Nga UVIL ZAJMI
Pjesa e parë
Memorie.al / Në Shqipërinë sportive gjatë periudhës së komunizmit, gjithmonë është folur për sfidat derbi, në veçanti ato të elitës futbollistike, “Partizan” – “Tirana” e “Dinamo”, dhe shumë pak për përballjet derbi të kategorive inferiore, kryesisht të Kategorisë së Dytë. Me një klientelë skuadrash permanente, që nuk ngjiteshin, as binin, ishte ngjarje e madhe për një qytet të vogël, kur ngrihej në të Parën dhe e bujshme deri e frikshme, rënia për një “Big” në të Dytën. Me pak komente, informacion në radio e gazetë, pasi për transmetime televizive, as që bëhej fjalë, emri i tyre dëgjohej vetëm kur luanin në turet e para të Kupës së Shqipërisë, ose kur ndodhte diçka josportive, krijohej zhurmë e, autoritetet shtetërore kthenin vëmendjen te ky nivel.
Rivalizuese në ekstrem, agresive, me ndeshje derbi spektakolare, kanë qenë dhe mbeten përballje unike për atë çfarë prodhonin në fushë dhe jashtë saj. Por, si jetohej prag ndeshja nga lojtarët, drejtuesit, tifozët dhe cili ishte mentaliteti që mbizotëronte? “Hakmarrje” dhe “inate” të ruajtura, një tjetër botë, ndaj së cilës sa larg dhe afër kemi qenë. Në veçanti “Butrinti”-“Bistrica”, skuadra që vareshin nga një klub, me përplasje jashtë imagjinatës. Tifozllëk, arbitra nën trysni, ndeshje, rezultate që nxiteshin dhe vendoseshin edhe nga Komitetet Ekzekutive dhe ato të Partive.
Një kategori dhe Klube Sportive me histori modeste, nga ku kanë dalë futbollistë cilësorë, që kanë luajtur me “Partizanin” e “Dinamon” kryesisht. Kush nuk beson, mjafton të kujtojë protagonistët e Kombëtares, si Muhedin Targaj e Foto Strakosha. Pas viteve ’90-të, historia e Klubeve Sportive që luajtën në nivelet inferior, ndryshoi drastikisht, pasi u përfshinë “Partizani”, “Dinamo”, “Tirana”, “Vllaznia”, “Flamurtari”, “Labinoti” (Elbasanit) “Besa”, (Kavajës) “Beslidhja”, (Lezhës) etj. Por, kemi edhe rastin kur Erseka u ndesh në “Qemal Stafa” me “Realin” e Madritit të Kristano Ronaldos…!
Derbi i “Vjosës”, Përmeti – Këlcyra – Tepelena, “nuk ka paqe…”!
Përmeti si kryeqendra, Leskoviku, Këlcyra, Memaliaj, Tepelena, Progonati, qytete që lagen apo janë përbri lumit Vjosë. Në përgjithësi kanë qenë në ekuilibër, “as miqësi e madhe, por edhe jo armiqësi”. Kanë pasur marrëdhënie të vendosura nga ish-Komitetet e Partive. Përjashto përballjet e nxehta “Trebeshina” (Këlcyra)-“24 Maji” (Përmeti)- “Minatori” (Tepelenë), ku secili pretendonte se është i “pari” i krahinës dhe ka pas shkruar historinë! Ka ndodhur që në situata tensioni, lojtarët të mos zhvishen në dhomat e zhveshjes, por në autobus. Për shumë dekada “Minatori” ishte bashkim Tepelenë-Memaliaj dhe ndeshjet luheshin në Memaliaj, se kishte fushë, më pas në Tepelenë. Kjo ndodhi deri kur u ndanë, pas së cilës ajo midis tyre, ka qenë ndeshje zjarri.
Në këtë zonë komandonte “Luftëtari”, Gjirokastrës, nga emri, tradita, të gjithë kanë ruajtur raporte të mira, por e kanë respektuar “prepotencën” dhe autoritetin e qytetit me kala, ndonëse edhe Tepelena e ka një të tillë. Kanë shkëmbyer futbollistë, trajnerë dhe ndaj “Luftëtarit” nuk ka pasur sherre e grindje. Ndeshjet zhvilloheshin në terrene e fusha sportive, me kushte jo të përshtatshme. Vështirësi në drejtimin e tyre kanë pasur arbitrat, në mjaft raste ka pasur edhe dhunë fizike mbi ta. Bashkë me “Luftëtarin”, edhe “24 Maji” i Përmetit, ka luajtur në Kategorinë e Parë, por si hyri, ashtu edhe doli, pa lënë asnjë gjurmë. Nga këto Klube modeste, kanë dalë talente dhe mjeshtra të njohur, si kapiteni Mujo Targaj, portieri Foto Strakosha.
Derbi “Jonian”: gra, një i plotfuqishëm dhe fyerje në greqisht
Derbi “Jonian” ishte dueli i qyteteve që lagen nga ujërat “joniane” me “Vetëtimën” Himarë, “Butrintin” Sarandë, “Bistricën” e Delvinës, “21 Shtatorin” e Selenicës dhe “Nartën”. Kjo zonë është komanduar me prepotencë nga “Flamurtari” dhe të tjerat kanë qenë nën çadrën vlonjate, e cila si “padrone”, i ka furnizuar me lojtarë, por u ka marrë edhe ndonjë talent. “Ligjin” e bënin vendësit, ku nuk mungonin takimet e mbyllura përmes dhunës e polemikave. Udhëtime të vështira për skuadra e arbitra në rrugët e asaj kohe, sidomos për në Himarë.
“Vetëtima”, emri i skuadrës, që i referohet malit që shkarkohen rrufetë mbi fshat, ka një histori specifike, me rrëfime, gojëdhëna si legjenda, me emra, protagonistë e heronj mitikë, deri në shpellën që, sipas vendësve, është ndaluar Odisea. Me gra të pranishme në fushën sportive dhe Simo Kallushin, që e mbante gjallë atë. Ishte edhe një polic që quhej Luftar dhe ishte i plotfuqishmi i shtatë fshatrave, që para ndeshjeve u trokiste arbitrave në dhomën e zhveshjes, duke u thënë: “Vetëm unë jam sot këtu…”!
Për të vendosur rendin mobilizoheshin apo vinin në ndihmë ushtarët e Porto Palermos. Shpesh fyerjet, komunikimi, midis lojtarëve dhe me tifozërinë shprehej në greqisht. Ndonëse arbitrat e zonës nuk gjykonin këto skuadra, përjashtim bënte sarandjoti Kasem Kasemi, që njihej edhe si “Gomonia”…! Ai mbahet mend sepse sa herë “Vetëtima” ishte më rrezik rënieje nga kategoria, do të ishte ai arbitër dhe nga 0-2 për udhëtuesit, e kthente rezultatin në 3-2 për vendësit. Madje, duke e përsëritur disa herë penalltinë, derisa vendësit të shënonin.
Derbi i Shkumbinit, komandonte “Labinoti”
Në derbin e Shkumbinit, luanin qytete që lagen nga ky lum, “Sopoti” i Librazhdit, “Labinoti” i Elbasanit, “Shkumbini” i Peqinit, “Egnatia” e Rrogozhinës, duke përfshirë edhe “10 Korrikun” e Gramshit, që plotësonte grupin. “Labinoti” mbetet më i famshmi, madje edhe kampion i vendit, duke diktuar pa diskutim derbin e zonës, ku “Sopoti”, “Shkumbini”, “Turbina”, “31 Korriku” dhe “Egnatia”, për shumë sezone kanë luajtur në kategoritë e ulëta, të Dytë apo të Tretë. Aty edhe janë ndeshur dhjetëra herë midis tyre. Në përgjithësi, nuk janë shquar për takime të tensionuara.
Niveli më i lartë në Kategorinë e Parë apo Superiore, mbetet derbi “Labinoti” (Elbasani)- “Shkumbini”, (Peqinit) gjithmonë në kufijtë marrëdhënieve normale. Madje, shumë futbollistë elbasanas kanë veshur fanellën e “Shkumbinit” dhe anasjelltas. Po kështu, edhe midis ekipeve të tjera, është ruajtur një ekuilibër sportiv, tradita dhe ka pasur shkëmbime me lojtarë e trajnerë. Elbasani, “Shkumbini”, pas viteve ’90-të, disa kohë e patën braktisur elitën, e luajtën në kategorinë inferiore dhe bashkë me fqinjët bëjnë grupin e derbit lumor.
Osumi dhe “Tomori” përballë
Derbi “Osumit”, përfaqësohet nga “Tomori” i Beratit, “5 Shtatori” i Çorovodës (Skrapari), “22 Tetori” i Poliçanit dhe bashkë me to, edhe “Naftëtari” i Kuçovës. Këto qytete ndodhen vetëm pak kilometra larg ndërmjet tyre, në krah ose pranë rrjedhës së lumit, e që janë ndeshur në të gjitha nivelet. Të gjitha në varësi të Komitetit Ekzekutiv, Bashkisë së Beratit. “Derbi Osumit”, ka pasur si kulm sfidën “Tomori”- “Naftëtari”, sidomos në fund të viteve ’70-të, kur dy skuadrat ishin në kulmet e historisë së tyre, protagoniste në Kategorinë e Parë. Rivalitet, ndeshje të vështira, shpesh të tensionuara, sidomos kur luhej në Kuçovë.
Ato ndiqeshin nga shumë spektatorë, me lojtarë të njohur si Përparim Kovaçi, Koçi, Zguro, etj. Janë qytete me afërsi 16 km. që e jetojnë edhe sot ditë pas dite derbin, para dhe pas tij. Raporte sportive sa miqësore, por edhe të ashpra. Kanë bërë pak shkëmbime lojtarësh dhe ishte “Tomori” i Guxim Muklit, ai që e ka komanduar në tërësi zonën. Më pak tension ka pasur në derbin “Poliçani”- “Skrapar”, pasi pretendimet, interesi ishte i pakët dhe më shumë kanë shërbyer si “satelit” për “Tomorin” e “Naftëtarin”, Klube Sportive që lojtarët e pa aktivizuar, i dërgonin te këto dy skuadra ose anasjelltas, kur evidentohej ndonjë talent. Pas 1990-ës, derbi “osumian” humbi gjurmë dhe sot skuadrat e lumit të famshëm, i bashkon Kategoria e Parë apo dhe më poshtë, ku luajnë prej vitesh.
“Derbi i Myzeqesë”, i rivalizuar nga “Traktori”- “Apolonia”
“Derbi Myzeqesë”, tejet historik, i ndezur dhe kurrë miqësor. I tillë ka qenë dhe mbetet dueli “Apolonia”- “Traktori”. Po, sepse përballja myzeqare, si në Kategorinë e Parë edhe në të Dytën, ka ofruar gjithnjë spektakël dhe tension. Një distancë jo më shumë 30 km. ndan qytetet, por rivaliteti ka qenë në kulm, sidomos kur ishin në elitën e futbollit shqiptar, me Kujtim Majacin dhe Artan Banon, rreth viteve ’90-të.
Tifozeri të ndezura, rezultate surprizë, tension deri në sekondën e fundit, asnjëherë paqe, ndeshje të vështira, me ashpërsi, shpesh problematike për forcat e rendit. Aty pranë luhej edhe derbi i naftës: “Punëtori” i Patosit, të trajnerit legjendar Fatmir Dogani dhe “Bylis” i Ballshit. Ky i fundit ka qenë pa emër e famë në të kaluarën, por protagonist vitet më vonë, si edhe me pjesëmarrje europiane. Ndeshjet midis tyre kanë qenë një miniderbi, me rivalitet, por jo agresivitet.
“Skënderbeu” “ujku i dëborës” dhe Erseka, përballë Realit e Ronaldos
Korça me ekipet satelit që e rrethojnë, si Devolli (Bilishti), Gramozi (Ersekë), “8 Nëntori” (Maliq), në disa sezone edhe “Trebeshina” (Këlcyra), bashkë me “Domosdovën” e Përrenjasit, si dhe “Yllin e Kuq” të Pogradecit. Të gjitha shpesh i përfshinin në derbin e “dëborës”. Nuk ka histori, pasi është komanduar vetëm nga “Skënderbeu” dhe të tjerat në hijen e tij. Korçarët i kanë furnizuar me lojtarë dhe trajnerë klubet vartëse, duke krijuar e mbajtur raporte miqësore më to, sigurisht duke i marrë e promovuar talentet e tyre. Pa grindje dhe tension gjatë ndeshjeve, përkundrazi.
Vetëm në raste sporadike midis tyre, por asnjëherë me klubin mëmë. Kategorinë e Dytë e kanë frekuentuar të gjitha, por “Skënderbeu” dhe “Ylli i Kuq”, kanë luajtur edhe në të Parën. Por, një faqe të vogël të historisë e ka shkruar edhe “Gramozi” i Ersekës, kur vite me parë, si asnjë klub tjetër në të kaluarën, luajti miqësoren e luksit në Tiranë, ndaj “Realit” të Madridit me Kristiano Ronaldon në formacion. Një ndeshje që kujtohet për të ftohtin dhe ndërprerjen e gjatë të energjisë elektrike, në “Qemal Stafa”.
Derbi “danubian” i Shkodrës, që nuk kishte rivalë
Me “Vllazninë”, (përjashto sezonin 1961), nuk ka pasur derbi të mirëfilltë e tradicional shkodran. “Vllaznia” ka qenë dominuese dhe ka mbretëruar pa rivalë në zonën e “Danubit shkodran”, siç është Buna. Në periferinë e qytetit, janë “Veleçiku” i Koplikut dhe Velipoja (pas viteve ’90-të), por asnjëherë përballë me “Vllazninë” në një derbi të elitës. Është konsideruar i tillë dikur takimi “Vllaznia” me “Fitoren” apo “Besëlidhjen” e Lezhës. “Vllaznia” i ka furnizuar gjithmonë me lojtarë e trajnerë këto skuadra “vasale”.
Por, sot, historia ka ndryshuar dhe “Vllaznia”, “Veleçiku” i Koplikut, “Ada” e Velipojës, “Besëlidhja” deri te “Shënkolli”, herë pas herë të mbetura jashtë Superiores, luajtën në Kategorinë e Parë, me takimet derbi midis tyre. Ndërkohë, linja Rubik, Rrëshen, Klos, Burrel, Bulqizë dhe Peshkopi, është një tjetër zonë derbi, qytete që i lidh rruga automobilistike apo lumi Mat. Korabi ka arritur deri në Kategorinë e Parë, në vitet ’60-të, pastaj ishte “31 Korriku” (Burrelit) i Dali Farrukut, (apo “Delhaj, që ka ba gel bete”, siç i thonin matjanët në dialektin e tyre), formacioni që bëri historinë. Rivalitet që ka prodhuar “shkëndija”, ka qenë “31 Korriku”- “Besëlidhja”, kur luanin në të Parën.
Derbi i Krujës, “xixa” në takimet “Kastrioti” – “Industrial”
Derbi i Krujës, ishte i zonës që përfshin “Kastriotin” (Krujë) , “Industrialin” e Laçit, “Ilirinë” (Fush-Kruja), “Adriatikun” e Mamurrasit, deri edhe Milotin…ku banonte një personazh tepër i famshëm, “Hidri Milotit”, një nga tifozët më emblematik që ka pasur Shqipëria, por që ishte tifoz me “17 Nëntorin” dhe pritej me “qilim të kuq”, nga lojtarët e tifozët e Tiranës. Të gjitha këto qytete, apo më saktë qyteza pranë njëri-tjetrit, me referim Fushë-Krujën, një “urë” në zëmër të Shqipërisë, që lidhte Jugun me Veriun, nga ku kalonin të gjithë.
Dy ekipe kanë qenë dhe mbeten protagonistë: “Kastrioti”- “Industrial”, ndeshje të vështira, me tension, si në të Dytën kur luhej në fushat e vjetra, por edhe në kohën e artë të tyre, me Sokrat Zhangon (“Karavello”), Pëllumb Yzeirin (“Bisha”), dhe Sabah Micin (“Herkuli”), nga Miloti, Edmond Dosti (“Mokja”) nga Tirana, lojtarë që u stërvitën dhe u përgatitën ndër vite nga trajneri i famshëm, legjenda e gjallë e sportit laçian, Ndue Tarazhi, të cilët luajtën me shumë sukses edhe në Kategorinë e Parë, (me trajner Astrit Maçin), madje deri në Kupat e Europës, si Dosti dhe Yzeiri që u aktivizuar me “Partizanin”.
“Industrial, Industrial, o fitore, o skandal”, ishte shprehja kërcënuese e tifozërisë e zjarrtë kurbinase, me në krye disa personazhe emblematikë që vazhdojnë të kujtohen ende në Kurbin, si; Hidri Milotit, Tahir Gashi i Shullazit (me daulle), Pashk Çoku, Pashk Sula, Azem Çoku e Pal Arapi të Laçit, Gjon Tosku i Sanxhakut (me biçikletën e bërë vetë), Lek Prela (“Sheni”) i Mamurrasit, etj., të cilët janë njohur si ajka e tifozerisë laçjane që në fillim vitet ’70-të, por që më pas u ndoqën edhe nga të tjerë, si; Smajl Hoxha, Bashkim Kumja, Lad Mërkuri, Pashk Mërqina, Ndue Kolici, (“Cingla”) “Pjetër Trimi”, Dull Bodlli, Met Kika, Cimi i Xhiut (“Shtaçi”), Pashk Kalthi, Paro Laçi, etj., e deri te Sandër Shllaku (“Hrubeshi”) e Tonin Prela, “i fundit i Moikanëve”, që vazhdon ta ndjekë ende Laçin, kudo ku ai luan.
Ndërsa sfidat midis “Përparimit” të Kukësit, “Tërbunit” të Pukës, “Valbonës” së Tropojës, në ndonjë rast edhe ato me “Korabin” e Peshkopisë e “Minatorin” e Bulqizës, i ka shoqëruar “vetmia”, pasi luheshin në fusha të vjetra e të rënduara, pa pretendime, pasi ishin të sigurta në renditje, (disa shkëndija në “Përparimi”-“Korabi”). Këto vitet e fundit, Kukësi i afirmuar, ka bërë “ligjin” në Superiore, duke u luajtur me sukses, edhe në Kupat e Europës.
Derbi i kryeqytetit, si Londra sot dhe sfidat e periferisë
Kampionati i vitit 1955, në Kategorinë e Parë, marrin pjesë 16 skuadra dhe Tirana si qytet, do të ketë gjashtë formacione, pikërisht si Londra sot: “Partizani”, “Dinamo”, “Puna”, Skuadra e Shkollës së Bashkuar “Enver Hoxha” (më pas “Luftëtari”), “Spartaku” dhe Kombinati Tekstileve “Stalin”. Edhe në sezonin 1971-’72, janë 5 klube në Kategorinë e Parë, krahas “Partizanit”, “Dinamos”, “17 Nëntorit”, janë edhe “Tekstilisti” (Kombinati Tekstileve “Stalin”), e dy ekipet studentore “Shkëndija” e “Studenti”.
Ndërkohë, është luajtur edhe derbi i periferisë tiranase, me “Tekstilistin”, “Dajtin”, “Studentin” e “Shkëndinë”, kryesisht në të Dytën, klube që kanë fushat e tyre, takime janë të acaruara, pasi te këto skuadra aktivizohen futbollistë cilësorë që nuk kanë hapësirë tek ato “Big”.
Madje, “Dajti”, në sezonin 1972-’73, fitoi të drejtën të luajë në të Parën, por me një vendim absurd nga autoritetet përkatëse shtetërore, iu hoq pjesëmarrja në atë kompeticion. Takime derbi janë luajtur në vite edhe në të Tretën, me qytete të ndara në tri grupe, me terrene jashtë çdo kontrolli, sfida të ashpra e me probleme. Për të shmangur grindjet, për to është aplikuar edhe formula me sistem grumbullimi në qytete kryesore, ku mund të administroheshin. Ndeshje derbi janë zhvilluar edhe midis ekipeve Shpresa të Kategorisë së Parë, por edhe ndërmjet Rezervave, që kishin kampionatin zyrtar të tyre, i njohur si Kampionati Kombëtar i Rezervave. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm