Nga Ahmet Bushati
Pjesa e tetë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Mbas pushtimit të Shqipnisë, Llesh Marashi do të ishte ndër ma të parët, – në mos ma i pari – në gjithë zonën e Shkodrës, që me armë në dorë, të kishte dalë në mal për me luftue pushtuesin, si patriot e legalist që ishte. Mbas kapitullimit të Italisë, siç e dimë, në Shqipni qenë fute gjermanët në rrugën e tyne të tërheqjes graduale për në Gjermani. Në këtë kohë në Tiranë, qe formue nji qeveri e kryesueme prej Rexhep Mitrovicës, qeveri që si shumica e nacionalistëve në atë kohë, qëndrimin e përkohshëm e kalimtar të gjermanëve në Shqipni, nuk do ta konsideronte pushtim. Kështu edhe Llesh Marashi, – si të gjithë legalistët e tjerë të arratisun deri atëhere – zbriti prej malit dhe nga ajo qeveri u ngarkue me detyrën e Qark-komandantit për Shkodrën, tue pasë për koleg Shaban Elezin, në detyrën e rreth-komandantit.
Ardhja e komunistëve në pushtet, do ta nxirrte Llesh Marashin përsëri në mal. Dy muaj kohë plot me vrasje, burgosje e reprezalje nga partizanët kudo nëpër Malci, kishin mjaftue që ajo zonë kreshnike, t’ishte kthye në fuçi baruti, gati për të shpërthye në rastin ma të parë. Veç Llesh Marashit, nëpër Malci në atë kohë qarkullojshin edhe grupe të tjerë të arratisunish. Edhe vargjet e këndueme prej nji vajtoce me emnin Tone Kuqia, në nji rast vdekjeje, hedhin ndoshta disi dritë mbi gjendjen në fjalë:
“Mjera ti more Malci,
Shpija e stane shkrum e hi.
Sa nuk ka ma gjeth as bar,
Ma t’mirët burra vjerre n’litar.
T’tanë hotnit lidhe me tel,
Keq n’Kastrat e ma zi n’Shkrel,
E n’Kelmend s’kndon pulë as gjel.
—
Por s’do t’shkojë, për t’gjate mot,
Ke lë djelm qe t’dalin zot”!
Kryengritja e Llesh Marashit nuk kishte qenë parashikue për atë ditë kur ajo ndodhi. Ajo qe ndezë krejt rastësisht e nga nji shkak jo i randësishëm. Malcori Luket Marashi, prej lagjes “Grishaj” të Shkrelit, u dinte prej të gjithëve se ishte strehuesi kryesor i Llesh Marashit, prandaj më 23 janar 1945, ditë gjatë së cilës binte dhe borë, forca të Mbrojtjes Popullore po kërkojshin për me arrestue Luket Marashin, në kohën që ai u ndodhte sipër katundit bashkë me Lleshin e çetën e tij.
Partizanët, të shqetsuem që s’po e kapshin Luketin, bastisin shtëpinë e tij, tue i marrë çdo gja që u gjindte brenda saj, si bagëti, ushqime etj., e në fund i vejnë edhe flakën. Ndërkohë, grupi i të arratisunve që prej sipër malit, deri atëherë ato skena po i ndiqte me shumë zemërim, e tue mos u përmbajte ma, – po i kërkonte Lleshit me kambëngulje, që t’i lejonte me hapë zjarr. Thuhet se Lleshi, që shpresonte për nji kryengritje të të gjithë maleve njiherit, u përpiqte me frenue padurimin e luftërave të tij, tue ua përsëritë disa herë, se; “nji kryengritje në atë ditë, do t’ishte e parakohshme e me pasoja të panevojshëm”! Thuhet gjithashtu, se në vazhdim, ata luftëtarë nuk po u mbajshin ma, aq sa edhe vetë Lleshi, me heshtjen e tij, sikur ma në fund po e miratonte sulmin.
Mbasi çeta u lëshue me tërbim mbi partizanë, edhe katundi u çue përnjiherë në kambë me armë në dorë. Për kushtrim ranë kumbonët në Shkrel, e shumë shpejt u ndigjuen se ranë edhe në Kastrat. S’vonoi edhe nga Reçi po vijshin jehonë kumbonësh. Entuziazmi i malësorëve që vrapojshin me armë ndër duer, ishte në kulm, por për fat të keq, asaj kryengritje do t’i mungonte organizimi, si papritmas që kishte shpërthye e me qenë se edhe marrëveshja nuk ishte pasë ba me të arratisun e malci të tjera. Megjithatë, sulmi i malësorëve qe aq i rrufeshëm, sa forcat e “Mbrojtjes Popullore” u tërhoqën thuajse pa pa rezistencë e në panik të madh, kur secili prej tyne, nuk do të mendonte veç si me shpëtue kokën e tij!
Nji pjesë e tyne u fsheh ku mundi dhe nji pjesë tjetër u dorëzue. Por gjithsesi, lufta do të vazhdonte vend mbas vendi e, do të kishte të vramët e saj. Kështu në luftë e sipër u vra komandanti i Bajzës, Jonus Naçi, (baba i komisarit të Malësisë së Madhe, Çun Jonuzit). Bashkë me të u vra edhe efektivi i asaj poste, Myftar Sokoli. Në vazhdim qenë dorëzue njena mbas tjetrës postat e Shkrelit, Bajzës e Gruemirës, si dhe vetë Kopliku.
Sulmin e pandalshëm të malësorëve, edhe pse pjesërisht të armatosun, asgja s’mund ta ndalonte, për çka do të paguhej qyshë atë ditë me gjakun e disa prej ma trimave. Kështu te kisha e Shkrelit, do të vritej Marash Tomë Gjeloshi. Burrat e Shkrelit, mbasi me të shpejtë do të merrshin postën e Dedajve, do të sulmojshin atë të Bajzës, për marrjen e së cilës do të binte Pjetër Gjoka. Do të vritej gjithashtu Zef Toma, oficeri i ri që kishte kenë vendosë në krye të Grishajve, e pranë tij edhe malsori tjetër, Lulash Cuku. Në mbramje të asaj dite, do të vriteshin tue luftue edhe Luigj Kolë Shetaj e Mirash Gjoni. E ndërkaq, skena e kryengritjes, kishte edhe ngjarje tjera:
Kishte kohë që nëpër Malsi, mes tjerash, të vepronte edhe nji brigadë partizane e Lumës, me komandant Njazi Hoxhën, i cili me rastin e kësaj kryengritjet, ishte pasë strehue në shtëpinë e Zek Zenelit, prej lagjes “Mehaj” të Koplikut të poshtëm, që si mbas zakonit, ai e kishte pritë mikun, tue i pasë thanë se po të dështonte, shtëpinë ia kthente në kala. Njazi Hoxha, – siç do të tregojshin të zotët e kësaj shtëpie – ishte qetësue, kur kishte ndigjue se në krye të kryengritësve, qëndronte Llesh Marashi, me të cilin ai u njihte q’para disa vitesh, kur bashkë kishin pasë shërbye si ushtarakë në Burrel, tue pasë qenë Lleshi epror i tij.
Njazi Hoxhën e dorzuem, Llesh Marashi e trajtoi si mik që e kishte dhe gjithë efektivin e tij të kapun me atë rast, e liroi pa e prekë e me gjithë armë. Lleshi gjithashtu liroi edhe partizanët e zanun në Koplik, për marren e të cilit, meriton të veçohet shtëpia e Shaban Binakut…! Duket ndoshta pak si i çuditshëm fakti se në mes të malësorëve kryengritës, u ndodhshin edhe dy kosovarë, vëllaznit Shemsi e Hamdi Ferri, nipa të patriotit Jakup Ferri, i pari ish-oficer e tjetri tregtar, që ishin largue prej Kosovet, për shkak të dhunës që po ushtrojshin serbët atje. Kishin pasë ra si miq në shtëpinë e njohun të Aliajve të Kastratit.
Kryengritja në fjalë pat pushtue gjithë zonën përreth e mbërrit deri te Ura e Rjollit, ku qenë vra dy prej kryengritësve ma trima: Gjon Martin Lula e Mirod Paloka, të dy prej Bajzet. Malsorë në burg, tue qeshë, do të na tregojshin se si Çun Jonuzi, mbas këtyne ngjarjeve, si komisar që vazhdonte t’ishte për Malsinë, kishte pasë ndërhye disa herë pranë komandës së Forcave të Mbrojtjes Popullore, tue fajsue malsorë të shumtë, për vrasjen e të atit. Aq i bezdisshëm ishte pasë ba Çuni për ata oficerë, sa nji ditë njeni prej tyne i kishte pasë folë: “Po ti Çun, sa baba paske pasë”?!
Rezistenca heroike e Kelmendit
Ishte ba nji muej e gjysë kohë, qysh se lufta kishte marrë fund e që deri atëhere, kudo në Shipni, ishte vendosë pushteti komunist, i quejtun popullor, edhe megjithatë, në mbrëmjen e 31 dhjetorit 1944, pakkush në Shqipni mund t’u kujtonte, se ishte natë e Vitit të Ri të 1945-ës! Sidomos për Shkodrën me rrethe, ajo periudhë e shkurtë prej jo ma shumë se nji mueji me pushtet komunist, kishte mjaftue që ta bindte shumicën e popullit, se premtimet e bujshme të Luftës që sapo kishte mbarue, nuk kishin pasë qenë veçse nji prrallë e vërtetë. Bastisje të shumta shtëpish, grabitje mallnash në emën të popullit, burgosje e vrasje njerëzish me, e pa gjyqe partizanësh, do të ishin ato ngjarje të përditshme, të cilat Shkodra ishte e detyrueme t’i përjetonte me shpirt ndër dhambë.
Vetëm Kelmendi i largët, strukë rranzë malesh të mbulueme krejt me borë, do të vazhdonte me mbetë sovran si motit, ndër trojet e tij ende të pashkelun prej partizanëve, gja që gati askush në Shqipni nuk e dinte e, nuk do ta besonte. Deri atëhere Kelmendi kishte ndigjue se ç’kishte ndodhë e vazhdonte të ndodhte me Shkodër e katër bajrakët e tjerë të Malsisë, me të cilët ai ishte vëlla, e po priste radhën për vedi, edhe pse jo pa luftë.
Kishte nji muej që brigadat partizane kishin dalë në Rapshë të Hotit, ku edhe ishin ndalë. Shtabi i tyne me në krye Mehmet Shehun, i ndigjuem edhe atje për krimet e shumta që kishte krye, ishte vendosë po aty, në Rapshë të Hotit. Kelmendi nga ana e tij, kishte vendosë me iu vu pushkën partizanëve, sapo ata të shkelshin në tokën e tij e, Rapsha kishte dhanë fjalën se në nji rast të tillë, do ta lajmonte Kelmendin në kohen e duhun. Deri ditën që do plaste lufta, Kelmendi do të përgjonte ditë-natë me djelmët e tij, që i nxirrte me radhë ndër pika të caktueme vrojtimi.
Nata e ftoftë e 31 dhjetorit të 1944-shit, kishte pasë qene e fundit që kelmendasit – ndonëse jo pa shqetësim – të kalojshin pa luftë e ndër shtëpitë e tyne. Rapsha atë natë, si mbas fjalës së lidhun qysh ma parë, lajmoi Kelmendin, se forcat partizane ishin nisë për Tamarë e, bajraktari Mark Gjeloshi nga ana e tij, qiti menjëherë kushtrimin kudo nëpër Kelmend, katundet e të cilit do të kishin aq kohë, sa t’u mblidhshin ndër veti. Pa ditë në se edhe në këtë rast, të ketë shërbye piskama e njohun malsorçe, Nikçi e Vukli venduen me dërgue në mbrojtje të Kelmendit, ka nji për fis – trung -, kurse Selca, nga ana e saj, kishte da me u mbrojtë në kufijtë e vet, ndonëse disa prej djelmëve të saj ma trima, si Gjeke Selca, Gjergi Lula etj., shpejtuen për t’u gjetë sa ma parë në log të luftimit, bashkë me vëllaznit e tyne të nji bajraku.
Ishte ende natë kur forcat partizane sosën në kufi me Tamarën e do të vazhdonte me qenë natë, kur komisari Fejzi Micoli, në shej sulmit, do të shkrehte gjithë karikatoren e automatikut të tij, në përgjigje të së cilit, nji pritë malsore, do ta plagoste atë për vdekje. Lufta sa kishte fillue e, do të vazhdonte e rreptë për gjithë ditën, tue shënue episode të rralla trimnije prej të dyja palëve, por qe ma në fund, ende pa pasë ra nata, partizanët e thyem, do t’u largojshin tue pasë lanë në fushë të luftës, disa të vramë e mjaft material luftarak ndër duer të malsorëve, si pushkë e fishekë me shumicë, pese mitraloza, nji mortaje, tri mushka dhe katërdhete çifte prangash, për arrestimet e parashikueme.
Në mbrojtje të Kelmendit atë ditë, do të bijshin djelmët e tij trima, si Rrok Pretashi, Ndue Zef Nikolla e Kolë Mark Deda, të tre prej Vuklit, e qenë plagosë dhjetë të tjerë, ndërkohe që në shtëpinë e nji malsori, kishte pasë vdekë ish-komisari Fejzi Micoli, me gjithë interesimin e madh, që si mbas zakonit, kishin pasë tregue malsorët për shpëtimin e jetës se tij, e në veçanti, vetë Gjekë Selca.
Tregojnë se komanda partizane, para se të niste forcat për Kelmend, thirri malsorin Kolë Maçi, për t’ i marrë mendimin, lidhun me fatin e luftës që ishte në prag, e thuhet se ai u ishte përgjegjë: “Kelmendi asht zor të merret”, – prognozë së cilës Abas Fejzo, komandant i njenës prej brigadave, i ishte përgjegjë, tue pasë vue në dukje, se; “ata partizanë kishin zhvillue luftime te suksesshme deri edhe me gjermanë”.
Mbas asaj dite të parë luftimi, do të pasonte nji javë pa luftë, por natyrisht, pa pasë qene asnjëherë plotësisht e qetë. Kelmendi si edhe ma parë, do te vazhdonte të qëndronte në përgjim, tue ditë mirëfilli se ishte i rrethuem, tej maleve e bjeshkëve të tij, po t’ishte nevoja. Të gjitha këto i dijshin malsorët dhe instinkti i hershëm i grishte ata, për vetëmbrojtje e qëndresë.
Ne krye të nji jave, forcat partizane, tue shpejtue si cuba nëpër terrin e nji nate të pa hanë, me mendimin që t’u dilshin mbas shpinde malsorve e t’i kapshin në befasi, do të ndrrojshin drejtim e tue kalue rrugë pa rrugë, t’u ngjitshin nëpër “Kapë të Hotit” e, përfundimisht të dilshin në Brojë. Por Broja, që kësaj here ishte synimi i partizanëve, – edhe pse mjaft larg Tamarës, prej kah rregullisht futesh në Kelmend – do të qëndronte çuet e, si i thojnë, me gisht në çark të pushkës.
Sulmin e befasishëm të partizanëve, ajo do ta përballonte me sukses, falë në radhë të parë kujdesit e trimnisë së vetë saj, e mandej edhe ndihmës vëllaznore që i pat ardhë menjiherë prej Vuklit e Nikçit. Luftimet në këtë rast zgjatën disa orë e, qenë mjaft të rrepta, derisa ma në fund partizanët përsëri u thyen, tue pasë lanë në vend disa të vramë. Prej anës së malsorëve atë ditë, u vranë Zhuk Toma prej Brojet e, Kolec Uci prej Triepshit, ndërsa Lukë Toma e Dedë Gjon Bajraktari, qenë largue prej fushës së luftimit, me disa plagë te marruna në trup.
Tri javët e mbetuna të janarit dhe ajo e para e shkurtit, do t’u karakterizojshin nga përpjekje të herëpashershme në mes të dy palëve, pa përjashtue edhe ndonji të vramë, siç do te ishte p. sh., rasti i nji Pjetër Zef Kocit, prej Brojet e, ndoshta edhe i ndonji tjetri, por pa pasë qenë asnjiherë luftë në kuptimin e plotë të fjalës. Gjatë gjithë kësaj kohe, komanda partizane, atje në Rapshë të Hotit, do të vazhdonte t’u merrte me pregatitjen sa ma të plotë për pushtimin përfundimtar të Kelmendit. Kështu Brigada e I-rë, XXIII-të dhe XXVI-të, nji ditë e rrethuen Kelmendin nga të gjitha anët, përfshi edhe atë mbas shpinde, nga ana e Gucisë, brigadë kjo që u kishte pasë shkue në ndihmë partizanëve malazezë, përkundër forcave “reaksionare” të shqiptarëve të Plavë-Gucisë.
Ishte fundi i javës së parë të shkurtit, kur forcat e shumëfishueme partizane, sulmuen me furi nga të gjitha drejtimet Kelmendin, i cili nga ana e tij, ndonëse i vetëdijshëm për fatin përfundimtar të luftimeve, prapëseprapë, falë trimnisë e shpirtit të tij patriotik, kishte vendosë përsëri për luftë, por natyrisht, pa muejtë ma me përballue numrin e madh të partizanëve të tri brigadave, të armatosuna ma së miri. Kështu Kelmendi, mbas pesë javësh qëndrese të lavdishme e tue i pasë besue nji amnistie që duel me atë rast, si dhe besës së dhanë nga vete komandantët e atyne brigadave, uli ma në fund pushkën, tue iu pasë nëneshtrue me të pabesë e pa mëshirë, nji terrori e reprezaljeve të atilla, që “me u dridhë fëmija në bark të s’amës”!
Partizanët në atë rast, do të vritshin mizorisht disa burra e të rij malsorë. Trembëdhjetë shtëpi të Vuklit e Nikçit, do të merrshin flakë përnjiherë. I gjithë malli i pjesëmarrësve në luftë, do t’u merrte. Dedë Gjon Bajraktari e Lukë Toma, që vazhdojshin të lëngojshin prej plagëve të marruna në luftimet e Brojës të disa ditëve ma parë, do t’u digjshin për së gjalli brenda shtëpive të tyne, sepse partizanët mizorë nuk do të lejojshin që familjarët e tyne, t’i nxirrshin përjashta.
Si u pushtue Kelmendi, partizanët shpallën përsëri nji amnisti, si mbas së cilës, u falej jeta të gjithë atyne që kishin marrë pjesë në luftë, në qoftë se ata do t’u dorëzojshin brenda nji afati të caktuem. Po, a mos kishin besë komunistët?! A mos iu donte besue ma të pabesëve?! Megjithatë Kelmendi, si mbas zakonit e në respekt të fjalës së dhanë, u besoi.
Ma të parët që kërkuen me u dorëzue, qenë tre të rij prej Brojet, të cilët, sapo dolën prej nji shpelle, ku kishin qenë strehue, pa paralajmrim, u ekzekutuen në vend nga nji grup partizanësh. Në rrugë e sipër, partizanët takojne malsoren trime, Katrina Tomën, e cila kishte të ngujuem në shpellë me Prenk Calin, bir e bijë, Gjeloshin e Tonen, e me që ajo nuk u tregoi se ku u ndodhte shpella me të arratisun brenda, e pushkatuen në vend, aty në rrugë të madhe.
Në Brojë gjithashtu partizanët, tue mos respektue as në këtë rast premtimet e amnistisë, do të pushkatojshin në vend, të tre djelmët e dorzuem të Mark Bikut, e për ma shume mizori, në oborr të shtëpisë e në sy të dy prindëve të tyne. Në të njajtën kohë, në nji pyll të Vuklit, pushkatuen njiherit kushrijt, Lucë Gjon Rapukën dhe Zef Rrok Rapukën, si edhe Fran Zef Bajraktarin. Po ashtu pushkatuen edhe Lucë Gjon Bajraktarin, vëlla me Dedë Bajraktarin e djegun për së gjalli, brenda shtëpisë së tij. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016