Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Pjesa e parë
Memorie.al / Mbështetur në frymën politike të shkrimeve autentike të pjesëmarrësve në Kuvendin themelues, më 16-19 shtator 1943, Lidhja e Dytë e Prizrenit është organizatë politiko-ushtarake kombëtare demokratike shqiptare. Sipas Tahir Zajmit, Kuvendi themelues punoi edhe më 20 shtator. Që këtej kjo datë ka hyrë gabimisht në historiografi. Nuk qëndron as mendimi i shumë publicistëve se “iniciativën për Lidhjen e Prizrenit, e mori Xhafer Deva pas kapitullimit të Italisë fashiste”! Kjo ka një si mbështetje në konstatimet e Ali Hadrit se; “person kryesor në grupin inisiativ për thirrjen e Kuvendit themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ishte Xhafer Deva, mbështetje e madhe e shërbimit informativ gjerman”!
Në fille të qarta të Lidhjes së Dytë të Prizrenit na vë aktiviteti politik i veteranit të Pavarësisë së Shqipërisë Rexhep Mitrovica, nga fundi i korrikut 1943. Organi i Komitetit të Kosovës, shënonte qartë këto fille të pakontestueshme: “Mbassi pat nji shkëmbim të gjanë pikëpamjesh me nji varg personalitetesh kosovare në kryeqytet, nisej bashkë me disa shokë, për Prizrend ku, në lidhje me shumë atdhetarë të tjerë, do t’organizonte lëvizjen e mbrojtjes së Kosovës, kundra çdo vale imperialiste…”.
Këta shokë të Mitrovicës ishin: Qazim Bllaca dhe Muhamet Frashëri, ish-nënprefekt i Therandës (ish-Suharekë). Ishte koha kur pushtetit fashist italian, po i trandej trualli nën këmbë në tokat shqiptare, pas largimit të Benito Musolinit nga posti i kryeqeveritarit të Italisë (25 korrik 1943). Rexhep Mitrovica me shokë, u arrestuan më 2 gusht 1943, sapo arriti në “Post-blok” të karabinierisë së Prizrenit. Një kohë u mbajtën në Burgun Ushtarak dhe në Burgun e Qarkut të Prizrenit. Të lidhur keq i dërguan në “Komanda-tapa” në Shkodër e, prej andej në Burgun Ushtarak të Tiranës dhe në Kampin e përqendrimit “Porto-Romano” afër Durrësit. Në birucat e këtij kampi, do të pësonin edhe më keqe sikur të mos u qeshej fati nga ndihma që u ofronin të burgosurit më të hershëm: drenicasi Idriz Ajet Gashi dhe ferizajasi Abdullah Musliu, antifashistë të shquar.
Qazimi do të lirohej në prag të kapitullimit të Italisë, me ndihmën e Fejzi Alizotit, kurse Rexhepi dhe Muhameti, vetëm pas kapitullimit të Italisë fashiste, më 8 shtator 1943. Në këto rrethana, ngritja e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, për të marrë shqiptarët vendës në duar të veta mbrojtjen e kufijve etnikë të Kosovës dhe të Shqipërisë, u shty deri në ditët e para të okupimit të plotë të Shqipërisë Etnike, nga ushtria hitleriane. Realisht, më 9 shtator 1943, kryeministri i Mbretnisë Shqiptare, Ekrem Libohova, i drejtoi kombit një Thirrje, ku theksohej se qeveritë shqiptare nën okupimin italian, ishin përpjekur “për rregull dhe bashkim vëllazëror”, në mënyrë që populli shqiptar “të dalë i pagjymtuar fizikisht dhe ekonomikisht nga ky konflikt i përbotshëm” – Lufta e Dytë Botërore.
Më 11 shtator 1943, Këshilli Ministror i Shqipërisë nën kryesinë e Iljaz Agushit, nënkryeministër dhe Ministër i Punëve Botore, shpalli “Pavarësinë e plotë të Shqipërisë (…) me kufijtë që i caktojnë gjuha e gjaku”. Në Proklamatë, midis të tjerash, saktësohej: “Qeveria merr të gjitha pushtetet sovrane, deri sa të zgjidhet Asambleja e re…”! Pikërisht në këtë ditë, më 11 shtator 1943, prefekti i Prizrenit, juristi Asllan Isa Boletini, me anë të korrierit solli Qazim Ramë Bllacën nga Bllaca në Prizren, për të marrë pjesë në Mbledhjen e Këshillit organizues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Sipas Tahir Zajmit, grupin iniciativ e përbënin: Xhafer Deva, Musa Sheh Zade, Sheh Hasani, Tahir Zajmi, Lukë S. Mjeda, Qazim Bllaca e Pjetër Vuçaj! Sipas Qazim Bllacës, mbledhjen themeluese të Këshillit organizues, e kryesoi Asllan Boletini! Në të dhënat autentike të pjesëmarrësve në Kuvendin themelues, ky Këshill quhet “Grup nisjatuer i Kongresit të Prizrenit”.
Në ditën e parë këtë Këshill e përbënin patriotët: Sheh Musa Shehzade (kryetar), Shefqet Shkupi, Sheh Hasani, Asllan Boletini, Qazim Bllaca, Pjetër Vuçaj, Tahir Zajmi, Hevzi Meraku, Luk Simoni, Qemal Balila, Haxhi Fahriu dhe Sokol Dobroshi (anëtarë). Rëndësia e ngjarjes shtyri që përgatitjet për mbajtjen e Kuvendit themelues, të zhvilloheshin me shpejtësi. Më 14 shtator 1943, u ngrit në Tiranë Komiteti Ekzekutiv i Përgjithshëm, me detyrën e Qevrisë së Përkohshme – të thirrte Kuvendin Kombëtar të Shqipërisë, në shtrirje të tokave shqiptare etnike. Dhe, dy ditë më vonë në Prizren, do të fillonte punimet Kongresi i Prizrenit në rrethana të një atmosfere feste gjithëkosovare. Ndërkaq, të dhënat e para për themelimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, i botoi gazeta “Kombi”, më 23 shtatorit 1943.
Informatori ishte pjesëmarrës në Kuvendin themelues, dhe ai saktësonte: “Patriotë të njohur kosovarë, muerën inisiativën për të mbledhur nji (Kongres të) Kosovës, Dibrës e të Strugës, ku të çfaqej vullneti i përgjithshëm i banorëve të këtyne krahinave, për bashkimin e përhershëm me Nanën Shqipni, dhe për sigurimin e këtyre krahinave, prej çdo sulmi armik”. Prandaj, Lidhja e Dytë e Prizrenit, as u nis dhe as do të përfundonte si Lidhje gjithëshqiptare, as kopje e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881. Plotësisht në pajtim me politikën antishqiptare kominterniste, ishte edhe konstatim: “Formimi i kësaj organizate është vepër e përbashkët e kuislingëve shqiptarë dhe shërbimit informativ gjerman”. Korrespondenti i gazetës “Kombi”, pjesëmarrës në Kuvendin themelues, informonte lexuesit: “Pika e parë e programit të bisedimeve, përmban kërkesën e bashkimit të përhershëm dhe të pazgjidhshëm të të gjithë krahinave, të banueme qysh prej mija vjetsh, prej popullsinash shqiptare”;
Pika e dytë e Programit “përmban bashkimin me Shqipni të krahinave të Mitrovicës, Vuçiternës, të Pazarit të Ri dhe të Senicës – toka shqiptare të kërcënueme nga shumë anë nga bota sllave”; “Pika e katërt e bisedimit përmban formimin e nji Komiteti Qendruer në Prizren, me degzat e saj në të gjitha Prefekturat, Nënprefekturat dhe komunat e krahinave të Kosovës, Dibrës dhe Strugës, të cilat do të marrin përsipër organizimin ushtarak e politik të Kosovës”; “Pika e pestë e programit, përmban mbledhjen e të gjitha dokumenteve historike, politike dhe diplomatike, që forcojnë qënien shqiptare të tokave të lirueme, ashtu dhe ngjarjet dhe vuajtjet e pafund të banorëve të ktyne viseve në kohën e sundimit jugosllav, si dokument në rasën e një paqie të arthme. Një paraqitje të plotë dhe shumë besnike zhvillimeve në Kuvendin themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, u bëri gazeta “Kosova”, e Tetorit 1943.
Ajo informonte opinionin: “Dita e lumnueshme e 16 Shtatorit 1943 gëdhinë tue gjetun Prizrendin të zbukuruem në nji mënyrë të jashtëzakonshme me flamure kombëtare, me harqe ngadhënjimi, mbi të cilët zotnojnë figurat e të gjithë martirëvet dhe luftëtarvet ma të shquem të përpjekjevet kombëtare të popullit shqiptar”!
Kuvendi themelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, i zhvilloi punimet në Shkollën “Bajram Curri”. Atë e hapi kryetari i Këshillit organizues, Sheh Musa Shehzade, dijetar i madh dhe eminencë kryesore e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Ai fuqimisht e sfidoi dhunën e pushtuesit italian dhe pasqyroi kundërvënien politike e të armatosur shqiptare, kundër robëruesit italian:
“Mbas shpartallimit t’ushtrisë italjane, e cila, për katër vjet rresht, vrau, preu, rrënoi dhe shkretoi, dogj e shkrumoi ndër vendet t’ona, tue zhvillue nji veprimtari me të vërtetë shtypëse të njij shtypësi pa farë skrupulli, problemi i jetës së Kombit t’onë, i së ardhshëmes s’onë, paraqitet ma i ndërlikuem. Shkaku dihet prej të gjithëvet: Italjanët, siç e dini ju të gjithë, me gjithë përpjekjet t’ona të përbashkëta, nuk na lanë, tue na eliminue, tue na internue dhe tue na burgosun, asnji mundësi organizimi për mbrenda, për të qenë gati, në mos tjetër, me i bamë ballë sulmevet tinzare t’imperialistavet sërbë, malazezë dhe grekë”.
Urtaku i madh Musa Shehzade rravijzoi qëndrimin politik shqiptar edhe ndaj pushtuesit gjerman. Atë e paraqiti qartë si pushtet të huaj, të imponuar dhe kalimtar e, kërkoi që të shfrytëzohej për përfitimet e kombi shqiptar. Theksoi mençurisht: “Tash që kemi të gjitha mundësinat e njij organizimi të përgjithshëm të fuqinave kombëtare, duhet që ta fitojmë, mbrenda njij kohe të shkurtën, gjithë periudhën qi humbëm gjatë së shkuemes së afërt (…). Duhet të mendojmë, pra, masat dhe mënyrat e mprojës s’onë, për çdo gjasë dhe për çdo rrethanë. Qëllimi që do të frymëzojë përpjekjen t’onë, nji përpjekje jete a vdekje, do të jetë nji i vetëm; Sigurimi i njisisë s’onë ethnike”. Kryetari i Këshillit organizues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Sheh Musa Shehzade, u dërgoi një mesazh të fuqishëm pushtuesve e copëtuesve të Shqipërisë Etnike, më 1878, 1913, 1919 dhe 1941, duke theksuar: “Na po e shpallim haptas, nuk kemi as ma të voglin pretendim mbi asnji copë tokë që nuk asht e jona. Duem, pra, vetëm gjithëçka asht tokë arbënore, e banueme prej njij popullsije shqiptare. Prandaj, fqinjët t’onë nuk kanë shka druejnë prej nesh …”!
Anëtarët e tjerë të Grupit organizues para delegatëve, do të spikatnin kërkesat për programin dhe për statutin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, që do të viheshin në rendin e ditës në ditën e dytë dhe të tretë të punimeve të Kuvendit themelues. Veterani i luftës për lirinë e Kosovës historike, Shefqet Shkupi, do të saktësonte: “Qellimet janë ato që përmendi vetë Kryetari i jonë dhe që kanë lidhje të ngushtë me vullnetin e përbashkët të krejt Popullit të Kosovës, Dibrës, Strugës dhe Tetovës; don me thanë, pikë së pari, sigurimi i bashkimit të së gjitha këtyne Vendeve me Shqipninë e Vjetër, së cilës i përkasin nga çdo pikëpamje: nga ajo historike, nga ajo gjeografike dhe nga ajo ethnografike; së dyti, për të sigurue plotësimin e njisisë s’onë ethnike, tue përfshimë në rrethin e Votrës s’onë kombëtare, të Shtetit të Lirë, të pavarun, Shqiptar, të gjitha ato Vise që, për nji arsye a për nji tjetër, fshajnë ende nën robni; së treti, tue u frymëzue nga vepra atdhetare e paharrueshme e Lidhjes së Prizrendit, me hedhun, qysh tashti, themelet e njij organizimi mprojtjeje politike, diplomatike dhe ushtarake të këtyne të drejtave të pamohueshme dhe, si të tilla, të paprekëshme para çdo të drejte, edhe para asaj ma fillestare”.
Oratori, personalitet shumë i rëndësishëm i historisë shqiptare, do të angazhohej për bashkimin me Mbretnin Shqiptare edhe të viseve të tjera shqiptare të cilat, ende mbaheshin nën okupimin bullgar dhe administrimin e tërthortë të Mbretërisë së Malit të Zi dhe të Serbisë së Nediqit. Shefqet Shkupi theksoi para delegatëve: “Vendi i jonë asht i synuem nga lakmina të pangishme imperialiste, pse, ndër fqinj, ka ba pak, ase aspak hapa kuptimi i drejtësisë së vërtetë, si edhe pse, drejtuesat e klikave të ndryshme të përparshme ushtarake, si Mihajloviçi, vazhdojnë t’andrrojnë krijime artificiale, kryekëput tashma të pamundëshme, si Jugosllavia e përparshme, që shkretoi, rrënoi, për tridhetë vjet rresht, Fisin Arbënuer në Kosovën t’onë”.
Qëllimi i ngritjes së Lidhjes së Dytë të Prizrenit, pasqyrohej në një fjali të thjeshtë: “Gjithçka për Liri!” të Dr. Rexhep Krasniqit, historiani shqiptar i parë, më i thelli i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, e cila, siç konstatonte: “do të mbetet, heret e vonë, e pashlyeshme ndër mendje dhe ndër shpirtna të gjithë Shqiptarve, pse i detyrohet asaj Lidhje, qenja dhe shpëtimi i Fisit t’onë, nga gënjeshtrat e këlyshvet të Rusisë”!
Kërkesës për bashkimin shqiptar për të realizuar aspiratën e bashkimit të Shqipërisë Etnike, i dha kuptimin e amanetit patrioti Tahir Zajmi. Ai theksoi: “Vullneti i krejt popullit që kemi nderin të përfaqësojmë në gji të kësaj mbledhjeje, asht aj i realizimit të bashkimit të persosun ndërmjet Kosovës, Dibrës dhe Strugës me Shqipninë e Vjetër. Prandaj, na, tue interpretue kët vullnet besnikisht, duhet që, njizani, ta shpallim kët bashkim në trajtë plebishitare(…), për realizimin e Njisisë s’onë ethnike”. Personalitet politik, Zajmi, i zoti për pushkë dhe për penë, konceptoi platformën politike – “Vullneti paqësor Kosovar”, në të cilën, midis të tjerave, saktësoi: “Kuvendi i tashëm i Prizrendit, asht mbledhja e madhe e krejt popullit shqiptar që, padrejtësinat e Europës imperijaliste, kishin lanë, për dy herë rresht, nën zgjedhë t’imperjalistavet të Ballkanit” dhe konstatoi: Porsa të sigurohen këto të drejta, që nuk mund t’i mohojë as kriteri i drejtësisë ma fillestare, populli shqiptar do t’a frymëzojë politikën e mbrendshme dhe të jashtëme nga drejtime që do të përbajnë gjith’ aq norma themelore të pacënueshme, kundrejt fqinjve të vet(…)”.
Atmosferë patriotike entuziaste bashkimtare në Kongresin themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit solli fjala e mësuesit mitrovicas Bedri Gjinaj: “Dërgata e Mitrovicës merr pjesë në këtë mbledhje historike, e bindun se, nga bisedat dhe punimet e saja do të dalë ajo që pret krejt populli shqiptar: vendimi për t’a krijue, me të drejtë e me gjakë, Shqipninë e andrrueme prej të gjithë Martirvet t’onë: Shqipnija Ethnike”. Më 17 shtator 1943, Këshilli Ekzekutiv i Përgjithshëm i Tiranës informonte popullin, se kishte shpallur “pavarësinë e Shqipërisë” dhe e ftonte “për domosdoshmërinë e mbrojtjes së Shqipërisë Etnike”. Në këtë ditë, pikërisht më 17 shtator 1943, i zhvilloi punimet Seanca e dytë e Kuvendit themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Kryetari i Këshillit nisjatuer, Musa Shehzade, në këtë seancë Kuvendit themelues së Lidhjes, ia propozoi Kryesinë e Kongresit në përbërje: Një Kryetar, Dy Nënkryetarë, Një Sekretar, për të “kryesue mbledhjet dhe me drejtue zhvillimin e bisedimeve t’interesantshme, të mbledhjes historike”!
Sipas Tahir Zajmit, në Kuvendin themelues morën pjesë 42 delegatë. Me vota të fshehta Kuvendi, për Kryetar zgjodhi dijetarin Sheh Musa Shehzade me 38 vota, kurse për nënkryetarë: Aqif Blutën dhe Dr. Rexhep Mitrovicën, me nga 17 vota. “Me propozim të Kryetarit (Musa Shehzades), mbledhja pranon, me aklamim, si Sekretar të Kongresit Z. Bedri Gjinaj”. Me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit, punimet e të gjitha seancave do t’i drejtonte dr. Rexhep Krasniqi. Organi i Komitetit të Kosovës – “Kosova”, iu kushtua edhe biografive të personaliteteve drejtuese të Kuvendit themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Aty theksohej: “Z. Musa Shehu, prej Prizrendi, asht nji nga figurat ma të lashta, pra veteran i mirënjoftun kudo nëpër botën shqiptare, si përpjekjes i palodhun, në çdo kohë dhe për çdo rrethanë, i përmbushjes së aspiratave të shejta të Kombit shqiptar; burrë qind për qind i ndershëm, guximtar dhe i patundëshëm në ndjekjen e parimevet themelore që kanë frymëzue, herët e vonë, lëvizjet kombëtare të Vendit t’onë e, si i tillë, edhe shok i pandarshëm i Plakut të maleve, Bajram Currit të paharrueshëm. Zgjedhja e tij në krye të Kongresit, pra, difton haptas udhën që mendon të ndjekë vetë Kongresi(…)”.
Dhe, duke folur për Aqif Blutën, përfaqësuesin e Sanxhakut, Kosova, midis të tjerash, shkruante: “Ky burrë gjakovar, nji nga oficerat ma të shquem të dalun nga Shkolla turke, asht figura ma përfaqësuese e Sanxhakut; asi Burri që, në çdo kohë, nën çdo pushtim, nuk ka pushue kurrë së luftuemi për realizimin e vullnetit të popullit kosovar, për të qenë nji dhe i pandashëm kundra çdo vale shkatërrimtare; asht Burri që, klika ushtarake imperijaliste e Belgradit, i ndeu, ma se nji herë, kurthe mbi kurthe, për t’a shdukun nga qarkullimi, për ta vra, që të pushonte, në gji të Skupçinës, zani i tij i fuqishëm, kundra tiranisë, kundra terrorizmit, kundra masakrave dhe kundra luftës së shkombëtarizimit, që zhvillonte Serbija imperijaliste mbi popullin shqiptar të Visevet thjesht shqiptare të Kosovës(…); asht Burri, ma në fund, që ka vendos, për çka i përket sektorit të vet, m’e bashkue, me çdo mënyrë dhe me çdo therori, Tregun e Ri, vend thjesht shqiptar, si ç’e ka diftue me gjakun e derdhun bujarisht në çdo rasë rreziku, me Atdheun e përbashkët shqiptar”.
Duke folur për historianin Dr. Rexhep Krasniqi, gazeta “Kosova”, saktësonte: “…ma i riu në Kryesi, asht djaloshi që asht rritë e burrnue me aspiratat dhe me idealet e Plakut të pavdekshëm të Maleve (Bajram Currit), djalë atdhetar që, për Shqipni, mendon dhe jeton e që, si të gjithë të rijt e Kosovës Kreshnike, asht i frymëzuem nga vullneti i patundun që të kryhet, këtë herë, nji herë e përgjithëmonë, Porosia e të Parve: krijimi i Shqipnisë Ethnike…”. Në punimet e Seancës së Dytë, hapësirën kohore më të madhe e zuri: “Bisedim mbi Bashkimin e Kosovës, të Dibrës dhe të Strugës me Shqipni”. Kuvendi themelues vendosi: “Këto Vise t’i bashkohen Nanës s’onë të përbashkët; Nanës Shqipni”. Juristi Esad Berisha, përfaqësues i nënprefekturës së Gjilanit pasqyroi dimensionet e dhunës bullgare në viset shqiptare të okupuara nga Bullgaria dhe konstatoi: “Detyrat që na presin për realizimin e vullnetit të të gjithë Shqiptarëve: krijimin e Shqipnisë Ethnike, janë të shumta dhe tepër të randa. Për t’i dalë në krye kësaj pune, ka vetëm nji udhë; të ndjekim porosinë që na ka lanë Bilbili i gjuhës Shqipe, Naim Frashëri: “Punë, punë, natë e ditë, që të shofim pakëz dritë”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm