• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Thursday, June 19, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Ndryshe nga rregullat që kishim vendosur në grupin tonë, unë pranova të takohesha me Pjetër Arbnorin, që na e solli Tanush Kaso, por ai ishte dhe me një…”/ Kujtimet e ish-kreut të “Grupit Social-Demokrat”

“Pjetër Arbnori bën pjesë në treshen e shkëlqyeshme të letërsisë së zhvilluar në burgje: krahas Trebeshinës së zjarreve të skëterrës dhe Zhitit të yjeve të qiellit, të cilët…”/ Refleksionet e publicistit të njohur
“Ju tregoj jugosllavët që njoha në kampet dhe burgjet e Enver Hoxhës deri në fundin e viteve ’80-të…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik që u dënua me vdekje dhe vuajti 21 vjet në Burrel
“Pjetër Arbnori bën pjesë në treshen e shkëlqyeshme të letërsisë së zhvilluar në burgje: krahas Trebeshinës së zjarreve të skëterrës dhe Zhitit të yjeve të qiellit, të cilët…”/ Refleksionet e publicistit të njohur
“Pjetër Arbnori, i mbijetuari i kalvarit komunist, politikani i dinjitetshëm dhe shkrimtari i paepur i ‘luftës për të mbetur njeri’…”/ Refleksionet e publicistit të njohur, për “Mandelën e Ballkanit?
“Ja si na i vranë katër shokët tanë të burgosur në kampin e Laçit që tentuan arratisjen dhe fjalimi i komisarit para viktimave…”/ Si e shpërthyen burgun e Fushë-Krujës
Memorie.al

Nga Uran Kalakulla 

Pjesa e katërt

                                                    Nazizmi dhe komunizmi

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të sterhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.

Gjithashtu mund të lexoni

“Nga të dhënat që kemi në organet tona, kjo masë izraelitësh, nën kryesinë e Isak Kohenit në Vlorë dhe Zhak Vitulit në Tiranë,..”/ Dokumentet e Sigurimit për survejimin e 237 izraelitëve, që ndodheshin në Shqipëri

“Ne shqiptarët habitemi se si në Shqipëri, nuk u bë kurrë një gjyq serioz dhe i vërtetë ndaj komunizmit, ndaj enverizmit, përveçse…”?! / Refleksionet e ish-të dënuarit që vuajti 22 vite burg politik

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototip të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                    Vijon nga numri i kaluar

Ja historiku:

Shqipëria e viteve ’60-të ishte ishte e gjitha një dëshpërim. Ajo u prish me të gjithë kampin socialist, ndërkohë që me perëndimorët, komunistët shqiptarë ishin prishur prej kohësh. Të gjithë mendonin atëherë se Shqipëria do të binte patjetër pre, në mënyrë të pashmangshme, e një ndërhyrjeje nga njëra superfuqi ose tjetra. Nëse kjo ndërhyrje do të bëhej nga hrushovianët, atëherë edhe në vendin tonë do të zyrtarizohej “liberalizmi revizionist”, mono-partiak gjithnjë, por që të jepte

mundësi të merrje frymë, së paku, me një vrimë të hundës. Dhe Hoxha me shokë do të gjenin “vendin e merituar”, sipas mënyrës bizantine ruse, në mos në burg, së paku degdisur diku andej nga tundrat e Siberisë.

Por, nëse do të vinin këndej amerikanët, sigurisht te ne do të instalohej demokracia, me të gjitha mrekullitë e saj. Në “liberalizmin sovjetik hrushovian” ndoshta, do të ishte e mundur të fillohej me një veprimtari letrare e kulturore disi më të çlirët dhe nëpërmjet saj, më pas, edhe me një disidencë politike, e cila, ndoshta do të krijonte mundësitë e realizimeve më konkrete politike, si ndodhi, në fakt, më 1968 në Çekosllovaki, me “Pranverën e Pragës” e, më vonë në Poloni me “Solidarnostin” e Leh Valesës.

Kurse me kalimin në krahun perëndimor lindja e partive politike do të ndodhte si me mbirjen e kërpudhave pas shiut, si ndodhi në fakt në gjithë ish-bllokun sovjetik pas rënies së komunizmit. Ja, pikërisht këtij realiteti të pritshëm politik iu përgjigjëm ne, në atë kapërcyell të vitit 1960. Sot është kollaj të flasësh me hamendje e parashikime të sajuara, por unë them me bindje se askujt atëherë nuk i shkonte ndërmend, se Hoxha dhe klika e tij do të gjenin një aleat si Kina e Maos, që ta nxirrte nga situata e të shpëtonte nga vidhisja në gropën e pritshme. Por edhe këtë herë, si me Titon, Hoxhën e ndihmoi fort fati dhe ai diti të përfitojë mjeshtërisht, sigurisht për interes vetëm të tij.

(Dhe kjo duhet pranuar se ishte një meritë, të paktën për lëkurën e vet). Ndoshta, ndonjë situatë të tillë, mosndërhyrja në Shqipëri, as nga Amerika e as nga Bashkimi Sovjetik, bënte pjesë në atë “filozofi politike” të kohës, që shkurt thoshte: “As e imja, as e jotja, por ta lëmë të dergjet e mjerë, e vetmuar, e harruar…”! Kësaj situate iu përgjigjëm ne, një grup shokësh arsimtarë, që jetonim në Tiranë dhe që njiheshim bashkë prej shumë vitesh.

Bisedat tona të herëpashershme mbi problemet në fjalë, u konkretizuan me nevojën e ngritjes së një grupi politik, i cili të ishte i gatshëm në çastin kur të realizohej cilido nga dy variantet e zgjidhjes së situatës që përmenda më lart. Ky grupim do të ishte bërthama e parë organizuese për ndërtimin e strukturës sẽ një partie social-demokrate në Shqipëri. Ne donim të ngrinim, sigurisht në klandestinitët, këtë strukturë, për ta shtrirë atë hap pas hapi, të paktën në qytetet kryesore e më të rëndësishme të vendit, që të nesërmen, me krijimin e kushteve të përshtatshme, të dilnim pastaj haptazi, për të bërë zgjerimin e partisë në të gjitha anët e Shqipërisë.

Pra, duke patur një strukturë të ngritur e tashmë të gatshme, ne nuk do ta kishim të vështirë për ta nisur punën së mbari, të bindur, siç ishim, se me lindjen e pluralizmit, grupet e partitë politike do të lindnin në vend si kërpudhat pas shiut, pikërisht ashtu si ndodhi në fakt tridhjetë vjet më vonë, nga fillimi i vitit 1991. Për më tepër do të kishim një stazh organizativ dhe bazë të përcaktuar ideologjike dhe, për pasojë, do të kishim me vete sa të drejtën morale, aq dhe përvojën e një pune të këtillë. Ne nuk patëm menduar se puna jonë do të ishte e shpejtë, përkundrazi. Dhe as e kollajshme e aq më pak pa rreziqe. Dhe të gjitha i morëm parasysh.

Ne mendonim se puna e përgatitjes sonë dhe e pritjes për të gjetur çastin e përshtatshëm për të dalë haptazi, në shesh, dhe për t’u afirmuar si forcë politike, ndoshta do të donte vite të tëra, ndaj ne kishim shtruar si detyrë mes nesh, të tregoheshim sa të matur, aq edhe të duruar. Natyrisht ne e dinim mirë se çfarë na priste, sikur puna jonë të zbulohej nga Sigurimi i Shtetit. Më kujtohet fare mirë që në bisedat tona, unë më se një herë ua përsërisja shokëve të mi, një perifrazim nga Çernishevski, i cili thotë se në regjimet policore, politika nuk është një shëtitje me biseda të këndshme në bulevardin “Nevskij”, por është në burg, tortura, plumb dhe litar!

Kështu ne nuk ishim një grup terrorist, që do të kapte armët për të luftuar pushtetin në fuqi dhe as do të merreshim me akte sabotazhi, sepse e dinim që forcat tona, edhe të dhjetëfishuara sikur të ishin, madje edhe të qindfishuara, nuk do t’i bënin dot ballë makinës represive të shtetit komunist, ku nuk kishte mbetur asnjë shteg i lirë për të marrë frymë pas aksioneve luftarake, asnjë bazë nisjeje, ku të mund të ktheheshe pastaj për të marrë veten nga humbjet e pësuara në mënyrë të pashmangshme. Ne donim të ngrinim vetëm skeletin e një partie klandestine, me elemente të bindjeve tona, të provuar, të vendosur, besnike dhe të pathyeshëm. Dhe brenda kësaj strukture fillestare, të vazhdonim të përpunonim ideologjinë tonë, filozofinë tonë politike, programin dhe statutin nismëtar. Shokët nganjëherë bënin shaka me mua, duke thënë se unë kisha “teorinë e kolonave”. Dhe kjo në thelb ishte e vërtetë.

Pozicioni ynë politik

Në radhë të parë ne ishim antikomunistë të vendosur, deri në vdekje, deri në urrejtje. Realiteti hoxhist jo vetëm na bënte të vuanim ekonomikisht, si i gjithë populli, por duke patur një ndërgjegje shoqërore pak a shumë të zhvilluar, vuanim edhe më shumë shpirtërisht. Ai realitet, pra, nuk na kënaqte në drejtimet ekonomike, shoqërore, shpirtërore, kulturore. Përkundrazi. Ne ishim tërësisht të dhënë pas Perëndimit e Amerikës në radhë të parë. Ishim, pra, me demokracinë, kundër çdo forme diktature, e çdo lloji që të ishte.

Dhe, sigurisht, në radhë të parë asaj komuniste, që për ne ishte ajo më e zeza nga të gjitha ato që kishte provuar njerëzimi, në gjithë historinë e tij, e pse jo edhe vetë brezi ynë. Edhe Bashkimi Sovjetik, qoftë atë me “liberalizmin hrushiovian”, e shikonin jo vetëm me dyshim, por urrejtja ndaj stalinizmit na pengonte që të mund të shikonim apo të vlerësonim edhe ndonjë refleks të dobët drite, në natën e gjatë e të frikshme të realitetit komunist. Tek e fundit, “demokracia sovjetike hrushoviane”, për ne ishte një lloj plagjiature meskine dhe e shëmtuar e asaj perëndimore, derisa monopartitizmi vazhdonte të ishte karakteristika numër një e regjimit politik sovjetik. Shumë-shumë realiteti sovjetik hrushovian i asaj kohe, ishte për ne si një lloj surrogatoje e bolshevizmit rus, të kohës anemike të NEP-it leninist.

Duke qenë edukuar me shpirtin nacionalist shqiptar, që nuk arrinte kurrë në ekstremizmin shovinist të fqinjëve tanë tokësore, pa qenë madje as irredentistë, ne donim lirimin e të gjitha trojeve shqiptare nga zgjedha e huaj dhe, po të ishte e mundur, me dëshirën e tyre, edhe bashkimin me vendin tonë. Ideologjia jonë na çonte në një pozicion ekuilibri, mes të majtës ekstreme dhe të djathtës ekstreme, jo vetëm si sistem politik, por edhe ekonomik. Ne ishim për mos-prekjen asnjë cm. të pronës private, donim që prona, e dhunuar tërësisht nga regjimi komunist, t’u kthehej të zotëve të ligjshëm, po qe se do të vërtetohej me dokumente a dëshmi të saktë, se kujt i përkiste ajo.

Kjo përsa i përket pronësisë së patundshme në qytete, pse jo edhe në fshatra: troje, dyqane, shtëpi, punishte, fabrika, hotele etj. Ne donim që edhe prona bujqësore t’u kthehej të zotërve të saj të ligjshëm, por në këtë drejtim, do të kërkonim që edhe fshatarët pa tokë të mos mbeteshin pa gjë, sidomos pas prishjes së kooperativave komuniste, që për ne s’ishin veçse një bujkrobëri a skllavopronari, me zotër të rinj absolutë, që e kishin emrin jo më patricë, dukë, princ, kontë, baronë e markezë, por thjesht parti e qeveri. Mundësia reale për t’i pronësuar fshatarët pa tokë ekzistonte, sepse inventari i tokës agrare ishte rritur ndjeshëm, me tharjen e kënetave dhe hapjen e tokave të reja.

Sigurisht ne nuk e shikonim aspak me simpati realitetin agrar të kohës së paraluftës në vendin tonë, atë të bejlerëve dembelë dhe agallarëve shfrytëzues të tipit të feudalizmit oriental. Ne donim një bujqësi moderne, me krijimin e fermave të mëdha private dhe madje edhe të kooperativave private, kapitaliste, por që puna e punëtorit agrar në të parat sidomos, e deri në të dytat, të mbikëqyrej jo në favor të pronarëve, por të vetë punëtorëve, duke ndihmuar sindikatat e lira edhe në fushën agrare, madje duke i nxitur ato fuqimisht.

Ne synonim që fabrikat e ndërtuara nga shteti komunist, telekomunikacioni, hekurudhat, minierat, energjia elektrike, shërbimet urbane etj., me një fjalë e gjithë infrastruktura, si i thonë sot, të bëhej pronë e punonjësve të këtyre degëve, ku secili nga ata të kishte dividentin e vet, të kishte aksionet e tij në atë veprimtari, sipas kriterit të kontributit në punë, aftësisë personale, kualifikimit etj., pa e lënë administratën e këtyre degëve, që t’u hipte në kurriz punëtorëve, të përfitonte padrejtësisht prej tyre, me një logjikë të kapitalizmit primitiv, të egër, mizor. Por, nga ana tjetër, ne mendonim që prona private, siç është logjike, duhej t’i nënshtrohej taksimit shtetëror, që do të krijonte të ardhurat financiare të shtetit, në mënyrë që ky shtet të mund të kryente detyrat që i takonin në fushat, që do të shohim më poshtë.

Sigurisht që ky taksim do të ishte i drejtë dhe i studiuar më së miri, bazuar te parimi i taksimit progresiv: sa më i madh fitimi neto, aq më i madh edhe taksimi, por ama gjithnjë duke u lënë pronarëve prodhues e fitimprurës frymëmarrjen e duhur, jo vetëm për të rritur plotësisht mirëqenien e tyre personale e të familjes, por edhe për të mundësuar fuqishëm rritjen, zgjerimin, modernizimin e herëpashershëm të ndërmarrjeve të tyre prodhuese apo publike, në qytet dhe në fshat.

Shteti, që kishte treguar se kishte qenë një administrator fort i keq dhe shfrytëzues mizor i ekonomisë dhe djersës së popullit punonjës, nuk do të ishte më pronar, madje as i bankave, me përjashtim të Bankës Kombëtare. Ai do të kishte vetëm administratën shtetërore, atë qendroren dhe lokalen, rendin publik, ushtrinë, arsimin dhe shëndetin publik si dhe ndërtimin e veprave të mëdha publike. Por edhe në këto të fundit (arsimi, shëndetësia, kultura), mund të lihej e lirë iniciativa private, por ama nën një mbikëqyrje të saktë shtetërore, vetëm me synimin që t’u pritej rruga prirjeve të mundshme, që do të ishin në kundërshtim me frymën e moralit kombëtar, si dhe fitimeve maksimale dhe abuzimeve në dëm të shëndetit të popullit.

Kështu çdo grup shoqëror a individ, do të mund të formonte teatro, shkolla e veprimtari private, por gjithnjë të mbikëqyrura nga shteti. Nuk do të lejoheshin ne asnjë mënyrë të hynin në vendin tonë, asnjë nga format e prostitucionit, homoseksualizmit, pedofilisë, drogës, letërsia a botimet pornografike e, filmat e kësaj natyre, të cilët bien ndesh me traditën morale të popullit tonë, të cilën ne e nderonim në maksimum, por pa rënë, nga ana tjetër, në pozitat e një konservatorizmi oriental a, të çdo natyre tjetër qoftë. Ne, sigurisht, ishim për modernizimin e jetës shqiptare, deri në shkallën e vendeve të përparuara të Perëndimit, por ama ishim kundër shthurjes. Me politikën efikase sociale, ne donim që dukuria tjetër e turpshme, e shëmtuar dhe tradicionale e të lypurit, të zhdukej në vendin tonë një herë e përgjithmonë.

Kujdesi për të gjymtët e vetmuar, për pleqtë e azileve, për jetimoret, do të ishte prioriteti social i shtetit, deri në plotësimin maksimal të nevojave të kësaj kategorie shoqërore. Represioni ndaj krimit, do të kishte një përparësi të shkallës së parë dhe rendi publik e qetësia qytetare, të ishin shembullore. Ne synonim qe Shqipëria, si theksuam më sipër, t’i arrinte apo t’u afrohej disi niveleve te tilla si Gjermania Federale dhe vendet Skandinave, të cilat i merrnim si shembull, si modelet më te sakta evropiane. Ne ishim mjaft kritike ndaj kapitalizmit klasik, që na dukej i egër, shfrytëzues, antinjerëzor siç ishte ai i fillimit te shekullit të njëzetë, madje edhe më parë, me metoda të tilla si ajo e Tejlorit amerikan, e ironizuar dhe madje e stigmatizuar aq bukur dhe sakte në filmat e parë, pa zë, të Çarli Çaplinit etj.

Ne ishim për një shtet human, ku çdo ekip qeveritar që do të merrte pushtetin, ne bazë të njërit prej neneve të parë të Kushtetutës së vendit tonë, do të betohej para popullit dhe Parlamentit të tij, ashtu siç betohen mjekët me formulën e Hipokratit, para se të marrin diplomën për të patur të drejtën të ushtrojnë profesionin e tyre. Por kjo nuk donte të thoshte aspak, se ne synonim për një shtet krejtësisht dhe tërësisht asistencial, i cili do të nxiste parazitizmin, dembellëkun, abuzimin, padrejtësinë e një krahu tjetër.

Ja, kjo ishte, ne thelb, pikëpamja jone ideopolitike, ideologjia jonë. Shqip, ne e quanim këtë realitet, të dëshiruar e të mundshëm, social-politik, “demokraci shoqërore” e që në arenën evropiane, aty ku ka lindur, quhet social-demokraci. Pra, demokraci jo vetëm në planin politik, por edhe ekonomik dhe social, por sigurisht pa rënë në nivele barazitizmi që kërkonte gjoja komunizmi, një barazitizëm që mbyste lirinë e individit, frymën e iniciativës personale, lirinë për veprimtari ekonomike, shkencore, artistike krijuese, pa aprovimin dhe leverdinë e një klike sunduese, gjithnjë shtypëse, shfrytëzuese, me në krye, “Zotin e ri”, diktatorin e neveritshëm.

Ne ishim për një barazi të moderuar, të natyrshme, barazi ne mirëqenie e pasuri, jo barazi në varfëri, në mjerim, siç e realizoi komunizmi. Ne ishim simpatizantë të një Saragati italian, të një Olenhaueri dhe Vili Brandi gjerman dhe veçanërisht të social-demokracisë skandinave, që i çoi ato vende në primate të admirueshme botërore. Ne planin e ideologjisë kombëtare, ne ishim për realizimin e ëndrrës së rilindësve tanë të mëdhenj, të Abdyl, Sami dhe Naim Frashërit, dhe për kohët më të afërta të një Mit’hat Frashërit, të Skënder Muços, Musine Kokalarit, Suat Asllanit e shokëve të tyre. Ne, asgjë më shumë, e quanim veten vazhdues të ideve dhe përpjekjeve të tyre, në kohë të reja dhe me forca të reja.

Ideja dhe ideatorët

Idenë fillestare për krijimin e formacionit tonë politik e patëm, pas bisedave të herëpashershme, unë, Riza Kuçi dhe Emil Prenushi, qysh në vitin 1958. Por puna atëherë mbeti vetëm në shkëmbim bisedash, mendimesh, idesh. Konkretizimi u bë dy vjet më vonë, kur në këto biseda hynë edhe shokë të tjerë. Tashmë ishim unë, Riza Kuçi, Agim Musta dhe Tanush Kaso, që të gjithë në atë kohë arsimtarë të rrethit e qytetit të Tiranës. Kjo ndodhi aty nga gushti i vitit 1960. Më pas në grupin tonë u afrua edhe punëtori nga Durresi, Kahreman Paftali (si nipi im), me profesion elektricist.

Grupi bënte mbledhje rregullisht një herë në muaj, herë në natyrë, herë në shtëpitë e njëri-tjetrit, e herë në një nga sallat e Fakultetit të Filologjisë, meqë një pjesë prej nesh ishin në atë kohë edhe studentë me korrespondencë. Grupi i vazhdoi mbledhjet deri në majin e vitit 1961. Në këto mbledhje bëhej analiza e zhvillimeve politike në vend dhe në botë përgjithësisht dhe nxirreshin përfundimet e duhura. Pastaj diskutohej për probleme ideologjike, për thellimin në to si dhe për problemet e mëtejshme organizative.

U fol edhe për sigurimin e teknikës së shtypshkrimit, që do të përdorej për raste të nevojshme, por hë për hë, nuk u vendos as shtypja e ndonjë programi dhe as hedhja e ndonjë trakti. Madje në mbledhje nuk mbahej as ndonjë proces-verbal, për të evituar provat materiale në rast zbulimi të grupit dhe sidomos pa siguruar një bazë të sigurt të teknikës dhe arkivës së ardhshme. Për teknikën u ngarkua Kahremani, i cili do të krijonte një lloj makine të posaçme, që Sigurimi të mos mundej ta identifikonte dot, se ku do të ishin shtypur materialet tona, kur ta gjykonim të arsyeshme e të domosdoshme, t’i shtypnim këto materiale e t’i shpërndanim (trakte, manifeste, programe etj.).

Një nga detyrat ishte edhe zgjerimi i mëtejshëm i grupit, por me kujdes e duke ruajtur maksimalisht normat e konspiracionit. Zgjerimi synohej të behej së pari ne Tiranë, por edhe në qytete të tjera, ku secili prej nesh mund të kishte shoke e miq të afërt, të besuar e të provuar mundësisht. U vendos për shembull, që secili anëtar i grupit, do të kishte kontakt me dy të tillë, njëherë për njëherë, të cilët do t’i njihte vetëm ai dhe ata nuk do të dinin fare, se kush ishin të tjerët. Të gjithë rrjetin e mundshëm të anëtarëve, mund ta dinte vetëm kryetari i grupit, madje as ai të tërin. Kryetar i grupit, me të drejtën e dy votave në marrjen e vendimeve, u zgjodha unë.

Ne kuadrin e zgjerimit, Tanush Kaso, në një nga mbledhjet, përmendi emrin e një shoku te tij të vjetër, të cilin e kishte patur si bashkënxënës në një shtatëvjeçare të Shkodrës. Ai e kishte takuar pas vitesh shokun e tij shkodran në Durrës, ku ky tashmë jetonte e punonte, i larguar prej vitesh nga Shkodra. Ata të dy paskëshin biseduar dhe Tanushi kishte nxjerrë përfundimin që ta afronin edhe atë në grupin tonë. Në mbledhjen tjetër, Tanushi nguli këmbë që ta njihja edhe unë shokun e tij, duke kapërcyer normat e përcaktuara më parë. Unë bëra gabimin dhe e pranova dhe, kështu, u bë takimi në një nga lokalet e qendrës së Durrësit. Ne atë takim morëm pjesë unë dhe Tanushi. Shoku i tij quhej Pjetër Filipi ose, Pjetër Toma.

Me këta dy emra e kishte njohur. Por kur u takuam, ai u paraqit me një emër tjetër dhe pikërisht me emrin Pjetër Arbinri. Një tjetër çudi ishte se, bashkë me Pjetrin e sapo njohur, në tavolinë ishte edhe një njeri tjetër i panjohur, jo vetëm prej meje, por edhe prej Tanushit. Dhe ketë na e paraqiti vetë Pjetri, si një shokun e tij më besnik, të sprovuar dhe të ngushtë. Ky shok tepër i ngushtë i tij, quhej Zeqir Koçi, me origjinë nga Golloborda, me arsim të mesëm profesional dhe që punonte si punë tekniku a normisti, në një ndërmarrje ndërtimi të qytetit, ndërsa vetë Pjetri, pasi kishte punuar pak muaj në shkollën e mesme bujqësore të rrethit të Durrësit (në Xhafzotaj), ishte i papunë, pse ishte pezulluar nga arsimi, ngaqë ishte ngatërruar me një nxënësen e tij. Memorie.al

                                                      Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Nëna ime, Safete Blloshmi, në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, votoi kundër regjimit, por u kuptua pasi kërciti gogla në kutinë bosh e, pas kësaj u dënua me...”/ Dëshmia e rrallë e pasardhëses së fisit të njohur

Next Post

“Nga të dhënat që kemi në organet tona, kjo masë izraelitësh, nën kryesinë e Isak Kohenit në Vlorë dhe Zhak Vitulit në Tiranë,..”/ Dokumentet e Sigurimit për survejimin e 237 izraelitëve, që ndodheshin në Shqipëri

Artikuj të ngjashëm

“Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndjenin toger Hakiu, aspirant Syrjai, kapterët Selfo, Tomi, Ismaili, etj., ndaj të internuarve në Tepelenë…”! / Dëshmitë dhimbshme të Eugjen Merlikës
Dossier

“Nga të dhënat që kemi në organet tona, kjo masë izraelitësh, nën kryesinë e Isak Kohenit në Vlorë dhe Zhak Vitulit në Tiranë,..”/ Dokumentet e Sigurimit për survejimin e 237 izraelitëve, që ndodheshin në Shqipëri

June 19, 2025
“Refat Karamani, zv/komandant batalioni, toger, 5 muaj përgjegjësi në Brigadën VII-të Mbrojtjes së Popullit, s’ka shkollë, është nga Kurveleshi…”/ Lista me 70 emrat e komandantëve dhe komisarëve, në ’45-ën
Dossier

“Ne shqiptarët habitemi se si në Shqipëri, nuk u bë kurrë një gjyq serioz dhe i vërtetë ndaj komunizmit, ndaj enverizmit, përveçse…”?! / Refleksionet e ish-të dënuarit që vuajti 22 vite burg politik

June 17, 2025
“Pasi kemi ecur orë të tëra në këmbë, të lodhur e të dërmuar, forcat serbe na ndalën te stacioni trenit në Prishtinë, ku u ulëm në tokë dhe ata filluan të…”/ Historia tragjike e familjes shqiptare nga Prishtina
Dossier

“Gazetari serb Mifi L., publikoi dëshmi mbi djegin e kufomave të shqiptarëve në shkritoren e aluminit të Surdulicës, por edhe të tjera në Serbi e Kosovë, ku…”/ Libri i politikanit të njohur, që akuzon Serbinë.

June 16, 2025
“Ganimete Avni Fratari (Gjilani), e datlindjes 1907, lindur në Kosovë të Jugosllavisë, me banim në Tiranë, shtresë e pasur, e ëma e Hajredinit…”/ Vendimi i Komisionit Internim-Dëbimeve, viti 1967
Dossier

“Lenini i internuar në Siberi nga Cari, me gruan dilte për gjah me çifte dhe qentë e gjuetisë, Qemal Stafa u la nga Mbreti Zog te varrimi vëllait, kurse mua më vdiqën…”/ Refleksionet e ish-të dënuarit, me 22 vite burg  

June 16, 2025
“Kur sekretari partisë më tha; Pse shkon në qytet, shokët e tu, po korrin grurin në aksion, ku i thërret partia dhe shoku Enver, ti bredh, ata luftojnë në Veitnam’, unë…”/ Refleksionet e shkrimtarit nga Vlora
Dossier

“Kur sekretari partisë më tha; Pse shkon në qytet, shokët e tu, po korrin grurin në aksion, ku i thërret partia dhe shoku Enver, ti bredh, ata luftojnë në Veitnam’, unë…”/ Refleksionet e shkrimtarit nga Vlora

June 16, 2025
“Kur mbi trupin e saj ranë breshëritë e para të skuadrës së pushkatimit, Ramize Ggjebrea, tha…”/ Dëshmitë e panjohura për ekzekutimin e partizanes, të akuzuar për “dashuri të ndaluar”…!
Dossier

“Sjelljet e partizanëve nga Shqipëria në Kosovë, janë brutale, merren pleq peng, tue i shtrëngue, ja të bien djemtë, ja nuk i lëshojnë, kërkohet ushqim me imponim, mishra dhe…”! / Historia e panjohur e “Luftës Antifshatiste”

June 15, 2025
Next Post
“Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndjenin toger Hakiu, aspirant Syrjai, kapterët Selfo, Tomi, Ismaili, etj., ndaj të internuarve në Tepelenë…”! / Dëshmitë dhimbshme të Eugjen Merlikës

“Nga të dhënat që kemi në organet tona, kjo masë izraelitësh, nën kryesinë e Isak Kohenit në Vlorë dhe Zhak Vitulit në Tiranë,..”/ Dokumentet e Sigurimit për survejimin e 237 izraelitëve, që ndodheshin në Shqipëri

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme