Nga Uran Kalakulla
Pjesa e njëzetepesë
Nazizmi dhe komunizmi
Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të sterhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.
Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.
E ajo qe i ndodhi këtij shoku skuadre të Hilmiut, ishte gati po aq tronditëse, sa vetë vrasja. Ne nuk e pamë vrasjen, por pamë torturën e këtij qyqarit tjetër. Kur kapterët i çuan përpara komandantit shokun fatkeq, egërsira me uniformë, iu turr me gjithë tërbimin e një bishe dhe, me grushta e shkelma trupit e fytyrës, e dërrmoi njeriun e shkretë, krejtësisht të pafajshëm, të lidhur duarsh me pranga prapa shpine, duke mos mundur të ruante së paku fytyrën. Dhe, si e bëri pleh, urdhëroi rojat e tij, ta kapnin e ta fusnin në gropën e gëlqeres aty pranë. Kapterët e përlanë fshatarin e gjorë dhe çuan te gropa.
Pasi thyen me çizme akullin e trashë, e rrasën brenda në gropë deri afër gjoksit. Vetëm pasi ky farë komandanti, shfryu gjithë dufin e vet shtazëror e, si na shau prapë të gjithëve po aq ndyrë sa më parë, dha urdhër që të rifillonte puna. Thua asgjë të mos kishte ndodhur?! Ndërkohë që ne u larguam secili në vendin e vet të punës, shoku ynë mbeti i lidhur me pranga në gropën me ujë të akullt. Dhe thellimi të priste fytyrën si me brisk.
Orari i punës atë ditë zgjati dhjetë a dymbëdhjetë orë, në vend të orarit të zakonshëm të tetë orëve. Kishim dalë në punë në orën gjashtë të mëngjesit, gati në terr dhe hymë brenda në kamp, andej nga ora katër a më tej. Mbaj mend se atë ditë drekën e darken, i hëngrëm njëkohësisht; lugën me languriqin e zakonshëm dhe racionin e ujit të darkës. Të lodhur, të ngrirë dhe të dëshpëruar, pas apelit të mbrëmjes, hymë në kapanone dhe secili u struk gjithë dhimbje, në shtratin e tij të mjerë.
Meqenëse forcat e kishin boshatisur tashmë objektin e mallkuar të punës, edhe rrethimi me rojat ishte hequr. Gjithashtu, kishin hequr nga gropa e gëlqeres shokun tonë dhe e kishin futur, ashtu të lidhur e të kallkanosur, në birucat e nëndheshme të godinës ku flinim. Vetëm vonë, shumë vonë, pamë që e morën fatkeqin nga biruca dhe e lejuan të shtrihej në shtratin e vet. Disa shokë e të njohur të tij se ku zien në gjysmë gavete me çaj dhe ia dhanë ta pinte. Pastaj, pasi ia hoqën teshat e ngrira, ia fërkuan trupin me alkool dhe e vunë të flinte.
Sigurisht, një ndihmë të madhe dha mjeku, i nderuari Ylli Xhagjika, pa ndihmën e të cilit i dënuari pafaj, ndoshta do të kishte vdekur po atë ditë, si shoku i tij i skuadrës. Kështu, në themelet e asaj uzine të mallkuar, ishte derdhur gjaku i njërit prej shokëve tanë, si i shumë e shumë të tjerëve para tij, në të gjitha veprat ku kanë derdhur djersën e gjakun të burgosurit politikë, nga Jugu në Veri. Kamp-burgu i Rubikut ishte, në kuptimin e saktë të fjalës, një kamp ndërkombëtar. Se, pos nesh shqiptarëve të “Shqipërisë së vjetër”, si i thoshin kosovarët, kishte mjaft edhe prej tyre.
Po kishte edhe shqiptarë nga Mali i Zi dhe Maqedonia, të cilët quheshin shtetas jugosllavë. Kishte edhe tamam jugosllavë, me kombësi sllave, si: maqedonas, malazezë, kroatë, serbë. Kishte edhe grekë, pa llogaritur këtu çamët që (domosdo), jetonin në Shqipëri dhe që ishin kombas e shtetas shqiptarë. Më kujtohen mirë emrat e disave prej tyre, si: malazezi Velko Stepanoviç, kroati Mihajllo Prebeg, dy maqedonas, Ljubo Strezovski dhe Ljubo Panov, dy serbë, Jovica Cervenko dhe një farë Boro. Kurse nga grekët mbaj mend vetëm njërin, Taso Sevastidhis.
Ndër vëllezërit kosovarë, të cilët ishin më të shumtit ndër shtetasit jo shqiptarë, intelektuali Shaban Basha, një djalë i ri me mbiemrin Bajraktari, trimi Sitki Hoxha dhe një i sëmurë psikik, me emrin Mazllum Shishmani. Emrat e të tjerëve, fatkeqësisht, i kam harruar.
Do të nis me vëllezërit tanë të gjakut, kosovarët. Këta ishin arratisur nga vendi i tyre dhe kishin hyrë këndej, për t’i shpëtuar zgjedhës së shkjaut, siç u thonë ata, sot e kësaj dite serbëve. Një emërtim tipik, me një ngarkesë të madhe urrejtjeje dhe përbuzjeje që është krijuar jo vetëm në dhjetëvjeçarë, por në shekuj. Dhe, padyshim, për këtë fakt të hidhur, fajin e kanë vetë serbët, sidomos kur ata u bënë zotër të më tepër se gjysmës së natyrshme shqiptare, që atyre ua dhuroi “kurva Evropë”, siç e pat quajtur i madhi Fishta, Evropën imperialiste të çerekut të parë të shekullit XX-të apo, më saktë, kancelaritë e shteteve më të mëdha të saj. E tani, pos shkjaut, kishim edhe komunizmin titisto-rankoviçian.
Kosovarët që kishin kaluar kufirin për këtej, në shumicën e tyre, ishin të arratisur politikë. Ata vinin këtej si të vëllezërit e tyre, të “Shqipëria amë”, “Shqipëria e vjetër”, ashtu siç vinin edhe shqiptarët e Maqedonisë apo, të Malit të Zi, të cilët kishin pësuar po fatin e keq të kosovarëve, siç e kishin pësuar edhe çamët nga grekët. Ata pandehnin se këtej ishte parajsa e humbur, se këtu ishte liria, mirëqenia, patriotizmi, anti-komunizmi…!
Por, si thotë një shprehje e njohur e shqipes, erdhën këtej për lesh dhe dolën të qethur. Ata e kishin besuar për të vërtetë propagandën dhe demagogjinë e radios shqiptare, valët e së cilës arrinin në Kosovë enkas, por dhe në Maqedoni e Mal të Zi. Atyre u bënte shumë përshtypje armiqësia e sapokrijuar e qeverisë së Enver Hoxhës ndaj Titos e Rankoviçit. Dhe, për ata që kishin iluzione komuniste, edhe “besnikëria” ndaj marksizëm-leninizmit, besnikëria ndaj Bashkimit Sovjetik, ndaj “shokut të madh Stalin”, që na qenkësh vetë Perëndia mbi tokë.
Dhe dua të besoj se ata të gjorë kosovarë, kur dëgjonin se në krye të Shqipërisë, ishte një Enver Hoxhë, për më tepër mysliman, se Shqipëria kishte një qeveri të fortë, me ushtri të armatosur deri në dhëmbë, aleatët e Bashkimit të madh Sovjetik, pra, të një superfuqie, u mbushej mëndja top, kalonin kufirin e vinin këtej me shpresa dhe iluzione. Si mund ta dinin ata se qeveria e Enver Hoxhës, ishte bash ajo që ia kishte dhënë vetë Kosovën Titos, si dashin e pjekur në tepsinë e madhe, dhuratë për nderin që ky Tito i kishte bërë Hoxhës dhe shokëve të tij për t’u bërë “burra shteti”, kur nuk kishin qenë veçse fundërrina të shoqërisë shqiptare.
Ja, kjo ishte drama, a më mirë të themi tragjedia e emigrantëve kosovarë në Shqipëri. Duke ardhur këndej, atyre u vihej përpara një alternativë: ose të bëheshin spiunë të sigurimit (edhe ndaj shokëve të tyre), ose të përfundonin në burg, siç përfunduan. Edhe emigrantët e të tjerë jo shqiptarë, sidomos ata me kombësi jugosllave, ishin gënjyer. Sigurisht, jo nga ndjenja patriotike, por nga besnikëria dhe iluzioni i drejtësisë së komunizmit shqiptar, për marksizëm-leninizmin, aq më tepër si aleat dhe vëlla (paçka se më i vogël), i kampit të madh socialist, nga i cili Jugosllavia e Titos, tashmë ishte përjashtuar me bujë.
Shaban Basha ishte një burrë me shtat mesatar, i bëshëm, me fytyrë të pashme, me moshë diçka më tepër se të pesëdhjetat. Ishte një intelektual i vërtetë, me një formim kulturor të plotë, të gjithanshëm. I ri kishte kryer akademinë ushtarake në Itali (më duket atë të Modenas), ku kishte dalë me rezultate të shkëlqyera. Për më tepër kishte bërë edhe një kurs më vete, si specializim pasuniversitar, që quhej “aplikacion”, më duket dyvjeçar, për të dalë oficer shtabi. Po për cilën ushtri dhe cilin shtab? Sigurisht, atë shqiptar, sepse, siç dihet, në kohën e zaptimit fashisto-italian, Kosova iu kthye Shqipërisë. Dhe Shaban Basha, donte të ishte kuadër i ushtrisë së re e të përbashkët shqiptare, kombëtare, edhe pse të dyja këto troje shqiptare, ishin nën sundimin italian.
Sepse shumica e intelektualëve shqiptarë në atë kohë shpresonin se sundimi italian te ne ishte i përkohshëm, kur Lufta e Dytë Botërore ishte në prag ose, sapo kishte filluar. Shabani kishte njohuri të thella sidomos në matematikë dhe fizikë, pos disiplinave të tjera ushtarake, për të cilat nuk di ç’të them më gjatë. Por kishte edhe mjaft njohuri në filozofi, ekonomi dhe sociologji. Edhe historinë e botës, sidomos atë evropiane e njihte mirë. Edhe më mirë njihte historinë e kombit tonë. Në formimin e tij kulturor, domosdo e kishin ndihmuar edhe gjuhët e huaja që i dinte mirë, si italishtja, frëngjishtja, anglishtja e gjermanishtja, pa llogaritur serbishten sigurisht. Por gjithmonë parapëlqente të flisnim bashkë shqip, me atë dialektin e tij të përzgjedhur kosovar:
Ishte një patriot i thekur Shabani, si çdo kosovar dhe ideali i tij, zemra e tij kish në qendër Shqipërinë etnike, dhe domosdo në plan të parë lirimin e Kosovës nga robëria serbe. Për fatin tim të keq, nuk qëlloi të rinim gjatë me Shabanin. Atij i erdhi dita e lirimit dhe, si morëm vesh pas ca kohësh, ai u kthye në Kosovë, ku, jo shumë kohë më pas, e emëruan profesor në gjimnazin e Prishtinës, ku jepte matematikë dhe fizikë. Dhe që atëherë nuk mora vesh më gjë për të. Sitki Hoxha nga Gjakova, kishte një moshë të përafërt me mua. Pra ende burrë i ri. Vinte disi i shkurtër nga shtati, jo siç janë zakonisht kosovarët: shtatlartë, burra e gra, tamam racë ilire. Të paktën aq sa thonë historianët për ta.
Sitkiu ishte kushëri i afërt me krye-komunistin kosovar Fadil Hoxha. Hëm kosovar, hëm komunist, mua me dukej se nuk shkonte fare kjo për Fadilin! Por nejse, puna e tij! Siç duket, nga ndikimi e përpunimi i Fadilit dhe Sitkiu, mjaft më i ri se ai, kishte dalë malit partizan dhe me mbarimin e luftës, kishte gradën e togerit. Por gjaku kosovar e kishte bërë shpejt punën e vet dhe me prishjen e Titos me Stalinin, Sitkiu, si shumë të tjerë, kosovarë e jugosllavë, e kishte mbajtur vrapin në Shqipëri. Dhe komunistët shqiptarë e kishin çuar drejt e në internim, në rrethin e Lushjes, duket ngaqë Sitkiu, shumë më tepër se komunist ishte shqiptar, kosovar, pra patriot i patundur, nacionalist i bindur. Dhe rruga nga internimi në burg nuk ishte fort e gjatë.
Internimi ishte hyrja e burgut
Kur u njoha me Sitkiun në kamp-burgun e Rubikut, ai kishte bërë mjaft vite burg. Atje e kishin sjellë prej burgut të Burrelit. Megjithëse tashmë shumë i vuajtur, si njeri i fortë që ishte shpirtërisht, ai u bënte ballë të gjitha vështirësive, sa më seriozitet aq edhe me vendosmëri. Madje, kishte edhe humor. Qeshte me gjithë shpirt, kur dallonte qesharaken.
Sitkiu, si njeri me përvojë tashmë, nuk e kishte zakon të fliste haptas për probleme. Ai i urrente, i përçmonte spiunët dhe nuk donte në asnjë mënyrë, të bëhej pre e atyre çakejve me fytyrë njeriu. Por, me atë që kishte besim dhe kishte prova se ishte serioz dhe i ndershëm, edhe çelej. Fliste me një zhgënjim të madh dhe urrejtje pa kufi për komunizmin, i çdo marke që të ishte ai: shqiptar, jugosllav apo sovjetik.
Nga jeta me trazira që kishte kaluar Sitkiu, nuk mund të thuhej se kishte një formim kulturor të plotë, fjala vjen, si Shaban Basha, por ishte mik i ngushtë me librin, megjithëse atij i pëlqente më fort të bisedonte për “kulturën e jetës”, se sa për atë të librave. Dhe, ajo që më bënte më fort përshtypje te Sitkiu, ishte një ekuilibër i përsosur shpirtëror, çka e shihje rrallë te masa e të burgosurve. Ai shoqërohej me këdo që ishte njeri pa huqe dhe, pavarësisht nga kjo, ai përshëndetej me të gjithë. Nuk di ndonjë rast që ai të nxehej a të zemërohej me ndokënd. Prandaj, për të, të gjithë kishin respekt: të mirë a të këqij.
Në një ndër ditët e shumta, paradite, (ishte ditë e diel), na mblodhën. Menduam se do të ishte apeli me kartela që na bëhej të paktën çdo dy javë. Por, jo. Na paskësh qenë një konferencë politike, të cilën zakonisht e bënte komisari. Këto “konferenca” kishin qëllim që të na “riedukonin” ne, për të kuptuar thellë “gabimet” që kishim bërë, të ktheheshim në rrugën e Partisë e, pasi t’i lëpinim tabanin e këmbës shokut Enver, të bëheshim spiunët e tij e, ta ndiqnim atë me besnikëri skllavi, deri në ngordhjen tonë!
Ç’të ishte kjo kërkesë e komandës (domethënë e Ministrisë së Brendshme, më saktë sigurimit të shtetit apo më saktë e partisë), për “riedukimin” tonë? Ç’ishim ne që të riedukoheshim? horra, hajdutë apo pederastë? Po këta të fundit, vallë riedukoheshin duke pësuar dhunën e përditshme të burgut? Me një fjalë: të të mbyll në burg ty me jetë, të të lidh me pranga, të të fyej e rrah sa herë të më dojë qejfi, të vë në regjim urie, të mart shpirtin në punë dhe, pas gjithë këtyre, të të llomotis ca fjalë bajate për Partinë dhe shokun Enver dhe ti të “riedukohesh”, bëhesh me Enverin! Sikur nuk e dinim ne se kush kishte qenë Enveri, para se të bëhej komunist! Për besë ata që kërkonin riedukimin tonë ose, u kishte hyrë vetja në qejf, ose ishin ata për t’u lidhur si të marrë.
Ose ishte një tallje e neveritshme, një lloj torture e sofistikuar dhe djallëzore. Por mund të ishte edhe një lloj hetimi më vete, duke shqyrtuar se si do të reagonim ne në fytyrat tona, llomotitjeve të tyre politikë: ndonjë nënqeshje ironike, ndonjë pëshpëritje në vesh, ku do të dukej ose tallja, indinjata; ndonjë pyetje e drejtpërdrejtë për “edukatorin” tonë; ndonjë debat i hapur e i ashpër me të, që përfundonte me lidhjen po aty me hekura, të pyetësit a diskutantit, rrahjen e tij, futjen në birucë për një muaj, dhe më pas transferimin në burgun e Burrelit, dhe ishte si rrethi nëntë i ferrit të Dantes.
Atë të diel patëm “fatin” që mësimin politik, të na e bënte vetë “kumandar” Bamka. Nuk e dinim që ky Bamka, të na ishte edhe teoricien, pos rrahjes, torturues e vrasës. Pra hëm edukator, hëm xhelat. Çfarë nuk ndodhte nën regjimin hoxhist! Dhe Bamkë “politikani”, siç tallej një mirditor finok, ia nisi me qejf të madh “diskurit” të tij teoriko-politik.
– “Dëgjoni këtu, mor derbederë! Patisë (se nuk thoshte parti), i vjen keq për ju. E sidomos shoku Enver, s’e bën rahat gjumin nga halli juaj. Po ç’deshët, more maluketër që hytë në burg? Pse nuk qëndronit si gjithë populli nën andrën e madhe të Partisë, nën diellin e ngrohtë që lëshon Enver Hoxha, por erdhët këtu, që të hani kokat tuaja, mor qena e bir qenësh”!
Këtu temperatura e komandant Bamkës, sa vinte e rritej drejtë gradës së vlimit. Dhe vazhdonte: – “Ore, ç’pandehnit ju? Se i çahet bitha Enver Hoxhës për ju? Ai s’ka pietur as për Titon, as për Hrushovin, as për imperializmin amerikan. Ai ka vetëm një shok e mik, Maon e Kinës. Po vetëm atë ka mik e shok, asnjë tjetër! Dhe le t’ia mbajë Amerikës dhe revizionistëve sovjetikë me larot e tyre, bashkë me Titon, po deshi, të prekë kufijtë e Shqipërisë së Enver Hoxhës! Kokën e tyre do të hanë. Zorrët do t’ua lëshojmë qenëve t’i hanë. Do t’i bëjmë që të hanë mutin e tyre, more mutërit e mutërve! Edhe juve, që e mbani shpresën te ata zagarë qelbanikë”!
Pas këtij yryshi të fortë plot kërcënime për Amerikën e sovjetikët, niste e shante monarko-fashistët grekë, neofashistët e Romës dhe, domosdo, Titon me tërë pasuesit e tij. Në një çast e preu hovin dhe pyeti papritur:
– “More, po ku është ai togeri i Titos, ai udebavci i poshtër, ai që na qenkësh edhe kosovar, pale? Si e ka emrin, more Adem, ai”? Ademi ishte kryetari i zyrës teknike famëkeqe dhe… kuptohet se ç’ishte. Ademi, me gatishmëri të madhe, i tha emrin e Sitkiut. E pra, Sitkiu, vërtetë kishte qenë toger pas partizanllëkut, por as që i ishte qasur sado pak UDB-së titiste. Sitkiu u çua më këmbë: i vrenjtur, sigurisht pak i zbehtë në fytyrë (se e dinte ç’e priste), por me guxim, pa i bërë syri tërr dhe plot zërin i tha:
– “Unë kam qenë partizan dhe jo UDB-ash”.
– “Eh, ti tradhtar i ndyrë! – ia ktheu Bajrami. – Ti qen e bir qeni”!
– “Qen e tradhtar je ti”!
– “Lidheni qenin e ma sillni këtu”! – dha urdhër “kumandari” me shkumën në gojë (si zakonisht), nga tërbimi. U sulën dy- tre kapterë, e kapën Sitkiun e shkretë, e vunë përfund, ia lidhën duart me hekura, duke ia shtrënguar me cepat e kapotës deri në zero dhe ia çuan para komandantit të tyre. Atëherë bisha iu turr me shkelma e grushta, sa kishte fuqi, duke e gjakosur e duke nxjerrë gjithë dufin e vet prej egërsire, siç kishte bërë me atë fshatarin e gjorë, para se ta fusnin në gropën e gëlqeres. Dhe, pas kësaj, duke e tërhequr zvarrë, Sitkiun e gjakosur e futën në birucë, ndërsa ne aty, dëshmitarë të pafuqishëm për të bërë gjësendi në ndihmë të shokut tonë të mirë e të ndershëm, mbetëm kokulur, të bërë limon në fytyrë. Ja, kështu mbaroi edhe ajo mbledhje e “edukimit tonë politik”!
Kosovari tjetër, me mbiemrin Bajraktari, ishte një djalë mjaft i pashëm, me shtatin si fidan. Edhe ai kishte ardhur me iluzionin e “nënës Shqipëri” dhe, në vend të asaj, kishte gjetur jo një njerkë, por një kuçedër të vërtetë. Dhe prandaj ndodhej mes nesh, në atë vend të mallkuar, aty buzë lumit Fan. Nuk di se sa shkollë kishte ky djalë, por më kujtohet fytyra e tij e ëmbël dhe një qëndrim sa serioz për moshën e tij, aq edhe prej zotërie. Duhej të ishte prej familjeje të mirë. Ai kishte një etje të madhe për dijen. E shihja gati gjithmonë me një libër në dorë dhe i pëlqente të shoqërohej me burra të pjekur dhe që i dukeshin për së mbari, por edhe kur ata ia prezantonte ndonjë kosovar tjetër, me të cilin rrinte më shpesh. Ndoshta ndonjë nga këta e kishte porositur, të më afrohej edhe mua.
Dhe ashtu bëri, por me shumë fisnikëri, sikur të rridhte nga ndonjë familje aristokratësh anglezë. E pra, s’ishte veçse bir fshatari. Mirësjellja e tij (dhe e plot të tjerëve si ai), me bënte shume përshtypje. Aq me tepër kur shikoja se, edhe pse qytetare denbabaden, madje prej qytetesh të përmendura të vendit tonë, nganjëherë silleshin si rrugaçë. Ishte, pra, sjellja e këtij djaloshi, që më bëri ta mirëpres njohjen dhe shoqërimin e tij. E kështu bisedonim, për historinë e kombit tonë, për epikën popullore, kryesisht atë kreshniken, sepse ajo e tërhiqte më shumë. Por, edhe për probleme të tjera social-ekonomike. Me sa mundja e me sa dija, përpiqesha t’ia zgjeroja sa më shumë horizontin.
Dhe vija re me kënaqësi se fjala ime, jo vetëm që nuk shkonte humbur, por zinte vend, madje zinte rrënjë në ndërgjegjen e tij. Sigurisht, krye-tema jonë ishte patriotizmi. Ai u kënaq shumë ngaherë kur unë i thashë se një nga faktorët që e nxiten dhe e bënë të mundur pavarësinë e Shqipërisë (edhe pse të cunguar), ishte kryengritja dhe lufta e Kosovës me Isa Boletinin në krye më 1909-1910 dhe 1911.
Vura re se atij i qeshi fytyra nga një kënaqësi e thellë që ndjeu në shpirt. Por, një herë, edhe u hëngrëm. Dhe djaloshi nuk donte në asnjë mënyrë të tërhiqej. Ishte fjala se cili do të ishte kryeqyteti i përbashkët, pas bashkimit të natyrshëm të Kosovës me Shqipërinë, kur ajo të çlirohej nga zgjedha serbe, Tirana apo Prishtina? Jep e merr dhe djaloshi në të tijën se në të tijën. Dhe kështu e lamë këtë bisedë: pa përfunduar, pa arritur një “kompromis historik”./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm