Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.al / Ka qenë mëngjesi i 1 shtatorit të vitit 1976, kur punëtorët e ndërmarrjes së Peshkimit që mbërritën të parët në vendin e tyre të punës që ndodhej në bregun e liqenit të Shkodrës afër fshatit Shirokë, konstatuan se çuditërisht aty mungonte roja e ndërmarrjes së atij sektori, si dhe dezhurni i zyrave, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë?! Kjo sepse, veç të tjerash, aty ndodhej edhe moli ku ishin ankoruar të gjitha varkat e peshkimit, që të lidhura me kavo çeliku dhe të kyçura me çelës, konsideroheshin si objekti i rëndësisë së veçantë e, ishin nën kontrollin e ruajtjen e dyfishtë, si nga ana e ndërmarrjes së peshkimit, ashtu dhe nga posta e Kufirit që ndodhej në fshatin Zogaj, ku ishte dhe kufiri shtetëror me Malin e Zi, asokohe pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë së Marshallit Tito.
Edhe pse vazhdonte të binte një shi të rrëmbyer dhe me shtrëngata, që kishte filluar që nga mesnata e kaluar, peshkatarët filluan të kërkonin rojën dhe dezhurnin e ndërmarrjes së tyre, duke i thirrur ata me emër, por më kot, se askush s’përgjigjej? Por pas pak, ata shtangën në vend dhe u tmerruan, kur vetëm pak metra larg magazinës së peshkut, panë të shtrirë në tokë dhe pa shenja jete, një kufomë…! Ishte roja 50 vjeçar, Fadil Rizaj, i cili prej disa vitesh shërbente në atë detyrë. Askush nuk guxoi ta prekte me dorë, pasi ai jo vetëm se ishte i gjakosur dhe me shenja të dukshme në kokë e në trup, por duart i kishte të lidhur me litar nga prapa trupit dhe gjithashtu edhe organet e frymëmarrjes, të lidhura me një leckë pas kokës…! Çka nënkuptonte qartë, se atë e kishin vrarë…!
Pas asaj skene tmerri, disa nga peshkatarët vrapuan për tek zyrat për të telefonuar shefat e ndërmarrjes së tyre dhe Degën e Brendshme gjithashtu, por linja telefonike ishte e këputur dhe lidhja me Shkodrën nuk mund të realizohej…! Ndërkohë nga kontrollet e tjera për të gjetur dezhurnin e ndërmarrjes, u konstatua gjithashtu, se në molon në breg të liqenit, mungonte njëra nga lundrat, (varkat e peshkimit), pikërisht ajo që njihej si; “Lundra e Shëndetësisë”, si dhe kasaforta që mbante çelësat e tyre, ishte e thyer me levë!
Ndërkaq ishte dhënë alarmi dhe aty ja bëhen disa nga efektivët dhe shefat kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, të cilët konstatuan menjëherë, se jo vetëm se kishin të bënin me një krim të rëndë, por edhe me një arratisje me varkë nëpërmjet liqenit, gjë e cila veç të tjerash, do e rëndonte edhe pozitën e tyre para eprorëve në ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë. Ndërkaq lajmi mori dhenë dhe grupi hetimor me ekspertët përkatës filloi menjëherë nga puna, për zbulimin e krimit që kishte ndodhur dhe zbardhjen e gjithë asaj ngjarje, që disa ditë më pas do trondiste jo vetëm qytetin e rrethin e Shkodrës, por gjithashtu edhe Tivarin, Titogradin dhe Ulqinin në Malin e Zi!
Po ç’kishte ndodhur në të vërtetë, kush dhe pse e kishin vrarë rojën e Peshkimit Fadil Rizaja? Sa veta ishin arratisur dhe çfarë kishte ndodhur në mesnatën e 31 gushtit, duke u gdhirë 1 shtatori 1976, teksa binte një shi i dendur dhe me gjëmime e shtrëngata, që thuhej se nuk mbahej mënd ndonjëherë, edhe nga banorët më të moshuar të atyre anëve? Përse disa trupa të pajetë u gjetën në bregun e liqenit në pjesën jugosllave dhe një kufomë tjetër në anën tonë të kufirit, në afërsi të postës së kufirit në fshatin Zogaj? Si mundi të dilte me not në në pjesën e liqenit që i takonte kufirit të Republikës Federative të Jugosllavisë, autori kryesor i asaj arratisje, në atë natë të errët me shi, dallgë dhe stuhi?
Kush ishte Hamit Arif Myrto dhe çfarë u tha ai fillimisht banorëve të asaj zone, kur e panë në rrugicat e fshatit të tyre krejt të zhveshur, si dhe organeve kompetente jugosllave, lidhur me arsyet e arratisjes? Për çfarë e pyesnin Hamitin organet e UDB-së gjatë procesit hetimor në disa zyra të veçanta në Tivar, Titograd dhe Ulqin, ku e dërgonin duke i ndërruar shpesh vendin, “shokët” e qelisë dhe hetuesit që e merrnin në pyetje? Çfarë ju deponoi ai kur e pyesnin për bazat e repartet ushtarake, repartin e raketave e tjera instalime që ndodheshin asokohe në në rrethin e Shkodrës, si dhe traktet që ishin hedhur ato ditë në atë qytet, kundra Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës?
Çfarë ju tha Hamiti organeve të UDB-së, lidhur me kunatin e tij, ministër në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, e gjithashtu një nga njerëzit më të afërt të diktatorit Enver Hoxha, i cili qëndroi në atë detyrë deri në shembjen e regjimit komunist? Kush ishte “fotografi” nga Shkodra që ishte arratisur para disa vitesh në Jugosllavi dhe përse të gjithë hetuesit e pyesnin Hamitin, pikërisht për atë person? Përse autoritetet jugosllave të UDB-së vendosën dhe e kthyen Hamit Myrton në Shqipëri, duke ua dorëzuar organeve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, edhe pse ata ishin të bindur, se atë nuk e kishin dërguar me mision sekret?
Çfarë deponoi Hamiti gjatë procesit hetimor, si për arsyet që e kishin detyruar të ndërmerrte atë aventurë të rrezikshme e, gjithashtu të gjitha ato çka ai kishte treguar para UDB-së? Çfarë shkruante Hamiti në letrën drejtuar Enver Hoxhës për ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku dhe si u bë e mundur gjetja e asaj letre në shtëpinë e tij në Shkodër? Çfarë deponuan gjatë procesit hetimor familjarët e Hamitit, të afërmit, fqinjët, shokët e punës, brigadieri, drejtori i ndërmarrjes së Peshkimit, kryetari i Këshillit Popullor të Lagjes “Partizani” ku ai banonte, e të tjerë persona që u thirrëm për të dëshmuar ndaj tij, në vjeshtën e vitit 1976?
Përse gjyqi ndaj Hamit Myrtos u zhvillua në fshatin Shirokë, sa u dënua ai nga Gjykata e rrethit të Shkodrës, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe përse Presidiumi Kuvendit Popullor, la në fuqi vendimet e tyre, për dënimin e tij me vdekje (me varje në litar) edhe pas asaj tragjedia të tmerrshme që i kishte ndodhur atij; ku humbi të gjithë familjen? Cilat ishin fjalët e fundit që Hamiti tha para skuadrës së pushkatimit dhe përse edhe sot e kësaj dite, nuk është gjetur ende varri i tij, ashtu si dhe të bashkëshortes dhe dy djemve të tyre, që ndodhen në anën tjetër të kufirit, në Malin e Zi?!
Lidhur me këto dhe të tjera nga ajo ngjarje nga më të rëndat e tragjiket që ka përjetuar rrethi i Shkodrës në ato vite dhe Mali i Zi gjithashtu, na njohin dokumentet arkivore të dosjes voluminoze përkatëse që ka siguruar Memorie.al, të cilat po i botojmë në disa numra (me faksimilet dhe fotot përkatëse), me qëllimin e vetëm, për të zbardhur dhe për të bërë të njohur krimet monstruoze të ndodhura në atë kohë, ku shqiptarët, për t’i shpëtuar ferrit komunist, detyroheshin të ndërmerrnin aventura nga më të rrezikshmet drejt kufirit shtetëror, ashtu si personazhi kryesor i kësaj ngjarje, Hamit Arif Myrtja!
AKT-AKUZA E HETUESIT TË DEGËS SË BRENDSHME TË SHKODRËS, JAKE TEFIKU, DËRGUAR PROKURORISË SË RRETHIT PËR GJYQIN QË DO ZHVILLOHEJ NDAJ TË PANDEHURIT HAMIT ARIF MYRTJA
MIRATOHET Dosja hetimore 344
PROKURORI
Faik Minarolli
AKT – AKUZË
Kundër të pandehurit
HAMIT ARIF MYRTAJ
Të dy bjen dakord dhe vendosin t’i thonë rojës se; “ishin në Oblikë te daja dhe se atje u vonuan, Hasija është e lodhur dhe nuk mund të çonte në shtëpi, por do të qëndrojë këtu e ditën e dytë do të shkojmë në një vend se Hasijes i ka vdekur një njeri i afërm i saj”. Kur mbërritën në godinën e administratës së Peshkimit, roja trime, Riza Rrezia ishte në krye të detyrës, duke ruajtur pasurinë. Ay e ndaloi dhe kur mësoi se ishte nëpunësi i rojës Hamit Myrtja, për të cilin kishte marrë dijeni qysh më parë prej rojës dorëzuese, e lejoi atë dhe i pandehuri Hamit, u fut brenda së bashku me gruan e tij e fëmijët. Prezenca e Hasije Myrtos dhe fëmijët e saj të mitur natën vonë, i tërhoqi vëmendjen dhe e vuri në dyshim rojën Fadil. Mirëpo, dhelpëria e të pandehurit Hamit, për disa çaste ja hoqi këtë perde dyshimi.
Merimanga helmatonjëse nuk jepte asnjë shenjë shqetësimi për planin që do të realizonte, ay qëndronte si xhelat në gatishmëri, me mjetet e vdekjes në dorë mbi rojën trime. Përbindëshi Hamit Myrtja, e vuri në dijeni rojën Fadil se gjoja kishte kenë në Oblikë tek daja, se ishte i lodhur, dhe u vonua pak, se gruas tij i kishte vdekur një njeri i afërt dhe të nesërmen në mëngjes, do të shkonin së bashku me të në varrim. Duke i besuar fjalëve të pandehurit Hamit, roja Fadil Rrezia, me ndershmërinë dhe me sjelljen që e karakterizonte, e këshillon të pandehurin Hamit, që t’i çonte gruan dhe fëmijët e tij në shtëpi, për t’i rehatuar dhe pastaj të kthehej në detyrë.
Në këto çaste tradhtarja Hasije Myrtja, në zbatim të porosisë së të pandehurit Hamit, e për ta bindur rojën Fadil, i afrohet këtij dhe i thotë: Sot do qëndroi këtu së bashku me fëmijët, se jam e lodhur, nuk mund të shkoj në shtëpi, fëmijët duan të flenë, prandaj më rregulloni të fle në korridorin e zyrave të administratës. Në këtë rast i pandehuri Hamit, pa pritur aprovimin e rojës Fadil, merr dyshekun e nëpunësit të rojës dhe ngjitet në korridorin e zyrave të administratës. Aty vendos gruan dhe fëmijët për t’i maskuar, nën pretekstin se do të flinin. Pasi i rregulloi dhe i maskoi këta, ju afrua rojës Fadil, indirekt i provokon mendimet dhe kur pa se roja Fadil nuk i favorizoi shprehjet e tij, menjëherë tërhiqet dhe aty për aty, me qëllim që t’u humbiste ndonjë dyshim të çastit që mund t’i linte rojës, i propozon këtij që të futeshin në thellësi të objektit, gjoja për të kontrollue, këtë i pandehuri Hamit e bëri, për të realizuar pa shumë vështirësi vrasjen e rojës Fadil.
Kështu që roja Fadil çohet prej vendit ku ishin dhe të dy shkuan nga i diktoi i pandehuri Hamit. Kur mbërritën aty, i pandehuri Hamit, befasisht dhe në mënyrë të pabesë, e godet rojën Fadil në kokë, e rrëzon për tokë, e lidh në organet e frymëmarrjes dhe për duarsh. Për t’u siguruar më mirë se mos viktima Fadil, mbetesh gjallë, e godet me një mjet prerës disa herë, duke i shkaktuar plagë, rrjedhje gjaku, prej të cilave erdhi vdekja e menjëhershme. Në zbatim të planit kriminal, i pandehuri Hamit Myrtja, merr pushkën e vë atë në gatishmëri qitje, dhe menjëherë shkon në ofiçinë, për ta parë nëse kishte në gjendje gatishmërie motora për pajisjen e lundrës (sule) me të cilën do të udhëtonte, kur pa se motorët nuk i kishin të montuar, largohet me shpejtësi dhe shkon tek vendi që fikeshin mjetet e ndriçimit të ambientit të ndërmarrjes, heq siguresat, për të mos u vënë në funksionim të shpejtë dritat, pret linjën telefonike me pincat që kishte me vete, thyen kasafortën ku mbaheshin çilsat e lundrave, mere aty disa prej këtyre e shkon tek kishte lënë gruan e fëmijët, merr ata dhe me shpejtësi zbret në molo.
Aty tenton të hap drynat e lundrave, por fillimisht nuk mundi. Për të mos humbur kohë, me anën e darëve, forcërisht pret kavon e një lundre, merr dy tre copë rrema dhe me shpejtësi niset e del në liqen rreth orës 24.00. Duke menduar dhe fërkuar duart se deri në këto momente atij nuk i hyri asnjë ferrë në këmbë dhe planin e realizoi ashtu siç e kishte parashikuar, niset nëpër liqen plot qejf dhe kënaqësi. Kur mbërrin në ujërat e fshatit Shirokë, fillon shiu dhe furtuna, I pandehuri Hamit, vazhdon rrugën i bindur në forcat e tij fizike, se as nata e errët dhe as shiu, e as shtrëngata nuk do ta pengonin në misionin e tij të tradhtisë. Kur afrohet ujërave të rajonit të fshatit Zogaj, gjendja e kohës sa vinte dhe keqësohej, shiu dhe furtuna vazhdonin punën e tyre, rreziku i vdekjes së sigurt e kanoste, mirëpo, i pandehuri Hamit, nga urrejtja e madhe që kishte ndaj atdheut, Partisë dhe pushtetit tonë Popullor, nuk tregoi as më të voglin kujdes për pjellën e tij, e për t’u shpëtuar jetën e tyre, ai me atë ndërgjegje të ndryrë kriminale, vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij, preferoi që të sakrifikoi tre fëmijët e tij të mitur, ashtu siç ndodhi në fakt, se as t’i zbriste dhe as t’i linte në tokën amtare.
Ja pra kush asht personaliteti i këtij prindi që mendonte t’u krijonte të mirat materiale fëmijëve të tij e t’i bënte të lumtur jashtë atdheut. Pa kaluar ujërat tona plotësisht, lundra me tre fëmijët dhe gruan u mbytën, kurse vetë i pandehuri Hamit, doli në tokë dhe kaloi në errësirën e natës në Jugosllavinë titiste, që kishte ëndërruar prej shumë kohësh, me gjakftohtësinë e një sadisti. Vepra e tij është shumë e urryer, por ajo nuk mbaroi me kaq, por vazhdoi. Porsa mbërriti në organet e UDB-së, ju serviri atyre të gjitha gjërat që ju interesonin jugosllavëve, duke ju dorëzuar vullnetarisht të dhana qysh nga plani i arratisjes së tij, deri tek informatat me karakter politik, ekonomiko e ushtarak, i bindur se duke cënuar rëndë interesat e Partisë e atdheut, me informatat që dorëzonte, – Jugosllavët do t’i rezervonin përkrahje morale dhe materiale të veçantë.
Në këtë mënyrë dhe në këto rrethana, i pandehuri Hamit Myrtja, konsumoi plotësisht krimin e propagandës armiqësore, terrorin dhe tradhtinë ndaj atdheut në formën e arratisjes, të parashikuara nga nenet 73/1, 76 e 64 të Kodit Penal.
Akuzat që i ngarkohen të pandehurit Hamit Myrtja, janë provuar tërësisht nga provat e shumta që mban dosja penale. Veprat kriminale të kryera nga i pandehuri Hamit Myrtja, janë shoqërisht të rrezikshme, sepse kanë për objekt pavarësinë e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe sigurimin e jashtëm të saj. Duke i gjetur akuzat të provuara dhe të bazuar në ligj, paraqesim për gjykim të pandehurin:
Hamit Arif Myrtja, i datëlindjes 1944, i biri i Arifit dhe i Lytfijes, lindur në fshatin Shirokë dhe banues në lagjen “Partizani” i qytetit Shkodër, me origjinë fshatar i varfër me arsim fillor, i martuar, pa parti, i padënuar, i pa dekoruar, i arrestuar me datën 7 tetor 1976.
Akuzohet se:
Ka kryer aktin e terrorit të tradhtisë ndaj atdheut, në formën e arratisjes jashtë shtetit, ka bërë propagandë armiqësore, për të minuar e dobësuar pushtetin popullor, dhe fuqinë mbrojtës e të tij. Veprat kriminale parashikohen si krime nga nenet 67; 64; e 73/1 të Kodit Penal. Akt-akuza së bashku me dosjen hetimor nr. 344 në ngarkim të pandehurit Hamit Arif Myrtja, konform nenit 204 të K. Pr. Penale, t’i përcillet prokurorit të rrethit Shkodër.
Kjo akt-akuzë u përpilua sot më datën 31 Tetor 1976, në qytetin e Shkodrës, prej meje:
H E T U E S I
Jake Tefiku
Sot me datën 3.11.1976, mora kopjen e akt-akuzës.
I pandehuri
Hamit Myrtja
VENDIMI I GJYKATËS SË SHKODRËS I KRYESUAR NGA SHEFQET MUÇI DHE PROKUROR REMZI KRUJA, PËR DËNIMIN E HAMIT ARFIF MYRTJA, ME VDEKJE, VARJE NË LITAR
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE
GJYKATA E RRETHIT SHKODËR
REGJ. THEM. 404
NR I VENDIMIT 401
VENDIM
NË EMËR TË POPULLIT
Gjykata e rrethit të Shkodrës, e përbërë nga
Shefqet Muçi kryetar
Zenel Brahimi anëtar
Hyrije Kraja anëtar
Me sekretaren Myzejen Dymylja dhe Prokuror Remzi Kruja, shqyrtoi në seancë të hapur gjyqësore në Shirokë, çështjen penale që i përket të pandehurit:
Hamit Myrtja, i biri i Arifit, dhe i Lutfijes, i datëlindjes 1944, lindur në fshatin Shirokë dhe banues në Shkodër, me origjinë shoqërore fshatar i varfër dhe në gjendje punëtore, me arsim fillor, pa parti, i pa dekoruar, i padënuar më parë, i arrestuar në 7 Tetor 1976. Akuzohet se ka kryer vepër terrori, ka tradhtuar atdheun në formën e arratisjes, dhe ka agjituar e propaganduar kundër Pushtetit Popullor, krime këto të parashikuara nga nenet 64, 67, dhe 73/1, të KP.
Gjykata, pasi përfundoi hetimin gjyqësor dhe pasi dëgjoi Prokurorin që kërkoi deklarimin e të pandehurit fajtor sipas akuzave dhe të dënohet: në bazë të nenit 64 me vdekje me varje, me konfiskim të pasurisë dhe me heqjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë. Në bazë të nenit 67, me vdekje, me varje, me konfiskim të pasurisë dhe me heqjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë. Duke bërë bashkimin e dënimeve në bazë të nenit 48 të Kodit Penal, e dënon me vdekje me varje, konfiskimin e pasurisë, dhe heqjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë, pasi dëgjoi dhe fjalën e fundit të mbrojtjes së të pandehurit në të cilën kërkoi mëshirë
V Ë R E N
Akuzat në ngarkim të të pandehurit Hamit Myrtja për tradhti ndaj atdheut, për aktin e vrasjes së rojës së ndërmarrjes, dhe për Agjitacionin dhe Propagandën kundër pushtetit popullor, krime këto të parashikuara nga nenet 64, 67, dhe 73/1, të KP, u provuan plotësisht. Veprat kriminale janë zhvilluar e kryer në këto rrethana:
Hamit Myrtja, ka punuar në ndërmarrjen e Peshkimit të Shkodrës, dhe në dukje është paraqitur si i disiplinuar dhe i sakrificës. Ndërsa në vetë-vete ka fshehur e konservuar mendime armiqësore ndaj partisë e pushtetit popullor. Zemërngushtë, egoist, e ambicioz, është grindur me nënën, vëllain, dhe motrat, për probleme pronësie e vite me radhë, ju ka mbajtur mëri. Vështirësitë e organeve kompetente për t’u zgjeruar menjëherë me strehim, dhe mos-gjetjen e një pune të kualifikuar gruas së tij, i ka konsideruar si keqtrajtime që i bëheshin nga ana e organeve të pushtetit.
I helmatisur me propagandë borgjeze e revizioniste e i prirur pas interesit të ngushtë vetjak, ju kundërvu haptazi masave të fundit revolucionare të Partisë dhe të Pushtetit tonë lidhur me uljen e pagave të larta, dhe rishikimin e tyre në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, sepse dhe në këtë rast u prek paga e tij. Ndërsa punonjësit e mbarë vendit tonë, i mirëpritën këto vendime thellësisht revolucionare dhe përgatiteshin për të shkuar me duart plot në festat e Nëntorit të Kuq të Partisë, i pandehuri Hamit dhe gruaja e tij Nasije Myrtja, thurnin në bashkëpunim me njëri tjetrin, planin e arratisjes në Jugosllavinë titiste familjarisht.
Për realizimin e qëllimit kriminal, zgjodhën natën e 31 Gushtit 1976 si dhe vendkalimi liqenin e Shkodrës, të cilin i pandehuri e njihte mirë nëpërmjet peshkimit. Mbasi siguruan mjetet që do t’ju duheshin rrugës si darë, pinca, çelësa, spango, rrjetë, velë, etj u nisën bashkë me tre fëmijët e mitur në drejtim të ndërmarrjes së peshkimit ku i pandehuri ishte ngarkuar të kryente atë natë me kërkesën e tij, detyrën e nëpunësit të rojës. Para se të largohej nga shtëpia i pandehuri Hamit, shkruajti një letër me përmbajtje kundërrevolucionare të cilën e la aty me shënimin që ti jepej udhëheqjes së Partisë.
Në të shkruante me urrejtje e cinizëm kundër Shqipërisë socialiste, se gjoja populli vuan, ka papunësi, bëhet jetë fukarenjsh, jetë mizore, se gjoja komplotistët Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, e Rrahman Përllaku, ishin përpjekur për të mirën e popullit e një seri shpifjesh të tjera me qëllim që të errësonte përparimet tona vigane në të gjitha fushat e jetës. Rreth orës 23.00 ata arritën pranë ndërmarrjes së Peshkimit. Të dy sipas marrëveshjes që kishin bërë e mashtruan rojën e objektit, e të molit, se gjoja kishin qenë tek një miku i tyre në Oblikë, e se fëmijët e tyre do të flinin në ndërmarrje meqë ishin të lodhur. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016