy bileta dhe hipi në autobus me të vëllanë. Të tjerët mbetën aty edhe një javë tjetër.

Në darkë, shtronin leckat të flinin në lulishte. Një mbrëmje, ndërkohë që po shtronin të flinin, një vajzë që kalonte për çdo natë aty, i pyet se përse flinin aty. Ia shpjegojnë ata vajzës, se nga vinin e ku shkonin, duke i qarë hallin. Ajo kishte qenë sportelistja, që shiste biletat. – “Hajdeni t’jua pres që sonte”, – u thotë ajo. Ajo kishte kujtuar se janë arixhinj, që flinin rrugëve. Atë natë fjetën me qejf, se biletat i kishin prerë.

Në orën tetë të mëngjesit, nisen gjithë qejf, duke “harruar” ç’ka kishin lënë pas. Afeza, zbret në Lushnjë, me fëmijën e saj, ndërsa të tjerët zbritën në Rrogozhinë. Në stacionin e Rrogozhinës, njerëzit që prisnin trenin, të ulur në shesh, hanin bukë me djathë, gjizë apo presh, ndërsa këta katër fëmijë, kishin ngrënë që në darkë nga pak bukë thatë.

Ishin të uritur. Disa nga të pranishmit, që u bëri përshtypje filluan t’i pyesin se nga vinin e ku shkonin. Kur mësuan se nga vinin, ata u dhanë nga një copë bukë, me çka u ndodhej, ndonjëri u jep edhe ndonjë dhjetëlekëshe. Fëmijët pyetën në sportel për biletën e trenit deri në Elbasan, por paratë nuk u mjaftonin.

Atëherë vendosën të shkojnë më këmbë deri në Peqin. U nisën me rreckat në krahë, e panë trenin e Elbasanit teksa kaloi, ndërsa ata vazhduan rrugën më këmbë. Mbërritën në Peqin, në mbrëmje, të lodhur e të rraskapitur deri në palcë. Në Peqin, hipën me trenin e darkës në orën 8 të mbrëmjes. Atë natë, fjetën mbi stolat në stacionin e trenit në Elbasan. Të nesërmen në mëngjes, i mbledhin rrobat, shpejt e shpejt sepse në stacion po vinin njerëz e u nisën më këmbë për në Librazhd.

Me dy djemtë e Sabire Xhikës, u ndanë që në Elbasan, tani mbetën vetëm dy fëmijët e Islam Dobrës, Hatixheja me Shefqetin. Të lodhur e të uritur herë ecnin e herë pushonin, vazhduan rrugën me merakun se mos i zinte nata jashtë, mbasi nuk dinin sa e gjatë ishte rruga. Shefqeti, rrëfen se donte t’i kërkonte bukë ndonjë kalimtari, që kalonte më këmbë ose mbi kafshë samari, por nuk e lejonte e motra, duke i thënë se jemi në krahinën tonë e, mund të na njohin.

Në Librazhd, arritën ende pa u errur. Për fat, aty takuan xhaxhanë e tyre Beqirin, i cili ishte me kalë. Mbasi kalojnë qytetin ai ndalon dhe u jep për të ngrënë, por ndërkohë i pyet, se kur kishin ngrënë. Ata i tregojnë, se kishin ngrënë shumë pak bukë një ditë më parë në drekë. Xhaxha Beqiri, kishte bukë e ushqim me vete, por nuk i lejon të ngopen. Ndalon disa herë rrugës, u jep nga pak bukë e ushqim, me qëllim që të mos u bëjë dëm, mbasi stomaku i tyre kishte vite që nuk ngopej. Beqiri, i kishte kaluar të gjashtëdhjetat, por mbahej ende i fortë.

Në udhëtimin me të, fëmijët u ndien shumë të kënaqur. Ai herë pas herë u fliste rrugës që të mos mërziteshin. Ndiente dhimbsuri për fëmijët e vëllait, që kishin vuajtur tërë ato vite. Atë natë fjetën në Zgosht, te hallë Hanifja. Të nesërmen mbërritën në shtëpi. Para se të hynin brenda, takuan djalin e Haxhiut, Selimin, 6 vjeçar i cili lozte në oborr. Ai kishte lindur në Vlorë, kur këta ishin në Tepelenë. Memorie.al

                                                              Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Nderimi për Mbretin Zog i I-rë, është jo vetëm detyrim dhe respekt ndaj historisë së shtetit shqiptar, por...”/ Refleksionet e politikanit të njohur, ish-deputetit dhe kreut të Legalitetit, Ekrem Spahiu

Next Post

Si u organizua nga KGB-ja vrasja e Trockit, kundërshtarit të stalinizmit, që jetonte ekzilin në Meksikë dhe si u mbajt sekret edhe mbi pllakën e varrit në Moskë, emri atentatorit, pasi vuajti 20 vite burg?!

Artikuj të ngjashëm

Si u organizua nga KGB-ja vrasja e Trockit, kundërshtarit të stalinizmit, që jetonte ekzilin në Meksikë dhe si u mbajt sekret edhe mbi pllakën e varrit në Moskë, emri atentatorit, pasi vuajti 20 vite burg?!
Dossier

Si u organizua nga KGB-ja vrasja e Trockit, kundërshtarit të stalinizmit, që jetonte ekzilin në Meksikë dhe si u mbajt sekret edhe mbi pllakën e varrit në Moskë, emri atentatorit, pasi vuajti 20 vite burg?!

October 8, 2025
“S’dihet se, Enveri apo Koci Xoxe, apo të dy bashkë, e denoncuan Fadil Hoxhën te OZNA e Jugosllavisë dhe ministri A. Rankoviç, i cili e mori në pyetje Fadilin dhe….”/ Libri më i ri i ish-shefit të kabinetit
Dossier

“S’dihet se, Enveri apo Koci Xoxe, apo të dy bashkë, e denoncuan Fadil Hoxhën te OZNA e Jugosllavisë dhe ministri A. Rankoviç, i cili e mori në pyetje Fadilin dhe….”/ Libri më i ri i ish-shefit të kabinetit

October 7, 2025
“Te kulla e sahatit, vigjilonte një ushtarak i armatosur, disa vajza të reja të bukura, punëtore rrobaqepësie, mbajtur nga gishti i vogël, prapa statujës së Stalinit…”/ Aventura 60 ditore e francezit në Shqipëri, në 1964-ën
Dossier

“Te kulla e sahatit, vigjilonte një ushtarak i armatosur, disa vajza të reja të bukura, punëtore rrobaqepësie, mbajtur nga gishti i vogël, prapa statujës së Stalinit…”/ Aventura 60 ditore e francezit në Shqipëri, në 1964-ën

October 7, 2025
“Në kampin e Tepelenës, gratë e vajzat familjeve, Dobra, Alla dhe Biçaku, u sillnin fëmijëve gorrica të egra, por u diktuan nga polici, që ua mori dhe ua hodhi derrave…”/ Historitë e trishta të komunizmit
Dossier

“Në kampin e Tepelenës, gratë e vajzat familjeve, Dobra, Alla dhe Biçaku, u sillnin fëmijëve gorrica të egra, por u diktuan nga polici, që ua mori dhe ua hodhi derrave…”/ Historitë e trishta të komunizmit

October 7, 2025
“Shtabi i Përgjithshëm Enver Hoxhës, ngarkoi Sami Bahollin e Kadri Hoxhën, të bisedonin me vëllezërit Balliu, për t’i kthyer me Partinë Komuniste, por ata…”/ Historia e panjohur e familjes nacionaliste nga Funarësi
Dossier

“Në Letëm, sollën Medi Canin nga Borova, të lidhur me litar dhe e pushkatuan e, pas tij edhe Ahmet Hoxhën, i cili kishte jetuar me Azis Biçakun…”/ Historia e panjohur e familjeve “reaksionare” të Librazhdit

October 8, 2025
“Sotiraq Kriston nga Korça, e kishin futur në ‘Gaz’ dhe në një banesë në Bilisht, i kërkuan ta bëjnë spiun, por ai i rezistoi Sigurimit dhe më pas lajmëroi…”/ Dëshmia e shqiptaro-maqedonasit    
Dossier

“Gjatë marrjes në pyetje, i paraburgosuri Thoma N., i rrëmbeu pistoletën hetuesit Shyqyri D., e plagosi atë, vrau kolegun e tij Nasi K. dhe u arratis…”/ Ngjarja e panjohur në Degën e Brendshme të Korçës, 25 mars 1977

October 8, 2025
Next Post
Si u organizua nga KGB-ja vrasja e Trockit, kundërshtarit të stalinizmit, që jetonte ekzilin në Meksikë dhe si u mbajt sekret edhe mbi pllakën e varrit në Moskë, emri atentatorit, pasi vuajti 20 vite burg?!

Si u organizua nga KGB-ja vrasja e Trockit, kundërshtarit të stalinizmit, që jetonte ekzilin në Meksikë dhe si u mbajt sekret edhe mbi pllakën e varrit në Moskë, emri atentatorit, pasi vuajti 20 vite burg?!

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme