• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, June 29, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Kryetar i trupit gjykues në gjyqin tonë, ishte Ll. Polena, me ca veshë si opingë, prokuror S. Kapllani, kurse antar, R. Nepravishta, një kapadai, që hiqej si intelektual, pasi ai…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

21 Vjet burg komunist
“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
“Të dhënat sekrete shtetëror, Zbulimit Sovjetik, ja jepte me agjenten Valentina Peza dhe këshilltarit të ambasadës sovjetike në Tiranë…”! / Akt-akuza që çoi në plumb, vëllanë e sekretarit të Enver Hoxhës
“Oficeri që më dha ‘Dëftesën e Lirimit’, në kampin e Rinasit, më tha se, gjatë dhjetë viteve të burgut, kisha fitue 1200 lekë dhe kur e pyeta; a mund t’i marr…”? / Dëshmitë e ish-të dënuarit politik, nga SHBA-ja
“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
“Në kampin e Spaçit, kushtet nuk ndryshonin shumë, vepronte rregullorja e Repsit, po ato mizori kriminale, madje më të tmerrshme, po ato ushtarë të armatosur, që thirrjen; ‘ndal se do të qëlloj’, e…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

Nga Uran Kalakulla

Pjesa e katërmbëdhjetë

                                                Nazizmi dhe komunizmi

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.

Gjithashtu mund të lexoni

“Duam të ndërtojmë një aerodrom më në Veri, për të goditur në thellësi të Jugosllavisë, – na thanë drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes me në krye Beqir Ballukun…”/ Dëshmia e rrallë e specialistit të aerodromeve ushtarake

Plot 23 vite më parë, u kthye në atdhe Familja Mbretërore Shqiptare

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                                 Vijon nga numri i kaluar

Ëndrrat në izolimin e mjerë të qelisë, janë si një shpëtim nga ai mjerim, si një përpjekje që dëshpërimi dhe zymtia e shpirtit mos të të mbysin, për t’i ikur, sa të jetë e mundur, qofte edhe me anën e fantazisë, botës së errësirës, sa kohë që e kupton se je ende i gjallë dhe sytë dëshirojnë, ashtu si shpirti, dritën! Ëndrrat janë si një higjienë e shpirtit e, pse jo, edhe e mendjes. Por, ama, nuk duhet tepruar se, nga një e mirë, ato kanë rrezik të kthehen në një të keqe të madhe. Nuk thotë kot populli ynë se mençuria dhe çmenduria, nuk janë fort larg njëra-tjetrës.

Nëna e ime, një grua fort e mençur, tek më shihte mua që rrija përmbys mbi libra, deri në orët pas mesnatës, duke e bërë gjumin haram, thoshte gjithmonë, e shkreta, kur e sillte rasti: “Mendja, bir, është një kokërr gruri”!

Gjyqi

Më në fund, erdhi edhe dita e gjyqit. Të gëzohesha që po mbaronte ajo koha e stërgjatë e birucave të pafund? Dhe nuk ishin pak, por 14 muaj izolim i plotë: 7 muaj në birucat e Durrësit dhe 7 e gjysmë në ato të Koçit, në burgun e vjetër të Tiranës. Po a mund të gëzohet njeriu, se po del para trupit gjykues, për të “dhënë llogari”, a thua se u kishim gjë borxh me të vërtetë gjyqtarëve? Një kërshëri ma pushtoi shpirtin, bashkë me një ndjenjë trishtimi, e mbrujtur kjo edhe me një revoltë të natyrshme. Pastaj një parandjenjë e keqe, ogurzezë. Zemra sikur më thoshte që gjykimi im, nuk do të shkonte vaj, por do të ishte, pa dyshim, një shteg plot ferra çjerrëse, që ta bëjnë trupin gjak.

E pastaj, mbas gjyqit, çfarë vinte? Një e panjohur e madhe, edhe nëse unë nuk do të dënohesha me vdekje, si ma thoshte zemra. Me vdekje? Po përse?! Ç’kisha bërë?! Mos kisha vrarë njeri? Apo kisha hedhur në erë ndonjë objekt të rëndësishëm shtetëror? Me vdekje, vetëm se isha kryetari i një grupi burrash të rinj, apo djemve që nuk donin t’i bënin keq askujt, veçse dëshironin me zjarr lirinë e popullit, lehtësimin në maksimum të vuajtjeve të tij, zhdukjen e padrejtësive, zhdukjen e krimit shtetëror; pse donin demokraci dhe drejtësi shoqërore?

Vërtetë kështu ishte. Ishte një e drejtë që e kishte e gjithë bota e qytetëruar, demokratike. Por, a hanin pykë komunistët në këtë drejtim? Jo, ata ishin shpirti i mohimit i gjithë kësaj; me të gjitha të zezat që vinin pas. Dhe në ishim nën komunizëm, madje atë të variantit stalinist! Dhe e dinim se stalinizmin, e sidomos me variantin edhe më meskin të enverizmit shqiptar, e gjithë logjika dhe ndjenja e drejtësisë njerëzore, nuk pinte ujë. Ata kishin një logjikë të përmbysur mbrapsht. Dhe, sa për ndjenjën njerëzore, ata nuk e dinin fare se ku rrinte me shtëpi.

Nëse nuk do të dënohesha me vdekje, do të më çonin në burg dhe atje do të bashkohesha me shokët e mi si dhe me mijëra të tjerë nëpër kampe e burgje. Të paktën do të kisha shoqëri, se vetmia e vazhdueshme dhe izolimi në birucë, me të gjitha privacionet e theksuara që e pasonin, kishte filluar të më vinte, me gjithë vullnetin tim të fortë dhe qëndresën shpirtërore, në majë të hundës. Dhe atje, në kamp pune a në burg, do të lexoja ndonjë gazetë, do të kisha libra, laps e letër për të shkruar; për t’i shkruar familjes e, për të marrë edhe letra prej saj. Do të kisha rast të takohesha me birin e dashur e të njomë, gruan e shtrenjtë, nënën, vëllanë, motrat e, ndoshta, edhe me kushërinj a shokë, nëse këtyre të fundit do t’ua mbante të vinin të më takonin. Pastaj do të shihja qiell, ndoshta edhe bar, lule e zogj.

E, sidoqoftë, do të ndieja zëra njerëzorë dhe jo britma të çjerra hetuesish histerikë e mizorë, apo ulërima ta hazdisura e sharje të ndyra të kapterëve kafshërorë. Ndoshta edhe ushqimi, do të jetë disi më i mirë, se pata dëgjuar, kur isha ende i lirë, që kushtet e burgjeve dhe kampeve të punës, nuk ishin më ato të së shkuarës. E, ndoshta, edhe mund të shkruaja, sigurisht me marifet e fshehurazi, veprat e mia të ardhshme, që atje, në vetminë e birucës, më profiloheshin në mendje, duke më munduar më shumë se duke më kënaqur shpirtërisht, si ajo fëmija në barkun e nënës që i ka ardhur koha të dalë në jetë, por nuk mundet, duke shkaktuar o vdekjen e nënës, apo të vetë atij, e gjithmonë me vuajtje e dhimbje të mëdha.

E këtë gjë po them, nuk janë aspak fantazia ime, por është një realitet i hidhur, të cilin e kanë jetuar të gjithë ata që e kanë të lindur në shpirt dëshirën për të shkruar, për të nxjerrë diçka të tyren në fushën e dijes, apo të artit. Makar edhe ata që vuajtjet e tyre kërkojnë t’i fiksojnë të përshkruara në letër, si një testament i jetës së ferrit, që u takoi fare padrejtësisht të provojnë. Erdhi edhe 8 gushti, dita e parë e gjyqit tonë. Na kishin rruar e kruar një ditë më parë dhe kishin bërë të mundur që, ashtu, të veshur, të dukeshim diçka. Nuk donin të na shihnin njerëzit jashtë, se si ishim katandisur. Donin gjoja të ruanin imazhin e një trajtimi njerëzor edhe në birucat e hetuesisë, meqë një trajtimi të tillë, i kishte dalë një nam (dhe me të drejtë), shumë i keq.

Na lidhën dhe na hipën në një kamion me mushama dhe me perde mbrapa, që të mos shihnim e të mos na shihnin kalimtarët. Dhe, mes nesh, një dynja me policë shoqërues, të armatosur deri në dhëmbë, sikur ne kishim krahë të fluturonim apo të ishim të fuqishëm e të stërvitur, si Hamit Matjani me shokë. Edhe sikur ata të na lëshonin fare, ne s’ishim në gjendje, me siguri, as të bënim njëqind hapa, se do të plaseshim në rrugë, nga sfilitja. Përveç policëve, na shoqëronte edhe një kolonel Sigurimi. Kjo donte të thoshte, sipas mendjes sime, se grupi ynë ishte i rëndësishëm dhe se ne anëtarët e tij, nuk e kishim hiç punën mirë. Po unë si kryetari i tij?

Gjyqi do të zhvillohej në ndërtesën e Gjykatës së Rrethit të Tiranës, që atëherë ishte te “Rruga e Durrësit”, aty ku sot gëlojnë si miza një mori noterësh. Na ngjitën në katin e katërt, te salla numër gjashtë e, na ulën në dy banka të akuzuarish. Kur pashë numrin 6, nuk di pse m’u kujtua novela tronditëse e Çehovit, për të cilën kam folur më parë. Salla ishte plot me njerëz, por ata që kishin ardhur për të asistuar në gjykimin tonë, nuk ishin as familjarët tanë, as miq dashamirës, as shokë. Ishin të gjithë me ftesë dhe të gjithë ose agjentë e bashkëpunëtorë të Sigurimit, ose anëtarë të devotshëm e fanatike partie.

Duke hedhur sytë për rreth, vura re disa fytyra të përçudnuara që nuk i njihja fare. Vura re se ata na shihnin vërtet me sy kuriozë, por gjithë mllef, mëri dhe sarkazëm, me buzëqeshjet e tyre të këqija. Mua më dukeshin si një lukuni ujqish, që, po t’i lëshonin kundër nesh, do të turreshin për të na sharë, ashtu siç e kishin dëshirën dhe siç kishin bërtitur pothuaj në të gjitha gjyqet e mëparshme të “armiqve të popullit”; që nga viti 1945 e këtej, pa u ngopur asnjëherë me gjak njerëzor. Ishin fytyra të tilla që, po t’i pyeste gjyqtari për masën e dënimit tonë, do të thërrisnin në kor, me gjithë hovin e shpirtit të tyre të zi: “Me vdeeekjeee, në litaaar”!

Pa hyrë ende trupi gjykues në sallë, na u afruan ca individë, edhe këta të panjohur. Nja tre-katër prej tyre na thanë se ishin avokatët tanë. Në atë kohë, avokatia gjoja funksiononte, s’ishte shfuqizuar fare, siç ndodhi më vonë. Vetëm unë mbeta pa avokat. Në fakt, unë kisha kërkuar, meqë m’u imponua një gjë e tillë, avokat Dilon, jo sepse kisha dëgjuar për të, se kishte pikëpamje social-demokrate edhe ai (po si kishte mbetur atëherë, pa u arrestuar?!), por sepse (gjithnjë me të dëgjuar), kisha mësuar se, ndër gjithë të tjerët, ishte treguar disi më i guximshëm, sigurisht në gjyqe ordinerë e, ndoshta në ndonjë gjyq të thjeshtë politik, si agjitacion apo tentativë arratisjeje, të ndonjë çunaku të thjeshtë. Por, sigurisht, edhe këtu me një “moderacion” të theksuar. Se nuk bëhej shaka me gjyqet, që ishin vetëm një lloj loje skenike e Sigurimit e, asgjë tjetër.

Më thanë se avokat Diloja nuk kishte pranuar. Afër mendsh: si do të pranonte? Këtë e dija edhe unë që më parë, prandaj kisha ngulur këmbë për të. Kështu do të kisha mundësi të mbrohesha vetë, siç e kisha patur qëllimin. Por, edhe këtu, nuk më eci, se, më në fund, m’u afrua një burrë afër pleqërisë dhe, gjithë frikë e me zë të mekur, m’u prezantua si avokati im, sigurisht, pasi e pashë që më parë, vajti e i mori leje kolonelit, që na kishte shoqëruar për në gjyq.

– “Jam avokati juaj”, – tha me zë të dridhur.

– “Kush jeni ju, si ju quajnë, zoti avokat”? – e pyeta.

– “Quhem Dhimitër Popa, nga Durrësi…”!

– “Të më falni, zoti avokat, po unë s’ju kam kërkuar juve, por dikë tjetër”. – “E di, por ai s’mund të vinte, se ishte i zënë”.

– “Faleminderit për shërbimin që më ofroni, por unë kam vendosur të mbrohem vetë”.

Avokati mbeti keq, si i turpëruar. Mos vallë e kishte hallin që i shpëtonte në këtë mënyrë shpërblimi në të holla, nga familja ime? Apo (të mos i hyj në hak), nga një ndjenjë njerëzore për mua, kur më pa djalë të ri dhe ishte njohur me gjithë atë derr akuze, që më bëhej? Pas pak, avokati m’u afrua edhe më afër, gati te veshi, që të mos e dëgjonin as policët që i kishim nga të gjitha anët (në bankën e të akuzuarit, mes nesh) dhe më tha:

– “Mua më ka caktuar Zarifi, se jemi edhe miq. E po ai më ka paguar”.

Zarifi ishte burri i motrës së madhe, prej babe. Ai me kishte dashur fort dhe më kishte respektuar gjithmonë, ashtu si dhe unë atë. As ai nuk e kishte hiç mirë me “pushtetin popullor”, si pronar tokash që kishte qenë dikur në Myzeqe, demek një lloj beu. Nga hatri i madh i Zarifit, e pranova këtë avokat, por fill pas kësaj e pyeta:

– “A e keni parë, zoti avokat, akt-akuzën, veçanërisht pjesën që më përket mua”?

– “Po, e kam parë”.

– “Dëgjoni këtu! Mos u lodhni kot të më mbroni, për çka përmban neni 73, paragrafi i parë i të cilit, flet për agjitacion e propagandë. Çështja e grupit ka dalë në hetuesi dhe unë i kam nënshkruar proces-verbalet. Lufta që duhet të bëjmë, është për dy nenet e tjerë, 76-ën dhe sidomos 64-ën. Ky i fundit, flet për tradhti ndaj Atdheut dhe ne akuzohemi se kemi bërë përpjekje, apo biseda për t’u lidhur gjoja me agjenturat e jashtme. Kuptoni tashti? Ja se ku duhet të synoni ju dhe unë. Të shpëtohet ajo që mund të shpëtohet, se dihet që pa lagur, ne nuk mund të dalim kurrë. Puna është që të mos mbytemi fare”.

– “Po xhanëm, po, – m’u kthye avokati i gjorë dhe shumë i trembur, – por ju nuk e dini se ‘këta’ nenin 64, e kanë si kripa me piperin, që e hedhin kudo”.

Kaq tha avokati dhe u largua prej meje, për të mos m’u afruar më kurrë! Atëherë i thirra mendjes:

– “Ose unë jam shushatur fare e, s’po marr vesh ç’bëhet, ose është shushatur ky plak i gjorë nga frika e, s’di se ç’thotë?! Dhe, që në atë çast, vendosa të mbrohem kryesisht vetë dhe vetëm vetë. Zatën, gjatë gjithë gjyqit, avokati im, por edhe ata të të tjerëve, vetëm njëherë folën, para dhënies së pretencës, ditën e katërt të gjyqit. Avokati im i shkretë, lexoi vetëm një faqe fletoreje shkolle me shkrim dore dhe as nuk mora vesh se ç’tha. Mbaj mend vetëm se e përfundoi fjalën, duke thënë se ishte penduar thellë e se kërkonte mëshirë, meqë kishte një nënë plakë, një grua të re, një fëmijë të vogël për të rritur dhe vetë ishte i ri. Hajde kasolle, ku na mblodhe!

Më në fund, hyri në sallë edhe trupi gjykues. Të ftuarit e policët u ngritën më këmbë. Na detyruan edhe ne të ngriheshim, domethënë të nderonim tamam ata, që do të na dënonin!! Personalisht, mua s’më erdhi hiç mirë, nuk di për të tjerët e grupit. Besoj, se edhe ata do të kenë menduar si unë. Se për një taksirat të përbashkët, ishim aty. Por, më shumë se inati, hyri në mes kërshëria. Kush ishin ata që përbënin këtë trup gjykues? Prokurorin e kisha njohur që gjatë hetuesisë dhe kisha pasur me të mjaft debate, madje edhe teorike për teorinë marksiste, në të cilën e zura mat disa herë. Dhe ai u çudit shumë, që unë e njihja marksizëm-leninizmin e tyre, me histori e me vepra.

Gati-gati, atij prokurori ushtarak, me gradën major e që e quanin Sami Kapllani (nga Mallakastra me origjinë), do t’i ketë ardhur keq, që unë, në vend që të isha ndonjë sekretar i shquar partie, ndodhesha në birucë, si i pandehur për veprimtari anti-revolucionare, ngaqë (si të gjithë shokët e llojit të vet), pandehte se, në gjithë botën, revolucionarë të vërtetë e humanitarë për vegjëlinë, ishin vetëm ata, pra komunistët dhe se nuk ishte e mundur të ishe tamam, me popullin fukara e me popullin në përgjithësi, pa qenë marksist-leninist!

Nuk mbaj mend se kush u ngrit dhe përmendi emrat e atyre tre vetave që përbënin trupin gjykues dhe të prokurorit, madje edhe të sekretares: një vajzë e re, shumë simpatike, brune, me fustan të kuq. E shkreta vajzë, tek na shihte ne ashtu rresht, të gjithë të rinj, para se të fillonte gjyqi dhe duke ditur se ç’na priste, e shfaqte hapur keqardhjen në fytyrë e në gjeste; pa u bërë merak për sigurimsat, që mbushnin sallën. Ndoshta, mund të ishte edhe ndonjë bijë a motër e tyre, por nuk e kishte shpirtin e zi, si ata. Ne po na gjykonte Gjykata Ushtarake e Tiranës. Po pse gjyq ushtarak, kur ne ishim që të gjithë civilë? Por, sepse ashtu ishte atëherë. “Armiqtë e popullit”, duhet të dënoheshin nga gjyqi ushtarak, pra, më me rreptësi. Vonë-vonë, e hoqën komunistët këtë rregull.

Kryetar i atij trupi gjykues, ishte Llazi Polena, një plak i dobët, me fytyrë të fishkur si fik i tharë, me një ball të madh që donte t’i paraprinte qeros lekut; ca veshë të mëdhenj, si opinga; një qafë të hollë e të skuqur, si gjel deti; me një palë sy pa ngjyrë, si të ishin prej akulli, të ftohtë në shikimin e tyre cinik dhe pa asnjë dritëz njerëzore. Nuk di si ta them më saktë! Ai njeri s’më pëlqeu që në fillim, se m’u duk i ftohtë si kufomë, ogurzi si qefini dhe gjithë pamja e tij, i ngjante një të vdekuri, të mbajtur me zor në karrige. Kishte diçka makabër qenia e tij: diçka që sapo kishte ardhur nga bota e përtej varrit. Bëj be, se, po t’i afrohesha, me siguri do të binte era myk, si të vdekurve, të sapo-kallur në varr.

Anëtari tjetër i atij farë trupi gjykues, ishte nënkolonel Reshat Nepravishta. Ky nuk ishte i keq në të parë: një gjatalosh disi korrozi, tamam siç janë përgjithësisht myzeqarët. Uniforma nuk i rrinte keq, por se ç’kishte një qëndrim mes kapadaillëkut dhe arrogancës dhe një buzëqeshje ironike, që e bënte të dukej jo vetëm i palezetshëm në të parë, por mjaft të neveritshëm, si hienë. Dhe tek na shihte ose, kur ndërhynte ndonjëherë në debat, donte të dukej se çoç ishte, gjoja një lloj intelektuali. Vite më vonë, kur mora vesh se ishte edhe shkrimtar, nuk di pse ndjeva një si të përzier në stomak. Thashë me vete: hëm “inxhinier i shpirtrave”, siç i kishte quajtur Stalini shkrimtarët e tij (pra që ndërtojnë shpirtra), hem gjykatës ushtarak, që ka për detyrë të vrasë shpirtra. Hajde, merre vesh këtë punë pastaj?!

Tjetri ishte një kapiten i parë. Se me emër, se me mbiemër Mexhiti, nuk e mora vesh mirë. Dhe as se nga ishte. Këtij kapiteni as ia dëgjova zërin, se ai nuk foli asnjëherë, për katër ditë rresht të gjyqit tonë. Se ç’donte në atë mes ai njeri, nuk e mora vesh. Apo, sa për të plotësuar numrin! Këtë e besova. Më duket ishte i zgjedhur “gjyqtar” apo “ndihmësgjyqtar popullor”. Ishte një burrë ca i ri, me trup të ngjeshur, me fytyrë të mbushur e të kuqe dhe me një cullufe të kuqe, që i binte vazhdimisht mbi ballë. Sigurisht, ai duhej t’ia thoshte mirë gotës së rakisë. Ai nuk foli, po vetëm vështronte dhe buzëqeshte. Nuk e di mirë: për gafat e kryetarit, që e zinim ndonjëherë mat apo, për lezetin që ndiente se ishte i pranishëm në dënimin e shtatë “armiqve të popullit”? Si mbaroi dhe ceremonia e pranimit e, ca të tjera edhe më të kota, më në fund iu dha fjala prokurorit, i cili lexoi akt-akuzën.

E çfarë nuk thuhej në atë të ashtuquajtur akt-akuzë: situata e favorshme ndërkombëtare për revolucionin socialist, gati në shkallë botërore (sikur donte të shpjegonte teorinë trockiste të “revolucionit permanent”), se imperializmit amerikan po i vinte fundi, se ishin vendet e bllokut të tretë (me Indinë në krye), që do të udhëhiqnin tanimë botën (jo Amerika), se, si imperializmi, ashtu edhe revizionizmi hrushovian, ishin aleatë mes tyre, por s’ua mbante t’i bënin gjë Shqipërisë së Enver Hoxhës, se e dinin dhe thyenin kokën, pra, që të dy, edhe pak e do të jepnin shpirt, se situata brenda vendit, ishte e shkëlqyer, se uniteti parti-popull, ishte në kulmin e vet, se armiqtë e brendshëm, ia marrin të keqen partisë e pushtetit popullor e, plot nga këto shprehje enveriste.

Dhe më në fund hyri te puna jonë, duke thënë se: ishim agjentë, armiq, tradhtarë të Atdheut, mbeturina borgjeze e kapitaliste në shoqërinë e lumtur socialiste, se ishim për t’i vënë kazmën vendit e fitoreve të mëdha të popullit e, kësi dënglash të tjera. E, pas kësaj, nisi të na akuzonte një e nga një. Duke filluar nga unë e, deri te Kahremani, na e bëri biografinë tonë të zezë, duke na quajtur; “armiq të egër e të rrezikshëm, atentatorë të demokracisë popullore” e, me radhë e pa kursim; aq shumë akuza, sa unë i pari nisa të mos e njoh më veten (sigurisht, edhe të tjerët).

Por e gjithë kjo fantazmagori u lexua shpejt, shyqyr edhe kaq, sa, nganjëherë, s’kuptohej fare. Ose prokurori s’dinte të lexonte çfarë kishte shkruar, ose ia kishin shkruar të tjerët dhe ai s’kishte pasur kohë ta lexonte, një a dy herë më parë! “Hajde, prokuror, hajde, për kokën tënde”! Jeta tregoi se përshtypja ime e parë dhe e fundit për të, nuk më kishte gabuar, ngaqë vite më vonë mësova se, bash ky prokuror, kishte rënë vetë në burg: si ordiner, si përvetësues i pasurisë socialiste, domethënë, si hajdut! Hajde, prokuror, hajde! Të keqen e kokës dhe të moralit tënd socialist apo marksist – leninist – enverist”!

Të parin ngritën Zeqirin të fliste. Ndoshta, edhe pse kishte qenë ky i arrestuari i parë ndër gjithë ne të tjerët. Dhe, pavarësisht se e katranosi pas dënimit, në gjyq ai foli mirë: me shkathtësi dhe nuk rëndoi asnjë nga ne të tjerët. Nuk e mbaj mend mirë se, i sati fola unë. Dikush thotë se kam folur mirë, se kam folur rreth katër orë, domethënë dialogu im me trupin gjykues, paska zgjatur aq. Unë e dija fare mirë, se gjithë të keqen e kisha nga kryetar Llazi, se ai kishte marrë përsipër, në rastin tim, rolin e prokurorit, në vend të kryetarit, i cili, teorikisht duhet të mbajë ekuilibrin mes akuzës; pra prokurorit që përfaqëson të dëmtuarin, e në rastin tonë shtetin, dhe të akuzuarit, “dëmtuesit”, fajtorit, që isha unë e shokët e mi.

Mbaj mend mirë që apologjia ime ishte kryesisht për të rrëzuar, si kam thënë edhe më parë, akuzën mbi dy nenet e rrezikshme, 64 dhe 76. Por, sado që të flisja e të mbrohesha me logjikë e me argumente, në gjyqet komuniste ishte e kotë. Ata s’hanin pykë fare. Vendimet ishin marrë gjetiu dhe Llazi me shokët e vet, vetëm sa ishin një lloj tellalli i thjeshtë, si kam thënë edhe diku më parë në këto faqe. Por e keqja e atij farë kryetari fishkaraq e shpirt-mut, nuk ishte aq te kompetenca e tij, sesa te kënaqësia për të më dënuar, e cila dukej sheshit.

Me sa di unë nga procedura penale e gjyqësore, është prokurori ai që kërkon i pari masën më të lartë të dënimit. Trupi gjykues (dhe prandaj quhet i tillë, se ka detyrë të gjykojë, pra të peshojë), ose e lë kërkesën e prokurorit në vend, ose e zbret atë, shumë ose pak. Por Llazka me shokët e vet, për rastin tim veçanërisht, bënë të kundërtën: për mua prokurori kërkoi dënimin me 25 vjet burg, kurse Llazi e ngriti atë me vdekje, me pushkatim! Mos duhej ta falënderoja këtë kufomë gjyqësore, që gjene u tregua “i matur” dhe nuk vendosi për mua me varje? Ishte e qartë: unë do të dënohesha me rëndë se të gjithë! Memorie.al

                                                                 Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Plot 23 vite më parë, u kthye në atdhe Familja Mbretërore Shqiptare

Next Post

“Duam të ndërtojmë një aerodrom më në Veri, për të goditur në thellësi të Jugosllavisë, - na thanë drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes me në krye Beqir Ballukun...”/ Dëshmia e rrallë e specialistit të aerodromeve ushtarake

Artikuj të ngjashëm

“Duam të ndërtojmë një aerodrom më në Veri, për të goditur në thellësi të Jugosllavisë, – na thanë drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes me në krye Beqir Ballukun…”/ Dëshmia e rrallë e specialistit të aerodromeve ushtarake
Dossier

“Duam të ndërtojmë një aerodrom më në Veri, për të goditur në thellësi të Jugosllavisë, – na thanë drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes me në krye Beqir Ballukun…”/ Dëshmia e rrallë e specialistit të aerodromeve ushtarake

June 28, 2025
Plot 23 vite më parë, u kthye në atdhe Familja Mbretërore Shqiptare
Dossier

Plot 23 vite më parë, u kthye në atdhe Familja Mbretërore Shqiptare

June 28, 2025
“Kur Pal Zefi, tha; ‘a ka mbet ndonjë shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit’, Pavllo Popa dhe Paulin Vata…”/ Refleksionet e gazetarit, në përvjetorin e Revoltës së Spaçit
Dossier

“Pasi Hajri Pashai, debatoi ashpër me zv.ministrin e Brendshëm, Feçor Shehu, në fund, Feçori hoqi nga lista Gjet Kadelin dhe në vënd të tij, për pushkatim, futi Hajriun…”! / Ana e panjohur e Revoltës së Spaçit, maj ‘73

June 27, 2025
“Kurrë në jetën time nuk jam dëshpëruar aq, sa kur e pashë këtë përfaqësonjës të Shqipërisë së Re, kollonelin tuaj, i cili…”!/  Letrat e Nolit për Enverin, pas takimit me Tuk Jakovën në New York, më ’46-ën
Dossier

“Kurrë në jetën time nuk jam dëshpëruar aq, sa kur e pashë këtë përfaqësonjës të Shqipërisë së Re, kollonelin tuaj, i cili…”!/ Letrat e Nolit për Enverin, pas takimit me Tuk Jakovën në New York, më ’46-ën

June 27, 2025
“Pas reagimit të shkrimtarit, komisari Shahin Skura na u hakërrye: ‘Ç’a me i ba Partisë dhe shokut Enver, pa ta tregoj unë të drejtën universale! Ju ballistët, s’meritoni asnjë të drejtë, pasi….”! Dëshmia e ish-të burgosurit të Spaçit
Dossier

“Vaskë Panariti nga Korça, një djalë simpatik, ndryshe nga hetuesit e tjerë, jo vetëm që u soll shumë mirë me mua, por njëherë më çuditi, kur më tha se…”! / Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

June 27, 2025
“Kur Koli Rrodhe vdiq në burgun e Burrelit në 1947-ën, gazeta ‘Dielli’ e Shoqërisë ‘Vatra’ në SHBA-ës, shkroi se…”/ Historia e trishtë e patriotit të shquar korçar, ish-deputet i Parlamentit të parë, në 1921-in
Dossier

“John Nasse dhe gangsterët e tij, të Komitetit “Shqipëria e Lirë”, kanë bashkëpunim me reaksionarët dhe me fashistët, për përmbysjen e regjimit t’uaj demokratik…”/ Letrat e Nolit për Enverin

June 27, 2025
Next Post
“Duam të ndërtojmë një aerodrom më në Veri, për të goditur në thellësi të Jugosllavisë, – na thanë drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes me në krye Beqir Ballukun…”/ Dëshmia e rrallë e specialistit të aerodromeve ushtarake

“Duam të ndërtojmë një aerodrom më në Veri, për të goditur në thellësi të Jugosllavisë, - na thanë drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes me në krye Beqir Ballukun...”/ Dëshmia e rrallë e specialistit të aerodromeve ushtarake

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme