• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Tuesday, July 15, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Pasi kishte kaluar kufirin me varkë nga liqeni i Ohrit, Velkon e kishin mbyllur në qelitë e Degës së Pogradecit, kurse të dashurën e tij, ata shefat e Sigurimit, e kishin…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

Denoncimet e B.p. “Shkëmbi”, burgu i Burrelit, ’83: /“Gjet Kadeli, Daut Gumeni, Kapllan Resuli, Bebi Konomi, Luan Burimi, Skënder Shatku, etj., flasin kundër udhëheqësit të partisë, duke thënë…”
“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
Memorie.al
“Të furnizoheni me bomba, gaz lotsjellës, kundragaz e veshje të verdha për të dënuarit, kurse për ushtarët …”/ Udhëzimet e Hekuran Isait pas Revoltës së Qaf-Barit në ’84-ën
“Në kampin e Fush-Krujës, kishte dhe të burgosur ordinerë, si shkrimtari Selman V., ish-kreu i organizatës Pionerit, i cili me Janaq T., në 1946-ën, organizuan rrahjen time në gjimnaz…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

Nga Uran Kalakulla

Pjesa e njëzetenëntë      

                                                             Nazizmi dhe komunizmi

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.

Gjithashtu mund të lexoni

“Sa herë shikoj filmin ‘Njeriu me Top’, me skenar të Dritëro Agollit, më kujtohet italiani që kemi mbajtur në shtëpinë tonë, në Qafë të Skraparit, në kohën e Luftës, i cili…”/ Dëshmia e rrallë e publicistit të njohur

“Mustafa Kruja ka rekrutuar kosovarë kundër partizanëve të Malit të Zi dhe kosovarët do të zbresin kundër nesh, siç rrethuan Myslimin në Pezë, më 29 shtator 1942…”! / Zbulohet letra e Koço Tashkos

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KQB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                                    Vijon nga numri i kaluar

Velko Stepanoviçi e të tjerët

Velkoja ishte një burrë i bëshëm në trup, me fytyrë të hijshme, sy të kaltër, por qimezi nga flokët e mjekra. Një kontrast i rrallë ky te njerëzit, që jo vetëm nuk duket keq, por përkundrazi tregon një veçanti harmonike. Vetë pamja e tij e jashtme, ishte tërheqëse në vetvete, pos natyrës së tij të butë, të përmbajtur e serioze, qëndrimit dinjitoz, të tërhequr paksa në vetvete dhe të folurit e tij të ngadaltë e të matur. Për këto arsye, pothuaj të gjithë i afroheshin me kënaqësi Velkos dhe e pëlqenin shoqërimin me të. Dhe ai nuk refuzonte askënd, por ama dukej se gjithkujt dinte t’i jepte një dozë të caktuar e të matur afrimi.

E solli rasti të njihesha edhe unë me të dhe, në pak kohë, u bëmë shokë mjaft të ngushtë. Pas orarit të punës së detyruar, në sheshin e vogël para mensës, shëtisnim shpesh poshtë e lart, duke biseduar për gjërat që kishim të dy më për zemër. Ajo që më tërhiqte tek ai si njeri, ishte ndershmëria, serioziteti dhe sjellja e hijshme e një personi të kulturuar, si dhe çiltërsia si ujët e burimit. Tek ai, unë nuk vura re asnjëherë të shtirurit, krekosjen qesharake, mendjemadhësinë apo hijen e ndonjë vesi.

Dukej që virtyti kishte zënë rrënjë të qëndrueshme në ndërgjegjen e tij. Por, me gjithë këto anë pozitive, ajo që më shtyu edhe më fort të afrohem me të, në një miqësi të vërtetë, që kishte për bazë sa besimin, aq edhe respektin e ndërsjellët, ishte dhembshuria për fatkeqësitë e tij të mëdha, që i kishin ndodhur e për hir të të cilave, ishte në burg prej shumë vitesh.

Megjithëse krejt ndryshe nga unë, kishte përfunduar atje krejtësisht i pafajshëm. E jeta e tij e vërtetë ishte e denjë për një roman, me përmbajtje fort të dhimbshme. Si malazez, ai ishte nga zemra e vendit të vet, nga Kolashini, malësi kjo, ku varfëria e ka strofkën e vet në tërë atë krahinë, qysh prej shumë kohësh. Kështu, Velkoja kishte kaluar një fëmijëri mjaft të trishtë: të mbytur nga varfëria.

Kur filloi lufta kundër zaptuesve nazifashistë në Jugosllavi, Velkoja ende adoleshent, dha ndihmesën e tij si partizan a korrier partizan. Pas luftës, pasi kishte mbaruar të mesmen në vendin e vet, kishte shkuar për studime universitare në Beograd, në fakultetin e filozofisë. Ishte viti 1948, kur ndodhi prishja e Titos me Stalinin.

Por Velkoja, i zhgënjyer nga Titoja, pandehu se e drejta qëndronte nga ana e Stalinit dhe la fakultetin, zbriti në vendlindje, ku mori edhe vajzën e zemrës dhe me të kaloi kufirin dhe u fut në Shqipërinë e Hoxhës, me qëllim që prej këndej të shkonte pastaj në Bashkimin Sovjetik. Por qeveria shqiptare e kohës e çoi në internim, në një fshat të Lushnjes, ku gjeti mjaft jugosllavë të tjerë, që kishin ardhur edhe ata po me iluzionet e Velkos.

Në atë kamp emigrantët i mbanin në kapanone si në kamp-burgje dhe i nxirrnin në punë të detyruar në kanale e bujqësi. Kjo gjë i revoltoi ata dhe, mes tyre, u ngrit edhe Velkoja të protestonte, duke parashtruar kërkesën e tij për të shkuar në Bashkimin Sovjetik për studime dhe veprimtari anti-titiste. Por shefi i emigracionit jugosllav anti titist, një ish-komandant jugosllav i aviacionit (emrin nuk ia mbaj mend), i shoqëruar nga një përfaqësues i Komitetit Qendror të PPSH-së, i thanë Velkos se; Shqipëria ishte vendi më i përshtatshëm për diversion ndaj Jugosllavisë titiste, madje pararoja dhe i premtuan se do ta çonin për studime të larta, në një nga universitetet tona.

Dhe, në fakt, e çuan në fakultet, në degën rusishtes në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Në katër vjet studimesh universitare, Velkoja banoi në një dhomë të thjeshtë hoteli, bashkë me të shoqen malazeze, ku dhe u lindi një djalë. Dhe gjithë kjo, vetëm me 3.000 lekë të vjetra bursë. Kur mori diplomën, e emëruan në një shkollë të mesme në Elbasan, ku, veç nxënësve të ditës, kishte edhe nga ata të natës, bashkë me ca oficerë.

Si njeri i sjellshëm dhe i dashur me njerëzit, Velkoja, i cili ndërkohë kishte mësuar bukuri edhe shqipen, krijoi shoqëri me nxënësit e tij në moshë të rritur. Hrushovi u pajtua me Titon dhe erdhi puna e kthimit të emigrantëve jugosllavë në vendin e tyre (ata që donin). Velkoja vinte herë pas here në Tiranë, për të plotësuar formalitetet e kthimit në Ambasadën Jugosllave.

Atëherë dy nga ish-nxënësit e tij, iu lutën të ndërhynte në atë ambasadë, nëse mund të kishin garanci nga qeveria jugosllave që, po të arratiseshin andej, nuk do t’i kthenin mbrapsht. Por, planet e këtyre dy oficerëve i morën vesh edhe gratë e tyre. E meqë ato na paskëshin qenë më “të partishme” se burrat e vet, i denoncuan bashkëshortët në Degën e Brendshme dhe, domosdo, bashkë me dy oficerët, përfundoi në hekura edhe vetë Velkoja, i cili tashmë ishte “ngopur” me komunizmin e Stalinit dhe Enverit, madje kishte nisur ta urrente për vdekje.

I dënuar me 25 vjet burg, kishte vuajtur të zitë e ullirit, ndërkohë që e shoqja me djalin foshnje, ishte riatdhesuar. Kështu, s’kishte kush t’i vinte fare te dera e burgut dhe nga e shoqja, nuk mori jo një pako, por asnjë lajm. Për më tepër, si i huaj, ai nuk kishte përfituar nga asnjë amnisti, me përjashtim të atyre pak ditëve që kish përfituar, nga puna në kamp. Kështu, kur e njoha unë në Rubik, ai kishte bërë një qerre burg dhe i mbeteshin ende boll të tjerë.

Në Rubik ai punonte si hekurkthyes dhe merrte diçka më tepër se ne të tjerët. Kështu që mund t’i shtonte paksa garuzhdës së kazanit që të mund të përballonte punën e rënde. Megjithatë, nuk e kam dëgjuar kurrë të ankohej, të qahej për mungesat e mëdha materiale, por i përballonte ato me një stoicizëm të admirueshëm; si për ushqimet, ashtu edhe për veshmbathjet.

Duke braktisur me përbuzje, madje do të thoja me indinjatë, komunizmin, qoftë nga padija për demokracitë perëndimore dhe teoritë e tyre social-politike, Velkoja ishte hedhur tërësisht në një plan krejt ideal të këtyre teorive, duke u kapur fort tashmë te sajantizmi. Sipas kësaj teorie, në krye të shtetit duhej të vinin vetëm shkencëtarët, pa i vajtur fare mendja se këta mund të jenë të ditur dhe shumë të zot në një fushë të caktuar të dijes (që në sajë të nënndarjeve gjithnjë e më të mëdha, në një farë mënyre i linin pas dore degët a degëzimet e tjera), por nuk mundin të ngërthejnë të përgjithshmen, rezultanten.

Ai nuk lodhej kurrë duke më shpjeguar teorinë e tij të re dhe, si çdo neofit, gati-gati ishte fanatik ndaj saj. Teoria e tij, nga mungesa e informacionit të duhur, e literaturës përkatëse, në shumë drejtime ishte fryt i imagjinatës dhe përsiatjeve vetjake. Madje, kishte arritur të krijonte një lloj piramide të veçantë, si mbi ndërtimin e këtij shteti ideal, ashtu edhe mbi funksionimin e tij.

Me një fjalë, gati-gati ai i ishte afruar me imagjinatë “Qytetit Diell”, të filozofit italian Campanella, që të mos themi se teoria e tij etatiste kishte edhe shumë reminishenca nga socializmi utopik paramarksist i Sen Simoni, Ouenit apo Furiesë, të cilëve s’u kishte lexuar veprat, por ishte bazuar në referencat e Engelsit, te vepra mjaft e njohur nga komunistët, studiues të marksizmit, e këtij të fundit: “Zhvillimi i marksizmit nga utopia në shkencë”.

E lija që ai me ditë të tëra të para shtonte teorinë e tij, pa i ndërhyrë; qoftë nga konsiderata për të, qoftë për mirësjellje, qoftë pse isha kurioz të merrja vesh deri në fund se ku do të dilte. Dhe vetëm kur parashtrimi i tij, më në fund, nisi të shterojë, i kujtova se një teori pak a shumë të tillë, e kishte paraqitur qysh në kohën e vet Platoni, në veprën e tij “Republika”, vepër të cilën Velkoja, për çudinë time, po e dëgjonte për herë të parë.

Them për çudinë time, sepse si ishte e mundur, që në fakultetin e filozofisë në Beograd, të mos ishte përmendur fare ky filozof i madh i lashtësisë klasike, për më tepër, babai i idealizmit, që marksizmi e kishte në majë të ushtës, kuptohet pse? Mos vallë nga që, si fakultet filozofie, i mbytur nga ideologjizmi komunist fanatik, “Republika” e Platonit, ky traktat i teorisë së tij për shtetin (dhe atë ideal), nuk u shkonte fare për shtat komunistëve, por shtjellonin më fort konceptin mbi “idenë” platonike?

Nga parashtrimi im i shkurtër, sigurisht bazuar vetëm në kujtesën time (vepra domosdo na mungonte aty ku ndodheshim), Velkoja mbeti sa i befasuar, aq edhe i nemitur krejtësisht. E pas kësaj, një temë e tillë nuk u prek më mes nesh. Por, e bukura është se vite më vonë, kur u takuam në Tiranë, në kohën e demokracisë, tashmë të dy qytetarë të lirë, ai ardhur nga Tuzi, ku punonte tashmë si arsimtar, më dhuroi (me një kushtim mjaft miklues), një libër të tij të botuar në serbisht e, në vendin e vet (gjuhë që unë e njoh fare pak), pikërisht mbi teorinë e tij për super-shtetin sajantist!

Madje të pajisur me mjaft skica mbi arkitekturën e këtij shteti dhe mbi lidhjet e ndërsjellta të pjesëve të tij. Sigurisht, unë nuk e kam lexuar, se s’marr vesh çfarë thuhet në të, por e ruaj me kujdes si një kujtim të dashur prej tij. Veçse do të kisha pasur fort qejf të dija, se çfarë përmban tashmë ai libër dhe a ka futur në të, së paku për referim, edhe “Republikën” e Platonit? Siç thashë, pas daljes nga burgut, pak vjet para shembjes në vendin tonë të diktaturës komuniste, Velkoja u riatdhesua. Dhe kishte bredhur jo vetëm nëpër Jugosllavinë e atëhershme, ende të pa copëtuar si sot, por edhe në Evropën Perëndimore: Gjermani, Francë e nuk di ku tjetër, ndërkohë që unë nuk e kisha kaluar asnjë centim kufirin shqiptar.

Por, në fjalë, e sipër e pyeta se si i ishte dukur ajo pjesë e Evropës, që kishte parë ai. Përgjigjja e tij nuk tregonte ndonjë admirim të madh. Dukej sheshit se tek ai kishin mbetur fort të gjalla ndikimet e sajantizmit të vet. E bukura nuk qëndron vetëm këtu, por te një fakt tjetër, që më befasoi edhe më shumë dhe, pse jo, edhe më bëri të qesh me gjithë shpirt, siç qesh njeriu kur dëgjon diçka, jo vetëm të papritur, por gati-gati fort qesharake. Dhe kjo ndodhi pikërisht kur ai më shprehu një mendim të tijin fort intim: “A e din, Uran, – më tha, – se ngado që brodha nëpër Jugosllavi, madje edhe në Evropën Perëndimore, unë nuk gjeta tek intelektualët e atjeshëm që takova, asnjë që të barazohej me intelektualët shqiptarë, sidomos ata që njoha në burg këtu”!

Befasimi tjetër që m’u shkaktua ishte dëshira e tij e vendosur, për të marrë shtetësinë shqiptare, madje dëshira e madhe që të vinte e të jetonte këtu, në Tiranë! A ka se si? Në një vend ku ai kishte kaluar në vuajtje e tortura të pamerituara fare, në vitet më të mira të jetës së tij? Ja i tillë ishte miku im i dashur, Velko Stepanoviçi nga Mali i Zi!

Përmes Velkos, u njoha dhe u afrova edhe me disa nga bashkështetasit e tij: kroatin Mihaillo Prebeg, maqedonasin Ljubo Strezovski dhe dy serbët, Jovica Cervenko e një me emrin Boro (mbiemrin ia kam harruar). Nga këta të katërt, më simpatiku ishte Prebegu, ndërsa “më emocionali”, që të mos them i ndershmi, më është dukur Strezoviçi.

Mihajllon, të gjithë shokët e vet bashkështetas, e thërrisnin me nofkën “Starçe”, që shqip do të thotë “plaku”. Në fakt, ai ishte më plaku mes tyre. Me të, merresha vesh mjaft mirë. Ai në gjuhën e vet dhe unë me rusishten time të varfër e të çalë. Duket paska qëlluar që të dy përdornim vetëm fjalë të përbashkëta, të të dyja gjuhëve sllave. Kështu, bisedat tona nuk shquheshin as për elegancë në të folur, as për pasuri fjalori dhe aq më pak, për figura stilistike.

Starçja ishte një plak i gjatë e i hollë, si stekë bilardoje. Kishte një kokë gjysmë të sheshtë, një ballë të ngushtë, një hundë të madhe, buzë të holla dhe gojën pa dhëmbë fare. Kurse sytë i kishte të kaltër, po nga ajo lloj kaltërsie që i afrohet hirrës së djathit. Zërin e kishte të trashë, si atë të një basi. Por, në të folmen e tij, kishte gjithmonë një ton mes shakasë dhe cinizmit.

Duket, Starçia tallej shpesh si me realitetin mizerje ku ndodheshim, ashtu edhe me fatin e tij det e lumë, të të gjithë jetës së tij, të kaluar më shumë në vuajtje dhe aventura. Ky plak nuk ishte aty si “armik i pushtetit popullor”, por si i burgosur ordiner, se në kampin e internimit, ku e kishin kallur, diku në rrethin e Lushnjës, pas ardhjes këndej, domethënë në “parajsën socialiste”, kishte plagosur rëndë me thikë një bashkështetasin e vet, sepse ai i paskësh rënë shumë në qafë.

Pra, Starçen nuk duhej ta gërvishtje shumë, se dinjitetin e vet dinte ta ruante për bukuri. Vetëm vetes i lejonte ai të tallej me qenien dhe fatin e vet. E kjo, them se ishte tipari i tij themelor. Për shembull, ai i kishte qitur vetes edhe një bejte dyvargëshe, një “distik”, siç thuhet në stalistikë, sigurisht sllavisht e që tingëllonte kështu: “Starçe, Starçe Veliko magarçe”! Shqip, e fjalë për fjalë, përkthehet kështu: “Gomar i madh”! Sikur të përpiqemi ta stilizojmë disi letrarisht e poetikisht, besoj se distiku në fjalë do të shkonte kështu: “Eh, more plak, plak, Gomar me hak”!

Në fakt, Mihaillo Prebegu s’ishte aspak gomar, madje ishte fort i tundur, si thonë shkodranët për një njeri fort të zgjuar, sa të krijonte përshtypjen se të jepte ujë me bisht të lugës. Por ja që fati e kishte përplasur keq, valë më valë, si deti në furtunë, pa e nxjerrë kurrë në breg.

Starçja kishte qenë punëtor metalurg, nuk di se në ç’anë të vendit të vet. Dhe, si i tillë, në një vend të zhvilluar si Kroacia, që është afër “Mittel Europës”, plot me lëvizje politike e shoqërore, nuk kishte mbetur jashtë këtyre lëvizjeve, qysh në rininë e hershme të tij. Madje, jo vetëm që kishte qenë sindikalist i thekur, por nga vrulli kishte kaluar edhe në krahun anarkist, duke anashkaluar rrymën komuniste, sepse anarkizmi për të përfaqësonte atëherë, stadin më të lartë dhe kulmin e lirisë. Për këtë arsye kishte bërë disa herë burg, nën mbretërimin e Karagjorgjeviçëve.

Në burg, duke qenë bashkë edhe me komunistë stalinistë, këta, si gjithmonë fort të shkathët e të palodhur në agjitacion e demagogji, ia kishin kthyer mendjen Mihajllos, duke i thëne se vendi i “lirisë absolute”, ishte vetëm Bashkimi i madh Sovjetik i udhëhequr me drejtësi, me mençuri dhe dhembshuri atërore, nga Stalini i madh, ati i gjithë proletarëve të botës mbarë, profeti i krishterimit të vërtetë, se Stalinit i digjej zemra për fukarenjtë e gjithë njerëzimit dhe ai e vetëm ai, është Zoti i vërtetë i të munduarve dhe të shfrytëzuarve të të gjithë botës!

Dhe Starçja, fukara gjithë jetën e tij, pandehu se më në fund e kishte gjetur “udhën e Zotit”. Kështu, me të mbaruar dënimin e doli nga burgu, nga Jugosllavia hidhet në Hungari e, që andej, në Poloni dhe e kishte mbajtur vrapin te kufiri sovjetik. Por, aty e kishin zënë rojat polake të kufirit, te mareshallit Pilsucki dhe burg pas burgu e, prapë në burgun e Beogradit. Pra, Stargja e kishte njohur atë pjesë të Evropës, nga nëntoka e saj. E kështu, “dielli Sovjetik”, kishte mbetur një ëndërr e parealizuar, një vegim hyjnor. Dhe i kishte mbetur thellë në shpirt, si një peng i madh.

Mua nuk ma shqiptonte dot emrin saktë, por më thërriste “Hurran”, çka mua më dukej si një emër kozak, apo mongol. Natyrisht, nga keqardhja që ndieja për të, nuk përpiqesha fare ta korrigjoja. Fundja, ç’punë më prishte? Nga mendimet e tij të para anarkiste, që duket i kishin mbetur ende nën subkonteksin e trurit të vet, Starja s’kishte pasur as fat me gruan. Them se, veç fatkeqësive të burgjeve, do të ketë ndikuar mjaft edhe koncepti anarkist i Bakuninit, sipas të cilit familja është një paragjykim borgjez dhe që pengon lirinë e individit.

Prandaj, ishte ndarë prej kohësh prej saj, duke mbetur fill i vetëm në botë. Dhe tashti ishte aty me mua, brenda telave me gjemba, i ruajtur nga truprojat e armatosura gjer në dhëmbë, natë e ditë, me gjithë pasojat e tjera të gulakut sovjetik, të Solzhenicinit.

Maqedonasi Ljuba Strezovski, ishte një burrë afër të pesëdhjetave, me shtat mesatar, jo i keq në fytyrë, domosdo i hollë nga uria e vazhdueshme. Pas partizanllëkut, kishte shërbyer në UDB-në jugosllave në Maqedoni, kryesisht në zonën afër kufirit me Shqipërinë, me gradën e togerit. Por, siç duket e kishin zhveshur, se ishte si fort i dhënë pas grave. Madje, tashmë civil, kishte kaluar kufirin ujor të liqenit të Ohrit (ne themi Pogradecit), me një varkë turizmi, bashkë me një femër të bukur, pa menduar fare se ku po e çonte vala e dashurisë dhe e epshit. Kështu, kishte rënë në duart e rojave shqiptare dhe fill e në hetuesinë e Degës Brendshme të Pogradecit, duke e mbajtur atje mbi një vit në birucat e errëta, me atë ushqimin e njohur “dietetik”.

Po vajza? Atë e liruan, por pasi e kaluan dorë më dorë gjithë shefat e Degës. Të paktën, kështu me tregonte Ljuboja. Dhe atëherë unë e pyeta:

– “Po sekretari i parë i Partisë së rrethit”?

– “Ah, atë nuk e di”! – u përgjigj ai me naivitet. Pastaj shtoi po me atë frymë:

– “Pse duhej ta bënte edhe ai? A mos ishte më epshor se ata demat e Sigurimit Shqiptar, që ma morën shpirtin me dru e me uri, sa jam bërë kështu si më sheh”?

– “Sidoqoftë, more Ljubo, Sigurimi ynë ia paska marrë hakun si duhet Titos”!

Dhe Ljuboja qeshi me të madhe. Ndoshta ju duket naive përfundimi im. Se ai, liberal në sjellje në fushën e erotikës (për të mos thënë dhe të etikës), nuk mund ta kuptonte se edhe seksi te sigurimsat tanë, ishte një mjet hakmarrjeje, si ndaj armiqve të klasës, ashtu edhe atyre të jashtëm. Me Ljubon ka qëlluar në atë kamp-burg të mallkuar, të punonim bashkë mjaft kohë. Punonim dhe bisedonim. Memorie.al

                                                                Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Në shtëpinë e Mete Brahos u dogjën të gjallë 20 gra, fëmijë dhe burra, te Haxhi Latifi u çnderuan vajzat e Haxhi Culanit, kurse Hava Ajshe dhe Nazo Arapi...”/ Memorandumi dërguar OKB-së, në 1947-ën

Next Post

“Shqiptari Simon Sina, nga Vithkuqi i Korçës, një nga pasanikët më të mëdhenj në Evropë, i dhuroi Athinës ndërtesën e akademisë...”! / Refleksionet e studiuesit të njohur të raporteve shqiptaro-greke

Artikuj të ngjashëm

“Sa herë shikoj filmin ‘Njeriu me Top’, me skenar të Dritëro Agollit, më kujtohet italiani që kemi mbajtur në shtëpinë tonë, në Qafë të Skraparit, në kohën e Luftës, i cili…”/ Dëshmia e rrallë e publicistit të njohur
Dossier

“Sa herë shikoj filmin ‘Njeriu me Top’, me skenar të Dritëro Agollit, më kujtohet italiani që kemi mbajtur në shtëpinë tonë, në Qafë të Skraparit, në kohën e Luftës, i cili…”/ Dëshmia e rrallë e publicistit të njohur

July 14, 2025
“Mustafa Kruja ka rekrutuar kosovarë kundër partizanëve të Malit të Zi dhe kosovarët do të zbresin kundër nesh, siç rrethuan Myslimin në Pezë, më 29 shtator 1942…”! / Zbulohet letra e Koço Tashkos
Dossier

“Mustafa Kruja ka rekrutuar kosovarë kundër partizanëve të Malit të Zi dhe kosovarët do të zbresin kundër nesh, siç rrethuan Myslimin në Pezë, më 29 shtator 1942…”! / Zbulohet letra e Koço Tashkos

July 14, 2025
“Një ditë, kapterët e lidhën grekun Taso dhe komandanti i kampit, Barjam Korvafa, e zuri prej gryke, ashtu siç zë me dhëmbë ujku dashin dhe ai ra pa ndjenja në tokë, por…”! / Kujtimet e Uran Kalakullës
Dossier

“Një ditë, kapterët e lidhën grekun Taso dhe komandanti i kampit, Barjam Korvafa, e zuri prej gryke, ashtu siç zë me dhëmbë ujku dashin dhe ai ra pa ndjenja në tokë, por…”! / Kujtimet e Uran Kalakullës

July 14, 2025
“Për shqiptarët e Kosovës, që përbëjnë 65% të popullsisë atjeshme dhe 2/3 e Shqipërisë së 1913-ës, Partia ka heshtur, pasi Miladini…”/ Zbulohet letra e Koço Tashkos për Kominternin, por që ra në duart e Enverit!
Dossier

“Për shqiptarët e Kosovës, që përbëjnë 65% të popullsisë atjeshme dhe 2/3 e Shqipërisë së 1913-ës, Partia ka heshtur, pasi Miladini…”/ Zbulohet letra e Koço Tashkos për Kominternin, por që ra në duart e Enverit!

July 14, 2025
“Shqiptari Simon Sina, nga Vithkuqi i Korçës, një nga pasanikët më të mëdhenj në Evropë, i dhuroi Athinës ndërtesën e akademisë…”! / Refleksionet e studiuesit të njohur të raporteve shqiptaro-greke
Dossier

“Shqiptari Simon Sina, nga Vithkuqi i Korçës, një nga pasanikët më të mëdhenj në Evropë, i dhuroi Athinës ndërtesën e akademisë…”! / Refleksionet e studiuesit të njohur të raporteve shqiptaro-greke

July 13, 2025
“Në shtëpinë e Mete Brahos u dogjën të gjallë 20 gra, fëmijë dhe burra, te Haxhi Latifi u çnderuan vajzat e Haxhi Culanit, kurse Hava Ajshe dhe Nazo Arapi…”/ Memorandumi dërguar OKB-së, në 1947-ën
Dossier

“Në shtëpinë e Mete Brahos u dogjën të gjallë 20 gra, fëmijë dhe burra, te Haxhi Latifi u çnderuan vajzat e Haxhi Culanit, kurse Hava Ajshe dhe Nazo Arapi…”/ Memorandumi dërguar OKB-së, në 1947-ën

July 12, 2025
Next Post
“Shqiptari Simon Sina, nga Vithkuqi i Korçës, një nga pasanikët më të mëdhenj në Evropë, i dhuroi Athinës ndërtesën e akademisë…”! / Refleksionet e studiuesit të njohur të raporteve shqiptaro-greke

“Shqiptari Simon Sina, nga Vithkuqi i Korçës, një nga pasanikët më të mëdhenj në Evropë, i dhuroi Athinës ndërtesën e akademisë...”! / Refleksionet e studiuesit të njohur të raporteve shqiptaro-greke

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme