Nga Artur Meçollari
Memorie.al / Aventura e tre marinarëve që rrëmbyen motovedetën “Mujo Ulqinaku” dhe tentuan arratinë në vitin e largët ‘47, është një nga ngjarjet më të bujshme të regjimit komunist. Është folur e shkruar gjatë për të, është bërë madje dhe një film, “Duel i heshtur”, po në asnjë rast, nuk është zbardhur i plotë qëllimi i aventurës së rrezikshme të tre marinarëve, që guxuan të rrëmbenin anijen e të niseshin drejt “Tokës së premtuar”. Nuk është thënë askund që anija e rrëmbyer “Mujo Ulqinaku”, kishte qenë pjesë e operacionit për minimin e kanalit të Korfuzit dhe njëri prej rrëmbyesëve të saj në ’47-ën, kishte qenë i pranishëm në atë mision sekret, që shkaktoi tragjedinë e tmerrshme me anijet britanike, një vit më parë.
Është fakt që historia e rrëmbimit të motovedetës “Mujo Ulqinaku” në vitin 1947, mbas rënies së komunizmit në Shqipëri, rëndom është vënë në dyshim, sikundër dhe akti heroik i detarit Spiro Kote, që pengoi kapërcimin e anijes përtej ujërave tona. Për arsye të kuptueshme, nuk ka qenë në interes të propagandës ta dokumentonte ngjarjen, sikundër kishte ndodhur. Fund e krye historia e pazakontë ka mbetur te tentativa e arratisë dhe akti heroik i detarit Spiro Kote.
Hulumtimet e fundit për zbulimin e të vërtetës për minimin e Kanalit të Korfuzit në vitin ‘46, kanë nxjerrë në dritë dhe rolin që ka pasur në këtë operacion sekret’ motovedeta “Mujo Ulqinaku”, në ekuipazhin e së cilës kanë qenë dhe tre marinarët që provuan arratinë. Nga shumë fakte e të thëna më tej, provohet se qëllimi i aventurës së këtyre të fundit, ka qenë mbërritja e tyre në Hagë, për të dëshmuar atë që kishin parë me sytë e tyre, kur detarët jugosllav me porosinë e kupolës së Tiranës, minuan gjirin e Sarandës.
Sot, mbas 80 e sa viteve, nuk ka më dyshim se ajo vepër makabre që shkaktoi incidentin e Kanalit të Korfuzit dhe vdekjen e 44 detarëve britanikë, është realizuar në fshehtësi nga Marina Ushtarake Jugosllave, me miratim të udhëheqjes shqiptare komuniste të kohës. Motovedeta “Mujo Ulqinaku”, ka qenë e përfshirë në minimin e gjirit të Sarandës, më 19 shtator 1946 dhe një nga detarët që do të arratisej, kapter Vlash Bushi, kishte dijeni mbi minimin.
Në një rrëfim ekskluziv, kapiteni i rangut të parë, Artur Meçollari, ish-zëvendëskomandant i Forcës Detare, argumenton me bindje se; Vlash Bushi, po të përmbushej aventura e arratisë, do të ishte dëshmitar i besueshëm dhe i pakontestueshëm në procesin e Hagës
Zoti Meçollari, në çfarë rrethanash ka ndodhur tentativa e arratisjes së motovedetës “Mujo Ulqinaku”, në vitin e largët 1947?
Më datën 1 qershor 1947, rreth orës katër të pasdites, sipas raportit të oficerit të parë dhe komisarit të Portit të Durrësit, kapiten Ndoc Gjeluci dhe kapiten Petro Prifti, kapter Vlash Bushi, motoristi i motovedetës “Mujo Ulqinaku”, së bashku me detarët Xhemal Kërniqi dhe Enver Kruçi, pjesë e Kompanisë VI të Marinës, tentuan të rrëmbejnë motovedetën dhe të arratisen drejt Italisë, për të vijuar më tej për t’u paraqitur si dëshmitarë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Motovedeta, mbasi kishte lënë Kepin e Selitës, ishte drejtuar drejt Brindizit.
Por, aventura e çartur e tre marinarëve, nuk shkoi më tej. Detar Spiro Kote, sa zbuloi qëllimin e atij lundrimi, u kacafyt me ta dhe i vrau të tre, mbi bordin e anijes. Fill pas kësaj, e mori vet drejtimin e anijes dhe rreth orës tetë të mbrëmjes u kthye e mbërriti në Portin e Durrësit. Sipas raportit të dy kapitenëve të datës 3 qershor dhe proces-verbalit të detar Spiro Kotes, të datës 2 qershor, eliminimi i tre marinarëve që rrëmbyen anijen, u bë i mundur me armën që detar Kote, kishte fshehur nën batanije.
Në shënimet tuaja nga kjo histori nënvizohet fakti që tentativa e arratisë së 1 qershorit ‘47, kishte lidhje me operacionin e minimit të kanalit të Sarandës një vit më parë, ku humbën jetën 44 marinarë britanikë…?!
Është provuar tashmë se operacioni i minimit është përgatitur me dakortësinë midis Enver Hoxhës dhe Titos, në 19 gusht 1946 në Bled (sot Slloveni). Ka shumë dokumente zyrtare të bëra tashmë publike nga Prof. Paskal Milo dhe Prof. Ana Lalaj, por ato nuk janë prova direkte për kryerjen e minimit.
Provën më të plotë dhe të detajuar e ka sjellë ish-komandanti i ishullit të Sazanit kolonel Mevlan Dervishi, më 29 tetor 2010, përpara se të ndërronte jetë, dhënë për Ilir Matin, gazetar dhe djali i ish-komandantit të Flotës Luftarake Detare, kundëradmiral Abdi Mati. Ja çfarë dëshmon ai: “Në tetor 1946, me erdhi një radiogram, i cilësuar tepër sekret, i cili më urdhëronte t’i vihesha në dispozicion, për çdo gjë, kapitenit të parë të Marinës, Abdi Mati.
Abdiu erdhi në Sazan dhe pas disa ditësh hipëm në anijen jugosllave dhe u nisëm për në Sarandë. Në Sarandë, natën, na qëlloi artileria bregdetare. U kthyem në ishull dhe ditën tjetër u nisem prapë për Sarandë, ku në errësirë u bë hedhja e minave. Sa më kujtohej, merrej masë mbrojtëse, për shkak të vazhdimit të luftës në Greqi. Në atë mision shqiptar, unë kam qenë vëzhgues sikundër dhe Abdi Mati. Kjo është e vërteta. Kaq di, kaq të thashë”.
Po motovedeta “Mujo Ulqinaku” çfarë lidhje kishte me minimin e Gjirit të Sarandës?
Ajo në një farë mënyre ka qenë pjesë e operacionit sekret. Më saktë, ka qenë e pranishme. Tre anijet jugosllave, kanë hyrë në Sazan në mbrëmjen e 17 shtator 1946. Tentativën e parë për të minuar gjirin e Sarandës, anijet jugosllave e kanë bërë në mbrëmjen e 18 shtatorit, por janë goditur me artileri nga bateria e Divizionit të Gjirokastrës, në Kepin e Qefalit. Ditën tjetër, pra në mbrëmjen e datës 19 shtator, anijet kanë kryer minimin në mesnatë, pa u shqetësuar nga artileria, janë kthyer në Sazan në mëngjesin e datës 20 shtator dhe po atë ditë kanë lundruar drejt Jugosllavisë.
Në momentin që tre anijet jugosllave kanë mbërritur në 17 shtator në Sazan, major Mevlan Dervishi, nuk kishte informacion për mbërritjen e tyre dhe i ka dërguar një fonogram Shefit të Shtatmadhorisë, gjenera-lmajor Mehmet Shehu. Ky i fundit i kthen përgjigje, që të lejohen të hyjnë në Sazan. Kjo provon që kapiten Abdi Mati, ka shkuar në Sazan mbasi kanë mbërritur tre anijet. Kapiteni i Portit të Vlorës, toger Pali Carapuli, tashmë i ndjerë, tregonte se Abdi Mati, nuk ka lëvizur nga Vlora drejt Sazanit.
Vetë Pali me një detar, në datat 18 dhe 19 shtator 1946, kanë qenë me urdhër në Bristan (Karaburun), për të ndjekur dhe siguruar lëvizjen e anijeve jugosllave. Abdi Mati ka lëvizur nga Durrësi me motovedetën “Mujo Ulqinaku”, drejt Sazanit. “Mujo Ulqinaku”, ishte motovedeta më e madhe, më e shpejtë dhe e futur përpara gjashtë muajsh, në inventarin e Marinës Ushtarake
Çfarë prova paraqitën britanikët në gjyqin ndërkombëtar për minimin e gjirit të Sarandës nga Jugosllavët?
Britaniket akuzuan palën shqiptare, se kishte lejuar Marinën Jugosllave të minonte gjirin e Sarandës, ose siç u shpreh; Kanalin e Korfuzit. Unë, në librin tim “Incidenti i Kanalit të Korfuzit: drejtësi e anuar”, kam argumentuar se nuk është minuar Kanali i Korfuzit, por Gjiri i Sarandës dhe po ashtu incidenti i datës 22 tetor 1946, ndodhi në Gjirin e Sarandës.
Për këtë britanikët paraqitën në Hagë edhe një skemë, me dy anije të nisura nga Shiberniku, pasi ndaluan në Gjirin e Kotorit, lundruan drejt Sarandës dhe në mesnatën e 19 tetorit 1946, bënë minimin. Skema e britanikëve ishte ndërtuar nga dëshmitë e dy detarëve jugosllavë, të cilët u paraqitën edhe në Gjyqin e Hagës për incidentin dhe gjendet në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Çfarë thanë dy dëshmitarët jugosllavë në gjyq?
Mbas incidentit të dështuar të motovedetës “Mujo Ulqinaku”, britanikët inkurajuan arratisjen e dy detarëve jugosllav, Karel Kovaçiç dhe Zhivan Pavlov, për të dëshmuar në gjyqin e Hagës. Nëse kapter Vlash Bushi, do të ishte arratisur, ai kishte dëshminë e plotë dhe do të ishte dëshmitar i besueshëm, pasi nga data 17, deri 20 shtator 1946, kishte qenë në Sazan dhe kishte parë tre vaporët jugosllav dhe minat në bord, si dhe lëvizjet e tyre.
Gjithsesi, skema britanike përafrohet me skemën e vërtetë të minimit, përveç qëndrimit në Sazan dhe datës së minimit. Në gjykimin tim, Vlash Bushi nuk kishte lidhje direkte me britanikët, pasi ata ishin larguar një vit më parë, por si ndërmjetës, mund të ketë qenë zbulimi italian. Kapter Vlash Bushi kishte shërbyer në Marinën Mbretërore Shqiptare, kur ajo ishte nën tutelën italiane, madje edhe komandanti i saj ishte një oficer i Marinës Ushtarake Italiane.
Dëshmia e Karel Kovaçiçit
Karel Kovaçiç lindi në Lubjanë më 30 korrik 1914. Hyri në Akademinë e Detarisë të Jugosllavisë, në 1 tetor 1933. Para luftës, iu bashkua përsëri Marinës Mbretërore Jugosllave. Gjatë luftës, u internua në disa kampe përqendrimi në Itali. Në 14 mars 1944, u gradua kapiten i rangut të tretë. Në vijim shërbeu në Marinën Federale Jugosllave, si navigator dhe minor, në anijet minaheqëse. Në 6 tetor 1947, Kovaçiç u arratis nga Jugosllavia dhe u vendos në Angli.
Në dëshminë e tij të lëshuar për britanikët në 4 tetor 1948 dhe e paraqitur nga këta të fundit në gjykatë, dëshmonte se: “Rreth datës 18 tetor 1946, janë nisur nga Porti i Shibenikut dy anije (“Mljet” dhe “Meljine”) të ngarkuara me mina gjermane të tipit GY”. Karel Kovaçiç u thirr për të dëshmuar në procesin publik në datën 25 nëntor 1947, ku dëshmoi se: “Ndërsa qëndroja në tarracën e shtëpisë në Shibenik, në datën 17 tetor 1946, në orën 16:20, pashë në bankinën pranë shpellës së Panikovaçit (rreth një kilometër) dy minaheqëset, duke ngarkuar mina. Ky operacion zgjati rreth 1-1,5 orë dhe secila prej tyre u largua mbasi kishte marrë rreth 20 mina detare”.
Po ashtu ai deklaroi se; “një oficer, emrin e të cilit nuk mund ta deklaroj, por që më vonë e deklaroi si nënlejtnant Drago Blazeviç, i kishte thënë se ato mina u vendosen në ujërat e Shqipërisë”. Ky oficer, sipas Kovaçiç, “nuk kishte marrë pjesë në operacion, por i kishte thënë një oficer tjetër”.
Dëshmia e Kovaçiçit ishte kategorike dhe ai përpiqej të shfaqej si e pakontestueshme. Mbas verifikimit të bërë nga një komision ekspertësh i Hagës në Shibernik, ai raportoi se; “në orën 17:35 të se njëjtës ditë, ka qenë e pamundur për dëshmitarin Kovaçiç për të vëzhguar ndonjë gjë, pavarësisht ku ishin bregëzuar anijet në shpellën e Panikovaçit”. Dëshmia e Karel Kovaçiç, nuk u mor në konsideratë nga Gjykata.
Deklarata e Zhivan Pavlovit
Zhivan Pavlov lindi më 16 mars 1916. Ish-marinar i Marinës Tregtare Mbretërore Jugosllave. Gjatë luftës u burgos nga gjermanët, në Kampin e Përqendrimit pranë Greisffald, në Poloni. Në vitin 1945, u fut përsëri në Marinën Tregtare të Federatës Jugosllave, por u arratis nga anija më 25 tetor 1948 në Trieste, pasi siç shprehet në dëshminë e tij; “nuk kisha simpati për regjimin në Jugosllavi”. Autoritetet jugosllave e kanë akuzuar si dezertor dhe si njeri të dyshimtë në marrëdhënie me shërbimet e huaja. Për të qenë sa më bindës në padinë e tij ndaj Shqipërisë, pala britanike nuk mjaftoi vetëm me dëshminë e Kovaçiçit.
Zyrtarët e Londrës që merreshin me çështjen e incidentit, më datën 10 dhjetor 1948, i kishin marrë në kushte të dyshimta një deklaratë Zhivan Pavlovit, i cili dëshmonte se në 27 tetor 1946, kishte parë një luftanije jugosllave të Klasit “M”, në gjirin e Kotorit. Në deklaratën e tij Pavlov shkruante se; “Dukshmëria ishte e mirë dhe ne e dalluam anijen, ishte një minavënëse e Klasit ‘Meljine’. Unë e njoh këtë tip anije, pasi kisha shërbyer në Marinën Mbretërore përpara luftës”. Gjatë shqyrtimit të dëshmisë së Zhivan Pavlovit, trupi gjykues konfirmoi se ishte e panevojshme dëgjimi i saj në seancë publike dhe nuk e mori atë asnjëherë në konsideratë.
Misteri i anijes së mbytur!
Minimi i gjirit të Sarandës, sipas dëshmisë së major Mevlan Dervishit dhe provave shkresore, u bë me tre anije jugosllave, në 19 shtator 1946. Por nuk ka prova sa anije u kthyen në Sazan në mëngjesin e datës 20 shtator. Versioni britanik flet për dy minavuse të klasit “M”, “Mljet” dhe “Meljine”. Në vitin 2008, anija eksploratore “Hercules”, pjesë e ekspeditës nënujore të Institutit Amerikan të Arkeologjisë, në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike, zbuloi dhe filmoi një anije të mbytur në gjirin e Burintit.
Kjo anije është filmuar edhe nga palombari dhe eksploratori Igli Pushtina, në vitin 2022. Anija e mbytur në Gjirin e Butrintit, është një anije e prodhuar përpara ose gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo mund të ketë nën ujë mbi 70 vjet. Anija gjendet në thellësinë 53 m. Në filmime duken qartë shumë mina detare në bordin e anijes.
Por, asnjë shtet nuk ka pretenduar pronësinë mbi këtë anije, si pjesë e historisë dhe trashëgimisë së tij detare. Dyshoj se nga Sazani në datën 19 shtator 1946, janë nisur tre anije për të bërë minimin, por janë kthyer vetëm dy ditën tjetër. Dhe besohet se janë kthyer vetëm minaheqëset e klasit “M”. Zhdukja e provës, minave dhe anijes minavuese, do të mbante të fshehur plotësisht minimin.
Spiro Kote dhe aventura me anijen “Mujo Ulqinaku”!
Në qershor 1947, Spiro Kote ishte vetëm 21 vjeç. Në datën 8 qershor 1947 në Durrës, u mbajt ceremonia e dhënies së detar Spiro Kotes, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, me titullin “Hero Kombëtar”, plotësisht të merituar. Spiro Kote do të vijonte karrierën në Flotën Luftarake Detare.
Mbas studimeve në ish-Bashkimin Sovjetik, në vitin 1959, ai do të ishte një nga katër komandantët e parë të nëndetëseve shqiptare. Më pas komandant i Dragaminës së Madhe në Sazan, duke përfunduar karrierën në detyrën e zëvendëskomandantit të Bazës Ushtarake Detare të Durrësit. Detari Spiro Kote, është krenaria e Forcës Detare, së bashku me dy heronjtë e tjerë të popullit, Mujo Ulqinaku dhe Ilia Dashi.
Motovedeta “Mujo Ulqinaku”, përfaqëson simbolin e ri ngritjes së Marinës Ushtarake Kombëtare, pasi ajo është një nga mjetet detare me historinë më të lavdishme në këtë periudhë të historisë së Forcës Detare. Fotoja e hedhjes në ujë të motovedetës “Mujo Ulqinaku”, më 23 prill 1946, përfaqëson dhe simbolizon ri ngritjen e Marinës Shqiptare, me datën simbolike 15 gusht 1945. Në 15 gusht në fakt, u hodhën në ujë motovedetat MS-10 dhe MS-12.
Motovedeta “Mujo Ulqinaku” ka shërbyer në Luftën e Dytë Botërore, në shërbim të ushtrisë gjermane, në rajonin e Sarandës me emrin “JO-84”. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, “JO-84” u godit nga britanikët dhe u fundos në gjendje gjysmë të mbytur. Nxjerrja e “JO-84” nga uji, u bë më 21 shtator 1945 dhe u riparua në Kantierin Detar të Marinës në Durrës. Komandant i motovedetës “Mujo Ulqinaku”, u emërua kapter Anastas Qëndro. Ekuipazh i motovedetës u caktuan nënoficer motorist kapter Vlash Bushi, detar Spiro Kote, detar Vasil Nasto, detar Jorgji Sholla, etj. / Memorie.al