Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e katërmbëdhjetë
Memorie.al / Që nga fundi i nëntorit të vitit 1944 kur erdhi zyrtarisht në pushtet, e deri sa vdiq në vitin 1985, diktatori komunist Enver Hoxha, duke dashur që t’i ngjante idhullit të tij, Josif Visaranoviç Stalinit dhe duke ndjekur “rrugën” e tij, hera herës ndërmerrte spastrime në udhëheqjen e lartë të PPSH-së, gjë të cilën praktikisht e kishte filluar që nga viti 1941, me Anastas Lulën e Sadik Premten, e vazhdoi me Koci Xoxen (dhe grupin e tij) në vitin 1948-’49 dhe e mbaroi në vitin 1981-’82, me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut”. Në këtë interval kohor prej më se katër dekadash, siç dihet tashmë, ai eliminoi pothuaj të gjithë themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare, anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së dhe drejtuesit kryesorë të ashtuquajturës “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare”, aq sa nga viti 1960 e, deri në shembjen e regjimit komunist në 1990-ën, vetëm Pilo Peristeri kishte shpëtuar nga burgu apo internimi, duke iu gëzuar privilegjeve si kandidat i përjetshëm i Byrosë Politike dhe funksionit të drejtorit të Kombinatit të Autotraktorëve “Enver Hoxha”!
Por, ndryshe sa kishte bërë deri në fillimin e viteve ’70-të, ku “shpata” e Enver Hoxhës kishte rënë kryesisht mbi udhëheqjen e lartë të PKSH-së, (Koci Xoxe, Kristo Themelko, Sotir Vullkanim Ramadan Çitaku, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Liri Gega, Gjin Marku, Koço Tashko, Liri Belishova, etj.), të cilët ai i kishte akuzuar për “devijatorë të vijës së Partisë” dhe i kishte dënuar si “tradhtar dhe armiq të popullit”, në mesin e viteve ’70-të, diktatori Enver Hoxha filloi goditjen edhe ndaj disa anëtarëve të Byrosë Politike, që mbanin edhe poste ministrore, si Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi, duke i akuzuar ata edhe si “sabotatorë” të Ekonomisë Socialiste”!
Dhe ashtu siç kishte bërë me Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon, (të cilët u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan), ku për të vërtetuar “veprimtarinë e tyre armiqësore”, Enver Hoxha dënoi me burgje dhe internime edhe një grup të madh oficerësh madhorë, edhe me të ashtuquajturin “Grupi sabotator i Ekonomisë”, ku përveç Këllezit dhe Theodhosit, bënin pjesë edhe dy ministrat Kiço Ngjela e Vasil Kati, u akuzuan dhe u dënuan edhe disa funksionarë të lartë të sektorit të Tregtisë, drejtorë e specialist të njohur, siç ishin Andrea Manço, Ahmet Jegeni, Bardhyl Frashëri etj., si dhe të sektorit të Naftës, si; drejtues, inxhinierë e specialist të njohur, si; Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, Nuredin Skrapari, etj.
Siç do të shohim edhe në dokumentet në fjalë, procesin hetimor ndaj ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor e sabotator i Ekonomisë”, që kishte realizuar Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit, me akuza të montuara dhe dëshmi të rreme apo të marra nën torturë, etj., e vazhdoi edhe Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë me në krye Aranit Çelën, duke i “kanalizuar” akuzat edhe nga ana “juridike”, për të “vërtetuar” ato që kishte thënë Enver Hoxha në Plenumet e Komitetit Qendror të PPSH-së, ndaj Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit etj.
Sa më sipër për të gjithë këta, pas viteve ’90-të, është folur dhe shkruar shumë, si nga pjesëtarë të atyre “grupeve”, familjarë të tyre, etj., etj., Memorie.al ka siguruar dokumentet arkivore të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë të asaj kohe dhe ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku është marrë në shqyrtim “Grupi armiqësor i Ekonomisë”, “Tregtia” dhe “Nafta”, të cilat shohin dritën e botimit për herë të parë, dokumente të cilat po i publikojmë në disa numra, bashkë me fotot e faksimilet përkatëse.
Në pjesën e parë dhe të dytë të këtij cikli shkrimesh, publikuam dokumentet ku bëhej fjalë për ish-drejtorit të Makinaimportit, Andrea Manço me origjinë nga fshati Boboshticë e Korçës, vëllai i të cilit Todo Manço, për vite me rradhë kishte shërbyer si kryeinxhinier dhe drejtor i minierës së kromit të Bulqizës, e gjithashtu për disa legjislatura me rradhë edhe deputet i Kuvendit Popullor, i cili kur u nda nga jeta më 6 nëntor 1974, iu bë një ceremoni madhështore mortore, me homazhe në qendër të Tiranës, ku përveç Enver Hoxhës, mori pjesë e gjithë udhëheqja e lartë e PPSH-së, me në krye kryeministrin Mehmet Shehu.
Ndërsa Todo Manços, (“Hero i Punës Socialiste”) do t’i bëheshin gjithë këto nderime, vëllai i tij, Andrea, afro dy vjet më pas, do të torturohej në qelitë e Sigurimit të Shtetit dhe do të dënohej me vdekje, me pushkatim, si “armik i popullit” dhe “agjent i agjenturave të huaja”, e varri i tij, ende nuk është gjetur! Ndërsa në këtë shkrim, po publikojmë dokumentet ku bëhet fjalë për të ashtuquajturin “Grupi armiqësor në naftë”, me në krye kuadrot dhe inxhinierët e njohur, Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Dhimitër Stefa, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Nuredin Skrapari, Jani Konomi etj., si dhe proces-verbalin e mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, ku është marrë në shqyrtim kërkesa e të dënuarve me vdekje, Koço Plaku, Andrea Manço dhe Milto Gjikopulli, për t’ju falur jeta.
PROCES-VERBALI I MBLEDHJES SË PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, KU U MOR NË SHQYRTIM EDHE KËRKESA PËR FALJEN E JETËS SË TRE TË DËNUARVE ME VDEKJE, ANDREA MANÇO, MILTO GJIKOPULLI DHE KOÇO PLAKU
PROÇES-VERBAL
I Mbajtur në Mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, datë 26.VI.1976, dita e shtunë, Ora 9.00.
Në mbledhje marrin pjesë shokët: Haxhi Llesht (Kryetar), Rita Marko, Shefqet Peçi (Nënkryetarë), Telo Mezini (Sekretar), Jovan Bardhi, Muharrem Sefa, Naunka Bozo, Nuredin Hoxha, Pilo Peristeri, Rrapo Dervishi, Spiro Moisiu, Zina Franja (Anëtarë).
Mbledhja zhvillohet në këtë rend dite:
- Informacion mbi zbatimin e porosive të Presidiumit të Kuvendit Popullor, për parandalimin e mosmarrëveshjeve në punë.
- Propozime për dekorime.
- Propozime për dhënien e shtetësisë shqiptare.
- Propozime për falje dënimesh.
- Propozim e Këshillit të Ministrave mbi emërim ambasadorësh.
Merret në shqyrtim pika katër e rendit të ditës.
Propozime për falje dënimesh.
SHOKU TELO MEZINI: Janë tre vetë të dënuar me vdekje, Andrea Kristaq Manço, Koço Josif Plaku dhe Milto Vasil Gjikopulli.
KRYETARI HAXHI LLESHI: A ka ndonjë vërejtje?
Shokët e Presidiumit duan ndonjë shpjegim për këtë nga ana e Gjykatës së Lartë?
SHOKU PILO PERISTERI: Duam shpjegim, nga këta tipa ka dhe shumë të tjerë, mos na shpëtojnë të tjerët, apo do të dalin më vonë.
SHOKU ARANIT ÇELA: Gjykata Andrea Mançon e dënoi me vdekje (pushkatim). Gjatë hetuesisë ky u sëmur nga karceroza, sëmundje burgu kjo dhe u desh që të pezulloheshin hetimet rreth dy muaj, pastaj ai u normalizua. Kjo është një sëmundje që e pësojnë, rrallë, po e pësojnë. Vizita mjekësore që iu bë, e nxjerr në rregull.
Unë vetë e studiova çështjen e këtij, pashë ato letrat që ka bërë, letra shumë të poshtra, por pashë që kishte një farë in-konsekuence në to, herë fliste mirë, herë fliste keq. Mjekët që e vizituan nuk e nxorën të papërgjegjshëm, por në lidhje me këtë njeri, kishte disa momente…!
SHOKU SHEFQET PEÇI: Në raportet e hetuesisë janë këto momente të shenjave të tilla? Ç’thotë ligji për këtë?
SHOKU ARANIT ÇELA: Janë. Këtu nuk ka ndonjë gjë, kjo është një gjë që dihet. Ligji thotë, në qoftë se është i papërgjegjshëm, ai nuk dënohet fare. Në rastin konkret nuk e kemi këtë ne, raportin që ky njeri është i ndërgjegjshëm në veprimtarinë e tij e kemi në rregull. Vetëm dua të them se në çështjen e këtij ka pasur disa momente të tilla, këtë Presidiumi mund ta dijë, nuk ka ndonjë sekret.
SHOKU SPIRO MOISIU: Në këtë lutjen që ka bërë ky për falje, del në rregull.
KRYETARI HAXHI LLESHI: Derisa është i përgjegjshëm, ai do të dënohet. Mua më kujtohet që në Gjyqin Special, Beqir Valteri, luajti këtë rol, unë kam qenë dëgjues por kisha dhe informata, paraqitej si i çmendur, që të mos përgjigjej në gjyq, se duke qenë i çmendur, del i papërgjegjshëm. Me një komision u vërtetua se qe normal.
Në fakt ai asnjëherë s’ka qenë tamam, që kur shtiu mbi A. Zogun dhe vetëm e gërvishti pak, gjithë jetën e tij, me sa di unë, se pak e kam njohur, aventurier ka qenë. E kam fjalën që atëherë u vërtetua që ai nuk qe i papërgjegjshëm dhe tani derisa është vërtetuar që ky ka pësuar një krizë të rastit, por në bazë të mjekëve, është normal…!
SHOKU SHEFQET PEÇI: Unë e kam hallin këtu, ky është tamam tradhtar, por në qoftë se ka dhënë shenjat e një skizofreni, dhe atje në raportet e hetuesisë ishte një gjë e tillë, atëherë sikur vihemi përpara një situate tjetër, apo jo?
SHOKU PILO PERISTERI: Po ai thotë që ka pësuar çrregullime për një moment.
SHOKU SHEFQET PEÇI: Po pse e pyeta unë që janë në proçes-verbalet e hetuesisë, këto shenja?
SHOKU ARANIT ÇELA: Në proceset e hetuesisë dhe të gjyqit, është raporti mjekësor që e ekzaminon këtë njeri dhe thotë që është i përgjegjshëm. Gjithashtu në dosje është raporti mjekësor lidhur me sëmundjen që pësoi ky, karcerozën, domethënë ky e pësoi këtë gjë dhe nuk ishte një manipulim nga sa dimë neve. Pastaj ky e mori veten; atje është e shkruar që është pezulluar hetuesia dhe që ky u sëmur gjatë hetimeve. Kjo është e qartë.
SHOKU PILO PERISTERI: Kisha diçka unë. Thotë p.sh., këtu që ka përvetësuar pasurinë socialiste 3.130 lekë, gjithashtu dhurata etj., 7252 lekë. Atij kostume stofi iu gjendën 20.
SHOKU ARANIT ÇELA: Ne gjetëm atë mall që i ishte marrë ndërmarrjes, ishin 200 stilolapsa të Albimpeksit.
SHOKU PILO PERISTERI: Po kostumet?
SHOKU ARANIT ÇELA: Kostumet i ka blerë vetë ai, po me se i ka blerë, dreqi e merr vesh!
SHOKU PILO PERISTERI: Janë shuma minimale këto për ta dënuar.
KRYETARI HAXHI LLESHI: Si mendoni?
- Andrea Kristaq Manços, i refuzohet kërkesa për faljen e jetës.
- Koço Josif Plakut dhe Milto Vasil Gjikopullit, u refuzohet kërkesa për faljen e jetës.
SHOKU PILO PERISTERI: Këta që janë dënuar me 25 vjet, nuk janë më pak fajtorë.
SHOKU ARANIT ÇELA: Ashtu është shoku Pilo, po ta marrësh nga faji që kanë këta, nga sabotimi që kanë bërë, doli kjo në plenumin e Komitetit Qendror të Partisë, por në gjyq e në hetuesi u zbërthye, u detajua dhe u vendosën këto dënime; por a mund të dënoheshin me vdekje këta, të tërë një për një dhe me hak.
Në këtë rast u mendua kjo; kryesorët e gjithë kësaj pune, janë Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, kjo na del e qartë ne. Këta të tjerët janë bashkëpunëtorë të tyre të ndërgjegjshëm, të poshtër.
Por koka ishte atje, tek Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, ata janë nxitësit kryesorë, se ç’është e vërteta, këta janë të poshtër dhe u komprometuan aq keq, sa që kur i thanë njëherë Abdyl Këllezit, po sikur të kishin vajtur këta të ankoheshin, ku do të venit ju?
– Jo mor, – tha, – ku do të venin këta, këta qenë të komprometuar. Me këtë, nuk dua të them që këta janë vegla dhe kanë bërë ç’u kanë thënë, këta kanë edhe bindjen e tyre, por në qoftë se bëjmë një shkallëzim, ky shkallëzim duhet, që të dalë ajo që është kryesore.
Për Koço Plakun dhe Milto Gjikopullin, u dha dënimi me vdekje, se këta janë agjentë të sovjetikëve dhe sabotimet që kanë bërë, i kanë bërë nën drejtimin e tyre, janë rekrutuar prej tyre, ndërsa këta të tjerët, janë me Abdyl Këllezin. Ata të dy janë dënuar dhe për spiunazh.
KRYETARI HAXHI LLESHI: E drejtë.
- Zëra: E drejtë.
- Miratohet pa ndryshim dhe pjesa tjetër e materialit që përmban propozime për falje dënimesh të ndryshme.
- Mbyllet mbledhja./ Memorie.al
Tiranë, me 26.6.1976.
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016