Nga Nafi ÇEGRANI
Memorie.al / Në bodrumin e errët të një ndërtese të Shkupit, ku strehohej Nafi Çegrani, milicia gjeti të mbështjellë në një qese plastike një “armatime” dhe një ditar të trashë, të shkruar me dorë. Në ato faqe, të kapura nga duar të trazura kohe, mund të ishte fshehur një pjesë e së vërtetës së tij. Ndoshta aty, midis rreshtave të mbushur me dhimbje e mendime, i akuzuari kishte rrëfyer atë që nuk mund të thuhej dot me zë – të vërtetën për vetveten.
Ditar i grabitur – e vërteta e fshehur
Në verën e rëndë të vitit 1981, kur mbi shqiptarët rëndonte hija e policisë dhe e UDB-së, në Shkup ndodhi një akt që sot tingëllon si skenë e një drame të zymtë historike: grabitja e ditarit tim personal. Në bodrumin e ndërtesës ku banoja, milicia jugosllave, e udhëhequr nga shërbimet sekrete, futi duart në një qese plastike ku ndodheshin disa shënime, të cilat ato i quajtën “zbrojevka” – armë – dhe krahas tyre, një ditar të trashë, të shkruar me dorë.
Ky ditar nuk ishte as “provë”, as “rrezik për shtetin”. Ishte vetëm zëri im i brendshëm, kujtesa ime, dhimbja ime, pyetjet dhe përgjigjet që nuk mund të shpreheshin me zë në një shoqëri të shurdhër. Ishte hapësira ku njeriu shkruante me besim se të paktën letra nuk tradhton. Por edhe letra, e kapur nga duart e policisë, u bë “faj”. Revista beogradase ‘Ilustrovana Politika’ më 1981, e botoi këtë ngjarje si një sensacion të vogël propagandistik: “Ndoshta i akuzuari në ato faqe ka rrëfyer një pjesë të së vërtetës për veten e tij”?!
Kështu shkruante ajo. Por çfarë të vërtete? Të vërtetën time intime, të cilën ata e quajtën të rrezikshme. Të vërtetën e një njeriu që donte ta ruante dinjitetin dhe identitetin e tij, që besonte se shkrimi është një mbrojtje kundër harresës. Grabimi i ditarit tim ishte më shumë se një akt policor. Ishte një tentativë për të shuar kujtesën, për të kontrolluar edhe ëndrrat e një njeriu. Por asnjë aparat, asnjë shërbim sekret, nuk mund ta burgosë fjalën e shkruar, deri në fund.
Sepse ajo mbijeton si dëshmi. Sot, kur e kujtoj atë moment, e shoh ditarin tim të grabitur si një simbol: simbol i kujtimeve të vjedhura, por edhe i një të vërtete që nuk mund të fshihet. Ai ditar ishte gjyqi im i parë me historinë – dhe historia, sado që u përpoqën ta heshti, po e thotë të vërtetën, duke përfshirë kontekstin e vitit 1981, bastisjet, arrestimet dhe propagandën jugosllave.
Zbardhja e kontekstit politik të vitit 1981, bastisjet, arrestimet, propaganda e regjimit jugosllav, dhe mënyra se si u përdor grabitja e ditarit tim si “provë”, për çfarë, për çka? …Viti 1981 mbetet një pikë kthese në historinë e shqiptarëve në Jugosllavi. Demonstratat studentore në Kosovë, u përhapën si rrufe në qiell të hapur, duke kërkuar liri, barazi dhe të drejta kombëtare. Pushteti reagoi me dhunë, duke vendosur një gjendje të jashtëzakonshme të heshtur: arrestime masive, bastisje, gjyqe të montuara.
Në këtë atmosferë ndodhi edhe bastisja në Shkup, në banesën ku unë jetoj. Organet e policisë dhe UDB-së, të udhëhequra nga logjika e paranojës politike, zbuluan në bodrum një qese plastike ku gjendeshin disa shënime që u quajtën “zbrojevka” – sikur të ishin armë. Krahas tyre, ata sekuestruan ditarin tim personal, një libër të trashë, të shkruar me dorë.
Revista beogradase ‘Ilustrovana Politika’ e paraqiti ngjarjen me titullin ironik: “Istina možda u dnevniku” – “E vërteta ndoshta në ditar”. Sipas saj, ndoshta i akuzuari kishte rrëfyer aty një pjesë të së vërtetës për veten. Ishte një mënyrë për të krijuar imazhin e një “faji të pranuar”, për të mbushur boshllëkun e akuzave të fabrikuara.
Në të vërtetë, ditari nuk ishte as “provë”, as “rrezik”, sepse unë dijë se çfarë kam shkruar në të, di cila është brendia e tij nga vitet e kaluara, nga momente, përshtypje dhe mbresa të mia të cilat i kam vë në reshta ditari, të gërshetuara edhe mendimet dhe qëndrimet e mia, për mos i lënë anash as ato ideologjike e politike të kohës.
Ishte thjesht një dëshmi intime, një fletë kujtese ku unë shkruaja për botën time shpirtërore, për përjetimet dhe pyetjet që nuk guxoja t’i thosha me zë apo publikisht nga droja që kisha nga agjenturat jugosllave e veçmas nga UDB-ja, si një ish-zyrtar i tyre që isha dikur, sepse, isha i vetëdijshëm për rrezikun që kisha përballë dhe survejimet e tyre të fshehta, në veçanti me arratisjen time në SHBA-ës. Ata nuk ishin dakord me botëkuptimet e mia dhe qëndrimet me motive politike që kisha si shqiptar dhe ata lehtë mund ta ngitnin këtë si një akt apo veprim armiqësor ndaj meje.
Kështu, një shënim i brendshëm u shndërrua në “krim politik”. Një dorëshkrim i padëmshëm, u paraqit si kërcënim për rendin shtetëror, siç po ndodh me Ditarin tim të konfiskuar! …Ditarët gjithmonë janë më shumë se fletë të shkruara. Ato janë hapësira të heshtura ku njeriu flet me vetveten, aty ku shpirti gjen strehë nga dhuna e jashtme. Në to, njeriu rrëfen ato që nuk mund të thuhen dot në publik.
Ditarin tim e grabitën për ta kthyer në “provë”. Por, në të vërtetë, ai ishte një pasqyrë e shpirtit.
Ishte një hije që fliste për të vërtetat e heshtura të kohës. Në secilën faqe, midis fjalëve të thjeshta, jetonte një njeri që kërkonte të mbetej i lirë, të ruante dinjitetin e tij, të ruante kujtesën e vet kombëtare. Kur e kujtoj sot atë moment, e shoh si simbol: pushteti i dhunshëm jo vetëm që burgoste trupin, por edhe mendimin; jo vetëm që ndalonte fjalën publike, por edhe shkrimin e fshehtë. Në sytë e tyre, edhe një ditar ishte armë.
Por, në fakt, grabitja e ditarit e ktheu atë në një dokument historik. Ai nuk u zhduk – sepse edhe mungesa e tij flet. Mungesa është dëshmi. Ai ditar i zhdukur është një kujtesë e grabitur, por edhe një e vërtetë e pavdekshme. Në fund, as UDB-ja, as gjykatat e saj nuk arritën ta shlyejnë atë çfarë isha. Ditarin tim e grabitën, por fjalën time nuk arritën ta shuajnë. Ajo fjalë sot del si dëshmi – jo vetëm e dhimbjes sime personale, por edhe e fatit të një populli që kërkoi lirinë e vet.
Bastisja dhe propaganda e fshehtë e UDB-së
… Pra, në vitin 1981, pas shpërthimit të demonstratave studentore në Kosovë, aparati shtetëror jugosllav mobilizoi të gjitha mekanizmat e kontrollit për të shuar çdo zë kritik, çdo shenjë mosbindjeje dhe çdo thërrime lirie shpirtërore. Valët e represionit nuk ndalën vetëm në Prishtinë, apo në qytetet e Kosovës, por prekën edhe Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Dibër e viset shqiptare të Maqedonisë.
Në këtë atmosferë u krye bastisja ndaj meje. Në bodrumin e banesës sime, policia dhe agjentët e UDB-së gjetën një qese plastike. Brenda saj kishte disa shënime të thjeshta që ata i quajtën “zbrojevka” – një fjalë që do të thoshte “armë” – dhe një dorëshkrim të trashë: ditarin tim personal.
Revista beogradase ‘Ilustrovana Politika’, botoi më 1981 një copëz të shkurtër, që e shndërroi këtë ngjarje në një sensacion propagandistik: “U podrumu zgrade u Skoplju gde je stanovao Nafi Čegrani milicija je u jednoj plastičnoj kesi otkrila ‘zbrojevku’ i podeblji rukom pisani dnevnik. Možda je optuženi na tim listovima ispričao deo istine o sebi.” (Në bodrumin e ndërtesës në Shkup ku banonte Nafi Çegrani, milicia zbuloi në një qese plastike një ‘armatime’ dhe një ditar të trashë të shkruar me dorë. Ndoshta i akuzuari në ato faqe ka rrëfyer një pjesë të së vërtetës për veten e tij.)
Ky tekst i shkurtër, i hedhur në një revistë popullore, ishte në të vërtetë pjesë e një strategjie: të diskreditonte, të krijonte imazhin e një “armiku të brendshëm” që vetë-pranohej përmes shkrimeve të tij intime. Ditarin tim e shndërruan në “provë faji”, një provë të cilën nuk e kuptuan dhe nuk mund ta kuptonin kurrë. Ditarët nuk janë dokumente politike, por dëshmi intime. Ata janë hapësira ku njeriu flet me vetveten, ku përshkruan ankthin, ëndrrat, shpresat, të pathënat. Janë letërsi e shpirtit dhe jo armatim.
Ditarin tim e grabitën për ta përdorur kundër meje. Në sytë e tyre, çdo rresht që nuk i përshtatej ideologjisë ishte një thikë, çdo mendim i lirë ishte një plumb. Pushteti nuk mund ta duronte dot fjalën e brendshme, sepse edhe ajo, e mbyllur në faqe letre, kishte fuqinë të thërriste liri. Ata harruan një gjë të thjeshtë: se asnjë aparat policor nuk mund ta shuajë shpirtin e njeriut. Ditarin mund ta konfiskojnë, mund ta fshehin, por ai mbetet dëshmi. Mungesa e tij flet po aq fort sa prania.
… Metoda e grabitjes së dorëshkrimeve nuk ishte rastësi. UDB-ja dhe shërbimet e tjera jugosllave, kishin një praktikë të njohur: çdo shënim, çdo poezi, çdo ditar personal i shqiptarëve interpretohej si “propagandë armiqësore” ose “thirrje për nacionalizëm e irredentizëm”. Shumë të rinj shqiptarë në Kosovë e Maqedoni u dënuan për shkrime në fletore shkollore, për poezi që flisnin për flamurin, për kujtime që përmendnin Shqipërinë.
Në këtë logjikë, edhe ditari im personal u shndërrua në “armë”. Revista ‘Ilustrovana Politika’, duke cituar policinë, nuk kishte për qëllim informimin, por frikësimin. Ajo përpiqej t’i thoshte opinionit jugosllav: “Shikoni, edhe shkrimet personale të këtyre njerëzve janë rrezik”! Kjo ishte mënyra se si aparati i propagandës ushqente narrativën e tij: shqiptarët paraqiteshin si kërcënim i vazhdueshëm, edhe kur shkruanin vetëm për veten.
Për mua, ditari i grabitur nuk ishte thjesht një fletore e humbur. Ai ishte një pasqyrë ku shihja veten dhe kohën time. Ishte një kujtesë e brendshme që regjimi kërkoi ta shlyejë. Por, në fakt, grabitja e ditarit i dha atij një jetë tjetër. Nga një dorëshkrim i thjeshtë ai u kthye në metaforë të kujtesës së vjedhur, të së vërtetës së fshehur. Ai sot është dëshmi jo vetëm e jetës sime, por e fatit të një populli që kërkoi të mbijetojë. Në faqe të tij mund të kenë parë rrëfime për dhimbjen, për shpresën, për dashurinë ndaj vendit tim, për etjen për liri. Këto gjëra për ta ishin “rrezik”. Për mua ishin thjesht të vërteta njerëzore.
Ditar që nuk u përfundua!
Sot, kur e kujtoj bastisjen, e shoh ditarin tim të grabitur si simbol të një kohe ku edhe fjalët e heshtura të një njeriu përktheheshin në “armë”. Por e vërteta është kjo: ai ditar nuk u shua. Ai vazhdon të jetojë në kujtesën time, në fjalën time, në librat e mi. Asgjë nuk mund ta shuajë fjalën që vjen nga thellësia e shpirtit. UDB-ja e grabiti, gjykatat e montuara e përdorën si “provë”, propaganda e përçudnoi, por koha e riktheu si dëshmi. Sot, ai ditar i grabitur është një aktakuzë e gjallë kundër padrejtësisë dhe një fletë e pavdekshme e së vërtetës sime.
…Ditarin tim e kisha nisur shumë kohë më parë, jo si një libër të zakonshëm kujtimesh, por si një fletore të mendimeve dhe dëshmive të mia. Në të shkruaja për jetën time para dhe pas arratisjes sime në Amerikë, për kthimin dhe përballjet që kisha me disa nga figurat më të errëta të aparatit jugosllav të sigurisë. Faqet e tij mbanin emra konkretë:
Nikolla Ilievski, shef i sektorit II të SDB-së, i njohur për arrogancën e tij shoviniste; Kiro Koshtanov, drejtor i Punëve të Përgjithshme të Sekretariatit për Punë të Brendshme të Maqedonisë; e deri te strukturat e KOS-it ushtarak të Armatës Popullore të Jugosllavisë. Unë nuk shkruaja vetëm përshtypje të thjeshta, por edhe analiza të hollësishme mbi praktikat e tyre, përplasjet që kisha pasur, metodat e shantazhit e të presionit që ata përdornin.
Në ato faqe përfshija edhe aspekte statistikore – përqindjet e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi – që pasqyronin realitetin demografik të rajonit. Ky realitet, i mohuar dhe i shtrembëruar nga regjimi, ishte i padurueshëm për ta. Në ditar ishin shënuar gjithashtu mbresat e mia para dhe pas vdekjes së Titos, kur sistemi filloi të dridhej në themelet e veta. Pra, ditari nuk ishte thjesht “intim”.
Ai ishte një dosje e heshtur, një arkiv i vogël personal që unë e kisha nisur të ndërtoj si akt kujtese dhe si një rrëfim për historinë shqiptare. Gazetat jugosllave të viteve 1981–1982, janë plot me shembuj të kësaj linje ‘Politika’(Prill 1981): “Uhapšeno više od 600 lica zbog kontrarevolucionarnih aktivnosti u Prištini i drugim mestima na Kosovu”.
Borba (Maj 1981): “Separatističke grupe u Tetovu i Gostivaru deluju po nalogu neprijateljske emigracije”.‘Nova Makedonija’ (Tetor 1981): “Kod određenih lica pronađeno je oružje, neprijateljska literatura i dnevnici sa irredentističkim sadržajem”. Këto shkrime konfirmojnë modelin: çdo shprehje e lirë intelektuale, çdo dokument privat që sfidonte narrativën zyrtare, kthehej në “provë” kundër shqiptarëve.
Ditar i grabitur nga bodrumi i Shkupit nuk është thjesht kujtesë personale. Ai është dëshmi e dhunës së strukturave të UDB-së ndaj intelektualëve shqiptarë, dëshmi e një kohe kur edhe fjala e shkruar në një bllok privat konsiderohej kërcënim për shtetin. Sot, edhe pse ai ditar mungon fizikisht, rrëfimi i tij vazhdon të jetojë në kujtesën tuaj dhe në të vërtetën që del në dritë.
Historia ime është vetëm njëra nga qindra që presin të dokumentohen. Sepse padrejtësia e harruar nuk shuhet – ajo kthehet, përsëritet, bëhet plagë e re mbi trupin e kombit. Dinjiteti nuk matet nga gjykatës të shantazhuar, as nga aktvendime të fabrikuara në zyrat e errëta të UDB-së.
Dinjiteti matet nga ndërgjegjja e njeriut dhe nga gjykimi i historisë. Edhe kur drejtësia ligjore dështon, dëshmia mbetet. Ajo mbetet si kujtesë, si gur varri mbi të pavërtetën, si paralajmërim për brezat që vijnë dhe si thirrje e pashuar për një drejtësi të vërtetë.
Ditarin tim e morën, e grabitën, e konfiskuan dhe ndoshta e fshehën në ndonjë sirtar apo kasaforte për mos pa më dritën e diellit, ose ndoshta disa faqe të tij i kanë hequr qëllimisht, ose ndoshta sa e sa fletëza të shkruara me dorën time i kanë përdhos nga inati, por shpirti i asaj dëshmie që e mbaj kaq të freskët në kokë dhe në mendimet e mia të gjalla, nuk mund të konfiskohet apo zhduken. Do t’i shkruaj dhe rishkruaj sërish në memoaret e mia. Sepse çdo fjalë e shkruar nuk ishte vetëm rrëfim personal, por ishte pjesë e së vërtetës së një populli që kërkonte rrugën e Diellit dhe dritës, të jetonte i lire në trojet e veta etnike shekullore. / Memorie.al