Nga Dr. LAURENT BICA
Pjesa e parë
Memorie.al/ Nuk duhet të kem qenë më tepër se 5-6 vjeç. Për një gjë jam i sigurtë, se ende nuk kisha shkuar në shkollë. Nëna ime, e ndjera nëna ime, më mësonte numrat dhe germat e alfabetit shqip në një bllok, që kushedi se ku e kish gjetur. Kanë qenë vitet ’50-të, vite të vështirë, pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo më tregonte se shkollën e vet fillore, e kish bërë në kohën e Mbretit Zog, rreth vitit 1935, në një fshat të Oparit, Lavdar, që ishte kryeqendër e komunës me të njëjtin emër, Opar. Vetë ajo shkonte çdo ditë nga katundi Karbanjoz, bashkë me motrën. Çdo ditë, para se të fillonte mësimi, gjithë nxënësit e fillores, që në atë kohë ishte me pesë klasë, këndonin një këngë që këndohej në të gjitha shkollat e Mbretërisë Shqiptare, që përmbante edhe këto vargje: “Dhe flamuri kuq e zi/ Do valojë përsëri/ Në Kosovë e Çamëri”.
“Kosova e Çamëria janë pjesë të Shqipërisë” – më thosh e mira nëna ime. – Kosovën na e mori serbi, Jugosllavia, ndërsa Çamërinë na e rrëmbeu greku. Kosova është sa Shqipëria, po dhe Çamëria s’është e vogël”. Nxirrte pastaj nga “arkivat” e saj, sirtarët e dollapit, lloj-lloj shkresurinash, që vetëm ajo u dinte rendin dhe sërën. Midis të tjerash, më nxirrte disa harta gjeografike, që i kish bërë vetë në një fletore vizatimi.
Këto m’u fiksuan më pas mua, që të bëja bukur hartat e shteteve në lëndën e gjeografisë. Më tregonte sidomos një hartë të Jugut të Shqipërisë me prefekturën e Gjirokastrës, bregdetin e Jonit dhe me Çamërinë. “Ja kjo është Çamëria, biro! Ja dhe Korfuzi përkarshi! Edhe Korfuzi ka qenë i joni”!
Kur u rrita më vonë, kur – thotë Sejfulla Malëshova – “erdha në mendtë e mia”, pra u vetëdijesove, punën e Çamërisë e të Kosovës, as e diskutoja që ishin ashtu si m’i kish thënë nëna, po këtë punën e Korfuzit, s’di pse e shikoja me dyshim. Sigurisht stereja (toka) e tëra ishte çame, shqiptare, ashtu si dhe për dy ishujt e vegjël nën Korfuz, Pakso e Antipakso, por ishujt ishin grekë.
I bëja shpesh pyetje vetes se; si është e mundur që bregdeti nga Kepi Stillos, ku mbaronte Shqipëria, e deri në Prevezë e Artë, ku shtrihej Çamëria, ishte shqiptar, kurse ishujt grekë. Më vonë u kthjellova duke lexuar e parë, që shqiptarë kishte jo vetëm deri në Artë, por dhe më poshtë anëdetit e steresë, po dhe në gadishullin e Moresë (Peloponezit), veçse thirreshin me një emër tjetër: arvanitë, apo arbërorë.
Vitet do të kalonin dhe unë do të lexoja veprat e një sërë studiuesish tanë, të cilët do t’i njihja dhe personalisht të gjithë, si; Dhimitër Grillo, Koli Xoxi, Irakli Koçollari, Aristidh Kolia, Anton Belushi, apo do të kisha kontakt direkt, si Jorgo Jeru etj.
Nuk dua të flas për raportet që kam pasur apo kam me secilin prej tyre, se kjo shkon gjatë, për për mua sot është e qartë gjithçka, edhe në lidhje me atë që quhet ishulli i Korfuzit, apo siç e thërrasin grekët; “Qerqira”, apo “Korkyra”. Fjalën e kemi për Çamërinë. Nëna ime më fliste vazhdimisht për të edhe kur u rrita më vonë…!
Le të ecim më tej. Në klasën e katërt të shkollës fillore, kam pasur një mësuese me emrin Merina Frashëri (Arrëza). Ajo më bënte përshtypje, se dallohej nga mësueset e tjera të shkollës fillore, “Papa Llambro Ballamaçi”, që kam kryer unë. Kish diçka të veçantë, në paraqitjen e saj, në veshjen e saj, në sjelljen e saj, në fjalët e saj, që e dallonte nga të tjerat. Mësuesja ime Merina, e them sot nga lartësia e viteve, dallohej për fisnikërinë e saj. Ishte grua e rrallë.
Duke qenë nxënës i mirë, më mbante pranë dhe shpesh bënim edhe biseda jashtë mësimit. Në një prej tyre, më tha nën zë: “Unë jam nga Frashërllinjtë e Mëdhenj. Gjyshi im quhej Mehmet Frashëri, dhe vdiq në Shqipëri. Frashërllinjtë s’kanë qenë tre po katër, dhe më tepër dhe vëlla i tyre është dhe Mehmeti, gjyshi im, që ka qenë më i vogli i vëllezërve Frashëri, pas Sami Beut. Por ai s’përmendet gjëkundi, sado që është atdhetar si ata dhe u përpoq për Shqipërinë”.
Këto thënie të saj më bënë përshtypje të madhe dhe u ngulitën thellë në kujtesën time. Më vonë do të kuptoja se lufta e klasave bënte të vetën dhe, po të kishin rrojtur ata vetë, Frashërllinjtë e Mëdhenj apo pasardhësit e tyre në Shqipëri, nuk dihet si kish për të vajtur fati i tyre si “borgjezë”, apo ca më keq si “feudalë” e “çifligarë”.
Mësuesja ime e nderuar Merina, më kish marrë edhe në shtëpinë e saj dhe aty u njoha me të shoqin, poetin e shquar korçar, Skënder Arrëza, i cili shkëlqeu në fillimet e tij, në vitet ’30-të të shekullit XX-të, dhe dha kontribut si krijues edhe në vitet e mëpastajmë, në qytetin e Korçës. Vetëm se vrapin në jetë nuk e pati të gjatë. Ka qenë shok i Kristaq Cepës, poet dhe ai i viteve ’30-të.
Njëkohësisht dhe arsimtarë të shquar e të përkushtuar në qytetin e Korçës, në gjimnazet e saj, për lëndën e letërsisë. Mbresat më të mëdha mua m’i la “zonja” Merina, siç i thoshim me respekt mësueses në kohën tonë, sidomos në shkollën fillore, me ato çka më tha për Mehmet Frashërin e saj, ndoshta pasi kishim bërë Naimin në librin e këndimit të klasës së katërt.
Edhe sot e kujtoj fisniken, mësuesen time Merinë, dhe ajo më kujton se i kemi një borxh të madh Rilindjes e Frashërllinjve, deri sa të nxirret në dritë dhe figura e Mehmet Frashërit, që bëri aq shumë për Shqipërinë e shqiptarët dhe pa me sytë e tij masakrimin që iu bë Shqipërisë në Londër e Paris, deri kur mbylli sytë në vitin 1919, duke lënë jashtë saj Kosovën me Çamërinë.
Shyqyr që Abdyli, Naimi, Samiu, s’jetuan e s’panë tragjedinë shqiptare, Shqipërinë që u “u ther si berrat” në Berlin (1881), Londër (1912) e Paris (1918-1919), në favor të fqinjëve të pangopur. Në klasën e pestë e më sipër, kam pasur mësues shumë të mirë. Dua të veçoj dy prej tyre, mësuesen e gjeografisë Alqi Krastafillaku, që tani s’jeton më, një mësuese e përkushtuar lëndës së saj, dhe zonjën Pandora Xega, drejtoreshën e shkollës 7 vjeçare, që na jepte mësimin e historisë.
Kur filluam me të, ajo na dha një porosi: – “Kush të dojë nga ju nxënësit, mund të blejë historinë e Shqipërisë të klasës së shtatë dhe t’i mësojë mësimet e historisë aty”. Më kujtohet bënim “Pashallëqet shqiptare”, atë të Jugut, Pashallëkun e Janinës. Më ngriti në mësim. Kisha mësuar më së miri, historinë e kisha pasion dhe fola për shtetin e Ali Pashë Tepelenës.
Midis të tjerave, s’më hiqet nga mendja diçka. Ali Pasha, ndryshe nga shtetet e Lindjes, krijoi në shtetin e vet një polici sipas modelit të shteteve perëndimore, të pashoqe në Perandorinë Osmane. Pra, ky Pasha oriental, ecte në gjurmët e Perëndimit dhe për 35 vjet ai drejtoi një shtet të tërë, që kryeqytet kish Janinën shqiptare, kryeqendrën e Çamërisë, Epirit.
Dy gjëra mbetën në kujtesën time, që Ali Pashë Tepelena ishte një Skënderbe i dytë, dhe lulëzimi në atë kohë i Çamërisë, si një njësi politike. Dua t’ia di për faleminderit mësueses time të historisë, Pandora Xega, që na shpjegonte me aq pasion historinë e Shqipërisë dhe që na hapte horizontin tonë si nxënës, duke punuar me tekstet e viteve më të larta. Aliu e Çamëria përsëri do të mbeteshin dy sinonime të pandarë që nga ajo kohë, kur nuk pipëtinte asgjë për ta.
Nuk isha më tepër se 11-12 vjeç. Jemi rreth vitit 1962. Në këtë kohë kemi një ngjarje tepër madhore, kremtimin e 50 vjetorit të Pavarësisë. Babai im ish abonuar në gazetën e kohës dhe unë, veç mësimeve, gjeja kohë dhe e lexoja atë. Bile kam qenë anëtar i rregullt i bibliotekës së qytetit dhe i lexoja gazetat që vinin aty. Më 1962, dolën dy-tre artikuj edhe për Hasan Tahsinin. Mua më ka mbetur në kujtesë ai i orientalistit Jonuz Tafilaj, që ishte dhe më i gjati, gati një faqe gazete.
Ky ka qenë kontakti im i parë me Hoxha Tahsinin, krahas rilindësve të tjerë. Atëhere kam lexuar edhe artikuj për rilindas të tjerë, sidomos për Ismail Qemalin. Ende ruaj nga ajo kohë gazetat me shkrime jubilare për pavarësinë e rilindjen, për figurat e shquara që hodhën themelet e kombit, si Ismail Qemali, Frashërllinjtë, Pashko Vasa, Dinot e Çamërisë etj., etj.
Për mua ka qenë ngjarje e madhe blerja e radios në shtëpi. Duhet të ketë qenë viti 1963 ose 1964. Qysh atëhere, krahas librave që blija apo lexoja në bibliotekë, dëgjoja radion. Doja të dija sa më shumë për Shqipërinë e shqiptarët. Historia më tërhiqte si magnet. Lexoja monografi të ndryshme për figura të shquara patriotike. Duke jetuar në Korçë, hapja stacionet e shteteve fqinjë, ku jetonin shqiptarët e trojeve etnike.
Greqisht nuk dija asnjë fjalë, ama stacionet e qyteteve fqinje greke, si Follorina, Selaniku, mbase edhe të tjerë, i dëgjoja rregullisht, më tepër për këngët; “elenika tragudhja”, këngë popullore greke. Midis tyre, më ka mbetur në kujtesë ndonjë që përmendte dhe shqiptarët, si: “Kapedanios arvaniti/ Karrocieri fukara”, a diçka e tillë…! Melodia popullore e tyre dhe aq sa mund të nuhasja unë nga fjalët, më tërhiqnin dhe mendoja për shqiptarët e Greqisë, për Çamërinë etj.
Por kjo ka qenë e përditshme. Kapja Ohrin në gjuhën maqedone. Por kish dhe gjysëm ore me këngë popullore shqip, që luheshin nga Sazet e Ohrit. Këto ishin si ilaç për mua. Elementi shqiptar gjallonte aty. Kjo kish rëndësi për mua. Kur vinte ora 14.30-15.00, çdo ditë dëgjoja Prishtinën.
Kish një emision me “Përshëndetje dhe urime nga dëgjonjësit tanë”, ku jepte këngë në shqip (shumica), pastaj në serbo-kroatisht dhe në turqisht. Ende e kam në kujtesë kur thoshte titullin e emisionit në gjuhën serbe: “Pozdravi i çestitke, na nashoj sllushajatsja”.
I kam dëgjuar në vite këto stacione përditë, duke u përpjekur të mësoj sa më shumë për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e Çamërisë. Çdo gjë regjistrohej në kujtesën time, sidomos emrat e qyteteve e fshatrave të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, ku jetonin shqiptarët, apo në emigracion nga përshëndesnin. Kujtesa më ishte si ajo toka e thatë e etur për ujë, për të mësuar sa më shumë për shqiptarët…!
Ishin disa lëndë që unë i kam dashur, si historia, letërsia, gjeografia, dhe kur hyra në gjimnaz, edhe filozofia. Kemi pasur pedagogë shumë të mirë në gjimnazin “Themistokli Gërmenji”, që kam mbaruar unë, të cilëve u detyrohem shumë për formimin tim.
Nuk mund të lë pa përmendur emrat e tyre si: në letërsi, profesoreshat Dhorkë Qafeci, Loreta Xexo etj.; në histori, drejtorin e gjimnazit, Ilia Treska, njeri shumë i përgatitur; në gjeografi, të apasionuarin Gaqo Opingari; në njohuri fillestare të marksizëm-leninizmit (filozofi), zotin Franklin Xega etj. etj. Këtyre e të tjerëve u shpreh mirënjohjen time.
Pasioni im i dikurshëm që trashëgova për letërsinë, u zhvendos gradualisht drejt filozofisë e historisë, sado që vazhdova të krijoj poezi e të shkruaj hartime të bukura, që mësuesit e mi të letërsisë i lexonin në klasat ku jepnin mësim, si hartime të mira. Më kujtohet një prej tyre për veprën e Gavril Darës: “Kënga e sprasme e Balës”, të cilin e shkrova të gjithë në poezi. Ishte interesimi im për arbëreshët e Italisë.
Më kujtohen tani që po hedh këto radhë, dy strofa që më kanë mbetur në mendje: “Rri Gavril Dara/ Në një breg deti,/ Kujtimin e largët/ Koha s’ia treti./ Rri ky Gavrili/ Në Kalabri/ Dhe hedh vështrimin/ Në Arbëri…”!
Dua të them që interesimi im për shqiptarët kish pushtuar qenien time dhe, në një mënyrë ose një tjetër, shprehej edhe në jetën time. Më interesonin kosovarët, maqedonasit, çamët, arvanitët, arbëreshët, mbarë diaspora. Lexoja ku mundja për ta. Më kujtohet se lexoja me qëllim, librat ku bëhej fjalë për partizanët shqiptarë, që kishin marrë pjesë në çlirimin e viseve të Jugosllavisë, me qëllim që të mësoja sa më shumë për shqiptarët në Jugosllavi.
Ndërsa për Çamërinë pothuajse nuk gjeje asgjë. Megjithatë, kjo më shtynte më tepër të kërkoja e gjithnjë të kërkoja në veprat e rilindësve, sado që një dorë e kujdesshme e censurës nuk i botonte, i shkurtonte pjesët ku flitej për Kosovën e Çamërinë. Për Kosovën, nën prizmin e luftës me revizionistët jugosllavë, çoku dilnin herë pas here në gazetën kryesore të asaj kohe “Zëri i Popullit”, artikuj të mëdhenj, shpesh edhe “çarçafë” që zinin faqen e gazetës.
Këto në një kuptim kanë qenë tepër informuese për mua që interesohesha për trojet etnike. Mundohesha me çdo mjet të plotësoja formimin tim atdhetar, sidomos për Kosovë e Çamëri. Një fushë e tillë ishte Rilindja, ndaj qysh në vitet e gjimnazit u fokusova në të. Këtu një pjesë të madhe ka letërsia, ku ne bënim figura të tilla si Naim Frashëri, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Kostandin Kristoforidhi e të tjerë.
S’më harrohet atëhere, vitet ’60-të apo ’70-të, në një emision shqip të Radio-Vatikanit, kam dëgjuar të flitej për Çamërinë me hollësi, në një kohë kur në Shqipëri nuk “pipëtinte miza”, quhej “herezi”, qoftë edhe ta përmendje emrin. Kam lexuar libra ku flitej për diversantët dhe indirekt kam mësuar si për Çamërinë, Kosovën etj. Isha si një magnet që tërhiqja çdo gjë, vetëm e vetëm të mësoja sa më shumë për to.
Gjërat ndryshuan mjaft kur shkova në universitet, në vitin 1969. Dua t’u shpreh mirënjohjen punonjësve e punonjëseve të bibliotekave, si asaj Kombëtare, ashtu dhe atyre të Universitetit, të Akademisë, të Fakultetit Filologjik, dhe në mënyrë të veçantë Bibliotekës së Institutit të Historisë, ku për vite e vite me radhë, kam lexuar literaturë që “lejohej”, dhe atë rezervat, me vërtetime e pa vërtetime.
Ato me atë thjeshtësinë e dashamirësinë e tyre, s’janë kursyer e më kanë ndihmuar të lexoj dhe ato që ishin “të ndaluara”, si gazetën “Rilindja” të Kosovës etj. etj. Kështu nga prerja e degës së Filozofisë që unë kreva për 4 vjet dhe e këtij pasioni “të çmendur” që kisha për shqiptarët e trojeve etnike, doli tema ime për Hasan Tahsinin. Prapa Hasanit ishte Çamëria.
S’desha që kohën time ta harxhoja duke u marrë me filozofët e mirëfilltë, si Hegeli, Kanti, Sartri etj. Këta i studionte një botë e tërë. Mua më duheshin filozofët shqiptarë, ideatorët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Dhe një prej tyre, që në mënyrë të natyrshme u ngjiz në kujtesën time, ishte rilindasi Hoxhë Tahsini.
Duke parë albumin e Kristo Frashërit: “Rilindja Kombëtare Shqiptare”, me fotografitë e shpjegimet përkatëse, më tërhoqi vëmendjen figura, pamja e Hoxha Hasan Tahsinit, me atë sarëkem në krye, që s’ishte gjë tjetër në rrethanat që ai jetonte në Perandorinë Osmane, veç shprehje e një njeriu të ditur.
Ai për mua përfaqësonte filozofin shqiptar, shkencëtarin, atdhetarin e flaktë, pedagogun e shquar, rilindasin e kulluar, veprimtarin politik, organizatorin e madh, njeriun e përkushtuar deri në skajshmëri ndaj popullit të vet, çlirimit nacional e progresist shoqëror në mbarë Perandorinë Osmane.
I vetëdijshëm se me kë kisha të bëja, insistova në marrjen e kësaj figure si temë disertacioni dhe, me gjithë pengesat që më nxorën, ia arrita qëllimit. Tani dhe në kanale shtetërore për kualifikimin tim, punoja për të nxjerrë në dritë një rilindas, për të nxjerrë Çamërinë.
I vendosur në rrugën time, eca pa u ndaluar asnjëherë, pavarësisht nga vështirësitë. Më dha dorë dhe fakti që në vitin e tretë, ishte futur nga profesor Zija Xholi, lënda e “Mendimit politik e shoqëror shqiptar”, që merrej me botëkuptimin e rilindasve tanë.
Unë kisha lexuar aq shumë për Rilindjen e rilindasi, në vitet e gjimnazit e të universitetit, aq sa vetëm duke e dëgjuar profesorin tim, i përpija fjalët e tij, dhe është e vetmja lëndë ku gjatë katër vjetëve të studimit për Filozofi, nuk e hapa qoftë një faqe të leksioneve apo libri tjetër, për të lexuar.
Në këtë lëndë kam shkuar “pa përgatitur” dhe mora vlerësimin maksimal..! Qenia e kësaj lënde në programin e degës së Filozofisë, më dha dorë që unë të merrja një temë si ajo që mora, për “Jetën, veprën dhe idetë e Hasan Tahsinit”.
Para se t’i përmbyll këto shënime për njohjen e Çamërisë e të Hasan Tahsinit, nga ana ime, dua të them edhe dy fjalë për rolin pozitiv që luajti ardhja e profesorëve nga Universiteti i Prishtinës në universitetin tonë, për të mbajtur leksione. Ato leksione që kanë mbajtur ata, sidomos në fakultetin e Shkencave Politike e Juridike, ku unë mësoja dhe në fakultetin e Filologjisë, kanë qenë një shkollë e vërtetë për mua.
E si mund të harroj unë leksionet e orientalistit Prof. Hasan Kaleshi, të Prof. Ali Hadrit, të Prof. Syrja Popovcit, të rektorit të parë të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dervish Rozhaja, e dhjetëra të tjerëve që i kemi dëgjuar në dekadën e artë (apo decenien, siç thoshin vetë kosovarët) të viteve ’70-të të shekullit XX-të.
Nuk mund të mos vë në dukje nja dy-tre momente që kanë të bëjnë me problemin në fjalë. Dëgjoja profesor Kaleshin në sallën e madhe të fakultetit tonë. Unë atëhere isha student dhe s’ia përtoja, kur e gjeja të arsyeshme, të bëja dhe “pyetje me spec”. Më kujtohet se në një leksion ai, duke folur për Lidhjen e Prizrenit, me dokumente shfaqi pakënaqësinë që i qe bërë figurës së rilindasit Abedin Dino, në historinë e Shqipërisë.
“Ai ka qenë – theksoi profesori – kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Jugun dhe ka qenë patriot i flaktë si ai. Edhe kur ka qenë ministër i Jashtëm i shtetit Osman, pra në apogjeun e karrierës së tij shtetërore, ai ka deklaruar se jam gati në çdo moment ta braktis postin e lartë që unë mbaj dhe të vij të luftoj si ushtar i thjeshtë i asaj Lidhjeje”.
Dhe koha i dha të drejtë Prof. Hasan Kaleshit në lidhje me Abedin Dinon. Më kujtohet në një leksion tjetër, ku fliste për ndikimet orientale në gjuhën shqipe, përmendi fjalën “çifteli” (instrument muzikor shqiptar i Veriut të Shqipërisë) si ndikim nga turqishtja, si çift-teli (pra vegël me dy tela, siç është në të vërtetë).
Të dy fjalët janë turqisht. Në atë leksion vura re se reagimi i sallës s’qe pozitiv, bashkë me ta dhe unë. Por profesori kish të drejtë. Fjala rridhte nga turqishtja, sado që instrumenti është autentik shqiptar. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm