• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Monday, May 19, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime

“Te ‘Burgu i Ri’, do mësojsha dinamikën e vrasjes së Bardhosh Danit, Brahim Dërgutit e Mark Cacës, të cilët duke dasht me u arratis, ishin tradhëtue e spiunue prej…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Pas pushkatimeve për bombën në ambasadën sovjetike, kur Voroshillovi, në prani të Stalinit, i tha; ç’bën kështu, more Enver, i sose shqiptarët, 1 milion janë’, ai u përgjigj…”/ Dëshmia e Liri Belishovës
“Sulço begu, natën për acar, doli i vetëm prej shtëpisë së nipit ku ishte fshehë, por fuqitë e lanë te porta e komunistit Ramiz Mustafa, ku nana e tij po komuniste, e…”/ Historia tragjike e mikut personal të Zogut
“Te ‘Burgu i Ri’, do mësojsha dinamikën e vrasjes së Bardhosh Danit, Brahim Dërgutit e Mark Cacës, të cilët duke dasht me u arratis, ishin tradhëtue e spiunue prej…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
“Pjerin Kçira, ish-hetues i pushkatuem për shpërndarje traktesh kundra pushtetit, tha në gjyq: ‘armët në Kishë i ka fut Sigurimi…”/ Dëshmia e Padër Leon Kabashit
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit

Nga Ahmet Bushati

Pjesa e tridhjetenëntë

Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.

Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

Gjithashtu mund të lexoni

“Ferit M., e kishte kthy shtëpinë në zyrë hetuesie, ku në nji orë të caktueme, do të ishin të detyruara t’i vinin disa prej vajzave të gjimnazit të Shkodrës, që duke u dridhë…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“I ligu Sirri Çarçani që ishte dërgu me mision nga Tirana pas prishjes me Jugosllavinë, hyni në qelinë time dhe më tha; e shikon atë qoshe, aty do të varim ty, sepse…”! / Kujtimet e Ahmet Bushatit

                                                 Vijon nga numri kaluar

                                                   Në Gjurmët e një ditari

Ma të parin njeri Nush Simoni, do të ma prezantonte në distancë, Pjerin Kçirën me pseudonimin modest “Shkoza”, që ishte shoku ma intim i Nushit, të cilin ai, aq sa e donte edhe e respektonte, pavarësisht se ishin shokë e moshatarë. Pjerini – sikurse edhe unë – u mbante i vetëm në nji birucë që binte përballë asaj të Nushit e, diagonale me timen. Pjerini me atë rast, mbasi më pyeti për gjendjen time fizike, shprehu keqardhje e dhimbje për vuajtjet që kisha heqë. Qysh atë natë, ai do të më thonte: “Ça ke hekë ti”?! e mandej do të më pyeste: “A më kujton”? dhe kur unë t’iu përgjigjesha “Jo, s’të kam pa asnjiherë”, – ai i çuditun, do të vazhdonte: “Po si asht e muejtun që s’më kujton, kur në fakt unë kam qëllue me të pa, ç’ka të bajshin e sa m’u dhimbshe, por s’kisha ç’ka me ba”?!

Pjerini kishte të drejtë t’u çudiste që unë nuk e kujtojsha atë dhe rastin e torturës, përderisa ai nuk dinte gjendjen time inkonshiente të asaj periudhe. Prej Nushit atë natë mësova se të burgosunit, tue përfitue prej qëndrimit disi të zbutun të policëve e eprorëve të tyne, kishin disa ditë që flitshin njeni me tjetrin e, se disa herë më kishin pasë thirr edhe mue, por që unë s’i kisha ndigjue. Unë sot, s’i gjej ato fjalë të bukura që do të mundshin me shprehë kënaqësinë e madhe që pata ndie prej kontakteve të para, sidomos me Nushin. Prej gëzimit, gjumi s’më zinte. M’u dukte se me atë rast po lejsha mbrapa vetminë e nji vorri, brenda të cilit kisha qenë ndrye e, se gysh atë natë po hyjsha në botën e gjallë të njerëzve, ku kishte vend edhe për mue.

Edhe gjatë ditës së nesërme, unë do të vazhdojsha me përshtypjet e bisedave të nji nate të ma parë, si edhe me idenë e gëzueshme, se në mbrëmje, do të bisedojsha përsëri me atë Nushin. Natën e dytë, Nushi në bisedë me mue, nisi të m’i bajë të njohun të burgosunit birucë për birucë e, emën për emën, tue pasë fillue prej asaj me nr. 1 e, në vazhdim, dhe kur arriti te ajo nr. 7, ku u ndodhte Refik Bushati, ndoshta bashkë me Emil Milotin, unë e ndërpreva tue i thanë që të më lidhte me Refikun, gja që Nushi e realizoi në çast. Refiku nga ana e tij, megjithëse ishte ma i mbrojtun se të tjerët si në fund të korridorit që ndodhej me birucën, i ra për shkurt e s’foli veç dy fjalë, dy fjalë që për nga përmbajtja, do të kishin ma vlerë se të gjitha bisedat që unë kisha zhvillue deri atëherë me të tjerë.

Tue kërkue që të më njoftonte për çfarë ishte ma e rëndësishme për mue, ai tha: “Ahmet, Bardhosh Dani asht vra e, Simja asht mirë”, Vetëm kaq foli Refik Bushati dhe unë përnjëherë ndjeva se zemra po më rrihte me aq forcë, tamam si t’ishte nji gja e huej brenda gjoksit tim. Si ishte e mundun që Bardhoshi t’ishte vra, gja që as mund ta kisha imagjinue ndonjiherë?! Kambët m’u këputën menjëherë, ndërpreva bisedën me Nushin e me lot ndër sy, u lëshova mbi shtrojë, tue kujtue me mall Bardhin e, jetën e tij prej djali të vetëm, moshën e tij shtatëmbëdhjetë vjeçare, familjen e tij me ma të thellin pikëllim, po edhe entuziazmin e tij për misionin që kishte pasë marrë përsipër.

Ishin dy lajme me përmbajtje të kundërta, dhe e vërteta që se dhimbja për vdekjen e Bardhoshit, nji herë përnjëherë e eklipsoi e zbehu shumë gëzimin që do të provojsha mbrapa, prej sigurisë që Simja ishte e lirë. Më duhet të pohoj se bashkë me tronditjen ma të thellë për vdekjen e Bardhoshit, – me të cilin kishim kalue si vllau me vëlla, disa vite fëminije e dy familjet tona si të kishin qenë të nji shtëpie – por mbrapa, si të kishte ra disi vala e pikëllimit për vdekjen e Bardhoshit, nisa të ndjej nji krenari, ndonëse disi nervoze, për faktin se rezistenca antikomuniste e studentëve të Shkodrës, po u afirmonte jo vetëm me punë e burgje, po edhe me gjak.

Kur të shkojshim në Burg të Ri, unë do të mësojsha dinamikën e vrasjes së Bardhosh Danit, Brahim Dërgutit e Mark Cacës. Kur kishte kenë dekonspirue grupi “Përpjekja Shqiptare”, këta të tre kishin vendosë që të kalojshin kufinin me çdo kusht, por kur kishin vërejt se kufini u ruente prej forcash të armatosuna, do t’u kthejshin edhe nji herë në Shkodër, dhe mbasi brenda ditës të sigurojshin nji armë, me anë të Brahim Dërgutit, do të merrshin përsëri drejtimin për në kufi, ku përfundimisht, të tradhtuem prej nji farë Sait Mustafet prej Vithgarit të Anës se Malit, do t’u vritshin, tue iu pasë përgjegjë zjarrit me zjarr.

Asht rasti këtu me përmendë nji shok timin qyshkur ishim fëmijë, Nexhat Metën, që ishte arrestue ndër ato ditë, tue pasë qenë mësues diku andej kah Vukli i Malcisë së Madhe. Meqë birucat ishin të mbushuna me të burgosun, Nexhatin e lidhun dueresh e kambësh me zinxhirë, e kishin përplas në fund të korridorit, kah ana e jonë. Qysh prej kësaj kohe, detyrën e survejimit të policit, do ta merrte përsipër Nexhati, i cili, sa herë që të niste me lëvizë polici, ai do të jepte sinjal tue përplasë zinxhirët. Me dheta herë do ta paguente Nexhati i shkretë përdorimin e këtij “kodi”, që nuk vonoi me u zulue prej policëve, të cilët s’do ta besojshin Nexhatin, kur t’u thonte se; “zinxhirët i lëvizte prej dhimbjeve që ata i shkaktojshin ndër duer e kambë”. I burgosuni, si për nji thirrje që vetvetiu i vjen prej brenda, gjenë kënaqësi të veçantë në çdo sakrificë që ban në emën të solidaritetit me shokët e tij të vuejtjes. Nexhat Meta qe nji ndër ta.

Nush Simoni, shpon murin që e ndante me mue!

Kishte disa netë me radhë, që tue fillue prej mesnate e mbrapa, në murin që më ndante me Nushin e, pikërisht te ajo pikë që i korrespondonte njenit vesh timit, kur unë t’isha i shtrimë në dyshek, herë mbas here po më shqetësonte nji si gërvishtje e ashpër që u ndigjonte në mur, a si t’ishte nji bremje e bezdisshme arrçi, si ato që ishim mësue t’i ndigjojshim dikur gjatë verës poshtë dyshemeve prej dërrase të shtëpive tona të vjetra. E sidomos nji natë, kund mbas nja nji jave shqetësimi të vazhdueshëm, atë gërryemje unë do ta ndigjojsha se po vepronte edhe ma me ashpërsi e kambëngulje, po edhe ma për së afërmi, deri kur papritmas, falë fatkeqësisë e rrethanave që të burgosunit i japin durim e forcë shpikjeje, ai fill teli do të arrinte që mbas nji jave pune, të përshkonte ma në fund triumfalisht tejpërtej atë mur që ndante birucën e Nushit me timen, me ç’rast ai do të më thirrte menjiherë me za të ulët: “Ahmet, Ahmet”!

Ku ishte gëzimi i jonë kur filluem me folë! Po flitshim si në telefon: kur njeni fliste me buzë të mbledhuna rreth harkut të vogël të vrimës, tjetri në anën tjetër të murit, do të kishte rasë veshin për vrimë, e kështu anasjelltas si mbas radhës. Në nji birucë me Nushin u ndodhte edhe nji i burgosun tjetër, njifarë Gjon Bushit, i ri në moshë e brun, i butë e i qeshun përherë dhe me sa u dukte, nën pushtetin absolut të Nushit.

Dy do t’ishin ngjarjet ma të rëndësishme që unë mësova atë natë prej Nushit: Enver Hoxha kishte qenë prishë qysh në qershor me Jugosllavi, pra gjashtë-shtatë muaj ma parë, dhe se rreth dy muaj ma parë, ai kishte shpallë të ashtuquejtunën “kthesë” të famshme, me anë të së cilës kërkonte që të shlyente para popullit, mëkatet e tij e të partisë që drejtonte, tue ia ngarkue të gjitha vartësit të tij, Koçi Xoxes, që deri atëhere kishte qenë ministër i Brendshëm e, i dyti në hierarki. Prej Nushit unë për herë të parë zgjidha përfundimisht enigmën e ndërprerjes së torturave, si dhe shkakun e frymës paqësore që kishte pasë vizita e Sirri Carçanit, pak ditë ma parë.

Me Nushin atë natë biseduem deri vonë e vonë. Ndër tjera, prej tij unë mora vesh se aty nuk u ndodhshin ma shokët e mi, e në përgjithësi as të burgosunit e tjerë të para pesë-gjashtë muajve, të cilët ishin transferue ndër burgje tjerë, kryesisht në atë të “Gestapos”, me qëllim që në këtë burg të Sigurimit, të lirojshin vend për të arrestuemit e kohëve të fundit. Mes tjerëve, figuronte edhe emni i Mark Shllakut, për të cilin shkurtimisht kemi folë nji herë, e që tue përfitue prej rastit, vemë në dukje edhe se, ndërsa vetë Marku mbas shumë torturash ishte dënue me vdekje e pushkatue, i vëllai i tij Hila, tue pasë shkelë mbi gjakun e të vllaut, prej frikës e presionit që i ishte ba prej Sigurimit, kishte pranue me u ba spiun, tue mbrrijtë me penetrue me të pabesë brenda grupit të të arratisurve Mirakaj, që vepronte ndër male të Pukës.

Prej Nushit mësova se aty ndodhesh gjithnji Pretash Nika, malcuer e ish-oficer i dalë prej luftet, bashkë me të birin ende të parritun mirë, Nikën, nji djalë i mrekullueshëm e shok me ne, ma vonë. Aty edhe ish-oficeri tjetër prej Malcijet e, komunisti i vjetër Gjeto Keqi, që siç kemi tregue, kishte marrë pjesë në Luftën e Spanjës e, që prej birucës së tij, kur t’i gjente rastin, do të na recitonte vjershat e tij satirike, me të cilat ironizonte, jo pa talent, ish-shokët e tij të luftës, të kthyem në karrieristë e, “me spaleta mbi supe”. Sa kishte qenë në fuqi Koçi Xoxe, Gjeto Keqin do ta akuzojshin për lidhje me “tradhtarin” Mehmet Shehu, dhe kur mbas pak ditësh ky i fundit t’u bante ministër i Brendshëm, Gjeto Keqin do ta akuzojshin për titist dhe të lidhun me Koçi Xoxen!

Nji ditë Gjetoja, tue debatue ashpër me Rasim Dedën, – që në atë kohë kishte zavendësue Lilo Zenelin si shef Sigurimi – ndërmjet tjerash, do t’i fliste atij shumë i revoltuem: “Kam vuejtë burgjet e Frankos e, mbrapa atë të fashizmit italian, por me burgjet e juaja, nuk ka në botë”! Rasimi, si në pajtim me politikën e partisë e të postit që mbante, do t’iu përgjigjte: “Merre vesh pra Gjeto Keqi, se ky asht terrori i kuq”! Gjetoja, që kishte edhe aq kohë sa t’iu përgjigjet si donte, do t’i kujtonte atij përrallën e Leninit me dhelpnën, që s’e pat vra kur ajo pat nxjerrë lot e, do ta përfundonte “debatin” me të, tue bërtitë me të madhe, se; “Titizmi do të triumfoj nji ditë edhe në Shqipni”.

Aty u ndodhte Gjon Ljarja, që nji vit ma parë kishte pasë marrë maturën, e që si shumë i butë që kishte qenë nga natyra, u donte besue që t’ishte i përjashtuem nga politika. Aty studentët Tom Sheldija, sikurse edhe muzikanti Preng Jakova, që tue përfitue prej kthesës, do t’u lironte bashkë me katër herë të burgosun të tjerë, mes të cilëve edhe disa studentë. Aty njifarë Mirash Gjeket, prej Dedajve të Malsisë së Madhe, si dhe i vorfni Zef Bardhoku, që dikur si partizan me moshë të re, ishte shque për guxim e dalë prej luftet oficer me gradë nëntoger. Aty edhe Gjovalin Mazrreku e Lin Sallaku, që bashkë me Zefin, Nushin e Pjerin Kçirën, do të përbajshin grupin e njohun me emnin e Pjerin Kçirës, të cilët ma s’parit kishin qenë të rinj komunistë e, s’fundi, me Pjerinin në krye, ishin pas organizue në nji grup kundër atij pushteti.

Aty Rasim Hebovia e Qemal Dibra e, ish-partizanët Haki Dibra e Gani Ymeri, si edhe kitarristi Emil Miloti, që para pak kohe kishte kthye prej Austriet, ku kishte ndjekë studimet universitare. Po kështu aty edhe Hilmi Kamata, ish-i ri ballist e shok i ngushtë me Ruzhdi Rrojin, i arrestuem pikërisht për lidhje që kishte pasë me të gjatë kohës që ai kishte qenë në ilegalitet. Edhe Todi Ruho prej Pogradecit aty, ish-partizan e që në dimnin e vështirë të 1944-shit, kishte shërbye si korrier i Enver Hoxhës, kur ai bashkë me Dushan Mugoshën e Miladin Popoviç, u ndodhshin në nji shpellë në mal të Gramozit. E kishin pasë arrestue këtu në Shkodër, ku kishte vazhdue të ishte shef i zyrës së rekrutimi.

Aty ishte edhe i riu Leonard Pema, të cilin tetar Qaniu do ta rrihte fort nja dy-tri herë me rryp beli, mbasi e kishte zanë tue folë me të tjerë. Aty edhe i riu tjetër, Isa Kraja, si edhe Kolec Pikolini, që siç kemi vërejtë ma sipër, bajshin pjesë në grupin e quejtun “Social-Demokrat”, me kryetar Mark Shllakun. Aty edhe profesori Zyhdi Sokoli e, plot të tjerë, që Nushi nuk ua dinte emnat, si edhe nji spiun me emnin Ndue Marku, nji ish-punonjës pyjesh, të cilin Sigurimi e shëtiste nga njena birucë në tjetrën, për qëllimet e veta. Nji oficer Sigurimi, palaçon Ndue Marku, do ta fuste në birucën e tjetrit, tue i ra me shqelma e tue e fye, me qëllim që ai t’u bante i besueshëm prej të burgosunit të birucës, ku ai po u fuste me spiunue. Aty ku u bashkojshin dy korridoret e burgut, në qendër, pikërisht mbas shpine të policit të shërbimit me stol, brenda nji biruce pa numër nga ana e errtë, u ndodhte Bajram Bajraktari, vëlla ma i vogël i Muharrem Bajraktarit.

Studenti Mikel Muzhani, që në atë kohë u mbante i lidhun diku në korridor, do të tregonte se si nji polic lumjanë, ditë për ditë do t’i fuste atij fshehtas gështenja të zieme. E pyta Nushin në se u ndodhte aty edhe nji malsorë me moshë e trup pak a shumë të madh, të cilin muej ma parë, prej birucës time nr. 9, e kisha ndjekë me simpati për pamjen e tij fisnike, si edhe për nji qëndrim të tij mjaft dinjitoz. Nushi mohoi t’u ndodhte aty nji njeri i tillë. Emnin e tij unë do ta mësojsha mbrapa në burg: ishte pasë quejtë Keq Sadiku e, kishte kenë prej Reçit, i njohun e i respektuem kudo nëpër Malci, si njeri shumë i urtë, që ishte kenë thirr vazhdimisht prej popullit për gjykime të ndryshme, si të kishte qenë juristi i tij.

Ish-partizanët bukëpërmbysun, që te Keq Sadiku kishin gjetë dikur bukë e strehë, si gati në asnji vend tjetër, jo vetëm që e kishin braktisë gjatë ditëve të “delirit” të tyne, por nji ditë do ta futshin në burg bashkë me Taron, të birin e tij, për të cilin malcorët në burg, nuk do të gjejshin fjalë për të vue në dukje cilësitë e tij të mrekullueshme. Si për ma shumë mosmirënjohje e vrasje mizore, edhe për vetë prindin Keq Sadiku, Sigurimi në Koplik, me një farë Et’hem Barbullushi në krye, atë bir të tij, do ta mbyste qysh në mbramjen e ditës së parë të arrestimit, bashkë me Dom Zef Sirdanin, Tom Çunin e Nikë Markun, e trupat e tyne t’i hidheshin në nji gropë W.C.-je., të Degës së Sigurimit në Koplik.

Biseduem gjatë e gjatë atë natë me Nushin, derisa shumë vonë u ndamë tue lanë që t’u takojshim të nesërmen mbrama, porsa t’u ndezshin dritat për ngranëjen e darkës. Nushi më porositi që para se të flejsha, të pregaditsha nji si kapak maskimi për vrimën, e cila u donte të konsistonte në nji përziemje sapuni me pak lesh të nxjerre prej jastekut, të kishte trajtën e nji petulle të hollë e, që t’mos u dallonte prej pjesës tjetër të murit, t’u pudroste me pak pluhun suvaje që binte poshtë murit prej goditjeve, që sidomos ai, në shenj mesazhesh për mue, ushtronte mbi të. Këtë vrimë, Sigurimi nuk do ta zbulonte asnjiherë gjatë qëndrimit tonë aty edhe pse patën ra në gjurmë të saj, aq sa nji natë vetë Ali Xhunga, do të qëndronte me orë mbas derës time, por pa sukses, sepse unë praninë e tij e pata vërejtë qysh në fillim, prej hijes që lëshojshin dy kambët e tij poshtë derës së birucës.

Kur të nesërmen mbrama, të na u ndizshin dritat, në orën e caktueme të ngranëjes së darkës, do t’isha i detyruem prej Nushit me u largue sa ma shumë prej vrimës e, me pozue i shtrimë rranzë murit përballë, ku Nushi, si sy aparati fotografik, të më shikonte, e që mandej shpejt të më thonte si me çudi: “Po ti qeke i ri e, qeke edhe i mirë! Aman ta marrsha t’keqen, rri edhe pak njashtu, se paskam qejf me të pa”! Ma tepër se dy-tri herë atë natë Nushi, do të më përsëriste: “Pasha Krishtin, kah t’shifshem me atë mjekër që kishe e tue ecë me duer e gjunj për tokë, e tue t’u marrë fryma, kujtojshem se ti ishe nja shtatëdhjetë vjeç”!

Nji natë në Burgun e Gestapos dhe lindja e mrekullueshme e nji mëngjesi

Qe nji ditë e ftoftë dimni, por me diell, kur me nji polic para e me nji tjetër mbrapa, më nxorën prej burgut të Sigurimit në rrugë të madhe, pa ditë se ku po më çojshin. Morëm kah e majta dhe shpejt te kryqëzimi i rrugëve, kthyem djathtas për kah “Perashi”. Nuk patëm ecë veç nja pesëdhjetë metra tjerë, kur djathtas u futëm brenda nji rrugice të shkurtë, në fundin e së cilës na u shfaq nji portë e madhe, që do t’ishte ajo e burgut të quejtun i “Gestapos”, i njohun në Shkodër me këtë emën, qysh në kohë të gjermanëve, të cilët atë ndërtesë të madhe banimi, me disa modifikime që patën ba në të, e kthyen në burg.

Në këtë burg u mbajshin ata të burgosun që kishin krye punë me hetimin e, ku zakonisht do të qëndrojshin me muaj e muaj, e ndonjiherë e dhe nji e dy vjet, në pritje të daljes në gjyq. Si kaluem oborrin e tij, u ndodhëm brenda nji hajati, ku për disa minuta ata të personelit e atij burgu, nuk po dijshin ku të më vendosshin, derisa aty të vinte Ali Xhunga, për të më ballafaque me nji të burgosun. Përkohësisht më futën në thellësinë e errtë të nji nënshkalle, ku m’u deshtën disa minuta kohë, derisa të më vinte drita e syve e, kur unë të shifsha se rretherrotull vendit ku isha ulun, s’kishte pasë veç copa dërrasash e drushë të hedhuna dosido për djegëje, e se fare pranë meje, po rrijshin të qetë disa këlysh qeni, që për pak sa nuk i kisha pasë shkelë me kambë.

Mbas nji qëndrimi prej rreth dy orësh aty, më ngjitën nalt në nji dhomë të madhe me dysheme e tavan dërrase, ku do të më bante përshtypje madhësia e drita e saj e bollshme. Ajo dhomë ishte krejtësisht e zhveshun dhe, tue përjashtue nji derë të përforcueme me nji shul të madh përmbrapa e, nji sportel të hapun në të, nuk kishte tjetër gja, që t’u merrte për nji dhomë burgu, të cilën Ali Xhunga, për pak kohë, do ta improvizonte në zyrë hetuesie, tue pasë futë brenda saj për atë rast, vetëm nji tryezë e nji karrige ma se të randomta, që duket se i përdorte vetë përgjegjësi i pa pretendime i atij burgu. Si mbaroi punë me mue Ali Xhunga, unë, si i mësuem q’prej nji viti me nji birucë të vogël, ajo dhomë po më dukej e madhe, sa njì fushë futbolli.

Mbasditja qe e shkurtë e nata ra shpejt. Policat nuk po vijshin me më marrë. Mendjen e kisha te burgu në Sigurim, te ajo birucë e ime e errët, ndër ma të errtat e atij burgu, me të cilën unë isha mësue aq shumë. Mbi gjithçka mendjen e kisha te vrima me Nushin e, te bisedat me të burgosun të tjerë. Po kur në sportel u duk fytyra e zeshkët e me vetulla të trasha e nji shkodrani të njohun nga pamja, që aty ishte përgjegjës e me gradë aspirant, e që me atë rast po më zgjaste nji copë bukë të zezë, unë me keqardhje hoqa dorë prej shpresës, për t’u kthye atë natë në birucën time.

Brenda kësaj dhome të madhe kishte dritë elektrike, që për siguri, nuk u fikte asnjiherë gjatë natës, kurse përjashta, errësinë e plotë. Tue mos pasë ç’me ba dhe i lodhun siç isha, u shtrina me fjet mbi të vetmin minder që kishte dhoma, i cili u zgjaste poshtë tri dritareve të saj. Nji herë për njiherë, gjumi më zue shpejt, po shumë shpejt edhe më duel, prej të ftoftit të natës.

Dikur ma në fund do të kalojshin edhe orët e fundit të asaj nate të gjatë dimni, qe mëngjesi, nji mëngjes i acartë, por me kohë të mirë, të niste me feksue, në fillim si i përhimtë e me pak mjegull, për t’u sqarue pak nga pak prej nji drite të ndezun si n’ar, që po dilte pa u kuptue e me shumë hir prej mbrapa kreshtës se atij mali, që po e kishte emnin “Shita e Hajmelit”, dritë që gjithnji e ma tepër shkonte tue u përhapë paqësisht, deri larg nëpër horizont.

Nuk pat qenë çue ende dielli mbi atë majë mali, kur poshtë në oborr të burgut, unë do të ndigjojsha zanin e dy burrave që po dilshin prej ndërtesës së burgut, tue folë me njeni-tjetrin. Njeni kishte qenë polici, kurse tjetri, i burgosuni me fshesë e kovë në dorë, që unë e njoha menjiherë: vetë Visho Barbullushi, kojshi me shtëpi e kushri me ne, që shumë shpejt filloi të fshinte oborrin. Memorie.al

                                                     Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Deda, i biri i Gjon Markagjonit, lindur në Orosh dhe me banim në sektorin Gjazë të rrethit të Lushnjes, t’i ndalohet qarkullimi në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe...”/ Vendimi i Komisionit të Internim-Dëbimeve, shkurt ‘72

Next Post

"Nga serenatat e Korçës te këngë himn të muzikë së lehtë në festivalet kombëtare në Radio-Televizion dhe Trieste ..."/ Rrugëtimi i "Mbretëreshës" së teksteve që i këndoi shpirtit të një kombi

Artikuj të ngjashëm

“Premtimi i rrejshëm i Sigurimit: Ruzhdi Rroji dhe dënimi i pashmangshëm i tij…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosuri politik, për tradhtinë e Qamil Gavoçit e Lilo Zenelit dhe ndërhyrjen e Abaz Bekteshit!
Kujtime

“Ferit M., e kishte kthy shtëpinë në zyrë hetuesie, ku në nji orë të caktueme, do të ishin të detyruara t’i vinin disa prej vajzave të gjimnazit të Shkodrës, që duke u dridhë…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Pas 34 vitesh, kur u hap varri i At Serafinit, nga infermierja Marie, një besimtare katolike, që kishte varrosur vetë, u gjet…”/ Historia e trishtë e fratit që vdiq nën torturat e Sigurimit, në 1947-ën
Kujtime

“I ligu Sirri Çarçani që ishte dërgu me mision nga Tirana pas prishjes me Jugosllavinë, hyni në qelinë time dhe më tha; e shikon atë qoshe, aty do të varim ty, sepse…”! / Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Aq shumë më kishte torturue hetuesi, Ali Xhunga, saqë s’lëvizja dot dhe më mbanin policët për krahësh e, kur ai më futi tytën e revoles në gojë, që unë të hapja sytë, luta zotin…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Aq shumë më kishte torturue hetuesi, Ali Xhunga, saqë s’lëvizja dot dhe më mbanin policët për krahësh e, kur ai më futi tytën e revoles në gojë, që unë të hapja sytë, luta zotin…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Kur dola në korridor me shku në W.C. dhe polici nuk e kishte mendjen, i djegur nga etja, futa kokën në kovë, por tetar Qaniu, pasi bërtiti; lëshoje, lëshoje, më qëlloi…”/ Dëshmitë e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Ali Xhunga, i përkiste atij lloji të pështirë hetuesish, si dikur Zhozef Fushe i Francës, që kishte kuptue në kohën e duhun, se për të ba karriere, duhej…”! / Dëshmia e ish-të burgosurit politik, Ahmet Bushati

May 19, 2025
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Hetuesi im i ri, Ali Xhunga, një shkurtabiq nga fshatrat e Përmetit, që ngrefosej me i dhanë vetes autoritet, pasi më mbajti tre muaj varun në qeli, filloi torturat me…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
Next Post
“Nga serenatat e Korçës te këngë himn të muzikë së lehtë në festivalet kombëtare në Radio-Televizion dhe Trieste …”/ Rrugëtimi i “Mbretëreshës” së teksteve që i këndoi shpirtit të një kombi

"Nga serenatat e Korçës te këngë himn të muzikë së lehtë në festivalet kombëtare në Radio-Televizion dhe Trieste ..."/ Rrugëtimi i "Mbretëreshës" së teksteve që i këndoi shpirtit të një kombi

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!