• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, July 13, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Kur operativi i Sigurimit të kampit Rubikut, Sabri Meta, e pyeti shokun tim, Rremë Xhakonin; po me Uranin, a bëni nga këto biseda, unë ndërhyra menjëherë dhe i thashë se…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

21 Vjet burg komunist
“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
“I dënuemi me burgim të përjetëshëm, që ban një delikt tjetër, ndëshkohet me një mbyllje vazhduese të re në qelië, për një kohë nga gjashtë muej, deri në…”/  Ç’farë parashikonte Kodi Penal i vitit 1928?
“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
“I dënuemi me burgim të përjetëshëm, që ban një delikt tjetër, ndëshkohet me një mbyllje vazhduese të re në qelië, për një kohë nga gjashtë muej, deri në…”/  Ç’farë parashikonte Kodi Penal i vitit 1928?
“Ju tregoj jugosllavët që njoha në kampet dhe burgjet e Enver Hoxhës deri në fundin e viteve ’80-të…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik që u dënua me vdekje dhe vuajti 21 vjet në Burrel

Nga Uran Kalakulla

Pjesa e njëzetetetë 

                                                  Nazizmi dhe komunizmi

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.

Gjithashtu mund të lexoni

“Në shtëpinë e Mete Brahos u dogjën të gjallë 20 gra, fëmijë dhe burra, te Haxhi Latifi u çnderuan vajzat e Haxhi Culanit, kurse Hava Ajshe dhe Nazo Arapi…”/ Memorandumi dërguar OKB-së, në 1947-ën

“Në Filat u masakruan 47 burra, gra dhe fëmijë, në Spathar, 157 i zhdukën, kurse të gjitha gratë e reja dhe vajzat u çnderuan prej kriminelëve të Zervës…” ! / Historia tragjike e Çamërisë, nga masakrat greke!

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KQB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                   Vijon nga numri i kaluar

Rremë Xhakoni (kështu quhej shoku im), ishte një burrë i ndershëm, me origjinë nga Ishmi, patriot i flaktë dhe, në mos gaboj, ithtar i Mbretit Zog. Vdekja e tij ishin spiunët, të cilët jo vetëm i urrente, por i kishte kopanisur mjaft prej tyre, me sa kishte patur fuqi. Dhe fuqi kishte sa një dem. Zatën, për këtë punë edhe e kishin shpënë në Burrel, ku kishte ndenjur vite të tëra me intelektualë të shquar, nga të cilët kishte fituar pasionin për dijen e, sidomos, për filozofinë, sido që shkollë nuk kishte shumë dhe nuk dinte ndonjë gjuhë të huaj.

Por, si çdo fillestar në fushën e dijes, kishte një adhurim dhe pasion të madh për “mëmën e dijes”, pra për filozofinë. Dhe, s’ka rëndësi nëse, kur fliste filozofikisht, Sokratin e ngatërronte me Aristotelin dhe Kantin me Shopenhauerin apo, Spinozën me Bekonin. Aq më pak kur, të gjitha këto, i trajtonte me gjuhën e fshatarit të Shqipërisë së Mesme.

E ndoshta, bash për këtë, veç të tjerave, ishte mjaft simpatik dhe e donin të gjithë. Por, ngaqë fliste hapur dhe ishte fort kritik ndaj marksizmit, unë u shmangesha bisedave të tilla me të, me justifikimin e vetëm, se nga filozofia unë nuk merrja vesh fare, pra, isha byk në atë fushë, meqenëse pasioni im, si një ish-mësues gjuhe, kishte mbetur vetëm gramatika e gjuhës shqipe.

Rrema më shihte me dyshim kur i flisja kështu. Po, ç’t’i bëja? E kisha ndarë mendjen, që të kyçja gojën për një fushë të tillë, se e dija që, jo nga Rrema vetë, por nga ata që na përgjonin, “Republika” e Platonit, do të përfundonte tek operativi, si Republika Amerikane e George Washington-it dhe Tomas Xhefersonit.

Tek rrinim në atë “sallë kulture”, secili në punën e vet, përballë me Rremën u hap papritmas dera dhe brenda hyri me vrull operativi. Sipas udhëzimeve që na kishin dhënë, jo për operativin, por edhe për policin më të thjeshtë, ishe i detyruar të ngriheshe më këmbë në shenjë “respekti”. Unë fsheha shpejt dorëshkrimin tim pa më parë operativi dhe u ngrita më këmbë, ashtu si Rrema.

Mysafiri i paftuar iu afrua Rremës dhe me të folmen e tyre të përbashkët, duke parë volumin e trashë të librit të Maos, i foli:

– “E, Rreme Xhakoni, paske hy më t’fellat”?

– “Çar t’ bosh,- ia ktheu Rrema, – kur s’ka tjetër, po knoj këtë”.

– “E si t’duket, o Rremë”?

– “Vallahi çar t’them, zotni operativ, u marksizmin s’un e marr vesh fort, por po mundohem…! Për mu, Marksi e sidomos Engelsi, m’gjajnë mo t’kollajshëm”.

– “Beej”? – ia ktheu operativi, si i çuditur.

– “Njikshtu m’duket mu, mor zotni”.

– “E pse, o Rremë”?

– “Sidoqoftë, ata t’dy t’ parët jon europianë, pra, mo afër nesh, kurse Mao osht kinez, fort larg pri nesh, dhe osht hera e parë qi m’bi n’dorë i libër i tij”.

Arsyetimi i Remës, sikur e zuri ngushtë operativin. A e kishte kapur dot vallë “dobiçllëkun” e Rremës, ky farë “intelektuali sigurims”? Besoj se jo. Dhe Rrema vazhdoi:

– “Ky fol për dialektikën fort ngatërrueshëm. U, dialektikën e kom mësu birinxhi te Hegeli e, masanej te Marksi e, sidomos tek Engëlsi…”!

Ishte e qartë se Rrema mundohej të sulmonte kinezërinë e Maos, duke u mbajtur fort te mjekra e baballarëve të marksizmit. Dhe operativi, sido që kishte bërë “shkollë partie”, nuk ishte në gjendje të dallonte ndryshimet në interpretimet mes “baballarëve” dhe “nipit” të tyre kinez.

– “Po, ku i ke msu, o Rremë, gjith kto gjona ti, me aq shkollë sa ke bo”?

– “Pse, nuk e dike ti, se ka kom ardhë u ktu e? U kom ardhë pri Burgut t’Burrelit, ku jon kokat mo t’mdhoja n’fushën e dijes, mor zotni. Ata qi kon maru universitetet e Evropës, ne e njohin filozofinë n’moj t’ gishtave”.

– “Mirë, mirë, o Rremë”, – ia ktheu operative, duke mos ditur as ç’të mendonte dhe as ç’t thoshte tjetër. Dhe vazhdoi më tutje, duke ndjekur qëllimin për të marrë informacionin që i duhej.

– “Po me Uranin, a bisedoni noj herë ksi punësh, o Rremë”?

Këtu ndërhyra unë me të shpejtë, duke mos i lënë kohë Rremës të fliste e, duke thënë me vete: “Ah, qen bir qeni, ma paske mësuar emin dhe kërkon të na fusësh në kurth njëherësh të dyve”? Kurse me zë të lartë, i thashë:

– “A e di si është puna, zoti operativ? Rrema po të thotë se është i fortë në filozofi, kurse unë s’marr vesh fare nga ajo punë. Unë jam i fortë në gramatikën shqipe, ku Rrema nuk ia thotë fare. Pra, nuk kemi fare pika të përbashkëta në fushën e dijes. Kështu, besoj se ishte më se e qartë: mes nesh komunikojmë vetëm ‘mirëmëngjesi’ e ‘mirëmbrëma’ ose ‘natën e mirë’, ose, kur takohemi afër kazanit, nëse gjella ishte sot me më shumë a me më pak yndyrë derri. Apo jo, o Rremë”? Ju ktheva shokut tim, duke i dhënë një sinjal të qartë.

Dhe Rrema pohoi ç’ka thashë unë. Kështu, operativi, duke ndeshur te mbrojtja jonë e saktë, e ndjeu veten të thyer dhe, për kënaqësinë tonë, u larqua nga dhoma. Por, kjo kënaqësi e çastit, nuk vazhdoi gjatë. Jo për Rremën, por për mua, sepse, kur po dilja nga ajo “bibliotekë”, te fundi i korridorit, tamam te dera e Zyrës Teknike, më priste operativi, i cili, sa më pa, më foli:

– “Ndonjë ditë do të të thërres të bisedojmë diçka bashkë (më poshtë unë, për hatër të lexuesit, po e “përkthej” të folmen e tij në normën letrare).

Fjalëve të tij iu përgjigja:

– “Nuk e di se përse mund të bisedojmë bashkë, zoti operativ”.

– “Pse, nuk ke qejf të bisedojmë bashkë”?

– “Për besë, jo dhe aq fort, por s’kam nga t’ia mbaj, se jam këtu ku jam. Kështu, edhe po s’ desha, ti ke policët, që më kapin për skaplarësh dhe më bien para teje. E, meqë puna është kështu, atëherë bisedojmë që tani, këtu ku jemi”.

Operativi hapi derën e Zyrës Teknike, u tha atyre që ishin brenda të dilnin dhe më ftoi të hyja brenda. Të them të drejtën, m’u duk sikur diçka më ra mbi kokë. Ajo zyrë kishte në gjithë kamp-burgun, një nam të keq. Vërtetë quhej “Zyrë Teknike”, domethënë merrej me organizimin e punës për ndërtimin e fabrikës, ndarjen e brigadave, normat e punës, pagat mizerje që jepeshin për to, etj. Por, ajo ishte edhe “çerdhja e grenzave”, sepse kryetari i asaj zyre, ishte ndihmësi i parë i operativit.

Duke qenë i burgosur si ne të tjerët, ishte çerdhe e intrigave, qendër e spiunllëkut dhe e shumë poshtërsive të tjera. Për të burgosurin politikë, ajo zyrë ishte si për qytetarin jashtë burgut, Dega e Brendshme.

Ajo që më rëndoi më shumë ishte se, duke hyrë në atë zyrë vetëm me operativin, të gjithë ata që kishin qenë aty: kryetari i zyrës, brigadierët, normistët, llogaritari etj., kushedi se s’mund të mendonin për mua, për këtë bisedë sekrete me operativin. Pale të tjerët aty rrotull. Dhe kjo më rëndonte shumë. Po, ç’të bëja? E mblodha veten dhe hyra brenda duke menduar se, kur ndërgjegjja është e pastër, çdo mendim i të tjerëve a çdo dyshim i tyre, në mos menjëherë, me kohë do të shkrihet, si kripa në ujë.

Se, fundja, gjykatës më të madh për veten, unë quaja ndërgjegjen time. Operativi zuri vend në krye të tavolinës, në vendin ku rrinte zakonisht kryetari i asaj zyre të mallkuar. Unë mbeta me këmbë para tij, siç më kishte ndodhur në hetuesi vazhdimisht (e si mua edhe gjithë të tjerëve, që kishin kaluar në kalvarin e hetimeve), para daljes në gjyq. Ndeza një cigare dhe prita të fliste ai. Dhe ai foli:

– “Ti nuk sillesh mirë”.

– “Në ç’drejtim, zoti operativ? Unë e di se i përmbahem pikë për pikë zbatimit të rregullores së këtushme”.

– “Lëri ato. Ti e di se ku e kam fjalën. Të thashë se ti mban një qëndrim shumë të keq”.

– “Unë, zoti operativ, nuk e di se ç’quani ju qëndrim të mirë apo të keq. A mund të ma shpjegoni? Se unë mbaj atë qëndrim që mua më duket krejt i drejtë, i rregullt. Ku qëndroka atëherë e meta e qëndrimi tim”?

– “Ta them unë, troç”.

– “Tamam atë kërkoj edhe unë, që të di të kontrolloj veten”.

– “Ti bën agjitacion kundër Partisë dhe pushtetit popullor”.

– “Jam dënuar njëherë për këtë punë. Ju, besoj, e keni parë dosjen time, e cila duhet të ketë të dhëna, pse unë ndodhem këtu. Kështu, si thotë fjala popullore shqipe, jam djegur keqas nga qulli dhe i fryj kosit”.

– “Ti ke treguar në një grup shokësh të tu, një lloj gazmoreje, si ato te ‘Hostenit’, por me qëllim armiqësor”.

– “A mund të ma thoni se çfarë gazmoreje paskam treguar”?

– “Ke treguar se, në Amerikë një njeri që jetonte vetëm, mbante në shtëpi nja shtatë breshka dhe, kur gjykatësi, që po e dënonte me shtatë vjet, për një shkelje të ligjit, ky njeri tha mes gjyqit se; ‘Mirë atë që po e dënonin, po ç’faj kishin të shtatë breshkat, të cilat do të ngordhnin urije, ngaqë nuk kishte më kush të kujdesej për to’. Dhe gjyqtarët e liruan”.

Duke dëgjuar këtë akuzë, unë qesha lehtë dhe iu drejtova prapë operativit:

– “Vetëm kaq paskam thënë? E ky qenka një krim i ri politik antiparti e antipushtet”?

– “Ti mund të zgërdhihesh e, mund të të duket shaka, por ajo që ke thënë ti, është shpatë me dy presa”.

– “E kuptoj, zoti operativ. Po tjetër, çfarë paskam thënë”?

Operativi, pa u menduar më tutje, shtoi:

– “Ti ke thënë në prani të filanit, filanit dhe filanit, se i vetmi udhëheqës i kampit socialist, që e ka kuptuar se duhet ndërruar rruga drejt social-demokracisë perëndimore, është udhëheqësi i Polonisë, Gomulka”.

– “Po tjetër”?

– “Pse, a nuk të mjaftojnë këto”?!

Bëra buzën në gaz përsëri dhe iu drejtova:

– “Në daç besoni, në daç jo, por unë po e dëgjoj për herë të parë në jetën time, atë gazmore që përmendët ju. Dhe ajo nuk është aspak thikë me dy presa, por është një budallallëk me brirë! Ajo gazmore është sajuar shumë keq, sigurisht nga ndonjë injorant dashakeqës e shpirtqen. Një gazmore e tillë, tallet me drejtësinë amerikane. Kurse unë kam opinion krejt tjetër për atë drejtësi. Dhe, po ashtu, edhe për vetë Amerikën, që, po jua them drejt e në sy se e dua fort, si atdheun tim të dytë.

Ia njoh mirë historinë, letërsinë e saj, kulturën, pak a shumë edhe zakonet e psikologjinë e popullit amerikan, sepse kam lexuar para se të bija në burg mjaft për të. Për pasojë, kam njëmijë e një argumente për ta lëvduar Amerikën dhe jo me një gazmore me shtatë breshka”.

Siç e shihni, pata kujdes që të mos përmendja edhe filozofinë amerikane, sepse kisha thënë në praninë e Rremës, në sallën e kulturës, se s’kisha haber fare nga ajo disiplinë.

– “Kurse për atë thënien tjetër në lidhje me ‘prapaktheun’ e Gomulkës, më lejoni t’ju bëj nja dy pyetje”.

– “Çfarë pyetjesh”?

– “Po ja, zoti operativ, kur bëni kontrolle, si kudo, edhe në shtratin tim, si i vetmin vend ku rri e fle, a keni gjetur ndonjë radio-marrëse”?

– “Jo” – tha i habitur.

– “Bukur fort. Po Radio Tirana, që dëgjojmë ne nëpërmjet altoparlantit të vetëm që keni vënë brenda kampit, a ka dhënë ndonjëherë lajme të kësaj natyre për Gomulkën”?

– “Më duket se jo. Po, ç’do të thuash me këto”?

– “Po ‘Zëri i Popullit’ apo ‘Bashkimi’, a ka shkruar gjë për Gomulkën? Ju, sigurisht e lexoni rregullisht shtypin, kurse unë pothuajse fare, se nuk kam kohë dhe s’jam abonuar në asnjë lloj reviste a gazete, ngaqë nuk kam pare”.

– “Jo”, – tha operativi.

– “Atëherë, ku dreqin e mora vesh unë se ç’bën Gomulka në Poloni a, ku dreqin ndodhet ai, çka nuk më intereson fare ta di”?!

Dhe vazhdova më tutje me më vendosmëri, me një zemërim që po më rritej në shpirt dhe mezi po e frenoja veten.

– “Shiko, zoti operativ, emrat që ju përmendët, mes të cilëve unë paskam lëshuar ‘bombën’ mbi Gomulkën, e di fare mirë se cilët janë. Ata janë agjentët e tu këtu në kamp. Dhe unë s’kam lojtur ende nga mendja, që t’u sajoj atyre gjëra të tilla, të cilat, mendoj se do të ishte më mirë, që t’ jua thosha juve drejtpërsëdrejti, sesa atyre, sepse ju do të merrnit tamam fjalët që them unë, kurse ata do t’i shtonin e spërdridhnin sipas oreksit të tyre, për t’ju kënaqur sa më shumë ju”.

Ata sajojnë lloj-lloj gënjeshtrash, si e si të fitojnë simpatinë tuaj dhe pastaj të vijnë e t’ju kërkojnë shpërblim, për ndonjë punë më të lehtë në ndonjë magazinë, normist a ku di unë se çfarë tjetër. Ata janë gënjeshtarë të poshtër dhe njerëz të ndyrë, pa karakter. Dhe, këtë, duhet ta dini fare mirë. Ata dhe shokët e tyre. E t’ ju them edhe diçka tjetër më në fund. Unë gati-gati e njoh tërë rrjetin tuaj të spiunëve. A t’jua them me emra”?

Në fakt, unë s’i njihja të gjithë, por i bëra një shantazh. Dhe ai e hëngri, sepse reagoi menjëherë:

– “Jo, jo, s’është nevoja”!

– “Atëherë, ju lutem më lini të qetë se unë nuk merrem me punë të tilla. Unë shikoj vetëm hallin tim dhe mendjen e kam vetëm te familja. Ju që kontrolloni, domosdo edhe letrat e mia që i dërgoj nji herë në muaj familjes, besoj e dini tashmë se çfarë shqetësimi dhe përdëllimi kam për ta. Dhe nuk më vete fare mendja, të bëj agjitacion politik këtu. Së dyti, a nuk e shihni ju përbërjen e shumicës së këtushme? Shumica janë fshatarë të thjeshtë ose punëtorë, që nuk dinë pse janë këtu. Dhe shumica e kësaj shumice, janë gati analfabetë, saqë s’dinë të hedhin as firmën në bordero, kur marrin ato çika lekë.

Merri borderotë dhe shikoni se sa gjurmë gishtash ka në rreshtat e saj. E pra, unë jam intelektual dhe nuk bëj politikë me analfabetë. Ja, një arsye më shumë. Dhe ju lutem më lini të qetë. Unë merrem vetëm me gjuhësi dhe me letërsi. Këto janë zanatet e vetme të mia. Politikën ua kam lënë juve, komisarit apo ndonjë tjetri, që e ka zanat. Dhe dua të besoj se me kaq jemi sqaruar fare mirë bashkë, një herë e përgjithmonë. Prandaj, ju lutem edhe një here, më lini rehat në hallin tim të madh që më ka zënë mua, edhe familjen time. Tani më jepni leje të largohem, se dëgjova që ra çanga për çajin e darkës dhe se copën e bukës që më ka mbetur, nuk kam se me çfarë ta shtyj”.

Operativi nuk foli më. Tundi kokën në shenjë aprovimi për largimin tim dhe unë dola nga ajo dhomë e mallkuar dhe drejt radhës para kazanit me çaj. Aty m’u afruan disa shokë burgu, të njohur apo të panjohur ende, që kishin përgjuar jashtë dritares dhe më përqafuan me dashuri, duke më thënë plot fjalë të mira se si e kisha përballuar atë dialog aq të padëshiruar, me operativin e atij kampi.

Ndjeva se zemërimi i mëparshëm po më lehtësohej gjithnjë e më shumë e, një qetësi e madhe po ma pushtonte shpirtin. Nga ana tjetër, m’u krijua iluzioni se, që atëherë, operativi do të më linte rehat e, nuk do të më ngacmonte më. Por isha gabuar. Se, pas pak ditësh, duket nga inati që në atë debat kishte dalë si rruar qethur, më rrasi mes dimrit, në birucat e nëndheshme, ku të ftohtit e dimrit dhe lagështia kishin ngritur “Komitetin e tyre Qendror, për një muaj rresht. / Memorie.al

                                                     Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Në Filat u masakruan 47 burra, gra dhe fëmijë, në Spathar, 157 i zhdukën, kurse të gjitha gratë e reja dhe vajzat u çnderuan prej kriminelëve të Zervës...” ! / Historia tragjike e Çamërisë, nga masakrat greke!

Next Post

“Qyteti modern e ka zanafillën e tij në shekullin e XV-të, kur Iljaz bej Mirahori, nën hyqmin e Sulltan Mehmetit II-të, zhvilloj Korçën dhe...”/ Historia e panjohur e bamirësit të madh, dhëndrit të Sulltan Bajazitit

Artikuj të ngjashëm

“Në shtëpinë e Mete Brahos u dogjën të gjallë 20 gra, fëmijë dhe burra, te Haxhi Latifi u çnderuan vajzat e Haxhi Culanit, kurse Hava Ajshe dhe Nazo Arapi…”/ Memorandumi dërguar OKB-së, në 1947-ën
Dossier

“Në shtëpinë e Mete Brahos u dogjën të gjallë 20 gra, fëmijë dhe burra, te Haxhi Latifi u çnderuan vajzat e Haxhi Culanit, kurse Hava Ajshe dhe Nazo Arapi…”/ Memorandumi dërguar OKB-së, në 1947-ën

July 12, 2025
“Të mos përdorim forcën ndaj çamëve, se janë shtetas të huaj, por brenda një nate, t’i shpihem në kufi dhe pa na diktuar kush, pasi …”/ Mbledhja e panjohur e Byrosë Politike, më 25 mars 1949
Dossier

“Në Filat u masakruan 47 burra, gra dhe fëmijë, në Spathar, 157 i zhdukën, kurse të gjitha gratë e reja dhe vajzat u çnderuan prej kriminelëve të Zervës…” ! / Historia tragjike e Çamërisë, nga masakrat greke!

July 12, 2025
“Lidhja e Dytë e Prizrenit, nuk i përkiste asnjë tarafi politik antifashist të kohës: LANÇ-it, ‘Ballit Kombëtar’ as Legalitetit, sepse ajo…”! Historia e panjohur e mbledhjes së famshme të 16 shtatorit 1943   
Dossier

“Lidhja e Dytë e Prizrenit, nuk i përkiste asnjë tarafi politik antifashist të kohës: LANÇ-it, ‘Ballit Kombëtar’ as Legalitetit, sepse ajo…”! Historia e panjohur e mbledhjes së famshme të 16 shtatorit 1943  

July 12, 2025
“Kur dy policët roje, dëgjuan alfabetin ‘mors’; Këtu komanda e Flotës së VI-të Amerikane, po ju presim për të marrë Tiranën…, në burg u dha alarmi dhe…”/ Historia tragjikomike në kampin e Kripores së Vlorës
Dossier

“Ndryshe nga operativi i parë i kampit të Rubikut, Qorri, që nuk futej kurrë brenda te ne, ai që e zëvendësoj, Sabri Meta, nga Shëngjergji i Tiranës, jo vetëm që futej, por…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

July 12, 2025
Clirimi i Prizrenit 1944
Dossier

“Nuk duem as Shqipni të vogël, as të madhe: duem Shqipninë që asht, si nga pikëpamja historike ashtu dhe nga ajo etnografike, me…”/ Ana e panjohur e Lidhjes së Dytë të Prizrentit, shtator 1944

July 11, 2025
“Sapo merrnin vesh që kishim njerëz në burg, banorët e Burrelit, mbyllnin portat e as një pikë ujë nuk të jepnin për fëmijët, kurse në të vetmin hotel që ishte aty…”/ Kujtimet e Sofika Prifti Cara   
Dossier

“Kapter Xhike Xibraku i burgut të Burrelit, kur vdiste ndonjë i dënuar dhe ne e tërhiqnin zvarrë, me një batanije të vjetër, ai qen i gjatë, zgërdhihej gjithë kënaqësi dhe…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

July 11, 2025
Next Post
“Qyteti modern e ka zanafillën e tij në shekullin e XV-të, kur Iljaz bej Mirahori, nën hyqmin e Sulltan Mehmetit II-të, zhvilloj Korçën dhe…”/ Historia e panjohur e bamirësit të madh, dhëndrit të Sulltan Bajazitit

“Qyteti modern e ka zanafillën e tij në shekullin e XV-të, kur Iljaz bej Mirahori, nën hyqmin e Sulltan Mehmetit II-të, zhvilloj Korçën dhe...”/ Historia e panjohur e bamirësit të madh, dhëndrit të Sulltan Bajazitit

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme