• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Wednesday, June 4, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime

“Ndryshe nga Jugu, në Shkodër s’do kishte vëllavrasje me komunistëve dhe nacionalistëve, me përjashtim të Patër Lek Lulit e një ballist prej Përmeti, që i vrau…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik

“Nazim Osmani, sportist i njohun, ua rrëmbeu ushtarëve një pushkë, e me të në dorë, u nis me vrap, tue thirrë përgjatë rrugës; Kush asht burrë…”?!/ Ana e panjohur e 7 prillit 1939, në Shkodër!
“Ndërsa ai po i shikonte me trishtim partizanet me barkun e fryrë, njëra prej tyre i tha: xhaxha, ne s’kemi shkuar në mal vetëm për luftë, por…”/ Dëshmia e studiuesit të krimeve të komunizmit
“Ditën që vdiq, pas një ‘ilaçi qetësues’ që i bënë ‘mjekët’, babai na la si amanet, një shishe verë, ta pinim kur të vdiste Enver Hoxha…”/ Historia e trishtë e deputetit dhe komunistit të parë të Shkodrës
“Te Instituti i Historisë dhe Etnografisë në Tiranë, takova Skënder Luarasin, por e humba simpatinë për të, se fliste për fitime, kurse Sejfula Malëshova…”/ Kujtimet e fratit të famshëm
“Në Francën demokratike, vepron gijotina për kriminelët komunistë; në SHBA karrigia elektrike, ndërkohë këtu te na, ata bredhin të lirë dhe…”/ Refleksionet e muzikologut të njohur, ish-i burgosur politik
“Në Francën demokratike, vepron gijotina për kriminelët komunistë; në SHBA karrigia elektrike, ndërkohë këtu te na, ata bredhin të lirë dhe…”/ Refleksionet e muzikologut të njohur, ish-i burgosur politik

Nga Ahmet Bushati

Pjesa e tretë

Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhëtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.

Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

Gjithashtu mund të lexoni

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

                                                      Vijon nga numri kaluar

                                                     Në Gjurmët e një ditari

                                              Shkodra në vitet e para nën komunizëm

Në luftë edhe ne të vegjlit!

Gjatë viteve 1942-‘43 Lufta Nacionalçlirimtare kishte tërheqë rreth vetes shumicën e studentëve të liceut. Brenda kësaj periudhe të mbushun me ngjarje të shumta lufte, po u rritshim edhe ne, e si të thuash, po u bajshim përditë e ma tepër pjesë e nji lufte të madhe, thërmue në mija e mija pika të pambarim graviteti anë e kënd vendit. Të mbushej mendja se të gjithë njerëzit ishin të prekun prej etheve të luftës. Me kalimin e kohës, edhe reagimi jonë po u bënte gjithnji e ma i vetëdijshëm, aktiv e konkret.

Kështu ne, në mënyrë të organizueme, do të fillojshim me u mbledhë fshehtas ndër shtëpia shokësh, e si mbas rastit, edhe ndër livadhe deri buzë liqenit. Në emën të luftës, do të shkruejshim parulla me zhargonin e kohës, ndër vende të dukshme të qytetit e, do të shpërndajshim natën trakte nën dyer të shtëpive. T’u caktojshe me detyrën e vëzhguesit rreth nji shtëpie, ku u zhvillonte nji mbledhje ilegalësh, ose me këtë rol të shoqnojshe deri tek agjencia S.A.T.A., korrierin e qarkorit të Shkodrës, Haki Llazanin, sa herë që ai t’u niste për Prizren ose Durrës, ose dhe të çojshe nji pusull madje edhe të parëndësishme nga nji bazë në tjetrën, do t’u dukte se ke krye nji punë të vlefshme, që të mbushte me gëzim e krenari.

Do t’u ndiejsha shumë krenar kur nji ditë të më vinte në shtëpi udhëheqësi i grupit ku unë bajsha pjesë, Jonuz Tuli, që tue më dorzue nji zymbyl – kanistër – plot me trakte në italisht, do të më thonte: “Për besimin që kemi tek ti, asht mendue që të shpërndajsh trakte nëpër ushtrinë italiane, tue fillue qysh prej kazermës së parë me ushtarë italianë, pak mbas fushës së sportit, e deri në të fundit, diku afër Urs së Mesit. Janë trakte me randësi të veçantë, sepse u bajnë thirrje ushtarëve italianë, që të dezertojnë prej nji ushtrije në shërbim të fashizmit e, të bashkohen ndër male me çetat tona të lirisë”.

Dhe unë atë mbas dreke vere, për nderin tim ma të madh, e kreva atë detyrë, simbas porosisë që më qe dhanë. Do të kryejshim, si mbas rastit, edhe shërbime të tjera, po demonstratat do të shënojshin për mue momente tepër prekës, për parullat anti-italiane me tingëllim të fortë patriotik, që me atë rast u hidhshin me guxim prej demonstruesve të zjarrtë, si edhe për kangët patriotike që u këndojshin me patos të veçantë, që së bashku, do të bajshin që ne të përjetojshim nji gjendje të papërsëritshme, ekzaltimi patriotik.

Sidomos dy nder disa demonstrata që u patën zhvillue në Shkodër, mue do të më lejshin mbresa të pashlyeshme për të gjithë jetën: ajo e 22 shkurtit e vitit 1942, e zhvillueme me rastin e nji përvjetori të “Marcia su Roma” fashiste, kur në përleshje e sipër, qe vra në sy të të gjithëve, komunisti Vaso Kadia, – mbasi që edhe ai nga ana e tij, plagosi për vdekje nji oficer të karabinierisë italiane – i cili do të vdiste pak orë mbrapa në spital.

Po ndoshta përshtypje ma të madhe në atë demonstratë, do të më bënte guximi i studentes Vehbije Barbullushi, e cila, e vendosun siç ishte në ballë të demonstratës, pavarësisht pushkëve që krisshin përpjetë prej karabinierëve italianë, për të frikesue demonstruesit e, pavarësisht nëse ata i bijshin asaj pa pushim dhe e tërhiqshin zvarrë për flokësh, ajo s’do t’a lëshonte e s’do ta lëshonte asnjiherë prej duarsh, flamurin kombëtar të demonstratës.

Demonstratë tjetër për t’u shënue ka qenë ajo e zhvillueme me 26 korrik 1943, pa dyshim ma e madhja e të gjitha të tjerave, në të cilën do të merrshin pjesë bashkërisht të gjitha partitë e kohës, e kjo, për nji klimë afrimi që ishte krijue ndër ato ditë të vigjiljes së Mukjes. Sinjalin e fillimit të demonstratës me “Eja mblidhuni këtu, këtu!” që tue pasë nisë prej Bashkie, do t’a jepte Ramadan Kazazi i Ballit Kombëtar.

Mbas disa dhjetëra metrash që do të bante ajo demonstratë tepër impozante, si për numrin e madh të pjesëmarrësve të saj të zjarrtë, ashtu edhe të kangëve patriotike, me ushtimën e fuqishme të të cilave do të të dukej sikur ishte mbushe krejt qielli përsipër, ai ortek tejet i madh njerëzish të ekzaltuem nga thirrjet për liri, do të befasohej, por nuk do të ndalonte, kur papritmas t’i shfaqej në distancë nji rresht i gjatë kavalerie italiane, që ecte drejt saj me kërcimin e nji kundërshtareje ushtarake të zemrueme, si asnjëherë ma parë.

Mbasi ata ushtarë të hypun mbi kuaj të naltë të futshnin në rrethin e tyne edhe rreshtat e fundit demonstrueseve, me qëllim shpërndarjet të tyne, do të qitshin disa pushkë përpjetë, po nganjëherë edhe poshtë, me ç’rast qe folë se u plagosën katër vetë, ndër ta edhe Adem Kombi, Vehbi Ramadani, e se po me atë rast, u vra Mustafa Dervishi, sekretari i Rinisë së ‘Ballit Kombëtar’ për Shkodrën, e nji prej të rinjve intelektualë ndër ma të shquemit e qytetit tonë, i cili vetëm nji vit ma parë, ishte diplomue shkëlqyeshëm në Itali për arkitekturë.

Ndonji takim me partizanët, i realizuem diku jashtë qytetit, do të shënonte gjithashtu nji ndër ato raste interesante të kohës së luftës, e kjo për robën ushtarake që ata kishin veshë, për nga nji pushkë të gjatë që mbajshin pranë vetes, ose edhe për ndonji bombë që mund të kishin të varun në brez, e mbi të gjitha, për shumë entuziaste që u tregojshin për misionin që kishin marrë përsipër, tue pasë ba që unë, e të gjithë të tjerët si unë, të besojshim se ishin vetëm ata që në vetvete, mbartshin misterin e mrekullueshëm të luftëtarëve të lirisë.

Kur në moshë je i ri e, vendin e ke të pushtuem, aq shumë të rrëmben romantika e luftës për liri, sa bukuritë e shpirtit tand të naltsuem shumë prej saj, do t’ia mveshish çdo gjaje përreth, edhe natyrës, e cila do të të duket sikur edhe ajo asht përfshi në luftë. Kështu malet që shikon prej së largu, nuk mund t’i shkëputish nga ideja se nëpër ta qarkullonte me armë ndër duar, luftëtarët e lirisë, të gatshëm për luftë e çdo sakrificë, e se ato shtëpi që prej qytetit të duken të vockla e të rallueme, pa asnji dyshim, strehë për ta.

Në ato kohë, thuajse për ditë do të hidhshim shikimin tonë me simpati të veçantë, drejt bogave të zhveshuna të katundit Domën, për arsye se në fillim të pranverës 1943, në bjeshkën mbi të, ishte zhvillue e para përpjekje e partizanëve me milicinë fashiste, me ‘rast kishte ra i riu Tom Kola, ish-student gjimnazi e konviktor i “Maleve Tona”. Po ashtu, netët nëpër qytet, sikurse edhe rrugët e tij me kthesa, do t’u dukshin sikur edhe ato të merrshin pjesë në luftë, tue fshehë e ruejtë luftëtarët nga armiqtë e rreziqet. T’u mbushte mendja pra, se gjithçka ishte kthye në pjesë përbërëse e luftës e, në funksion të saj, e se vetë mirazhi i Shipnisë së ardhshme me liri, me t’u dukë nji ëndërr disi e paperceptueshme, e si nji gja jo shumë e mundshme për t’u kthye vërtetë në realitet, pikërisht për njatë bukuri të saj të veçantë që do të kishte.

Ishte e atillë ajo luftë marramendëse, që sa ma të mirë e të ndjeshëm që të kishin qëllue idhtart e saj, aq ma afër rrezikut do t’i çonte ajo, qoftë edhe kur kauza t’mos ishte vetëm çlirimi i vendit nga i huaji, por edhe realizimi i nji “verbi”, sado që absurd e mizor për gjithë njerëzinë, por dhe atëherë u besonte prej nji pjese të rinisë si shpëtimtar, si mbas të cilit gjoja do të çlirohej përfundimisht njerëzimi, prej padrejtësive të shumta të akumulueme prej kohës në kohë!

Ndryshe, si mund të shpjegohet pjesëmarrja në shkallë të gjanë e rinisë në atë luftë dhe përkushtimi i pa rezervë ndaj saj, tue fillue qysh prej ma të mirëve, si Qemal Stafa me shokë, të cilët, për aq kohë sa ti zgjaste ajo luftë, si protagonist të saj që ishin, do të futshin në veprim anët ma pozitive të qenieve të tyne, pavarësisht nga fakti se si ata do të qëndrojshin në kushte diktature, kur edhe siç dihet tashmë, se nji pjesë e tyne, në kohën e duhun, do tö ktheheshin në viktima të saj, kurse pjesa tjetër, që natyrisht do të përbënte shumicën, do të ndryshonte deri në shpërfytyrim të plotë.

Vijnë kohët me veçoritë e tyne, që disa njerëzve, për të mirë a për të keq, ua zbulojnë e zhvillojnë edhe ma shumë karakteret e tyne. Kështu, duhet të kishte luftë për liri, që në skenë të dilshin edhe martirë e heronj, njashtu si mbrapa nën diktaturë, bashkë me nji ushtri të pafarë hipokritësh, servilësh e spiunësh, të dilshin përsëri edhe martirë e heronj. Pra, ashtu si gjatë Luftës që nji entuziazëm i madh kishte pushtue rininë, deri në atë pikë sa nji pjesë e saj, të të dukej sikur kishte pushue së jetuemi për vete, njashtu do të ndodhte mbrapa edhe me ne të rinjtë idealistë, kur do të vuajshim burgje e kampe komuniste!

Nji kushëri i imi, Naim Gjylbegu, pikërisht pse në jetë kishte ardhë me prirjet e nji njeriu të mirë e, rrite në gji të nji mjedisi të shquem qytetar, ai aq ma shumë do t’iu kushtonte luftës, sa edhe pa nevojë, në ndonji rast, t’iu ekspozonte rrezikut, veç si të mundte me afirmue ndaj vetes e të tjerëve, besnikërinë për kauzën, jashtë së cilës për të, nuk ekzistonte asgja tjetër në atë kohë. Po ashtu, nji tjetër kushëri i imi, Malo Bushati, i kthyem me mision në qytet prej grupit partizan, do të derdhte lot, kur të dëgjonte për luftimin e Domnit, zhvillue në mungesë të tij.

Kështu pra, të rinjve të asaj kohe, mbi gjithçka po u flitshin vetëm ndjenjat, dhe se me përjashtime të pakta, sidomos deri në Mukje, askush nuk mund të besonte që ajo luftë e tyne të ishte nji gabim, e jo ma që pikërisht ata vetë t’ishin tue lujtë tragjedinë ma të kobshme për vendin e tyne. Po ashtu, tue përjashtue emisarët jugosllavë pranë “Shtabit të Përgjithshëm” të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si dhe Enver Hoxhën e ndonji tjetër, asnji pjesëmarrës i Luftës, nuk duhet të ketë besue në atë kohë që ajo luftë e tyne e drejtë e gjithë sakrifica njerëzore, të gjeneronte nji prej diktaturave ma të egra për popullin e tyne.

Tue mos u ngatërrue hë për hë me pasojat e asaj lufte dhe as me metamorfozën që do të pësojshin shumë prej pjesëmarrësve të saj, për ilustrim të sa ma sipër e, në shenj homazhi të thellë, unë do të shtoj se ajo luftë, nuk do të merrte fund edhe pa sakrificën e nji shoku e kushërini tim, me moshë vetëm dy vjet ma shumë se unë: Nuk pat qenë veç 16 vjeç, kur mbi supet e tij të brishtë, të kishte mbajt pushkën e gjatë të partizanit e, si i tillë, të ishte ndoshta ma i riu i batalionit “Perlat Rexhepi”. Mbas nji viti, do ta kapshin në befasi veglat shqiptare në shërbim të gjermanëve, e këta të fundit ta internojshin në Prishtinë, ku përsëri duhet të ketë qenë njeni ndër ma të rinjtë e atij kampi famëkeq, e pa dyshim, ma i riu brenda nji grupi prej tridhet vetash, që nji ditë do t’u ndante veç, për t’u pushkatue.

Kështu që, në nji natë të fundit të jetës së tij, në kohën kur të gjithë të tjerët po e pritshin me ankth e frikë zbardhjen e ditës, kur edhe do t’u pushkatojshin, ky nga ana e tij, për njatë bukuri të shpirtit të tij rinor e, idealit të lirisë, që e kishte frymëzue e dhanë aq guxim, sa me mall të gdhendte fjalët e fundit, në faqen e ashpër të nji guri në mur: “Nuri Bushati, 17 vjeç, prej Shkodret”, emën, moshë e vend, me të cilët ai sikur kërkonte që t’mos u treste në harresë, fjalë që edhe sot vazhdojnë të tingëllonte, si përshëndetje e tij e largët për njerëzit e shokët që i pat lanë në jetë, përshëndetje që mue gjithnjë më ka tingllue e më tingllon, edhe si nji protestë e butë ndaj vetë fatit, sepse në fund të fundit, nji jetë me vetëm shtatëmbëdhjetë vjet, ishte tepër shpejt për t’u futë në dhe, pavarësisht cilitdo altar që atë ta priste.

Asht obligim i imi gjithashtu, që të kujtoj me këtë rast edhe profesor Mark Ndojën, i cili gjatë viteve shkollore ‘42-’43, na pat dhanë gjuhë shqipe e latine. Te ai njeri e profesor, do të më bante përshtypje kur ai, me sy të skuqun e të mbledhun nga miopia, përmes leximit e interpretimit të vargjeve nga të “Lahutës së Malësisë”, – pjesë të shumta të së cilës na i kishte dhanë që t’i mësojshim përmendësh – të kërkonte me ndezë ndër ne ato ndjesi patriotike, që në atë kohë duhet të ishin qëllim në vete i punës së tij me ne.

Kur nji herë si klasë ne patëm bojkotue për motive politike mësimin, të nesërmen ai, si profesor-kujdestar i jonë që ishte, po edhe tue iu druejte gabimeve tona të mundshme, do të na qortonte me nji ton sa këshillues, aq edhe miqësor: “Shkollën ta ndiqni pa mungue, jemi na, ma të rritunit, që e kemi për detyrë të mendojmë edhe për tjetër gja”!

Nga ç’luftë vinte Shqipnia, atë ditë kur partizanët po hyjshin triumfalisht ndër qytete?

Tue mos qenë objekt i këtij punimi periudha e luftës dhe as vetë lufta që zhvilloi populli jonë, kundër dy pushtuesve me radhë, e shoh me vend që shkurtimisht, të vë në dukje shkaqet kryesore që atë luftë e çuan përfundimisht në fitoren e pashmangshme e totale të komunistëve, shkaqe që si mbas meje, konsistojnë në: Pushtimi fashist solli koincidencën fatale të interesave tona kombëtare, me ato të lëvizjes komuniste, nga e cila gja ajo “Lëvizje” përfitoi e, u zhvillue me shumë sukses nën ombrellën e luftës për çlirim, pra tue pasë shpalosë flamurin nacionalist të lirisë e pavarësisë dhe jo programin e saj real, që do ta rezervonte për ma vonë, për në kohën e duhun.

Kështu komunistët, tue mos pasë ba aspak fjalë për “revolucion socialist”, për “vendosje diktature”, “shtetëzim mjetesh prodhimi” dhe as për “luftë klasash” e “luftë kundër fesë”, do të ishin të parët që me demagogji, të thyejshin çdo kufi ideologjik, krahinor e shoqnor, të lëshojshin thirrjen për bashkimin e gjithë shqiptarëve rreth luftës së tyne, thirrje së cilës rinia shqiptare, e ndezun prej pushtimit të vendit, mezi ç’do të priste që t’iu përgjigjet masivisht e me entuziazëm, e në vazhdim, të shkruente edhe faqe të nji heroizmi të rrallë, ndërkohë që shumica e nacionalistëve, me përjashtime të pakta, si ato të Abas Kupit e Muharrem Bajraktarit në Veri, apo të Safet Butkës, Hysni Lepenicës e Abas Ermenjit në Jug, që me nga nji çetë të tyne, do ta luftojshin në kohë pushtuesin.

Kurse të tjerët, në përgjithësi, për shumë miopi politike, do të vazhdojshin me u lëkundë mes dilemës; “nëse duhej luftue nji Itali, që na kishte kthye Kosovën mbas pesëdhjetë vjetësh shkëputjeje”, si dhe prej faktit se duhej të kalonte shumë kohë e çmueshme, derisa ata të bindeshin se fitorja e aleatëve ishte e sigurt, në ndryshim pra edhe me nacionalistët grekë, që me luftë mundësuan ndërhyrjen e aleatëve në Greqi. Veç sa ma sipër, nacionalistët shqiptarë, për nji edukatë e kulturë që kishin, e sidomos për nji formim të tyne qytetar e patriotik, nuk përqafuan në kohë luftën e ligjet e saj të ashpra edhe për motive huave, tue u pasë shprehë se; “mos po na digjen fshatrat tona të varfra”, e se “Vëllau s’duhet të vrasë vëllain”, etj., e kjo, deri edhe atëherë kur forcat komuniste po dojshin me fillue sulmin përfundimtar ndaj tyne, Enver Hoxha mandej, tue pasë edhe ndihmën e aleatëve anglo -amerikanë, – që kundërshtar të forcave të “Boshtit” – do të bajshin që ato mangësi e vakume të krijueme prej nacionalistëve, t’i shfrytëzonte në atë mënyrë, që nji ditë ai me komunistët e tij, të uleshin të vetëm rreth tryezës së fitimtarëve.

Mendoj se faktori i jashtëm nuk do të kishte qenë aq vendimtar, në përfshirjen e Shqipnisë brenda kornizës sovjetike, nëse nacionalistët Shqiptarë t’i kishin dalë zot vendit, me luftë e në kohë. Nga ana tjetër, po të kishin qenë bashkue mes veti e t’mos ndodhte që nji pjesë e tyne, si Abas Kupi në Krujë, Ismail Petrela në Tiranë, Mestan Ujaniku në rrethet e Beratit, Kryezezët në Veri e disa të tjerë, që kontributin patriotik t’u detyrojshin me e dhanë në kuadër të “Luftës Nacionalçlirimtare”.

N’anë tjetër Rusia dhe vetë Stalini, nuk patën tregue gjatë luftës ndonji interesim të veçantë për Shqipninë, kështu që ata nji ditë, jo domosdoshmërish do të këmbëngulshin që edhe ky vend i vogël e me popullsi jo sllave, t’u kthente në pjesë përbërëse e sferës së tyne, gja që mund të ndodhte, po qe se lufta, si rezultat i pjesëmarrjes së nacionalistëve në të, t’mos ishte mbizotnue prej forcave komuniste.

Përsa i përket Shkodrës, mund të thuhet se ajo në përgjithësi, në nji formë a në nji tjetër, e mbështeste luftën, por që ndoshta për refleks të historisë së saj disi të veçantë, si dhe bot-kuptimit e traditës së saj të fortë, nuk u qe dhanë asnjanës prej partive, ndonëse dyert e çdo shtëpie, përfshi deri edhe ato të funksionarëve të kohës, do të ishin vazhdimisht të hapuna për cilindo njeri, që t’u ndiqte prej pushtuesit e veglave të tij.

Po për nji veçori të saj, në kundërshtim me sa ngjiste në jug mbas Mukjes – ku vëllavrasja ishte në rend të ditës – në Shkodër, veç nji ashpërsimi të propagandës nga ana e komunistëve, ku mbizotëronte parulla e tyne bajate e agresive; “me ne, ose kundër nesh”, asgjë tjetër nuk do të ndodhte, pra, nuk do t’u shënonte asnji akt vëllavrasës, me përjashtim të vrasjes në Grykë të Valbonës, të Patër Lekë Lulit, eksponent i Legalitetit, e të nji ballisti njëzetepesë vjeçar nga Përmeti, nga ana e dy partizanëve të batalionit “Perlat Rexhepi”, njeni prej të cilëve me pseudonim “Harapi”, ngjarje që do të ndodhte fill mbas nji takimi që nji grup partizanësh të atij batalioni, kishte ba në Sllatinë të Dibrës, me udhëheqjen partizane të Divizionit të I-rë, në rrugën e tij për në Veri.

Ishte ky takim e ky rast, që ata partizanë të Shkodrës, i kishte pasë frymëzue si për aktin e ma sipërm, ashtu edhe që t’i shkojshin në ndihmë nji brigade të pestë malazeze, e quejtun “proletarë”, në luftën e saj kundër forcave nacionaliste shqiptare të Plavë – Gucisë, të quejtuna prej tyne, “reaksionare”!

S’fundi nji ditë, ajo luftë e madhe do të mbaronte tue u pasë kthye liri e paqe gjithë vendeve të Europës që kishin qenë pushtue prej forcave të “Boshtit”, gja që për fat të keq nuk do të ndodhte me popujt në lindje të saj, që me atë rast do të bijshin nën sundimin e regjimeve totalitare komuniste, mes të cilëve edhe Shqipnia, me të cilën fati do t’u tregonte edhe ma i ashpër se me gjithë të tjerët, ndoshta edhe për faktin ma banal, se në krye të saj do t’u vendoste prej jugosllavëve e në shërbim të tyne, nji njeri mediokër, por edhe shumë ambicioz e pervers, me emnin Enver Hoxha, që për katër dekada me radhë, do të mbante nji popull nën kambë e të braktisun nga bota, tue i pasë kërkue që “dhunën” t’ia quente “drejtësi”, “privacionet” – “liri” e “mjerimin” ma të thellë të jetës – “lumtuni”! Memorie.al

                                                           Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Në janar 1920, organizoi qëndresën ndaj dyndjeve jugosllave, mposhti kryengritjen në mars 1922, çarmatosi fusharakët dhe...”/ Si e përshkruan Mbretin Zog, “Encyclopedia Britannica”, (volumi 23) e vitit 1969?

Next Post

“Sapo u larguan gjermanët, xhenierët italianë dolën fshehtas natën nga shtëpia e Vehbi Bushatit dhe shkuan në lagjen ‘Livadhe’, te depua e municionit...”/ Ana e panjohur e 28 nëntorit ‘44, si shpëtoi Shkodra?!

Artikuj të ngjashëm

“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Edhe pse Ollga Schweizer, në ‘44-ën shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra, komunistët e internuan dhe ia burgosën…”/ Historia tragjike e danezes, që u dashurua me firmëtarin e pavarsisë
Kujtime

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

May 30, 2025
“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Zefi, i rritun jetim, se i ishte djeg shpia bashk me prindit, del partizan te batalioni ‘Perlat Rexhepi’, por ra në burg, ku rrahu një polic dhe kur i dhanë 25 vjet, kërkoi me vdekje, pasi…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
Next Post
“Sapo u larguan gjermanët, xhenierët italianë dolën fshehtas natën nga shtëpia e Vehbi Bushatit dhe shkuan në lagjen ‘Livadhe’, te depua e municionit…”/ Ana e panjohur e 28 nëntorit ‘44, si shpëtoi Shkodra?!

“Sapo u larguan gjermanët, xhenierët italianë dolën fshehtas natën nga shtëpia e Vehbi Bushatit dhe shkuan në lagjen ‘Livadhe’, te depua e municionit...”/ Ana e panjohur e 28 nëntorit ‘44, si shpëtoi Shkodra?!

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!