Nga Prof. As. Dr. Gjergj P. Titani
Pjesa e dytë
Memorie.al / Duke filluar nga ky numër, po fillojmë botimin e një interviste të gjatë me “Artisten e Popullit” dhe “Mjeshtren e Madhe të Punës”, kompozitoren e shquar Dhora Leka. Biseda me të ka filluar shumë kohë me parë, por nuk është botuar pothuajse asgjë, sepse dëshira e saj ka qenë që të përfundonte kujtimet, duke i përmbledhur në një libër të veçantë me titull; “Çaste dhe mbresa nga jeta ime”. Libri është ripunuar disa herë dhe është ballafaquar si me dokumente arkivore ashtu dhe të arkivin personal të familjes së saj. Sot po botojmë prezantimin e parë me kompozitoren e shquar, e cila do të vazhdojë disa numra.
ARTISTJA E FAMSHME QË U DËNUA ME VDEKJE
Znj. Dhora, kur u futët në Grupin Komunist të të Rinjve?
Naxhije Dume kur erdhi në Korçë, banonte në sobalkë, në atë sobalkë ku u strehuan me radhë shumë ilegalë, ku u shtypën fletët e dyllit për komunikatat, ku nën jastëk mbanim të ngrehur këmbëzën e një naganti. Në atë sobalkë ku unë do kompozoja këngën time të parë “Kushtrimi”! Në bërthamën e rinisë antifashiste të të rinjve në Korçë, bënte pjesë dhe shkrimtari i ardhshëm Fatmir Gjata.
Edhe ai në ato vite kishte filluar të shkruante poezitë e tij të para. Një ditë më lexoi disa nga poezitë e tija – dhe kështu lindi ai bashkëpunim i vrullshëm i këngëve partizane si: “Britma e Çlirimit” “Plaku dhe i Riu”, “Himni i Rinisë Antifashiste Shqiptare”, (Rini, Rini), “Kënga për dëshmorin Kristo Isak”, “Hakmarrje”, “Si luftojnë partizanët”, (Ato maja rripa –rripa), e të tjera. Në shtator të vitit 1942, u emërova mësuese në shkollën fillore të fshatit Plasë, bashkë me vëllanë tim, Petro.
Fshati ishte rreth dy orë më këmbë, nga qyteti i Korçës. Por unë sa quhesha mësuese. Punën më të madhe mësimdhënëse e bënte vëllai im, Petroja, i cili dhe ai ishte pjesëmarrës në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ndërsa unë iu kushtova kryesisht veprimtarisë ilegale të luftës për liri. Një rëndësi të posaçme unë i kushtova kompozimit të këngëve. Kështu që nga gushti deri në dhjetor të vitit 1942, unë kompozova këngët “Britma e çlirimit”, “Rini, rini”, të gjitha poezi të Fatmir Gjatës.
Si i bëtë këngët partizane?
Nga fillimi i dhjetorit shkova me shërbim në “Çetën e Devollit”. Ishte e para herë që takohesha me partizanë. Iu mësova partizanëve të çetës këngën “Britma e çlirimit”, që porsa e kisha kompozuar. Dhe s’do kalonin as edhe tre muaj, në një përleshje me forcat fashiste italiane, më 7 mars 1943, me fshatin Hoçisht të Devollit, ranë dëshmorët e parë të çetës: Komandanti Fuat Babani, Demir Pogri dhe Todi i vogël, siç e thërrisnin në Todin, nga fshati Boboshticë i Korçës
Demka (Demiri) e kishte familjen në Korçë. Për të sfiduar okupatorin fashist, trupin e partizanit të vrarë e sollëm për ta varrosur në Korçë. Varrimi u kthye në një demonstratë të fuqishme, që arriti deri në përleshje në vorrezat, demonstruesit u qëlluan me zjarr nga tanket, por revolta vazhdoi edhe nëpër rrugët. Fill pas demonstratës u mblodhën në shtëpinë e Agron Frashërit, një antifashist i vendosur. Atje Fatmir Gjata shkroi menjëherë vargjet e “Hakmarrje”, ndërsa unë kompozova melodinë.
Pas një jave në demonstratë nëpër rrugët e Korçës, jehoi kënga “Hakmarrje rini, dëshmori po thërret”. Kënga “Hakmarrje”, ka qenë një nga këngët më të përhapura dhe që është kënduar në rrethana nga më të ndryshmet. Kur u formua batalioni “Hakmarrje”, me partizanë nga rrethi i Kolonjës, këngën “Hakmarrje”, e kishin himnin e batalionit.
Kur batalioni “Hakmarrja” dhe forca të tjera si batalioni “Fuat Babani” dhe forca të tjera nga terreni, çliruan të parën herë qytetin e Leskovikut (Qershor 1943), ka një episod shumë të bukur: Një grup partizanësh, si çliruan postën e qytetit, i thonë çentralistit t’i lidhë me telefon me qytetin e Korçës. U ndodha me partizanët e “Hakmarrjes”.
Pa ç’pa çentralisti, na lidhi me Korçën. Dhe e dini se ç’bëmë?! Ngritëm dorezën e receptorit, u afruam kokë më kokë të gjithë dhe ia morëm këngës “Hakmarrje rini”. Si na treguan më vonë, koncertin e bërë në receptorin e telefonit, e kish marrë vesh Korça e tërë dhe qe përgjigja më e mirë e lajmeve të përhapura nga fashistët, se gjoja partizanët në këto luftime ishin asgjësuar. “Hakmarrja” u bë jo vetëm këngë sulmi. Me “Hakmarrjen” varroseshin shokët partizanë të rënë në luftë, se në të mishëroheshin e gjithë urrejtja kundër pushtuesit.
Këngët e reja partizane, duhej të këndoheshin në të gjithë Shqipërinë. Lindi nevoja që ato të shkruheshin me nota. Por unë vetë nuk dija që këngët e mia t’i vija në nota! Ishte fillimi i vitit 1943. Afër shtëpisë time banonte Kristo Kono. Ai në ato vite ishte pedagog muzike në Liceun e Korçës (më vonë ai u bë një kompozitor i njohur). Unë atëherë pothuajse bëja jetën e ilegalit dhe qarkulloja në qytet vetëm natën. Një mbrëmje trokas në shtëpinë e profesorit. Më del e motra, “Maqka, – i them – se dua të takoj profesorin”.
– “Janë punë të rrezikshme këto”, – m’u përgjigj kur unë i tregova se përse trokisja në portën e tij. Detyrohem të trokas në portën e Boris Plumbit. Ai ishte nxënës në Liceun e Korçës. Por kishte mësuar t’i binte pianos që i vogël nga një profesor francez, Vinkler quhej pedagogu i liceut. Për tre ditë rresht, ai më strehoi në shtëpinë e tij. Unë i këndoja këngët dhe ai sipas tastierës, m’i vinte në nota. Dhe të mendosh që familja e tij nuk ishte lidhur në atë kohë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, më vonë po.
Këngët e vëna në nota i çova në Tiranë. Udhëtova me letër-njoftim fallco. Shkova në shtëpinë e Gjikë Kuqalit. Ai më çoi në një shtëpi ngjitur shtëpisë së tij, tek Andromaqi Afezolli, bazë ilegale. Dhe për të parën herë atje takova me ilegalin Nako Spiro, udhëheqës i rinisë. Ka qenë një takim emocionant…! Ai vlerësoi shumë rëndësinë e këngëve partizane. Ditët e para të prillit 1943, në Korçë u mor okupatori fashist një reprezalje masive. Rrethoheshin lagje të tëra. Kontrolloheshin me qindra shtëpi.
Qëndrimi në qytet i ilegalëve u vështirësua, kështu që m’u desh edhe mua si shumë ilegalëve të tjerë, të largohesha nga qyteti i Korçës. Në fillim në fushën e Korçës pastaj në fshatrat e Rrëzës dhe më pas në Voskopojë e Vithkuq, ku qenë baza të rëndësishme të Luftës Antifashiste. Në Voskopojë në manastirin e Shën-Prodhomit, një manastir shumë i vjetër, i përmendur rreth e qark për kishën e vogël çudibërëse të Shën-Prodhomit, nga korriku i vitit 1943 për herë të parë u takova me Enver Hoxhën! Ai binte në sy nga luftëtarët e tjerë se ishte i veshur shumë mirë, në brez një dhjetëshe turke me një kordon që i varej nga qafa në brez, pse jo dhe tepër simpatik!
Si i kujtoni fillimet e punës suaj në Radio-Tirana?
Fillimet e mia në radio Tirana, ishin sa entuziaste, të bukura aq dhe të vështira. Për arsye sepse unë nuk kisha as idenë më të vogël, se çfarë pune do të bëja. Në këtë drejtim më ka ndihmuar shumë Islam Proseku, i cili dinte me imtësi çdo emërtim të disqeve dhe vendin e tyre në diskotekë. Ai ishte një punonjës i hershëm i këtij institucioni, në këtë detyrë. Unë çdo ditë hartoja programet muzikore, që do të transmetoja të nesërmen dhe gjatë javës. Ja një shembull i injorancës sime muzikore dhe profesionale.
Një ditë më vjen në zyrë i shqetësuar profesori i nderuar, Mihal Ciko, i cili prej vitesh ishte shef i muzikës në Radio-Tirana, dhe më thotë: – “Dhorë, këtë disk që ke vënë në program dhe që dirigjohet nga dirigjenti i madh Toskanini, a e di se si fillon”? – “Jo nuk e di” -i thashë – “Ja po ta them unë, ku është defekti. Koncerti në muzikën e këtij disku, hapet me himnin nazist ‘Dojçland Yber Alles’”. Ky do të ishte një skandal i vërtetë! Ja kjo isha unë në ato vitet e para të çlirimit. U ndjeva shumë ngushtë dhe që në atë çast i vura detyrë vetes, të studioja për muzikë. Kjo ishte ëndrra ime.
E kuptova se nuk mjaftonte vetëm kompozimi i këngëve partizane, por duhej të njihja në themel dhe të studioja muzikën, historinë e artit, shkrimin e notave, harmoninë, pra gjithçka. Kam punuar në Radio-Tirana, deri sa u nisa për në Bashkimin Sovjetik për studime. Me grupin e parë të studentëve që u nisëm në Bashkimin Sovjetik, isha edhe unë. Ky grup shkoi fillimisht në Moskë dhe aty u ndanë degët.
Mua më caktuan në Konservatorin e Leningradit. Këtu fillova studimet, por nuk e përballova dot klimën e ashpër të Leningradit dhe mjekët më rekomanduan të kthehesha në atdhe. Vazhdova punën në Radio-Tirana, derisa më 1948 u nisa përsëri për në Konservatorin e Moskës “Pjotër Iljiç Çajkovskij”, për vazhdimin e studimeve.
Po më tej ç’ndodhi?
Ndodhi pikërisht ajo që unë kisha ëndërruar prej vitesh. Fillova studimet për muzikë.
Si u pranove në Konservator. Si i përballove kërkesat e komisionit të pranimit?
Ditën e caktuar u paraqita para komisionit të pranimit. Unë dija shumë pak rusisht. Kryetari i komisionit më drejtohet duke më treguar me gjeste, që të ulesha në karrige afër pianofortes dhe vuri përpara një partiturë muzikore. Unë ngrita supet, duke u dhënë të kuptojnë, se nuk merrja vesh. Komisioni më bëri disa pyetje, që unë përsëri nuk i kuptova. Më në fund më pyetën, përse kisha ardhur në Konservator? Dhe, unë iu përgjigja me të vetmen fjalë që dija; “uçitsja” (të mësoj) dhe me pak fjalë që dija u thashë, se gjatë luftës kisha kompozuar këngë, këngë lufte.
Dhe papritur pyetje tjetër, fillova të këndoj disa nga këngët e mia partizane. Kur mbarova së kënduari, shpërthyen duartrokitjet nga anëtarët e Komisionit dhe Kryetari i Komisionit më tha në gjuhën e tyre: “Otliçno, otliçno” (Shkëlqyeshëm, shkëlqyeshëm), pranohesh”. Pas kësaj sprove të vështirë, u hartua një program special për studimet e mia, të cilat zgjatën pesë vjet. Kam pasur fatin e madh se, më caktuan profesorët më të mirë, të njërit nga Konservatorët më të mirënjohur të Botës. Kështu në nëntorin e vitit 1953, unë mbrojta diplomën me kantatën time simfonike në katër kohë, të titulluar; “Shqipëri atdheu im”, të cilën e ekzekutoi orkestra simfonike e Radio-Moskës.
Në vitet e ardhshme në këtë Konservator, vazhduan studimet edhe shumë studentë të tjerë, si për shembull: Tish Daia, Çesk Zadeja, Lluk Kaçaj, Avni Mula, Ibrahim Tukiçi, Rifat Teqja, Hamide Stringa e, shumë të tjerë, që për momentin nuk më kujtohen. Ata ishin një plejadë e ndritur që i dha hov të pa parë kulturës muzikore shqiptare e, që një pjesë prej tyre shkëlqejnë edhe sot. Në grupin e parë që shkonte në Bashkimin Sovjetik, vetëm unë isha vajzë dhe do të studioja për muzikë.
Kurse të tjerët ishin: Stefanaq Pollo, Fatmir Gjata, Llazar Siliqi, Alfred Uçi, Zija Xholi, Arben Puto e plot të tjerë, që do të studionin në degë të ndryshme, por që nuk më kujtohen për momentin. Kur fillova studimet në Konservator, me mua ishte vetëm tenori Maliq Herri, kurse në vitet e më vonshme, në Konservator studiuan edhe shumë student, të cilët patën fatin të bëhen personalitete të shquara.
Çfarë mund të na thoni nga jeta juaj personale në Konservator?
Përveç studimeve, një ngjarje e rëndësishme e jetës sime, ishte njohja dhe martesa ime me Çesk Zadejën. Njohja me të ndodhi në Tiranë në vitin 1949, kur ndodhesha me pushimet e verës. Kjo njohje ishte tepër e rastësishme, Në një mbledhje ku takova me “Artistin e Popullit”, dirigjentin e talentuar dhe pasionat të Ansamblit Artistik të Ushtrisë, Gaqo Avrazi, u njoha me një ushtar të ansamblit. Gaqo më prezantoi me pianistin e Ansamblit Çesk Zadenë dhe më tha se; edhe ky ka kompozuar. Mua më bëri përshtypje shumë.
Kur Ansambli i Ushtrisë erdhi për një turne në Moskë, në dhjetorin e vitit 1949, unë u caktova nga Ministria e Kulturës e Bashkimit Sovjetik, të shoqëroja Ansamblin e Ushtrisë dhe të prezantoja në shqip në koncerte të ndryshme. Gjatë këtyre ditëve u miqësova me Çeskun. Më pas bëra çmos që ai të merrte bursë për të studiuar në Bashkimin Sovjetik. Mbas shumë përpjekjesh u realizua edhe ky synim dhe Çesku erdhi për studime në Moskë. Pikërisht në Moskë ne u martuam. Nga kjo martesë ne na lindi një fëmijë i bukur, një djalë, por ky fëmijë fatkeqësisht nuk mbijetoi dhe vdiq disa ditë pas lindjes.
Po më tej si vazhdoi jeta juaj, a patët fëmijë të tjerë?
Jo, nuk patëm fëmijë të tjerë, sepse diktatura bëri atë që kjo martesë, të mos kishte jetë të gjatë. Ne u ndamë kur mua më internuan në Gjirokastër dhe më vonë kur më burgosën. Por, çuditërisht mbas proçeseve demokratike dhe përmbysjes së diktaturës, ne me Çeskun mbetëm miq dhe unë besoj se e kam kryer detyrën time qytetare ndaj tij dhe familjes së tij. Kjo miqësi tepër e sinqertë, vazhdon edhe sot me familjen e Çesk Zadesë, këtij kompozitori të madh.
Gjithsesi, çfarë mund të na thoni për situatën politike në pragun e Konferencës së PKSh-së së Tiranës, në prillin e vitit 1956?
Së pari, dua të theksoj se unë jam shkëputur përfundimisht nga politika. Por gjithsesi nuk mund të them se jam njeri a politik, ndryshe s’ka se si shpjegohet gjithë ai persekutim i gjatë dhe i egër i diktaturës ndaj meje dhe familjes së motrës sime. Me kthimin në Tiranë, u caktova pedagoge në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe në shkurt të ’54-ës, në Konferencën e përgjithshme të Artistëve të vendit, u zgjodha Sekretare e Përgjithshme e Lidhjes së Artistëve të Shqipërisë dhe Kryetar u zgjodh piktori i mirënjohur, Foto Stamo. Në të njëjtën kohë vazhdoja të isha pedagoge në Lice.
Më kujtohet fillimi dhe vazhdimi i punës në Lice. Ishte një veprimtari shumë interesante, të cilën e kam dashur me gjithë zemër, sepse u mësoja të rinjve të talentuar atë që unë kisha ëndërruar dhe mësuar në Konservatorin e Moskës. Lënda që unë jepja, ishte Harmonia dhe Literatura Muzikore, të cilat ua ilustroja studentëve me mjete konkrete didaktike dhe me disqet që kisha sjellë nga Moska. Mbaj mend që studentët e mi të cilët më dëgjonin me përkushtim dhe që edhe sot më përshëndesin me përzemërsi, nga të cilët mund të përmend Robert Radoja, pianisten Margarita Kristidhi, Gaqo Çako, etj.
Ja cila ishte shkurtimisht situata në pragun e zhvillimit të kësaj Konference, e cila bashkë me të tjerë shokë intelektualë, më dënoi edhe mua. Kur vdiq Stalini, unë isha në Moskë. Nuk shkoi shumë dhe filluan të qarkullonin barcoletat (dhe barcoletat janë si ato dallëndyshet, që paralajmërojnë ardhjen e pranverën). Protagonisti ishte Stalini, por, jo “I madhi” Stalin. Pastaj erdhi Kongresi i XX-të. Akulli u thye! Dhe erdhi koha që pas 35 vjetëve edhe në Shqipërinë tonë, më në fund Stalini të rrëzohej nga piedestali. Diktatorët çfarëdo të kenë qenë, të bardhë, të kuq, të verdhë, të zinj, një fund kanë: Turpin!
Të flisje në vitin ’55-’56, apo më vonë, për kultin e Stalinit, cilësoheshe: anti-sovjetik; armik i Partisë në një kohë kur vendi sovjetik vetë e akuzonte Stalinin për krime të llahtarshme dhe si diktator. Vetvetiu ngrihet pyetja: Po kulti i Enver Hoxhës? A s’këndoheshe atëherë, nga një grup polifonik; “Në Shqipëri nuk ndrit Diell e nuk ndrit Hënë/ Enver Hoxha vendin u ka zënë”.
Dhe nuk mendohej fare se, duke u zënë Dielli dhe Hëna, ndodh Eklips, mbulon errësira; se sado që të ndrisë një njeri, qoftë ky edhe me përmasa vigani, nuk mund të zëvendësojë jo diellin shkëlqimplotë, apo hënën dritëzbehtë, por as edhe një prozhektor si dokudo. Ja se si këto bëma të kohës më dalin në kujtesën e tulatur, duke biseduar me ju edhe sot e kësaj ditë.
Ç’mendim keni për ngjarjet e atyre ditëve zonja Dhora?
Si gjithnjë, ajo që u ndërgjegjësua e para qe inteligjenca shqiptare. Dhe ndodhi që gjitha këto dukuri, thellësisht negative që paralelizoheshin, nuk mbetën pa u pasqyruar në një Konferencë partie, siç qe ajo e Tiranës, mbajtur në 14 prill 1956, që nga rëndësia e parashtrimit të problemeve, e kalonte një Kongres të zakonshëm.
E gjithë kjo tendencë marrje fryme lirisht ndodhte në Shqipëri atëherë kur ende nuk kishte shpërthyer as në Hungari Revolucioni i vitit 1956, që ishte larg “Pranvera e Pragës”, shumë më larg “Solidarnosti” në Poloni dhe shumë, shumë larg akoma, nga koha që nxori në krye të Bashkimin Sovjetik, Mihail Gorbaçovin, që la të fryjnë dhe në Lindje erërat e ngrohta të Perëndimit.
Reflekse të tilla pati dhe para dhe pas Konferencës së partisë së Tiranës, edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Lidhjen e Artistëve të Shqipërisë. Mjafton të përmend që organizata bazë e dy Lidhjeve ngarkoi të deleguarin e saj për në konferencë (Dhimitër Shuteriqi) të parashtronte në këtë Konferencë këto pikëpamje, gjë të cilën ai nuk e bëri. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm