Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e pesëmbëdhjetë
Memorie.al / Që nga fundi i nëntorit të vitit 1944 kur erdhi zyrtarisht në pushtet, e deri sa vdiq në vitin 1985, diktatori komunist Enver Hoxha, duke dashur që t’i ngjante idhullit të tij, Josif Visaranoviç Stalinit dhe duke ndjekur “rrugën” e tij, hera herës ndërmerrte spastrime në udhëheqjen e lartë të PPSH-së, gjë të cilën praktikisht e kishte filluar që nga viti 1941, me Anastas Lulën e Sadik Premten, e vazhdoi me Koci Xoxen (dhe grupin e tij) në vitin 1948-’49 dhe e mbaroi në vitin 1981-’82, me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut”. Në këtë interval kohor prej më se katër dekadash, siç dihet tashmë, ai eliminoi pothuaj të gjithë themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare, anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së dhe drejtuesit kryesorë të ashtuquajturës “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare”, aq sa nga viti 1960 e, deri në shembjen e regjimit komunist në 1990-ën, vetëm Pilo Peristeri kishte shpëtuar nga burgu apo internimi, duke iu gëzuar privilegjeve si kandidat i përjetshëm i Byrosë Politike dhe funksionit të drejtorit të Kombinatit të Autotraktorëve “Enver Hoxha”!
Por, ndryshe sa kishte bërë deri në fillimin e viteve ’70-të, ku “shpata” e Enver Hoxhës kishte rënë kryesisht mbi udhëheqjen e lartë të PKSH-së, (Koci Xoxe, Kristo Themelko, Sotir Vullkanim Ramadan Çitaku, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Liri Gega, Gjin Marku, Koço Tashko, Liri Belishova, etj.), të cilët ai i kishte akuzuar për “devijatorë të vijës së Partisë” dhe i kishte dënuar si “tradhtar dhe armiq të popullit”, në mesin e viteve ’70-të, diktatori Enver Hoxha filloi goditjen edhe ndaj disa anëtarëve të Byrosë Politike, që mbanin edhe poste ministrore, si Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi, duke i akuzuar ata edhe si “sabotatorë” të Ekonomisë Socialiste”!
Dhe ashtu siç kishte bërë me Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon, (të cilët u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan), ku për të vërtetuar “veprimtarinë e tyre armiqësore”, Enver Hoxha dënoi me burgje dhe internime edhe një grup të madh oficerësh madhorë, edhe me të ashtuquajturin “Grupi sabotator i Ekonomisë”, ku përveç Këllezit dhe Theodhosit, bënin pjesë edhe dy ministrat Kiço Ngjela e Vasil Kati, u akuzuan dhe u dënuan edhe disa funksionarë të lartë të sektorit të Tregtisë, drejtorë e specialist të njohur, siç ishin Andrea Manço, Ahmet Jegeni, Bardhyl Frashëri etj., si dhe të sektorit të Naftës, si; drejtues, inxhinierë e specialist të njohur, si; Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, Nuredin Skrapari, etj.
Siç do të shohim edhe në dokumentet në fjalë, procesin hetimor ndaj ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor e sabotator i Ekonomisë”, që kishte realizuar Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit, me akuza të montuara dhe dëshmi të rreme apo të marra nën torturë, etj., e vazhdoi edhe Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë me në krye Aranit Çelën, duke i “kanalizuar” akuzat edhe nga ana “juridike”, për të “vërtetuar” ato që kishte thënë Enver Hoxha në Plenumet e Komitetit Qendror të PPSH-së, ndaj Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit etj.
Sa më sipër për të gjithë këta, pas viteve ’90-të, është folur dhe shkruar shumë, si nga pjesëtarë të atyre “grupeve”, familjarë të tyre, etj., etj., Memorie.al ka siguruar dokumentet arkivore të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë të asaj kohe dhe ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku është marrë në shqyrtim “Grupi armiqësor i Ekonomisë”, “Tregtia” dhe “Nafta”, të cilat shohin dritën e botimit për herë të parë, dokumente të cilat po i publikojmë në disa numra, bashkë me fotot e faksimilet përkatëse.
Në pjesën e parë dhe të dytë të këtij cikli shkrimesh, publikuam dokumentet ku bëhej fjalë për ish-drejtorit të Makinaimportit, Andrea Manço me origjinë nga fshati Boboshticë e Korçës, vëllai i të cilit Todo Manço, për vite me rradhë kishte shërbyer si kryeinxhinier dhe drejtor i minierës së kromit të Bulqizës, e gjithashtu për disa legjislatura me rradhë edhe deputet i Kuvendit Popullor, i cili kur u nda nga jeta më 6 nëntor 1974, iu bë një ceremoni madhështore mortore, me homazhe në qendër të Tiranës, ku përveç Enver Hoxhës, mori pjesë e gjithë udhëheqja e lartë e PPSH-së, me në krye kryeministrin Mehmet Shehu.
Ndërsa Todo Manços, (“Hero i Punës Socialiste”) do t’i bëheshin gjithë këto nderime, vëllai i tij, Andrea, afro dy vjet më pas, do të torturohej në qelitë e Sigurimit të Shtetit dhe do të dënohej me vdekje, me pushkatim, si “armik i popullit” dhe “agjent i agjenturave të huaja”, e varri i tij, ende nuk është gjetur! Ndërsa në këtë shkrim, po publikojmë dokumentet ku bëhet fjalë për të ashtuquajturin “Grupi armiqësor në naftë”, me në krye kuadrot dhe inxhinierët e njohur, Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Dhimitër Stefa, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Nuredin Skrapari, Jani Konomi etj., si dhe proces-verbalin e mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, ku është marrë në shqyrtim kërkesa e të dënuarve me vdekje, Koço Plaku, Andrea Manço dhe Milto Gjikopulli, për t’ju falur jeta.
PROCES-VERBALI I MBLEDHJES SË PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, KU U MOR NË SHQYRTIM EDHE KËRKESA PËR FALJEN E JETËS SË TRE TË DËNUARVE ME VDEKJE, ANDREA MANÇO, MILTO GJIKOPULLI DHE KOÇO PLAKU
PROÇES-VERBAL
I Mbajtur në Mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, datë 26.VI.1976, dita e shtunë, Ora 9.00.
Në mbledhje marrin pjesë shokët: Haxhi Llesht (Kryetar), Rita Marko, Shefqet Peçi (Nënkryetarë), Telo Mezini (Sekretar), Jovan Bardhi, Muharrem Sefa, Naunka Bozo, Nuredin Hoxha, Pilo Peristeri, Rrapo Dervishi, Spiro Moisiu, Zina Franja (Anëtarë).
Mbledhja zhvillohet në këtë rend dite:
- Informacion mbi zbatimin e porosive të Presidiumit të Kuvendit Popullor, për parandalimin e mosmarrëveshjeve në punë.
- Propozime për dekorime.
- Propozime për dhënien e shtetësisë shqiptare.
- Propozime për falje dënimesh.
- Propozim e Këshillit të Ministrave mbi emërim ambasadorësh.
Merret në shqyrtim pika katër e rendit të ditës.
Propozime për falje dënimesh.
SEKRETARI I PRESIDIUMIT
Telo Mezini
SHTESË MATERIALI PËR PIKËN PESË E RENDIT TË DITËS
Me datën 17 qershor 1976, Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë dha vendimin kundër grupit sabotator të Naftës.
U dënuan me vdekje:
- Koço Josif Plaku, dtl. 1929, lindur në fshatin Hoçisht Korçë, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, gjëndja nëpunës, me detyrë shefi i kabinetit të përgjithësimit pranë Institutit të Naftës Fier, me profesion inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i martuar ka dy fëmijë, arrestuar më 25 mars 1975, dhe…
- Milto Vasil Gjikopulli, dtl. 1938, lindur në Dhërmi Vlorë, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, gjendja nëpunës, me arsim të lartë, me profesion inxhinier gjeolog në Institutin e Naftës dhe Gazit Fier, i martuar ka dy fëmijë, arrestuar me datën 25 mars 1975, dënuar (të dy) me vdekje (pushkatim) se këta, në bashkëpunim edhe me disa të tjerë (të cilët u dënuan me heqje lirie:
Filip Nashi 25 vjet, Beqir Alia 25 vjet, Protoko Murati 23 vjet, Jani Konomi 23 vjet, Dhimitër Stefa 22 vjet, Nuredin Skrapari 20 vjet), kanë kryer krimin e sabotimit të industrisë së Naftës dhe të Gazit, kanë zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe të dy kanë kryer edhe krimin e tradhtisë ndaj Atdheut.
Nga materialet e çështjes rezulton se, veprimtaria armiqësore sabotuese e grupit është shtrirë në gjithë sektorët e Naftës dhe Gazit, duke e dëmtuar rëndë ekonominë socialiste (dëm që llogaritet në 891.876.800 lekë), aftësinë mbrojtëse të vendit etj. Ata që në fazën fillestare të studimit dhe zbulimit të vend-burimeve nafte – gazmbajtëse, duke pasur për qëllim lënien e vendit pa rezerva, iu kundër vunë kërkesave themelore të orientimeve të Partisë.
Kanë sabotuar kryerjen e punimeve gjeofizike; me qëllim për të thelluar sabotimin janë braktisur strukturat e neogjenit, ishte punuar në likuidimin e vend-burimeve ekzistuese duke i shfrytëzuar ato në mënyrën më barbare etj. Këta nuk kanë përfillur kërkesat e drejta dhe shqetësimet e herëpashershme të punëtorëve dhe të ndërmarjeve përkatëse, për këtë problem.
Me forma të ndryshme kanë zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Në artikujt e ndryshëm që janë shkruar prej tyre, dalin qartë pikëpamjet e tyre armiqësore, ku mohohet lufta e Partisë sonë kundër revizionistive jugosllavë e sovjetikë dhe armiqve të brendshëm, merren në mbrojtje sabotatorët sovjetikë etj. Milto Gjikopulli e Koço Plaku, krimin e tradhtisë ndaj Atdheut e kanë kryer në formën e spiunazhit, duke qenë agjentë të vjetër të Zbulimit Sovjetik.
Milto Gjikopulli që në vitin 1959, ka marrë detyrën që të vendosej në Naftë me qëllim sabotimi, sidomos në sektorin e kërkimit të naftës, detyrë, e cila i ishte përsëritur disa herë nga, agjentura. Ky si projektues autor, bashkautor dhe anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit, ka zhvilluar veprimtari konkrete sabotuese gjer në momentin e arrestimit.
Edhe Koço Plaku, me gjithë qëndrimin e tij mohues, u vërtetua se ka qenë në shërbim të Zbulimit Sovjetik, dhe ka zbatuar detyrat e lëna, sabotimin sidomos në fushën e kërkimit të Naftës dhe Gazit etj.
Vendimi ishte i formës së prerë.
Vetë të dënuarit kanë paraqitur kërkesë për faljen e jetës, kopja e së cilës ju bashkëlidhet.
RELACIONI I PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, DËRGUAR MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, DREJTORISË SË HETUESISË, PROKURORISË SË PËRGJITHSHME DHE GJYKATËS SË LARTË, PËR ZBATIMIN E DËNIMIT ME VDEKJE, ME PUSHKATIM, PËR MILTO GJIKOPULLIN, KOÇO PLAKUN DHE ANDREA MANÇON
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR
MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORISË SË HETUESISË
PROKURORISË SË PËRGJITHSHME
GJYKATËS SË LARTË
Tiranë më 26.6.1976
Presidiumi i Kuvendit Popullor, më datën 26.VI.1976, vendosi të refuzohen kërkesat për faljen e jetës të të dënuarve të poshtë shënuar
- Andrea Kristaq Manço, nga fshati Boboshticë i Korçës, dënuar me vdekje (pushkatim), me vendimin nr. 11, datë 20.5.1976, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
- Koço Josif Plaku, nga fshati Hoçisht Korçë, dënuar me vdekje (pushkatim), me vendimin nr. 13, datë 17.7.1976, të Gykatës së Lartë.
- Milto Vasil Gjikopulli, nga fshati Dhërmi Vlorë, dënuar me vdekje (pushkatim), me vendimin nr 13 datë 17.6.1976
Konç. B. Mosho
Dakt. R. Bijo
Kopje 3
Vendimet e gjykatës të zbatohen. / Memorie.al
SEKRETARI I PRESIDIUMIT
Telo Mezini
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016