Nga Dr. Dorian Koçi
Pjesa e parë
Memorie.al / Gazetaria moderne shqiptare i ka rrënjët e veta në humusin kulturor të qytetit të Gjirokastrës. Brenda një harku 10 vjeçar 1920-1930 në qytetin e Gjirokastrës janë botuar gazetat si: “Drita” e Veli Hashorvës (doli në Gjirokastër në 27 mars 1920-1924), “Demokratia” e Xhevat Kallajxhiut (doli Gjirokastër më 28 nëntor 1925 dhe vijoi deri më 1939), “Labëria” dhe “Ideja kombëtare” (që dolën në periudhat kur censura ndërpreu botimin e gazetës “Demokratia”), “Fletore Popullore e Politike Kombëtare”, (doli në Gjirokastër për herë të parë më 27 mars 1920-1924) “Fletore popullore” e Petro M. Haritos (doli në Gjirokastër me dy dhe katër faqe, më 3 nëntor 1923), “Neoshqiptarizma”, dhe “Përpjekja Shqiptare” të Branko Merxhanit.
Ky zhvillim i rëndësishëm kulturor ishte një vazhdimësi e përpjekjeve të elitës patriotike të qytetit të Gjirokastrës dhe pjesëmarrjes së saj në shtet-ndërtimin shqiptar të filluar që gjatë viteve të Rilindjes Kombëtare e në vazhdimësi. Etapë e rëndësishme e zgjimit kulturor në Gjirokastër ishte padyshim themelimi i Klubit “Drita” në 1908 dhe shkollës “Liria”, po atë vit në gjuhën shqipe. Këto hapa të ndërmarra nga patriotët gjirokastritë, bënë të mundur përhapjen e ideve të nacionalizmës apo shqiptarizmës, pasi krijuan një publik të masave lexuese të gjuhës amtare, që zëvendësoi përfshirjen aksiomatike të gjuhëve të shkruara në mendjet e njerëzve dhe shkatërroi solidaritetet fetare, duke i hapur udhën solidaritetit të gjuhës e kulturës shqiptare.
Pushtimi grek i Gjirokastrës më 1913-1916, u përpoq të ndërpriste procesin e nisur të shtet-ndërtimit shqiptar, pasi Greqia pretendonte për ta përfshirë Gjirokastrën brenda kufjeve të shtetit grek, në kuadër të pretendimeve të saj të hapura, për të ashtuquajturin “Vorio Epir”. Këto përpjekje aneksioniste të Greqisë, u kundërshtuan nga elita patriotike shqiptare e popullsia e Gjirokastrës. Për më tepër, në vitin 1916, ky rrezik u minimalizua, pasi Gjirokastra u përfshi në zonën e pushtimit italian, pas tërheqjes së detyruar të ushtrisë greke.
Në zonën e pushtimit italian u mbyllën shkollat në gjuhën greke dhe u hapën shkolla fillore në gjuhën shqipe, në të cilat dominonin mësues italianë dhe mësimi i italishtes filloi të zinte vendin e parë. U hapën kurse të shkurtra për arsimtarë shqiptar, si në Gjirokastër dhe Vlorë, ku morën pjesë 135 veta dhe u sollën nga Italia mjete mësimore e libra shkollorë. Ndërkaq, qeveria italiane në qarkun e Vlorës dhe të Gjirokastrës, krijoi një administratë ushtarake, që drejtohej nga specialistë italianë.
Në këtë zonë shkoi duke u rritur numri i shkollave. Çdo shkollë kishte mësues shqiptarë dhe mësues-ushtarë italianë. Mësimi i gjuhës italiane ishte i detyrueshëm. Për aftësimin e mësuesve shqiptarë, në Vlorë u organizuan kurse të shkurtra, ndërsa në vitin 1917, u dërguan edhe 25 vetë, që ndoqën një kurs 3 mujor pedagogjik. Shkollat punonin sipas programit të shkollave italiane. Në vitin shkollor 1917-1918, në Gjirokastër u hap edhe një shkollë qytetëse, me profil tregtar, në të cilën të gjitha mësimet bëheshin në italisht.
Në vitin 1921 kur Gjirokastrën e viziton senatori francez Justin Godart, gjatë turit të tij në Shqipëri, aty kishte 11.000 banorë dhe 5 shkolla me shumicën e klasave mikse. Këto zhvillime të rëndësishme kulturore të ndërmarra nga italianët në Shqipërinë e Jugut, hijezoheshin nga publikimi i Traktatit të Fshehtë të Londrës (26 Prill 1915), që parashikonte një copëzim të Shqipërisë londineze, si dhe dëshirën e italianëve për të aneksuar Vlorën dhe rrethinat e saj, si pikë e rëndësishme gjeostrategjike në Adriatik. Në këto kushte politike e kulturore të krijuara në Gjirokastër, si dhe pas kthimit në vendlindje të disa familjeve intelektuale gjirokastrite nga Turqia, si Kokalarët, Kokonatët, Alizotajt etj., lind edhe publicistika në gjuhën shqipe, si pasardhëse e traditës më të mirë të shtypit të Rilindjes Kombëtare
Gazeta e parë që hapet në Gjirokastër në gjuhën shqipe, është Gazeta “Drita” (1920-1924) me editor patriotin dhe publicistin demokrat Veli Hashorva (1892-1975). Veli Hashorva nuk ishte i panjohur për lëvizjen patriotike e kombëtare shqiptare. Ai ishte përfaqësues i një familje të vjetër gjirokastrite, të parët e të cilit kishin administruar financat e Vilajetit të Janinës. Veprimtarinë patriotike ai e kish filluar në qytetin e lindjes, në Gjirokastër si anëtar i klubit “Drita”, të themeluar atje më 1908-ën. Më 1911-ën, ai shkoi në Stamboll për studimet e larta në Shkenca Politike dhe u kthye në Shqipëri, më 1912-ën.
Veli Hashorva së bashku me studentë të tjerë shqiptarë, përfshi dhe mikun e tij Ali Këlcyrën, i ndërpreu studimet e larta si rezultat i shpërthimit të Luftërave Ballkanike. Si veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, u ndoq dhe u persekutua nga forcat greke, kur ato pushtuan Gjirokastrën, më 1913-ën. Për t’u shpëtuar ndjekjeve të mëtejshme, në maj 1915-të, mërgoi në SHBA-ës, ku punoi pranë Federatës “Vatra”. Më 1916, botoi në Nju-Jork gazetën “Vjosa”, me frymë politike kombëtare. Në datën 3 qershor 1917, ai zgjidhet delegat për Kuvendin e “Vatrës”, që organizoi fushatën për mbledhjen e një shume prej 40.000 dollarësh (750,289 dollarë me kursin e sotëm), për të bërë të mundur që Kolonia e Amerikës, të dërgonte dy përfaqësues në Konferencën e Paqes në Paris, z. Mehmet Konica dhe z. Turtulli.
Veli Hashorva u kthye në Shqipëri më 1919, kur Gjirokastra ishte ende nën zonën e pushtimit italian, së bashku me Tepelenën e Gjirokastrën. Sipas një letre të Luigj Gurakuqit, dërguar Parashqevi Qiriazit në 6 dhjetor 1919, nga Parisi, Veli Hashorva ishte Këshilltar i “Vatrës”, që po kthehej në Shqipëri së bashku me Kol Tromarën dhe Ilija Panon. Ata, pasi kishin qëndruar dy javë në Romë dhe pasi qenë takuar me Luigj Gurakuqin, Mehmet Konicën e përfaqësues të Kolonisë së Stambollit, ishin kthyer në Shqipëri.
Ndërkohë në Shqipëri ishte krijuar në dhjetor 1918, fill një muaj pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Qeveria e Durrësit, me kryeministër Turhan Pashë Përmetin. Qeveria u formua prej 14 anëtarësh. Kjo qeveri do të kishte në përbërjen e saj këta emra: 1. Turhan Pasha (kryetar), 2. Preng Bib Doda (nënkryetar), dhe anëtarë: 3. Sami bej Vrioni, 4. Dr. Mihal Turtulli, 5. Myfit bej Libohova, 6. Imzot Luigj Bumçi, 7. Mid’hat bej Frashëri, 8. Luigj Gurakuqi, 9. Mehmet bej Konica, 10. Lef Nosi, 11. Mehdi Bej Frashëri, 12. Fejzi bej Alizoti, 13. Mustafa Kruja, 14. Pjetër Poga.
Qeveria e Durrësit ishte nën ndikimin italian. Pro politikës së saj ishin Myfid Libohova, Fejzi Alizoti, Mehdi Frashëri, Sami Vrioni, Mustafa Kruja. Një traktat i fshehtë mes qeverisë së përkohshme të Durrësit dhe qeverisë së Italisë, u nënshkrua nga ministrat Myfid bej Libohova, Fejzi bej Alizoti dhe këshilltari i Legatës italiane në Shqipëri, markezi Karl Durrazzo. Sipas tij, një komisar i lartë i Italisë kontrollonte dhe vendoste mbi punët e qeverisë shqiptare, si dhe për vendimet me rëndësi si buxheti, ndërtimet, koncesionet, emërime, pushime në administratë. Këtë qeveri, Italia e konsideroi si një delegacion pranë qeverisë italiane, i cili pa lejen e Adetto Gobit, nuk bënte asnjë shpenzim.
Në kushtet e një protektorati italian, Qeveria e Durrësit e kishte të vështirë për të ndërmarrë hapa që kishin të bënin me çështjen e Vlorës, hinterlandit të saj. Gjirokastra, pas presionit të qarqeve patriotike shqiptare, i dorëzua Qeverisë së Durrësit në 21 dhjetor 1919 dhe trupat italiane u tërhoqën por, vazhdonin të mbanin të pushtuar hinterlandin e Vlorës, duke përfshirë dhe qytetin e Tepelenës. Në janar të vitit 1920, Veli Hashorva mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, si një nga përfaqësuesit e Gjirokastrës. Populli i Gjirokastrës, i përcolli me entuziazëm përfaqësuesit e tij në Kongresin e Lushnjës. Më 8 janar 1920, kur nga Gjirokastra u nisën për në kongres delegatët Veli Hashorva e Kiço Koçi, në një miting, populli thërriste: “Në Lushnjë, në Lushnjë”, “Jemi me Lushnjën”!
Mbajtja e Kongresit të Lushnjes, ndeshi në kundërshtimin e qeveritarëve të Durrësit dhe të pushtuesve italianë, por më në fund ai arriti të mbahej, duke marrë vendime shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Vendimet e tij ngjallën jehonë të madhe në qarqet patriotike shqiptare dhe u përshëndetën ngado. Aty u arrit një bashkim politik i një aleance të të gjitha shtresave e grupimeve politike, e cila i dha shpejt frytet e saj.
Përvoja e Veli Hashorvës si gazetar në SHBA-ës, si editor i gazetës “Vjosa” dhe kontribuues në gazetën “Dielli”, si dhe qëllimet e rithemelimit të shtetit kombëtar shqiptar, që u shpalosën në Kongresin e Lushnjës, e nxitën për të themeluar gazetën “Drita” në Gjirokastër. Numri i parë i saj doli në në datën 27 mars 1920, dy muaj pas Kongresit të Lushnjës dhe në ditën e konstituimit të Këshillit të Lartë me 37 anëtarë, që konsiderohet si parlamenti i parë shqiptar.
Sipas kujtimeve te Veli Hashorvës, emrin “Drita” të gazetës ia ka propozuar Petro Poga, ish-ministër i Drejtësisë në qeverinë e Vlorës dhe një nga drejtuesit e Gazetës “Drita” në gjuhën shqipe në Stamboll, në vitin 1884. Numri i parë i gazetës u bë fshehtazi, për t’ia bërë surprizë popullit. Ceremonia e vogël e çeljes së gazetës, u bë në oborrin e shkollës fillore “Drita”, ku ishin thirrur një grup qytetarësh, midis tyre edhe disa gra, kryetari i bashkisë, prefekti dhe zv. prefekti i qytetit, etj.
Këtu drejtori përgjegjës i gazetës, Veli Hashorva, mbajti një fjalim modest, ku u shpreh: “Zotërinj, jam i lumtur pa masë që kam nderin të flas në qytetin tim që jam lindur dhe rritur, për herë të parë përpara një shumice patriotësh, të cilët janë edhe njerëzit më të zgjedhur të Gjirokastrës. Po ajo që më lumturon më tepër, është rasti gazmor që shkaktoi këtë mbledhje, i cili do të mbetet i çmuar në historinë e qytetit tonë dhe në jetën time personale”.
Një nga rezultatet e para të Kongresit të Lushnjës, ishte organizimi dhe mbështetja e Luftës së Vlorës që garantoi tërësinë territoriale të Shqipërisë, të njohur ndërkombëtarisht në 1913. Për këtë arsye ishte krijuar që në vitin 1919 Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, si reaksion ndaj qeverisë së Durrësit që, me sjelljen e saj fataliste ndaj rreziqeve të copëtimit, po pengonte fillimin e një lëvizje të armatosur për zgjidhur problemin e territoreve shqiptare, që ishin ende nën pushtimin italian dhe francez. Përfaqësues të kësaj rryme mendimi në qarqet patriotike shqiptare, ishin Turhan pashë Përmeti, kryeministri i qeverisë së Durrësit, Mustafa Kruja, ministër e Myfit Bej Libohova, ministër pa portofol, që kishte një ndikim të madh në Libohovë e Gjirokastër.
Ali Këlcyra në kujtimet e tij shkruan se në dhjetor 1919, Myfid Libohova që u kthye nga Parizi e Roma (…) mbajti një fjalim në Vlorë e sidomos në Gjirokastër, përpara parisë së vendit dhe tregoi se ishte pothuaj e pamundur shpëtimi i independencës e sidomos, tërësisë tokësore të Shqipërisë. Si gogol tregonte natyrisht pushtimin grek që tmerronte gjithë popullin patriot. Me të tilla fjalime Myfidi me shokë (…) donin të bindnin popullin se, e vetmja shpresë shpëtimi ishte kërkimi i Protektoratit italian. Nacionalizmi shqiptar e sidomos “Mbrojtja Kombëtare”, ishin rreptësisht kundër kësaj propagande.
Kundërshtimi i këtyre mendimeve fataliste dhe përgatitja e mbështetja për të organizuar Luftën e Vlorës, do të gjente hapësirë të gjerë në faqet e Gazetës “Drita”. Në një nga artikujt e gazetës “Drita”, shkruhej se: …. “Vlora është tona, është e Shqipërisë, dhe as kurrë s’do pranojmë çdo zgjedhje apo marrëveshje që mund të bëhet për të….! Fuqitë e mëdha mund t’ia falin Italisë Vlorën, me sa hinterland që të duan. Po shqiptari nuk do të bindet, është për ne e shtrenjtë dhe e shenjtë….”!
Veli Hashorva merr pjesë në Luftën e Vlorës, si vullnetar e korrespondent gazetar i luftës. Ai raporton në faqet e gazetës, drejtë për së drejti nga fronti i luftës: “Të gjitha vendet përveçse Llogarasë, ranë nën sulmet e shkëlqyera të shqiptarëve”. Ai është një nga anëtarët e komisionit të Gjirokastrës që shpalli fitoren e Luftës së Vlorës dhe organizoi ceremoninë e rastit. Në shpallje shkruhet se qytetarë, Vlora e shenjtë, e cila mban ekuilibrin e jetës dhe atdheut, u çlirua nga gjaku i çmuar dhe heroizma e racës, e cila lavdëron sot flamurin e triumfit të lartë.
Në të njëjtën kohë Gazeta “Drita”, do të dilte në mbrojtje të Avni Rustemit, kur ky i fundit po gjykohej në Paris, për vrasjen e Esat pashë Toptanit. Gjirokastra protestoi në mbrojtje të Avni Rustemit. Më 29 nëntor 1920, në qytet u zhvillua një miting i madh, pas të cilit iu dërgua një mocion gjykatës së Parisit: “I lutemi zhurisë së lartë të kombit francez, fisnik e liberal, të nxjerrë të pafajshëm Avni Rustemin, ekzekutorin e fajtorit me tradhti të lartë Esat Toptanin dhe të marrë në konsideratë se Avniu veproi kështu për të shpëtuar Atdheun”.
Protestat ishin nga mbarë vendi, madje edhe nga vende e miq nga gjithë bota, nën presionin e të cilëve Avniu u lirua. Pa kaluar asnjë muaj, pikërisht më 25 dhjetor 1920, në orën 7 të mëngjesit ai del në limanin e Vlorës. U prit nga një shumicë e madhe njerëzish. Në Bashkinë e Vlorës, Avniu mbajti një fjalim dhe priti urime nga populli. Gazeta “Drita” e Gjirokastrës, i uron mirëseardhjen në Atdhe, duke shkruar: “Merrni pra urimet e popullit, bekimet e të vdekurve, uratat e prindërve dhe përhirimet e miqve. Mirse na erdhe Avni Rustemi”!
Vitet ’20-të janë dhe fillimet e demokracisë parlamentare shqiptare. Grupet politike dhe partitë që do të rreshtohen në parlament, shpeshherë do të kenë ngjyra lokaliste, krahinore por ndonjëherë do të ndikohen dhe nga shoqatat e grupimet që i kanë votuar. Veli Hashorva është një nga organizatorët e Shoqërisë “Drita”, (1921-1924). Shoqëria “Drita” ishte klub demokratik, arsimor, kulturor e politik, që ushtroi veprimtarinë e vet në Gjirokastër. Është quajtur edhe klubi i “Opingarëve”, meqë kishte për simbol një palë opinga, që personifikonin njerëzit e thjeshtë. Organi i vet ishte gazeta “Drita”, që drejtohej nga Veli Hashorva.
Shoqëria “Drita” arriti rezultate të mira gjatë fushatave të zgjedhjeve për organet e larta të pushtetit më 1921 dhe më 1923. Veprimtarinë e vet demokratike e liberale, e përforcoi sidomos gjatë Lëvizjes së Qershorit 1924, që Fan Noli e Ali Këlcyra e kanë emërtuar si “Revolucioni i Qershorit 1924”. Shoqëria “Drita” që në zgjedhjet e vitit 1921, u rreshtua kundër Myfit Libohovës dhe përkrahësve të tij në Prefekturën e Gjirokastrës. Shoqëria “Drita” duket se ishte frymëzuar nga ide socialiste, që kishin filluar dhe kishin zënë rrënjë në mjedisin shqiptar. Ka shumë të ngjarë që ashtu si dhe studentë të tjerë në Stamboll, Veli Hashorva të lexonte idetë socialiste në gazetën “Turk Huku”, (“Drejtësia turke”) që propagandonte ide socialiste.
Shoqëria “Drita” mori pjesë në Kongresin e Shoqërive që u mbajt në Vlorë, ku u formua Konfederata “Atdheu”. Në një njoftim në Revistën “Agimi” që botohej në Shkodër, shkruhet se; më 3 qershor të vitit 1921, Shoqëria “Drita” e Gjinokastrës deklaroi bashkimin me Federatën “Atdheu”, tue qenë pranë dhe z. Avni Rustemi i cili, u zgjodh kryetar i mbledhjes së përgjithshme. Pjesëtarët e qendrës “Atdheu” të Gjinokastrës, u zgjodhën këta zotni; Kryetar z. Petro Poga, Sekretar z. Veli Hashorva me tre pjesëtarë të tjerë, qi janë z. Kiço Koçi, z. Hasan Xhiku dhe z. Beso Gega.
Veli Hashorva nën ndikimin e kushteve shoqërore, e kishte bërë për vete devizën e një përparimi të shpejtë, aq të nevojshëm në Shqipërinë e asaj kohe ende të pa urbanizuar. Ky përparim zakonisht perceptohej si një kontradiktë midis elitës së vjetër shqiptare, të formuar në kohën e Perandorisë Otomane me një nostalgji të theksuar për privilegjet e trashëguara nga “ancien regime” dhe të rinjve, që kërkonin një modernizim sa më të shpejtë të bazuar në merita dhe përparim kulturor. Të gjitha këto grupime, si Shoqëria “Drita” në Gjirokastër, “As i Pashës as i Beut” në Elbasan, do të jenë shumë të ndjeshëm ndaj pushtetit politik dhe sidomos çështjes së tokës, që përbënte një pikë kyçe në marrëdhëniet e barazisë qytetare.
Shumica e çifligarëve dhe elitës së vjetër politike, nuk dëshironin që të bëhej një reformë agrare, pasi pretendonin se toka ishte e trashëgueshme, ndërsa intelektualët e rinj që vinin nga shtresat e mesme, pretendonin se tokën çifligarët e kishin fituar si rezultat i privilegjeve që kishin pasur në Perandorinë Osmane, ndaj ajo duhej t’i nënshtrohej reformës agrare.
Ndërkohë që shumica e fshatarëve kishin në zotërim më pak se 1.8 ha. tokë dhe shumë të tjerë nuk kishin fare, shtatë familje të mëdha, të ashtuquajturit çifligarë, me prona mbi 2000 ha., kontrollonin zona të gjera fushore të Shqipërisë Perëndimore e qendrore. Në këtë kohë edhe përfaqësues të rëndësishëm të pronarëve të mëdhenj të tokave, siç ishte Ali Këlcyra, deputet i Gjirokastrës në Parlamentin shqiptar, mendonin se fshatarit, çifligarët duhet t’i japin një pjesë toke si pronë , për të mundësuar hapjen e rrugës drejt Reformës Agrare. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Bibliografi:
1 – Arkivi i familjes Hashorva
2 – Arkivi i Muzeut Historik të Gjirokastrës.
3 – Ali Këlcyra. Kujtime.
4 – Arben Puto. “Demokracia e rrethuar”. Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë: 1990.
5 – “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”. Akademia e Shkencave të RPSSH, 1986.
6 – “Hylli i Dritës”. Letërkëmbimi i Luigj Gurakuqit. Nr 3, Mars 1944.
7 – Iliaz Gogaj. “Punëtorë të shquar të shkollës shqipe,” Tiranë: “Eurorilindja”, 2001.
8 – Justin Godart. “Shqipëria në 1921”. Tiranë: 2015, Shtëpia Botuese: “Klubi i poezisë”.
9 – “Kalendari i ‘Vatrës’ i motit 1918”, shtypur në Shtypshkronjën e Gazetës “Dielli” 1918, edituar nga Fan Noli.
10 – “Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës” Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Historisë, 1974.
11 – Robert C. Austin. “Shtegu i pashkelur i Fan Nolit”. Botimi i II-të, Tiranë: 2003, “Albin”.
12 – Flutura Hashorva. “95-vjetori i gazetës ‘DRITA’ e Gjirokastrës” – (1920-1924). Gazeta ‘Tirana Observer’ 27.03.2015.
13 – Nasho Jorgaqi. “Fan Noli, kryeministër i qeverisë demokratike, – 1924”. Gazeta ‘Telegraf’. Dossier. 18 shtator 2018
14 – Odise Kote – ESSE prezantuese e studimit “Demokratia’- shkollë e gazetarisë shqiptare”. 28 Mars 2013
15 – Petrit Mëzezi. “Vështrim mbi shtypin përparimtar 1920-1924”. Studime filologjike – V. 37, Nr 1-2.
16 – Tanush Frashëri. “Ali Këlcyra, aristokrati Kuq e Zi”. Tiranë: 2005. Botimet “Çabej”.
17 – Revista “Agimi”. “Rreth Federatës ‘Atdheu’”. Shkodër Qershor 1921. Viti i III i botimit.
18 – Gazeta “Drita”, 1920-1924
19 – Gazeta ‘Zëri i Popullit’. “Avni Rustemi i pavdekshëm”. 30 prill 2018.