Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të ndodhur në vitin 1947 në Garnizonin Ushtarak të Përmetit, ku ushtar Mëhill Pëllumbi, me origjinë nga fshati Gjuraj-Plan të Dukagjinit, pasi bëri debate të ashpra dhe u konfliktua me komandantin e tij, lidhur me një ngjarje të ndodhur në vitin 1945-së në fshatin e tij në Dukagjin, ku Forcat e Ndjekjes, kishin vrarë Losh Kolën, një bashkëfshatarin e tij, Mëhilli nxori pistoletën dhe vrau komandantin e tij, pasi ai e kërcënoi më parë, duke thënë se edhe ai duhej të kishte të njëjtin fat si Losh Kola.
Dëshmia e Nikoll Pëllumbit, vëllait të Mëhillit, për ngjarjen e ndodhur në Garnizonin e Përmetit, ku pas vrasjes së komandantit të tij, Mëhilli qëlloi me granata, duke vrarë dhe 12 oficerë të atij reparti, që ishin në një stërvitje dhe më pas u largua në drejtim të fshatit Çarshovë, ku dhe u rrethua nga Forcat e Ndjekjes e mbeti i vrarë, më parë kishte vrarë dhe tre ushtarakë të tjerë, në shtëpinë ku mbahej i rrethuar. Hakmarrja e regjimit komunist ndaj familjes së Mëhill Pëllumbit, pas “kasaphanës” që ai bëri në repartin e Përmetit, ku kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak, duke i burgosur babanë e tij, Pëllumbin, motrën Pashka edhe vëllanë, Prenushin dhe duke i ekzekutuar të vëllanë tjetër, Markun, që kishte ikur arrati pas ngjarjes së Mëhillit
Familja Pëllumbi, kundër çdo qeverie
Mëhill Pëllumbi u lind në vitin 1920-të në fshatin Gjuraj-Plan të Dukagjinit, prej nga është dhe origjina e asaj familje dhe ai ishte fëmija i tretë i Pëllumb Pjetër Pëllumbit, nga tetë fëmijë që ai kishte. Lidhur me të kaluarën e asaj familje, më i vogli i djemve, Nikoll Pëllumbi, tregon: “Ne si familje kemi qenë gjithmonë kundra çfarëdolloj qeverie, që ka pas ky vend, që nga koha e Monarkisë së Zogut e deri më tash. Nuk është se ne i kena ra kujt në qafë, përkundrazi të gjitha qeveritë që kanë ardhur e kanë shkuar, na kanë trazu vet të parët. Ngatërresat e familjes sonë kanë filluar që në kohën e Shkjaut, kur pasi i kemi luftue me armë në dorë, na i kanë djeg dy herë kullat. Po kështu ka ndodhë edhe me ardhjen e Zogut në fuqi, kur Vas Kiri me disa malësorë shkoi dhe i ra postës së Xhandarmërisë së Urës së Mesit, në Shkodër. Pas asaj ngjarje, në shenjë hakmarrje, Zogu na çoi fuqinë të mëdha xhandarësh, që erdhën dhe na banë reprezalje, duke u vra me kushërinjtë e babës tonë. Nga ajo përplasje mbetën të vramë dy xhandarë, varret e të cilëve edhe sot e kësaj dite, janë aty në vendin e quajtur “Kodër Qershizë”. Që nga ajo kohë megjithëse Zogu, nuk nga na ngacmoi më, familja jonë njihej si antizogiste dhe nuk u pajtuam kurrë me të. Edhe me ardhjen e Italisë në vitin 1939, familja jonë nuk u përzje me Luftën, por kena shiku hallin tonë, me punu atë copë tokë dhe me hëngër i copë bukë me nder. Po kështu edhe komunistët që filluan me dalë në skenë aty nga koha e Luftës, ne nuk i kena dashtë dhe partizanët, nuk i kena pranue kurrë me bujtë në shtëpinë tonë. Ne si familje, kemi qenë të lidhë shumë me fenë katolike dhe jem brumos me një edukatë kristiane, prej Padër Justin Rrotës, i cili ka shërbye si famullitar në fshatin tonë. Unë kam qenë shumë i vogël atëhere, por mbaj mënd prej prindërve dhe vëllezërve më të mëdhenj, që më kanë tregue se Padër Justini thoshte gjithë here: “E keqja e këtij veni ka për t’i ardhë vetëm prej Moskovit”. Por më shumë prej të gjithëve nga shtëpia jonë, me bindjet antikomuniste, është qenë brumos vëllai, Mëhilli, i cili nuk ka pasë asnjë klasë shkollë dhe ka mësue shumë prej Padër Justinit”.
Debati i ushtar Mëhillit me komandantin
Pas mbarimit të Luftës në janarin e vitit 1945, kur u bë mobilizimi i parë ushtarak nga qeveria komuniste e sapoardhur në pushtet, Mëhill Pëllumbi, u thirr për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Lidhur me këtë dhe me ngjarjen e bujshme që ndodhi dy vjet më vonë në qytetin e Përmetit, vëllai Nikoll Pëllumbi tregon: “Në atë kohë që Mëhilli iku nga shtëpia për të shku ushtar, unë nuk kam qenë më shumë se katër vjeç e gjysëm, por i mbaj mënd shumë mirë të qarat e nanës për Mëhillin. Në fillim Mëhilli u mobilizue ushtar në Tiranë, e më pas e çuan në Korçë, e në fund në Përmet. Që nga dita që ai shkoi ushtar dhe deri në atë kohë, që na erdhi lajmi në shtëpi për ngjarjen e tija, ne si familje nuk kena pasë asnjë kontakt me të. Ngjarja e Mëhillit ka ndodhë në fshatin Çarshovë të Përmetit, ku ai ishte ushtar dhe zanafilla e sherrit të tij, nisi pasi njëri nga oficerët që ai e kishte si komandant, kishte qenë në operacionet që kishin bë Forcat e Ndjekjes, në fshatin tonë në vitin 1945, kur patën vra Losh Kolën (Gjurajn), që ishte i njoftun në të gjithë malësinë. Mëhilli sapo e mori vesh se komandanti i tij kishte marrë pjesë në vrasjen e Loshit, filloi debatin me të, duke i thënë: ‘Shoku komandant, ti dhe shokët e tu nuk keni bë burrni, sepse nuk vritet njeri për një copë hekur’. Mëhilli e kishte fjalën për Loshin, që e kishin vrarë atëherë për një pistoletë që i kishin gjetë me vete. Pas kësaj, oficeri i tha Mëhillit: ‘Ti je verior dhe të gjithë ju veriorët jeni reaksionarë’. Pas atyre fjalëve, oficeri i’u drejtua ushtarëve të tjerë, që ishin në rresht, duke u thënë: ‘Edhe këtij i duhet bërë si, patriotit të tij, Losh Kolës’. Mëhilli nuk e duroi dot më dhe iu kthye: ‘Komandant, dy shqiptarë janë tepër që të vriten për një copë hekur’. Pas fjalëve të Mëhillit, komandanti i tha: ‘Ju nuk jeni shqiptar, ju jeni fashistë’. Këto fjalë të oficerit të tij, Mëhilli nuk mundi me i durue dot dhe në atë moment, duke nxjerrë revolen prej brezi, i ka thanë: ‘Me që unë nuk jam shqiptar, na m’i bëj të fala Losh Kolës’ dhe ka shti disa herë, në drejtim të komandantit, duke e lënë të vdekun në vend”, kujton Nikoll Pëllumbi.
Vrasja e 15 oficerëve
Ç’ndodhi më vonë me ushtarin Mëhill Pëllumbi, pasi ai qëlloi dhe e la të vdekur në vend, komandantin e tij, pas debateve të ashpra që bënë me njëri-tjetrin? “Pasi Mëhilli qëlloi duke vrarë komandantin e tij, të gjithë shokët e tij ushtarë, që ishin të rreshtuar, shtangën dhe asnjeri prej tyre nuk bëri asnjë lëvizje në drejtim të tij, ndonëse ishin të gjithë të armatosur me pushkët në krah. Në ato momente që u dëgjuan krismat, një grup i madh oficerësh, që ishin duke zhvilluar stërvitje teorike, në një çadër aty pranë, dolën menjëherë përjashta dhe me armët në dorë i bënë thirrje Mëhillit që të dorëzohej. Por Mëhilli, jo vetëm që nuk u dorëzua, por në çast ai nxori nga brezi dy-tre granata dore dhe ua hodhi menjëherë, në drejtim të tyre. Aty u bë kasaphanë e vërtetë, pasi mbetën të vrarë pjesa më e madhe e oficerëve, rreth 12 vetë, e disa të tjerë u plagosën. Pas kësaj Mëhilli ia dha vrapit duke dalë nga reparti e mori rrugën për në drejtim të fshatit Çarshovë. Kur ka mbërritur në atë fshat, ai nuk kishte më fuqi për me ec dhe u fut në një shtëpi, ku banonte e vetme një plakë e vjetër, pa njeri. Pas pak aty në atë shtëpi, ai u rrethua nga forcat e shumta të ushtrisë, që kishin filluar ndjekjen e tij që nga Përmeti. Ato kishin urdhër që ta kapnin të gjallë Mëhillin, por pozicioni i shtëpisë ishte i tillë, që ata e kishin të vështirë, të bënin atë gjë dhe prej faktit se ai ishte i armatosur e qëllonte në të rrallë, në drejtim të tyre. Ashtu me shkëmbime zjarri nga të dy palët, kanë vazhduar derisa po zbardhte drita dhe nga të shtimet e Mëhillit, mbetën të vrarë dhe dy oficerë të tjerë, që tentuan për me hy brenda nga dritaret. Pas vrasjes së tyre, forcat e ushtrisë morën urdhër, që ta minonin shtëpinë, pasi po zbardhte drita dhe ajo ngjarje do të bënte bujë të madhe. Pas atij urdhri ata i vunë dinamitin shtëpisë dhe Mëhilli mbeti i vdekur, nën rrënojat e saj. Kur janë futur ushtarët për të marrë kufomën e tij, thuhet se e kanë gjet me një plagë plumbi në kokë, pasi ai kishte vrarë veten. Pas vrasjes së tij, oficerët u dhanë urdhër disa fshatarëve, që kufomën e tij ta groposnin diku në një vend aty afër. Por fshatarët iu përgjigjën se aty ishte zakon, që nuk mund të varrosej njeri jashtë varrezave të fshatit, prandaj po të donin le ta merrnin vetë kufomën e tij dhe ta çonin ku të donin. Pas kësaj një nga oficerët iu tha: ‘Groposeni ku të doni atë kërmë’. Fshatarët e zonës e morën trupin e Mëhillit dhe e varrosën, diku në një cep të varrezave të fshatit të tyre, duke i vënë edhe një shenjë”, kujton Nikoll Pëllumbi, lidhur me ngjarjen e bujshme të vëllait të tij.
Masakra mbi familjen Pëllumbi
Dy-tre ditë pas asaj ngjarje të bujshme, që pati jehonë të madhe deri në Tiranë, ku krerët më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes u thirrën në Qeveri, forcat e Sigurimit të Shtetit, të nisura nga Dega e Brendshme e Shkodrës, mbërritën në fshatin Gjuraj, ku ishte shtëpia e Mëhill Pëllumbit. Lidhur me këtë, i vëllai i tij, Nikolla, tregon: “Lajmin e vrasjes së Mëhillit na e mësuam nga Kryetari i Këshillit të fshatit tonë, i cili erdhi e na dha mandatën, e pas tyre erdhën edhe forcat e Sigurimit, nga Shkodra, të cilët pasi i vunë hekurat babës e morën me vete. Pasi e mbajtën gjashtë muaj në hetuesi, babën e nxorën në gjyq dhe i dhanë pafajësinë, duke e liruar në sallën e gjyqit. Kjo ndodhi pasi ai u shpreh: ‘Unë nuk mbaj përgjegjësi për atë çka ka bërë djali im, pasi që nga dita që ua kam dorëzue ju, unë nuk kam pasë mundësinë me e taku asnjëherë’! Ndërkohë që u lirue baba, vëllai tjetër, Marku, (që në atë kohë nuk ishte më shumë se 17-18 vjeç) kishte ik nga shtëpia e rrinte maleve dhe qeveria e shpalli person në kërkim. Në atë kohë Marku u bashkua me Lazër Palin e njerëzit e tjerë të malit, që ishin arratisë për arsye politike dhe ra disa herë në përpjekje me forcat e Sigurimit të Shtetit, të cilat mundën, ta arrestonin dy herë dhe dy herë ai mundi t’ju ikte atyre. Pasi kishte hyrë e dalë disa herë brenda kufirit, më 26 dhjetor 1952, Marku u rrethua nga forcat e Degës së Brendshme dhe mbeti i vrarë prej tyre në fshatin Gruemirë, ndërsa dy shokët e tij, Lazër Pali e Kol Leka, mundën që ta çanin rrethimin. Atë ditë që u vra Marku, forcat e Sigurimit mundën të kapnin edhe vëllanë tjetër, Pretashin, (17-vjeçar) i cili ishte bashkë me Markun në arrati, kurse një kushëri i yni, Kol Gjoka, mundi të arratisej dhe iku në Jugosllavi dhe prej aty në Australi. Pas kapjes së Prenushit, forcat e Sigurimit, erdhën në shtëpinë tonë dhe arrestuan edhe motrën, Pashkën, pasi ajo për një kohë të gjatë, ishte ndjekur prej tyre, kur furnizonte me ushqime Markun e shokët e tij të malit. Atë ditë sapo morëm vesh vrasjen e Markut, unë dhe nana shkuam menjëherë aty, sepse vendi i ngjarjes, nuk ishte shumë larg prej vendit ku banonim, ne në atë kohë. Në varrimin e tij prej njerëzve të Sigurimit, kemi qenë prezent edhe unë me nanën, pasi na lejoi Kryetari i Këshillit, Dervish Meti (Hasanaj). Pak ditë më vonë, u bë edhe gjyqi i Pashkës e i Prenushit, të cilët i dënuan me akuzën “bashkëpunim dhe strehim kriminelësh”. Pashka u dënua dhjetë vjet burg, nga të cilat ajo bëri vetëm shtatë, kurse Prenushi u dënua pesë vjet dhe bëri vetëm tre vjet burg”.
Zhvarrimi i Markut në 1959-ën dhe Mëhillit në 1993-in
Vrasja e vëllait tjetër, Markut, si dhe burgosja e Pashkës dhe Prenushit, ia shtuan edhe më shumë vuajtjet familjes së Pëllumb Pjetër Pëllumbit, të cilin komunistët e kishin shpallur “familje reaksionare” dhe e internonin vazhdimisht, me gjithë fëmijët e tjerë që i kishin mbetur në shtëpi. Lidhur me këtë, Nikoll Pëllumbi tregon: “Që nga ngjarja e Mëhillit në 1947-ën, për familjen tonë pati vetëm ditë të zeza dhe na thoshin se edhe lopatën e kishim tepër. Por edhe pse në ato kushte, unë nuk i harroja kurrë dy vëllezërit që më ishin vrarë, nga komunistët. Markut ia dija vendin se kisha qenë vetë prezent, kur ishte varrosur, ndërsa për Mëhillin nuk kisha asnjë të dhënë se ku preheshin eshtrat e tij. Në vitin 1959, me ndihmën e një mikut tonë (Islam Idrizit) që ishte përgjegjës i traktoristëve, unë munda që t’i ç’varrosja fshehurazi eshtrat e Markut dhe pasi i futa në një thes, udhëtova gjithë natën dhe shkova dhe i varrosa po fshehurazi në varret e të parëve tanë në fshatin Gjuraj. Ndërsa eshtrat e vëllait tjetër, Mëhillit, mundëm që t’i gjenim vetëm në vitin 1993, falë dashamirësisë së banorëve të fshatit Çarshovë të Përmetit. Pavarësisht se në ç’rrethana kishte ndodhur vrasja e vëllait tonë, fshatarët e Çarshovës, jo vetëm që i kishin ruajt ato, por na respektuan shumë duke na i bërë të gjitha nderet dhe e quanin Mëhillin, trim të madh”, e përfundon rrëfimin e tij, Nikoll Pëllumbi, mbi historinë tragjike të familjes së tij./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016