Nga Uran Kalakulla
Pjesa e nëntëmbëdhjetë
Nazizmi dhe komunizmi
Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.
Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.
Duke qenë efektiv i një reparti ushtarak, natën në gjumë, kishte parë një ëndërr pak të çuditshme, e cila e nxirrte me njolla (nuk di saktësisht se cilin), njërin nga hierarkët e pushtetit të ri. I shqetësuar, këtë ëndërr fatale ia kishte rrëfyer një shokut të vet. Dhe ai ia kishte sosur operativit të repartit. Ja, kështu hyri në burg për herë të parë Aqifi. Në diktaturë edhe ëndrra “antipushtet” formonte krimin e agjitacionit e propagandës! Mitizimi shurdhues i “udhëheqësve të lavdishëm”, nuk pranonte dot çmitizimin deri në ëndërr!
Të tjerët (në dhomën ku më futën dhe mua), i shihja që, duke e nxjerrë nga trasta, diçka i shtonin languriqit të kazanit të burgut: një copë djathë, një lugë gjizë, ndonjë spec turshi, një tas me groshë të gatuara aty e, nganjëherë, edhe ndonjë copë mish pastërma, të bërë në fshat. E mund që racionit anemik të bukës së burgut, t’i shtonin edhe ndonjë copë bukë çerepi të ardhur nga shtëpia. Po Aqifi? Ai ulte kokën tek sahani i vet, duke gjerbur i uritur atë languriqin e pështirë të burgut dhe duke i numëruar kafshatat e bukës së paktë, që të mos soseshin njëherësh, për të shuar urinë e madhe, të vazhdueshme, torturuese, që nuk të ndahej as në ëndërr. Se ja, darka vinte prapë! Po mëngjesi, kur s’mbetej tjetër veçse kapërdimja e pështymës sate?
Unë isha i sapo vajtur në atë mjedis të ri burgu, me plot njerëz përreth. Dhe vija aty nga “dhoma e vdekjes”, me prangat vazhdimisht ndër duar, nga një vetmi e madhe, nga një heshtje e madhe, si heshtje varri e, domosdo, i miqësuar me urinë dhe etjen. Kështu, uria dhe etja, para varrit të hapur nuk kishin intensitetin e vuajtjes torturuese. Por tashmë në burg, në atë dhomë ku rreziku më i madh kishte kaluar, domosdo që uria dhe etja, bashkë me lagështirën dhe të ftohtin, dilnin në plan të parë. Po Aqifi i shkretë, që kishte vite në shoqëri, gati një jetë të tërë, me këto tortura të pandashme të jetës së varfërisë dhe të mjerimit?
Ndaj, provova një dhembje të madhe shpirtërore për të. Por, nga ana tjetër, duke diktuar qartë stoicizmin e tij, atëherë bashkë me dhembjen, m’u përftua njëkohësisht edhe një respekt i madh për këtë njeri me shpirt të fortë dhe karakter të hekurt. Kështu u afrova me të dhe u miqësuam si dy fatkeq që kishim pësuar të njëjtën dramë.
Nga Agifi unë që nuk e kisha përvojën e jetës “kolektive” të burgut, mësova shumë gjëra me vlerë. Në një farë mënyre, ai qe një nga mësuesit e mi të parë në këtë drejtim. Për shembull-prej tij mësova “anatominë morale” të burgut, që ai e quante “Filozofia e trastës”! Ç’ishte kjo filozofi e re, që unë nuk e kisha ndeshur gjëkundi ndër librat që kisha lexuar? Cili ishte autori i parë i kësaj shkolle a sistemi mendimi?
Aqifi, me mençurinë dhe sensin e tij praktik, më solli shpejt në vete, duke më shpënë në hullinë e duhur, konkrete: në burg, mes të tjerash, njeriu u vlerësoka dhe u respektoka edhe nga trasta. Sa më e madhe të jetë trasta, sa më shumë ushqime të kishte ajo, aq më interesant dhe i kërkuar nga të tjerët, qenka pronari i saj. Punë tjetër pastaj, nëse ky pronar ishte bujar apo koprrac. Po të ishte bujar, fitonte pikë. Po të ishte koprrac, humbte pikë. Kështu, në këtë kategorizim a shtresim shoqëror, ndryshe nga feja e hindasve të vjetër apo marksizmi, kjo ndarje në shtresa bazohej tek uria, e cila të gërryente zorrët e të hante të gjallë.
“Trastaxhiu” rrinte i kapardisur në krye të dyshekut të vet të trashë prej leshi, si ndonjë maharaxha indian. Tymoste duhan të dredhur ose, cigaret e shtrenjta në një pip prej fildishi dhe shiste mend, duke derdhur në dhomë një thes me budallallëqe. Ndërsa servilët e tij, lakej të pështirë, adhurues të trastës, zbardhnin dhëmbët, duke buzëqeshur tërë servilizëm, me shpresë se, kur të vinte dreka a darka, do të kishin mbi sahanin e tyre prej alumini apo, në fund të gavetës një copë mish, ndonjë qofte, ndonjë copë djathë nga padroni i tyre.
– “Shifi, – më nxiste Aqifi, – sa të pështirë që duken këta gjysmë-njerëz. Ia kanë shitur shpirtin, jo vetëm shejtanit, por edhe trastës”! Dhe vërtet ashtu ishte! Gjatë ditëve të shumta që kaluam bashkë, Aqifi më tregoi një histori që s’di si ta quaj: për të qeshur apo, për të qarë. Në një nga dhomat e atij burgu, njerëzit ishin ndarë në dy “kampe kundërshtare”. Njëri kamp përbëhej nga anti-enveristët, tjetri nga antimehmetistët. Shkurt: disa thoshin me ngulm; se krimineli më i madh e më sadist, ishte Enver Hoxha. Kundërshtarët e këtyre thoshin se; i tillë ishte Mehmet Shehu. Kështu: Enver-Mehmet, Mehmet-Enver, puna nuk po merrte zgjidhje.
Atëherë ishte çuar Agifi dhe, duke vënë veten në rrezik të hante njëqind shkopinj nga roja e brendshme dhe një muaj a më tepër birucë në çimento, kishte vajtur te dera e dhomës, ku rrinte i izoluar nga të tjerët Bedri Spahiu, kishte hapur sportelin dhe i kishte folur; – “Zoti Bedri, jam Aqif Selimi, a të kujtohem? Kam qenë oficer pak kohë pranë komandës ku ishit edhe ju, në filan kohë, para se të emëroheshit Prokuror i Përgjithshëm”!
Bedriu, që kishte një kujtesë të fortë, e kishte njohur dhe i kishte thënë:
– “Edhe ti në burg, more derëzi, fukarai i fukarenjve”?
– “Eh, ç’t’i bësh, kështu erdhën punët! Idealet e luftës sonë, i mori dreqi”!
– “Ashtu djalë, ashtu! Po pse rrezikove të vish tek unë”?
Atëherë Aqifi ia kishte treguar pse ndodhej aty. Dhe, si e mori vesh si ishte puna, Bedriu, me atë të folurën e vet gjirokastrite, ia kishte kthyer:
– “Çë, mo, çë? Mehmeti, more derëzi, s’është gjë tjetër, veçse një copë xhandar! Gjarpri me shtatë koka, është Enver Hoxha, more të shkretë”!
Nuk di se sa e si ishin bindur palët kundërshtare të asaj dhome grindavece, por unë i bëra një pyetje Aqifit, përmes së cilës, në të vërtetë i tërhiqja vërejtjen.
– “Po pse nuk e pyete Bedriun, meqë ishe që ishe atje, se ai ku e fuste veten, pas Enverit, pas Mehmetit apo, në mes të tyre”?
Aqifi më vështroi me vëmendje, por nuk foli fare. Duket, as s’i kishte shkuar ndër mend një pyetje e tillë, ngaqë Bedriu tashmë, ishte vetë në burg. Por, ndërkohë, unë mendova: “Pse, a mund t’i shuajë a t’i fshijë fare krimet dhe fajet e një xhelati burgu, që fati ia sjell më pas”? Por, pyetja ime mbeti pa përgjigje, megjithëse unë vetë ia kisha dhënë me kohë përgjigjen: një “JO” e madhe, kategorike!
Vrasja e presidentit Kenedi
Ndodhesha në kamp-burgun pranë Lanës, “Reparti 307”, Tiranë. Ishte nëntor. Kishim dalë në punë dhe secili mundohej të bënte normën që kërkohej. Asgjë e pazakontë atë paradite, deri andej nga ora dhjetë. Ishte një ditë e bukur vjeshte, me qiellin blu dhe një diell që ta gëzonte shpirtin edhe në atë farë vendi ku ndodheshim. Kur, papritmas, pamë se diçka sikur ndryshoi.
Kapterët flisnin vesh më vesh dhe në fytyrat e tyre diktohej një hije gëzimi. Çfarë të kishte ndodhur vallë? Ndonjë lajm i mirë? Për ne? Po atëherë pse të dukeshin të gëzuar ata, të cilët të mirën e tyre, e shikonin në të keqen tonë? Pse, do të ishin aq shumë policë aty, sikur të mos mundeshim në të punonim? A do t’i merrnin ata ato rroga që mermin, po të mos kishte të burgosur? Pra, a nuk ishte mirëqenia e tyre, e bazuar në fatkeqësinë tonë?
Askush nga ne nuk nxori një fjalë për gëzimin e tyre, se, kuptohet: gëzimi i tyre, ishte trishtimi ynë! Por shpejt misteri i kësaj pune doli në shesh. Pas pak, duke kaluar mes nesh, përgjegjësi i punës, kapter Meçani, një shkurtabiq, thatiq e lëkurëkuq, sikur të ishte farefis me indianët, ndaloi me një kolegun e vet dhe, duke parë disa prej nesh duke punuar bashkërisht, me një qeshje të ligë, tha me zë të lartë:
– “Hë, hë, hë, ja dhe presidenti amerikan e hëngri qafën e patës, vajti në esfel! Ashtu e pësofshin, ishalla, të gjithë armiqtë tanë, të vegjël e të mëdhenj. Do fati dhe e ndjek pas edhe atë derr Hrushovi”!
Kështu tha kapter Meçani dhe u largua më tutje, te ndonjë grup tjetër pune, për të thënë në po atë mënyrë lajmin kobzi. Unë ndjeva se u mpaka, sikur fuqitë më lanë dhe s’kisha më forcë të bëja asgjë. Kjo u ndodhi edhe të tjerëve të grupit tonë, që mbartnin tulla me karrocë dore, ose me krah për t’i çuar diku ku ngriheshin muret. Ndërkohë, vura re mirë se dhe fytyrat e shokëve të mi, ishin zverdhur dhe kokat ishin ulur.
Ma solli puna që të shkoj në disa anë të objektit të punës. Dhe pashë se ishte po ajo gjendje mpirjeje. Kudo puna sikur kishte reshtur. Një heshtje e thellë mbretëroi për disa kohë, në të gjithë atë objekt ndërtimi. Nuk ndihej më asnjë zë, asnjë rrahje çekani, asnjë gërvimë sharre, asnjë zhurmë karroceje dore. Shokët tanë edhe kur ecnin me këpucë të rënda, nuk dëgjohej fare trokitja e hapave të tyre, a thua se këmbët nuk i takonin në tokë. Madje, te ndonjëri shihje ende shaminë në duar, me të cilën sapo kishte fshirë lotët nga sytë ende të skuqur.
Kapter Meçani, mbasi kishte bërë xhiron e vet të qëllimshme për të shpërndarë lajmin e zi, ishte ndalur mes objektit të punës aty afër kovaçhanës dhe po gajasej bashkë me shokët e tij. Me ta ishte dhe kryetari i zyrës teknike dhe dy brigadierë, ata bij kurvash, të cilët zgërdhiheshin, thua se ai lajm do t’i lironte që atë ditë nga burgu.
Vura re se të dënuarit që lëviznin atypari hidhnin në drejtim të tyre një vështrim të egër, që mezi e fshihnin dhe, po të kishin mundësi, do t’u turreshin atij grupi të mallkuar me hunj, për t’i bërë mut, sidomos ata zagarë, që, ligjërisht, quheshin “shokët tanë”, por që nuk ishin në të vërtetë!
Kjo, siç duket, i zgjoi nga qejfi i tyre kapterët, të cilët nisën të hungërijnë e të çirreshin në të gjitha anët që të vazhdonim punën, se do të na pinte e zeza. Madje, ca nga shokët tanë, që kishin shfaqur më hapur dhembjen, i kishin kapur, u kishin vënë hekurat dhe, si i kishin rrahur mirë e mirë gjithë inat në komandë, i kishin rrasur në birucë për një muaj. Pas pune në kamp, pamë gazetat para se të merrnim bukën dhe mësuam se si kishte qenë puna: Xhon Kenedin, e kishin vrarë në atentat! Po si, pse, kush?
Mos vallë spiunazhi sovjetik? A mund të kishte guxuar ta bënte një gjë të tillë kobzezë? Jo, në asnjë mënyrë, nuk do t’ia mbante! Se, sido që atentate politike të përmasave të tilla, nuk bëheshin më si në kohën e vrasjes në Sarajevë të dukës Ferdinand, trashëgimtarit të fronit të Habzburgëve, i cili qe bërë shkaku fiktiv i fillimit të Luftës së Parë Botërore. Por tashmë kohët kishin ndryshuar dhe Kenedi nuk ishte as Patris Lumumba dhe as Anvar Sadati.
Ai ishte presidenti i Amerikës, superfuqisë më të madhe të botës, që në rastin e Kubës, ia kishte bërë tetë me dy, jo vetëm Kastros, por edhe Hrushovit, duke e detyruar t’i shkuli raketat nga Kuba e, të bëhet me turp në të gjithë botën, pa le në vendin e vet! Kenedi ishte për ne të burgosurit, shpresa e lirisë, ishte ati ynë shpirtëror, ishte zëvendësi i Zotit mbi tokë!
Ne do të liroheshim nga mortaja e kuqe, ashtu si i gjithë vendi e populli ynë, vetëm atëherë kur të vendoste Amerika. Ajo ishte nëna jonë, atdheu ynë i dytë shpirtëror! Të paktën, kështu mendonim, kështu shpresonim! Shumë vjet më vonë, kur tashmë sistemi komunist ishte shembur në vetë bashkimin Sovjetik e, në të gjithë Evropën Lindore, përfshi edhe në Shqipërinë, më takoi rasti të jem në Ambasadën amerikane në Tiranë, në një takim me ambasadorin Rajerson, i pari ambasador amerikan në vendin tonë, pas përmbysjes së diktaturës.
Njëri nga të pranishmit, një djalë i ri (rreth të tridhjetave), që e fliste anglishten si bilbil, në bisedë e sipër, duke qenë vetë ish-i internuar e me baba në burg, e pyeti këtë përfaqësues të Amerikës, drejtpërsëdrejti:
– “Zoti ambasador, desha t’ju bëj një pyetje, nëse më lejoni”.
– “Urdhëro e fol, djalë. Je i lire”.
– “Faleminderit! Pyetja ime është kjo: si e shpjegoni ju që ambasada juaj, u jep vizë ish-komunistëve dhe sigurimsave për të vajtur në Amerikë fare lehtësisht, kurse kategorisë sonë, të ish-të përndjekurve politikë, u nxjerr njëmijë e një pengesa”?
Ambasadori Rajerson s’u përgjigj menjëherë. U gëlltit, pastaj mezi nxori fjalën e tha:
– “Si është e mundur një gjë e tillë?! Unë nuk e di këtë”!
Por djali kokorosh, nuk iu ndau përsëri:
– “Vizat, zoti ambasador, i marrin te zyra juaj konsullore dhe asgjëkundi tjetër”!
– “Ashtu”?! – bëri të paditurin ambasadori. Por, edhe djali iu përgjigj po në atë mënyrë, por me një ton të vendosur:
– “Po, tamam ashtu”!
Ambasadori nuk e zgjati më këtë bisedë dhe fjala mori drejtim tjetër, por fare pak se, ndërkohë që takimi duhej të zgjaste edhe ca, u ndërpre me aq dhe ne dolëm jashtë. Dikush, tek dilnim, i rrahu krahët djalit trimosh, duke i thënë se ia kishte bërë mirë Rajersonit, madje duhej t’i kishte folur më shkoqur, për t’i treguar se sa e sa të burgosur kanë rënë në burg, vetëm se kishin dëgjuar “Zërin e Amerikës” ose se kishin thënë një fjalë të mirë për shtetin e madh demokratik.
Dhe se sa të dënuar ishin torturuar nëpër biruca, qoftë nëpër kampe apo burgje, vetëm e vetëm se kishin lavdëruar Amerikën dhe se kishin shfaqur haptazi adhurimin për të! E sa e sa të tjerë ishin ri dënuar ose ishin pushkatuar! Por, tashmë fjalët pas kuvendit, nuk kishin më vlerë, si kofini pas të vjelave.
Ndeshja me ish-bashkënxënësin tim të gjimnazit
Në Kamp-burgun 307, në kantierin e punës së ndërtimit të një vargu pallatesh buzë Lanës, që ishte atëherë në zonën ku ndodhet sot Gjykata e rrethit apo e Faktit e Tiranës, unë punoja si punëtori thjeshtë, i pakualifikuar, megjithëse, ndaj shumicës së bashkëvuajtësve të mi, isha me një “gomar shkollë”, siç thotë një shprehje e popullit tonë. Dukej qartë se, edhe në burg, s’më ndahej që s’më ndahej “lufta e kllasave”.
Punoja më shumë hamallëqe, në hamallëqe të tilla, si: mbaja tulla prej këtu e, i çoja atje, hiqja dërrasa prej këndej e, i transportoja në krahun tjetër, merrja gurë prej këtij grumbulli e, i vija në atë grumbullin më tutje. Gati-gati të krijohej përshtypja, se kjo punë ishte fare kot, veç për të të munduar; tetë orë rresht pa pushim, sigurisht edhe pa një kokërr leku, së paku simbolikisht.
Por një punë e tillë, vinte edhe nga organizimi i keq, i pa mend. Fundja se mos humbnin gjë “punëdhënësit” tanë. Angari hesapi. Shpërblimi i vetëm nga komanda, ishte racioni i bukës dhe dy garuzhde languriq (demek me mish), në mëngjes e drekë dhe një garuzhdë me çaj në darkë. Sikur edhe të mos punonim fare, ato do të na i jepte komanda, se ndryshe i kthenim shpejt potkonjtë nga dielli.
Me këtë mënyrë “persekutimi”, as të bëhej fare të punoje, sepse nuk ndjeje asnjë lloj kënaqësie, ngaqë puna jote nuk dukej fare, ishte si diçka fare pa vlerë, diçka krejt e kotë. Nuk bëje të paktën një punë që të dukej, fjala vjen: të merrje pjesë në ngritjen e mureve të një pallati, të ndërtimit të një tarrace a ballkoni, të shtrimit të një piste a sheshi betoni, e kështu me radhë.
Nuk di se ç’ndienin të tjerët, shokët e mi të këtyre lloj punëve angari, por unë, të them të drejtën, edhe pse isha i burgosur, e kam ndierë shpesh veten të fyer, nga kjo lloj “mosbegenisjeje” ndaj aftësive të mia edhe për punën fizike. E pra, nuk isha aspak i ngathët, se gjithë jetën kam qenë punëtor i madh dhe i papërtueshëm, në çdo lloj pune që më është paraqitur rasti të bëj.
Pas gjashtë muajsh të një pune të tillë, më në fund iu mbush mendja oficerit (sigurisht me bashkëpunimin e zyrës teknike të të dënuarve), që merrej me organizimin e punës, të më caktonte edhe mua në “brigadën e artizanatit”, brigadë kjo që përfshinte në gjirin e vet, punëtorë të kualifikuar, si: muratorë, karpentiere, hekurkthyes, marangozë, elektricistë, mekanikë, hidraulikë, suvatues, bojaxhinj e, nuk di ç’dreqin tjetër. Mua më caktuan në grupin e parketistëve. Kështu m’u besua punën e shtrimit të dhomave të ndërtesave, me parket. Punë e bukur kjo, e cila më tërhiqte dhe që ia mora dorën shumë shpejt, se për çekiç, sqepar e sharrë, kisha prirje që në fëmijëri.
Dhe e mora kaq me qejf këtë punë, saqë arrita madje të bëj edhe “një racionalizim”, megjithëse e dija fort mirë, që nuk do të jepte kush ndonjë “medalje pune”. Kështu, në një dhomë me 17 m. katror sipërfaqe, me iniciativën time, iu shmanga skemës standarde që na kishin dhënë dhe sajova një skemë të re, që i ngjante asaj të një qilimi persian, me ca rrathë koncentrike që, nga qendra zgjeroheshin anash, drejt bordurave të dhomës. Ishte si një lloj mozaiku prej parketi. Në këtë punë, më ndihmoi dhe një djalë nga Durrësi.
Këtë dhomë e vizituan edhe “kolegët” e mi parketistë, brigadieri, normisti e deri përgjegjësi i madh i zyrës teknike, që ishte zoti i punës atje dhe të tjerë. E pa sigurisht edhe inxhinieri lire, që ishte përgjegjës i atij sektori nga ana e ndërmarrjes shtetërore, e cila drejtonte dhe subvenciononte gjithçka materialisht e me projekte.
Për ata që nuk e dinin, ne të burgosurit ishim krahë pune të leverdishëm, të urdhëruar nga Ministria e Brendshme, për të punuar ku të ishte nevoja, në çdo fushë bonifikimi apo ndërtimi. Kështu ndodheshin edhe në atë kamp-burg. Ministria “jonë”, kishte kontratë me ndërmarrjen nacionale të ndërtimit, me emrin “21 dhjetori”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm