Nga Ahmet Bushati
Pjesa e njëzetedy
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Gjurmë Mirditet
Luftimet e Mirditës e betejat e saj të zhvillueme gjatë disa viteve me radhë kundër pushtetit komunist, të udhëhequn fillimisht, – si mbas traditës – prej bijve të shtëpisë Gjomarkajve, Markut, e mbas vrasjes së tij me 13 qershor 1946, prej Lleshit, – po aq trim sa ç’kishte qenë edhe i vëllau Marku – përban nji kapitull në vete, qe lypë e meriton kohë e kompetencë, e që si e tillë, mbetet detyrë që të tjerë ta pasqyrojnë atë me aktet e saj të shumtë e të rrallë, për kah guximi e heroizmi i nji populli tejet të vorfën, por trim e liridashës.
Kështu, tue mos u shkëputë kaq shpejt prej Mirditës e rezistencës së saj heroike, si dhe nga ajo dramë e saj aq e dhimbshme e dinjitoze, mendova që lexuesit t’i sjell, sado që përciptazi, nji ide për përmasat e pjesëmarrjes së Mirditës në luftë kundër “Forcave të Ndjekjes”, përgjatë disa vitesh, si dhe të pësimeve të saj, megjithëse, siç asht thanë, meritojnë punim në vete:
Fare shkurtimisht, mund të thuhet se shtëpia e madhe e Gjomarkajve në qendër të qytetit tonë, ka qenë nji prej atyne shtëpive të rralla shqiptare që komunizmit i pat pague jetë njerëzish, si edhe burgosjen ose internimin e pa përjashtim të të gjithë pjesëtarëve të saj, tue pasë fillue qysh prej ditës së parë të ardhjes në pushtet të komunistëve e deri në fundin e tyne.
Pa përmendë të vramët e kësaj shtëpie dhe as gratë e saj të vdekuna, gjatë viteve të shumtë në internim, do të tregoj se Deda, i vetmi e i fundit ndër pesë vëllazën, që mbasi të vuente gjashtëmbëdhjetë vjet burg, do të kalonte edhe tridhjetë vjet tjerë internim, e se motra e tij Marta, mbas tri vjetësh burg, do të vuente edhe ajo tridhjetë vjet internim, e se Gjoni, djali i Markut të vramë, do të vuente katërdhetekatër vjet internim, të cilin kishte nisë ta vuente qyshkur kishte kenë vetëm katër vjeç.
Asht thanë se rezistenca heroike e popullit të Mirditës kundër regjimit komunist, pjesëmarrjes së tij në forma të ndryshme- thuejse masive në luftë kundër “Forcave të Ndjekjes” e përgjithësisht drama e dhimbshme e tij, duen nji punë në vete. Megjithatë, unë vetëm sa po due të jap pak a shumë idenë e masës së luftërave të tij gjatë viteve të para të regjimit komunist, si dhe skenën makabre që ai pushtet pat realizue në shenj hakmarrjet për vrasjen e Bardhok Bibës, komisarit të plotfuqishëm të Mirditës:
Kaq shumë luftarë kishte pasë ndër male rezistenca antikomuniste në Mirditë, dhe gjithashtu, aq shumë të vramë, sa kur Ndue Pjetër Gjomarku, komandant i tyne – mbas vrasjeve të Mark e Llesh Gjomarkaj – të kthente prej Italijet, ku q’prej nji viti kishte pasë shkue me detyrë të caktueme, në librin e tij “Në male dhe në mërgatë”, do të shprehej me dëshprim: “S’kishin pasë mbetë, veç 300 luftarë, të tjerët vra”!
Kur të ndodhte vrasja e Bardhok Bibës, -si mbas vendimit që kishte marrë “Kuvendi” i të aratisunve mirditorë- ai popull i Mirditës që në jetë të jetës s’kishte pasë ngopë kurr barkun me bukë, do t’ishte i detyruem që mbi vedi të provonte reprezalje e mizori nga ma të pandigjuemet: Me qinda mirditorësh do të arrestoheshin me atë rast, dhe po ashtu, të shumta do t’ishin familjet që do të degdiseshin në internim, të cilësuem si “reaksionare” e si “të lidhun me të arratisun”!
Në nji ndër ato dit të para mbas vrasjes së Bardhok Bibës, Pushteti e Sigurimi, do të sillshin me forcë në Rrëshen nji popull prej rreth dymijë frymësh, burra e gra, dhe para syve të tyne, për terror, ata kriminelë, në bashkëpunim edhe me do spiun vendas, do të luejshin aktin ma tragjik të ndodhun ndonji herë, t’atillë që njerëzimi e kishte braktisë prej qinda e qinda vitesh: Para syve të nji populli të tmerruem për vdekje, do të vareshin katër burra, burra me emën në Mirditë e dhjetë të tjerë, të vendosun para nji grope të hapun për ta, do të pushkatoheshin.
Ndërkaq, do të ndodhte edhe nji gja e pazakontë, e pandigjueme e shumë e mënxyrtë: Mëhill Doçi, në kundërshtim me pikëllimin e zinë e tanë nji Mirdite, do t’i drejtohej Mehmet Shehut, – që ndër ato dit kishte drejtue operacionin – tue i kërkue që ta lejonte të merrte pjesë në ekzekutimin e atyne me të cilët vendi dhe shpija i a hiqshin për me kenë vëlla, si vëlla prej babe e nji nane, ishte me kapitenin Mark Doçi, qẽ q’prej tre-katër vitesh po vazhdonte të vuente me dinjitet burgun komunist, e vëlla edhe me dy të tjerë që vijshin mbas tij, e që mbrapa do të vuejshin vite të shumtë burgu.
Për ma shumë mizori, vrasësit sadistë, që të kënaqshin sa ma shumë ndjenjat e tyne të urrejtjes e hakmarrjes, të pushkatuemit do t’i hidhshin gjysẽ të dekun në gropë dhe mbi trupënt e tyne ende me pak frymë, të hidhshin lopata mbas lopatash me dhe, ndërkohë që nga thellësia e gropës i ndigjoheshin lëngime të thekshme viktimash që thojshin: “Na vritni more, se jem gjallë”.
Vajza prej Shkodret, heroina e Kosovës, Marije Shllaku
Pak kush në Shkodër mund ta dijë se para pesëdhjetë vjetësh, nji vajzë e re prej qytetit të tyne, e bukur, e squet, e shkathët e shumë e guximshme me emnin Marie Shllaku, kur s’kishte qenë ma e madhe se njëzetedy vjeçe, kishte mbrrijtë që si nji amazonë e vërtetë shqiptare, të zinte vend ndër kuvende burrash e t’u shquente ndër luftime e beteja të përgjakshme kundër partizanëve serbë.
Nja njiqind vjet tjerë para asaj kohe, nji stërgjysh i saj, mbasi kishte braktisë përfundimisht “Palajt” e Dukagjinit e ra në Shkodër, kishte qenë vendosë në lagjen “Badre”. Vite ma vonë, trashigimtari i tij, Mark Simoni, me nji pijetore që kishte pasë hapë në lagjen “Gjuhadol”, kishte rritë tri vajza, mes të cilave edhe Marien dhe nji djalë me emnin Ndoc.
Mbasi Maria kishte mbarue shkollën e mesme në vendlindje, – tue pasë kenë në nji klasë me Qemal Draçinin, Emin Durakun etj., – do të zotronte gjuhët italiane e franceze e ma pak latinishten e greqishten e vjetër. Aktivitetin e saj politik e luftarak Marija do ta fillonte në vjetin 1942, për ta vazhdue deri kah fundi i 1945-ës, kohë kur ajo me dhetë plagë në trup ende të pashërueme, do të dilte para skuadrës së pushkatimit me krye nalt e, tue u lutë për Kosovën e lirë.
Ma s’parit Marija do t’u lidhte me Bazin e Canës, (Abas Kupin) e njerëzit e tij me influencë, të cilët ma se nji herë do të ndërmjetsojshin që ajo të vendosej në punë. Me interesimin e tyne, Maria nji herë do të punonte si zavendës-sekretare në njenën prej ministrive të asaj kohe, prej kah ajo edhe do të ushqente me informacione politike Bazin e Canès, e ma vonë, pikërisht në vitin 1944, ajo do të punonte në Prizren si inspektore për prefekturat e nënprefekturat e Kosovës, për të vazhdue deri në shtatorin e atij viti, kur edhe do ta arrestojshin gjermanët, për ta lirue mbas disa ditësh me ndërhymjen e vetë Xhafer Devës.
Fundi i vitit 1944, Marijen do ta gjente mjaft të afirmueme para personaliteteve kosovare e kjo, si për aftësitë që ajo kishte tregue deri atëherë si nëpunëse e zonja, ashtu edhe për aktivitetin atdhetar që kishte zhvillue në dobi të Kosovës, që si të thuesh, ishte ba imperativ i jetës së saj.
Kur forcat partizane serbe ishin gati t’u futshin ndër qytete të Kosovës e, kur edhe autoritetet shqiptare, si Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica etj., po u largojshin përfundimisht nga Kosova, Marija nga ana e saj, kishte vendosë të qëndronte atje. Kur personalitetet e masipërm ta kishin pyetë Marijen, se ç’kishte ndër mend të bante, ajo u ishte përgjegjë; “Do të qëndroj me luftue për Kosovën”!
Mbasi Kosova u pushtue prej brigadave serbe, Maria do ta vazhdonte aktivitetin e saj në rrethinat e Pejës, me ç’rast ajo do t’i bante thirrje popullit, që t’mos ua dorëzojshin tokat e tyne “shkjeve”.
Koha kalonte e nji ditë Marija do të arrinte që në marrëveshje me disa burra me emën në Kosovë, të formojshin nji kontingjent prej disa qinda luftarësh e, se në përpjekjen e tyne të parë me forcat serbe, Maria t’u plagoste, e gjatë disa ditëve mbrapa, ajo t’u mjekonte në shtëpinë e njifare Pjetër Tome prej Dobendalit, ku u ndodhte edhe qendra e “Komitetit Demokratik Shqiptar”, formue pak ditë ma parë.
Asht ajo kohë kur Maria, për eksperiencën e pjekunine që kishte fitue, pat arrijtë që të pajtonte mes tyne dy prej udhëheqësve ma kryesorë të kryengritjes së Kosovës: Mehmet agë Gradicën me legjendarin Shaban Polluzha, që mandej në luftimet e lavdishme të Drenicës do të bijshin heroikisht si njeni ashtu edhe tjetri.
Andej kah mesi i 1945-ës qe mbledhë kuvendi i njohun me emnin “Kuvendi i Drenicès”, në të cilin patën marrë pjesë pesëdhetedy burra të zgjedhun nga e gjithë Kosova, mes të cilëve edhe Maria, vajza e re prej Shkodret, që deri atëherë kishte ba emën si në luftë, ashtu edhe ndër kuvende burrash.
Luftimet e Drenicës patën vazhdue deri më 21 shkurt 1945 dhe në njenën prej atyne betejave, – mbasi që edhe të shumtët e komandantëve ishin vra – Maria që bante pjesë në çetën e Ukë Sadikut, do t’u plagoste në luftë për herë të dytë e, radiostacioni i saj t’u shpartallonte me atë rast.
Në vazhdim, në prill të atij viti, me ndërmjetësinë e Muharrem Bajraktarit, nji grup udhëheqësish kosovarë, mes të cilëve edhe Maria, qenë takue me nji major anglez, që u quente Mihail Lubling. Siç do t’u mësonte mbrapa, po ky major, do t’u takonte mandej në Kolashin edhe me nji grup çetnikësh të Malit të Zi.
Lidhun me periudhën kur zona e Ferizajt ishte e rrethueme nga të gjitha anët prej brigadave të shumta partizanësh e çetnikësh e, kur në ndihmë të tyne Enver Hoxha kishte dërgue kontigjente shqiptarësh që të luejshin trathëtinë ndaj vëllazënve të tyne kosovarë, Marija, tue folë mbrapa për atë rast, do të deklaronte: “Ideja ime ka qenë mos me luftue me vëllaznit tonë”.
Në kuvendin e Dabërdalit, të mbajtun në qershor të atij viti, mes dyqind burrave që aty ishin mbledhë nga e gjithë Kosova, thuhet se Marie Shllaku pat mbajtë nji fjalim të zjarrtë, lidhun me nevojën e vazhdimit të luftës deri në çlirimin e Kosovës prej pushtimit serb.
Në gushtin e atij viti, në Prizren ishte formue “Komiteti i Besëlidhjes”, me synim Shqipninë Etnike, inicuese e të cilit kishte qenë vetë Marija, komitet ku do të luejshin rol edhe shkodranët patër Bernard Llupi, profesori Kolë Parubi e mësuesi Gjergj Martini.
“O.Z.N.-oja” – Sigurimi i Kosovës – kishte kohë që u përpiqte të fuste në dorë me çdo mënyrë Marie Shllakun, tue i pasë premtue asaj sa e sa herë jetë e liri, gja që Marja vazhdimisht e kishte refuzue me indinjatë, tue vazhdue pa lëkundje veprimtarinë e saj sa në nji anë, aq në tjetrën. Lidhun me këtë periudhë, ajo do të shkruente: “Populli më donte shumë e më ruente si di Zoti”.
Ndërkaq O.Z.N.-oja vazhdonte t’ishte shum e preokupueme për kapjen me dredhi ose forcë të Marie Shllakut me rrezikshmëni të naltë e, të thurte për atë qëllim plane mbas planesh, pa kursye edhe eksperiencën e gatshme ruse. Kështu nji ditë, vetë shefi i O.Z.N.-os për Kosovën, njifarë shqiptari i keq me emnin Alush Meti, bashkë me nji shoq të tij, që gjoja si të zhgënjyem prej politikës serbe ndaj Kosovës, do të bajshin sikur po u arratisshin për në çetën e Marie Shllakut, gja që Maria nga ana e saj, s’do ta kishte të vështirë me ua kuptue hilen e për t’i kthye menjiherë mbrapsht.
O.Z.N-oja, që s’hiqte dorë asnjiherë për kapjen e Marie Shllakut, mendoi që ta diskreditonte para popullit figurën e saj, tue iu shpifë me anë të nji frati boshnjak prej Zllokuqani të Pejës, si dhe prej nji murgeshe sllave me emnin “Ruzha e Istogut”, që me atë rast, do të shprrtallojshin poshtë e përpjetë se gjoja Marje Shllaku ishte e pa fe e, se ajo po ndihmonte “miletin e turkut”, shpifje për të cilat Maria do t’iu përgjigjte: “Këtu nuk ka turq, por vetëm shqiptarë”, kurse ndaj atij frati, ajo do të shprehej me shumë zemrim: “Poshtërsitë ndaj mejet i ban ai frati i Zllokuqanit, të cilit nji ditë me thoj kam për t’ia nxjerrë sytë”!
Mbramja e 12 shtatorit ishte errët e qetë dhe pak nga pak, nji natë ma e heshtun se kurrë, kishte pushtue gjithë vendin rreth e përqark. Çeta në të cilën bante pjesë Marie Shllaku, po flinte, ndërkohë që për roje ishte nxjerrë Pjetër Tomën. Askush nuk e pat kuptue, se tue përfitue prej errësinës së thellë të natës, nji brigadë serbe kishte pasë rrethue gjithë zonën, dhe në nji orë të vonë të asaj nate, partizanët serbë kishin sulmue me shumë vrull dhe i pari luftar që kishte pasë fatin t’u ndeshte me ta, kishte qenë vetë trimi Pjetër Toma, i cili, mbasi kishte vra komisarin serb të brigadës, kishte mbetë i vrame edhe vetë, gja që Marie Shllakun do ta çonte peshë e ta zemronte pa masë, e s’fundi, të bante që ajo, pa marrë parasysh asgja, t’u hidhte në nji sulm të rrufeshëm, që do t’i kushtonte marrjen e tetë plagëve njiherit.
Për fatin e saj ma të keq, ajo do t’u ndodhte e vetme, pa asnji tjetër luftar pranë. Me mundimin e tetë plagëve në trup që vazhdojshin t’i ridhshin gjak, ajo me zvarritje do të arrinte deri te nji koçek misrit. Në të zbardhun të ditës, agjentët e O.Z.N.-os, s’do ta kishin të vështirë të gjejshin Marien me fare pak jetë në trup dhe menjiherë ta dërgojshin në nji spital të Mitrovicës.
Lidhun me këtë luftim të saj të fundit, ajo do të shkruente: “Në luftë e sipër unë kisha për detyrë që të plagosunve randë, me ua hapë plagët, me qëllim që ata t’mos vuejshin e që të vdisshin sa ma parë, si edhe me ua asgjasue dokumentat që mund të kishin me vete, kurse të plagosunve tjerë, me u shërbye e me u dhanë kurajë”.
Gjatë kohës që Marija u ndodhte e shtrueme në spital, O.Z.N.-oja, me qëllim gë të mësonte gjithçka lidhun me veprimtarinë e saj, si dhe që t’ia njihte bashkëpunëtorët, do të pregadiste gracka të reja, të atilla që Maria, tue mos i pasë kuptue e në mirëbesim, do të binte brenda tyne e, të merrte me vete me atë rast edhe miq e bashkëpunëtorë që aq shumë i kishte dashtë e respektue.
Kështu nji ditë, agjentë të O.Z.N.-os, të veshun si civilë e të paraqitun si ballistë, mbas nji skenar gjoja luftimi të shkurtë që do të zhvillojshin për rreth spitalit ku Maria u ndodhte e shtrueme, do të bajshin sikur arrijnë qëllimin e aksionit të rrufeshm për nxjerrjen e saj prej kthetrave të O.Z.N.-os dhe, ashtu me plagë ende të pasherueme siç do ta gjejshin, ta strehojshin në shtëpinë e gjoja nji fshatari të mirë e besnik.
Për disa ditë me rradhë, i zoti i asaj shtëpie do t’ia mjekonte me kujdes plagët e do t’i shërbente për çdo gja me shumë dashamirësi. Ky njeri i sjellshëm e i përzemërt që Maries ia kishte fitue deri në fund besimin e zemrën, në të vërtetë nuk kishte qenë as fshatar dhe as i mirë, por vetëm nji oficer i rafinuem e shumë hileqar i O.Z.N.-os, me emnin e tij të vërtetë Nazmi Kursani.
Në krye të tetë ditëve, Marija do t’i kërkonte laps e letër të pabesit zot të asaj shtëpie, e si të përfundonte së shkruemi nji letër për mikun e saj në Pejë, bashkëqytetarin patër Bernard Llupin, bashkë me letrën, do t’i jepte korrierit edhe nji medalion të saj, me qëllim që patër Bernardi t’mos kishte anji dyshim për dërguesin.
Përfundimisht, loja dinake e O.Z.N.-os do t’u mbyllte me tragjedi për Marien e miqtë e saj: do t’u arrestojshin me atë rast Patër Bernard Llupi, Prof. Kolë Parubi, mësuesi Gjergi Martini etj., e mbas pak ditësh t’u gjykojshin prej nji trupi gjykues shqiptar, me prokuror famëkeqin Ali Shukria, i cili ndër tjera, do ta pyeste Marien: “Pse ti, Marie Shllaku, luftove kundër partizanëve”? Dhe Maria do t’iu përgjigjte: “Që Kosova t’u bashkonte me Shqipni”.
Tregojnë se në përfundim të gjyqit, prokurori Ali Shukria, që kishte humbë durimin prej përgjigjeve të guximshme të Marijes, i ishte drejtue asaj gjithë zemrim: “A e din ti, Marije Shllaku, se për krimet që ke krye, plumbi të pret”? dhe Maria, tue mbledhë në nji pikë të vetme çdo mendim e forcë të saj të fundit, e gjithashtu tue pasë marrë ato përmasa të mëdha e tragjike sa vetë fati i saj, do t’iu përgjigjte aty për aty me ton të vndosun e pa u rrëmbye, prokurorit komunist Ali Shukrisë: “Po e dij se më pret plumbi, por vdes krenare se i shërbeva Kosovës”.
Marije Shllaku, Patër Bernard Llupi, Prof. Kolë Parubi, si edhe mësuesi Gjergi Martini, të katërt prej Shkodret, do t’u dënojshin me vdekje e t’u pushkatojshin më 25 nandor 1945.
Guximi e vendosmënia e tregueme në luftë e kudo prej kësaj vajze të re shkodrane, përfshi edhe qëndrimin e saj stoik e krenar para pushkatimit, nderojnë Shqipninë, Shkodrën që e lindi dhe e rriti, e cila në të ardhmen do të dijë t’i bajë vend në panteonin e saj të lavdishëm edhe kësaj bije të saj gati krejt të panjohun. Për sqarim lexuesit: deri para disa vitesh, dy libra i qenë kushtue në Kosovë Marije Shllakut, njeni me titull “Marije Shllaku”, e tjetri “Shqipëria e Marije Shllakut”, me autorë Ramiz Kelmendin e Viktor Gashin, mbi të cilin asht mbështetë autori i ktyne radhëve. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016