Nga Armand Jonuzi
Pjesa e parë
Memorie.al / “Në kohën e Zogut, ishte më vështirë të bëheshe diplomat, se sa sot”. Uran Asllani, një nga studiuesit e diplomacisë shqiptare të viteve 1914-1944, si dhe djali i një prej diplomatëve më të shquar shqiptarë të viteve ‘30, tregon se një diplomati në atë periudhë i duhej të kalonte disa “sita” që të emërohej në këtë detyrë. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, ai rrëfen të gjitha kriteret që duhet të përmbushte një person që pretendonte të bëhej diplomat. Gjithashtu ai tregon se kur e ka zanafillën diplomacia shqiptare, me cilat vende vendosëm marrëdhënie diplomatike dhe cili ishte misioni i tyre.
Cilat janë figurat më të rëndësishme të diplomacisë shqiptare të asaj kohe? Në këtë shkrim po botojmë edhe listën me emrat e diplomatëve që nga viti 1914-1944 dhe në vijim në numrin e ardhshëm, do botojë listën e të gjithë diplomatëve, nga viti 1944 deri në vitin 2007.
Zoti Asllani, kur ka nisur historia e diplomacisë shqiptare?
Historia e diplomacisë shqiptare është ndofta më e hershme se sa vetë historia e shtetit shqiptar, sepse veprimet diplomatike në objektiv krijimin e shtetit shqiptar, pavarësinë e tij, kanë filluar para se sa të ngrihej flamuri në Vlorë. Madje, veprimet e para kanë qenë që në kohën e Lidhjes së Prizrenit. Një nga personalitetet e jetës politike shtetërore të asaj kohe, që në të njëjtën kohë ka qenë edhe diplomat i shquar i Perandorisë Osmane, ka qenë një nga atdhetarët shqiptarë me emrin Abedin Pashë Dino.
Ky njeri, fill pas Kongresit të Berlinit, ishte ministri i Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane, dhe si i tillë ka lozur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në mbrojtjen e trevave dhe trojeve shqiptare në suazën e mbrojtjes së Perandorisë Osmane. Ndaj, veprimtaria diplomatike shqiptare nuk duhet kuptuar si një veprimtari shtetërore, por si një veprimtari që ka pasur si synim mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare. Shpesh na thonë se Rilindja shqiptare, është e vonshme, ndërkohë kur shtete të tjera të Ballkanit, Rilindjen e tyre Kombëtare, e kanë pasur para dy shekujsh, apo një shekulli.
Ne e filluam veprimtarinë e Rilindjes Kombëtare, atëherë kur u paraqit rreziku i zhdukjes së tërësisë territoriale kombëtare, atëherë kur e kuptuam se Turqia nuk mund të na mbronte. Atëherë u ngrit një Rilindje Kombëtare që në kuadrin e Perandorisë Osmane, ishte për të mbrojtur tërësinë territoriale të Shqipërisë me katër vilajetet. Nëse do ishin tani bashkë katër vilajetet, Shqipëria do ishte mbi 4 milionë. Pra, është vilajeti i Janinës, që shkonte deri në Prevezë, nga ishte edhe Abedin Pashë Dino. Ishte vilajeti i Manastirit, vilajeti i zonës së Shkodrës dhe vilajeti i Pejës, Kosovë-Shqipëri.
Vilajeti i Shkodrës takonte me Manastirin, edhe Janina takonte me Shkodrën e Manastirin dhe përfshinin brenda Beratin, Vlorën dhe Elbasanin. Pra, atëherë mund ta kemi zanafillën e historisë së diplomacisë. Por fillesat zyrtare i kemi në periudhën e shkurtër të qeverisë së përkohshme të Ismail Qemalit, kur kjo periudhë koincidoi edhe me Konferencën e Ambasadorëve, dhe që për rrjedhojë Shqipëria duhej të prezantohej në Konferencën e Ambasadorëve, me një delegacion dinjitoz.
Dhe ky delegacion u përbë nga njerëzit më të shquar të asaj kohe, në krye të së cilit Ismail Qemali, kishte vënë të birin e Abedin Pashë Dinos, Rasip Dinon. Në një nga telegramet që i dërgon Ismail Qemali atij, i thotë: “Kam bërë një telegram që ti je i deleguari i qeverisë shqiptare”. Dhe ai në Londër, Paris, Vjenë, Romë, kudo ka mbrojtur të drejtat e shtetit shqiptar, në kuadër të Konferencës së Ambasadorëve dhe pastaj, gradualisht, në të gjithë fazat e shtetit shqiptar diplomatik.
Me cilat vende vendosëm marrëdhënie diplomatike?
Fillesat e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ishin pikërisht atëherë kur u kujtua se shteti shqiptar u formua dhe u konsolidua me vendosjen e një princi të huaj. Se historia e Ballkanit është e çuditshme. Të gjitha shtetet që u krijuan në Ballkan, Fuqitë e Mëdha të Evropës, nuk ua besuan udhëheqjen e shtetit njerëzve të vendit. Për shembull, në Bullgari çuan princ gjerman, Ferdinantin. Në Greqi, çuan princin danez, Kotonin; në Rumani princ gjerman. Bënte përjashtim vetëm Serbia, që ishte një mbretëri e vjetër, edhe atje me divergjenca të dy familjeve mbretërore, Karaxhexhoviçët dhe Obramoviçët.
Ndërsa në Shqipëri sollën princ Vidin. Pikërisht atëherë, në qershor të vitit 1914, ne çuam dy përfaqësuesit tanë në dy shtete, që ishin me të vërtetë në atë kohë të rëndësishëm për ne, Austro-Hungaria dhe Italia. Nuk bëhej fjalë për Jugosllavinë atëherë, që ishte një Serbi e vogël dhe nuk bëhej fjalë as për Greqinë. Pra, në këto dy vende, qeveria e Turhan Pashë Përmetit, dërgoi dy personalitete që kishin qenë edhe përpara në kohën e Perandorisë Osmane, njerëz me rëndësi. Këta ishin Syrja Vlora, deputet, dhe Eqerem Libohova, komandant regjimentit të Gardës. Pastaj gradualisht, tamam-tamam, vendosja e marrëdhënieve diplomatike, është bërë pasi ne u njohëm nga Lidhja e Kombeve si shtet.
Kjo ka ndodhur në nëntor të 1921-shit. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk kishim përfaqësues diplomatikë para këtij viti. Meqenëse ne nuk kishim të drejtën të kishim përfaqësues diplomatikë, Shqipëria në disa vende të Ballkanit, kishte emigracion të fuqishëm shqiptar dhe ata kishin nevojë për të mbrojtur të drejtat e tyre, hapi në këto vende zyra konsullore. Të quajtura “zyra të pasaportave”. Këto u hapën në vitet ‘20-‘21 dhe me t‘u njohur Shqipëria si shtet i pavarur, këto zyra u transformuan në konsullata, në krye-konsullata ose në përfaqësi diplomatike, në rang legate.
Kështu ndodhi në Greqi, në Turqi, në Angli, Francë, Itali e në Jugosllavi. Dhe çudia më e madhe ishte se megjithëse SHBA-ës, asokohe nuk kishin fuqi të përfaqësonin fatin e shteteve, nga shkaku i emigracionit të madh shqiptar që kishim në Amerikë, ne hapëm një zyrë konsullore dhe përfaqësi diplomatike në Uashington. Atje u vu një njeri, ndër të paktët e asaj kohe, doktor i shkencave juridike, Kostandin Çekrezi.
Cili ishte misioni i tyre?
I ndërthurur me motivet pse u hapën këto zyra pasaportash, evidentohet edhe misioni i tyre. Misioni i shërbimit diplomatik shqiptar ishte me dy këndvështrime. Këndvështrimi më utilitar, ishte mbrojtja e interesave shqiptare, në këndvështrimin e pajisjes me pasaporta, me viza, që shqiptarët të kishin një dokument me të cilin të njihej nënshtetësia. Një kuriozitet, babai im dhe shokët e tij studentë, kur vajtën në Vjenë, nuk kishin dokumente fare, dhe atë ditë kur Gjergj Pekmezi i pajisi me dokumente shqiptare, e ndjenë veten tamam se ishin shqiptarë. Funksioni i dytë ishte, që pak a shumë në një mënyrë apo tjetër, të normalizonin marrëdhëniet apo të evidentonin të drejtat që kërkonin shqiptarët. Veçanërisht, deri në kohën kur u përcaktuan kufijtë.
Domethënë çështja e kufijve filloi në 1922-shin dhe mbaroi në ‘25-ën. Por në mënyrë të veçantë ishte edhe vendosja e marrëdhënieve tregtare me këto vende me traktate. Ka qenë një periudhë kohe kur Shqipëria eksportonte sasi kolosale lëkure, leshi, djathi. Dhe këto punë duhej të merreshin në formën e traktateve tregtare, të mbroheshin të drejtat e eksportuesve. Pastaj, ishte edhe problemi kur shteti shqiptar u konsolidua dhe ishte e nevojshme një ndihmë ekonomike, financiare, teknike, legjislative në këndvështrimin kompleks të një shteti. Atëherë Shqipëria filloi një politikë, ku kërkohej të mbështeteshim tek anglezët.
Mirëpo, me disa traktate ndërkombëtare që ndodheshin në Evropë, Anglia u tërhoq dhe i mbeti ekskluziviteti Italisë të merrej me to. Kjo sepse edhe vendimi që është marrë për njohjen e shtetit shqiptar, që është marrë në 1921-shin, klauzola ishte nën protektoratin italian. Shpeshherë kur lindte problemi që diplomacia shqiptare dhe Zogu, të kërkonte ndihëm e ndonjë shteti të madh, thoshin; këtë punë ia kemi lënë Italisë. Italia kishte hapur një parullë për detin Mesdhe, i thoshin “Mare Nostro”, (Deti Ynë).
Si zgjidheshin diplomatët?
Kjo është pyetje interesante. Fillimisht kur u krijua shteti shqiptar, s‘kishte këllqe për shumë arsye. E para punë njëherë, s‘kishte strukturë shtetërore solide. Periudha 1920-’28, ishte një gjullurdi e madhe për shtetin shqiptar. Kryengritje pas kryengritjesh, deputetë kundër deputetësh, derisa arritën të dënonin Aqif Pashë Elbasanin. Dhe meqenëse ky shtet i sapoformuar nuk kishte mundësi të bënte një përzgjedhje diplomatësh, edhe për faktin se aso kohe një pjesë e madhe e inteligjencës sonë ishin nëpër shkolla, u morën në shërbim diplomatik, ish-diplomatët shqiptarë në shërbim të Perandorisë Osmane si Myfit Libohova, Sulejman Delvina, Turhan Pasha, Mehmet Konica etj.
Ata kishin qenë konsuj, sekretarë të parë të ambasadave osmane në Athinë, Bernë, Madrid, Romë. Turhan Pasha ka qenë ambasador gati për 25 vjet në Shën Petërburg, pastaj në Romë, pastaj në Madrid. Në fazën e dytë filluan të përzgjidheshin diplomatët shqiptarë të arsimuar të viteve ’20 -’30-të. Hyrja në shërbimin diplomatik aso kohe, vendosej me konkurs, që në vitin 1922. Një nga kërkesat e konkursit ishte që patjetër duhej të kishe mbaruar Juridikun ose Shkencat Politike. Kushti i dytë ishte që të njihje legjislacionin ndërkombëtar, traktatet etj. Kjo ishte nga ana teorike. Ndërsa ana praktike ishte që duhej të flisje dhe të shkruaje traktate juridike, në gjuhën frënge.
Unë kam parë dosje në arkivin e Ministrisë së Jashtme, traktate në frëngjisht, që vetëm në Sorbonë mund të bëheshin. Nga 7-8 konkurrues, vetëm 3 fitonin të drejtën të punësoheshin. Dhe ata merrnin titullin ose gradën e atasheut. Minimalisht nga 6 muaj deri në 1 vit, ata ishin të detyruar të rrinin me këtë titull. Pastaj, nëse do bënin kërkesë për t‘u ri kategorizuar, kalonte sekretar i tretë. Duhet të kalonin dy-tri vjet që të kalonte sekretar i dytë. Pastaj duhet të kalonin po aq vjet, që të kalonte sekretar i dytë, dhe katër-pesë vjet që të bëhej këshilltar legate. Pastaj nga ky pozicion të kalonte në Ministër Fuqiplotë i shkallës së tretë, të dytë e më pas të parë. Në kohën e Zogut, nga 87 diplomatë që kishte, në ‘37-ën kishte vetëm 8 Ministra Fuqiplotë të klasit të parë, dhe ata ishin ish-ministra.
Në çfarë nivelesh ishte diplomacia shqiptare ne vitet ‘20 – 30-të?
Diplomacinë shqiptare në kohën e Zogut mund ta ndash në dy faza: në fazën para ‘25-ës, dhe pas ‘25-ës. Në fazën e parë, diplomacia shqiptare ishte komplet një diplomaci me autoritet individual. Dihej platforma shtetërore dhe mbi atë platformë diplomati e shtjellonte vetë diplomacinë e vetë. Pas ‘25-ës, kur në krye të shtetit shqiptar u vendos një president republike dhe pas ‘28-ës, kur në shtetin shqiptar ky president u bë Mbret, atëherë diplomacia shqiptare e gërshetonte punën e vetë me politikën që zhvillonte mbreti. Megjithatë, deri në ‘27-ën, diplomacia shqiptare ka qenë shumë interaktive. Atëherë ishte problemi ku të ngrihej një fole, të mbërtheheshin.
Në ‘27-ën u mor vesh që këtu sheshin dhe përsheshin do ta bënte Italia. Në ‘26-‘27-ën, u bënë dy traktate që u quajtën traktate të skllavërimit të Shqipërisë. Italia u ul këmbëkryq në Shqipëri. Solli instruktorë në administratën shqiptare dhe në ushtrinë shqiptare. Shpëtoi vetëm xhandarmëria. Xhandarmërinë Zogu ua dha anglezëve, dhe kjo ishte pjesa më e saktë gjatë periudhës së Zogut. Ndërsa ushtria ishte mjaft e dobët, e sabotuar nga italianët, xhandarmëria ishte shumë e fortë. Në këtë fazë, pas ‘27-ës, nuk është aspak e vërtetë ajo që është thënë deri më sot, që politika e Zogut ishte një politikë e nënshtrimit ndaj Italisë. Gjatë periudhës ‘27-‘38, diplomacia shqiptare, përgjithësisht, me ndonjë përjashtim, ka bërë luftë për t‘iu shkëputur Italisë, që të kishte sa më shumë të ishte e mundur mundësi zhvillimi.
Unë kam një korrespondencë të ministrit të Punëve të Jashtme të asaj kohe, që i dërgonte babait tim, që ishte ambasador në Londër dhe i thoshte: “Situata është kjo. Ne importojmë nga Italia 34 milionë franga dhe mund të eksportojmë në Itali gjysmën milioni franga. Duhet të shkëputemi nga tutela italiane. Lufto, ti, zoti Asllani, që të lidhemi me Çekosllovakinë, Gjermaninë etj”. Por kjo ishte pa sukses. Pasi fati Shqipërisë ishte caktuar të ishte i lidhur katërcipërisht me Italinë. Ata tek të cilët kishte besim Zogu, anglezët, vazhdimisht e linin në dorë të Italisë. Me përjashtim të një rasti.
Në ‘34-ën, për të trembur Italinë, anglezët sollën 6 anije lufte në bregdetin tonë. Por kjo ishte episodike. Përfundimisht, me gjithë politikën jashtëzakonisht intensive që ka bërë diplomacia shqiptare, veçanërisht me Raul Ficon, Xhaferr Vilën dhe babain tim, prapëseprapë nuk mundëm dot ta shkëpusnim politikën e jashtme të Italisë me Shqipërinë dhe politikën e jashtme të Shqipërisë me Italinë. Por, e tërë lufta ishte si e si të përfitonim me sa mundeshim me ato traktate dypalëshe që lidheshin, por që nuk zbatoheshin aq sa duhet.
Cila është periudha më e artë e diplomacisë shqiptare në ato vite?
Unë do të thosha se periudha më e artë e diplomacisë shqiptare është pikërisht periudha kur ne u prezantuam në arenën kombëtare, periudha 1921-‘25. Megjithëse nuk mund të thuash “periudhë e artë”, pasi ne nuk kemi shkëlqyer me politikën tonë të jashtme, sepse ishte një politikë e një shteti që ishte i varur ekonomikisht nga një shtet tjetër. Megjithatë sukseset që ka pasur diplomacia shqiptare në periudhën ‘20-’23, janë suksese për t‘u shënuar. Një sukses interesant ka qenë gjatë vitin 1936. Diplomacia shqiptare nëpërmjet veprimtarisë qytetare të Mit‘hat Frashërit dhe që u vazhdua më vonë me të tjerë diplomatë, ishte hapja e shkollave shqipe në Çamëri, me mësues shqiptarë të gjuhës të nënës. Kjo ishte një fitore e madhe.
Çfarë roli kanë luajtur diplomatët shqiptarë në arenën ndërkombëtare në atë periudhë?
Rolin e diplomatëve me dinjitet, të diplomatëve të kulturuar, me horizont. Të gjithë diplomatët që kanë qenë titullarë, por edhe në rangun e konsullit, ishin personalitete në fushën e vetë. Ishin personalitete që e kishin konfirmuar veten që në kohën e Perandorisë Osmane. Ishin personalitete të jetës shoqërore, politike, letrare, kulturore shqiptare. Për shembull, Faik Konica, Mi‘that Frashëri, Mehdi Frashëri, ose personalitete ushtarake të rëndësishëm si Ali Riza Kolonja, gjeneral komandant divizioni në ushtrinë shqiptare, Eqerem Libohova, komandant regjimenti, Mehmet Konica konsull, kryekonsull, pra ishin persona që nuk dilnin pa pritur e pa kujtuar në jetën evropiane, por ishin njerëz që njiheshin.
Për shembull, kur ishte puna për të gjetur kryeministër për princ Vidin, e dini kush e rekomandoi Turhan Pashën për kryeministër? Cari i Rusisë. Kur e mori vesh që Turhan Pasha që kishte qenë 25 vjet ambasador i Turqisë, ishte shqiptar. Po ju sjell një shembull. Kur Hitleri, pas takimit me dy ambasadorë në Gjermani, i thotë ministrit të tij të Jashtëm; “kam njohur sot një ambasador të madh të një vendi të vogël, dhe një ambasador të vogël, të një vendi të madh”. E kishte fjalën për ambasadorin shqiptar, Rauf Fico, i cili ishte mjaft dinjitoz si në kulturë ashtu edhe në veshje. Një rast tjetër, nga babai im, Fuat Asllani. Kur shkon në Londër, një muaj pas vajtjes në Londër zhvillohet atje konferenca e parë ndërkombëtare monetare ekonomike. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm