Nga Ahmet Bushati
Pjesa e tridhjetë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Më kthejnë përsëri në birucën me numër 9. Më kthyen përsëri në birucën nr. 9 dhe ideja se prej atij boshllëku – si vijë e ngushtë drite në derë – unë do të shikojsha përsëri çdo gja që të ndodhte në korridor të burgut, me gëzonte shumë. Sidomos dy vaktet e daljeve të të burgosunve për në W.C. unë i pritsha me aq interesim, sa nji i ri orën e daljes në pjacë të Shkodrës. Porsa t’u ndigjonte se dikush u fut në korridor, polici i burgosun t’ishte ai, ose po t’u ndigjonte të kriste shuli i nji dere biruce, unë menjëherë do të kërcejsha në derë, në pikën time të vrojtimit, ku do të qendrojsha me nji sy të mbyllun e me tjetrin të fokusuem mbi njeriun e porsashfaqun në korridor.
Meqë si rregull dalja e të burgosunit për në W.C. u kërkonte që pak a shumë te ishte e shpejtueme, si edhe për faktin se ajo lëvizje u kontrollonte prej nji krimineli, siç ishte Ismail Lulo, – përgjegjës i atij burgu – duhet thanë se ecje normale nuk mund të kishte. Në këtë drejtim, të burgosunit u ndajshin në dy kategori, njena që do te ecte me aq shpejtësi të përmbajtun, sa të shmangte ndërhymjen eventuale të tetarit kapriçoz Ismail Lulo, dhe pjesa tjetër, fare e paktë në numër por e friksueme ma tepër se u kërkonte, – e ndoshta me kërkesa ma të pakta prestigji personal -që do të ngiste me shumë vrap.
Mes këtyne të fundit, do të kishte dy të burgosun, që tue mos u pasë dale frika as kur t’ishte ba “kthesa” e famshme dhe asnjëherë, të frikësuem deri në palcë, në çdo rast ata do të vazhdojshin me vrapue. Nuk do t’ishte e mundun me mbajt gazin, sidomos me njenin, -sepse i dyti ende nuk kishte mbërrit- të cilit ende pa ia pasë hapë plotësisht Ismail Lulo derën e birucës, atij nga frika e nxitimi, do t’iu merrshin kambët qysh në nisje, e ndonjihere edhe do t’i mbeste rrugës njena këpucë, pa guxue që të humbte dy-tre sekonda kohë, për të ndalue me e veshë atë përsëri.
Ose, gjithnjë prej frikës së teprueme, tue kërkue me marrë fluturimthi edhe kthesën e korridorit, kur edhe bagalin e kishte plot, që si mbas rastit, do ta mbante me nji ose dy duer, disa herë do të ishte në rrezik me thye edhe qafën. Me këtë njeri Ismail Lulo, do të luante disa herë si mica me miun: sa të merrte ky i burgosun me dalë prej derës me vrap, Ismail Lulo do t’i shkonte mbrapa tue i përplasë për tokë do hapa të shkurtë e të shpejtë, gja që atë të burgosun, si me sustë, do ta bante që te vraponte edhe ma shumë, ndërkohë që vetë Ismail Lulo do të ndalonte tue qeshë, ashtu si qeshë i madhi, kur për tallje, ia ka dalë me frikësue nji fëmijë. Çdo gja që të ndodhte në atë burg, nuk do t’i shpëtonte syut tim.
Vërejsha të burgosun, që kur u nisshin për nalt te hetuesi, të kalojshin me fytyra mjaft të impresionueme, sepse zgjidhja e dilemës mes torturës e nderit, do të ishte gjithmonë nji gja e vështirë për të gjithë. Do të kishte asì të burgosunish, që kur u nisshin për sipër – a pse vërtete ishin të guximshëm, apo pse besojshin se dikush mund t’i shikonte, – siç po i shikojsha unë – do të kalojshin si me shpërkujdesje e krye nalt, sido që mbas dy-tri orësh mund të kthejshin tue iu marrë kambët e me krye të varun prej toturash që iu ishin ba.
Përsa i përket policëve, si mbas eksperiencës time, ata në përgjithësi nuk kanë qenë të këqij, se mbi gjithçka tjetër, ata në atë kohë po i shërbejshin nji rrogë. Kishte ndër ta që ashtu pa folë, të shprehshin dhimbje po qe se të shikojshin ndër tortura e kishte ndërmjet tyne përsëri, që pa rrezikue veten, që të të bajshin edhe ndonji favor të vogël. Unë gjithë jetën time kam kujtue me mirënjohje fytyra e emna policësh, që në ato rrethana frike e rreziku, patën tregue keqardhje e dhimbje, sa herë që të na shikojshin ndër tortura.
Policët me emnat Hajredin, Qani e Mërkur, të tre prej jugut, do të ishin ndër ata policë të rregullt e seriozë, qe e fillojshin dhe e mbarojshin shërbimin e tyne ditor si roje, pa pasë kërkue me marrë fare kontakt me të burgosunit, e natyrisht, pa pasë dashtë që t’ua randojshin edhe ma shumë vuejtjen. Dihet se frika do t’ia kryente ma së shumti punët Enver Hoxhës.
Kështu Mënyri, rreshteri i gjatë prej Dibret, gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në Sigurim, do t’u tregonte i mirë me mue, ndonëse ishte graduat e i besueshëm prej eprorëve. Nji polic me emnin Latif e, nji tjetër me emnin Hekuran, i pari prej Koplikut e tjetri prej jugut, kanë qenë mjaft të mirë me ne e familjet tona, e po ashtu edhe Qemali, që me sa dij unë vinte prej nji katundi jo larg Kavajës. Do të meritonte fjalët ma të mira Beqiri, polici që ishte prej Devollit, i cili u vishte jo me rroben blu të policit, – si të tjerët – por me atë të gjelbërtën e partizanit.
Vinte i dobët shumë nga trupi e me nji fytyre të kuqe, që edhe ma e kuqe iu bante në bisede me tjetrin. Apo s’i kishte buzët e holla, aq të holla, si t’ishin dy shirita mishi në ngjyrë mavi. E pat ba zakon që pak mbasi të merrte aty shërbimin si roje, mësheftas eprorëve të tij e në kundërshtim me detyrën për ruajtjen tonë, ai do të hapte me radhë sportelet e të gjitha birucave, e kur të mbërrinte te e parafundit, ku u ndodhsha unë, t’u ndalonte për me bisedue, gja që ishte rreptësisht e ndalueme për çdo polic. Atij Beqirit, i vinte shumë keq për mue e shpesh iu mbushshin sytë me lot. Ai s’do të qëndronte gjatë, por unë do ta takojsha edhe nji herë aty, mbas rreth nji vjeti e gjysë mbrapa.
Në njifarë kohe, aty do të na vinte me shërbim edhe nji kapter me emnin Myslym, me moshë disi të pjekun e me trup mjaft të shkurtë. Duhet t’ ishte nga Kavaja ose Shijaku. S’pakut për mue, atij do t’i vinte mjaft keq kur të më shikonte ndër tortura. Nji tjetër polic me emnin Qani, me flokë biond e za të trashë, që kur zavendsoi për pak kohë Ismail Lulon, do t’u gradonte tetar e, nga i mirë që kishte qenë deri atëhere, do t’u bante i keq.
Nurçja, njeni prej dy policëve mbas portës së shefit e në dispozicion të tij, do të ishte ai polic që sjelljen e tij të keqe me mue, unë nuk do t’ia falsha as kur mbas nji vjeti, me rastin e “kthesës”; që ai t’ishte pendue, sepse fjalët e tij do të më kishin vra ma tepër se të ramet e hetuesve. Ai Nurçja më pat bezdisë shumë. Nuk do t’ ishte e mundun që unë t’u ngjitsha për te hetuesi, pa më pasë dalë para ai tue më ngacmue. Si skifteri prenë, ai do të më sulmonte porsa të më shikonte e tue u zgërdhi, do të më thonte me dhjeta herë; “fashist, fashist”, ose “ballist, ballist”, por natyrisht, pa pasë shpëtue asnjiherë pa marrë edhe përgjigjet e mia. Kisha përshtypjen se veç shëndetit të plot, energjisë fizike, budallallëkut e urrejtjes për ne, ai njeri s’duhet të kishte tjetër gja.
Asht rasti të kujtoj me mirënjohje edhe nji berber me emnin Muhamet Goga, të cilin gjatë periudhës time të parë në Sigurim, e patën sjellë nja dy herë që të na rruente e qethte. Unë s’e kisha njohë ma parë, as ai mue, por do të çuditesha kur ai në ato rrethana ferri për mue e frike për vedi, tue përfitue nga nji lëvizje e çastit e policit që vazhdimisht i qëndronte mbi krye, ai ndërsa vazhdonte qethjen e pa me shique në fytyrë, do të më pëshpëriste: “Mos u mërzit, në shpi i ke mirë”, dhe nji herë tjetër? “Në shpi i ke si molla, si molla”, fjalë që natyrisht, për pa pasë kenë i burgosun i birucave të Sigurimit, nuk mund të vlerësohen si duhet, e që unë mbrapa në birucë, do t’i a përsëritsha vetes me dhjeta herë, si nevojë të madhe shpirtërore që kisha për t’i a besue.
Shurdha
Shurdha do të ishte ai personazh i njohun burgu, me të cilin do t’u lidhte ndër vite jeta e qëndrimit në Sigurim të qinda e qinda të burgosunve. Ndër detyrat kryesore të Shurdhës ishte shpërndamja e ushqimeve që familjet, ditë për dite, ua sillshin njerëzve të tyne në burg, gja që Shurdha, edhe pse analfabet e kalue analfabetit, pra pa dijtë të shikonte etiketat e varuna ndër safertasa, po edhe pa gabue asnjiherë, do t’ia afronte secilit pranë derës së birucës.
Kur besonte që të burgosunit kishin mbarue së ngrani drekë, Shurdha do të kalonte sportel n’sportel, tue u dhanë ujë me anë të nji safe të madhe xinkoje të leckosur, e me atë rast, me cingaren e tij të ndezun, t’ ua ndizte edhe atyne të burgosunve që pinin duhan, shërbim ky që Shurdha u donte ta kryente vetëm nji herë në njëzetekatër orë, por që ai, kur gjente rastin, d.m.th., kur aty si roje të ndodhej nji polic i mirë, për shpirtin e mirë që kishte, do t’u a ia ndizte disave edhe në kohë tjetër.
Kohën ma të shumtë Shurdha e kalonte pranë policit të shërbimit, njashtu si qeni pranë të zot. Si shurdh-memec që ishte, prej mërzisë, shpesh herë ai do të braktiste stolin e tij pranë policit e, si për variacion, të hapte disa sportele birucash dhe përmes mimikës, të bante edhe ndonji bisedë të shkurtë me të burgosun.
Ishte i squet, zemërdhimbshëm e me intuite të zhvillueme. Edhe te unë vinte shpesh e në shenj keqardhjet për mue, vazhdimisht do të çonte vetullat përpjete e tue pohue për ndonji gja që unë t’ ia kisha thanë me shenja, ai do të tundte kryet tue e shoqnue me nji rresht të tejzgjatun “a”-shë, që ndonjëherë do të tingllojshin si të dala prej nji kafshe të madhe…! Shurdhën e ushqente Ismail Lulo me gjellët e atyne të burgosunve që ishin të privuem prej hetuesit nga e drejta me marrë ushqimin e sjellun prej familjeve.
Ismail Lulo nji herë, për t’u talle me të, i dha nji gjellë me mish të majm derri, dhe kur Shurdha e mbaroi s’ngrani, Ismaili e pyeti me shenja nëse ishte i kënaqun me gjellën që sapo kishte ngranë, dhe Shurdha pohoi me gojë e duer. Po kur Ismaili çoi duert ndër veshë në imitim të derrit, e sidomos kur ai filloi t’i lëvizte ata, Shurdha që kuptoi menjiherë ç’kishte ngranë, si turfulloi sa muejti e tue bërtitë me zemërimin e nji egërsine për pabesinë e shefit të tij, zgjati qafën poshtë e volli aq shumë, sa prej marakut, veç zorrët nuk qiti përjashta. Edhe mbrapa Shurdha do ta vazhdonte protestën e tij me nji idhnim e deshprim, që gati sa s’qante.
Britmat e pa artikullueme të Shurdhës, – si britma bishe- në drejtim të Ismail Lulos, bajshin që ky bashkë me dy policët e tjerë, t’u gajasshin së qeshuni. Shurdha, me origjinë turke, tri herë kishte tentue t’u arratiste, por pa sukses. Siç kisha ndigjue nji herë prej nji oficeri që po i tregonte nji polici, atë e kishin sjellë gjermanet si rob nga nji zonë turke e ndodhun mbrenda kufijve të Bullgarisë.
Bubrreca dhe minj të vegjël në birucën time!
Ecejaket e mija, e ndoshta të dhjeta mija buburrecash që dilshin prej dy-tri vrimave të vogla poshtë murit e që mandej u zgjatshin si nji zinxhir i zi nalt nëpër mur, për t’u zhdukë diku përmes nji vrime nën tavan, e për t’u këthye me përsëritë pa pushim “ritualin” e tyne, do t’ishte nji punë që ato e vazhdojshin gjithë ditën. Prania e buburrecave nuk më bezdiste, përkundrazi, mue do të m’u dukte sikur të ishte nji pjesë tjetër jete që të kishte depërtue aty si për të më ba shoqni.
Po ndërkaq, nji gja e tillë nuk do të me ndodhte me mijtë, përkundrazi. Qysh kurse në birucë më patën futë dyshek e ushqim, herëpashershme do të me vizitojshin do minj të vegjël, që tue zbrite prej sipër tavanit, do të lodrojshin me shpejtësi vetmie rreth e rrotull dyshekut tim e shumë shpejt, si të kishin ardhë për rikonjicion, t’ u zhdukshin po aq shpejt prej aty.
Kjo lodër e tyne, mjaft e bezdisshme për mue, do t’u përsëriste vazhdimisht, ditën e natën. Disa herë ata minj të vegjël do të m’u futshin brenda në dyshek, tue pasë ba që unë t’u hidhsha përpjetë si top llastikut. Edhe kur prej frikës së tyne, unë t’isha mbështjellë fort nën jorgan, – si brenda nji kutie të mbyllun – për sikletin tim ma të madh, nji ose dy prej tyne , prapëseprapë do të arrijshin që të m’u ngatrrojshin nëpër kambë.
Mbas disa muejsh, do të vinte nji kohë qe mijte të mos më bajshin fare përshtypje edhe kur ata të më kalojshin nëpër trup e fytyrë me dhjeta e dhjeta here, ditën e natën!
Qetësia prishet
Patën nisë të më merrshin përsëri në pyetje, dhe si ma parë, do t’isha i detyruem të përballojsha po ato pyetje provokuese e po ata kërcënime prej anës së hetuesve. Më pat marrë ne pyetje edhe vete shefi Lilo, tue kërkue të më bindte që unë duhet të përfitojsha nga ai rast, për autoritetin e kompetencat që gëzonte ai si shef që ishte. Si gjithnjë me fjalë standarde e gjeste të fortë, ai më pat lajmërue edhe për pasojat që do të kisha në rast rezistence. Nuk e di përse unë, sa herë që u ndodhsha para tij e në kohë që ai vazhdonte me folë, po tërhiqsha gjithnji prej pamjes së njasaj nape të zezë mbi njenin sy të tij, ndoshta pse në te shifsha si me çudi luftën e degjenerimin e saj në dhunë, mashtrim e krim. Shefi Lilo, me qëllim intimidimi, do të përdorte vazhdimisht fjalë bombastike nga fjalori politik i kohës, që tingllojshin artificiale në gojën e tij, si për qëllimin që bartshin, ashtu edhe si i pashkollë që ai ishte.
Ndërkaq unë , nuk po iu përgjigjesha. I lodhun e i mërzitun prej fjalëve të shumta që kishte nxjerrë prej gojet, i zemruem edhe ma shumë prej qëndrimit tim të heshtun, ai në fund më qe afrue , e tue më tunde fort para fytyrës nji gisht te tij tregues kah nji faqe muri, do të vazhdonte me më folë me ton edhe ma të ashpër: “Këtu, te njiky mur, kam për t’i rreshtue të gjithë njerëzit që ti ke në shtëpi, që ta marrin vesh edhe ato se ça ke ba ti kundër Pushtetit. “Ende pa pasë përfundue mirë fjalën Lilo-ja, prej mbrapa do të më vinte nji nga ato shuplakat e forta, sa sytë të më nxirrshin xixa. Kasem Troshani, që gjatë gjithë kohës kishte qëndrue si mumje mbas shpindës time, do të ishte përsëri autor i saj.
Të gjitha këto, si fjalët e mira e të këqija të shefit Lilo, ashtu edhe shuplaka e Kasemit, kishin pasë për qëllim që të pregatitshin terrenin, që kur aty të hynte nji njeri që do të depononte për mue, unë t’mos i flitsha, gja për të cilën më patën marrë edhe fjalën, por që për t’ua mbajtë, unë s’do t’ua mbajsha!
Në fund Lilo-ja bërtiti sa mundi, por gja s’më bani. Si gjoja i zemruem që ishte ba, thirri policin dhe e urdhnoi me shumë autoritet: “Merre, merre”! Unë them se Lilo Zeneli, edhe kësaj radhe, s’po e kryente si u donte detyrën e nji shefi të Sigurimit!
Mbrenda dramës time nji copë komedi
Përsëri më patën hjekë plaçkat e fjetjes e gjithashtu nuk m’i patën futë ushqimet. Më mbajshin të lidhun duersh dhe dy herë në ditë më merrte në pyetje ai hetuesi nga Dibra e Madhe. Si disa ditë ma parë, në kohë dreke, më jepshin nji copë buke të thatë, si edhe atë safën e madhe me ujë. Flejsha copa-copa ndejun mbi çimenton e lagësht dhe i rrasun për nji qoshe muri nga të ftohtit. Sidomos natën mërdhitsha shumë. Për t’u dekurajue, nuk u dekurajojsha, përkundrazi, me që e dijsha se torturat ishin të pashmangshme, me vete thojsha: “Do të jetë ma mire që të vazhdojnë torturat e të marrë fund sa ma parë ajo që herët a vonë do të ndodhë me mue”! /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016