• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Tuesday, July 29, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Ashtu si Sali N., edhe Faik K. mavria, ishte bërë spiun, madje thoshin se ai raportonte jo vetëm të burgosurit, por edhe policët e kampit, prandaj ata e shtynin dhe…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

“Fenomeni më i çuditshëm në burgun e Burrelit, ishte ai i shpjegimit të ëndrrave nga disa, si p.sh., Qemal Demiri nga Vlora, i cili disa ditë para se të vdiste Mao Ce Duni, na tha…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës
“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
Bedri Spahiu
“Tuk Jakova kishte si qëllim që të rrëzonte udhëheqjen e Partisë dhe të dilte vetë …”/ Dokumentet e panjohura të ish-Sigurimit të Shtetit, për zëvendësin e Enver Hoxhës!
“Kur Pjetër Arbnori dhe Z.K. do të shkonin në Tiranë në mbledhjen e grupit, si përfaqësues të Durrësit, agjenti ‘Vullnetari’…”/ Dokumentet e panjohura të Sigurimit, për 19 rrethe të vendit
“Hoxhë Selimi Brahja, u vra në gusht 1943, te xhamia e Saukut, nga një njësit i çetës së Pezës, kurse Hafiz Ali Korça, u survejua nga Sigurimi, deri në moshën 80-vjeçare …”/ Represioni komunist mbi klerin mysliman

Nga Uran Kalakulla

Pjesa e dyzetetre            

                                                        Nazizmi dhe komunizmi

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.

Gjithashtu mund të lexoni

“Në mëngjesin e 29 korrikut 1944, forcat britanike filluan sulmin nga deti, drejt pozicioneve të gjermanëve dhe beteja vazhdoi gjithë ditën, por ne…”! / Dëshmia e ish-partizanit, për çlirimin e Himarës

“Duke studiuar filozofin kobzi Egezia, ‘këshilltarin e vdekjes’, Mustafa Bajraktari filloi të humbte shpresat dhe një ditë, me copa çarçafi të bëra si litar, ai…”/ Historia e trishtë e filozofit autodidakt nga Tropoja

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KQB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                               Vijon nga numri i kaluar

Edhe te spiunët mund të dalloje disa nënkategori. E para përbëhej nga ata lloj “maluketërish” që, si homoseksualët, thuajse kishin lindur me një predispozite, në mos fiziologjike apo anatomike, të paktën shpirtërore, psikologjike. Sigurisht në fillimet e tyre në jetë, ata ishin si ata brejtësit e pajisur me mustaqe të gjata fort, të cilat u shërbenin si antena apo radarë, sa për të ndihmuar nuhatjen aq edhe të parin, në kërkim të ushqimit dhe të nuhatjes së rrezikut. Minjtë janë kafshë të kësaj kategorie, në mos edhe felinët apo qentë, sidomos ata të gjahut.

Në rastin me të mirë, zbuluesit ushtarakë apo të spiunazhit, këtë predispozitë e zhvillojnë më tutje, deri në përkryerje. Kështu kam njohur nja dy tipa që, edhe pse pleq në atë kohë, kur unë isha ende i ri në moshë, kishin një përvojë të gjatë si spiunë të kohës së Zogut, të fashizmit dhe domosdo të komunizmit, sido që ky i fundit i kishte rrasur në burg dhe nuk i kishte dënuar aspak lehtë. Më kujtohet sidomos njëri, të cilin e njoha në dhomën nr.2 të burgut të vjetër të Tiranës, ku sapo me kishin çuar pas daljes nga biruca a dhoma e vdekjes, pas faljes së jetës.

E quanin Iljaz Korça. Dhe tmerri ishte se qe i biri i një njeriu fort të nderuar për dije, moral dhe patriotizëm: Hafiz Ali Korça! Ky rast vërteton katërcipërisht thënien e njohur popullore: “Nga ferra del trëndafili e, nga trëndafili – ferra”! Kështu, nga i ati tamam trëndafil, kish dalë Iljazi ferrë. Kurse tjetri, megjithëse rridhte gjithashtu po nga një baba fisnik, trim dhe patriot, edhe ky me nam, mik dhe luftëtar me Sali Butkën, e kishte nisur zanatin e fëlliqur të spiunllëkut qysh në burgun e Barit, ku italianët, pas zaptimit të vendit më ’39-ën, e kishin rrasur si “antifashist”.

Nënkategoria e dytë e spiunëve përbëhej kryesisht nga frikacakë, të cilët duket (si kam thënë edhe diku më parë), i kishin “zbathur brekët” që në hetuesi, ishin dorëzuar te grepi i hetuesit dhe ky, pas dënimit, ia kishte kaluar stafetën operativit të burgut apo të kamp-burgut. Kështu këta ishin njerëz të dobët, që u mungonte, si të thuash, fare “imuniteti” në ndërgjegjen e tyre dhe që kishin dhimbsuri, aq edhe dashuri të pakufishme për jetën e tyre. Për te motoja e vetë qenies së tyre ishte: “Të jetosh me çdo farë mënyre, qoftë edhe duke u tërhequr zvarrë në plehun e jetës, edhe më keq se një zvarranik i pështirë”!

Po ta shikosh drejt, me një lloj paanësie, mund të them se këta element, ishin tamam viktima të dhunës, të presionit të ushtruar mbi ta, qoftë gjatë hetuesisë, qoftë gjatë kohës së burgimit. Një karakteristikë tjetër e këtyre tipave ishte se këta, si rregull, nuk para ishin fort provokatorë, nuk e gjurmonin “gjahun” e tyre, por rrinin në pritje, me durim, derisa ai t’i afrohej, për ta kapur pastaj me “çaponjtë” a, si dreqin quhen ndryshe ato kthetra të gaforreve. Kështu këta nuk kishin dalë, si të thuash, vullnetarë për të hyrë në gjirizin e spiunllëkut, por ishin rrasur atje si me dhunë, të dhjerë në brekë nga frika. Dhe kam mendimin se kjo kategori spiunësh të burgut, përbënte shumicën. Sigurisht edhe këta kishin pasur dikur një ndërgjegje të pastër, por dhuna ua kishte ndyrë, ua kishte shkatërruar.

Dhe po të përpiqeshe të hyje thellë në atë ndërgjegje, edhe mund të gjeje tek- tuk ndonjë shkëndijë të mekur drite, apo ndonjë mbetje ende në këmbë, të ndonjë fragmenti të ndërtesës së tyre të ndërgjegjes, të shembur nga dhuna. Dhe ti, duke parë një rrënim të tillë, besoj se do të ndieje edhe keqardhje, e gati- gati do të mund t’i mëshiroje këto qenie fatkeqe që, nga njerëz që kishin qenë, “djalli i kuq”, me marifetet e tij magjike, i kishte zbritur në një shkallë të ulët zoologjike, në atë të “brejtësve”, apo më saktë “të minjve të birucave”.

Sigurisht, për arsyet e mësipërme, ishin edhe vetë këta që ndienin keqardhje të madhe për shkatërrimin e pësuar, një dhimbje të vazhdueshme shpirtërore, siç i ndodh asaj vajzës, dikur e pastër dhe naive, që ka pësuar dhunë seksuale dhe po nga dhuna është detyruar të bëhet prostitutë. Madje, në raste revoltash në burg, bashkë me trimat, ngriheshin edhe këta nën qenie, si për të marrë hak nga dhunimi që u ishte bërë personalitetit të tyre. Ja, kështu, për shembull, ka ndodhur edhe në revoltën e madhe klasike të Spaçit, tashmë mjaft e njohur në vendin tonë.

Në kategorinë e tretë të spiunëve hynin, sipas mendimit tim, ata që nuk kishin pasur, qysh në konceptimin e tyre si qenie njerëzore (me kontaktin seksual të prindërve të vet), pothuaj asnjë predispozitë pozitive. Përkundrazi ata, kam përshtypjen, i takojnë “kriminelit të lindur” të Lombrosos, kriminalistit të famshëm italian, teoritë e të cilit, siç dihet, gati u bënë normë në hetimin dhe gjykimin ne shkolla të jurisprudencës evropiane dhe amerikane, sidomos në gjysmën e parë te shekullit XX-të. Këta tipa ishin “polivalente” në fushën e së keqes, ashtu siç është elementi kimik, squfuri.

Kështu ata ishin spiunë, hajdutë, homoseksualë, ngatërrestarë e sherrxhinj, intrigantë, egoistë të shfrenuar, prepotentë, injorantë, te panjerëzishëm, banalë, etj. Me një fjalë, ishin ca si derra të egër, që ta binin shpirtin në majë të hundës. Më kujtohen disa prej tyre, ne kamp-burgje, por edhe në burgun e Burrelit. Qysh ne birucat e para të hetuesisë, pata fatin e keq të njoh disa nga këta tipa. Një tip i kësaj kategorie, ishte Sali N., me origjinë nga Jugu, ne mos gaboj nga ana e Gjirokastrës. Ai kishte punuar para burgut si mësues në një shkollë fshati nga Labëria, nuk e di tamam se ku, por atje u kishte marrë shpirtin nxënësve dhe ishte sjellë me ta, si një tiran i vërtetë, një kasap, një lloj Faxhini i Dikensit. Nuk di gjithashtu pse kishte rënë në burg. Dhe ishte bërë një spiun i deklaruar.

E si të tillë e njihnin të gjithë. Por pikërisht për këtë arsye, ai ishte për komandën “kartë e djegur”, arsye për të cilën nuk i jepnin kurrë ndonjë “post”, si brigadier, normist, depoxhi e kështu me radhë, por e kishin lënë si ne të tjerët, vetëm me kazmë. Dhe punonte qeni, se kurrkush s’i vinte në derë të burgut; duket e kishin braktisur edhe familjarët, ndaj punonte të nxirrte ndonjë lek, për pak sheqer e vaj, për ndonjë kile makarona, si dhe për cigare. Sala ishte gjithashtu “polivalent”: spiun, hajdut dhe pederast. Pra një lloj “Kapteri” me tri fije makaronash në spaleta.

E bukura është se Salën nuk e tallnin gjithë të burgosurit, por me të sikur talleshin edhe vetë policët dhe s’ia kishin për pjesë. E shihja ta ndiqte pas operativin, me keq se qeni të zotin, duke iu lëpirë. Por ai buzëqeshte e, si tallej, e përzinte. Duket se, në ata raste, Sala hem denonconte ndonjë të dënuar, hem i kërkonte shpërblimin e punës që sapo kish bërë. Dhe operativi, që s’ia varte për shpërblimin, por e linte gjithnjë në kazmë, pasi largohej nga ai, shënonte në bllokun e tij të xhepit dhe kalonte më tutje, duke u nisur, si thotë një fjalë popullore: “Kur s’ke pula, do hash edhe sorra”! Kështu, në një farë mënyre, edhe Sali N., jepte “kontributin e tij modest”, në ndërtimin e socializmit.

Faik K., ishte, më duket, lab. Ishte një fytyrë shpëlarë, si ata manekinët e vitrinave, por sigurisht edhe pa hijeshinë fiktive te atyre statujave prej allçie. Dhe mbahej pastër, gati deri në mani. Tasi i tij, të cilin e lante duke e fërkuar disa herë në ditë, shndriste për bukuri, sikur atëherë të kishte dalë nga fabrika. E gjithë bota e tij shpirtërore, dukej se kishte përfunduar në atë tas, që ishte si gjithë tasat tanë a gavetat, një aneks mjeran i kazanit me languriq të komandës. Tregonin se kishte pas qenë xhandar dhe ai ishte burgu i dytë i tij. Madje thoshin se në burgun e parë, kishte qëndruar mirë, si shumica, por në të dytin, ishte pjerdhur fare, ishte dorëzuar i tëri. Kështu ishte bërë spiun. Por meqë edhe ai ishte ulur në kategorinë e Sali N., duke u bërë shpesh objekt talljeje e dajaku, edhe Faik mavrisë, i kishte rënë pjaca krejt, dhe shpesh deri policët e shtynin dhe e pështynin, se thoshin që Faiku raportonte në komandë, jo vetëm të burgosurit, por edhe vete policët.

Ymer N., e gjeta depoxhi kur dola së pari në burg. Ishte atëherë mbi gjashtëdhjetë vjeç. Ishte nga një familje e njohur tregtarësh të vjetër tiranas, familje e ndershme. Por ja që Ymeri ishte rrëzuar keqas dhe ishte bërë spiun i komandës. Për shpërblim e kishin bërë depoxhi të burgut, ku ishin teshat tona personale dhe ushqimet. Thoshin se Ymeri merrte “taksë” nga trastat tona, madje ushtronte edhe zanatin e tregtarit aty, me rrogozat që linin të dënuarit kur liroheshin apo transferoheshin nëpër kampe, rrogoza që ua shiste me çmim të kripur të burgosurve të rinj, që të mbroheshin pakëz nga lagështira e çimentos së burgut.

Madje Ymerin e kishin hequr nga dhoma e pleqve, ku duhej ta kishte vendin normalisht në atë burg, dhe e kishin futur në një nga dhomat e izolimit, pikërisht në dhomën e Bedri Spahiut (ku kishte qenë bashkë me Tuk Jakovën, para se ky i fundit të vdiste), e ku futën aty edhe Pjetër Arbnorin. Thuhej që Ymerin e kishin futur me Bedriun, si roje apo, që “ta zbërthente” ish- bashkëpunëtorin e afërt të Enver Hoxhës! Oh, sa të tillë më takoi të njoh gjatë burgimit tim të gjatë. Nuk do të mjaftonte për ta edhe një libër i vetëm, si ky i tanishmi. Prandaj po mjaftohem me kaq.

Hajdutët nuk ishin tjetër veçse ordinerë që, ose ishin transferuar nga burgu ordiner te ne politikët, me një ri dënim të dytë e vetëm simbolik si “armik”, ose gabimisht ishin dënuar që në fillim si politikë, nga që kishin shprehur diku ndonjë pakënaqësi të rastit dhe kishin ditur ta fshehin “talentin” e tyre prej hajni. Kjo nënkategori nuk përbëhej domosdoshmërisht as nga spiunë, as homoseksualë apo grindavecë. Këta ishin thjeshtë hajdutë apo hajdutë të kategorisë së ulet, që Shkodra i emërton fort bukur e shkurt; “brac”. Me një fjalë, këta kishin merak të të “lehtësonin” trastën e ushqimeve, apo të teshave: nga brekët, kanotieret, çorapet, paketat e cigareve, sheqeri, djathi etj. Dhe kur ishin bërë edhe kumarxhinj, atëhere viktimat e para të aksioneve të tyre prej “braci”, ishin paketat e cigareve, që në burgje e kamp-burgje, zinin vendin e lekut, që nuk kishin të drejtë ta shihnin as me sy.

Natyrisht, këto aksione “lehtësimi” të trastave nuk bëheshin pa bashkëpunimin me depoxhiun, me të cilin kishin krijuar një solidaritet a një “sindikatë” të përbashkët. Në këtë mes dilnin në krye hajdutët që ishin ngritur në kategori në zanat, duke fituar në këtë drejtim atë “të shtatën”, pra punëtorë me të kualifikuar, fare afër mjeshtërve. E këta ishin grabitësit. Grabitësit ishin “hajdutë” legalë. Ata i detyronin të dënuarit të venin në depo dhe “i lehtësonin” vetë trastat e tyre, për t’ua kaluar pastaj mallin këtyre mjeshtërve në kategori. Arsyeja?

Kërcënimi për rrahje apo deri në vrasje nëse nuk vepronin kështu. Sepse, nëse të grabiturit ishin zakonisht njerëz të urtë, frikacakë, të bindur dhe të dobët fizikisht, grabitësit ishin “trima të mëdhenj”, me thika ndër xhepa, të fuqishëm fizikisht, trupmëdhenj, të gjatë dhe me bark të pangopur si peshkaqenët. Kështu këta “cuba” e pandehnin veten “aristokracia” e kampit apo e burgut dhe, nga ana tjetër, hiqeshin si trima të mëdhenj, si ajka e anti-komunizmit, si politikanë të shquar, gati si teoricienë, paçka se s’dinin as të shkruanin për së mbari dhe dëfrimi i tyre më i madh, zakonisht ishte të luanin bixhoz ose t’u afroheshin “dylberëve”, duke u futur, nga një herë, haptazi a fshehurazi, në “sindikatën e pederastëve”!

Ishte krejt e kotë sikur të përpiqej dikush që t’i padiste në komandë. Se shpesh këta grabitës ishin në “sindikatë” edhe me komandën, domethënë me vetë operativin. Një “polivalencë” tjetër, kjo! Nënkategoria e fundit e kësaj galerie, apo anatomie të dhimbshme, përbëhej nga grindavecët ose sherrxhinjtë, që shpesh ishin të sëmurë psikikë ose kapadainj, që kishin vendosur ta tregojnë “trimërinë” e tyre në burg, me më të dobëtit fizikisht, me më të urtët, me më të sjellshmit, me zotërinjtë e vërtetë, me politikanët e vërtetë.

Këta, si rregull, ishin gjithashtu të lidhur ose drejtpërdrejt me komandën (operativin) ose tërthorazi. Them tërthorazi se mund të qëllonte në të vërtete që të mos vepronin në udhëzimin apo nxitjen e komandës, por duke bërë sherr e, duke u rënë në qafë njerëzve seriozë e të ndershëm, bënin, dashur padashur, lojën e komandës. Pse a nuk dëshironte komanda që t’u nxihej jeta sa më shumë politikanëve, “armiqve” të vendosur dhe largpamës, pra që komanda nuk kishte as iluzionin më të vogël, se këta të dënuar do të degjeneroheshin si të tjerët dhe që ishin për komandën e regjimin, gjithnjë “armiq te rrezikshëm”, të sotëm e të nesërm, aspak të sigurt për Partinë e pushtetin?

Sherri në burg, zëniet, rrahjet ishin një dramë më vete, tepër shqetësuese, tronditëse. Ato ta shtonin më tepër mërzitjen, të sosnin durimin, ta mpakin vullnetin, të çorodisnin shpirtin. Dhe me to burgu të bëhej dyfish i rëndë. Shkaku i këtyre sherreve, mund të ishte diçka fare e vogël, pa rëndësi, një kleçkë. Fjala vjen një gjest pa të keq, që merrej për ngacmim, një shaka e thjeshtë që merrej si fyerje a insinuatë e hidhur, madje edhe një shikim i kotë, që merrej si sfidë. Dhe atëherë “trimat e çartur”, tërboheshin si demat e Spanjës dhe merrnin yrysh, duke kaluar deri në krimin e vrasjes ndonjëherë.

Në këtë mes shpesh hynin në lojë edhe llafazanët dhe sidomos intrigantët. Këta të fundit ishin në të vërtetë helmi më i rrezikshëm i burgut, se me gjuhën e tyre prej gjarpri, bënin që të shkundullohej nganjëherë një burg a, një kamp i tërë. Dhe duhej shumë durim, maturi, përpjekje e lodhje, që ta neutralizoje efektin helmues të intrigës dhe sherrin që shkaktonte ajo.

Dhe këta “gjarpërinj”, nuk donin të kuptonin që zanati i tyre prej Jagoje, çonte ujë në mullirin e komandës. Ndaj unë i kam futur edhe këta në kategorinë e horrave të burgut, pavarësisht se mund të mos ishin as hajdutë, as homoseksualë, as spiunë të drejtpërdrejtë, dhe kishin në shpirtin e tyre një valencë të vetme, gatuar me helmin fort të neveritshëm dhe të rrezikshëm të intrigës.

Vetëvrasja e filozofit të ri, Mustafa Bajraktarit

Të qëllon mjaft rrallë në jetë, të takosh e të njihesh përse afërmi me një super-intelektual, që i bën nder qenit shqiptar, siç më takoi mua të njihem e të rri afër, me një të ri nga burgu i Burrelit, për vite të tëra. E quanin Mustafa Bajraktari. Dhe tek rri e mendoj për të me dhimbje të thellë në shpirt, me sytë e mi të plakur tashmë, që janë gati të përloten, bashkë me dhembjen ndiej edhe një shqetësim, gati si një faj, nëse do të jem në gjendja ta jap sadopak portretin e atij djaloshi të rrallë, të zakonshëm në pamjen e jashtme, por me një botë shpirtërore kaq të thellë e të gjerë e, me një mendje kaq të fuqishme sa, shpesh herë, sa më habiste, aq sa edhe më emociononte.

Kush ishte Mustafa Bajraktari?

Një djalë i ri, rreth të njëzetave, shtatlartë, por i hajthëm nga të pangrënët, me një fytyre të pashme si të shtatoreve klasike, me dy sy të bukur e gjithmonë gati ëndërrimtare, ku xixëllonte shpesh një shkëndijë e mendimit të thellë e ku, hera-herës, binte hija e një trishtimi të madh, si dritëhija e qiellit në një ditë vjeshte, që po mbaron. Si të gjithë njerëzit e përzgjedhur të botës së mendimit të thellë, ku ngjizet dija e vërtetë apo, relacioni hyjnor, pra të botës së filozofëve, shkencëtarëve e të shenjtëve të fesë, edhe Mustafa Bajraktari parapëlqente – (për sa ishte e mundur në zallamahinë e ngushticës së kaushëve të burgut, ku njerëzit ishin ngushtuar me çizmen e policit si sardelet në kutinë e konservave) – tërheqjen në qoshen e vet, në heshtje, se i mjaftonte boll biseda e brendshme, pa fjalë, pa zhurmë, tamam ajo lloj bisede që e quajnë ndryshe, mbase më saktë dijetarët, “ventriloquo”.

Kryente, si gjithë të tjerët, ato që ishte i detyruar të bënte, me hir e me pahir: të çohej në këmbe e të përgjigjej “këtu”, kur oficeri i rojës së burgut bënte apelin tri herë në dite; të hante e të pinte; të lahej e të lante; t’u përgjigjej shokëve shkurt, për sa e pyesnin apo kur i flisnin. Ai mblidhej në atë qoshen e mjerë të dyshekut prej kashte, të shtruar në çimenton e ftohtë, i mbuluar me një batanije ushtarake të stërvjetër e të ronitur, me vështrimin e ngulitur në ndonjë libër filozofie apo të drejtuar në ndonjë qoshe të murit dhe bluante i qetë mendimet e tij.

Të rinjtë e tjerë të dhomave të burgut çoku bënin edhe zhurmë tek flisnin me zë të lartë. Herë-herë edhe grindeshin tek debatonin. Ndonjë edhe s’i përmbante nervat e zihej me shokun e dhomës. Gjëra të kuptueshme këto në atë ngushticë të ndyrë që quhej burg, në atë mjedis të zymtë. Këta të rinj, në vend që të ishin në bankat e universiteteve apo, në punërat që u pëlqenin, ishin të detyruar t’i shkonin vitet më të mira të rinisë së tyre, në atë kloakë të ndyrë, që quhej burg e, sidomos burg komunist, ku qenia njerëzore çmohej më pak se bagëtia. Por Mustafa Bajraktari merrej kryesisht me botën e tij të brendshme, me librat e, hera-herës, me ndonjë bisedë me atë që i shkonte afër sadopak, diturisë spekulative të filozofisë.

Ne shqiptarët themi shpesh se qeni ynë nuk ka nxjerrë filozofë të mirëfilltë, që të krijojnë teori apo, ca më pak, sisteme. Kjo edhe mund të jetë e vërtetë, por se mos na lanë rehat zaptuesit e huaj, të mbijetonin shkrimet e dokumentet e mendimtarëve ilirë, teologëve arbër apo studiuesve humanist, sa dhe si duhej? Se mos na lanë rehat zaptuesit e huaj, të egër, barbarë dhe mizorë të rrojmë të qetë në këto trojet tona të trashëguara që nga parahistoria, që të kultivojmë edhe ne, të qetë e të patrazuar, kulturën tonë origjinale iliro-arbërore? Memorie.al

                                                                  Vijon numrin e ardhshëm 

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Letrat që Nuhi Vinca nga Struga ia dërgonte Mentor Çokut në Romë, kalonin në zyrat e UDB-së, për këto e të tjera shërbime, shefi Jordan Spasovski, e...”/ Dëshmia e rrallë e ish-zyrtarit të UDB-së

Next Post

“Në 1969-ën, kur Pashko Dedvukaj me familjen arriti në SHBA-ës, nuk e kishte marrë djalin e madh, Gjergjin, i cili vazhdonte mësimet për prift, në Split...”! / Historia e panjohur e familjes nga Hoti

Artikuj të ngjashëm

Fotografi me pamje të Sarandës
Dossier

“Në mëngjesin e 29 korrikut 1944, forcat britanike filluan sulmin nga deti, drejt pozicioneve të gjermanëve dhe beteja vazhdoi gjithë ditën, por ne…”! / Dëshmia e ish-partizanit, për çlirimin e Himarës

July 28, 2025
“Në kampin e Fush-Krujës, kishte dhe të burgosur ordinerë, si shkrimtari Selman V., ish-kreu i organizatës Pionerit, i cili me Janaq T., në 1946-ën, organizuan rrahjen time në gjimnaz…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës
Dossier

“Duke studiuar filozofin kobzi Egezia, ‘këshilltarin e vdekjes’, Mustafa Bajraktari filloi të humbte shpresat dhe një ditë, me copa çarçafi të bëra si litar, ai…”/ Historia e trishtë e filozofit autodidakt nga Tropoja

July 28, 2025
“Ndërsa Greqia ka përfituar 950 milionë franga ari nga pronat e çamëve, paradoksalisht, shteti shqiptar, nuk ka guxuar asnjëherë, që të kërkojë…”?! / Refleksionet e publicistit të njohur
Dossier

“Ndërsa Greqia ka përfituar 950 milionë franga ari nga pronat e çamëve, paradoksalisht, shteti shqiptar, nuk ka guxuar asnjëherë, që të kërkojë…”?! / Refleksionet e publicistit të njohur

July 28, 2025
“Letrat që Nuhi Vinca nga Struga ia dërgonte Mentor Çokut në Romë, kalonin në zyrat e UDB-së, për këto e të tjera shërbime, shefi Jordan Spasovski, e…”/ Dëshmia e rrallë e ish-zyrtarit të UDB-së
Dossier

“Letrat që Nuhi Vinca nga Struga ia dërgonte Mentor Çokut në Romë, kalonin në zyrat e UDB-së, për këto e të tjera shërbime, shefi Jordan Spasovski, e…”/ Dëshmia e rrallë e ish-zyrtarit të UDB-së

July 26, 2025
“Kryetari i Degës së Brendshme Pukë, urdhëroi që vend-roja nr.1, të përdorte armën, ndaj të dënuarve, M. Leka, K. Gjordeni dhe T. Ndoja, pasi…”/ Zbulohet dokumenti sekret i Revoltës së Qafë-Barit, 22 maj ‘84
Dossier

“Mehdi N., nga Rrajca, kryetar i Zyrës Teknike të Spaçit, flinte në një dhomë më vete me ‘dylberin’ e vet, të cilit me dijeninë e komandës, i kishte veshur një fustan dhe…”! / Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

July 26, 2025
“Në Frengove, te qendra për nisjen e agjentëve në Shqipëri, bënin gosti, kurse në shtëpinë e Xheladin D., dhe Ali P., te ‘Gjyluas’…”! / Dëshmia e rrallë e ish-zyrtarit të UDB-së
Dossier

“Në Frengove, te qendra për nisjen e agjentëve në Shqipëri, bënin gosti, kurse në shtëpinë e Xheladin D., dhe Ali P., te ‘Gjyluas’…”! / Dëshmia e rrallë e ish-zyrtarit të UDB-së

July 25, 2025
Next Post
“Në 1969-ën, kur Pashko Dedvukaj me familjen arriti në SHBA-ës, nuk e kishte marrë djalin e madh, Gjergjin, i cili vazhdonte mësimet për prift, në Split…”! / Historia e panjohur e familjes nga Hoti

“Në 1969-ën, kur Pashko Dedvukaj me familjen arriti në SHBA-ës, nuk e kishte marrë djalin e madh, Gjergjin, i cili vazhdonte mësimet për prift, në Split...”! / Historia e panjohur e familjes nga Hoti

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme