• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Tuesday, September 30, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Prof. Luarasi, ishte figurë e pastër dhe me bagazh të madh njohurish e një aftësi mahnitëse të treguari, saqë Eqrem Çabej thoshte: i vetmi njeri që ta ha kohën…”/ Dëshmia e përkthyesit të famshëm!

SKENDER_LUARASI/Memorie.al
“Prof. Luarasi, ishte figurë e pastër dhe me bagazh të madh njohurish e një aftësi mahnitëse të treguari, saqë Eqrem Çabej thoshte: i vetmi njeri që ta ha kohën…”/ Dëshmia e përkthyesit të famshëm!
SKENDER_LUARASI_ME_NIPIN_OS
“Kur erdha nga Franca në tetorin e ’44-ës, shkova në Berat ku ishte qeveria dhe Koci Xoxe e Malëshova, më folën shumë keq për Enverin, duke thënë…”/ Dëshmitë e rralla të shkrimtarit Petro Marko
SKENDER_LUARASI_/Memorie.al
SKENDER_LUARASI_/Memorie.al

Nga Ali Dhrimo

                                           “SI E KAM NJOHUR SKËNDER LUARASIN”

Memorie.al / Është një e vërtetë e mahnitshme dhe që të krenon për disa nga patriotët tanë të mëdhenj: Ata jo vetëm kanë hedhur ide të mëdha e mobilizuese për mbarë kombin, por këto ide i kanë hedhur qysh në një moshë çuditërisht të njomë. Le t‘i kthejmë sytë nga Faik Konica, Fan Noli, Mit‘hat Frashëri e të tjerë. Në këtë hulli ka ecur edhe Skënder Luarasi, i cili qysh 17-vjeç, e befason lexuesin me shkrimin “Vdekja heroike e Paros”, të cilin e mbyll me fjalët e dëshmores që vdes nga thikat e duarve antishqiptare: “E kam për nder të vdes për Shqipërinë! Jam shqiptare dhe vdes për kombin”; ose me shkrimin, kur ishte 19-vjeçar, “Dita e flamurit”, të cilin e mbyll me fjalët sa të vërteta, aq edhe profetike: “Por sado i mirë, sado i bukur dhe i këndshëm të jetë ky flamur, bukuria e tij prishet, fishket, venitet, po të mos jemi ne si flamuri.

Le ta dimë që ne e bëjmë flamurin dhe jo flamuri neve. Po të jemi ne trima, besnikë dhe të drejtë, të lirë, të ndershëm, ashtu do të jetë edhe flamuri ynë, shenja e një populli trim, besnik, të drejtë, të lirë, të ndershëm. Po të jemi ne robër dhe tradhtarë, ashtu do të jetë edhe flamuri, shenja e robërve dhe e tradhtarëve…”!

Gjithashtu mund të lexoni

“Vëllai i madh i Esatit, Gani beu, dallohej si gjaknxehtë, jo më pak ishte dhe i ati tyre, Ali beu, të cilin ata një ditë e lidhën në një rrogoz të lyer me naftë dhe…”! / Historia e panjohur e familjes Toptani

“Edhe studiuesit turq, që janë më të interesuar, deri më sot në këtë pikë, nuk janë përqendruar tek roli i Hasan Tahsinit në krijimin e universitetit të Stambollit…”/ Refleksionet e osmanologut të njohur

E këtë apostull të rrallë të shqiptarizmit edhe unë kam pasur fatin e madh ta kem pedagog të Letërsisë Perëndimore, në Universitetin e Tiranës. Ne e dinim që ai ishte pedagog i gjuhës angleze, po nuk e dinim se dinte po aq, në mos më mire, edhe gjermanisht. Shumë nga ne e dinin që ai kishte bërë të njohur hiç më pak po Migjenin tonë. E dinim edhe që kishte zbuluar një talent në shpërthim te Qemal Stafa me hartimin e famshëm: “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jet‘ e re po lulëzon gërmadhash”.

Por ne nuk e dinim që Luarasin vijonte ta ndiqte si të atin “mallkimi i gjuhës shqipe”. Madje nisur nga emri i tij, ne pandehnim se ishte mysliman. Shumë më vonë do të mësoja se i biri i Petros, për çudi, nuk shkonte në kishë, por në teqenë e Qesarakës. E ai mallkim që në kohën e Rilindësve dihej e në ditët e sotme nuhatet nga vjen, në kohën që jetoi e krijoi Skënder Luarasi, nuk para merrej vesh mirë e nuk kuptohej se nga vinte e ku i kishte rrënjët.

Megjithëse ia kishte mblatuar zemër e penë kombit e megjithëse thuhej se kishin ardhur ditë që do të lartësonin kombin, ai fshikullohej herë pas here e madje jo rrallë, rëndë. Në këto rrethana filloi të shikonte rrotull për të zbuluar kush i lëshonte ato rrufe mbi të. Për çudinë e vet hetoi se aty kishte disa joshqiptarë, po që rrihnin gjoksin si të tillë.

Duke soditur atë skotë të mbrapshtë që dinte t‘u përshtatej aq mjeshtërisht rrethanave të krijuara, u neverit, dhe duke qenë i biri i Petro Nini Luarasit, duke trashëguar guximin e tij, duke qenë i mbrujtur me frymë demokratike në Amerikë e Austri, ai, sa herë që e ndjente për detyrë se nuk duhet të heshtte, megjithëse e njihte, nuk donte kurrsesi ta zbatonte porosinë e Pollonit, dhënë të birit, Laertit, në dramën “Hamleti”: “Mos e sill në gjuhë, çdo gjë që të vjen në mendje”.

Kështu ai nisi të ngrinte zërin kudo kundër tyre me të dhëna që të shtangnin e që shpesh të bënin të mos i besoje. Një gjë të tillë ai e bënte edhe me ne studentët, na fliste herë gati hapur e herë me alegori a parabola për njerëz që i njihnim e i nderonim si figura kombëtare. Si një nga simpatizuesit e flaktë të tij dhe si i ri që pandehja se dija diçka rreth njerëzve, kundër të cilëve ai ngrihej, një herë guxova t‘i thosha:

“Profesor, ju keni një të mirë dhe një të keqe të madhe: Miqtë tuaj dini t‘i paraqisni me ngjyra kaq të forta, saqë ai që nuk i njeh, thotë ose mendon: “Po këta, more, janë heronjtë e vërtetë dhe figurat e shquara të kombit tonë dhe jo ca dordolecë që na tregojnë”. Kurse armiqtë tuaj dini t‘i paraqisni me ngjyra kaq të errëta, saqë ai që nuk i njeh, thotë ose mendon: “Po ku është litari, more, se këta duan shkuar në litar e, jo të nderohen siç i nderojnë”.

Luarasi m‘u sul gati i papërmbajtur: “Po unë, mor mik, nuk kam miq dhe armiq të Skënder Luarasit. Miqtë dhe armiqtë e mi, janë miqtë dhe armiqtë e kombit shqiptar.” T‘ju rrëfehem pas kaq kohësh, për njohjen dhe formimin tim të atëhershëm këto fjalë më tingëlluan si fodullëk.

Dhe, siç na thotë Shekspiri për Jul Cezarin: “E keqja që ka bërë çdo njeri, i mbetet,/ E mira i mbulohet shpesh në varr me kockat”. Edhe për të, kështu siç mendova unë atëherë, mendonin e pse jo, mendojnë ende njerëz të tjerë, të cilët ose nuk e njihnin e nuk e njohin punën e tij, ose u vinte për shtat ta përbuznin qëllimisht dhe ta paraqisnin si grindavec ordiner, që shante poshtë e lartë.

Kështu ata fshihnin më mirë prapësitë a paaftësinë e tyre, në krahasim me Skënder Luarasin, i cili ishte një figurë nga më të pastrat dhe njëkohësisht kishte një bagazh kaq të madh njohurish dhe një aftësi mahnitëse të treguari, saqë Eqrem Çabej do të thoshte: “I vetmi njeri që ta ha kohën dhe s‘të vjen keq”!

Në të vërtetë ai ishte në karakter shumë i thjeshtë. Kurrë nuk dëgjuam nga goja e tij se kishte studiuar aty e këtu, se njihte atë e këtë gjuhë, se kishte luftuar në brigadat ndërkombëtare kundër diktaturës së Frankos në Spanjë, se kishte shkruar këtë e atë vepër, se kishte bërë këtë e atë përkthim.

Por për fat të keq, ndër ne nuk vlen gjithmonë fjala e urtë: “Mos i shiko gunën, por punën”. Duke studiuar tërë veprën e Luarasit, njeriu mbushet me admirim për këtë njeri të penës, jo vetëm sepse ajo është e madhe dhe e larmishme, mbi të gjitha sepse është e rëndësishme për kombin.

Përballoi për vite punën si mësues, më vonë ngarkesën mësimore si çdo pedagog tjetër në universitet dhe njëherazi la prapa një vepër të begatë: na bëri hollësisht të njohur jetën dhe veprën e Migjenit e të Plakut të Vlorës, Ismail Qemalit; studentët tanë e kanë dëgjuar për herë të parë emrin e Isa Boletini në bankat e universitetit, nga Skënder Luarasi, i cili nuk vonoi të botonte një vepër dinjitoze për jetën e veprën e tij.

Emrin e motrave Qiriazi apo të vëllait të tyre, Gjerasim Qiriazit. Gjatë orës së mësimit, duke folur për periudha, autorë e vepra të botës perëndimore, ai ishte i vetmi pedagog që ndalonte krejt befas dhe na pyeste: “- E dini ç‘ka ndodhur në këtë kohë në Shqipëri”? Barabar, në mos më e rëndësishme, është puna e pedagogut Luarasi, si përkthyes i madh. Duke parë gjendjen e prapambetur feudale të vendit, ai vijoi punën e lënë përgjysmë nga Noli në këtë lëmë.

Ashtu si Noli, kishte një qartësi të madhe bot-kuptimore për misionin e përkthyesit. E kishte të qartë se çfarë i duhej e i shërbente më shumë e më ngutshëm këtij kombi, prandaj do të zgjidhte jo vetëm autorë si Shekspirin, Gëten, Shilerin, Bajronin, Lesingun, Xhon Miltonin, Uitmainin, Longfelloun, Kalidasën etj., por do të përkthente veprat më madhore të tyre e më të domosdoshme për Shqipërinë e shqiptarët.

Pikërisht për këtë ai nuk do të përkthente poezitë marramendëse të dashurisë nga Hajneja, Gëteja e të tjerë, por do të na vinte së pari në dorë kryeveprat tronditëse të Gëtes dhe Shilerit. Këtë punë fisnike, të lodhshme e të përgjegjësishme e nisi me një vepër të bukur e popullore që i shkonte për shtat Shqipërisë, me “Vilhelm Telin” që vinte nga Zvicra e vogël, me një mësim të madh antifeudal, e njëherazi me botëkuptimin historik emancipues shilerian për shoqërinë.

Vijoi me kryevepra të këtij autori, si; “Cubat”, “Intrigë e dashuri” e “Përbetimi i Fjeskos”; u hodh te Lesingu dhe përktheu veprën e tij themelore “Emilia Galotin”, pastaj “Gëci i Berlihingenit” të Gëtes e me radhë. Të gjitha këto drama i përktheu përsosur, me besnikëri, me një gjuhë të zhdërvjellët e të pasur që i bëjnë nder penës së tij dhe i paraqesin autorët në mënyrë dinjitoze para lexuesit shqiptar, i cili me këto përkthime e ndjeu thellë madhështinë e dy gjenive gjermanë.

Vetëm pas këtyre hapave të suksesshëm ai guxoi të bëjë hapin vigan, t‘i përvishet kryeveprës së Gëtes, “Faustit”, veprës universale që pak përkthyes botërorë, kanë guxuar t‘i afrohen. Përkthimin e saj Noli ynë e kishte refuzuar me fjalët; “për këtë nuk do të më mjaftonte jeta, që të njihesha me folklorin gjerman.”

Këtë hap Luarasi e ndërmori me përgjegjësinë e përkthyesit serioz. Kishte kryer studimet në Austri për letërsi, kishte mprehur penën, kishte dhënë prova të arrira si përkthyes i formuar, si njohës i dy botëve, dy kulturave dhe dy qytetërimeve, gjerman e shqiptar, dhe i pikëpamjeve të Luterit, Shlaiermaherit e të shumë të tjerëve, për mënyrën e përkthimit.

Fausti që na dhuroi Luarasi, flet shqip, të trondit e të befason dhe të çon në sofrën e pasur e të paarritshme gëteane. Duke e studiuar me vëmendje këtë vepër shqip, lexuesi arrin në përfundimin se vështirë ta kapërcejë kush dukshëm në të ardhmen po t‘i hyjë përkthimit të saj. Edhe po të ndodhë, kjo nuk do të flasë aspak për mosarritje të Luarasit, po të kemi parasysh se në rusisht ka 35 dhe në italisht mbi 10 përkthime të “Faustit”.

E duke u mbrojtur përpara ndonjë kritizeri që nuk e dinte se vepra vlerësohet në përgjithësi e, jo nisur nga vargje a fjalë të veçanta, ai na thoshte: “Mor zot i mirë! E po unë nuk mund të përkthej me gjuhën zhelemane, të një lexuesi ordiner”!

Mendimet e tij demokratike e anti-monarkike, Skënder Luarasi nuk linte rast pa shfrytëzuar, që të na i nguliste në shpirt edhe ne studentëve. Na tregonte se kishte nderim të madh për Xhon Miltonin, i cili në diskutimin e fortë që ishte hapur aso kohe, nëse duhej të ekzekutohej apo jo mbreti, atyre që thoshin se do të ishte turp për Anglinë, të ekzekutonte një mbret mjekërbardhë, u ishte përgjigjur me fjalët e famshme:

– “Nuk është turp për Anglinë t‘i presë kokën një mbreti mjekërbardhë, por është turp që nuk ia ka prerë ende”. “Dhe kur Republika dështoi, – na thoshte Luarasi, – dhe Miltoni u verbua nga puna e madhe në shërbim të Republikës, një ditë i biri i mbretit të ekzekutuar e gjeti në udhë dhe u orvat ta vinte në lojë me fjalët: – Kushedi ç‘mëkate ke bërë që zoti t‘i ka marrë sytë? Miltoni që e njohu nga zëri, ia priti flakë për flakë: – Kushedi ç‘mëkate ka bërë yt atë, që Perëndia i mori kokën”.

Skënder Luarasi kishte një sedër të fortë atdhetare. Për këtë flasin artikujt e tij të shumtë e të fuqishëm në mbrojtje të kësaj çështjeje, ndër të tjerë “Dita e flamurit”, më 28 Nëntor 1919, “Kryedita e çdo viti shqiptar”, më 28 Nëntor 1928, “Mbi popullsinë e Kosovës”, po atë ditë, dhe sidomos artikulli kundër librit të një austriaku të panjohur me emrin Fridrih Valish, “Shqipëria shtet i ri” e shumë të tjerë. Për këtë flet çdo gjest i këtij patrioti.

Tregonte se njëherë, gjatë një diskutimi të nxehtë me djemtë shqiptarë që studionin në Austri, Eqrem Çabej e kishte ndjerë veten të fyer prej tij dhe e kishte thirrur në duel. Ishin vendosur sekundantët dhe ishte rregulluar gjithçka që dueli të bëhej në Hungari, pasi në Austri nuk lejohej.

Ditën e duelit aty kishte shkuar edhe i njohuri Qemal Butka, i cili i kishte qortuar pak a shumë me këto fjalë: “Ç‘bëni, more! Shqipëria ju ka bij e shpresë, ju ka dërguar me një mijë sakrifica që të studioni dhe t‘i bëheni krahë e ta ndihmoni në përparimin e saj drejt qytetërimit dhe jo të merreni me vepra të tilla”!

Mjaftoi përmendja e emrit të Shqipërisë dhe ata jo vetëm që nuk e bënë duelin, por u pajtuan që aty dhe e kujtonin atë ngjarje vetëm për humor. Një herë tjetër, i riu Luarasi u nis nga Austria që të luftonte kundër Zogut. Kur hipi në anije, një zonjë filloi të shante Zogun e t‘i thoshte Luarasit:

“Ç‘e keni atë Mbret anadollak ju”?! Luarasi, i cili mendonte se Mbretin e tij kishin të drejtë ta shanin e ta luftonin vetë shqiptarët, por jo të huajt, iu turr zonjës me atë temperamentin e tij dhe filloi ta mbronte Mbretin me patos. Mendoj se është mësim kuptimplotë për këdo, se si duhet mbrojtur deri në fanatizëm gjithçka kombëtare, përballë përbuzjeve të të huajve. Është shembull për t‘u ndjekur edhe nga politikanët tanë të sotëm, të cilët nuk lënë gjë pa thënë për njëri-tjetrin dyerve të Europës.

Luarasi kishte edhe një zemër çuditërisht të ndjeshme. Më kujtohet komenti i tij në klasë i momentit, kur Makdafi merr lajmin e hidhur të vrasjes së dy djemve dhe të gruas nga Makbethi. Ai na e lexonte atë pjesë, duke i rrjedhur lotët faqeve, fare pa druajtje para nesh. Atëherë dhe disa herë më vonë në biseda me të, duke soditur fytyrën e tij plot shprehësi e, duke dëgjuar dridhjet e ngjyresat e zërit të tij, kam menduar se te Luarasi kishim fituar një pedagog të shquar, por edhe kishim humbur një aktor të rrallë.

Duke e vështruar në tërësi jetën dhe veprën e tij, del se ai është para së gjithash një shqiptar i madh dhe një përkthyes nga më të shquarit. Te ne kanë dalë ndërkaq disa përkthyes të apasionuar të letërsisë gjermane, por Skënder Luarasi, bashkë me ndonjë tjetër si Robert Shvarci, mbetet, siç thotë kënga popullore: “Njëzet e pesë kalorë, / Dhëndëri vezir mbi ta”! Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Në 1972-in, kur dy dibranët që erdhën si ‘miq’ e qëndruan për darkë te Xhem Balliu, e pyetën atë; çfarë të këqija ka kjo qeveri, ai u tha...”! / Historia tragjike e familjes Balliu nga fshati Funarës i Librazhdit

Next Post

“Zbulimi i Politik apo Ushtarak, ka të tjera synime dhe objektiva, por ajo ç’ka mbetet ende e pandryshuar, është...”! / Viti 1965, kur ministri Kadri Hazbiu, hapte shkollën e Agjenturës, me emrat e pedagogëve!

Artikuj të ngjashëm

“Vëllai i madh i Esatit, Gani beu, dallohej si gjaknxehtë, jo më pak ishte dhe i ati tyre, Ali beu, të cilin ata një ditë e lidhën në një rrogoz të lyer me naftë dhe…”! / Historia e panjohur e familjes Toptani
Personazh

“Vëllai i madh i Esatit, Gani beu, dallohej si gjaknxehtë, jo më pak ishte dhe i ati tyre, Ali beu, të cilin ata një ditë e lidhën në një rrogoz të lyer me naftë dhe…”! / Historia e panjohur e familjes Toptani

September 29, 2025
“Edhe studiuesit turq, që janë më të interesuar, deri më sot në këtë pikë, nuk janë përqendruar tek roli i Hasan Tahsinit në krijimin e universitetit të Stambollit…”/ Refleksionet e osmanologut të njohur
Personazh

“Edhe studiuesit turq, që janë më të interesuar, deri më sot në këtë pikë, nuk janë përqendruar tek roli i Hasan Tahsinit në krijimin e universitetit të Stambollit…”/ Refleksionet e osmanologut të njohur

September 26, 2025
“Ballistët e inkuadruem nën komandën e Shkodrës, prej së cilës ushqeheshin e paguheshin, mbasi e dhanë fjalën me më ndjekë planin tim, u shmangën dhe…”/ Kujtimet e Kol Bib Mirakës
Personazh

“Përse kryeministri i Shqipërisë, të mos e vendosë bustin e një antifashisti dhe komunisti europian, si Zai Fundo, në lulishten para PS-së…”?! / Refleksionet e gazetarit dhe politikanit të njohur

September 25, 2025
“Kur në sallën e fakultetit tonë, Prof. Hasan Kaleshi shfaqi pakënaqësinë që i qe bërë figurës së rilindasit Abedin Dino, në historinë e Shqipërisë, ne studentët u…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur
Personazh

“Kur në sallën e fakultetit tonë, Prof. Hasan Kaleshi shfaqi pakënaqësinë që i qe bërë figurës së rilindasit Abedin Dino, në historinë e Shqipërisë, ne studentët u…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur

September 27, 2025
“Shqipëria duket pa dritë, pa qëllime të caktuara, ku cilido lëfton për ‘kockën’ e tij, ku poshtërsia dhe balta bërtasin se janë të larta…”! / Refleksionet e studiuesit të njohur, mbi librin e përfolur të Konicës
Personazh

“Shqipëria duket pa dritë, pa qëllime të caktuara, ku cilido lëfton për ‘kockën’ e tij, ku poshtërsia dhe balta bërtasin se janë të larta…”! / Refleksionet e studiuesit të njohur, mbi librin e përfolur të Konicës

September 19, 2025
“Pohimet se ‘Dr. Gjëlpëra’ është një vepër letrare e shkruar për të zbuluar se kush i vrau dy turistët amerikanë në Mamurras’, dëshmojnë se…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur, për librin e përfolur të Konicës
Personazh

“Pohimet se ‘Dr. Gjëlpëra’ është një vepër letrare e shkruar për të zbuluar se kush i vrau dy turistët amerikanë në Mamurras’, dëshmojnë se…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur, për librin e përfolur të Konicës

September 23, 2025
Next Post
“Zbulimi i Politik apo Ushtarak, ka të tjera synime dhe objektiva, por ajo ç’ka mbetet ende e pandryshuar, është…”! / Viti 1965, kur ministri Kadri Hazbiu, hapte shkollën e Agjenturës, me emrat e pedagogëve!

“Zbulimi i Politik apo Ushtarak, ka të tjera synime dhe objektiva, por ajo ç’ka mbetet ende e pandryshuar, është...”! / Viti 1965, kur ministri Kadri Hazbiu, hapte shkollën e Agjenturës, me emrat e pedagogëve!

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme