Nga Ali Buzra
Pjesa e njëmbëdhjetë
-JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Bedri Kaza
Më pas me ta bashkohet edhe Rakip Qoshi nga Zgoshti dhe Xhevdet Blloshmi nga Bërzeshta. Grupi i tyre i armatosur përbëhej nga shtatë persona të armatosur mjaft mirë. Fillimisht, janë strehuar në fshehtësi e konspiracion të sigurt në familje të veçanta në Letëm, Zgosht, Dorëz, Arrëz të Gizaveshit etj.
Kjo gjë nuk vazhdoi gjatë, mbasi ndjekja nga forcat ushtarake të shtetit komunist, u bë më e fortë. Më pas streha e tyre kanë qenë shpellat e maleve, në kushte shumë të vështira. Anëtarët e familjes së tij kanë jetuar gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, nën një terror të ashpër.
Vuajtjet dhe përndjekjet e familjes, vazhduan gjatë dhe pas instalimit të regjimit komunist, në burgje e kampe makabre. Janë të shumta ngjarjet që lidhen me vuajtjet dhe persekutimin e kësaj familjeje. Ja si rrëfejnë dëshimatrë okularë të këtyre ngjarjeve: “Një ditë, në një lëndinë afër qendrës së Letmit, vallëzonin duke festuar fitoren partizanët dhe disa banorë të fshatit.
Këta të fundit, tërhiqeshin në valle me ose pa dëshirën e tyre. Azisi, në këtë ditë ndodhej në një shpellë mbi shtëpinë e Jonuz Biçakut, bashkë me djalin e tij, Isufin. Aty kishte ardhur në fshehtësi edhe nusja e Isufit me djalin e vogël tre vjeçar Ilirin (Lirimin). Vjehërri, i thotë nuses së djalit: Merre djalin e shko, se nuk ka punë njeri me ty”.
Kështu e mendoi ai, mbasi edhe pushtuesit më mizore që kish njohur, në përgjithësi nuk qenë marrë me gra e fëmijë. Dhe kështu u bë, sepse ajo nuk mund të qëndronte gjatë aty. Mbasi u nda me ta, ajo niset me djalin e vogël për te shtëpia e Ahmet Hoxhës, ku qenë të strehuar.
Ndërkohë, në rrugë atë e shikon një fshatar, i cili për t’u bërë i mirë me partizanët, i thotë komandantit të tyre, se ajo që po kalon është e shoqja e të arratisurit Isuf Biçaku. Komandanti partizan, i gatshëm për të vepruar, jep urdhër që ta ndalojnë. Kështu e detyrojnë atë, duke e vendosur në mes të livadhit, ndërsa rreth saj e djalit tre vjeçar kërcenin ata duke kënduar; “kapëm gruan e armikut”.
Ajo ishte një grua zonjë, vetëm 22 vjeçe, e bija e Selman Qoshit nga fshati Zgosht. Qëndroi aty në mes të sheshit, kryelartë e pa ju dridhur qerpiku, deri sa e lejuan të largohej. Po ata ç’qenë? Çlirimtarët e një vendi, që torturonin një grua pa faj, me fëmijën e saj të mitur! Ilirin e takova në Tiranë, në gusht të vitit 2016. Kur dëgjoja këtë skenë rrëqethëse që ai e kish përjetuar së bashku me nënën e tij në vitin 1945, u ndjeva i befasuar.
Vallë, përse ishte fajtore kjo nënë me djalin, që të tallen e gajasen duke qeshur partizanët për rreth saj?! Në këndvështrimin tim, një fakt është i padiskutueshëm; Këta ishin çliruesit dhe tashmë pushtuesit e Shqipërisë, ku përgjegjësit nuk mund të jenë partizanët e thjeshtë, por drejtuesit e PKSH-së, që projektuan dhe vendosën me forcë sistemin diktatorial në Shqipëri.
Duke qenë se, në dy botimet e mia, kam lartësuar figurën e Azis Biçakut, gjë që e meriton, lind pyetja! Përse nuk u dorëzua Azis Biçaku? Përgjigja është shumë e thjeshtë. Ai, megjithëse pa shkollë, ishte diplomat i zoti. Nuk u zinte besë komunistëve, edhe për faktin se ishin të lidhur drejt për së drejti me sllavët, armiq jo vetëm të familjes së tij, por edhe të Shqipërisë ndër shekuj.
Nuk janë të paktë bashkëkohësit, që kanë dëshmuar, se ai shpesh fliste te xhamia e fshatit, në konakë burrash, e në mexhlise, duke u shprehur se; “nuk e dua gjermanin, por më i keq është Moskovi, që do me na sjellë serbin në sofër. Po të vazhdojë gjatë kjo punë, edhe atij do ia kthejmë armët”.
Pra ai, si dhe shumë nacionalistë të tjerë, mendonin se qëndrimi i gjermanëve në Shqipëri ishte i përkohshëm. Ishte kjo arsyeja, që ai nuk luftoi kundër tyre. E veçanta për të gjithë krerët nacionalistë të zonës për të cilët shkruaj, është se ata nuk kanë bërë krime. Kjo gjë mund të thuhet edhe për Azis Biçakun, që është lakuar më shumë.
Këtë e dëshmon edhe fakti, se ai që në fillimet e aktivitetit të tij me organizatën e ‘Ballit Kombëtar’, është shprehur për të mos krijuar gjakderdhje. E vumë në dukje edhe më lart, se forcat e ‘Ballit’, të Azis Biçakut e të Isak Allës, kanë lëvizur në zona të ndryshme, duke shkuar deri në Bërzeshtë e Mokër por, nuk janë nisur me qëllim për luftime kundër forcave partizane.
Për këtë kam kontaktuar në vitin 2013 me Fez Bardhin nga Letmi, i cili ka qenë pjesëtar në çetën e Azisit. “Gjatë rrugës për në Bërzeshtë, – tregoi ai, – ramë në përpjekje me partizanët, por vetëm se u shkëmbyen disa të shtëna. Më pas ata u tërhoqën dhe ne vazhduam rrugën.
Aty u vra Hamit Dushku i ‘Ballit’, por jo nga partizanët. Ishte natë, e Hamiti vritet gabimisht. Të nesërmen Azisi jep urdhër të varrosej me hoxhë. U gjet hoxha e u varros atje. Të diktuar edhe nga ndonjë vendas, – vazhdon i lartpërmenduri, – u vihet zjarri dy shtëpive.
Më pas vjen Azisi, i cili ndodhej në një lagje tjetër dhe urdhëron të shuhej zjarri. E kështu u bë. Zjarrin, i cili sapo qe vënë, e shuam po vetë. Ishte kohë lufte, – shprehet ai. Kur shkuam në Polis, dëgjuam të shtëna armësh, por nuk qëllonin drejt nesh. Edhe ne filluam të qëllojmë, por jo drejt tyre.
Mbas disa bataresh, na thërresin duke na pyetur se kush jemi. Jam unë Azis Biçaku, – u përgjigj ai. Nga lart u dëgjua zëri i njërit prej tyre. ‘Hajde, Azis, hajde’. Kur u afrua Azisi, u përqafua me komandantin e tyre. Aty e njohëm edhe ne. Ishte komandanti i çetës së ‘Ballit’ nga Vilani, Nezir Muzhaqi”.
Çështja e mospërfshirjes në luftë kundër partizanëve, shpjegohet edhe me faktin se, në qoftë se do të ishin kryer luftime, do të kishte edhe të vrarë. Nuk ka të vrarë nga çeta e Azisit, as edhe nga Zgoshti. Dy janë rastet e luftimeve; ajo e Kostenjës në ndjekje të Shtabit të Përgjithshëm dhe e Qafë Drizës, kur sulmoi Brigada II-të partizane.
Ndonjërit prej lexuesve të këtij libri, mund t’i lindë pyetja, duke thënë se; në librin tim të parë, me titull “Gizaveshi në vite”, shkruhet se, Rexhep Hunçi është vrarë nga Azis Biçaku në Mal të Mirakut! Për këtë më duhet të ri shpjegoj këtë ngjarje të ndodhur në vitin 1947, kur Azis Biçaku ndodhej në arrati.
Për rastin konkret, nuk mund të konsiderohen krime vrasjet në beteja apo në luftime. Rexhep Hunçi nga fshati Gizavesh, nuk bënte pjesë me Forcat ushtarake të Ndjekjes. Ai ishte informator i Sigurimit të Shtetit. Shkrimet e kohës në librin “Heronj të heshtur”, se Rexhepi qe një patriot i flaktë e luftëtar i vendosur për çështjen kombëtare, në atë kohë edhe unë i kam besuar.
Me një vendim të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Punës Shqipërisë, në vitin 1973, ai si dhe shumë të tjerë të vrarë në përpjekje me grupet antikomuniste, shpallet “Dëshmor i Atdheut”.
Në vitet e komunizmit, për Rexhepin, të moshuarit flitnin me rezerva. Duke qenë mësues i historisë dhe hartues i historikut të fshatit, në ato vite kam pyetur të moshuar që e njihnin mirë atë. Kur u jepja detaje nga libri “Heronj të heshtur”, se Rexhepi ishte luftëtar trim, patriot e atdhetar i flaktë etj., përgjigja e tyre ishte: “Po, po”, ….por nuk jepnin shpjegime, sepse ekzistonte frika e dënimit për agjitacion e propagandë.
Kur më është kërkuar të shkruaj për të, i jam përmbajtur asaj ç’ka shkruhej në libër. Duke qenë koshient me lexuesin, mund të them, se edhe në qoftë se më kanë lindur dyshime, nuk kam mundur të marr guximin që të shkruaja realitetin, në ato vite të terrorit komunist, mbasi edhe po të shkruaja, nuk është se do të pranohej, përkundrazi, do të përballesha me pasojat.
Mbas përmbysjes së sistemit komunist, kam marrë të dhëna të sakta mbi aktivitetin e tij, që në vija të përgjithshme i kam shënuar në librin “Gizaveshi në vite”. Për të mos u zgjatur, fakti është se Rexhepi, që nga fundi i vitit 1944 e deri në vitin 1947, kur dhe u vra, gjurmonte duke u endur nëpër fshatra, lëvizjet e vend-ndodhjen e grupit të armatosur të Azis Biçakut e të Isak Allës.
Kjo e kishte një arsye. Rexhepi në vitet e luftës u konfliktua me Kamber Allën në Zgosht, në shtëpinë e Allajve, për motive të dobëta. Aty ndodheshin edhe vëllezërit Zeq e Abdulla Hunçi, të cilët ndërhynë për të mbrojtur atë, ndërkohë, edhe i folën atij në kthim, për qëndrimet jo korrekte në familjen e Allajve, ku kishin shkuar si miq.
Pas kësaj ngjarje, Kamberi është orvatur ta eliminojë atë, por nuk ka gjetur rast. Kjo ishte arsyeja, që Rexhepi nis të bashkëpunojë me Sigurimin e Shtetit, e Forcat e Ndjekjes, për të asgjësuar grupin e armatosur.
Ndërkohë, Azis Biçaku e vëllezërit Alla, ishin në dijeni për lëvizjet e Rexhep Hunçit e bashkëpunimin e tij me Sigurimin. Ngjarjen e vjeshtës së vitit 1947, kur Rexhepi sigurohet për vend-ndodhjen e tyre dhe shkon bashkë me Forcat e Ndjekjes atje, e kam mësuar imtësisht nga Rexhep Vreto (i thërritur “Rexhepi i kuq”) nga Stravaj (Farret).
– “Në vitin 1981, isha me punë për disa kohë si instruktor në Komitetin e Rinisë së rrethit. Rexhep Vreto, ish ushtar me Forcat e Ndjekjes, ka qenë prezent në vend-ngjarje. Rexhep Hunçi na çoi në vendin ku ata ndodheshin – tregonte”, i ndjeri Rexhep Vreto.
Azis Biçaku, kur sheh se ishin të rrethuar nga ushtarët e Ndjekjes, e duke parë si udhërrëfyes në krye të tyre atë, i thërret: “Edhe këtu më erdhe, o Rexhep Hunçi”?! Rexhepi vritet me pushkët e para, pa arritur të qëllojë. U vranë dhe u plagosën mjaft ushtarë të Forcave të Ndjekjes, ndërkohë nga ana tjetër u plagos Halil Alla, vëllai i Isakut e Kamberit, i cili nuk mundi t’u mbijetoi plagëve. Pra, ishte një përpjekje e armatosur mes palëve, e këtu normalisht që s’kemi të bëjmë me ndonjë krim. Në një paragraf tjetër kam shkruar se Rexhep Hunçi, u vra nga Azis Biçaku.
Këtu është patur parasysh fakti, se grupi i armatosur drejtohej nga ai, i cili e njohu Rexhepin dhe reagoi, por fiks fare, nuk mund të dihej as nga vetë ata, se arma e kujt qe që goditi Rexhepin. Megjithatë, asnjë fajësim nuk mund të ketë për këtë. E çfarë kërkonte Rexhep Hunçi në Mal të Mirakut? E si do ta priste atë Azis Biçaku me grupin e tij?! Çdokush duhet të analizojë ngjarjen jo nga pasioni, por nga faktet.
E faktet janë se, atyre burrave që strehoheshin në shpellat e maleve, u janë djegur shtëpitë, u janë marrë mall e bagëti, u janë syrgjynosur gra e fëmijë nëpër kampe mizore, ndërkohë, u vjen dhe Rexhepi me forcat e shtetit për t’i asgjësuar! Nuk besoj, që cilido person të ishte në pozitën e Azis Biçakut, do të vepronte ndryshe.
Rasti dytë, për të cilën flitet është ai i vrasjes së Dalip Biçakut, nga fshati Kosharisht. Edhe për këtë kam pyetur disa të moshuar nga fshati Letëm. Ka versione të ndryshme për këtë vrasje, që ka ndodhur nga pjesëtarë të grupit të të arratisurve, që para mbi 70 vitesh. Fakti është se sot, nuk jeton asnjë nga anëtarët e grupit antikomunist. Megjithatë, për sa kam biseduar mund të them se versioni më i besueshëm është, se atë nuk e ka vrarë vetë Azis Biçaku.
Azisi, e kishte krushk Dalip Biçakun. Ai kishte marrë motrën e tij për Halim Zanin, që banonte në shtëpinë e tij. Dihet edhe që grupi i të arratisurve ka qenë strehuar te Dalipi. Në ndonjë rast kanë marrë edhe bukë e ushqim. Problemi qëndron se Dalipi fillon të bashkëpunojë me Sigurimin e Shtetit. Shtëpia e tij ndodhej në lagjen “Gështenjë” të Kosharishtit, një vend strategjik për komitë. Aty, Azisi me shokët e tij kanë qëndruar disa herë, por edhe largoheshin për të humbur gjurmët.
Në rastin e fundit, Dalipi shkon në Librazhd e njofton në polici për vend-ndodhjen e tyre. Ndërkohë, merr përsipër t’ua shtjerë në dorë grupin e të arratisurve, që do ta strehonte në shtëpi të tij. Nga sa thuhet, Dega e Punëve të Brendshme i premton atij se do të dërgojë skuadrën, me të gjithë oficerë të përgatitur. Mbasi kthehet në shtëpi, ai kontakton me të arratisurit, në shpellën ku ata qëndronin dhe i fton për darkë.
Për nga vetë mënyra se si veproi Dalipi, Azisi fillon të dyshojë. Kështu gjatë ditës ai vrojton me dylbi nga larg shtëpinë e tij dhe sheh që Dalipi kontakton me Forcat e Ndjekjes. Azisi, në mbrëmje, dërgon atje disa pjesëtarë të grupit, ndërsa vetë me një tjetër qëndron aty për mbështetje. Problemi ishte për të qartësuar më mirë, nëse ardhja e Forcave të Ndjekjes aty, ishte rastësi apo kurth?!
Megjithëse i bindur tashmë për pabesinë e tij, ai u thotë atyre që t’a rrihni, por mos e vritni. Mbasi marrin kontakt me të jashtë shtëpisë, në vendin e caktuar, ata i thonë Dalipit, se Azisi kërkon të sigurohet, që të shkojnë në darkë apo jo. Ai u thotë që të vinin, se nuk kishte asnjë rrezik. Atëherë e marrin me forcë, e largojnë pak nga vendi ku u takuan dhe në gjaknxehtësi e sipër, e vrasin.
Duhet patur parasysh edhe fakti, se shumica e grupeve diversioniste të të arratisurve, si dhe elementë të spikatur të tyre, janë kapur nëpërmjet tradhtisë, nga Sigurimi i Shtetit. Në pamundësi, që të kapen të gjallë, janë vrarë në vend, ndërsa kur janë kapur, janë nxjerrë në gjyq e, janë dënuar me vdekje.
E për këto, nuk është se s’ishin në dijeni të arratisurit. Pra, në këto rrethana është vrarë edhe Dalip Biçaku. Të gjithë të moshuarit, me të cilët kam kontaktuar, më kanë thënë se; kapteri i Degës, bashkë me ushtarët, kanë qenë aty afër. Ata nuk kanë guxuar të hyjnë në luftime me grupin e të arratisurve.
Siç duket, plani i përgatitur dështoi, e ata s’qenë në gjendje të organizohen. Vërtet duhet besuar, se nuk ishte e lehtë të hynin në luftime me ato burra, të cilët ishin të gjithë trima e të pushkës. Kështu, forcat e Sigurimit që e futën në lojë Dalip Biçakun, nuk arritën ta mbrojnë atë.
Azis Biçaku me grupin e tij, qëndroi mbi tre vjet në arrati, me shpresën se do të ketë riorganizim të forcave nacionaliste, për të përmbysur regjimin komunist. Gjatë këtyre viteve, Isak Alla, me të vëllanë e tij Kamberin, kanë lëvizur disa herë, duke kontaktuar me eksponentë antikomunistë, që desantonin nga jashtë në Shqipëri, për të organizuar një kryengritje të mundshme.
Jeta komite e malit ka qenë tepër e vështirë. Në pamundësi për t’u afruar pranë fshatrave, nga ndjekjet e vazhdueshme, ata kanë qëndruar në shpellat e maleve, dimër e verë. Ishin 7 burra e, sigurimi i ushqimit kishte vështirësi. Zbrisnin herë pas here, jo më shumë se dy veta, natën në fshat te miqtë e tyre për të marrë ndopak ushqim.
Populli i Letmit e i Zgoshtit, ashtu si kudo, në vitet e para pas çlirimit, nuk kishte bukë për fëmijët, por e ka ndarë kafshatën me ta e nuk i ka përcjellë bosh. Rakip Qoshi, nga fshati Zgosht, ish pjesëtar i grupit të armatosur të Azis Biçakut, qe i vetmi, që u rikthye në Shqipëri, pas një amnistie të dhënë në vitet ’60-të. Rakipi ka ardhë disa herë për miqësi në shtëpinë tonë, në vitet ’70-të, mbasi ishim në rreth miqësie.
Ai bisedonte me babanë tim, për vitet e arratisë, si dhe për jetën në Stamboll, ku ka qëndruar bashkë me Azis dhe Isuf Biçakun. Me gjithë rezervat që mund të kishte, por prapë ai bisedonte. “Në mjaft raste, në mal, – tregonte ai, – kemi ngrënë gjethe ahu me kripë. Historia e Azis Biçakut, meriton të studiohet e të vlerësohet”.
Duke njohur këtë pjesë të historisë, do të bëj një analogji të thjeshtë; Bajram Curri, luftoi me trimëri duke u vrarë në shpellën e Dragobisë, kundër forcave të Ahmet Zogut, me të cilin ishte në opozitë.
Azis Biçaku e Isak Alla, u mbrojtën duke luftuar si luanë përballë forcave ushtarake të diktaturës më të egër, që ka njohur historia e popullit shqiptar ndër shekuj. Ata janë heronj të devotshëm antikomunistë, që e sfiduan me guxim e trimëri, regjimin barbar të dhunës e të terrorit komunist.
Kështu, Azis Biçaku, në moshë të thyer e me shumë plagë në trup, detyrohet të largohet nga vendlindja e tij, duke u vendosur në Stamboll. Ai ndërroi jetë në vitin 1953, i përcjellë për në banesën e fundit nga djali i tij Isufi, si dhe nga qindra bashkatdhetarë e miq të shumtë në Turqi. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm