Nga Tarik Llagami
Memorie.al / Po bënte pazarin. Mbante qeset me vezë e priste në heshtje radhën. Do të blinte mish. Papritmas i vinë ushtarët e partisë nga mbrapa dhe e arrestojnë. Tronditet dhe çuditet. Përpiqet të mendojë se ç’ka bërë por e ka mendjen si një fushë e zbrazët. Ndërkohë që e kapin dhe i prangosin duart, i bien qeset në tokën e gurtë. Njerëzit përreth i drejtonin gishtin dhe e quanin reaksionar. Thërrisnin me sa të kishin. Disa të tjerëve u vinte keq dhe kthenin kokën nga ana tjetër. Ndoshta për të mos parë të ardhmen e tyre të mundshme. Edhe ata ishin reaksionarë. I kalojnë të gjitha si vetëtimë para syve. Ky qiri shpelle tashmë ka humbur në tunel për vete. I lënë njerëzit dhe e tërheqin zvarrë deri tek shtëpia e tij. I bien derës me grushte dhe me shkelma.
Njerëzit e shtëpisë rendin drejt derës disi të trembur, sepse edhe pa e hapur e dinin ç’të prisnin. E kishin përjetuar fatin e kësaj trokitjeje. Një burrë i mbajtur nga disa ushtarë. Turma shikon me përbuzje dhe me kënaqësi për vuajtjen, por kishte dhe një grup ushtarësh që kalonin rastësisht. Ata e njohin. E kanë si vëlla e për të ngashërehen më shumë se familja e tij; “Nuk e meriton ky burrë dhe kjo familje këtë fat. Këtë fat të zi”.
Ai lindi në Tiranë në vitin 1913. Babai i tij, Myslym Llagami, ishte një rilindës, gjithashtu dhe avokati i parë në Tiranë me licencë. Rrjedhimisht edhe djali i tij do të ishte një opozitar në kërkim të zhvillimit të vendit të vet. Babai i tij kërkonte pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe për këtë është burgosur. Është burgosur tre herë, nga Xhon Turqit, Jugosllavët dhe sigurisht, shqiptarët. Ai vdiq kur djali i tij më i vogël, Fiqiri Llagami, ishte vetëm 3 vjeç. Por si ia doli Fiqiri Llagami? Si e jetoi jetën ai? A ishte thjesht një jetim, apo ka më shumë tek kjo histori?
Fiqiri Llagami kishte rezultate të shkëlqyera në shkollë të mesme. Përveç rezultateve të shkëlqyera, ai ishte zgjedhur kryetari i shoqërisë “Fryma e re”. Ai gjithashtu shkruante artikuj në gazeta të shumta, si: “Gazeta e re”, “Drita”, “Besa”, “Shqiptarja”, “Shekulli i ri”, “Shqipnia”, “Njeriu”, “Tomori”, “Java”, “Kuvendi Kombëtar”, revista “Vatra”, “Ora” etj. Por nuk mbaron këtu, sepse në moshën 20 vjeçare, ai publikon librin “Studime kritike mbi njerëzit e mëdhenj”. Në vitin 1931, ai shkruan artikullin “Amikus” në gazetën “Shqipëria e Re”.
Ky ishte një artikull me përmbajtje opozitare ndaj qeverisë së Ahmet Zogut. Si pasojë ai arrestohet nga dy policë dhe mbahet i burgosur për tre javë, vetëm sepse ai denjonte të shprehte mendimin e tij. Mund të themi që këtu kishte filluar “njollosja” e biografisë së tij. Mbi Fiqiri Llagamin ekziston një procesverbal më 06.10.1957 i mbajtur nga Ministria e Punëve të Brendshme, dega e I-rë, nr.8 “Materialet që disponohen për Fiqiri Llagamin”. Aty komunistët dokumentojnë jetën e tij para dhe pas ardhjes së regjimit.
Në vitet 1930, kur ai ishte nxënës ekselent në Gjimnazin e Tiranës, Shqipëria nuk kishte ende një universitet dhe nxënësit duhet të merrnin bursa për të studiuar jashtë shtetit. Ishte me detyrim që ata të ktheheshin në atdhe, për të kontribuuar. Nëse nuk ktheheshin ose, nëse ngelnin në klasë, do t’i duhej të paguanin vlerën e bursës. Nuk kishte asnjë mundësi tjetër për Fiqiri Llagamin, përveçse të studionte jashtë. Pasi u sorollat në zyrat e ministrive, sepse ngurronin t’i jepnin bursë, pasi parimet e tij ishin opozitare, më në fund ai mori një gjysmë burse, për të studiuar në Paris.
Edhe pse kishte shumë pengesa, ai ia doli të merrte bursën prej 120 frangash në muaj. Ai ishte shqiptari i parë që do të studionte për gazetari në Universitetin e Sorbonës në Paris. Sigurisht që në Francë duhet të bënte propagandë për Shqipërinë dhe të raportonte vazhdimisht tek Musa Juka, Ministri i Punëve të Brendshme. Nga dashuria për të studiuar, bëri një kompromis. Ra dakord me kushtet dhe u prezantua si adhurues i Mbretit, kur foli në “Takimet Ndërkombëtare të Mbajtjes së Paqes” për qëndrueshmërinë e popullit shqiptar. Në këtë takim të botuar në disa gazeta franceze, ku ishte i pranishëm dhe z. Leon Rey, Fiqiri Llagami i ka dhënë emër Shqipërisë në Europë, për potencialin e madh intelektual që posedonte.
Kur po kthehej në Shqipëri nga Franca, u arrestua nga karibiniera italiane në vitin 1942, ku u mbajt i izoluar për tre muaj rresht. Pasi lirohet, ai kthehet në mëmëdhe. Duke qenë se ai kishte probleme ekonomike dhe nuk pranonte të punonte për pushtuesit, kërkoi të punojë si nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Sipas tij ky nuk ishte një post politik. Ai i kishte shkruar një letër Mustafa Krujës dhe Kolë Bib Mirakajt, ku shpjegonte arsyet e tij që të merrte atë post.
Edhe pse e meritonte për shkak të edukimit të tij, atë post e mori dikush që mbështetej më shumë. Tashmë, pa punë, diçka duhet të bënte, punë duhet të gjente, në një mënyrë duhet të jetonte. Edhe pse një punë tepër nën nivelin e tij të përgatitjes, ai filloi të jepte mësime frëngjishteje në Institutin Femëror të Tiranës. Një institut të cilin e themeloi vetë.
Ndoshta ka dhe dritë në fund të tunelit, sepse qeveria e Rexhep Mitrovicës, deklaron se shtypi është i lirë. Lind shpresë. Si një gazetar në zemër, e vetmja gjë që i takonte të bënte ishte të hapte një gazetë. Kështu që ai hapi gazetën “Shqipnia”. Ai fliste për bashkimin e trojeve shqiptare, zhvillimin e rinisë, zhdukjen e vëllavrasjes dhe demaskimin e atyre që kishin bashkëpunuar me pushtuesit kundër vendit të tyre. Disa prej tyre ishin: Mustafa Kruja, Hilmi Leka, Kolë Biba, Maliq Bushati, Qazim Mulleti etj. Por me sa duket, edhe liria e kishte një kufi.
Më vonë atij iu komunikua një urdhër-arrest nga Prefektura Tiranë. Ishte e pritur, liria nuk mund të vinte aq shpejt dhe pa mundim, liria gjithmonë ka qenë e vështirë për t’u arrirë. Fiqiri Llagami e dinte këtë dhe vazhdoi luftën për liri të fjalës. Bëri diçka të mirë-menduar, për të arritur qëllimin e tij. Mori në intervistë Abaz Kupin, kreun e Lëvizjes së Legalitetit, për të folur për çështjen e Kosovës. Intervista u publikua dhe u pëlqye shumë nga qeveria e Mitrovicës, sepse binte në dakortësi me bindjet e tyre.
Qëllimi u arrit. Si pasojë ai lejohet të vazhdojë të shkruajë. (Të gjitha këto Fiqiri Llagami i ka thënë përpara një komisioni hetimi, të formuar nga: Sino Zhupa, Delo Balili dhe Jahja Hatibi dhe janë shkarkuar në një proces-verbal të mbajtur më 11.05.1961). Edhe pse fillimisht më parë iu premtua liria e fjalës dhe e mendimit, fjalët i mori era. Gazeta u mbyll sepse ishte në kundërshtim të thellë me agjendën e pushtuesve fashistë.
Fiqiri Llagami u akuzua si komunist në kohën e fashizmit dhe në kohën e komunizmit, u akuzua si tradhëtar dhe kriminel lufte. Ai nuk ishte asnjë nga këto. Ai ishte një njeri largpamës për vendin e vet, një njeri i cili kërkonte më të mirën për atdheun. Nuk pranonte që vendi i tij të copëtohej midis kufijsh dhe nuk pranonte që vendi i tij të pushtohej. Në shtëpinë e tij varej flamuri i Shqipërisë etnike, sepse për atë aspironte ai.
Pse, kaq e gabuar na paska qenë të duash vendin tënd dhe ta mbrosh me fjalën e lirë? Këto histori të pushtimit komunist, që erdhi në 1944, mund të na duken të paimagjinueshme, të paperceptueshme, madje dhe të papërtypshme kur i lexojmë sot. Atëherë ishte pjesë e përditshmërisë. Ishte normale që dhe muret të kishin veshë. Ishte normale që të burgoseshe për çka ne sot s’e quajmë asgjë.
Regjimi komunist ende nuk ishte instaluar plotësisht, kishte në krye diktatorin e ardhshëm Enver Hoxha, që e dinte mirë synimin. Synimi ishte nënshtrimi i popullit duke zhdukur opozitarizmin. Të parët që u zhdukën ishin ata që konsideroheshin më të rrezikshmit, më të rrezikshmit për moslejimin e ardhjes së diktaturës. Prandaj, sapo erdhi në pushtet, regjimi filloi të zhdukte opozitarët, një e nga një. Fiqiri Llagamit ishte ndër të parët për tu cilësuar si “armik populli”, në 13 prill 1945. Kjo ishte data kur u mbajt gjyqi i posaçëm, në të cilin ai u dënua padrejtësisht më 20 vite burg, konfiskim pasurie dhe heqje lirie.
Pas gjyqit ai u burgos dhe ushtarët vajtën në shtëpinë e tij, duke kthyer përmbys çdo gjë. Përpara syve të familjes, u bë katrahurë në pak çaste. Nuk lanë asgjë pa marrë, as pajën e gruas së tij. Në këtë gjyq famëkeq, (Gjyqi Special), mbi 60 veta u vunë përpara të ashtuquajturës drejtësi, gjithashtu në emër të drejtësisë, vetëm dy veta u shpallën të pafajshëm. Të tjerët u dënuan me burg ose pushkatim. Të gjitha këto; “në emër të popullit”.
Ai ishte akuzuar si vegël e propagandës armike dhe si gazetar propagandues, sigurisht që nuk pranoi asnjërën prej këtyre sepse nuk ishin të vërteta. E vërteta qëndronte kështu, ai nuk ishte përfshirë në aktivitete politike që nga viti 1935, kur mbaroi studimet e tij në Paris, përveç botimit të gazetës së shkurtër “Shqipnia”. Ai nuk kishte botuar asnjë gazetë opozitare për rreth 10 vite. E vërteta po manipulohej, ajo po trillohej, me të po luhej. Edhe pse në të vetmin aktivitet të tij thuajse politik, ku ai kishte kritikuar pushtuesin, ai përsëri u dënua.
E vërteta është se regjimi nuk kërkonte të zbulonte të vërtetën, por kishte synim të zhdukte përparimtarët. Ata kishin potencialin të sillnin ndryshimin, ata domosdoshmërisht duhet të zhdukeshin të parët. Nëse nuk e burgosnin, e dinin që një ditë do të fillonte të fliste. Kështu që për të qenë të sigurt, e arrestuan dhe atë. Fundja, pse të mos bësh ç’të duash, kur s’të pengon kush?
Një pjesë e konsiderueshme e jetës së Fiqiri Llagamit, ishte burgu. Në prill të vitit 1945, ai u dënua me 20 vjet burg, por fatmirësisht u reduktua në 10 vjet, me rastin e 28 nëntorit, në përvjetorin e festës së flamurit. Sa ironik ishte regjimi, lironte një atdhetar të burgosur në ditën e pavarësisë. Por të paktën u lirua. U lirua dhe u internua në Lushnje. Fillimisht do të qëndronte një vit, por partia-shtet u tregua “bujare” dhe i dhuroi dhe ca vite të tjera, duke e lënë aty për 7 vjet.
Pra ai bëri 10 vjet në burgun e Tiranës dhe 7 vjet internim në Lushnje. Me të vërtetë që paska qenë i “preferuari” i regjimit. Por tani burgu dhe internimi mbaron dhe fillon një fazë tjetër e jetës, por jo e panjohur për të. Papunësia. Ai nuk kishte të drejtë të punonte, kështu që u zhyt në varfëri. Fiqiri Llagami dinte 6 gjuhë tē huaja. Ai fliste rrjedhshëm latinisht, frëngjisht dhe italisht dhe kishte njohuri në gjermanisht dhe anglisht. Ai ishte i palodhur dhe ishte shembulli i shprehjes: “Sa të rrosh do të mësosh”. Ishte një burrë i fortë që nuk linte asgjë ta mposhtte.
Por prapë nuk e lanë të punonte. Kështu që jepte mësime private dhe detyrohej të ecte çdo ditë nga Kinostudio në Kombinat. Megjithatë, kapitulli i burgut, ende nuk kishte mbaruar. Në vitin 1975, ai arrestohet përsëri, por këtë herë partia tregohet edhe më “bujare”. Akuzohet për; “agjitacion dhe propaganda, kundër pushtetit popullor”. U dënua me 8 vite burg, por nuk mundi t’i plotësonte. Partia e tregoi prapë “bamirësinë” e saj, duke e ndihmuar të “shpëtojë” nga ky ferr, me anë të helmimit.
Ndërroi jetë në vitin 1978 dhe thanë që kishte probleme me pankreasin, por familja e tij beson thellësisht se është helmuar. Përtej gjithë kësaj mjegulle, kishte prapë mjegull…! Familja e tij u njoftua shumë vonë dhe nuk u informua për varrin. Tre fëmijë me nënën e tyre, pa një varr të vajtonin të atin!
Vdekja në burg është vdekja më e trishtë. Është e paimagjinueshme të kalosh ditët e fundit në një qeli dhe më pas në një spital. A nuk e meritojnë këtë kriminelët? A ishte ai kriminel? Sigurisht që jo. Fiqiri Llagami bëri rreth 20 vjet burg. Unë mendoj që historia e tij duhet dëgjuar. Nuk e mendoj këtë vetëm se është i afërmi im, por sepse dha shumë për atdheun dhe nuk mori asgjë. Nuk mori asgjë përveç një jetë nëpër burgje. Në fakt, shumë veta u burgosën, s’ishte e veçantë.
Por Fiqiri Llagami ishte ndryshe, ai u shënjestra dhe u burgos para se regjimi të instalohej plotësisht. Kjo tregon se sa i rrezikshëm ishte ai për të, sepse ata nuk pritën. Ai nuk meritonte të trajtohej ashtu. Nuk meritonte të burgosej dhe të lihej pa punë. Ai nuk meritonte t’i mbyllej goja me kyç dhe t’i digjej gazeta. Fiqiri Llagami nuk meritonte të vdiste i burgosur dhe të mos i dihej varri./ Memorie.al