Nga Prof. As. Dr. Gjergj P. Titani
Pjesa e pare
Memorie.al / Duke filluar nga ky numër, po fillojmë botimin e një interviste të gjatë me “Artisten e Popullit” dhe “Mjeshtren e Madhe të Punës”, kompozitoren e shquar Dhora Leka. Biseda me të ka filluar shumë kohë me parë, por nuk është botuar pothuajse asgjë, sepse dëshira e saj ka qenë që të përfundonte kujtimet, duke i përmbledhur në një libër të veçantë me titull; “Çaste dhe mbresa nga jeta ime”. Libri është ripunuar disa herë dhe është ballafaquar si me dokumenta arkivore ashtu dhe të arkivin personal të familjes së saj. Sot po botojmë prezantimin e parë me kompozitoren e shquar, e cila do të vazhdojë disa numra.
ARTISTJA E FAMSHME QË U DËNUA ME VDEKJE
“Artistja e Popullit”, Dhora Leka, u lind në Korçë më 23.2.1923, në një familje të thjeshtë qytetare. Studimet e mesme i kreu në Institutin Pedagogjik Femëror “Nëna Mbretëreshë”, në qershorin e vitit 1942. Për pjesëmarrjen në aktivitetet revolucionare, u përjashtua dy herë nga kjo shkollë. U emërua mësuese në fshatin Plasë të Korçës, në vitin shkollor 1942-1943.
Nga fundi i vitit 1942, hidhet në ilegalitet. Më vonë, del partizane dhe me armë në dorë merr pjesë aktive në Luftën Antifashiste Naciinal-Çlirimtare, deri në ditën e Çlirimit, më 29 nëntor 1944. Duke filluar nga muaji i vitit 1942, Dhora Leka, iu përkushtua kompozimit të këngëve partizane.
Janë të njohura në të gjithë vendin tonë këngët e saj si: “Kushtrimi”, “Rini –rini”, “Që nga gjokset djaloshare”, “Ato maja rripa-rripa, seç gjëmojnë”, “Hakmarrja” e, shumë të tjera. Ajo është autorja e pjesës më të madhe të këngëve të Luftën Antifashiste Naciinal-Çlirimtare.
Nga viti 1948, deri në nëntor të vitit 1953, kreu studimet e larta në Konservatorin e “P.I.Çajkovskij” të Moskës, për kompozicion dhe me kthimin në atdhe, u emërua pedagoge në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Në shkurtin e vitit 1954, në Konferencën e Artistëve, ajo u zgjodh Sekretare e Përgjithshme e Lidhjes së Artistëve.
Në muajin maj të vitit 1956, për pjesëmarrjen aktive në ngjarjet e Konferencës së Tiranës, përjashtohet nga radhët e PPSH-së (ishte anëtare e Partisë Komuniste Shqiptare, që nga gushti i vitit 1942) dhe shkarkohet nga detyra e sekretares së Lidhjes së Artistëve, si dhe nga radhët e saj. Në korrikun e vitit 1956, internohet në Gjirokastër.
Në majin e 1957, arrestohet dhe dënohet nga Gjykata e Lartë Ushtarake, me 25 vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë, heqje e gradës ushtarake “kapiten” e, urdhrave dhe medaljeve, të drejtës së autorit si dhe të drejtës elektorale pas kryerjes së dënimit. Akuza, “Për tradhti të lartë ndaj Atdheut dhe popullit e, element antiparti”. Prokurori në pretencën e tij, kërkoi për Dhora Lekën, dënimin kapital: me vdekje!
Duke përfituar nga amnistitë e kredituara në nëntorët e viteve 1957, 1959, 1962, u lirua nga burgu, në muajin nëntor të vitit 1963 dhe u dërgua forcërisht të banojë në qytetin e Beratit dhe u caktua lëvizje e kufizuar. Në shkurtin e vitit 1966, internohet në Seman të Fierit. Në dhjetorin e vitit 1970, e caktojnë të banojë në Fier, përsëri forcërisht, ku punon si rrobaqepëse.
Më 13 janar 1983, internohet për të tretën here, në fshatin Sheq-Marinës të rrethit Fier, ku jetoi deri në qershorin e vitit 1991 dhe vetëm me përmbysjen e diktaturës së Enver Hoxhës, Dhora Leka u kthye në Tiranë e lirë, optimiste energjike, aktive dhe plot plane të bukura për të ardhmen.
Mbante mbi ’85 vite mbi shpinë, jo pak për një grua, e cila pasi ka luftuar me armë në dorë për lirinë e atdheut, është njohur me një persekucion të gjatë e të pandalshëm të regjimit diktatorial. Ka menduar se pas luftës, liria do të vinte së bashku me një demokraci të re.
Por nuk ka ndodhur kështu. Vala e terrorit mbi “grupet armiqësore” dhe njerëzve që nuk bënin punën e partisë, nuk kurseu as Dhora Lekën, kompozitoren e njohur të këngëve të luftës, nga meloditë e së cilës ishin frymëzuar të gjithë bashkëluftëtarët e saj.
Dhe të gjitha këto ndodhën nën trysninë e një njeriu, për të cilin ajo thotë se; “nuk do ta besoja kurrë, se do të kthehej në një diktator”. Zonja Leka e nis rrëfimin e saj ekskluziv, me kujtime që nga fëmijëria, për të shkuar më pas tek vitet e rinisë së saj në luftë, pasioni për artin, puna në transmetimet e para në Radio-Tirana dhe studimet në Moskë.
Më pas vjen kthimi nga Bashkimi Sovjetik për në atdhe, aktiviteti si sekretare e përgjithshme në Lidhjen e Artistëve, dhe fillimi i persekutimit të gjatë, makabër e çnjerëzor më se 30-vjeçar, nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës. Po kështu në kujtimet e saj vijnë vitet e vështira të burgut e, më pas internimi në Sheq-Marinëz, Fier, Gjirokastër, Berat, Seman.
Ajo do të kujtojë edhe më shumë, përplasjet, intrigat, provokacionet. Por ka dhe një erë të re, ardhja e demokracisë, sfida e madhe ndaj monumentit të diktatorit në ditët e para të demonstrimit masiv, pikërisht në mes të kryeqytetit, në sheshin “Skënderbej”. Rrëzimi i bronzit të tij, do të tregonte dhe fundin e një epoke që mori shumë jetë njerëzish, vetëm për një shkak, “kundërshtarë politik”.
Dhe vetëm pas viteve ’90-të, për Dhora Lekën do të kishte një rifillim të aktivitetit të saj shoqëror, brenda dhe jashtë kufijve të vendit. Për më shumë rreth kësaj, etj., na do njihemi në këtë intervistë ekskluzive me znj. Leka.
Si ndiheni me shëndet, zonja Dhora?
Me gjithë vitet që kam mbi supe, ndihem shumë optimiste dhe e fortë.
Cilat janë përplasjet që iu kanë shkaktuar traumat më të mëdha në jetë?
Janë shumë si gjatë luftës edhe pas saj. Por nuk do të harroj dot kurrë, kur fëmijët e fshatit të Sheq-Marinëz, këndonin këngët e mia partizane dhe më qëllonin me gurë, gjatë kohës që unë vuaja ditët e mija të internimit, dhe thërrisnin; “armikja, armikja”
Pas kaq vitesh si e gjykoni figurën e Enver Hoxhës?
Enver Hoxhën unë e kam njohur shumë herët, në vitet e luftës, por nuk e mendoja kurrë, që do të shndërrohej në diktator. Portretin e tij e kam dhënë në vargjet e librit; “Këngë në shtrëngatë”. Gjatë bisedës me ju në vazhdim do të përshkruaj edhe detaje apo rrethana të veçanta të njohjes dhe punës me Enver Hoxhën.
Cili ishte fati i shokëve të tu, të luftës?
Fati i Tuk Jakovës dihet. Ai ndonëse ishte njeri i përsosur, një kuadër i shkëlqyer e me shumë përvojë, njeri i devotshëm e atdhetar i madh, u eliminua në mënyrë misterioze në burg dhe më personalisht më ka shtyrë pengu që kam patur për këtë krim të jashtëzakonshëm, dhe jam detyruar ta denoncoj me zë të lartë, në njërin nga gjyqet më të bujshme që është bërë kundër grupit të Kadri Hazbiut, në të cilin shkova vullnetarisht, duke patur parasysh vetë Enver Hoxhën, si autor të krimit.
Çfarë përshtypje patët nga intervista e fundit e Ramiz Alisë?
Sikur të kisha patur mundësinë që të lidhesha me të, do t’i kisha thënë: “Mirë që Enver Hoxha iu ka thënë që; ne nuk do t’i persekutojmë fëmijët e kundërshtarëve tanë për fajet e prindërve të tyre”. Desha t’i thosha; po fëmijët e Tuk Jakovës, Bedri Spahiut, Koçi Xoxes, Kadri Hazbiut, Mehmet Shehut e me radhë, çfarë pësuan për dhjetëra vjet?
Pse duhet të sillet me dy fytyra? Pse nuk e përmendi deklarimin e Nexhmije Hoxhës, në Vlorë, në Kongresin e Frontit Demokratik, në 5 qershor 1979, që ishte një nga deklarimet më të turpshme ku thuhej: “Fëmijët e armiqve të partisë e të popullit, do t’i persekutojmë shtatë breza, madje do t’i lemë pa martuar”.
Dhe për çudi, këtë deklarim e bënte një nënë e cila nuk kishte ndjenjën e nënës. Megjithatë mund të them se gjatë intervistës televizive të Ramiz Alisë, here here, kapa ndonjë deklaratë pozitive, të cilat i kam çmuar.
Zonja Dhora, ç’kujtoni nga fëmijëria?
U linda në një familje të varfër qytetare. Babai im Andrea, ka punuar në punë të ndryshme: rrobaqepës, kasap, gjellëbërës, ka shkuar në mërgim në Amerikë, kurse nëna Anastasia, ka qenë fshatare nga Polena e Korçës dhe gjithë jetën ka punuar për të mbajtur në këmbë shtëpinë dhe për të rritur fëmijët. Ne ishim gjashtë fëmijë.
Shpeshherë kur më pyesin se çfarë kujtoj nga fëmijëria, u them: “Më kujtohet burimi i Biliblave”. Kështu e thërrisnim currilin e vogël të ujit, që buronte afër një rrapi shekullor, ku sot prehen eshtrat e dëshmorëve të Korçës. Jeta ime qysh në moshë të hershme, ka kaluar mes përplasjeve.
Përplasje në demonstratën e bukës në vitin 1936 në Korçë, përplasje me okupatorin fashist e më vonë me regjimin diktatorial. Përplasja e parë ka ndodhur kur unë isha 10 vjeç. Babai rrëmbeu çiften të zbonte xhandarët e Zogut që kishin ardhur të na rrëmbenin gjithçka që kishim, sepse nuk kishin mundur t’i kthenin pronarit feudal, taksën e marrjes me qira të tokës bujqësore, pasi kishte qenë një vit i mbrapshtë korrjesh.
Si ju lindi pasioni për muzikën?
Që e vogël kisha dëshirë të madhe të këndoja, këtë dëshirë të zjarrtë ma ngjallte babai i cili, çdo mbrëmje kur kthehej nga puna na mblidhte rreth vatrës apo në verë tek sofati i oborrit dhe ia niste këngës këndonte së bashku me një fqinjin tonë, që e kishte shtëpinë ngjitur.
Qaton, një burrë i gjatë me mustaqe deri tek veshi. Akoma më jehojnë në vesh këngët që ata këndonin, sidomos kënga; “O ç’është një zog, o një zog”. Por babai vdiq nga dëshpërimi, se na nxori nga shtëpia e vogël Kolë Rrodhja, të cilit babai i kishte lënë shtëpinë peng dhe nuk kishte t’i kthente borxhin.
Me rritjen tonë u mor vëllai Petroja, mik i shkrimtarit të njohur Sterjo Spasse, të cilin bashkë me shokë të tjerë, e ftonte në shtëpi dhe bënin “mandolinatë”, siç i thoshim atëherë. Unë rrija prapa derës dhe i dëgjoja. Petroja bëri si bëri dhe bleu një kitarë dhe mandolinë e ma mësoi kitarën mua, vëllait Vani, e motrës së vogël.
Mita dhe kështu ne dinim nga tre akorde sa për të shoqëruar këngën kur këndonim. Çdo darkë në oborrin tonë të vogël plot lule, ne bënim nga një koncert të vogël. Meqë për të gjithë ne s’kishte vegla, unë merrja dy lugë, i vija kurriz më kurriz dhe me to shoqëroja këngën, duke bërë figura ritmike.
Ç’ndodhi më vonë?
Kur mbarova shkollën fillore, Petroja donte që unë të vazhdoja shkollën dhe të bëhesha mësuese. Kështu, në vitin shkollor 1934-1935, unë u regjistrova në Institutin “Nëna Mbretëreshë”, në Tiranë. Në ato vite vëllai i vogël Vani, porsa qe rregulluar shegert në një dyqan manifakture “Sheko”.
Ai më mbante në dhomën e tij, që ia kishin dhënë të zotët e dyqanit dhe për të ngrënë, më kishte pajtuar në një gjellëtore të vogël në pazarin e vjetër, pikërisht atje ku ngrihet sot një pallat 6-katësh, karshi gropës së Hajdin Sejdisë. Mbaj mend se atje kishte vazhdimisht fasule dhe kabuni.
Në shkollën “Nëna Mbretëreshë” veç mësimeve të tjera, ne bënim edhe këngë. Shumë e kam dashur mësuesen e këngës, Marie Paluca (Kraja), që atë vit porsa ishte kthyer nga studimet në Konservatorin e Gracit-Austri. Më vonë do bëhej “Artiste e Popullit”. Në vitin 1938, ne shpërngulemi familjarisht nga Korça, në Tiranë. Banonim në një shtëpi të vogël, në rrugën “Hoxha Tahsin”. Unë në shkollë, në mësime vija mirë. Por 10-të kisha vetëm në muzikë (si i thoshim mësimit të këngës). Por erdhën kohë të vështira për fatin e Atdheut.
Në shkollën tonë zuri të ndiheshe fryma patriotike. Vendin e këngës së preferuar, e zuri: “Për Mëmëdhenë”, “Se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri”, që shpërtheu më e fuqishme në ditët e para të Prillit të 1939-ës e sidomos në demonstratën e 5 prillit. Më kujtohet, jo pa emocion, 5 prilli i 1939-ës.
Isha atëherë rreth të 16 vjetëve. Ishte e para herë që merrja pjesë në demonstratë, në Tiranë. Kush e kush mundoheshe sa më shumë të thërriste: “Për Mëmëdhenë”! Turma e revoltuar u drejtua në Pallatin e Mbretit Zog, shpërtheu portën e hekurt dhe u dynd në oborrin e Pallatit.
Në këtë turmë të elektrizuar, unë ecja deri sa u gjeta afër shkallëve të gurta, tek hyrja në pallat. Dhe atje duke bërtitur: “Duam armë, duam armë”, nga prapa xhamit të dritares mbi shkallë, unë pashë për të parën dhe të fundit herë atë që ne e thërrisnim: Mbreti Zog I-rë.
Edhe pse prapa xhamit, unë e kam të vizuar portretin e tij para syve, me atë ngjyrën e verdhë prej të vdekuri, që tundi disa herë dorën. Kjo ishte e gjitha. Turma u shty nga porta tjetër e Pallatit dhe ne u gjetëm sërishmi në rrugë duke bërtitur. Por zëri ynë, pak nga pak u fashit u shua. Ne u shpërndamë sikush nëpër shtëpitë. U gdhi e Premtja 7 Prill 1939!
E ndërsa populli i Tiranës qe lajmëruar të hynte në strehime se do të bombardonte aviacioni fashist italian, Zogu mori arratinë! Dhe kur dolën nga strehimi, rrugëve të Tiranës pamë të lëvrinin mbi motoçikletë ca ushtarë me pupla gjeli në kapele, që nuk i kishim parë ndonjëherë…!…Fashizmi e kishte zaptuar Atdhenë.
Qëndrimi i familjes sonë në Tiranë, u vështirësua nga gjendja ekonomike dhe vëllai i vogël Vani, nuk na mbante dot e, kështu ne prapë u shpërngulëm familjarisht nga Tirana në Korçë, për të na mbajtur vëllai i madh Petroja, që ishte mësues në fshatin Plasë, një fshat afër Korçës, por unë i vazhdova studimet, duke qenë konviktore e shkollës “Nëna Skënderbeg”, siç u quajt ajo, që më parë ishte “Nëna Mbretereshë”.
Kur u futët në Grupin e të Rinjve?
Ishte pikërisht pushimet shkollore të verës së vitit 1940, kur unë fillova të marr pjesë në Grupin Komunist të të Rinjve. Dhe ishte pikërisht Gjikë Kuqali (pushkatuar në kampin e Prishtinës) ai që për të parën here, më foli për komunizmin, për emancipimin e gruas, për luftën që duhet të bëjë rinia për çlirimin e Atdheut nga okupatori fashist. Ishte Gjika që më njohu me vargjet e Migjenit, kopjuar në një fletore me kujdes.
Dhe nëse në prill 1939-ës u gjeta spontanisht në demonstratë, në demonstratat e tetorit dhe 28 nëntorit të 1941-shit, isha e vetëdijshme “Për Mëmëdhenë”, “Të gjithë ne, o shokë”, “Se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri”, që jehoi më e fuqishme se kurrë ndonjëherë do këndohej e do këndohej, jo më spontanisht, por e organizuar dhe jo vetëm për Mëmëdhenë. Këngë të reja do të lindnin.
Për pjesëmarrjen aktive në demonstratën e 28 nëntorit 1941, së bashku dhe me nxënëse të tjera të shkollës, u përjashtova përkohësisht edhe unë, për t’u përjashtuar sërishmi për të dytën here, në janar të vitit 1942, por për aktivitet revolucionar me konviktorët e shkollës. Por meqë erdhi si ministër i Arsimit Ernest Koliqi, ai dha urdhër të na pranojnë në shkollë.
Por vala e revoltës në radhët e nxënësve të shkollës “Nëna Skënderbeg”, u rrit e u rrit, sa aksioni ndiqte aksionin, u gris flamuri me sëpatat e liktorit, flamuri italian, u gris portreti i Duçes, u rrëmbye shaptilografi i shkollës e, të tjera. Isha atëherë në vitin e fundit të maturës.
Meqë kisha marrë pjesë në rrëmbimin e shaptilografit në maj të vitit 1942, më njoftuan nga organizata (bëja pjesë në rininë komuniste, që në themelimin e saj), se duheshe të largohesha nga Tirana, kështu që sa mbarova provimin e fundit të maturës, pa pritur ceremoninë e dorëzimit të dëftesës së Pjekurisë, unë u nisa për në Korçë.
Pas disa ditëve erdhi në Korçë Naxhije Dume, e dërguar për të ndihmuar në organizimin e rinisë në Korçë. Ajo banoi disa kohë në shtëpinë time (ishte ilegale). Ishim shoqe që në Tiranë: Familjes i kisha thënë se e kam shoqe që në Tiranë e do rrinte ca kohë tek ne, duke ia fshehur të vërtetën. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm