• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Friday, July 18, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Komandanti i parë i burgut Burrelit, ishte sadisti me gradën e togerit, me emrin e mallkuar Vangjel Rrëmbeci dhe, deri në vitin 1949, ai mori emrin ‘Burgu i shfarosjes’, pasi aty…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
“Me ‘koha e V. Rëmbecit’, nënkuptonin masakrat e fundviteve ’40-të, e ‘T. Markos’, e ‘S. Vullkanit’, po ato tmerre, e ‘H. Pelës’, përdhunimet e burrave të zamanit…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit të Spaçit
“Në burgun e Burrelit, Koço Kotën e kanë torturuar çnjerëzisht e godisnin me bajonetë dhe plagët e çara i’a mbushnin me…”/ Dëshmia rrëqethëse e nipit të ish-kryeministrit, që e rrëmbyen në Greqi në ’45-ën
“Në Burgun e Ri të Tiranës, Beso Gega i tha Xhevat Korçës: ti, mirë e ke që je në burg, sepse jo vetëm tradhtove detyrën tënde, kur ma lirove vajzën nga burgu, por…”/ Ndjesa e babait të Liri Gegës në ’45-ën
Denoncimet e B.p. “Shkëmbi”, burgu i Burrelit, ’83: /“Gjet Kadeli, Daut Gumeni, Kapllan Resuli, Bebi Konomi, Luan Burimi, Skënder Shatku, etj., flasin kundër udhëheqësit të partisë, duke thënë…”
“Kur banonim në Gjirokastër, Enver Hoxha i propozoi disa herë Aurelias për fejesë dhe pasi mori refuzimin e prerë të saj, ai u betua që…”/ Kujtimet e italianit, nipi i ish-portierit të Kombëtares shqiptare

Nga Uran Kalakulla

Pjesa e tridhjete tre

                                                           Nazizmi dhe komunizmi

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.

Gjithashtu mund të lexoni

“Jerzhi Legucki, është kuadër i Zbulimit Polak dhe ai interesohet për fëmijët e udhëheqësit tonë, Enver Hoxha…”! / Zbulohet dokumenti i Sigurimit, për diplomatin që tentoi të futej në “Bllok”, më 9 prill 1970

“Shoku Miladin më kishte ngarkuar bashkë me shokun Qemal Stafa, si agjitprop, por Qemali ishte në të dy Komitetet Qendrore (të Rinisë e të Partisë), kurse unë nuk kisha…”! / Zbulohet letra e Koço Tashkos

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KQB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                           Vijon nga numri i kaluar

Për ata që nuk kanë as përvojën vetjake dhe as dijeni të saktë për burgjet e diktaturës në vendin tonë, por kanë dëgjuar diçka për burgun e Burrelit, thonë se ai burg ka qenë nën tokë si një lloj galerie, pa dritë e pa ajër. Siç duket, janë ndikuar nga filmat që kanë parë hera-herës me subjekt burgun, si “Konti i Monte Kristos”, apo ata mbi Neronin. E pra, burgu i Burrelit nuk ishte aspak i tillë. Ai ishte një burg i zakonshëm, jo nën tokë, madje me mjaft dritare dhe me ajër të bollshëm, sepse dritaret atje nuk mbylleshin pothuajse kurrë. Padyshim që ai burg, nga pikëpamja higjienike, nga pozicioni dhe ndërtimi, ishte shumë më komod, sepse ishte më i ri nga burgu i Gjirokastrës. Madje, do të shtoj me bindje se, si ndërtesë, ishte edhe më i mirë se Burgu i vjetër i Tiranës. Atëherë, pse gjithë ai nam i keq? Dhe ja pse.

Kuptohet se, sikur edhe në një kafaz floriri të të fusin dhe të të mbajnë me pasta e çokollata, prapë do ta ndiheshe keq, sepse ato do të të vinin në majë të hundës. Vini re zogjtë e bukur të kafazeve, se si kapen pas telave të tij dhe syri u mbetet vetëm jashtë tyre! Ata që ishin jashtë burgut, pak a shume të lirë (në atë regjim diktatorial që fatkeqësisht provuam ne shqiptarët), edhe asaj pak lirie relative që kishte, nuk ia ka ditur sa duhet vlerën. Dhe vetëm në burg e kuptoje se sa shumë kishe humbur.

Kishe humbur gjithçka: lirinë e lëvizjes së lirë, praninë e të dashurve të tu, ngrohtësinë e shtratit familjar, dorën e ngrohtë të nënës, faqen e njomë të fëmijës, bisedën e këndshme me shokun në një kafe të thjeshtë, një festë ditëlindjeje, një shëtitje çlodhëse në bulevard apo në lulishte, erën e këndshme të luleve, freskinë e valëve shushuritëse të detit apo, gurgullimën e ëmbël e nanuritëse të një lumi a përroi, kafenë e shijshme të mëngjesit, një gotë birrë të ftohtë në vapën zhuritëse, melodinë e dashur të një kënge në radio, një libër të zgjedhur në bibliotekën e qytetit, një lajm sensacional, e kështu me radhë, gati pa anë e pa fund.

Po në burg, çfarë gjen? Ngushtësinë e një vendi që të merr frymën, mungesën e duhur të higjienës normale, ushqimin e keq, sharjet e fyerjet e policit, lëvizjet shumë të kufizuara në atë hapësirë tepër të ngushtë, ajrin e ndotur nga pluhuri, tymin e cigareve, erën e trupave të palarë, erërat e këqija të natës (pse jo edhe të ditës), njerëz që flasin të gjithë njëherësh si në një qoshe të ngushtë pazari, fjalë shpesh të marra (pa kuptim, pa pike vlere), tipa të vështirë (që shpesh nuk mund t’i gëlltisësh, por që je i detyruar t’i kesh pranë), “oratorinë” e shpifur të një injoranti mendjemadh, leksionin e neveritshëm të komisarit të burgut, arrogancën dhe shkelmin e policit, “orarin” me sekonda të nevojtores, torturën e urinës apo nevojës së madhe natën, mungesën e shpeshte të cigareve, mungesën e gjatë të lajmeve nga familja, survejimin e pandërprerë te operativit, spiunllëkun e agjentëve te tij pranë teje, kapadaillëkun dhe arrogancën e të barabartëve të tu, që kanë më shumë kilogram e forcë fizike, racionin e vogël të bukës, mungesën e librave, etj.

Nuk duhet të harrojmë, gjithashtu, edhe dëshirën e natyrshme për të parë një lule a një fije bari, për të dëgjuar një cicërimë zogu, blegërimën e një qengji, zëthin e ëmbël si të zogut të një fëmije apo zërin e këndshëm të një gruaje, durim të dëgjosh gjithë natën gërhitjen e atij që fle pranë teje, atë afrim fizik tepër te ngushte me një te panjohur më pare (si sardelet në konservë), grindjet e marra deri në rrahje për një centimetër vend fjetjeje, futjen në birucë në palcën e dimrit për një muaj të tërë për hiçmosgjë, jetën e kthyer në një vegjetimi primitiv organizmash njëqelizore, prekjen gati në çdo çast të dinjitetit të njeriut, fundin e padukshëm të asaj torture të pafund që të shkatërron nervat, humbjen e shpresës, për të dalë ndonjë ditë nga ajo skëterrë, frikën e rënies prapë në burg etj., etj. Pra, një jetë që, edhe po t’ia falje dreqit, nuk do ta pranonte.

Ja, kjo ishte, me pak fjalë, jeta e burgut komunist. Komunistët kishin një aftësi të jashtëzakonshme. Ata e kthenin normalen në jonormale, të bukurën në të shëmtuar, drejtësinë në padrejtësi, delikaten në diçka trashamane, të përbuzshme, diçka me vlerë në diçka të kotë, paqen në grindje e lufte, dashurinë në urrejtje, besnikërinë në pabesi, spiunllëkun në meritë, fenë në ateizëm banal, idealizmin në materializëm të trashë, miqësinë në armiqësi, virtytin ne ves, dinjitetin në servilizëm të pështirë, ndjenjën e solidaritetit dhe të humanizmit në egoizëm kafshëror, boshësinë e tyre kulturore në dituri normative, artin dhe letërsinë në plagjiaturë, sa pa vlerë, aq edhe të shëmtuar, lirinë dhe të drejtat e njeriut në një leckë, në një rreshtim të ngjeshur konserve në burg ose në kazermë, një popull të tërë në ushtri vërtet rrjepacakë, por tepër agresive, pavarësisht nga takati i vërtete. E kështu, pa anë e pa fund.

Madje, kjo shëmti ishte edhe jashtë burgut, në të gjithë të ashtuquajturën “Republike Popullore Socialiste e Shqipërisë”. Kur ky mjerim material e shpirtëror, ishte në hapësirën jashtë burgut, si mund të ishte ai brenda tij? Burgu u Burrelit, si gjithë burgjet e tjerë shqiptarë apo te botës, ka edhe historinë e tij. Ai nisi të ndërtohej nga qeveria e Zogut, por, meqë nuk arriti të përfundonte, italianët e kthyen në stalla kuajsh për ushtrinë e tyre. Komunistët e kthyen në burgun më të rrezikshëm të vendit. Se, siç thashë më lart, ata ishin mjeshtra në ndërtimin e vendeve të torturës njerëzore. Në psikologjinë njerëzore ekziston fenomeni psikik, i quajtur “shoqërimi i ideve”. Me një fjalë, kur kujtojmë një objekt ose ide, fill pas tyre, na përftohet në mendje edhe një ide apo objekt tjetër të afërt me të, duke na u krijuar kështu një lloj binjakëzimi.

Për shembull, kur kujtojmë Sahatin e Tiranës, në mendje, menjëherë na shfaqet edhe xhamia e Ethem Beut. Imazhi i Shkodrës nuk mund të jepet pa kalanë e Rozafës dhe Bunën poshtë saj dhe liqenin. Kruja, pa kalanë e Skënderbeut e kështu me radhë. Këto janë imazhe tipike shqiptare, që lidhen me thelbin e historisë së kombit tone, me vete shpirtin e tij. Por, komunistët krijuan edhe “shoqërime idesh” të natyrës së tyre. Kështu, kur përmendet emri “Spaç”, detyrimisht të vjen ndër mend miniera e atyshme e tmerrit të të burgosurve politikë. Qafa e Barit, dikur ka qenë një nocion gjeografik i pafajshëm, por edhe aty komunistët ngritën një kamp të tmerrshëm torture, si ai i Spaçit. Kështu, krijuan një shoqërim të dytë të zymtë.

Vloçishti na kujton kampin e tmerrit për tharjen e kënetës së Maliqit. Po kështu me Jubën, me fabrikën e Bakrit në Rubik, e plot e plot të tjera. Në këtë mënyre, këtyre vendeve, në vetvete të pafajshëm, me trajtimin që u bënë komunistët, i kthyen në simbole skëterre. Një fat i tillë e ndoqi edhe qytetin e vogël tq Burrelit. Prandaj, ata që e dinë punën e burgut, kur flitej për qytetin, në mënyre të pashmangshme, u shkonte mendja tek ai burg i mallkuar dhe, atëherë, u shkonin të dridhura në shtat, sepse komunistët kishin aftësinë e veçantë për t’i anatemuar, për t’i bërë të mallkuar ne kujtesën e popullit zonat gjeografike, pjesët e Atdheut, me tmerret që shkaktonin.

Vendi ku shtrihet ai burg vjen disi i pjerrët dhe burgu, nga një anë, del sipër mbi një xoklaturë muri dhe, nga ana e kundërt, futet në dhe (gati dy pëllëmbë). Ai burg është i gjatë rreth njëqind metra. Sot është ndryshuar diçka nga brenda, por, kur isha unë, kishte dhjetë dhoma (kausha), pesë në secilin krah, me nga një korridor të ngushtë në çdo radhë të tyre. Këto dy grupe dhomash, ndaheshin mes tyre nga një nevojtore me vetëm tri bira, një si korridor me një govatë ku rridhte uji i tri çezmave dhe, fill pas tyre, vinte një tjetër korridor i gjatë dhe i ngushtë, me nga trembëdhjetë biruca në secilin krah të tij. Dy dhomat e skajshme, ajo me nr. 1 dhe nr. 10, ishin paksa më të mëdha se të tjerat, të cilat ishin krejt të barabarta mes tyre. Në fund të korridorit të ngushtë të parë, që niste nga dhoma nr. 1, ishte kabina e rojës apo rojave të brendshme. Muret ishin të trashë rreth gjysëm metri, e gjithë dyshemeja ishte prej betoni, ashtu si tarraca sipër. Mes ndërtesës dhe murit rrethues (nga para), ishte një shesh i caktuar, për ajrosjen e të dënuarve.

Por, murit nuk mund t’i afroheshe, se kishte një zonë të ndaluar, në të cilën ishin vendosur tabela me mbishkrimin: “Rrezik vdekje”. Po të shkelje aty, rojat, nga pozicionet e tyre (mbi kullat e mbi tarracë), të linin në vend me një breshëri plumbash. Kurse, nga ana e derës së hekurt, në krah të saj, ishte ndërtesa e komandës e, pas saj, edhe ajo e ushtarëve. Ata bënin rojë ditë e natë, pa pushim. Ja, ky ishte burgu i Burrelit. Ai burg, mori nam të keq që kur nisi të funksionojë si i tillë, rreth vitit 1946. Në të u mbylle ajka e inteligjencies dhe shumë prej tyre vdiqën aty. Ushqimi ishte vetëm 400 gr. bukë misri (e mykur) dhe një gavete ujë në 24 orë.

Ujë të rrjedhshëm atë kohë nuk kishte, por vetëm një pus në mes të oborrit, ku të burgosurit, ngaqë nuk kishte as çikrik dhe as kovë, enkas për mundim, mbushnin ujë me gavetat e tyre, të lidhura me gjalm, të sajuar vetë nga halli. Komandanti i parë i atij burgu, ishte sadisti me gradën e togerit, me emrin e mallkuar Vangjel Rrëmbeci. Dhe, deri në vitin 1949, ai burg mori emrin “Burgu i shfarosjes”. Sepse, nga uria, nga sëmundjet, nga të ftohtët, nga lagështia, nga trajtimi i keq në dhoma e nga dënimet e kota në biruca, humbën jetën me dhjetëra njerëz, numër, që nisi të rritej gjithnjë e më shumë. Unë nuk e di numrin e saktë të të vdekurve në atë burg, por mund të them se vetëm gjatë kohës që kalova unë aty, për 14 vjet rresht, vdiqën dhe u sakatuan dhjetëra të dënuar. Mbaj mend disa prej tyre: Sazan Hadëri, Salo Lezha, Karafil Kalaci (vdiq në spitalin e të burgosurve ne Tiranë), e sidomos Mustafa Bajraktarin.

Ish-kryeministrin e Mbretit Zog, Koço Kotën, e vranë policët e Vangjel Rrëmbecit me hunj, duke ia stërpikur gjakun dhe trutë në muret e birucës. Intelektualin Xhevat Korça, e bënë të vdiste me grevë urie. Në atë burg kanë vdekur mjaft intelektuale patriotë, figura të shquara të shtetit dhe të kulturës shqiptare, ndër të cilët mund të përmend: Ethem Haxhiademi, Arqile Tasi, Gjergj Kokoshi e plot të tjerë. Madje, ky i fundit, pat qenë edhe ministër në kabinetin e parë të Enver Hoxhës. Në atë burg kaluan kalvarin e tyre edhe plot intelektuale të tjerë, laikë apo klerikë, si: Koço Tasi, Zef Mala, Kudret Kokoshi, Suat Asllani, Arshi Pipa, Patër Mëshkalla, Nikollë Mazreku, Hafiz Dërguti, Foto Bala, Andon Frashëri, etj.

Ulërimat e Asllan Ukës

Asllan Uka ishte një nga kapterët e rrezikshëm të burgut të Burrelit. Ai qe nga më të vjetrit atje dhe kushedi sa njerëz e shpirtra kishte torturuar e marrë më qafë. Me siguri ai ka qenë një ndër ata që kanë çuar shumë nga viktimat e burgut në dhe, nën hijen e qershizës. Nga emri, nuk duhej të ishte mirditor, pasi nuk di që të ketë banorë të fesë islame në Mirditë. Por, ndoshta ishte diku andej afër, ndoshta nga Puka. Matjan s’ma merrte mendja të ishte, se të folurën e kishte tamam si mirditor. Po, dreqi ta marrë, nëse s’e ka marrë ende!

“Asllan”, është emër turk dhe kuptimi në shqip ashtë “luan”. Po Asllani nuk ishte aspak luan. Po ta gjykoje nga pamja e, sidomos nga zëri, me ton shumë të lartë, me një ulërimë fort të shëmtuar, tamam prej çakalli të uritur, ai i ngjante një hiene a çakalli. I thatë në shtat, me një fytyrë verdhacuke e të gjatë si të qenit, ai kishte tamam sytë e hienës, së cilës i ndritin natën në terr si thëngjij të zjarrtë. Hunda e hollë dhe e gjatë i shtrembërohej disi majtas, si nga një zell i tërbuar bolshevik, ndërsa goja, me ato buzë të holla e të zbehta, zvargej anash nga një nënqeshje e ligë prej shpirti të keq.

Kur niste turnin e vet, ditën apo natën, i gjithë burgu shqetësohej dhe kujdesi për të mos i dhënë shkakun më të vogël ishte shumë i madh, sepse të gjithë e kishin mësuar tashmë (dhe pësuar në kurriz), se ai kërkonte, në çdo rast; “mana për trahana”. Për të kontrolluar se ç’bëhej brenda, nuk i hapte si të tjerët sportelet e dhomave, por ngadalë, pa u ndjere fare, ashtu siç i hedh skilja këmbët kur do t’i afrohet gjahut, të delte përballë. Për më tepër, mbante edhe një pasqyrë të vogël, me anë të së cilës, duke e kthyer andej këndej, hetonte ç’ bëhej nëpër qoshe apo nga ana e derës, ku syri, prej sportelit, nuk arrinte dot. Qejfi më i madh i këtij kapteri, ishte që birucat të mos mbeteshin bosh. Pra, atij i dhimbseshin më fort ato sesa njerëzit. Vetëm kur ato mbusheshin, e ndiente veten të kënaqur.

Por, të hyje në birucë, veçanërisht dimrit, kur frynte veriu nga malet e mbushura me dëborë dhe hejet të dritaret vareshin gati sa të arrinin tokën, nuk ishte shaka, ishte vdekje! Çimentoja ishte bërë si e zezë. Kur shkelje zbathur në të, shputa e këmbës sikur ngjitej pas saj e ishte e vështirë ta shkëputje soje. Dhe e gjithë biruca, që edhe në gusht ishte akull, në janar bëhej tamam frigorifer e të ngrinte si përbindësh. Të rrije jo një ditë në të, por një muaj të tërë, kur të dënonin për hiçmosgjë, ishte një ujdi e madhe të dilje i gjallë andej. Nganjëherë të rrasnin të zhveshur, veç në mbathje e kanotjere. Vetëm natën, nga ora 9, kur lejohej gjumi, deri ne orën 5 të mëngjesit, kur bëhej zgjimi.

Të jepnin një batanije të ronitur e të ndyrë, përmes së cilës drita depërtonte tejpërtej. E ç’të bëje me atë farë batanijeje? Ta shtroje në çimento apo, të mbështilleshe me të për t’ju ruajtur acarit, që të therte në trup si me thikë. E kjo ishte jo një orë e dy, jo një ditë e dy, por një muaj të tërë! Unë nuk mund ta kuptoj e, aq ma pak mund ta shpjegoj se si dilte prapë i gjallë nga ajo birucë njeriu, pasi ishte mbyllur një muaj të tërë në të! Këtë mund ta dije vetëm një Zot dhe shpirti i atyre që e kanë hequr mbi kurriz një tmerr të tillë! Sigurisht, andej nuk dilje pa cen, pa ndonjë bronkopneumoni apo proces tuberkular. Megjithatë, kam parë djem që dilnin nga biruca edhe pa taksirate të tilla. E as këtë nuk arrij ta kuptoj e ta shpjegoj dot!

Asllan Uka e shumë shokë të tij, ishin “mjeshtrit” e birucave të tilla, ku vdekja rrinte vazhdimisht në përgjim të jetës. Kur vinte orari për të të nxjerrë në nevojë, edhe pse ishte një lehtësim, mund të ndesheshe me rrezikun që të haje tridhjetë ditë birucë. Asllani rrinte te kthesa e korridorit të ngushtë (as një metër), afër kabinës së vet me derë xhami, me telefon e me ngrohës elektrik dhe kapardisej si gjenerali para trupave të tij, te cilët janë gati të nisen me nxitim për në llogore. Me një vetull të ngritur lart (ashtu si kokën), gjithë kapadaillëk, bërtiste sa të shurdhonte veshët. E bërtitura e tij, një ulërimë e vërtete, dëgjohej jo vetëm te zyrat e komandës, jashtë murit të lartë të oborrit të burgut, por edhe deri përtej tij, te rruga, ku kalonin qytetarët e lirë.

Rreshti ynë prej njëzet-tridhjetë vetash, të shtyrë nga halli se mos mbushje brekët rrugës nga nevoja që mezi e mbanin, ca edhe nga halli (dhe ky ishte halli me i madh), që, në vend të shkojë në nevojtore, përfundoje drejt e në birucë, turrej me vrap nëpër atë korridor me nxitim, kush të arrinte i pari e të zinte një nga tri vrimat e halesë. Se, edhe koha për çdo dhomë ishte e caktuar, duket me “kompjuterin” e kapter Asllanit: jo më shume se tre minuta. Si rregull, i pari duhej të vraponte ai që kishte radhën e transportit të qypave të mëdhenj prej balte, të cilët shërbenin për të kryer urinën, kur dera e dhomës ishte e mbyllur dhe nuk hapej, edhe sikur t’i bije këmbës, jo më të mbushje brekët.

Ndodhte nganjëherë që, nga shtrëngimi, këtij marathonomaku gyp-mbajtës, t’i ndodhte taksirati që ta shtynin e të rrëzohej me gjithë qypa. Qypat thyheshin, nevoja mbyste korridorin dhe heroi i tyre përfundonte në birucë, ashtu i përlyer si mos më keq, pasi hante më parë edhe britmat e të sharat e Asllanit. Ose ndonjë shkelm të fortë në prapanicë a, ku ta zinte çizmja e tij. Ne “armiqtë e popullit”, nuk ishim më njerëz, si besonim se kishim qenë dikur. Ishte vetëm një grumbull dykëmbëshash, një emër në listën e komandës. Shumë-shumë, një dosje tek operativi; një qenie, tek e cila mund të bëje çdo gjë: ta shaje e ta rrihje kur të të tekej, që nga kapteri, te komandanti e operativi. Kurse në kampe, ishe vetëm një kafshë punë e asgjë më tepër!

Pra, të çirrurat e Asllanit, nuk kursenin as të parët e rreshtit, të fundit. Kështu, keq të dilje i pari, keq i fundit. Një skenë e tillë më kujtonte shpesh një ndër gravurat e piktorit të shquar francez, Gustav Dore, i cili e ka ilustruar mrekullisht “Komedinë Hyjnore” të Dantes. Është fjala për një skenë të Ferrit, ku mëkatarët e një rrethi janë të dënuar të ngasin me vrap, mes ca drizave e ferrave që u gjakosin trupin, të ndjekur nga ca qenj të tërbuar, që duan t’ua shqyejnë mishrat. Ja, kështu ndodhte (në atë korridor të mallkuar të burgut të Burrelit), me syrin e keq dhe ulërimat ngjethëse të Asllan Ukës e shokëve të tij./ Memorie.al

                                                             Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Gazeta e parë që u hap në Gjirokastër në gjuhën shqipe, ishte ‘Drita’, në vitet 1920-1924, me editor patriotin dhe publicistin Veli Hashorva...”! / Historia e panjohur e intelektualit të shquar gjirokastrit

Next Post

“Veli Hashorva, si modeli i parë i gazetarit modern shqiptar, shënon në programin e tij, moton bazë të gazetarisë, ku shkruan se…”! / Historia e panjohur e intelektualit atdhetar nga Gjirokastra, që vdiq në Turqi

Artikuj të ngjashëm

“Jerzhi Legucki, është kuadër i Zbulimit Polak dhe ai interesohet për fëmijët e udhëheqësit tonë, Enver Hoxha…”! / Zbulohet dokumenti i Sigurimit, për diplomatin që tentoi të futej në “Bllok”, më 9 prill 1970
Dossier

“Jerzhi Legucki, është kuadër i Zbulimit Polak dhe ai interesohet për fëmijët e udhëheqësit tonë, Enver Hoxha…”! / Zbulohet dokumenti i Sigurimit, për diplomatin që tentoi të futej në “Bllok”, më 9 prill 1970

July 17, 2025
“Shoku Miladin më kishte ngarkuar bashkë me shokun Qemal Stafa, si agjitprop, por Qemali ishte në të dy Komitetet Qendrore (të Rinisë e të Partisë), kurse unë nuk kisha…”! / Zbulohet letra e Koço Tashkos
Dossier

“Shoku Miladin më kishte ngarkuar bashkë me shokun Qemal Stafa, si agjitprop, por Qemali ishte në të dy Komitetet Qendrore (të Rinisë e të Partisë), kurse unë nuk kisha…”! / Zbulohet letra e Koço Tashkos

July 17, 2025
“Sapo merrnin vesh që kishim njerëz në burg, banorët e Burrelit, mbyllnin portat e as një pikë ujë nuk të jepnin për fëmijët, kurse në të vetmin hotel që ishte aty…”/ Kujtimet e Sofika Prifti Cara   
Dossier

 “Të gjitha burgjet kanë një hije të trishtë, por burgu i Burrelit, ku na çuan në vitin 1968, ishte ndryshe nga të tjerët, pasi aty…”!/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

July 16, 2025
“Deli Janaqi dhe masakra e Paramithisë: Kush urdhëroi copëtimet dhe plaçkitjet në emër të hakmarrjes?”
Dossier

“Ish- ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Panos Kammenos ka deklaruar se; ‘çamët janë kriminelë lufte, se kanë bashkëpunuar me nazistët’, por a ishte bashkëpunëtorë më i madh i fashizmit, se sa vet Greqia…”?!/ Refleksionet e studiuesit të njohur

July 16, 2025
Zbulohet biseda e Haxhi Lleshit: “Mehmeti qe gojtar dhe trim, por jo aq sa hiqej, ai vetëm Enverin e mua kishte frikë, se në Spanjë…”/ Proçes-verbali i takimit me historianin e njohur, korrik ‘82
Dossier

“Qëndrimi i Komitetit Qendror të PKSH-së ndaj Myslym Pezës, ka qenë negativ, shoku Miladin thoshte: ‘na duhen çetat partizane, mos humbim kohë e material për një kriminel…”/ Zbulohet letra e Koço Tashkos

July 15, 2025
“Kur komandanti kampit, Çelo Arëza, e urdhëroi të lidhte një plak, kapter Mark ‘gjigandi’, iu kthye me fjalët që rrallë ndonjë xhelat i ka nxjerrë nga goja…”/ Historia e rrallë në burgun e Repsit
Dossier

“Gjatë mbledhjes, komisari i kampit të Spaçit, N. Kolithari, tha: kemi elementë armiq, si Uran Kalakulla, që ka ngritur këtu një parti social-demokrate, kurse B. Belishova dhe V. Lezho…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik

July 17, 2025
Next Post
Fotografi me pamje të ndryshme nga Gjirokastra në vitet 1910-1930

“Veli Hashorva, si modeli i parë i gazetarit modern shqiptar, shënon në programin e tij, moton bazë të gazetarisë, ku shkruan se…”! / Historia e panjohur e intelektualit atdhetar nga Gjirokastra, që vdiq në Turqi

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme