Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të profesor Mahir Domit, me origjinë nga qyteti i Elbasanit, i cili pasi u shkollua në vendlindjen e tij në shkollën “Normale” dhe më pas në Liceun e Korçës, në vitin 1937 ai ndoqi studimet e larta në Francë, pranë Fakulteti të Letërsisë të Universitetit të Grenobëlit, ku mbrojti punimin e provimit, “Diplome d` Etudes Superjeures” në Letërsi. Angazhimi i tij në prillin e 1939-ës me grupin e studentëve shqiptarë, ku bënin pjesë edhe Dhimitër Shuteriqi, Bilbil Klosi etj. në demonstratat e protestës para konsullatës italiane, kundra agresionit ushtarak fashist të Benito Musolinit ndaj Shqipërisë. Kthimi i Mahirit në Shqipëri dhe aktivizimi me Lëvizjen Antifashiste, së bashku me Tomorr Sinanin, Dhimitër Shuteriqin, Ptoleme Xhuvanin, Kol Papariston etj., gjë e cila bëri që në vitin 1943, ai të arrestohej nga karabinieria italiane dhe internohej në kampin e Porto Romanos, nga ku u lirua në vitin 1944, për të dhënë kontributin e tij në Këshillin Nacionalçlirimtar të Qarkut të Elbasanit.
Kontributi i profesor Domit pas vitit 1945-së, në projektet më të rëndësishme arsimore e shkencore në Shqipëri, së bashku me profesorët e tjerë, Eqerem Çabej dhe Kostaq Cipo, si dhe angazhimi i tij fillimisht në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, deri në themelimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës, ku ai u caktua si profesor Fakultetit të Historisë në Katedrën e Gjuhës Shqipe, duke dhënë mësim në të gjitha nivelet e studimit. Si dhe pjesëmarrja e kontributi i madh i profesor Domit, në themelimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku ai u morr me studime dhe la një sërë veprash në fushën e historisë, së gjuhësisë, duke u konsideruar si një nga korifenjtë e fundit të plejadës së studiuesve shqiptarë, që u morën me historinë e gjuhës shqipe.
Nga Normalja e Elbasanit, në Liceun e Korçës?
Mahir Domi u lind në vitin 1914-të në qytetin e Elbasanit, në një familje të shtresës së mesme qytetare. Babai i tij Sul Domi, kishte një dyqan të vogël me të cilin zhvillonte aktivitetin e tij tregtar, sa për të mbajtur familjen. Mahiri mësimet e para i mori në qytetin e tij të lindjes në Elbasan, i njohur për traditat arsimdashëse që me Kostandin Kristoforidhin, një nga korifenjtë e Rilindjes Kombëtare shqiptare. Pas mbarimit të shkollës fillore prej gjashtë klasash, ose siç quhej asokohe shkolla Plotore, në vitin 1927-‘28, Mahiri ndoqi mësimet në shkollën “Normale” të Elbasanit, të cilën nuk pati mundësinë ta përfundonte për arsye shëndetësore. Pas kësaj mjekët i rekomanduan një klimë malore dhe ai e ndërpreu shkollën në Elbasan, për të vazhduar më tej në Liceun e qytetit të Korçës. Mahiri ishte pjekuar para kohe dhe që në bangat e shkollës fillorë, ai kishte dëshirë për të lexuar libra e gazeta të ndryshme. Në moshën nëntëvjeçare, ai ishte abonuar në shtypin e Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, si dhe në atë të Bostonit (“Dielli”), Konstancës (“Shqipëria e Re”), si dhe “Albania” në Bruksel e Londër. Lidhur me shkollimin e tij në qytetin e Elbasanit, në kujtimet e tija të shkruara, që në atë kohë (të cilat ruhen në arkivin familjar), midis të tjerash Mahiri shkruan: “Në vitin 1929, pasi e kisha ndërprerë për një vit për arsye shëndetësore “Normalen” e Elbasanit, shkova të studioj në Liceun e Korçës, ku vazhdova rregullisht deri në vitin 1937, kur mora Baccalaureat, e kreva mësimet e shkollës së mesme. Gjatë vitit shkollor 1935-‘36, e ndërpreva frekuentimin e mësimeve dhe u ktheva në Elbasan, për arsye familjare e shëndetësore. Gjithë këto kohë, qëndrova herë si nxënës internatist (konviktor) në internate private dhe ato të shtetit, e herë si nxënës i jashtëm, por gjithmonë me të hollat e familjes time”. Disa nga bashkëmoshatarët e Mahir Domit, që kanë studiuar me të në Liceun e Korçës, tregojnë se ai ishte një nga nxënësit, më të rregullt dhe më të mirë në mësime të asaj shkolle. Në veçanti, prirjet e tija ishin për letërsinë, ku ai kishte njohuri të thella e shpesh debatonte me profesorët, që e zhvillonin atë lëndë. Lidhur me këtë gjë, Mahiri në kujtimet e tija shkruan: “Kontaktet me një letërsi të pasun si letërsia franceze dhe njohja me vepra dhe ide përparimtare, zhvilluen te un idena demokratike, por tuj qenë i mbyllët e i përqëndruem në botën e librave, e nga temperamenti jo i hedhun në jetën praktike, këto simpatina mbeteshin të pa konkretizume, e interesi për të qëndronte si të thuash, në planin moral e teorik, pa mbërrit të jetë aktiv e të shoqnohet me ndonjë lloj aktiviteti”.
Student në Universitetin e Grenobëlit
Pasi mbaroi me rezultate të larta Liceun klasik në qytetin e Korçës në vitin 1937, Mahiri mundi të përfitonte një të drejtë studimi, nga qeveria e Mbretit Zog, për të vazhduar më tej shkollimin e tij, në një nga universitetet e Perëndimit. Kjo mundësi ju dha edhe nga gjendja e kënaqshme ekonomike, që kishte familja e tij dhe dëshirës së babait, Sulë Domit, për ta shkolluar djalin e tij në Francë, duke ja pagur vetë të gjitha detyrimet financiare, për të gjitha vitet e shkollës, gjë të cilën jo shumë familje shqiptare në atë kohë kishin mundësi ta bënin. Lidhur me këtë Mahiri shkruan:”Në tetor të vitit 1937, shkova po me të hollat e familjes, të ndjek mësimet e nalta në Francë dhe hyna në Fakultetin e Letërsisë t`Universitetit të Grenobëlit. 7 Prilli i vitit 1939, më gjeti aty, bashkë me shokët e tjerë studentë shqiptarë t`atij qyteti, si Dhimitër Shuteriqi, Bilbil Klosi etj., me të cilët bëmë telegrame protestimi dhe bëmë demonstrata e mitingje, kundër konsullatës italiane, duke manifestuar qëndrimin tonë, në mënyra të ndryshme për të skjaruar opinionin e huaj. Ngjarjet e 7 prillit, më shtynë të kaloj në një interesim më aktiv, për problemet politike e më afruen me rrethet progresiste. Kështu hyna në kontakt me persona e grupe përparimtare, si Qamil Çela e grupin e Thanas Zikos, e më vonë me atë të Sejfulla Malëshovës. Po kështu pata kontakte me korrespondencë me vullnetarët shqiptarë të Spanjës, të internuem në kampe përqendrimi, si Skënder Luarasin, Hulusi Spahiun etj, duke kontribuar në mënyrë aktive, si sekretar i grupit të studentëve të Grenobëlit e ma vonë, i kolonisë shqiptare të Francës dhe të organizatës antifashiste “Federata Shqiptare”, që ajo ngriti. Në vjeshtën e vitit 1939 kreva mësimet e Universitetit, e mora “Lecencë d`Enseignement” në Letërsi klasike, e nuk u ktheva në Shqipëri, në Elbasan. Vijova të qëndroj në Grenoblë deri në vitin 1941, tue përgatitë punimin e provimit e “Diplome d` Etudes Superieures” në Letërsi. Këtë e fitova në prillin e 1941-it, dhe në qershor u ktheva në Shqipëri në Elbasan”.
Internohet në Porto-Romano
Me t’u kthyer në Shqipëri në vitin 1941, Mahiri lidhet me grupet e rezistencës antifashiste, në krye të së cilës qëndronin grupet komuniste. Mahiri u lidh kryesisht me vëllezërit, Gogo e Kozma Nushi, me të cilët kishte një miqësi, që nga Franca ku ata ishin në krye të emigracionit shqiptar. Në vitin 1942, Ministria e Arsimit, duke parë rezultatet e tija të larta, si dhe nevojën që kishte asokohe për mësues (shumë arsimtar shqiptarë u dërguan të punojnë në Kosovë), e emëroi si profesor të jashtëm (me orë) në “Normalen” e Elbasanit. Krahas punës si profesor, Mahiri u lidh dhe me Lëvizjen Antifashiste në atë qytet. Lidhur me këtë Mahir Domi, në kujtimet e tija shkruan: “Në luftë kundra fashizmit kontribuova në mënyrë aktive, duke zhvilluar veprimtari antifashiste dhe punova në ambiente të ndryshme e në mënyra të ndryshme, sipas rasteve, duke pasur kontakte me Tomorr Sinanin, Ptoleme Xhuvanin, Dhimitër Shuteriqin, e më vonë me Kol Papariston. Në funt të qershorit 1943, u arrestova nga karabinieria fashiste italiane dhe u internova në kampin e përqendrimit në Porto-Romano, afër Durrësit. Aty në atë kamp, qëndrova më shumë se dy muaj në një aneks të veçantë, së bashku me nja 20-25 vetë të tjerë, ndërmjet të cilëve ishin shokët Manol Konomi, Thanas Gjoka etj. Më pas dhe gjatë okupacionit gjerman, vijova që të jap kontributin tim në mënyrë aktive, gjatë muajve të fundit të vitit 1943. Në vitin 1944, bëra pjesë vazhdimisht si anëtar në këshillin klandestin Nacional-Çlirimtar, të qytetit të Elbasanit, duke punuar sidomos për mbajtjen më këmbë të këshillave në të gjithë qarkun”.
Me Xhuvanin e Çabejn për arsimin
Pas mbarimit të Luftës, Mahir Domi u angazhua tërësisht në problemet e arsimit shqiptar, së bashku me Aleksandër Xhuvanin, Kostaq Cipon e Eqerem Çabejn, të cilët hartuan projektet më të rëndësishme, të fushës arsimore, kryesisht të gjuhësisë. Lidhur me këtë gjë profesori nga Kosova, Rexhep Ismajli, në studimin e tij për profesor Mahir Domin, të titulluar “Motorri që vuri në lëvizje studimet e gjuhësisë shqiptare”, ndërmjet të tjerash shkruan:” Profesor Mahir Domi, së bashku me Xhuvanin, Çabejn e Kristaq Cipon, u angazhuan në projektet më të rëndësishme arsimore dhe shkencore, siç ishin projektet e hartimit të ortografisë së shqipes, në studimet për shqipen, nga aspektet më të ndryshme në mësimdhënien e disiplinave filologjike dhe posaçërisht gramatologjisë, në nivelet më të larta të shkollimit, që kishte Shqipëria atëhere. Me fillimin e punës të Institutit të Gjuhësisë dhe Historisë, më vonë të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Mahir Domin e gjejmë me tërë angazhimin e tij atje”. Në vitin 1957, kur u themelua Universiteti Shtetëror i Tiranës, Mahir Domi, u caktua profesor i fakultetit të Historisë në Katedrën e Gjuhës Shqipe, duke dhënë mësim në të gjitha nivelet e studimit. Në Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë, përveç punës së tij si studiues, profesor Mahiri kryente dhe shumë detyra të tjera organizative. Kështu ai për shumë vjet, ka qenë drejtues i Sektorit të Dialektologjisë, i sektorit të Gramatikës, redaktor për disa vjet në revistat “Buletini i USHT-së, “Studime Filologjike”, “Studia Albanica” dhe “Dialektologjia shqiptare”. Po kështu gjatë kësaj kohe, Mahiri ishte dhe drejtues studimesh dhe tezash të realizuara në këtë Institut dhe në fakultetin e Histori-Filologjisë, duke qenë një nga pjesëmarrësit kryesorë të veprimtarive shkencore, me rëndësi siç ishin, konferencat albanalogjike, Kongresi i Drejtshkrimit, pjesëmarrja në kongreset ballkanologjike, etj. Në studimet albanologjike të pas viteve ‘50-të Mahir Domi, zë një nga vendet më të rëndësishme si shkencëtar i përmasave të mëdha.
Studiues i historisë së gjuhës shqipe
Profesor Mahir Domi përveç studimeve në fushën e gjuhësisë, është marrë për një kohë të gjatë dhe me studimin e historisë së gjuhës shqipe. Lidhur me këtë profesor Rexhep Ismajli, mes të tjerash shkruan: “Në fushën e studimit të historisë së gjuhësisë shqipe, profesor Mahir Domi ka lënë gjurmët e tija, që në vitet 60-të, kur botoi tekstin e parë të universitar për “Morfologjinë Historike të Shqipes”. Deri atëhere në historinë e albanologjisë, ishin bërë paraqitje sintetizuese, për fusha të ndryshme të historisë së shqipes, ishin bërë gjithashtu dhe tekste sintetizuese për tërë historinë e gjuhës shqipe, nga Eqerem Çabej, në 1947-ën dhe u mbarua në 1960-ën, i Selman Rizës në Prishtinë në 1952-in, e në Sarajevë në 1959-ën, i Henrik Bariqit, po në Prishtinë në 1955-ën, e në Sarajevë në 1959-ën, por jo morfologjinë historike. Mahir Domi botoi dispensat për Morfologjinë historike, të shqipes, disiplinë që pastaj njohu zhvillime të rëndësishme në Tiranë, në Prishtinë dhe gjithandej në botën albanologjike. Po në këtë fushë, Mahir Domit i bie merita e hulumtimit të gjerë dhe me metoda të mirëfillta filologjike, të leksikut të shqipes, para dokumenteve të para, ashtu si dhe nxitja e diskutimeve për historinë e hershme të shqipes, sidomos për raportet midis shqipes dhe ilirishtes. Në thelb Mahir Domi, ashtu si gjithë albanologjia shqiptare e asaj kohe, në të gjitha diskutimet e tija, për atë çështje përpiqej të argumentonte hipotezën për prejardhjen ilire, të gjuhës shqipe. Në historinë e Letërsisë së bërë nga shumë autorë të viteve 70-të, Mahir Domi, është një nga hartuesit kryesorë të pjesëve për letërsinë e vjetër shqiptare, ai nuk u morr me atë letërsi, vetëm pse ishte njohës i shqipes së vjetër dhe i dokumenteve të hershme të shkruara, por sepse aty ishin bazat e gjuhës shqipe”. Mahir Domi ka qenë anëtar i Institutit të Shkencave dhe anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i shumë forumeve të larta shkencore e arsimore, të vendit tonë si dhe i disa forumeve ndërkombëtare, ku ka përfaqësuar me dinjitet shkencën dhe kulturën shqiptare. Ai është shumë i njohur dhe i vlerësuar e jashtë Shqipërisë, në botën albanalogjike e ballkanologjike. Për Profesor Mahir Domin, flasin me respektin më të thellë, të gjithë ata që e kanë njohur nga afër dhe kanë punuar me të. Një nga ata, profesor Ali Xhiku, kujton: “Profesor Mahir Domin e gjeje gjithnjë në bibliotekë, duke studiuar dhe “të humbur” pas punës. Dukej sikur asnjë “ngacmim” tjetër nuk e shkëpuste dot prej saj. Po ai e linte punën e tij, menjëherë sapo dikush t`i kërkonte ndihmë. Ai nuk kursehej dhe u gjendej gjithmonë të tjerëve. Nuk është e rastit që kontributet më të mëdha i ka dhënë në punë të përbashkëta. Profesori i nderuar Eqerem Çabej, më pat thënë njëherë për profesor Mahir Domin: ai është një njeri i rrallë, punon shumë më tepër për kolegët dhe pak për vete”. Profesor Mahiri pati fatin të jetonte për një periudhë relativisht të gjatë dhe gjithë atë jetë, ja kushtoi studimeve në fushën e gjuhësisë, ku ka lënë me mijra faqe të botuara. Për gjuhësinë shqiptare, humbja e tij ndonëse në moshën 86 vjeçare, ishte një humbje e madhe, sepse siç e ka cilësuar një nga bashkëpunëtorët e tij, “me Profesor Mahir Domin, mbyllet plejada e fundit e gjuhëtarëve shqiptarë”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016