Nga Ahmet Bushati
Pjesa e gjashtë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Shkodra përmes kronikave
Paralel me euforinë e komunistëve dhe të familjeve të tyne të ngazëllyeme prej fitores, në Shkodër herë mbas here do t’u mbajshin mitingje, raste këto kur në tribunat e tyne përgjithësisht do të shikojshe fytyra militantësh mediokër e injorantish, me vetëm pesë klasë fillorjet, si dhe oficerë entuziastë të korpuseve partizane, që herë mbas here do të flitshin me shumë patos për luftën që kishin ba.
Ma së shumti nga ato tribuna do të flitshin hierarkët e rinj të qytetit, si Zija Dibra, Arif Gjyli, Gjovalin Luka, Mark Ndoja etj. Në fjalimet e shkurtë, por të zjarrtë të të cilëve, do t’u glorifikonte vazhdimisht lufta heroike e partizanëve, si dhe lidhja e tyne vëllaznore me Jugoslavinë e marrshallit Tito.
Gjithashtu, në fjalimet e tyne standarde, vend me randësi do të zente urrejtja e pakufishme për kundërshtarët e tyne politikë, që do i quejshin “tradhtarë” e “të shitun te i huaji”, pa mungue asnjiherë që t’u kujtojshin edhe fundin e tyne tragjik e të pashmangshëm, ndërkohë që qytetarët shkodranë, qoftë edhe në ato fjalime të tyne, po shifshin me tronditje shfaqjen e profilit të nji Shqipnie tashma të mbushun me njimijë rreziqe.
Qysh në ditët e para të dhetorit të 1944-shit, do të vinte në Shkodër gazeta që dilte në Tiranë, “Buletini i Lajmeve”, prej katër faqesh e me format të vogël, që shkurtimisht do të pasqyronte ngjarje nga vendi, veprime luftarake të brigadave shqiptare dhe jugosllave në tokat e paçlirueme të “Jugosllavisë-motër”, si edhe sukseset e “Ushtrisë së Kuqe”, në “frontin e saj të Lindjes”.
Anglo-amerikanët vazhdojshin ende t’u quejshin me mirësjellje hipokritë “aleatë” dhe veprimet e tyne luftarake në “frontin e perëndimit”, ndonëse shumë të suksesshëm, t’u pasqyrojshin në mënyrë mjaft telegrafike. Pa kalue veç pak ditë, edhe Shkodra do të nxirrte gazetën e saj me titull “Jehona e Shkodrës”, e cila mbas nja nji muaji, do të ndryshonte në “Koha e Re”, që tue mos u largue nga ngjarjet e Shkodrës me rrethe, për të tjerat do të ishte kopje e asaj të Tiranës.
Qysh në ditët e para mbas futjes së partizanëve në Shkodër, do t’u arrestojshin shumë prej kundërshtarëve të tyne politikë: ballistë, që përgjithësisht ishin të rij me moshë, – e të tillë edhe si intelektualë – si edhe zogistë, shumë prej të cilëve që kishin vuejtë edhe persekucionin italian. Fillimisht këta të burgosun do t’i grumbullojshin në dyqanin e madh të “Ulqinakut” dhe disa të tjerë në hollin e katit përdhë të prefekturës, për t’i bashkue e rrasë si sardelet në këtë të fundit mbas pak ditësh, ku do të vdisshin, ish-kapiteni legalist, Daut Kombi, si edhe doktor Spanjoli.
Pa kalue veç pak ditë të tjera, autoritetet e vendit do të nxirrshin prej burgut disa të rij, për të plotësue me ta radhët në frontin e Jugosllavisë. Nji akt të tillë pushtetarët lokalë do ta quejshin “zemërgjansi” të pushtetit të tyne popullor dhe “nderë”, për ata që po e përfitojshin, pamvarësisht në se pa kalue shumë kohë mbas kthimit të tyne në Shkodër, shumë prej tyne, si Kolë Kurti, Hilmi Kamata, Zef Gera, Luigi Toni, Syrri Golemi etj., do t’ u riburgoseshin…!
Më 15 dhetor 1944, shtypi i ditës si dhe shpalljet e afishueme vend për vend nëpër qytet, do të njoftojshin randësishme që kishte marrë “Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar” në Tiranë, tue pasë për fund nënshkrimet e Dr. Omer Nishanit, si kryetar i atij Këshilli e të Koço Tashkos, si sekretar i tij. Ishin vendime me karakter të fortë revolucionar, që në popull, si me korrent, do të futshin shumë shqetësim e frikë.
Neni i parë i atij vendimi bante fjalë për konfiskimin e pasunisë së tundshme e të patundshme të të arratisunvet, tue ba që qysh në të nesërmen e publikimit të tij, t’u nxirrshin prej shtëpive të tyne familjet e Sali Myftisë, Gjon Marka Gjonit, Sheuqet Mukës, Xhelal Bushatit, Xhemal Naipit, Ismail Elezit, Ndoc Jakovës, Sabri Dacës, Llesh Marashit, Mark Males, si dhe familjet e Dedajve, të Negrit dhe e nji oficeri dibran, me mbiemnin Dema, të Haxhi Kastratit të Bërdicës etj., për t’u internue diku në rrethinat e Beratit.
Nuk do të vononte e të vinte nji ditë që edhe qytetarë të pasun do t’u detyrojshin për me braktisë shtëpitë e tyne të mëdha e komode, për t’ua u lëshue pushtetarëve të rinj toskë e vendas, e vetë t’u përplasshin nga “Këshillat e Lagjeve”, ndër do soba të braktisuna qytetarësh të ndryshëm e ahre të pabanueshëm. Do të kishte raste që nji pushtetari të tillë t’mos i kishte pëlqye shtëpia që ia kishin caktue, ose plaçkat që kishte gjetë në të, dhe pretendimet e tij, si rregull, do t’u kënaqshin menjiherë.
Ishte për të qa e për të qeshë, kur përgjithësisht u dinte se nga ç’vende e nga ç’jetë vijshin këta zotnij të rij, nën kambët e të cilëve po kishte fatin të binte Shkodra e mbarë Shqipnia. Kam pasë rast të shikoj nji herë, se si partizanë që ndoshta s’kishin pas kurrë plang as shtëpi, nga urrejtja për të zotin e panjohun të nji shtëpije “reaksionare”, e pikrisht në atë të Sylço begut, të hidhshin prej dritareve të mëdha mobilje të ndryshme që ishin në gjendje shumë të mirë dhe në çastin kur ato të krisshin me poterë tue u coptue poshtë për tokë, ata partizanë, nga kënaqësia për veprën e tyne vandale, t’u gajasshin kafshërisht mes tyne.
Nji ndër nenet ligjore që do të krijonte viktima të panumërta, do të ishte edhe ai që tekstualisht u shprehte: “Dënohen me vite burgu, deri edhe me vdekje, të gjithë ata që strehojnë të arratisur, ose që kanë dijeni për ta e nuk tregojnë”. E si ta kuptonte p.sh. malcori i jonë nji ligj të tillë, që do të ishte në kundërshtim të plotë me botëkuptimin e tij, me institucionet e tij ma supreme, si atë të besës e mikpritjes, për të cilët ai kishte atë kult që dijmë edhe ne?! A s’do t’i vlejshin ato ma tepër se buka, edhe nëse ajo t’i kishte mungue e edhe se vetë jeta?! Apo s’ishte shprehë ai në jetë të jetëve se; “votra i përket mikut!” Të gjitha sa ma sipër, s’ishin veç ai prelud që popullit po i fliste në kohë, për tragjedinë që sapo kishte fillue.
Ishte ajo kohë, kur në Shkodër do të vinte Mehmet Shehu me korpusin e tij famëkeq. Ndër ato ditë të ftofta e me borë shumë, u pushkatojshin vazhdimisht njerëz, sidomos malcorë, të akuzuem se kishin strehue të arratisun, qoftë edhe për nji natë të vetme; u pushkatojshin po t’u kishin dhanë atyne nji copë bukë në dorë; u pushkatojshin për nji pushkë të vjetër, që ua kishin gjetë të mshehun; e ndoshta ma shumë u pushkatojshin pa asnji shkak, veç për terror! Emnat e të pushkatuemve të ditës, stampue me gërma të zeza mbi sfondin e nji letre jeshile, u afishojshin ndoshta në disa pika të ndryshme të qytetit, por unë rregullisht do t’i shifsha në fasadën e nji furre, që edhe sot ndodhet përballë universitetit “Luigj Gurakuqi”, në rrugë të spitalit.
Aty do t’u mblidhshin qytetarë për t’i lexue emnat e atyne fatkëqijve, dhe unë do të kisha rast të vërejsha se si ata, tue ba me u largue, të shikojshin njeni-tjetrin me nji shprehje dhimbjet të thellë, e si të panjohun që zakonisht qëllojshin mes tyne, t’u shpërndajshin pa folë e me sy për tokë. Siç thamë edhe ma sipër, u pushkatojshin shumë prej atyne malcorëve që s’kishin ngopë barkun asnjiherë me bukë, që s’kishin ba asnji ditë shkollë e që megjithatë, do t’u quajshin e t’u vritshin si reaksionarë.
Tregohet për nji rast kur dukagjinas të lidhun me tel dorë për dorë para skuadrës së pushkatimit, e në kohë që prej çastit në çast po pritshin që trupënat e tyne t’u përshkojshin prej plumbave të automatikëve të partizanëve që kishin përballë, pikrisht në nji moment të tillë, komandanti i asaj skuadre, për të kënaqë sadizmin e tij, do të gjente rastin që mbi kokat e atyne fatkëqve të thyente qetësisht arra, e në vazhdim, t’i përtypte ato me shkujdesje të dukëshme, si për t’u tregue të tjerëve aty, se vdekja e atyne që po u pushkatojshin, nuk meritonte asgja, as edhe prishjen e shijimit të ngranëjes së arrave.
Lidhun me zbatimin e vendimeve të “Këshillit Nacionalçlirimtar”, në Shkodër qe ba shtetrrethim. Me atë rast u ushtrue kontroll shtëpi për shtëpi, në kërkim të njerëzve të mshehun, të armëve, si dhe të çdo gjaje tjetër të parashikueme në atë vendim.
Dita kur qe ba shtetrrethimi, kishte qëllue e mirë e me diell, por edhe e ftoftë e me borë të ngrime, qysh prej ndonji dite ma parë. Rrugët ishin të shkreta, sepse ishte e ndalueme që atë ditë njerëzit të dilshin përjashta. Në të rrallë do t’u dukte ndonji prej atyne aktivistëve të njohun, të cilët, si për të kënaqë nji vanitet të tyne fëminor, do të përshkojshin rrugët me ngut, tue kërkue t’u tregojshin si të randësishëm në sytë e ndokujt, që mund t’i vërente prej nji porte a dritareje që të binte mbi rrugë, ma tepër se sa prej vullnetit të tyne të mirë, për të drejtue grupet e kontrollit të përbamë prej partizanësh jo vendas.
Ndërkaq brenda shtëpive, njerëzit atë ditë pritshin me frikë radhën e kontrollit, mbasi që kushdo kishte ndonji gja që iu donte mshehë partizanëve. Megjithatë, shumë shtëpi të moçme shkodrane me atë rast, veç pushkëve të kohës që dorëzuen vetë, do të humbshin edhe objekte me vlera të papërsëritshme muzeale, të trashigueme brez mbas brezi e, të ruejtuna me kujdes e krenari mbi faqet e mureve të odave ma të mira që kishin. Me pretekstin e mbledhjes së armëve, u sekuestruen edhe u përvetësuen atë ditë pushkë të vjetra të tipave të ndryshëm. Pikë në zemër do të më mbeste nji dylbi, që atë ditë na e hoqën prej murit, ku kishte qëndrue e varun prej shumë vitesh, si dëshmi e nji miqësie që në shtëpinë tonë u çmonte shumë: ishte dylbi e dhurueme babës tim, kur kishte qenë fëmijë, prej vetë Hasan Riza Pashës, për miqësi që ai kishte pasë me gjyshin.
Protestave të mia, oficeri u që përgjegjë tue u drejtue kah baba: “Sipas udhëzimit që kemi, jemi të detyruar t’jua sekuestrojmë një herë, pastaj ndoshta edhe mund t’jua kthejmë. Tue mos u largue nga koha për të cilën po flasim, vemë në dukje se ushtarakë jugosllavë, me qëndrim serioz e si prej eprorësh të vërtetë, do t’u kapërdisshin përditë nëpër rrugët e gytetit tonë.
Tue dijtë se me ta na ndante jo vetëm kultura, traditat dhe çdo gja që ndanë nji popull prej nji tjetri, po edhe nji histori e tanë e shkrueme me gjakun e të parëve tonë, kështu që prania e tyne në Shkodër si “shokë” e si “vëllazën”, u shikonte prej popullit si kryevepër ironie. Ishte tepër shpejt që Shkodra të mundte me harrue se si ato malazez, vetëm tridhjetë vjet ma parë, sapo dojshin me sulmue Shkodrën e andrrës së tyne të përjetshme, do të përshndeteshin mes tyne me fjalët: “Dovigjenja u Scadar i nashe more”! (Mirupafshim në Shkodër e në detin tonë).
Shqinia përditë e ma tepër po u kthente në nji provincë vasale të Jugosllavisë. Shtypi me deklaratat e tij të shfrenueme, në shenj mirënjohjet të pakufishme ndaj Jugoslavisë së marrshallit Tito, “pa të cilën na nuk do të kishim ftitue lirinë”, do të tingëllojshin si nji refren i neveritshëm që u përsëriste me bujë për ditë, tue ngacmue e vra krenarinë e qytetarëve tonë.
Shkodra mandej, për bollëkun në të mira materiale që kishte trashigue nga koha e luftës, do t’u bante edhe ekonomikisht viktima e tyne e parë. Në Shkodër, makina mbas makinash do t’u ngarkojshin çdo ditë me mallna të ndryshem e të merrshin rrugën për Jugosllavi, shoqnue gjoja me nji dokument që s’ishte tjetër, veçse nji copë e rëndomte pusulle, në krye të së cilës u shënonte dyqani, ose magazina e ish-tregëtarit ku ajo ishte ngarkue me mallin e tij të sekuestruem, në mes të saj, urdhni i shprehun me fjalën; “të ngarkohet” dhe poshtë, nga ana e djathtë, zakonisht firma e Zija Dibrës, e në mungesë të tij, e çdo nëpunësi tjetër, qoftë edhe e nji inxhinieri, siç ishte ajo e Anthim Konomit, që në atë kohë mbulonte sektorin e “punëve botore”, për Shkodrën.
Sqarojmë se mbarimi i Luftës e kishte gjetë Shkodrën me nji bollëk, që nuk ishte pa asnjiherë ma parë. Le të kishte qenë luftë, tregëtia në Shkodër, si kudo në Shipni, kishte lulëzue shumë. Për ilustrim, simbas librit të doganës së Shkodrës, atje në Pazar të vjetër, vetëm përmes lumit Buna, gjatë periudhës së Luftës, kishin qenë zhdoganue njimbëdhetë milion çadra të markës “Millegiorni”, prej kah kishin pasë marrë rrugë të ndryshme, si p.sh. edhe atë të Turqisë së përjashtueme prej luftës.
Në përfundim të Luftës, të shumtë do të ishin ata tregëtarë shkodranë që nuk do të dijshin ku të futshin mallin e tyne. Dyqanet e magazinat, përfshi edhe shtëpitë e tyne të mëdha, disa herë nuk do të mjaftojshin për me strehue mallin e tyne të shumtë, e do t’u detyrojshin që për atë qëllim, me u hapë nder miq e të afërm të tyne.
Punonjës me randësi pranë dikasterit qendror për Ekonominë në Tiranë, do t’u çuditshin e do të shfaqshin keqardhje të madhe, kur të ndigjojshin se Shkodra, pa udhëzim e pa urdhën, por me iniciativë të krenëve të saj servilë, ishte zbrazë krejt për llogari të jugosllavëve.
Shkodra kishte fatin e keq që të paguente edhe mentalitetin e stilin e komunistëve të saj mjaft mediokër, tashma me mungesë të theksueme personaliteti, pa folë për patriotizmin e tyne të zbritun në zero aq shpejt. Për nji rast si ky, të shkon mendja te nji proverb anglez që thotë: “Nji mësim (Lexo: shkollim), i pamjaftueshëm, asht gja e rrezikshme”, njashtu si nji studiues i huej, që pak a shumë si ma sipër, tue folë për revolucionin francez e në analogji me të, për revolucionet në përgjithësi, do të shpjegonte se kontigjenti ma i parë dhe i natyrshëm i tyne, veç njerëzve të rrugës e të papunëve, do të ishin edhe të paknaqunit e kohës!
Si p. sh. studentë që për paaftësinë e tyne, nuk kishin muejtë me vazhdue ma tej shkollën; mësues, qe për te njajtin shkak, s’kishin muejtë me u ngjitë ne profesorë; avoketën, që nuk kishin arrijtë të bajshin karrierë, e kështu me radhë, që pa ua mohue edhe qëllimet e mira që të kenë pasë, sidomos në përpjekjet e tyne fillestare, nuk mund të anashkalohet edhe nji shtysë e tyne e mbrendshme prej nji kompleks inferioriteti, që ata të kenë ndie e vuejtë ndaj nji klase tjetër me vlera të vërteta intelektuale, të klasifikum prej tyne, borgjezë.
Asht pra kjo psikologji e tyne, që për nji pozitë shoqnore të tyne të ulët, ata do të fajsojshin e luftojshin çdo rend, si gjoja shkak i padrejtësis ndaj tyne. Kështu komunistët tonë, të dalë si kuadro prej luftet, me ç’kulturë e formim t’i rezistojshin nji ideologjie që do t’u mëkohej pa pengesë e dita-ditës nga Partia, si fëmijës qumështi i nanës? E gjithashtu, me atë pak formim që kishin, me se do t’i rezistojshin ata tundimit ndaj favoreve që u afronte ajo kohë e tyne e artë?
Lidhun me grabitjen që i qe ba Shkodrës prej anës së jugosllavëve, sa për ilustrim, vazhdojmë të tregojmë se studentë apo vizitorë të ndryshëm, që në ato vite të parë u kthejshin prej Beogradit, Splitit, Podgoricet, apo edhe prej Mosket, mija kilometra larg, do të tregojshin se si në dyqanet e qyteteve të masipërm, ata kishin vërejtë se u shitshin mallna të tregëtarëve shkodranë, si “çorape setapura”, çadra e kapele me etiketën “Ulqinaku”, etj.
Nji person pat tregue se në muzeun e nji udhëheqësi jugosllav në Beograd, kishte dallue çiften tregrykëshe që firma gjermane “Krüp”, ia kishte dhurue dikur në shej respekti Maliq Bushatit. Nji tjetër qytetar shkodran, do të tregonte se në shtëpinë e nji malazezi në Podgoricë, kishte njohë – ndër njizetetetë që në atë kohë kishte pasë Shkodra – pianoforten e Çitës, bijës së farmacistit, Luigji Simoni, etj., etj.! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016