Nga Lumnie Thaçi-Halili
Pjesa e tretë
Hulumtim letrar për librin “Kujtime të kohës me Kadarenë”, të Sulejman Matos; URA, Prishtinë, 2025 –
Vërtetësia si bosht i rrëfimit letrar
Memorie.al / Letërsia e kujtimeve është një nga hapësirat më delikate ku ndërthuren kujtimi dhe arti. Ajo fiton një dimension të veçantë kur autori zgjedh të shkruajë jo për veten, as për veprën e një kolegu, por për njeriun që fshihet pas figurës publike të shkrimtarit. Në këtë territor, sinqeriteti bëhet një akt letrar po aq i rëndësishëm sa gjuha apo stili: të portretizosh mikun me gjithë dritëhijet e tij është të afirmosh se e vërteta, sado e ndërlikuar, i shërben më mirë kujtesës sesa thurja e lavdit.
Portreti i Kadaresë është ai i një shkrimtari të madh me ndërlikime nuancash njerëzore, ndërsa portreti i Matos është i një shkrimtari që zgjedh të kujtojë me mençuri, dashuri dhe integritet, duke e kthyer kujtimin në një formë vetë dëshmie të pakontestueshme për rrugëtimin e vet letrar dhe njerëzor.
Në këtë prizëm, “Kujtime të kohës me Kadarenë”, mund të lexohet si autoportret i Sulejman Matos, në pasqyrën e mikut të madh: një shkrimtar që, duke e ndriçuar jetën dhe veprën e tjetrit, rishkruan në mënyrë të heshtur edhe historinë e vet, u jep kujtimeve përmasën më të thellë, atë të përbashkimit njerëzor dhe letrar. Përgjatë leximit të këtij libri, mësojmë edhe për raportet që ka pasur Kadareja me kolegët shkrimtarë, që shfaqet si një mozaik marrëdhëniesh të ndërlikuara, ku ndërthuren respekti, konkurrenca, mirënjohja, keqkuptimet dhe, herë pas here edhe ndonjë ironi therëse, tipike për karakterin e tij.
Ai tregon se, që në vitet e hershme, Kadareja ka pasur pranë një rreth autorësh me të cilët ndante idealin e letërsisë, por edhe sfidat e mbijetesës në diktaturë: Dritëro Agollin, Moikom Zeqon, Sadik Bejkon, Fatos Halitin, Çerçiz Loloçin më vonë, etj.
Me këta, marrëdhënia paraqitet e ngrohtë, e bazuar në respekt intelektual dhe në gëzimin e përbashkët për fjalën artistike. Kurse, nga ana tjetër, libri nuk fsheh as tensionet, duke kujtuar se Kadareja ka qenë i ndjeshëm ndaj servilizmit dhe karrierizmit në letërsi, nuk i ka duruar “miqtë imponues” që kërkonin favore apo, e lexonin veprën e tij si trampolinë për interesat personale.
Në raste të veçanta, ai ka përdorur edhe armën e artit, për të stigmatizuar ndonjë koleg në poezi apo romane, madje i ka shndërruar në personazhe të koduar, që bartin tipare të atyre të cilët e kishin zhgënjyer, siç ndodh me disa aluzione ndaj B. Xhaferit, A. Pipës, apo figurave burokratike që kishin pushtet mbi letërsinë atë kohë.
Pra, me një fjalë, në librin “Kujtime të kohës me Kadarenë”, marrëdhënia e tij me shkrimtarët e tjerë, nuk paraqitet në një linjë të vetme: herë është bashkëpunim i frytshëm (si me Dritëroin në përballjen e censurës ndaj “Nëpunësit të pallatit të ëndrrave”), herë është ftohje e qetë (si me N. Jorgaqin, pas polemikave të vonshme), herë një aleancë e heshtur përballë regjimit (me N. Tozajn apo miq të rinj, në “Bllokun” e pushtetit që i shpërndanin të dhëna).
Nga ky rrëfim, del një Kadare që nuk ka kërkuar kurrë të jetë “i gjithë-pëlqyeri” i shkrimtarëve. Ai ka ruajtur një distancë aristokratike, duke mbajtur pranë vetëm ata që sillnin energji krijuese, biseda serioze, ose humor inteligjent.
Për të, letërsia ishte mbi shoqërinë rastësore, ndërsa marrëdhëniet mbaheshin vetëm nëse ushqenin idenë e lirisë së fjalës dhe të përkushtimit ndaj artit. Prandaj, portreti që Mato ngre për Kadarenë në raport me kolegët, është ai i një shkrimtari të kujdesshëm në miqësi, selektiv dhe shpesh kritik, por asnjëherë mizor. Ai mbetet njeri i kontrasteve: mik që gëzohet për suksesin e tjetrit, por edhe autor që e mbron me ngulm veprimtarinë e vet krijuese. Ky raport e bën figurën e tij më reale, duke e larguar nga çdo mit i rremë “gjigant pa hije” dhe duke e vendosur në skenën e vërtetë, ku krijuesit përballen me njëri-tjetrin mes pasionit, ambicies dhe kërkesës për autenticitet.
Në episodet e fundit të kësaj përmbledhje kujtimesh, Kadareja shfaqet i lodhur nga jeta, por jo i larguar shpirtërisht nga Mato. Ai e pranon praninë e tij me qetësi, qesh përsëri me humorin e tij, pranon dorëshkrimin e këtij librit të dhuruar, lënë mbi tavolinë, e dëgjon me vëmendje edhe kur nuk e ka më energjinë e dikurshme. Teksa rrëfimi afrohet drejt mbylljes, mbizotëron një pranueshmëri e heshtur, që shoqëron takimet e fundit, e ngjashme me një pajtim të pashprehur mes dy miqve, të vetëdijshëm se koha e tyre së bashku po shteron.
Ekuilibri mes ndjenjës dhe krijimit
Ngjall kërshëri në libër raporti i Kadaresë së ri përballë femrave, sidomos aty ku përmenden vitet e rinisë, në Berat, në Tiranë e në Moskë, shfaqet një Kadare i ri që lëkundet mes kureshtjes, ndrojtjes dhe dëshirës për ta njohur botën femërore.
Sulejman Mato asnjëherë nuk e bën këtë temë bosht të rrëfimit, por e lëshon si rrjedhë, duke e shpërndarë në disa skena. Kadareja del si një djalë i zgjuar dhe ambicioz, që ruan një elegancë të lindur në marrëdhëniet me femrat. Në Berat e Tiranë, ai shfaqet herë si shoqërues i vëmendshëm, herë si vëzhgues i heshtur, që më shumë dëshiron të kuptojë sesa të pushtojë.
Në Moskë, Mato kujton prirjen e tij për të soditur vajzat ruse, por njëkohësisht edhe tërheqjen ndaj “poeteve të bukura moskovite”, një tërheqje që ai vetë e shoqëronte me skepticizëm, ndaj poezive të tyre sentimentale. Sidoqoftë, libri pasqyron se për Kadarenë e ri, femrat janë një territor i dyfishtë: një frymëzim estetik dhe një provë e karakterit.
Ai nuk shihet si njeri i mbërthyer nga pushtimi i pasioneve ndaj tyre, por si dikush që mban një lloj distance intelektuale, madje edhe atëherë kur humori i tij prek zonën e flirtit, aty ka më shumë lojë dhe vështrim shkrimtari, sesa tundim të papërmbajtur.
Rreth kësaj, Mato nënvizon se ky raport nuk ka qenë asnjëherë i mbështjellë me fshehtësi dramatike, përkundrazi, ishte i natyrshëm, i kthjellët, bile shpesh i shoqëruar nga një lloj ironie e ëmbël. Për Kadarenë, (sipas tij) shoqërimi me gra të bukura dhe inteligjente ka qenë një mënyrë për të shmangur monotoninë e bisedave burrnore, për të gjetur energji krijuese dhe për të ushqyer fantazinë. Poezitë e tij të hershme për dashurinë, të cilat Mato i risjell me citime, tregojnë se pas çdo shikimi apo bisede të shkurtër, ai dinte ta shndërronte ndjesinë në varg të përpunuar.
Sipas kësaj logjike, te këto kujtime, lëkundjet e Kadaresë ndaj femrave, nuk janë as aventura të ethshme, as idealizime të verbra, por momente kërkimi dhe përjetimi, të vendosura midis etikës personale dhe nevojës së artit për të ushqyer emocionin. Portreti që del nga libri, është ai i një shkrimtari të ri, që provon gjëra në jetë pa e thyer masën e brendshme, që di të mbajë ekuilibrin mes kureshtjes njerëzore dhe disiplinës së krijuesit.
Roli i inter-tekstit dhe i referencave kulturore
Përmes këtij roli shihet se si rrëfimi ndërton dialog me veprat e Kadaresë (romane, poezi, ese) dhe me traditën botërore, duke sjellë Shekspirin, Eskilin, Homerin, Kazanzaqisin, Borgesin, Camilo José Celan, madje edhe figura të kulturës moderne, si Steve Jobs.
Ky dialog, i përdorur qëllimshëm nga Sulejman Mato, krijon një hartë të gjerë kulturore ku Kadareja vendoset në qendër, duke e ngritur portretin e tij mbi një kulm inter-tekstesh dhe mitesh letrare. Rrëfyesi nuk e sheh mikun e tij në një hapësirë të zhveshur, por e fut në një marrëdhënie të vazhdueshme me krijimtarinë e vet dhe me kulturën që e ka ushqyer.
Ai ndalet në shumë libra të Kadaresë, si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, “Kukulla”, apo “Pallati i ëndrrave”, si dhe në poezi, si “Dreri”, “Mall” e “Vjeshtë e vonë”. Këto vepra nuk përmenden vetëm për informacion, por për të ndriçuar episode të jetës së shkrimtarit, duke treguar se si përjetimet personale u shndërruan në material letrar.
Madje shkon përtej, duke treguar se universi letrar i Kadaresë, nuk kufizohej nga gjeografia shqiptare. Përmes këtyre referencave, Mato i jep lexuesit një perspektivë mbi Kadarenë si shkrimtar, që e ndërtoi identitetin e vet në urën mes traditës klasike, modernitetit dhe përvojës shqiptare.
Kjo thurje rrëfyese me shembujt e marrë në libër, krijon një peizazh kulturor, ku Kadareja shfaqet si autor i lidhur njëkohësisht me rrënjët e tij (Gjirokastra, kujtesa popullore, legjendat shqiptare) dhe me galaktikat e letërsisë botërore. Përmendja e Hamletit, Odisesë, Penelopës, Homerit, madje dhe e metaforave nga Jobsi, i jep librit një frymëmarrje universale dhe e vendos miqësinë Mato-Kadare, në sfondin e madh të dialogut mes kulturave dhe kohërave.
Andaj, në këtë kuptim, inter-teksti nuk është ornament, por një mjet kritik dhe poetik, i cili e bën Kadarenë të lexueshëm si figurë që u formua nga leximet dhe mitet, ndërsa rrëfimi i Matos bëhet vetë pjesë e një tradite më të madhe të “letrave për shkrimtarin”, ku biografia, kujtimi dhe letërsia, bashkohen në një: “Kujtimet e kohës me Kadarenë”!
Qytetet si peizazhe të kujtimeve
Libri në fjalë, u jep një rol të veçantë qyteteve dhe hapësirave, duke i kthyer ato në peizazhe të kujtesës dhe emocioneve, jo thjesht në koordinata gjeografike. E para Gjirokastra, që është trualli themelor, aty lidhet fëmijëria e Kadaresë dhe rrënjët e autorit, “gurrës amë”, prej së cilës Kadareja nxjerr gjithnjë materie krijues.
Përmenden sokakët e ngushtë, “Sokaku i të Marrëve”, “Porta e Madhe e Shtëpisë së Vasilit”, gjimnazi “Asim Zeneli”, oborret ku fëmijët ndanin bukë me marmelatë. Ky qytet shfaqet si një mit i gjallë, si laborator i imagjinatës ku realiteti dhe legjenda bashkëjetojnë, duke u bërë burim i pandërprerë për romanet “Kronikë në gur”, “Kukulla”, “Darka e gabuar”.
Më pas vjen Tirana, si hapësirë e marrëdhënieve letrare e shoqërore, Lidhja e Shkrimtarëve, zyrat, baret “Juvenilja” apo “Sky Toëer”. Këtu Mato vendos skena intime (takime, biseda, dhurime librash) dhe momente zyrtare (plenume, mbledhje kritike…).
Kryeqyteti bëhet simbol i jetës publike, i tensioneve mes krijimtarisë dhe aparatit politik, por edhe vend i miqësive dhe humorit. Ndryshe nga hapësirat e mëparshme, Parisi pasqyron lirinë dhe kthjelltësinë e shikimit, aty Kadareja rifiton fuqinë krijuese, shfaqet si autor me reputacion ndërkombëtar, por pa e humbur mallin për rrënjët.
Në këtë kontekst përmendet poezia “E diela e Pashkëve në Paris”, ku përmes vargjeve përqafon identitetin perëndimor pa e braktisur thelbin shqiptar. Berati bart një ngjyrim sentimental, i lidhur me periudhën e rinisë, bisedat e natës dhe hapat e parë drejt letërsisë, kujtime që Mato dhe Kadare i ruajnë si thesare të një kohe të largët e të bukur.
Ndërsa Saranda shfaqet me tone më të buta, si vend pushimesh dhe njëkohësisht sfond i kontrasteve mes privilegjit dhe thjeshtësisë, ku përshkruhet episodi me veturën e Kadaresë dhe reflektimi mbi ndarjet sociale në fund të viteve ’90: “Ishte rast i rrallë për atë kohë që një shkrimtari t’i vihej në dispozicion shofer dhe veturë. Këtë privilegj e kishte përfituar jo si shkrimtar, por si nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë” (po aty, fq. 221-222).
Këto vende nuk janë thjesht skena ngjarjesh, por pika nodale ku ndërthuren ndjenja, kujtime dhe histori, duke e kthyer rrëfimin në një strukturë emocionale.
Mund të huhet se, secili nga qytetet e përmendura, pasqyron edhe gjendjet e personazheve: Gjirokastra ruan dritën dhe misterin e fëmijërisë, Tirana pasqyron tensionin mes krijimtarisë dhe kontrollit politik, Parisi jep frymëmarrje dhe perspektivë, Berati e Saranda sjellin qetësi, humor, por edhe reflektime mbi kohën dhe statusin.
Në këtë mënyrë, mjediset në këto kujtime marrin vlerë simbolike dhe poetike, duke krijuar një “topografi shpirtërore”, ku bashkohen jeta e Kadaresë, kujtimet e Matos dhe historia kulturore e Shqipërisë.
Metafora që sublimon kujtesën
Në tërë librin, metaforat shfaqen si ura që e lëvizin rrëfimin nga kronika biografike, në një diskurs lirik të kujtesës. Sulejman Mato nuk ndalet te renditja e ngjarjeve, por u jep atyre ndërtim simbolik, duke e bërë librin të lexohet si letërsi më vete.
Ndër figurat më të fuqishme është “Dreri”, kafsha me “brirë gjer në yje, e ndjekur nga qentë”, nuk është vetëm aludim për një poezi të Kadaresë, por bëhet metaforë e shkrimtarit që kërkon lirinë krijuese, nën trysninë e frikës dhe të pushtetit. Ikja e drerit nënkupton ikjen e krijuesit nga “qentë e kontrollit”, ndërsa brirët që “lërojnë lartësitë” sugjerojnë përpjekjen për të hapur horizonte të reja në letërsi.
“Kukulla” simbolizon nënën e Kadaresë, por edhe të gjitha figurat e heshtura që ruajnë mbamendjen dhe mbajnë familjen të palëkundur përballë një bote të ashpër. Për Maton, kjo metaforë është një thirrje për ta parë Kadarenë, jo vetëm si autor, por edhe si bir i një bote të brishtë, të mbështetur mbi heshtje e sakrifica të padukshme. Një tjetër metaforë e fuqishme është “Laboratori i kujtesës”: “Kujtimet i nxjerrim nga depozita e së shkuarës, ndërkohë që fantazia ushqehet prej saj.
Mund të ndodhë që kjo depozitë të jetë e ndarë nga ‘laboratori krijues’, ai laborator i brendshëm i imagjinatës dhe trillit” (fq. 249). Ky laborator shfaqet si hapësira e fshehtë ku Mato dhe Kadare ruajnë përvojat, për t’i transformuar më pas në letërsi. Nuk është thjesht memorie, por një fushë krijimi ku përzihen kujtimet, mitet, leximet dhe dhimbjet, një proces që rrëfimi e paraqet si eksperiment intim, një alkimi mes realitetit dhe trillimit sipas referencës së sipërme.
Po kaq domethënëse është dhe “Odiseja e krijimit”, e përmendur në kapitullin “Takimi i fundit” (fq. 244–250). Kadare shihet si udhëtar që kalon ngushticat e “Skyllës dhe Haribdës” së diktaturës, tundimeve, lavdisë dhe vetmisë, për të arritur në “Itakën” e letërsisë. Ky udhëtim është jo vetëm i mikut e krijuesit të madh, por edhe i shkrimtarit që e rrëfen, duke i bërë të dukshme përkimet mes jetës dhe artit.
Përveç këtyre, libri është i mbushur edhe me metafora trojesh: qytetet shfaqen si peizazhe emocionale (Gjirokastra “pusi i kujtesës”, Parisi “rrëfyes i së kaluarës”, Berati “skena e rinisë”), duke e bërë kujtimin një atlas të brendshëm poetik. Në përgjithësi, metaforat e bëjnë rrëfimin të kapërcejë kufijtë e një dëshmie lineare.
Ato sintetizojnë emocionin, reflektimin dhe historinë, duke u dhënë kujtimeve përmasën e një krijimi letrar më vete, siç u cek më sipër. Përmes tyre, Kadareja nuk mbetet subjekt me nuanca të lehta e të qarta biografie, por shndërrohet në figurë simbolike të gjeniut që jeton mes kujtesës dhe legjendës, ndërsa Mato, si rrëfimtar, dëshmon se kujtimi kur është vërtetë i sinqertë, mund të kthehet në art të kujtesës.
Elegjia e kujtimeve dhe përjetësia e fjalës
Rruga përmes kujtimeve na çon natyrshëm te “Takimi i fundit” (fq. 244), me përmbylljen e qetë të librit “Kujtime të kohës me Kadarenë”. Ky takim i fundit nuk është vetëm një kujtim miqësor, por një testament mbi natyrën e krijimit, që dëshmon se arti lind nga kujtesa dhe e tejkalon atë, për ta ndriçuar botën me fjalën e së vërtetës: “U takuam në bar restorantin ‘Juvenilja’.
Përshtypja e parë që më la, m’u duk i lodhur dhe paksa indiferent. Por sytë iu ndriçuan kur më pa. Pas shtrëngimit të duarve, nxora nga xhepi i xhaketës librin tim ‘Fshehtësitë’ dhe ia dhurova. E hapi menjëherë, nisi të shfletonte faqet e para me vëmendje dhe më falënderoi përzemërsisht” (fq. 244), (duke e qartësuar për lexuesit e këtij qëmtimi se është fjala për këtë libër kujtimesh).
Në një qetësi vjeshtore, sipas Matos, Kadare shfaqet i lodhur, por sytë i ndizen sapo merr librin në dorë, pas heshtjes fshihet një gjallëri e brendshme që e bën portretin më të thellë. Harresa që “loz me të”, shndërrohet në metaforë të përplasjes mes kohës dhe artit, ndërsa dialogu me nxënësit, që kishin ardhur për ta takuar aty), zbulon krijimin si lojë të fshehtë të imagjinatës, më shumë se thjesht njohje e jetës. Kujtimet ruhen në një depo të heshtur, të ngrohura nga fantazia që i kthen në materie letrare, prej së cilës lindin personazhe më të gjallë se vetë realiteti.
Krahasimi me Odisenë shënjon udhëtimin krijues si aventurë të rrezikshme, por fisnike, ku arti bëhet mision për të ndriçuar vendin dhe kohën. Kadare mbetet mjeshtër i kujtesës dhe trillimit, duke e shndërruar jetën në hapësirë ku letërsia fiton përjetësi. Kapitulli i fundit i librit merr ngjyrën e një elegjie të qetë, ku kujtimi personal i Sulejman Matos për Mikun apo Vëllain siç e quan në fillim: “Unë, Ismailin, e kam ndjerë gjithmonë si një vëlla të madh” (fq. 6), kthehet në reflektim mbi fundin e jetës dhe përjetësinë e artit.
Një vizitë e papërfunduar, një libër i lënë në sportel e një derë e mbyllur, bëhen metaforë e kufirit mes jetës dhe ikjes. Kadareja shfaqet i brishtë, por i mbështjellë nga kujtesa dhe vepra, ndërsa “1 korriku i zi”, shënon pajtimin e heshtur me vdekjen dhe e ngre figurën e tij nga kufijtë private, në hapësirën e kujtesës kombëtare.
Aluzionet ndaj Hesses, Hamletit e Homerit, e vendosin në një panteon universal, ndërsa lamtumira “u bëre vetë Homer, Eskil dhe Shekspir” (fq. 254), përmbyll mitin e tij letrar, shkrimtarin që i dha emër dhe lavdi Shqipërisë.
Pasthënia shtrihet si reflektim mbi fatin e letërsisë dhe etjen e lexuesit, duke gërshetuar kujdesshëm detajin me finesën e një skice artistike. Libri mbyllet me një pohim të qartë, si perlë mendimi për lexuesin: arti i madh i mbetet përjetësisë, edhe kur jeta shuhet.
Sulejman Mato ditët me Kadarenë, i ka shndërruar në lëndë tregimi për librin “Kujtime të kohës me Kadarenë”, ku mikpritja për njëri-tjetrin, bisedat, debatet, heshtjet, distancat dhe buzëqeshjet, bëhen pjesë e një panorame njerëzore.
Përmes këtij rrëfimi ai u jep lexuesve vrojtues një portë për të hyrë në dhomën, ku princi absolut i letërsisë ndahet nga miti, dhe mbetet vetëm njeri, ndërsa vetë Mato mbetet aty i padukshëm, por i pranishëm, si një zë urtësie, që i jep qartësi kujtesës në emër të së vërtetës./ Memorie.al