• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Tuesday, July 22, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Të gjitha dorëshkrimet e librave që shkrova në burgun e Burrelit, arrita t’i nxjerr andej, duke shfrytëzuar përvojën e mëparshme të kuantit tim, Arshi Pipa, i cili…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

“Arshiu tha në hetuesi, se deklarimet e S. Kokalarit, S. Konjarit e R. Tabakut, janë të pavërteta dhe se ai nuk kishte qenë pjesë e asnjë…”/ Historia e panjohur e profesorit që u arratis me të motrën. në 1956-ën
“Ju tregoj jugosllavët që njoha në kampet dhe burgjet e Enver Hoxhës deri në fundin e viteve ’80-të…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik që u dënua me vdekje dhe vuajti 21 vjet në Burrel
“Ju tregoj jugosllavët që njoha në kampet dhe burgjet e Enver Hoxhës deri në fundin e viteve ’80-të…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik që u dënua me vdekje dhe vuajti 21 vjet në Burrel
“Kur Kosta Gjordeni i plagosur bërtiste; ‘më qëllun komunistat, kriminelat, të dënuarit H. Tabaku, L. Shkëmbi e N. Skrapari afrohen, por breshëria e armëve…”/ Kujtimet e ish-të burgosurve të Qafë-Barit
“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
“I dënuemi me burgim të përjetëshëm, që ban një delikt tjetër, ndëshkohet me një mbyllje vazhduese të re në qelië, për një kohë nga gjashtë muej, deri në…”/  Ç’farë parashikonte Kodi Penal i vitit 1928?

Nga Uran Kalakulla

Pjesa e tridhjetegjashtë            

                                                             Nazizmi dhe komunizmi  

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.

Gjithashtu mund të lexoni

“Romanin tim me temë historike, kushtuar figurave të rilindjes kombëtare, e ndërpreva, pasi lexova në ‘Drita’, se një gjë të tillë po bënte edhe Sterjo Spasse, madje ai…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

“Në Kongresin e dytë të ‘Rinisë së Lirë të Evropës Qendrore dhe Lindore’, që u mbajt në Paris më 1 qershor 1956, nga Rinia Shqiptare, ishte Kostë Xhajanka, i cili…”/ Historia e panjohur e mërgatës politike shqiptare

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KQB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                                 Vijon nga numri i kaluar

I burgosuri i diktaturës, nuk ishte më njeri, por një qenie e kotë, e bezdisshme, e urryer, e cila mundësisht duhet eliminuar sa më parë të jetë e mundur. Njeriu në burg shihej si një frymor që nuk vlen as sa një kafshë. Këtë e dinim fare mirë ne që ndodheshim brenda mureve dhe hekurave të zymta të burgut. Gjatë gjithë kohës, e cila përbënte pjesën më me vlerë te jetës njerëzore: rininë dhe burrërinë.

Sepse, meqë në këto dy periudha jetësore të njeriut, janë në kulmin e vet, si fuqia fizike, ashtu edhe ajo shpirtërore e mendore, këto dy pjesë të jetës, sikurse e di gjithkush, janë, në të vërtetë, vetë jeta. Domosdo, edhe kalimi i pleqërisë ne burg, është një tjetër dhembje, sepse, kur vuan tmerrësisht edhe para varrit të hapur, loti është edhe më i hidhur.

Njeriu në burg, ndaj mjedisit të mjerueshëm ku ndodhet, ka dy rrugë. Se pari, t’i nënshtrohet fatkeqësisë që e ka gjetur, duke u lakuar, duke u përgjunjur, duke u përdhosur, jo vetëm në kuptimin e keq, atë të degjenerimit moral, por edhe duke iu dorëzuar dëshpërimit të plotë, i cili, në mënyrë të pashmangshme, sjell me vete topitjen, përhumbjen, lëngimin e skajshëm shpirtëror dhe, pas kësaj a njëkohësisht me këtë, edhe regjimin, sfilitjen e parakohshme, lëngatën dhe vdekjen e qenies fizike. E dinë të gjithë se zakonisht, para se të vdesë trupi, ka vdekur shpirti.

Rruga e dytë është e kundërta e së parës, që e thënë shkurt është mobilizim i plotë i shpirtit dhe mendjes, përpjekje maksimale jo vetëm për përballjen e së keqes, por edhe në kundërshtimin e saj të drejtpërdrejtë, pra një luftë aktive trimërore. Sigurisht që ky mobilizim e ka bazën në vetëdije të lartë, në përpjekjet me ngulm për të mobilizuar veten, duke shmangur çdo dobësi, lektisje, melankoli a trishtim të vazhdueshëm, që të bren shpirtin si acidi. Pra, duhej ushqimi i mendjes me ide të reja, forcimi i karakterit, përsosja dhe edukimi i pareshtur i ndjenjës. Dhe sidomos përqafimi i vazhdueshëm i një kurajoje vërtet burrërore. Sepse, siç thotë populli, burgu është për burrat.

Ata që dinë të vlerësojnë bukuritë e jetës njerëzore, e njohin fare mirë vlerën kultivuese të kulturës për shpirtin dhe mendjen e qenies më të lartë, mes gjithë gjallesave të kësaj toke, njeriut. Ashtu si uji, që përbëhet nga dy elementë, edhe kultura ka dijen dhe artin në vetë qenien e saj, të pandashme nga njëra- tjetra. Ndaj, mendoj se jo më kot është thënë se dija dhe arti janë ushqimi i vërtete i shpirtit, nëse ai kuptohet ashtu siç ishte: mëndje dhe ndjenjë njëherësh, dije dhe këngë, poezi, art, shkencë dhe filozofi.

Në fillimet e tij, burgu komunist, nga vetë padija e atyre që e administronin, dukej sikur ishte disi më “liberal”. E, meqë ndër të parët antikomunist që hynë në burg, qenë kryesisht intelektualët, bashkë me teshat e fjetjes, enët e trastat me ushqime, hynë në burg edhe librat, si ushqimi shpirtëror i pashmangshëm i tyre. Dhe këto libra udhëtuan me ta në çdo transferim, në çdo burg apo kamp-burg të punës së detyruar e të dhunshme. Ata ishin të ndryshëm: libra filozofie, jurisprudencë, sociologjie, shkencore, studime e kritikë për letërsinë e artin dhe vepra të mirëfillta letrare. E domosdo, edhe manuale a metoda gjuhësore, bashkë me fjalorët e tyre. U krijua kështu, një lloj biblioteke e burgut, me përdorim kolektiv.

Është për të qeshur, por duket se “kolektivi i parë socialist” (kupto komunist), para se të gjente zbatim (me dhunë sigurisht), në mbarë Shqipërinë, gjeti vend (këtë herë pa dhunë, por krejt lirisht, “demokratikisht”), në vetë burgun komunist! Kështu, deri vonë, sidomos në burgun e Burrelit, qarkullonin libra që kishin pasur pronarë të parë të tyre; Ethem Haxhiademin, Koço Tasin, Gjergj Kokoshin, Kudret Kokoshin, Ethem Carën, Engjëll Kel Çobën, Arshi Pipën etj. Sa më shumë shkonin vitet, aq më shumë pakësoheshin ato, derisa erdhi një ditë dhe u zhdukën të tërë, të sekuestruar nga komanda, me “goditje të përqendruar”!

Duke përfituar nga injoranca absolute e personelit të komandës së burgut, shumë të dënuar kishin arritur (deri vonë), t’i fusnin librat që ua sillnin familjarët, duke ndërruar kopertinat e tyre me ato të librave të Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit, Maos, Enverit, etj. Për shembull, nën “këmishën” e Leninit, fshihej vepra “Komunizëm dhe terrorizem” i Kautskit, nën “Ekonomia politike e socializmit”, të Universitetit të Tiranës, fshihej “Traktati i ekonomisë politike”, Charl Gide-s, nën “Labirinthet e modernizmit”, të Alfred Uçit, ishte “Estetika” e Croce-s e, kështu me radhë.

Librat kalonin dorë më dorë, pa zhurmë, fshehtazi dhe e bënin punën e tyre. Kuptohet: për ata që donin të mësonin. Dhe, jo më kot ka dalë edhe emërtimi (më pak i njohur se i pari), “Universiteti i burgut”! Veçanërisht e përhapur, e kthyer madje në tradite, ishte të mësuarit e gjuhëve te huaja, kryesisht ato perëndimore: anglishtja, frëngjishtja, italishtja dhe gjermanishtja, të cilat ishin kapitali gjuhësor i intelektualëve tanë të mire, të shkolluar në Perëndim dhe që kishin qenë mësuesit e parë të të rinjve të parë të burgosur. Unë kam njohur nga këta të rinj, të cilët, kur ranë në burg, nuk dinin asnjë gjuhë të huaj. Kur dolën, dinin tashmë jo vetëm një, por dy, tri, në mos edhe më shumë.

Prandaj, unë them se në kamp-burgjet e punës së detyruar (në fakt te këta diçka më pak, kuptohet), por në burgjet (aq më tepër në atë të Burrelit), shkolla e gjuhëve të huaja me prirje Perëndimore, është krijuar më parë në burgun komunist, sesa në Universitetin komunist të shtetit komunist. Shikoni, pra, se sa reaksionarë dhe obskurantiste paskan qenë të mallkuarit “armiq të popullit?”! Duket si një ligj i pashkruar fakti, që thotë se, aty ku qarkullojnë librat, aty kultivohet edhe krijimi për dijen, për artin e, posaçërisht, për letërsinë. Ja, pra, se ku e ka burimin ajo që është quajtur “Letërsi e burgut”!

Unë vetë, që kur rashë në burg, dija mjaft mirë italishten dhe frëngjishten. Në burg mësova si autodidakt (meqenëse kisha kryer fakultetin e gjuhës dhe letërsisë), anglishten, gjermanishten dhe spanjishten. Madje, në burgun e Burrelit, kam ndihmuar me mësimdhënie e metoda edhe mjaft të tjerë, që ma kërkonin një gjë të tillë (apo duke i nxitur vetë). Kështu, siç më kujtohet, në vitet e para të burgut (sidomos në një periudhë), gjithë paraditen e kisha të zënë me mësimdhënie, katër orë rresht, pa ndërprerje, sa më thahej pështyma. U mësoja shokëve italishten, frëngjishten, gjermanishten dhe spanjishten.

Dhe punën e bëja pa asnjë shpërblim, së paku një cigare. Për italishten, meqë e njihja më mirë, shpesh e hartoja vetë metodën e mësimit. Një të tillë, me njëqind mësime (me tekst, fjalor dhe pjesë të zgjedhura letrare, te marra nga një antologji italiane e vjetër), ia fala një djaloshi të ri, që, pasi ta përvetësonte mirë vetë, ta përdorte për të mësuar të tjerët. Kështu, unë fitova titullin “profesor”, me të cilin më thërrasin shumë ish-të burgosur kur i takoj, sot e kësaj dite.

Dhe, të them të drejtën, pavarësisht nëse e meritoj atë titull, ndihem krenar, jo për të, por për vlerësimin që me bëjnë shokët e mi bashkëvuajtës, njëqind herë më krenar, sesa të më kishin dhënë titullin “doktor profesor’, i cili, në vendin tonë, është katandisur si ato fletë-lavdërimet e dikurshme. Mendoj se, në gjendjen e sotme ku ka arritur vendi ynë fatkeq, nëse Shqipëria ka ndonjë “prodhim” të bollshëm për të eksportuar, janë pikërisht këta “doktor-profesorët” e bollshëm. Por prapë më ha meraku nëse na e pranon kush këtë mall tonin?

Kam nisur të shkruaj që në moshën trembëdhjetë vjeçare, kur isha nxënës i klasës së dytë, në gjimnazin e Tiranës. Dihet që gjimnazi në atë kohe ishte tetëvjeçar. Në të mund të shkoje pasi të kishe kryer filloren, që ishte pesëvjeçare, si dhe të kishe mbushur të dymbëdhjetë vjetët. Nisa të shkruaj vjersha e të bëj hartime të mira, që m’i vlerësonin mësuesit. Kështu, shkallë-shkallë, gjatë gjimnazit më pas, vazhdova të shkruaj skica letrare. Por jo gjithmonë.

Dhe kjo për dy arsye. Së pari, druhesha se ato bëheshin shkak për të më rrasur në burg, ngaqë përmbajtja e tyre fliste kundër realitetit të kohës, madje drejtpërsëdrejti kundër sistemit në fuqi. Së dyti, sepse u isha futur me themel studimeve të mia të përzgjedhura në fushën e letërsisë, por edhe të filozofisë, sociologjisë, ekonomisë, jurisprudencës, historisë, përjashtuar problemet më pikante të shkencave natyrore, sidomos të biologjisë, krahas punës si arsimtar, kryesisht në fshat.

Kështu, sado ta racionoja kohën, ajo nuk dilte për të gjitha. Diçka duhej lënë mënjanë. Dhe unë lashë krijimet letrare, të cilat mund të prisnin. Ndaj, meqë në burg puna ime e mëparshme në fushën e dijes, për arsye të mungesës së librave të mjaftueshëm e të bollshëm, u reduktua mjaft, unë iu kushtova më fort krijimtarisë letrare, por pa lenë ,sigurisht, pas dore studimet e mëparshme social-kulturore dhe shkrimet mbi to.

Në shtëpi, kisha lënë një vandak të madh me shënime, lë cilat, kur u ktheva nga burgu, nuk gjeta asgjë. Kjo ishte një dhimbje e madhe për mua. Po, ç’të bëja? Të vrisja veten?! E pra, kisha materiale me shumë vlerë në to. Midis tyre edhe një bllok vjershash, kryesisht erotike, kushtuar vajzës sime të zemrës, të vetmen, në gjithë jetën time, që ishte tashmë bashkëshortja ime e nderuar. Ai bllok mbante nënshkrimin: “Ditar poetik”.

Dhe unë, herë pas here, edhe në burg, në momente të veçanta, çoku shtoja ndonjë krijim të ri, të cilin ia bashkëngjisja të mëparshmit, duke formuar kështu librin tim të vetëm në poezi, të botuar gjer tani, libër që ka mban titullin: “Vargje në pranga”, botuar më 1995. Ne kamp-burgun e Rubikut, unë shkrova edhe një lloj poeme satirike, prej dymbëdhjetë kapitujsh, me titullin:

“Zullumqarët”, që dikush e mori si ironi therëse ndaj grupit tim politik, ku nuk i përgjigjet aspak së vërtetës. Një akt i tillë do të ishte sa i poshtër, aq edhe vetëvrasës, ndaj meje e shokëve të mi të grupit. Por unë as kisha luajtur mendsh dhe as kisha rënë moralisht. Përkundrazi! Në atë vëllim kisha edhe vjersha kushtuar familjes sime e, në mënyrë të veçantë, djalit tim, si; “Gjyshërit”, “Mamin” e, kështu me radhë. Edhe atë libër nuk e gjeta kur dola nga burgu.

Në kamp-burgun e Elbasanit, shkrova një tregim të gjatë, që unë e quajta atëherë; “Tregim në vetën e parë”. Ishte një vëllim 320 faqesh me shkrimin tim të imët, në dhjetë fletore aritmetike. Ishte tregim intim, për dashurinë time të vazhdueshme për vajzën time të zemrës. Dhe, kur dola nga burgu, as atë nuk e gjeta më. Në kamp-burgun e Fushë-Krujës, kisha mbushur plot, po me atë shkrimi të imët, dy fletore të trasha, nga ato kinezet e asaj kohe.

Aty trajtoja probleme të filozofisë së historisë, lënde që më kishte tërhequr shumë gjithë kohën. Ajo vepër quhej; “Mbi ligjet e brendshme të historisë”, që, për çudi, titullin ia kisha vënë italisht në kopertinë: “Delle leggi innerenti della storia”. Kur dola nga burgu edhe këtë vepër nuk e gjeta më. Po në këtë kamp-burg, shkrova edhe një lloj traktati (traktatth) me titull; “Mbi personalitetin”, libër që mendoja se do t’i vlente djalit tim dhe moshatarëve të tij që ta ndërtonin personalitetin e tyre për së mbari.

Kjo vepër ishte fryt i studimeve të mia dhe i mendimeve të mia origjinale. E, kur dola nga burgu, edhe këtë vepër nuk e gjeta. Të gjitha këto shkrime, unë kisha arritur t’i nxirja nga kamp-burgjet me marifet, kur bënim takim me time shoqe, sigurisht duke rrezikuar jo vetëm veten, por sidomos bashkëshorten time. Mënyra e nxjerrjes së tyre mu, nën hundën e policëve, është një histori më vete.

Di të them shkurt, vetëm një gjë: i burgosuri në përgjithësi e ai politik në veçanti, bëhet nga halli njëqind herë më i shkathët se polici. Ai sajon mënyra shumë më të rafinuara se ato të zbulimit policor, duke e mprehur mendjen si brisku. Është një mjet mbrojtjeje, një mjet i shpëtimit të asaj që duhet shpëtuar. Ai është të paktën një hap para nga metodat investiguese të Sigurimit të Shtetit. Dhe kjo është provuar shumë herë në burgjet dhe kamp-burgjet e diktaturës komuniste. Më kësi mënyrash kam arritur unë të nxjerr nga burgu i Burrelit vargun e poezive te mia, për të cilat kam folur më lart. Dhe këto mu në sy të policit dhe oficerit të rojës, gjithnjë në bashkëpunim me time shoqe, trimëreshë dhe heroike!

Por, që të jem i drejtë, së pari me veten time e, pastaj edhe me të tjerët që lexojnë këtë libër, duhet të them se, në veprime të tilla, sa të rrezikshme e guximtare, aq edhe të holla e dinake, unë shfrytëzova përvojën e mëparshme. Atë që kishte përdorur para meje kunati im, Arshi Pipa, i cili kishte mundur të komunikonte me familjen me anë të letrave, duke qenë ende në hetuesi dhe që kishte arritur të nxjerrë po nga burgu i Burrelit dy veprat e tij poetike; “Libri i burgut” dhe poemën “Rusha”, si dhe atë filozofike, shkruar italisht me titull ‘La mia concezione sulla vita” (‘Koncepti im mbi jetën’).

Në burgun e Burrelit, ku unë kalova pjesën më të madhe të dënimit tim, plot 14 vjet, pa lëvizur prej andej, shkrova gjithashtu disa libra, nga të cilët më ka mbetur vetëm një. I pari ishte; “Gramatika metodike e gjuhës shqipe”, me rreth 700 e ca faqe. Ky libër ishte fryt, sa i dijes sime për gjuhën shqipe, aq edhe i përvojës dymbëdhjetëvjeçare si mësues i kësaj gjuhe në shkollat shtatëvjeçare. Por, sigurisht, niveli këtu ishte më i ngritur. Qëllimi i atij libri ishte që bazën e gramatikës së gjuhës sonë, ta mësonte pa mësues kushdo që ndiente nevojën, si autodidakt, meqë mendohej që ai nuk kishte studiuar për gjuhësi dhe, çka kishte mësuar në shkollë dikur, s’i kishte mbetur asgjë në mendje.

Është një fakt i njohur që shumica e atyre që kryejnë kursin e plotë të arsimit, nga fillorja e deri në maturën e gjimnazit, pak apo aspak i mbetet në mendje lënda e gjuhës shqipe. Dhe kjo për shumë arsye. Por, sipas mendimit tim, kryesorja është se gjuha në shkollën e arsimit të përgjithshëm, mësohet më shumë mekanikisht. Dhe fajin për këtë e kanë sa tekstet, aq edhe vetë mësuesit.

Sigurisht, unë flas për vite e vite më parë, se nuk jam në dijeni për çka ndodh sot në shkollat tona, megjithëse, të them të drejtën, një hije dyshimi nuk më hiqet ende nga mendja. Mësimdhënia është art më vete, ashtu si arti teatral. Dhe unë kam bindjen se mësuesi ideal lind, ashtu siç lind poeti, artisti. Por ama me durim, me këmbëngulje dhe pasion edhe mund t’i arrihet disi mësuesit ideal, artistit të mësimdhënies.

I kërkoj ndjesë lexuesit se ndoshta u zgjata pak, por ja që mori hov pasioni im i vjetër i mësimdhënies. Dhe qe pikërisht kjo, arsyeja e parë që të shkruaja atë gramatikë aq voluminoze. Por kisha edhe dy arsye të tjera: zhgënjimi im ndaj një pjese të mirë të ish-kolegëve të mi arsimtare (të fillores qofshin apo të shtatëvjeçares), në zotërimin si duhet të lëndës së gjuhës shqipe.

Arsyeja tjetër ishte, si të thuash taktike, si një lloj kamuflimi të vetes ndaj syrit vigjilent, sa të operativit të burgut, aq edhe të sejmenëve të tij, që i kisha të pranishëm afër meje. Kështu kur të raportonin “më lart”, do thoshin se unë pothuaj nuk merrja fare pjesë në bisedimet “dhomçe” dhe as “kokë më kokë”, por rrija gjithë kohën përmbys, në punë të gramatikës shqipe! Pra, një udhë e dy punë. / Memorie.al

                                                          Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Si major i inteligjencës ushtarake, ai shërbeu në stafin e gjeneralit Aizenhauer gjatë pushtimit të Francës dhe luftoi për çlirimin...”/ Historia e panjohur e shqiptarit të famshëm, që u përcoll me protokoll në SHBA-ës

Next Post

“Kur mjekët italianë këmbëngulën që operimi i syrit të tij, s’mund të bëhej pa narkozë, ai u tha...”! / Historia e panjohur e Plakut të Butkës, që “uli në gjunjë” edhe gjeneralët e diplomatët francezë

Artikuj të ngjashëm

“Romanin tim me temë historike, kushtuar figurave të rilindjes kombëtare, e ndërpreva, pasi lexova në ‘Drita’, se një gjë të tillë po bënte edhe Sterjo Spasse, madje ai…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës
Dossier

“Romanin tim me temë historike, kushtuar figurave të rilindjes kombëtare, e ndërpreva, pasi lexova në ‘Drita’, se një gjë të tillë po bënte edhe Sterjo Spasse, madje ai…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

July 21, 2025
“Mos u presjononi prej klikës së kalbur staliniste, Hoxha-Shehu, qëndroni kryelartë me kurajo prej shqiptari, sepse i ka ditët të numëruara…”/ Zbulohet trakti që alarmoi Tiranën zyrtare, në vitin 1977
Dossier

“Në Kongresin e dytë të ‘Rinisë së Lirë të Evropës Qendrore dhe Lindore’, që u mbajt në Paris më 1 qershor 1956, nga Rinia Shqiptare, ishte Kostë Xhajanka, i cili…”/ Historia e panjohur e mërgatës politike shqiptare

July 20, 2025
“Si major i inteligjencës ushtarake, ai shërbeu në stafin e gjeneralit Aizenhauer gjatë pushtimit të Francës dhe luftoi për çlirimin…”/ Historia e panjohur e shqiptarit të famshëm, që u përcoll me protokoll në SHBA-ës
Dossier

“Si major i inteligjencës ushtarake, ai shërbeu në stafin e gjeneralit Aizenhauer gjatë pushtimit të Francës dhe luftoi për çlirimin…”/ Historia e panjohur e shqiptarit të famshëm, që u përcoll me protokoll në SHBA-ës

July 20, 2025
“Goni Treska tregonte për Enver Hoxhën, që merrte dollarë të Zogut si dylber i një kasapi me emrin ‘Kia’, raportet me vajzën fisnike Gallata, për gratë e ‘Grupit Komunist’ të Korçës…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës
Dossier

“Goni Treska tregonte për Enver Hoxhën, që merrte dollarë të Zogut si dylber i një kasapi me emrin ‘Kia’, raportet me vajzën fisnike Gallata, për gratë e ‘Grupit Komunist’ të Korçës…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

July 19, 2025
“Në Burrel u njoha me Goni Treskën, nga familjet më të dëgjuara të Korçës, i diplomuar në Korfuz, që kishte njohur ata të Grupit Komunist dhe kur e pyeta për Enver Hoxhën, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës
Dossier

“Në Burrel u njoha me Goni Treskën, nga familjet më të dëgjuara të Korçës, i diplomuar në Korfuz, që kishte njohur ata të Grupit Komunist dhe kur e pyeta për Enver Hoxhën, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

July 18, 2025
“Jerzhi Legucki, është kuadër i Zbulimit Polak dhe ai interesohet për fëmijët e udhëheqësit tonë, Enver Hoxha…”! / Zbulohet dokumenti i Sigurimit, për diplomatin që tentoi të futej në “Bllok”, më 9 prill 1970
Dossier

“Jerzhi Legucki, është kuadër i Zbulimit Polak dhe ai interesohet për fëmijët e udhëheqësit tonë, Enver Hoxha…”! / Zbulohet dokumenti i Sigurimit, për diplomatin që tentoi të futej në “Bllok”, më 9 prill 1970

July 17, 2025
Next Post
“Në librin e tij ‘Gjashtë muaj histori të Shqipërisë’, koloneli francez Dekon, pranoi propozimet e Sali Butkës për shpalljen e Vetëqeverimit shqiptar të Korçës dhe…”/ Refleksionet e studjuesit dhe historianit të njohur

“Kur mjekët italianë këmbëngulën që operimi i syrit të tij, s’mund të bëhej pa narkozë, ai u tha...”! / Historia e panjohur e Plakut të Butkës, që “uli në gjunjë” edhe gjeneralët e diplomatët francezë

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme