Nga Sokrat Shyti
Pjesa e pesëdhjetë
Memorie.al / Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio-difuzion (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
“Nuk na vjen mirë ta themi, por duhet ta pranojmë që jemi rracë e poshtër, sepse kur qasesh pranë greminës, të japin të shtymen! Po nëna Anë me Dhorën, ku janë tani, këtu apo në Kolonje”?
– “Këtu tek motra e madhe, Reta”.
– “Ti tani do vish në Kolonjë, vetëm për çështjen e punës së Dhorës, apo ke diçka tjetër? Po qe’ vetëm për hallin e motrës, rri këtu, se e rregulloj unë këtë gjë me kryetarin e lokalitetit. Ne e ndryshojmë lëkurën sipas interesit: sapo morën vesh rreth e qark, që do fillosh punë në arsim, kanë filluar të tregohen gjoja dashamirës ndaj teje. Vetëm drejtori i SMT-s në Kolonjë, u tregua burrë. Duhet ta dish: ishte i pari që shfaqi mendimin kur erdhe këtu, të sistemonte në punë, si llogaritar brigade. Dhe do ta kthente në vendim, pa lëkundje nëse merrte përkrahjen e sekretarit të organizatës bazë të partisë”.
– “Po të erdhi rasti të përmendet emri im gjatë muhabetit, kur ta takosh, shprehi mirënjohjen për qëndrimin e mbajtur! Fjala e tij, ka shumë peshë, si anëtar i Byrosë së Partisë të rrethit”.
– “Kam përshtypjen që kur të kthehesh nga ushtria, do kesh plot raste të takohesh e të llafosesh me të. Ky i do dhe i respekton njerëzit e shkolluar, që sillen thjeshtë”.
– “Autobusi ndezi motorin dhe po bëhet gati për nisje…”!
– “Ik pa merak. Punën e Dhorës e rregulloj unë. Po u krye porosia sot, lajmin ia jap unë Retës”, – tha ai duke u ulur përpara me shoferin.
– “Bëj të fala Dhoksës, nga ana ime”! – e përshëndeta
– “Asaj do t’i bëhet shumë qejfi, kur t’i them që u
fejove”! – ma ktheu ai, duke ngritur dorën.
Ndjehesha mrekullisht i lehtësuar! Sepse nuk ma merrte mendja që problemi i punësimit të motrës, kaq shumë i rëndësishëm dhe jetik pas ikjes time ushtar, kur familja jonë do mbetej pa asnjë të ardhur financiare, do zgjidhej kaq shpejt, si me urdhrin e peshkut, pas takimit të rastësishëm me të Plotfuqishmin e zonës! Kapter Petro u tregua burrë fisnik dhe mjaft i përpiktë: në mbrëmje njoftoi motrën e madhe me telefon, se muhabeti me Sokratin përfundoi me sukses.
Në fund e uroi për fejesën e vëllait të vogël. Ashtu siç pritej, Reta u bë kureshtare të dinte; si qe’ ky muhabet, që përfundoi me sukses. Ndaj i telefonoi të shoqit në bankë, të më thoshte mua të shkoja në poste, që të bisedonim gojarisht.
– “Kur qenka bërë kapter Petro kaq i madh, sa të zgjidhi porositë e tua”?!…më pyeti motra, kur doli tek dera e prapme e postës.
– “Kot nuk thonë: nga ferra e vogël, del lepuri i madh…’, – ia ktheva unë me buzëqeshje. – Ndaj dhe ia kanë venë emrin detyrës së tij: i Plotfuqishëm”!…
– “Fshatari katundar mbetet, edhe kur bëhet gjeneral”!…ma ktheu motra duke qeshur.
– “Ama këtë radhë e bëri fora”! – shtova unë, pasi i tregova “sekretin”
– “Me të vërtetë?!…tha ajo me njëfarë habie. – Pse s’thua që kapterit i shkon llafi?!…Domethënë Dhora do filloje punë në kooperativën e rrobaqepësisë? Kjo qenka zgjidhje e mrekullueshme”! – shtoi e kënaqur, duke e ditur që sistemimi në punë i motrës, i hiqte kësaj barrën e ndihmës, që i takonte të jepte për të përballuar mbijetesën e nënës.
Menjëherë pas kësaj bisede, shkova në shtëpi të jepja lajmin e gëzuar të punësimit, që nëna me motrën të qetësoheshin. Me këtë rast, i përcolla të dyjave urimin që do shkoje ushtar? Por ty s’ta thosha dot, sepse nuk doja të prishja gëzimin e fejesës. Gjumi nuk më zinte natën nga sikleti i madh. Pyesja veten: si do kullandriseshim ne dy femra vetëm, pa patur asnjë ndihmë?! Por tani që u rregullua jot motër, ik mëndje mbledhur, pasi e kemi
një mbështetje. Dy femra rregullohen më shpejt se dy meshkuj. Punësimi i saj në kooperative na çliron edhe nga përgjimi. Duke bërë kujdes, mund të marrim porosinë shtëpi. Për këtë na ndihmon Shaja.
Që të mos bien në sy të fqinjëve të Kolonjës, gratë dhe vajzat e Ardenicës, sepse hëpërhë këto njohim, nuk do të vijnë këto tek ne, por do shkojë Dhora tek shtëpia e Shajes, për t’iu marrë masat e bërë provat. Vetëm kështu do ta kemi rrugën të hapur për të fituar një lek, përveç rrogës në kooperativë. Sigurisht duke patur përkrahjen, mbështetjen dhe kujdesin e Petros, që pa tjetër do na njoftojë për ndonjë kontroll të papritur nga Fronti, apo me soj soj emrash të tjerë, që na dëgjojnë veshët, si kontrolli punëtor e fshatar…”!
– “Gjithnjë ke qene grua dhe nënë me kurajë. Atëhere i jepje zemër babait të ndier, të mos binte në dëshpërim, kur sëmundja po i rëndohej dhe ai mezi mbushej me frymë. Me të njëjtën forcë mbajte familjen kur ra tërmeti i fuqishëm, dhe ne u strehuam në çadër”.
Ne këtë çast hyri në kuzhinë i zoti i shtëpisë, Stavri, për të më njoftuar se nesër duhet të shkojë tek zyra e punës, në drejtorinë e Kooperativave të Artizanatit, për të marrë fletën e punës për Dhorën.
– “Duhet të kesh me vete dëshminë e kategorisë, si rrobaqepëse, pasi në bazë të saj do caktohet pagesa dhe norma’ – shpjegoi ai më tej. – ‘Ndoshta mund të duhet certifikatë personale e Dhorës, si dokument, meqë ende nuk keni letër njoftimi. Fatmirësisht punonjësja e gjendjes civile, nuk do të nxjerrë pengesë, pasi është gruaja e oficerit tuaj. Ndërsa tek zyra e punës, e kanë marrë urdhrin si të veprojnë. Unë po iki, se jam në orar zyrtar’, – shtoi ai. – ‘Po doli ndonjë pa qartësi hajde në bankë, që të bisedoj unë me telefon”.
– “Po vij dhe unë me ty, meqë e ke rrugën andej, prandaj me përcill deri tek gjendja civile. Pastaj vazhdoj vetë” – i thash unë duke shkuar pas tij.
– “Kush ta futi në mëndje idenë, se i Plotfuqishmi juaj mund ta zgjidhte kaq shpejtë çështjen e punësimit të Dhorës”? – pyeti ai rrugës me kureshtje.
– “Askush. Ishte thjeshtë rastësi. U takuam tek autobusi dhe aty filloi muhabeti. Ai vetë u zotua pa ia kërkuar unë, duke besuar se mund ta zgjidhi këtë nevojë të ngutshme, sidomos kur mori vesh që do shkoja ushtar brenda këtyre ditëve”, – iu përgjigja unë.
– “Qenka njeri i mirë, – tha Stavri. – Shumë rrallë tregohen sot të gatshëm për të ndihmuar, edhe kur e kanë vetë në dorë zgjidhjen e një çështje”, – vuri ai në dukje.
Tek sporteli i gjendjes civile, u shfaq portreti simpatik i një gruaje të hijshme, me tipare mjaft të bukura. Pa e hapur gojën Stavri të bënte kërkesën, u dëgjua zëri i saj i ëmbël:
– “Keni ardhur për te marre certifikatën e gjendje familjare dhe personale për celebrim’? – pyeti ajo me buzëqeshje. – ‘Me që më jepet rasti: ju uroj nga zemra jetë të lumtur! Kam dëgjuar për vështirësitë që keni hequr…! Fatmirësisht u kapërcyen, dhe dashuria juaj triumfoi”!
– “Faleminderit për pritjen e ngrohtë dhe urimin’! ia ktheva unë me mirënjohje. – Përveç këtyre dy certifikatave më duhet dhe një personale për punësimin e motrës”.
Punonjësja simpatike hapi regjistrin e madh themeltar, gjeti faqen e familjes tonë, dhe nisi të plotësojë me kujdes tre dëshmitë e identitetit. Mua këtë çast me kaploi një ndjesi lehtësimi, sepse m’u duk sikur këtë çast po shkruhej vendimi i lirimit, pas rishikimit dhe rivlerësimit të ri nga Komisioni Qeveritar, duke patur parasysh këndvështrimin e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të rrethit”!…
Mëngjesi i një prillit ishte i mjegullt dhe me vranësira. Para oborrit të ngushtë të Degës Ushtarake qenë mbledhur rekrutët e rinj, veshur mos më keq, me rroba të vjetra tërë njolla dhe vende-vende të shqyera, lidhur kokën e qethur me shami dore, duke të dhënë përshtypjen se kjo turmë përbëhej nga të dënuarit e një kampi përqendrimi, që zhvendoset nga qyteti në një bokërimë tmerrësisht të egër, ku ha pula gur!
Kur vështrimi im rroku këtë pamje kaq të trishtuar, më ngërtheu një dëshpërim i thellë, dhe më doli para syve një mirazh mjaft i frikshëm, se kjo që po ndodhte s’ishte gjë tjetër veçse lojë mashtruese, nuk po na dërgonin për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak, por po na nisnin në një kamp pune! Ndaj të gjithë të ashtuquajturit rekrutë, përqaseshin me shumë me të dënuarit, që vinin nga shkolla e riedukimit, sipas urdhrit të ministrisë së Brendshme, me synim të grumbullohen në një kamp pune të përbashkët, ku do t’i nënshtrohen një disipline të ashpër dhe t’iu bjerë bretku! Në fund të fundit, ç’ndryshim ka mes një kampi të mirëfilltë pune, me atë të fermës ushtarake? Tela me gjemba në kamp, tela me gjemba në repart ushtarak. Roje të armatosur në kamp, roje të armatosur në NBU. Barake prej dërrase në kamp, barakë dërrase në repart!
Sigurisht këto ndjesi kaq të trishtuara, nuk ia shfaqa të fejuarës, sepse edhe pa to, ajo po e përjetonte dëshpërimin e egër të kësaj pamje gati të frikshme. Ndaj komentet ishin të tepërt. Sepse jo vetëm përbërja e rekrutëve linte shumë për të dëshiruar, (mbi nëntëdhjetë e nëntë për qind, ishin katundarë, madje një pjesë me prapambetje të theksuar mendore, nuk dinin të shkruanin e lexonin!), por dhe mënyra zyrtare e përcjelljes ndryshonte nga të tjerat, kur i nisnin nëpër reparte ushtarake, sipas armës përkatëse.
Dy makinat e zbuluara ushtarake, pa stola dërrase në karroceri, që mbërritën në oborr, nuk dalloheshin fare nga kamionët që përdoren për transportin e kafshëve. Në kabinën e secilit ndodhej një oficer shoqërues, me gradën nëntoger, të cilët duke patur rolin e drejtuesit të këtij kontingjenti rekrutësh, vetvetiu të jepnin përshtypjen e barinjve me uniformë ushtarake.
Por pavarësisht nga kjo përshtypje e jashtme jo e pëlqyer, këta dolën nga kabina e kamionit me mendjemadhësi të krekosur, dhe hodhën një vështrim përçmues mbi turmën e rreckosur, sikur po u thoshin këtyre në heshtje: “Po e pranuat ju ta quani veten bagëti, atëhere edhe ne na takon të jemi barinjtë tuaj. Kështu qe atje, do t’ua nximë jetën: qumështi i nënës ka për t’iu dalë nga hunda”! Me këtë shikim të krekosur e hap kapadaije, u drejtuan në derën kryesore të Degës Ushtarake.
Pikërisht në këtë çast, Engjelli doli tek shkallët e jashtme me listën në dorë, dhe dha urdhër me ton të lartë:
– “Gjithë rekrutët të rreshtohen para meje, sipas emrit qe do thërritet”!
Ndërmjet tyre, unë isha i vetmi me flokë të shkurtuar, pa shami në kokë, dhe i veshur me pantallona doku, triko leshi e këpucë të vjetra, që i përdorja për punë. (Rrobat e reja i hoqa para një gjysme ore, në një kthinë të klubit, të cilat i futa në një borsetë e ia dhashë Argelinit, ta mbante në dorë). Kur kjo më pa me veshje të ndryshuar, i rrodhën lot nga sytë, dhe me shumë sforcime i përmbajti ngashërimet. Engjelli, që e vuri re gjendjen e saj të trishtuar, u qas pranë nesh, dhe me zë ngushëllues na tha të rrimë diku të mënjanuar, pa u përzier me turmën, për t’i shfrytëzuar deri ne fund minutat para nisjes. Arqelini përfitoi nga rasti për ta pyetur: – “Në ç’vend do t’i dërgojnë”?
– “Në NBU-në e Burrelit. Sot në mëngjes erdhi urdhri. Por ka raste që bëhen lëvizje edhe gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak”, – vuri në dukje ai për të na qetësuar.
Tek shkallët e jashtme dolën dy oficerët shoqërues, bashkë me majorin e Degës Ushtarake, që merrej me mobilizimin e rekrutëve të rinj. Engjëlli na bëri shenjë me dorë të qaseshim tek kamioni i dytë, dhe pa u vonuar filloi të thërriste emrat e rekrutëve, që ngjiteshin në karroceri.
– “Po ky pse me flokë”? – pyeti nëntogeri shoqërues, kur unë u bëra gati të hipi lart.
– “Me urdhër të nënkolonelit”, – u përgjigj Engjëlli.
– “Sa për dijeni: ky ka qenë student, në Moskë, dhe në fundin e vitit të dytë e ka dhënë provimin e përgatitjes ushtarake…”!
– “Po atëherë pse ngrihet ushtar”?!… – pyeti nëntogeri mjaft i habitur.
– “Kur të lexoni kartelën e tij, do të kuptoni diçka, – shtoi Engjelli. – Tani për tani mjafton të dini që ndryshon si nata me ditën, nga gjithë rekrutët e tjerë. Ka qenë gazetar në Radiodifuzion. – Do ta kem parasysh, – tha nëntogeri duke hedhur një vështrim nga unë. – Por nuk varet vetëm prej meje,- theksoi ai. – Ndoshta mund t’i duhet komisarit për format e edukimit. Bëre mirë që më sqarove. Për të mos bërë dallim nga të tjerët, tani le të hipi në karroceri. Pastaj rrugës, mund të ulet përpara me mua, ne kabinë”.
Engjëlli e falënderoi për mirëkuptimin. Ndjehej mjaft i kënaqur me ndërhyrjen e tij të zgjuar. Shpresoi që nëntogeri, me detyrën e komandantit të kompanisë, do ta mbante parasysh këtë veçori dalluese edhe në repart, që të mos e trajtonte njësoj si rekrutët e tjerë bujq, të argasur me kazmën, belin dhe lopatën.
Argelini nuk i përmbajti dot ngashërimet, kur makinat u nisën. Engjëlli iu qas pranë për ta qetësuar, dhe filloi t’i pëshpëriste diçka. Me siguri e ngushëllonte, duke i thënë se Sokrati ka aftësi të veçanta artistike, të cilat do t’i shpalosë shumë shpejt, pasi në çdo repart ushtarak, ngrihen grupe të veprimtarive artistike me këngë, valle, estrada e teatër, kështu që do ndjehet nevoja e tij. Pas një minute makinat morën kthesën, dhe silueta e saj me borsetën në dorë, mbeti e skalitur në kujtesën time.
Kur kaluam kodrën e fshatit Golem të Lushnjes, në majë të së cilës ngrihej kisha, kamioni qëndroi, dhe shoferi doli në shkallare, duke thirrur emrin tim.
– “Zbrit poshtë dhe hajde futu në kabinë”! – më tha ky duke hapur vend të kaloja nga timoni.
Unë i falënderova të dy, nëntogerin dhe shoferin, për kujdesin e treguar, sepse pritej që moti të përkeqësohej. Kur mbërritëm tek Ura e “Zogut”, mbi lumin Mat, dhe ngjitëm maloren në krahun e djathtë, mjegulla e dendur u shndërrua në shi të hollë, me riga të padukshme, që të qullte deri në palcë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016