• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Saturday, July 12, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Lidhja e Dytë e Prizrenit, nuk i përkiste asnjë tarafi politik antifashist të kohës: LANÇ-it, ‘Ballit Kombëtar’ as Legalitetit, sepse ajo…”! Historia e panjohur e mbledhjes së famshme të 16 shtatorit 1943  

“Për ‘Vangjon’, thonë se u vra, se u takua me Hysni Lepenicën, po me Hysninë, u poq edhe Enver Hoxha në Dushkarak dhe i tha…”/ Misteri i vrasjes së komandantit të “Çetës Plakë” të Vlorës, 27 gusht ’43!
“Pas 5 majit 1942, anëtari i rinisë së ‘Ballit Kombëtar’, Bardhyl Pogoni, shkroi një poezi të gjatë himn, për vrasjen e Qemal Stafës dhe e botoi te gazeta…”/ Historia e panjohur e ballistit që emigroi në SHBA-ës
Clirimi i Prizrenit 1944
Fotografi me pamje të Prizrenit
“UDB-ja në Mitrovicë drejtohet nga Aleksa Vuçiniq dhe personel me grada, ku janë dhe dy shqiptarë, Jusuf Abdullahi e Musa Batalli nga Gjakova, të cilët…”/ Raporti i Xhafer Devës në vitin 1953
“Si e plagosëm kryeministrin Mustafa Kruja dhe pse e anulluam vrasjen e Xhaferr Devës, që do e kryeja unë…”?! / Dëshmia e Astrit Lekës, që morri pjesë në 44 aksione

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Pjesa e tretë

Memorie.al / Mbështetur në frymën politike të shkrimeve autentike të pjesëmarrësve në Kuvendin themelues, më 16-19 shtator 1943, Lidhja e Dytë e Prizrenit është organizatë politiko-ushtarake kombëtare demokratike shqiptare. Sipas Tahir Zajmit, Kuvendi themelues punoi edhe më 20 shtator[1]. Që këtej kjo datë ka hyrë gabimisht në historiografi. Nuk qëndron as mendimi i shumë publicistëve se “iniciativën për Lidhjen e Prizrenit, e mori Xhafer Deva pas kapitullimit të Italisë fashiste”! Kjo ka një si mbështetje në konstatimet e Ali Hadrit se; “person kryesor në grupin inisiativ për thirrjen e Kuvendit themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ishte Xhafer Deva, mbështetje e madhe e shërbimit informativ gjerman”!         

                                                      Vijon numrin e ardhshëm

Gjithashtu mund të lexoni

“Në Filat u masakruan 47 burra, gra dhe fëmijë, në Spathar, 157 i zhdukën, kurse të gjitha gratë e reja dhe vajzat u çnderuan prej kriminelëve të Zervës…” ! / Historia tragjike e Çamërisë, nga masakrat greke!

“Ndryshe nga operativi i parë i kampit të Rubikut, Qorri, që nuk futej kurrë brenda te ne, ai që e zëvendësoj, Sabri Meta, nga Shëngjergji i Tiranës, jo vetëm që futej, por…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

Këtu duhet të konstatohet se, për rëndësinë simbolike dhe për të treguar vazhdimësinë e përpjekjeve shqiptare për Shqipërinë Etnike, Vendimet e Kuvendnit themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, do të nënshkruheshin më 19 shtator 1943, pas orës nëntë, në ndërtesën e Selisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Realisht, gjatë natës së 18-19 shtatorit 1943, në Prizren kishin arritur mijëra patriotë nga të gjitha viset e Kosovës në kuptimin e konceptit kombëtar të viteve 1941-1944, por edhe nga ish-areali i Shqipërisë londineze. Së këndejmi, mëngjesi i 19 shtatorit 1943, ishte ngjarja më madhështore që njohu historia e Prizrenit.

Dhe, kronisti besnik i kësaj ngjarjeje historike, do të konstatojë se, derisa masa me ndërgjegje kombëtare, të fisnikëruar me këtë ngjarje, thërriste: “Rroftë Shqipnija e Lirë”, “Rroftë Kosova Shqiptare”, “Rroftë Besa e Burrave”, “Rroftë Bashkimi Kombëtar”(…), Dërgatat e ndryshme, të cilat, t’udhëhequna nga Kryetarët e tyne, hyjnë, njana mbas tjetrës, në sallën e ndërtesës, ku nënshkruejnë proces-verbalet e mbledhjeve të Kuvendit”.

Në vazhdim, kronisti i organit të Komitetit të Kosovës, do të konstatonte edhe këtë fakt që flet për rëndësinë e ngjarjes për kohën dhe për historinë: “Ndërsa vazhdon nënshkrimi i proces-verbaleve, del në balkon të ndërtesës Z. Bedri Pejani, i cili mban nji fjalim tue i shpjegue popullit rëndësinë dhe kuptimin e vendimeve të marruna. Mbas Z. Pejani, marrin fjalën, njani pas tjetrit, edhe Z. Tahir Zajmi e Z. Ibrahim Fehmiu, të cilët, shkurtas, deklarojnë se, mbas vendimeve të marruna, mehlemi i plagëvet t’ona asht nji i vetëm; bashkimi. Bashkim ndër mendje dhe ndër zemra të të gjithëve”.

Në këtë mënyrë madhështore i kurorëzoi qëllimet historike Kuvendi themelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Delegatët, me këngë e valle, vizituan të gjitha pjesët më atraktive të Prizrenit, dhe në fund arritën së bashku në Sheshin e “Përmendores së Abdyl Frashërit” – një si Dodonë për të konfirmuar betimin e Besa-besës, se kanë për të siguruar tërësisht idealet për të cilat u përpoqën dhe sakrifikuan udhëheqësit dhe luftëtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të viteve 1878-1881.

Veprimtarët e Lidhjes dolën në terren dhe deri nga fundi i tetorit 1943 formuan komitetet e qarqeve, të rretheve e të komunave në arealin e Kosovës sipas konceptit kombëtar të kohës –viset jashtë arealit të Shqipërisë londineze. Fryma e Lidhjes do të përcillej në Asamblenë Kombëtare të mbledhur nga mesi i tetorit 1943, në Tiranë.

Më lart u tha se gjatë përgatitjes për thirrjen e Asamblesë Kombëtare të Mbretnisë Shqiptare, u bënë ndryshime në Komitetin Qendruer të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Realisht, një numër i anëtarëve të Kuvendit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe të anëtarëve të Këshillit Qendruer të saj, u zgjodhën përfaqësues të rretheve në Kuvendin Kombëtar.

Më 16 tetor 1943, fillonte punën Asamblea, përkatësisht Kuvendi Kombëtar. Kryetari i Komitetit Qendruer të Lidhjes, Rexhep Mitrovica, fillimisht do të zgjidhej Nënkryetar i Kuvendit dhe më 8 nëntor 1943 – Kryeministër i Shqipërisë. Në postin e kryetarit të Komitetit Qendruer të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, do të vinte veterani i Pavarësisë së Shqipërisë, Bedri bej Pejani – “Babushi”.

Tashti Kuvendin e Përgjithshëm e përbënin 33 personalitete të shquara: Musa Shehu, Bedri Pejani, Tahir Zajmi, Kolë Margjini, Sheh Hasani, Esat Berisha, Sylejman Aliu dhe Ahmet Lusha (anëtarë të Komitetin Qendruar), Qemal Karahoda dhe Luk Simoni – përfaqësues të Prefekturës së Prizrenit, Nuredin H. Halili – përfaqësues i nënprefekturës së Therandës (Suharekës), Bejtullah Haxhiu – përfaqësues i nënprefekturës së Rahovecit, Hasan Dashi – përfaqësues i nënprefekturës së Gjakovës, Eshref Arifi – përfaqësues i nënprefekturës së Sharrit (Dragashit), Jusuf Agushi – përfaqësues i Prishtinës, Halim Shuku – përfaqësues i nënprefekturës së Ferizajt, Mehmet Devaja – përfaqësues i nënprefekturës së Gjilanit, Nexhip Basha – përfaqësues i prefekturës së Pejës, Bedri Pejani – përfaqësues i nënprefekturës së Skënderajt, Bajram Gashi – përfaqësues i nënprefekturës së Burimit (Istok), Shemsi Ferri – përfaqësues i Plavës-Gucisë, Vehbi Hamzaga – përfaqësues i nënprefekturës së Tutinit, Adem Kurtaga – përfaqësues i nënprefekturës së Rozhajës, Musa Boletini dhe Bedri Gjinaj – përfaqësues të prefekturës së Mitrovicës, Ekrem Jegeni – përfaqësues i prefekturës së Dibrës, Mentor Çoku – përfaqësues i nënprefekturës së Strugës, Av. Adem Sadriu – përfaqësues i nënprefekturës së Kërçovës, Remzi Ragipi – përfaqësues i nënprefekturës së Gostivarit, Ahmet Lusha – përfaqësues i nënprefekturës së Tetovës, Esat Berisha – përfaqësues i prefekturës së Shkupit, Haxhi Xheladini – përfaqësues i nënprefekturës së Kaçanikut, Sylejman Ashkiu – përfaqësues i nënprefekturës Kumanovë-Preshevë, Hasan Agë Zvezdiu – përfaqësues i Zonës neutrale të Senicës, Tahir Zajmi – përfaqësues i Kukësit, Zenun Gashi – përfaqësues i nënprefekturës së Tropojës, Lutfi Spahiu – përfaqësues i nënprefekturës Bicaj.

Nga sa u pa më lartë, Komiteti Qendruer i Lidhjes, në vijimësi të aktivitetit, numrin e anëtarëve të Komitetit Qendruer nga shtatë sa u zgjodhën në Kuvendin themelues, më 18 shtator 1943, e shtoi në katërmbëdhjetë, të zgjedhur në Mbledhjen e Dytë të Përgjithshme, më 17 – 20 janar 1944. Në këtë mbledhje, sa shihet nga mungesa e nënshkrimit në proces-verbalin: “Delegatët e Kongresit të krahinave të ndryshme”, të nënshkruar më 20 janar 1944 nga Bedri Gjinaj (sekretar) dhe Bedri Pejani (kryetar), nuk ishin të pranishëm delegatët: Bajram Gashi, Av. Adem Sabriu, Haxhi Xheladini dhe Lutfi Spahiu.

Ky dokument është mbyllur me konstatimin:

“Na, ish Komitetit Qendruer dhe Delegatët e krahinave të ndryshëme, të tokave të lirueme dhe jo të lirueme, të Kosovës e të Dibrës që, tue qenë të zgjedhun nga ana e popullit, muerrëm pjesë në të gjitha seancat e mbledhjeve, prej datës 17-I-1944 e deri më 20-I-1944, ku u shqyrtuen e u votuen projekti i Statutit dhe i rregullorës së mbrendshëme t’ Organizatës “Lidhja e II-të e Prizrenit. Për me zbatue e vue në veprim Statutin dhe të gjitha vendimet e Kuvendit, në lidhje me mbrojtjen e visevet të Kosovës dhe revendikimin e tokave Shqiptare Etnike, që ende ndodhen jashtë kufive të sotshëm t’Atdheut i napim Mandatin Komitetit Qendruer t’Organizatës, i cili zgjidhet nji zanit prej. Z.Z. të posht shenuemëve:

Për Prefekturën e Prizrenit, Musa Shehu e Kolë Margjini,
për Prefekturën e Prishtinës, Sulejman Ashkiu e Mahmut Beg Pasha, për Prefekturën e Mitrovicës, Arsllan Boletini,
për Prefekturën e Pejës, Bedri Pejani e Xhevat Begolli,
për Prefekturën e Shkupit, Esat Berisha,
për Prefekturën e Senicës, (Zona Neutrale) Nexhip Basha,
Për krahinat: Ulqin, Triepsh, Hot e Grudë, nji që do të dërgohet prej atjehit, për Malet e Kosovës zavendëson Rexh Meta, për deri sa ata dergojnë nji ose pranojnë Rexh Metën,
për Malet e Dibrës nji që do të dërgojnë ata;

Na, me zane të përbashkëta zgjodhëm për Kryesinë e Kom. Qendruer
Kryetar: Bedri Pejanin. N-Kryetar – Musa Shehun dhe Kolë Margjinin.

V ë r t e t o h e t:

 

             Sekretar                  Kryetari:

Bedri Gjinaj                Bedri Pejani

Prizren, me 20-I-1944.

 

Kryetari i Komitetit Qendruer, Bedri Pejani, tekstin e Statutit të Lidhjes Dytë të Prizrenit ua paraqiti për miratim, me urgjencë, Qeverisë dhe Këshillit të Naltë të Shqipërisë, më 21 janar 1944. Këtë dokument Këshilli Ministror e miratoi më 12 shkurt dhe atë ia parashtroi për miratim Këshillit të Naltë, më 14 shkurt 1944. Këshilli i Naltë – Regjenca e Shqipërisë e miratoi Statutin e Organizatës “Lidhja e Dytë e Prizrenit pas një muaji, më 14 mars 1944, dhe urdhëroi “zbatimin e tij”. Dekretin e nënshkruan: Rexhep Mitrovica (Kryeministër) dhe Mehdi Frashëri (Kryetar), Patër Anton Harapi dhe Lef Nosi, anëtarë të Këshillit të Naltë.

Për të zbardhur shumë hamendje, tendenca e glorifikime publicistike e pseudoshkencore të dëmshme për mendimin politik, juridik e luftarak të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, detyrohem të sjellë të plotë tekstin e Statutit, i cili qartë e paekuivoke fletë për detyrat, për rolin dhe për rëndësinë e Lidhjes si organizatë gjithëkosovare kombëtare participuese në aktivitetin propagandistik, politik, diplomatik, ushtarak e çlirimtar të Këshillit Ekzekutiv të Përgjithshëm, të Qeverisë dhe të Regjencës së Mbretnisë së Shqipnisë. Nuk i përkiste asnjë tarafi politik antifashist të kohës: LANÇ-së, ‘Ballit Kombëtar’ as Legalitetit dhe qartë, e saktë, Lidhja e Dytë e Prizrenit, ishte një mekanizëm logjistik i gjithanshëm i instancave qeveritare e pushtetore të Mbretnisë Shqiptare ekzistuese:

“S T A T U T I

i Organizatës ‘Lidhja e II-të e Prizrenit’

I
TEMELIMI

Në bazë të vendimevet që mori Kongresi i Prizrenit me 16-19 Shtatuer 1943, ku u përfaqësuen tokat e lirueme si dhe tokat tjera Shqiptare t’ish Mbretnis Jugosllave, themelohet “Organizata e Lidhjes II-të e Prizrenit.

II
QELLIMI

Kjo organizatë ka për qellim mbrojtjen e tokave të lirueme si edhe të tokave të tjera Shqiptare t’ish Jugosllavis. Si mjet për kët qëllim do të përpiqet të mbledhi dokumenta për Shqiptarsinë e viseve në fjalë dhe t’organizojë popullsinë fizikisht dhe moralisht, për mbrojtjen e këtij thezi.

III

KOMPETENCA TOKËSORE

Kompetenca toksore e kësaj Organizate shtrihet mbi të gjitha tokat e sipërshënueme, d.m.th. mbi Kosovën e lirueme, mbi Qarkun e Dibrës si edhe mbi viset e tjera Shqiptare t’ish Jugosllavisë.
Malsinat mbrenda kufivet të 1913-tës që ma parë vareshin prej qyteteve të Gjakovës, Prizrenit dhe Dibrës së Madhe, me qenë se ekonomikisht dhe gjeografikisht janë fare ngushtas të lidhuna me qytetët në fjalë, munt të përfaqësohen në Kuvend vullnetarisht dhe munt të marrin pjesë në Organizatën e Lidhjes së II-të të Prizrenit.

IV

ORGANIZIMI KOMPETENCA DHE FUNKSIONIMI

Organizimi i Lidhjes së Prizrenit përfshin:

1) Kuvendi i Lidhjes, me qendër në Prizren, përbahet prej antarvet nga nji delegat për çdo rreth administrativ (Qendra e Prefekturavet dhe N/Prefekturavet).

2) Komiteti Qendruer, me seli në Prizren, përbahet prej katërmbëdhjetë (14) antarësh. Kryetari, dy N/Kryetarët dhe gjithë antarët tjerë të Komitetit Qendrruer, zgjidhen prej Kuvendit. Kryetari dekretohet prej Këshillit të Naltë mbi propozimin e Kryeministrisë.

3) Komiteti Qarkuer, me seli në kryevendin e çdo Prefekture, përbahet prej shtatë (7) vetvet, të cilët zgjidhen si mbas procedurës së caktueme prej qarkores së Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, me datë 24-IX-1943 mbi rregullimin e zgjedhjes s’ Asemblistevet. Po kjo procedurë ndiqet edhe për zgjedhjen e antarve të Komitetit Rrethuer. Antarët e Komitetit Komunal, zgjidhen prej Kryepleqsive të katundeve të Komunës me seli – qendra e Komunës; kurse Kryetari caktohet prej Komitetit Qendruer, në mes t’antarve të zgjedhun si ma sipër.

4) Komiteti Rrethuer, me seli në kryevendin e çdo N/Prefekture, përbahet prej pesë (5) vetvet, të cilët zgjidhen si ma sipër, kurse Kryetari caktohet prej Komitetit Qarkuer.

5) Komiteti Komunal, me seli në kryevendin e çdo Komune, përbahet prej tre (3) vetvet, të cilët zgjidhen si ma sipër, kurse Kryetari caktohet prej Komitetit Rrethuer.

6) Komiteti Katunduer, me qendër katundin, përbahet prej pleqsisë së katundit.

V

Nëpunësat në shërbim t’organizatës, emnohen prej Komitetit Qendruer, mbi propozimin e Komitetit përkatës. Në qoftë se nuk gjinden nëpunësa në numer të mjaftueshëm për kryemjen e shërbimeve t’organizatës, me lejën e Kryetarit t’ Administratës së vendit, mund të ngarkohen me detyrat përkatëse Sekretarët Bashkijak ose komunal, kundrejt nji shpërblimi prej arkës s’organizatës.

VI

Në marrëveshje me Komandën e Përgjithëshme të Mbrojtjes Kombëtare, Organizata merr në shërbim si Instruktorë dhe N/Oficerë, të cilët si mbas gradës, vehen në dispozitë të Komiteteve të ndryshme. Instruktorët pranë Komitetit Qendruer, përbajnë Shtabin e Komitetit.

VII

Funksjonet e kësaj organizate dhe kompetenca e organeve të sajë, rregullohen si mbas dispozitavet që pasojnë:

1) Kuvendi i Lidhjes, i zgjedhun prej popullit, përfaqëson vullnetin e këtij dhe mblidhet tri herë në mot. Jashtëzakonisht Kuvendi mblidhet, kur thirret prej Komitetit Qendruer, në rasë nevojë për me marrë vendime me randësi ase mbi kërkesën e shumicës s’antarve të Kuvendit.

2) Komitetit Qendruer i zgjedhun prej Kuvendit si ma sipër, asht auktoriteti ma i naltë ekzekutiv i kësaj organizate; përfaqëson organizatën, komunikon vendimet e Kuvendit, jep udhëzime dhe urdhna Komiteteve të shdryshëm gjerarhikisht, kontrollon Komitetët ase urdhnon gjerarhikisht kontrollimin e tyne; plotson organizimin e Lidhjes; organizon stërvitjet, emnon funksjonarë të çdo natyre dhe çdo kategorije t’organizatës. Merr masa disiplinore dhe ndeshkimore kundër këtyne dhe harton buxhetin e organizatës.

3) Komitetet janë autoritete t’organizatës; këto përfaqësojnë në vendin e vet Komitetin Qendruer dhe veprojnë si mbas udhëzimeve dhe urdhnave të tij, që jepen e transmetohen gjerarhikisht.
Komitetet eprorë kanë të drejtë inspektimi e kontrolli mbi Komitetët inferiorë. Gjerarkija e Komiteteve asht analoge me çdo t’auktoriteteve civile të Shtetit. Kompetenca toksore e tyne koincidon me ate t’autoriteteve civile të Shtetit.

VIII

Funksjonet e mbrendëshme të Kuvendit të “Lidhjes” dhe zgjedhja e Parisë së tij rregullohen me vendimet e këtij Kuvendi.

IX

Funksjonet e mbrendëshme të Komitetit Qenduer e të Komiteteve të tjera të varuna prej këtij, zgjedhje e antarvet zevëndës t’atyne, që për arsyena të randa largohen prej Komitetit, themelimi i Komiteteve ku ende s’janë themelue, plotsimi i organizimit mbas këtij Statuti, rregullohen me vendimet e Komitetit Qendruer.

X

Emnimi, transferimi, gradimi dhe pushimi i nëpunsave të kësaj organizate kryen me vendimet e Komitetit Qendruer si mbas normave ligjore në fuqi për nëpunësat e Shtetit.
Dënimet disiplinore kundër nëpunsave t’organizatës zbatohen prej Komitetit Qendruer simbas ligjëve të Shtetit, mbi procesin e Komitetit Qendruer ose Komiteteve të ndryshme, si mbas ligjeve të Shtetit. Në rast se nëpunsat në fjalë kryejnë një faj që hyn në rrethin e ndeshkimeve penale, me proces-verbalin përkatës çeshtja i referohet Gjyqit përkatës për veprim.

XI

Organizata e “Lidhjes së II-të të Prizrenit ka tagër:

1) Me organizue propagandë intensive me qellim të pregatisë shpirtnisht, materialisht edhe fizikisht popullin për mbrojtjen e tokës së vetë.

2) M’u pregatitë për luftën dipllomatike në konferencën e paqes, tue organizue, mbledhjen e dokumentave provuese të karakterit Shqiptar, t’atyne visevet.

3) Me organizue aparatin e vet administrativ, si mbas këtij Statuti, ndër të gjitha viset e kompetencës së sajë toksore me organe të çdo Prefekturë, Komune e Bashki dhe katund.

4) Me organizue stërvitjen paraushtarake të djelmoshave ende të parekrutuem, në konformitet me ligjën rreth organizimit të paraushtarakëve qi asht në fuqi me datë…

5) Me iu përveshë organizimit për stërvitjen e të gjithë mashkujvet deri më 60 vjeç, veç atyne nën armë, tue i inkuadrue si mbas organizimit të përshtatshëm. Pjestarët e këtyne grupeve nuk mbahen në stërvitje të vazhdueshme, por rregjistrohen, betohen dhe qendrojnë ndër shtëpijat e veta dhe thërriten herë pas herë ushtrime ase veprime të tjera.

6) M’u kujdesë për sigurimin e mjeteve të transportit, t’ushqimit dhe të tjera pajime të nevojshme për veprimin e organizatës.

7) Me kërkue prej autoriteteve shtetnore e parashtetnore ndihmen dhe përkrahjen e tyne, të cilët për sa të jet e mundun jua akordojnë.

8) Me kërkue dhe me marrë në dispozitë oficerë e nenoficerë prej ushtrisë e Gjindarmerisë dhe rrogat e këtyne do të vazhdojnë të paguhen prej Arkës së Shtetit. Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Ndryshe nga operativi i parë i kampit të Rubikut, Qorri, që nuk futej kurrë brenda te ne, ai që e zëvendësoj, Sabri Meta, nga Shëngjergji i Tiranës, jo vetëm që futej, por...”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

Next Post

“Në Filat u masakruan 47 burra, gra dhe fëmijë, në Spathar, 157 i zhdukën, kurse të gjitha gratë e reja dhe vajzat u çnderuan prej kriminelëve të Zervës...” ! / Historia tragjike e Çamërisë, nga masakrat greke!

Artikuj të ngjashëm

“Të mos përdorim forcën ndaj çamëve, se janë shtetas të huaj, por brenda një nate, t’i shpihem në kufi dhe pa na diktuar kush, pasi …”/ Mbledhja e panjohur e Byrosë Politike, më 25 mars 1949
Dossier

“Në Filat u masakruan 47 burra, gra dhe fëmijë, në Spathar, 157 i zhdukën, kurse të gjitha gratë e reja dhe vajzat u çnderuan prej kriminelëve të Zervës…” ! / Historia tragjike e Çamërisë, nga masakrat greke!

July 12, 2025
“Kur dy policët roje, dëgjuan alfabetin ‘mors’; Këtu komanda e Flotës së VI-të Amerikane, po ju presim për të marrë Tiranën…, në burg u dha alarmi dhe…”/ Historia tragjikomike në kampin e Kripores së Vlorës
Dossier

“Ndryshe nga operativi i parë i kampit të Rubikut, Qorri, që nuk futej kurrë brenda te ne, ai që e zëvendësoj, Sabri Meta, nga Shëngjergji i Tiranës, jo vetëm që futej, por…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

July 12, 2025
Clirimi i Prizrenit 1944
Dossier

“Nuk duem as Shqipni të vogël, as të madhe: duem Shqipninë që asht, si nga pikëpamja historike ashtu dhe nga ajo etnografike, me…”/ Ana e panjohur e Lidhjes së Dytë të Prizrentit, shtator 1944

July 11, 2025
“Sapo merrnin vesh që kishim njerëz në burg, banorët e Burrelit, mbyllnin portat e as një pikë ujë nuk të jepnin për fëmijët, kurse në të vetmin hotel që ishte aty…”/ Kujtimet e Sofika Prifti Cara   
Dossier

“Kapter Xhike Xibraku i burgut të Burrelit, kur vdiste ndonjë i dënuar dhe ne e tërhiqnin zvarrë, me një batanije të vjetër, ai qen i gjatë, zgërdhihej gjithë kënaqësi dhe…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

July 11, 2025
“Më 11 shtator 1943, Këshilli Ministror i Shqipërisë nën kryesinë e Iljaz Agushit, nën-kryeministër dhe ministër i Punëve Botore, shpalli ‘Pavarësinë e Shqipërisë’ me kufijtë..”/ Historia e panjohur e Lidhjes së Dytë të Prizrenit
Dossier

“Më 11 shtator 1943, Këshilli Ministror i Shqipërisë nën kryesinë e Iljaz Agushit, nën-kryeministër dhe ministër i Punëve Botore, shpalli ‘Pavarësinë e Shqipërisë’ me kufijtë..”/ Historia e panjohur e Lidhjes së Dytë të Prizrenit

July 10, 2025
“Për ish-oficerin e Marinës, xha Dauti tha; Larg spiunit, është hafije i Sigurimit, mos e afro, se sa ka ardhur ai në burg, veç birucë më birucë ka bredhur! Turpi i Beratit dhe…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik   
Dossier

“Nga malazezi Velko Stepanoviç, kroati Mihajllo Prebeg, e dy maqedonasit, Ljubo Strezovski dhe Panov, të dy serbët, Jovica Cervenko e Boro, greku Sevastidhis, që…”/ Dëshmia e Uran Kalakullës, për kampin e Rubikut

July 9, 2025
Next Post
“Të mos përdorim forcën ndaj çamëve, se janë shtetas të huaj, por brenda një nate, t’i shpihem në kufi dhe pa na diktuar kush, pasi …”/ Mbledhja e panjohur e Byrosë Politike, më 25 mars 1949

“Në Filat u masakruan 47 burra, gra dhe fëmijë, në Spathar, 157 i zhdukën, kurse të gjitha gratë e reja dhe vajzat u çnderuan prej kriminelëve të Zervës...” ! / Historia tragjike e Çamërisë, nga masakrat greke!

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme