• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Wednesday, June 25, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Gjatë 22 vite në burgje, kam parë tmerre me vetëvrasje, po si dibranin Maliq Skuka në kampin e Rubikut, që u mbulua me batanije e, me thonj nxori sytë e tij…”! / Tmerret e diktaturës së Enver Hoxhës

“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
“Ndërsa, nëndrejtori i Sigurimit, Kadri Ismailati, më bënte presion, hyri brenda hetuesi, Nasho Gjinopulli, i cili dëgjonte ato që i thoshte ‘miu birucës’, Gjergji…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit nga Gjermania
“Gjyqi i Bashkim Shehut me gruan e tij, Marjetën u zhvillua në një nga zyrat e burgut dhe kur u lexua kërkesa e saj, për divorcin, Bashkimi tha…”/ Dëshmia e rrallë e Operativit të burgut të Burrelit
“Nga ‘Historia e Sigurimit të Shtetit’, e botuar në vitin 1974, nxirren mjaft të dhëna rreth diktaturës, si… “/ Ana e panjohur e krimeve të regjimit komunist, shqiptaro-jugosllav
“Shoku Enver, ja po e lexoj unë platformën e Sigurimit që Kadriu u’a dha sovjetikëve, me emrat e agjenturës….”/ Diskutimi i Hekuran Isait në mbledhjen e Byrosë, shtator ‘82
“Ishte toger i Sigurimit në Durrës, e dërguan me mision sekret në Greqi dhe s’u kthye më, në ’66-ën na thanë se…”/ Dëshmia e vëllait dhe e “kolegëve” të tij

Nga Uran Kalakulla

Pjesa e dhjetë

                                                              Nazizmi dhe komunizmi

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.

Gjithashtu mund të lexoni

“Në Zejmen, ku na dërguan pas revoltës, na torturuan barbarisht. Pasi na bënë nga një kryq në kokë, me makinën e qethjes, polici Anton L., më futi këpucën në gojë, e më tha…”! / Dëshmia e të dënuarit të Qafë-Barit

“Ministria e Brendshme, kishte të dhëna se në kampin e Qafë-Barit, po përgatitej një arratisje masive dhe ajo e inskenoj vetë ngjarjen e 22 majit ’84, pasi…”/ Refleksionet e ish-protagonistëve kryesorë të revoltës

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                             Vijon nga numri i kaluar      

Kur qëllonte të më thirrte ditën, shpesh herë më mbante jo gjatë. Ai rrinte më këmbë pranë dritares (që binte nga rruga) dhe, me shpinë nga unë, më kërkonte të tregoja apo të pranoja, ato që donte ai. Dhe, kur unë, heshtja ose refuzoja, ai, si me të butë, më thoshte:

– “Mirë, si të duash, mos fol, por për të zezën tënde e ke. Do të të pushkatojmë pa gjyq. Sa kemi dhjerë ne si ty! Aq na bën. Një armik më pak, një fitore më shumë për ndërtimin e socializmit. Kur vdisni ju armiqtë, i trashet qafa shokut Enver dhe i shtohet ymri. Ti nuk flet e, mua s’më prishet puna fare. Unë rrogën dhe shpërblimin e marr. Ti vete e mbyllesh atje në birucë, kurse unë dal e ia shtroj me birrë të ftohtë e me meze, sa kënaqem fare”.

Në këto e sipër, siç duket, ia zuri syri ndonjë femër të re që kalonte atje poshtë nën dritare dhe, atëherë ai ndizej nga epshi dhe shfrynte si një bishë e vërtetë, vetëm me pamje njerëzore:

– “Eh, ta marrsha, dash, o dash! Në të zënça unë, të të fus në dorë, as nami nuk të mbetet! Do të të xhavalis si ujk, ah, dash, o dash i majmë”! Dhe, duke thënë kështu, nga një anë i binin jargë nga goja dhe nga ana tjetër fuste dorën në xhep, për të ndrydhur organin e tij seksual, që sigurisht do të ishte si vetë fytyra e tij, si një kallam qymyri. Pandehte, ndoshta, se kjo yshtje a shfrim i ndjenjave seksuale, do të më eksitonte edhe mua. Por unë ndieja atë neveri, që ndien çdo njeri kur sheh se si shprehet afshi seksual, në një mënyrë aq të ndyrë dhe të egër, tamam si një bishë.

Muaji gusht solli me vete ditë shumë më të nxehta, që në Shkodër i quajnë aq bukur “djegaguri”, pra ku vapa afrikane, tropikale, merr dhe qytetarinë shqiptare. Në një kohë të tillë njerëzit, që kanë mundësi, braktisin qytetet dhe u turren detit, ose maleve të larta. Dhomat e vogla, si kuvli, të apartamenteve standarde socialiste të Enver Hoxhës, të merrnin frymën. Po birucat e ne fatkeqëve, që ishin diçka më të mëdha se një arkivol? Tarraca prej betoni, jo fort e trashë, me një shtresë zifti sipër, kthehej në një saç.

Dhe ne brenda, ngushtuar si sardelet në kuti, si mund ta ndienim, vallë, veten? Besoj se lexuesi im mundet fare mirë ta marrë me mend, pa patur nevojë për ndonjë imagjinatë të madhe. Aq më shumë kur policët nuk të linin në asnjë mënyrë të rrije, së paku, me kanotjere, pale lakuriq apo, vetëm me pantallona. Një zhveshje të tillë, nuk e lejonte “etika” e burgut! Policët mund ta shkelnin këtë “etike”, vetëm kur të rrasnin në birucë ndëshkuese dimrit, kur ishte acar, sidomos nëpër kamp-burgjet e punës së detyruar apo, në burgun e Burrelit.

Shtoi, pastaj, kësaj mbrapshtie edhe mungesën e plotë të ujit për 48 orë rresht, besoj jo të qëllimshme, meqë Durrësi, edhe pse qytet bregdetar, mungesën për këtë element parësor për jetën, e ka patur që atëherë, siç vazhdon, fatkeqësisht, ta ketë ende; një fatkeqësi e pashmangshme, jo aq nga Perëndia, por nga çdo qeveri që ka sunduar në këtë vendin tonë të shkretë, që kur Shqipëria u bë shtet apo, më mirë, që kur u mbyllën puset dhe u zëvendësuan me çezmat paralitike shqiptare.

Në burg, unë e kam provuar, si shumë të tjerë, grevën e urisë. Por, nuk kishte gjë më të mundimshme sesa mungesa e ujit e, jo e bukës. Atëherë kam kuptuar mirëfilli, se ç’duhet të kenë vuajtur shtegtarët e shkretë nëpër shkretëtira pa ujë, siç i kam parë në filmat me subjekte ekzotike, artistikë qofshin këta, filma apo dokumentarë. Atëherë jam bindur vërtet, se trupi ynë, në përqindjen e tij më të madhe, përbëhet nga uji.

Natyrisht, pa ujë nuk kapërdihet as kafshata e bukës, se ajo të mbetet në fyt. Pa ujë të thahet goja e gryka. Pështyma gati t’i ngjit nofullat, bëhet diçka si tutkall. Frymëmarrja të rëndohet, nuk të bëhet as nevoja. Fryma nis të të qelbet, djersa e nxitur nga vapa shteron me vrull; po ashtu edhe rezervat e ujit në indet e në gjak. Ajo ta djeg lëkurën si të ishte acid. Trupi mpihet, errësohet shikimi. Nuk di se si mundet të qëndrojë njeriu gjatë, në një hall të tillë. Uria të lodh ngadalë, të shkrin fare. Dhe vdes ngadalë: çdo ditë nga pak. Vdekja vjen si një përhumbje, diçka si një gjumë i paftuar, tashmë i përjetshëm. Kurse etja, më parë se të të marrë krejtësisht frymën, jetën, të shkundullon më egërsisht dhe, kur bashkohet me urinë, atëherë ajo bëhet xhelati kryesor.

Në një nga ato ditë përvëluese, më thirrën në hetuesi. Gjeta aty “Gorillën”, tashmë të njohur, por ai ishte strukur në një qoshe dhe rrinte i mrrudhur, sikur ta kishte rrahur njeri. Në tavolinën e tij, kishte zënë vend një gjatalosh, me flokë të thinjur, të prera shkurt, me një fytyrë të gjatë (siç ishte edhe me trup), jo fort i bëshëm, por disi hollak, me ca sy të bardhë, që kishin një vështrim sa të egër, aq edhe zhbirues, që po rrinte rëndë-rëndë. Nuk e dija fare se kush ishte. Sigurisht që duhej të ishte ndonjë nga ata graduatët e lartë të ushtrisë së spiunëve dhe xhelatëve. Nga ata që bënin ligjin, që ndanin jetën me vuajtje të gjata nga vdekja e shpejtë, pra, burgimin e gjatë nga pushkatimi.

– “E mo, si je, si ia shpie”?

– “Jam si më sheh dhe ia shpie si mos më keq. Më merret fryma dhe mezi flas, se kam 48 orë dhe pa ujë”.

– “Pa ujë! Pse”?!

– “Atë nuk e di unë”!

– “E, po edhe unë që jam në plazh me pushime, ndjej të nxehtë. Kështu e ka behari”.

– “Ky nuk është behar, por është saç. Dhe lutem mos më bëni të flas se më ngjitet pështyma në gojë”.

– “Shko sill një gotë ujë”! – urdhëroi “Gorillën”.

Ai u çua vrik dhe, pas pak, më pruri një gotë me ujë të ftohtë. Sikur më fali një mrekulli. M’u duk se trupi nga brenda nisi të ziejë a të gurgullojë, si të ishte prush, që fiket me ujë. Doja edhe një a, mbase, ca gota të tjera, por e mbajta veten, se më erdhi turp.

“E, je më mirë tashti”?

– “Si urdhëron”!

– “E shikon, Partia e ka zemrën e madhe. Hapja zemrën Partisë, se ajo ta lehtëson vuajtjen”.

Unë heshta.

– “Të ka rrahur njeri”?

– “Më ka rrahur ky”! – dhe bëra me gisht nga “Gorilla”.

– “Mos e prek më me dorë, dëgjon”! – iu kthye kalecit të vogël, kaleci i madh, me ton urdhërues e, duke e shikuar vëngër. Sigurisht, unë e kuptova se e gjitha kjo ishte një lojë aktoriale, por më duhej të shtiresha se po e haja tekun.

“Gorilla” tha: – “Si urdhëron”! – dhe uli kokën. Dhe, për çudi, që atë ditë, s’ia pashë më atë fytyrën e tij të neveritshme. Pastaj, kryekaleci nisi të më pyeste për ca shokë të mi të afërt, që as bënin pjesë në grup dhe as që dinin gjë fare për atë punë. Madje, ai nisi nga im vëlla dhe vazhdoi me Sherif Delvinën, Mërkur Babameton, Petrit Bidoshin e plot të tjerë.

E kuptova ku e kishte hallin. Kërkonte të zgjeronte grupin sa më shumë, pra, ta frynte dhe, kështu, të krijonte sa më shumë sensacion në popull, për të marrë sa më shumë lavdërime nga zotërit e tij apo, nga kryezoti i vet, Enver Hoxha. Por, për fat të keq të tij, kjo nuk i eci tek unë. Refuzova kategorikisht të them gjysmë fjalë, në dem të tyre. Së pari, ashtu ishte e vërteta dhe, së dyti, edhe shpirtin po të më merrnin, nuk do të thosha asnjë fjalë. I kisha vënë vetes një detyrë të tillë dhe kaq. Nuk e di: nga trimëria, nga fisnikëria apo nga frika. Por, edhe mua nuk më leverdiste aspak, një punë e tillë.

E vërteta është se edhe ai nuk nguli fort këmbë në këtë drejtim. Nuk di pse. Papritur i la emrat e tjerë dhe u përqendrua te një emër i vetëm, tek ish shoku im i vjetër që nga koha e gjimnazit, te Fatmir Berati.

– “Po atë miun e halesë, atë Fatmir Beratin, pse nuk e fute në grup”? – m’u drejtua me mllef të dukshëm ky krye-hetues.

– “E para e punës zotëri, ka shumë kohë që nuk jam parë me Fatmirin. Nuk e mohoj se e kam pasur shok, por politikisht nuk kam biseduar asnjëherë me të. Për një arsye të vetme: tek ai kam parë njeriun me apolitik, që kam njohur ndonjëherë”.

– “Ashtu”?!

– “Po! Ai është vetëm një arsimtar i zellshëm, i pasionuar pas matematikës dhe, gjithë kohën, vetëm për mësimin në shkollë më ka folur; për llojet e ushtrimeve algjebrike, të cilat unë as i merrja vesh e, as doja t’ia dija fare për to”.

– “More, lëri përrallat! Më thuaj paksa, makar sa të zitë e thoit, për atë mi dhe do të shohësh sa leverdi do të kesh. Për të të liruar nuk të liroj, nuk të gënjej, se nuk i ndyj më duart, por të betohem, se do të dënohesh shumë më pak, minimumi, vetëm tre vjet dhe nuk do të bësh burg, as sa gjysma. Vetëm thuaj, makar, dy fjalë, se ia rregulloj unë atij qeni”!

– “Zotëri, mos doni t’ju gënjej? Ju nga një anë thoni që të them të drejtën, dhe nga ana tjetër, më kërkoni gjëra të paqena. Unë nuk mund të gënjej dhe mbaroi kjo punë”!

Kryekaleci u nxi në fytyrë dhe ata sytë e bardhë të tij iu bënë gati fosforeshente. Por, çuditërisht, nuk u shty me tutje. Brofi më këmbë i nervozuar dhe më tha me ashpërsi:

– “Ke për të parë se si do ta pësosh. Koka bën, koka pëson”!

Kaq tha. Dha urdhër të më shpin në birucë dhe këputi qafën e iku, bashkë me “Gorillën”. Mua, policët më vunë prangat dhe, duke më mbajtur nga të dy krahët, më shpunë në birucën e nxehtë si furrë. Unë nuk e dija se kush ishte ai. Dhe kjo më ndihmoi. Padija, nganjëherë, në raste të caktuara të jetës (dhe në fatkeqësi), të jenë vërtet në ndihmë. Unë nuk e dija se ai ishte bash krye-hetuesi i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, gjenerali Nevzat Haznedari a, si e kanë quajtur sot, “Gjenerali i Zi”, për krimet e shumta që ka bërë dhe për sadizmin e tij shembullor. Se, po ta kisha ditur, që të them të drejtën e të mos shes mend për punë trimërie, ndoshta do të më kishte shpëtuar shurra në brekë.

Më vonë, pasi u dënova, mora vesh se ai ishte bash baxhanaku i Fatmir Beratit, pra, kishte për grua motrën më të madhe të bashkëshortes së Fatmirit dhe ishte munduar, me çdo mënyrë, që kunata e tij, prej soji komunisti, të mos martohej me Fatmirin (si i deklasuar që ishte ky i fundit). Pra, donte që, me çdo mënyrë, ta rraste atë në burg, vetëm nga një fjalë imja. Për një gjë jam i kënaqur me veten: nga rënia ime në kthetrat e Sigurimit dhe nga burgimi im i gjatë, askush nga shokët e mi dhe nga rrethi familjar, madje edhe nga ata më të afërtit, nuk pësuan arrestime, burgosje, internime. U pushua nga puna vetëm motra më e vogël, Flutura, që asokohe punonte si arsimtare.

Çaste krize

Vetëm po të jesh një copë kërcu me trajtë njerëzore, mund të mos provosh (qoftë edhe një herë në jetë), një krizë shpirtërore apo nervore, sido që ta quash. Trysnia e burgut është e tillë, saqë shpirti jep e jep e, dikur, shpërthen. Kam parë skena ngjethëse në burg, në këtë drejtim. Kam parë djem të rinj, të fortë fizikisht e shpirtërisht, që shpërthenin në një revoltë të papritur; ose ndaj rojeve, ose ndaj vetë komandantit të burgut a kampit. Apo që i hidheshin në grykë një spiuni, gati për t’i marrë shpirtin. Madje dhe i kanë vrarë. Kam parë edhe raste kur, nga dëshpërimi, njëri nxori me thonj sytë e vet, në kamp-burgun e Rubikut. E quanin Maliq Skuka, nga Peshkopia.

Dhe ishte burrë sa i ndershëm e i zgjuar, aq edhe i qeshur, fort i ekuilibruar dhe i dashur e i mirësjellur me shokët. Por, një ditë, në shtratin e tij, u mbulua me batanije dhe bëri veprimin fatal. Diçka e tmerrshme ta shihje…! Na u dhimbs të gjithëve në shpirt, por, tashmë, gjithçka kishte marrë fund. Ai u nda përjetë nga drita dhe qielli!

Po kam parë djem të rinj të vrasin veten, duke u hedhur nga një lartësi apo duke iu turrur telave të rrethimit, ku i priste breshëria e mitralozit dhe i linte në vend. Kështu ndodhi në kamp-burgun e Laçit, për shembull, me Qerim Çaushin, i cili u hodh me kokë nga tarraca e ndërtesës ku banonim, drejt e në tokën e fortë të oborrit. Po ashtu, kam parë Hilmi Lamën në kamp-burgu i Rubikut, të çajë rrethimin dhe ta grijnë me mitraloz, rojat në anën e lumit të Fanit. Kam parë, gjithashtu, në kamp-burgun e Elbasanit, mes borës së janarit, Likën nga Kruja dhe Mëhill Gjinin nga Mirdita, t’u hidhen telave të rrethimit dhe të kalojnë matanë, çuditërisht, të paprekur nga asnjë plumb, kur breshëria e tyre, gati na faroi ne që ndodheshim në kapanonin pranë e, që një Zot na shpëtoi.

Kam parë, në burgun e Burrelit, djalin e shkëlqyer Mustafa Bajraktarin, të vetëvarur në hekurat e dritares së dhomës ku rrinte, ndërsa gjithë të tjerët, kishin dalë në oborr për ajrosjen. E çfarë nuk më kanë parë sytë?! Rastet që përmenda janë vetëm një pjesë e vogël e tragjedive të ndodhura. Oh, sa të tilla kanë ndodhur në burgjet e kampet e komunizmit, për 47 vjet të sundimit çnjerëzor komunist! Një krizë të tillë, ndoshta të një shkalle më të vogël, e kam provuar edhe unë vetë. Fatbardhësisht, ajo nuk zgjati veçse pak çaste dhe, me vullnet, munda ta mposht.

Isha duke ndenjur i krusur pranë derës së birucës 28. Prapa krahëve, kisha atë “miun” në trajtë thithlope, Qani Sllatinën. Nuk kishim ujë. “Miu”, se ku kishte gjetur një pagure me ujë, që e mbante rrëzë jastëkut. E, si kam treguar, vapa po na mbyste. Në hetuesi e kisha shumë keq punën me “Gorillën”. Kisha kohë që familja s’më kishte ardhur. Lëre ushqimin, por kisha mbetur keq edhe për cigare. Por ajo që më shqetësonte më shumë, ishte halli (jo aq imi), i familjes, veçanërisht i gruas dhe i djalit të vogël. I kisha lënë në pikë të hallit: pa asnjë lek, pa asnjë mbështetje ekonomike. Ime shoqe ishte e papunë. Kur isha unë, jetonim tre veta, vetëm me rrogën time prej arsimtari. Dhe ajo ishte krejt e huaj në Tiranë: nuk njihte pothuaj askënd, pos njerëzve të mi.

Për më tepër, ajo ishte edhe e bukur, e re dhe binte në sy për një cilësi të tillë. Dhe unë e dija që Sigurimi, gratë e të burgosurve përpiqej t’i degjeneronte, në mënyrat më të poshtra. Pastaj, a nuk kishte pjaca plot hamshorë të paturpshëm dhe të pandershëm, që mund ta bezdisnin, ta shqetësonin, ta kërcënonin, qoftë edhe të shtyrë nga Sigurimi? E kisha marrë time shoqe me dashuri të madhe dhe, mbi dashurinë, kisha për të edhe një dhimbje të madhe. Ajo e shkreta kishte vuajtur të zitë e ullirit që 13 vjeçe, kur, së pari, i burgosën të vëllanë, profesor Arshi Pipën dhe pas pak muajsh, i vranë në hetuesi, pa dalë fare në gjyq, vëllanë më të madh, avokat Myzafer Pipën.

Kishte qenë edhe e talentuar, edhe e mësuar me frëngjishten, me pianon. E shkëlqyer në të gjitha mësimet e shkollës dhe, deri para martesës, kishte punuar si punëtore krahu deri në gurore, për të thyer gurë me vare, në tullat, në rrogozat, në fermë vjeshtës, për të zhveshur misër e kështu më radhë. Po tashti çfarë e priste? Mendoja edhe vogëlushin tim, që Zoti ma kishte falur tamam ashtu siç e kisha ëndërruar: të bukur, të mençur, me shumë premisa për art e për dije, që në moshë fare të mitur. Pa ata të dy unë kisha humbur lezetin, kuptimin, kapitalin e jetës. Nuk qaja pothuaj fare hallin e kokës sime, por vetëm hallin e tyre.

Dhe nëpër mend më fanepseshin skena të tmerrshme të persekutimit të tyre. I zvarrisnin nëpër baltërat e Myzeqesë, zbathur, veshur me rrecka, të pangrënë, mes shiut e të ftohtit. Ishin skena si në një ëndërr tmerri, jo në gjumë, por me sy çelët. Dhe këto skena ngjethëse nuk ishte hera e parë që më fanepseshin para syve të shpirtit. O Zot, çfarë torture! Sigurisht, në këtë zymtim, bënte pjesë edhe nëna plakë, që më kishte rritur me aq mundim; motra më e vogël, që thuajse e kisha rritur unë vetë; im vëlla, që e kisha edhe shok mendimesh e vuajtjesh e, pastaj, edhe tri motrat e tjera. Po ato ishin rehat në shtëpi, me burrat e tyre.

Kështu, aty rrëzë derës së qelbur, të birucës së qelbur nt. 28, i kruspulluar siç isha, me atë tufan në shpirt, ndjeva një marramendje të fortë dhe një dridhmë që ma përshkoi gjithë shtatin, nga këmbët deri në majën e kokës. Një si dridhje e fortë korrenti. Unë, sigurisht, nuk e shihja veten si isha bërë në fytyrë dhe se si më shkreptinin sytë, sikur të lëshonin shkëndija. Por, u çova me vrull më këmbë dhe nuk e di çfarë gjestesh bëra me dorë, duke u kthyer nga “miu” Qani. Atëherë, vura re se ai ishte bërë si dheu në fytyrë nga frika. Dridhesha unë nga nervat, por m’u duk se dridhej më fort ai, nga frika.

Atëherë, i fola me të egër të nxirrte paguren e ujit dhe të ma derdhte pas kokës, ku e ndjeja se kisha peshën me të madhe të tensionit. Ai u ngrit me vrull e, ma derdhi ujin si i thashë. E, megjithëse uji ishte i ngrohtë si shurrë, nuk e di, por më lehtësoi mjaft. Pas kësaj, nisa ta mbledh veten dhe dridhmat sikur nisën të lehtësohen, të pakësohen. E i fola vetes, sigurisht me mendje:

– “Hajvan, mblidh veten, ku të shpie mushka? Do që të luash mendsh? A e di se qari i kujt do të ishte një punë e tillë? Qari i armiqve të tu. Ata do të kënaqeshin, se këtë duan! E, pastaj, nuk do t’i duhesh as vetes, as familjes dhe as dreqit. Do të bëhesh gazi i botës dhe fatkeqësia e familjes, vaji i përjetshëm dhe barra më e rëndë e saj, edhe sikur të të nxjerrin fare nga burgu! Ndaj, mblidh veten, idiot! Shtrëngo dhembët e bëhu burrë!

Kështu të dua! Më mirë i vdekur njëqind here, se i marrë! Ti u nise për punë të mëdha, s’janë këto që pëson tashti? A nuk i ke këshilluar, kur ishe jashtë, shokët e tu, se burgu nuk është bisedë e këndshme në bulevard, por është torturë, plumb, litar”?! Memorie.al

                                                          Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Kur e pyeti shërbëtorin e ambasadës britanike, Qazim Kukeli, se ç'mund të bënte për të, ai i tha; asgjë, vetëm fol mirë për Shqipërinë...”! / Historia e rrallë Aubrey Herbert, mikut më të madh të shqiptarëve

Next Post

“As Besim Zekthi, mjeshtri i madh i kombit, që ka realizuar sa e sa maja koreografike, s’mundi ta ‘kopjojë’ dot stilin e veçantë të artistit kurveleshas, pasi...”! / Historia e panjohur e legjendës Alush Milori

Artikuj të ngjashëm

“Në Zejmen, ku na dërguan pas revoltës, na torturuan barbarisht. Pasi na bënë nga një kryq në kokë, me makinën e qethjes, polici Anton L., më futi këpucën në gojë, e më tha…”! / Dëshmia e të dënuarit të Qafë-Barit
Dossier

“Në Zejmen, ku na dërguan pas revoltës, na torturuan barbarisht. Pasi na bënë nga një kryq në kokë, me makinën e qethjes, polici Anton L., më futi këpucën në gojë, e më tha…”! / Dëshmia e të dënuarit të Qafë-Barit

June 25, 2025
“Ditën që shpërtheu revolta, oficer i rojes ishte një matjan, Asllan Kurti, ai e qëlloj Kosta Gjordenin, pasi…”/ Ana e panjohur e revoltës Qafë-Barit, sipas organizatorëve kryesorë të saj, ish-të burgosurve politikë
Dossier

“Ministria e Brendshme, kishte të dhëna se në kampin e Qafë-Barit, po përgatitej një arratisje masive dhe ajo e inskenoj vetë ngjarjen e 22 majit ’84, pasi…”/ Refleksionet e ish-protagonistëve kryesorë të revoltës

June 23, 2025
“Pas 34 vitesh, kur u hap varri i At Serafinit, nga infermierja Marie, një besimtare katolike, që kishte varrosur vetë, u gjet…”/ Historia e trishtë e fratit që vdiq nën torturat e Sigurimit, në 1947-ën
Dossier

“Në qelitë e Durrësit, më sollën një hetues të ri, nënkolonel Irakli Kocani, një ‘gorrillë’ që më merrte në pyetje pas mesit të natës dhe me një dërrasë që mbante mbi tavolinë…”/ Dëshmia e Uran Kalakullës

June 24, 2025
“Ditën që shpërtheu revolta, oficer i rojes ishte një matjan, Asllan Kurti, ai e qëlloj Kosta Gjordenin, pasi…”/ Ana e panjohur e revoltës Qafë-Barit, sipas organizatorëve kryesorë të saj, ish-të burgosurve politikë
Dossier

“Ditën që shpërtheu revolta, oficer i rojes ishte një matjan, Asllan Kurti, ai e qëlloj Kosta Gjordenin, pasi…”/ Ana e panjohur e revoltës Qafë-Barit, sipas organizatorëve kryesorë të saj, ish-të burgosurve politikë

June 22, 2025
“Kur s’pranova ta firmosja akt-akuzën, nënkryetari i Degës së Brendshme të Durrësit, Kapllan Sako, u ngrit të më godiste me grusht në fytyrë, por…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik
Dossier

“Kur s’pranova ta firmosja akt-akuzën, nënkryetari i Degës së Brendshme të Durrësit, Kapllan Sako, u ngrit të më godiste me grusht në fytyrë, por…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik

June 22, 2025
“Kur Kosta Gjordeni i plagosur bërtiste; ‘më qëllun komunistat, kriminelat, të dënuarit H. Tabaku, L. Shkëmbi e N. Skrapari afrohen, por breshëria e armëve…”/ Kujtimet e ish-të burgosurve të Qafë-Barit
Dossier

“Kur Kosta Gjordeni i plagosur bërtiste; ‘më qëllun komunistat, kriminelat, të dënuarit H. Tabaku, L. Shkëmbi e N. Skrapari afrohen, por breshëria e armëve…”/ Kujtimet e ish-të burgosurve të Qafë-Barit

June 21, 2025
Next Post
“As Besim Zekthi, mjeshtri i madh i kombit, që ka realizuar sa e sa maja koreografike, s’mundi ta ‘kopjojë’ dot stilin e veçantë të artistit kurveleshas, pasi…”! / Historia e panjohur e legjendës Alush Milori

“As Besim Zekthi, mjeshtri i madh i kombit, që ka realizuar sa e sa maja koreografike, s’mundi ta ‘kopjojë’ dot stilin e veçantë të artistit kurveleshas, pasi...”! / Historia e panjohur e legjendës Alush Milori

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme