Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, që mban datën 30 maj 1989, ku jepet i plotë një artikull i gazetës “Borba” të Beogradit, autori i saj, Dragan… pasi akuzonte profesorin e njohur shqiptar nga Tirana, Bujar Hoxha, si autor të shkrimeve armiqësore kundër Jugosllavisë, pas ngjarjeve të protestave dhe demonstratave të Kosovës të 81-it, ai akuzonte autoritetet zyrtare jugosllave, që kishin lejuar prof. dr. Hoxhën dhe docent Burhan Çirakun, që nëpërmjet Arkivit të Kosovës, të studionin dhe të merrnin fotokopje të dokumenteve arkivore, që dispononte Sekretariati për Punët e Jashtme i Beogradit, pasi ato ishin përdorur edhe nga Enver Hoxha, në “pamfletet” e tij kundër Jugosllavisë.
Artikulli i gazetës “Borba” të Beogradit i datës 30 maj 1989, kundër prof. dr. Bujar Hoxhës
AGJENSIA TELEGRAFIKE SHQIPTARE 30 maj 1989 SHËRBIM KARTOTEKE
Si kanë bashkëpunuar në studimet shkencore Kosova dhe Shqipëria
SHQIPTARET NË ARKIVIN DIPLOMATIK
Profesor Bujar Hoxha, këshilltar i Enver Hoxhës dhe një nga strategët e politikës paternaliste të Shqipërisë ndaj Kosovës, në vitin 1979 iu krijua mundësia që, nëpërmjet Arkivit të Kosovës, të studiojë materiale të diplomacisë serbe, që nga fillimi i shekullit në Shërbimin e Sekretariatit të Federativ të Punëve të Jashtme, për çështjet dokumentare dhe arkivore.
Materiali i politikës shtetërore shqiptaro madhe, i shprehur midis të tjerash, edhe në sloganin “Dardania i përket dardanëve”, gjeti një terren të përshtatshëm në bashkëpunimin intensive “ndërshtetëror” Kosovë-Shqipëri, sidomos në pjesën e bashkëpunimit e në planin kulturor e arsimor, në kohën e shkallëzimit të nacional-separatizmit shqiptar në Kosovë, në dhjetë vjeçarin e shtatë të këtij shekulli.
Duke ndjekur udhëzimet e Byrosë Politike të PPSH-së të vitit 1952, për detyrat e historiografisë shqiptare e platformat e Komitetit Qendror të PPSH-së, “Për traditën e popullit tonë”, si dhe fjalimet e shumta të të Enver Hoxhës për këtë temë, Akademia Shqiptare e Shkencave në Tiranë, këtë gjë e konkretizoi.
Në organin e saj, “Iliria”, (Nr.6.1976), kritikon rreptë shkencëtarët shqiptarë për angazhimin e tyre të pamjaftueshëm në këtë plan, pra në truallin e Dardanisë. Në atë kohë, shkruanin: “Studimet tona në të ardhmen duhet të shtrihen në Dardani, e cila është një krahinë e rëndësishme ilire. Interesi i pamjaftueshëm që kanë treguar deri tani shkencëtarët tanë ndaj kësaj krahine, ka bërë të mundur krijimin e një boshllëku dhe për një farë kohe do t’u lërë vend koncepteve dhe interpretimeve arbitrare për një sërë problemesh të historisë ilire”.
Për ata që e njohin mirë historinë, Dardania nënkupton Kosovën e sotme dhe një pjesë të madhe të Maqedonisë, pjesë jugore dhe perëndimore të Serbisë. Tani, kur po zbulohen gabimet e shumta jugosllave lidhur me Kosovën dhe politikën e saj ndaj Shqipërisë, politikë e cila është hartuar dhe zbatuar që andej gjithmonë, me synimin e hegjemonizmit të dy pjesëve të popullit shqiptar, u provua qartë edhe me shumë dokumenta se si shqiptarët nga Shqipëria kanë studiuar në historinë e “tyre”, në territorin e Jugosllavisë. Shembull më tipik i naivitetit, i pakujdesisë, i plogështisë apo diçkaje tjetër jugosllave, është dhënia mundësi e studimit në Arkivin Diplomatik të Sekretariatit të Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, këshilltarit të Enver Hoxhës dhe një nga strategët e politikës paternalizmit të Shqipërisë ndaj Kosovës, prof. dr. Bujar Hoxhës.
Sekretariati i Universitetit të Prishtinës, me aktin e vet, Nr.243 të 5 shkurtit 1979, kërkoi nga Sekretariati Federativ i Punëve të Jashtme të Beogradit, që t’u bëhet e mundur profesorëve nga Shqipëria, punonjësve shkencorë të Universitetit të Tiranës, prof. Bujar Hoxhës dhe docentit, Bujar Çirakut, që të merren me studimet e Arkivit për “Rilindjen Kombëtare Shqiptare”. Duke iu referuar marrëveshjes për bashkëpunimin shkencor-arsimor, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Feriz Krasniqi, i cili dhe ka nënshkruar kërkesën, kërkoi që këta profesorë të studiojnë:
- Ngjarje politike në Shqipëri nga viti 1882 deri në vitin 1912.
- Materialet për gjendjen ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë në shekullin e XIX-të dhe në fillim të shekullit të XX.
- Të dhëna biografike për personalitete të njohura të Rilindjes Kombëtare shqiptare.
“Meqenëse Arkivi juaj disponon materiale të shumta nga këto fusha, ju lutemi, në kuadrin e mundësive tuaja, t’u bëni të mundur punonjësve shkencorë të Universitetit të Tiranës (të cilat momentalisht punojnë në Arkivin e Kosovës), që të punojnë te ju rreth një muaj. Me ta do të jetë dhe një profesor i Universitetit të Prishtinës”, thuhet në këtë shkresë. Shoqëruesi i këtyre dy shkencëtarëve shqiptarë, ishte Sadulla Breztovci.
“Rëndësia e studimeve”
Me të marrë kërkesën e Universitetit të Prishtinës, Shërbimi për Çështjet Dokumentare dhe Arshivore, siç quhet zyrtarisht Arkivi Diplomatik i Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme, i kërkoi nënsekretarit të Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme që ky t’u miratoi shkencëtarëve shqiptar, shikimin dhe zgjedhjen e dokumenteve. Kjo kërkesë është bërë me 1 mars 1979, 25 ditë pas marrjes së kërkesës nga Kosova dhe atë e ka nënshkruar shefi, Lazar Zharkoviç.
Gjatë kohës prej 25 ditësh, punonjësi i Arkivit, Dragutin Koçoviçi, pati aq kohë sa të “kontrollojë”, se çfarë materialesh lidhur me temën “Rilindja shqiptare” ka në Arkivin Diplomatik të Sekretariatit Federative të Punëve të Jashtme, dhe këtë kërkesë të nënsekretarit e konkretizon: Në arkivin Diplomatik ka dokumente për temën e lartpërmendur dhe këto janë në fondet:
- PO MID, Mbretëria e Serbisë, 1882-1912.
- Seksioni Administrativo-Juridik, 1882-1912.
- Përmbledhje V. Jovanoviç.
- Përfaqësia e Mbretërisë Serbe në Stari Grad dhe në Londër 1882-1912.
- Konsullata e Mbretërisë serbe në Prishtinë 1900-1912 dhe Konsullata në Shkup, 1891.
Përveç kësaj, theksohet se materialet e arkivit janë të lejuara për përdorim sipas rregullores mbi kushtet për përdorimin dhe regjistrimin e materialeve të Arkivit të Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme.
Në bazë të kësaj kërkese drejtuar Shërbimit për Çështjet Dokumentare dhe Arkivore, nënsekretari i Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme, Mirko Kosin, morri vendimin me të cilin u lejohet (shokëve Bujar Hoxha dhe Burhan Çiraku nga Tirana, Shqipëri, që të studiojnë në Arkivin Diplomatik), siç kishte propozuar shërbimi.
Para kësaj, pikërisht më 26 shkurt 1979, edhe Drejtoria e Parë e Sekretariatit Federative të Punëve të Jashtme, kishte dhënë pëlqimin e saj dhe për këtë kishte informuar kolegjiumin e Sekretariatit Federativ. Pëlqimin në emër të Drejtorisë së Parë, e nënshkroi T. Troja. Shërbimi për Çështje Dokumentare dhe Arkivore të Sekretariatit të Punëve të Jashtme, me 6 nëntor 1980-të, i dërgon një akt, të cilin e nënshkroi ambasadori, Mihajllo Stevoviç dhe e sigloi punonjësi i Arkivit, Dragutin Kiçovi, Drejtorisë së Parë të Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme, me nr. 623/15, ku i informon se atyre si shtojcë u vihen në dispozicion materiale të zgjedhura nga ana e prof. Bujar Hoxhës dhe Burhan Çirakut për periudhën 1910, 1911, 1912.
Gjithashtu, vihet në dukje se Drejtoria e Parë e Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme, me postën diplomatike i dërgoi dokumentet e zgjedhura ambasadës jugosllave në Tiranë, me propozimin se kujt dhe në ç’mënyrë do t’u dorëzohet shqiptarëve.
Në fund pasoi edhe fatura që Sekretariati Federativ i Punëve të Jashtme, i dërgoi më 29 maj 1980, me nr. 217/15-79, Universitetit të Prishtinës, në të cilën kërkon që Universiteti të paguaj në llogarinë rrjedhëse të Sekretariatit Federative të Punëve të Jashtme, 60811-637-5218, shumën prej 4.110.000 dinarë, për fotokopjimin e 1370 fletëve të dokumenteve (që në Arkivin e Dokumenteve Diplomatike të Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme, vunë në dispozicion për nevojat tuaja, Sadulla Brezoviç dhe për nevojat e Universitetit të Tiranës, Bujar Hoxha dhe Burhan Çiraku).
Faturën gjithashtu e nënshkroi edhe ambasadori Mihajllo Stevoviç dhe e sigloi Dragutin Kiçoviç.
“Rëndësia e këtyre studimeve në Arkivin Diplomatik në Sekretariatin Diplomatik të Punëve të Jashtme, mundi të kuptohej vetëm atëhere, kur u mësua se kush është prof. dr. Bujar Hoxha, (nga Universiteti i Tiranës).
Ai ka lindur në Kosovë, ku ka lidhje të shumta familjare dhe miqësie. Në jehonën e shkallëzimit gjithnjë e më të madh të nacional-separatizmit shqiptar në Kosovë, ai ishte Drejtor i Institutit të Marksizëm-Leninizmit, ku punonte dhe Nexhmije Hoxha, gruaja e Enver Hoxhës.
Bujar Hoxha ka qenë këshilltar i parë i Enver Hoxhës, për çështjet e Kosovës dhe një nga krijuesit e politikës të paternalizmit. Ai ka përgatitur edhe fjalime për Enver Hoxhën.
Gjatë kohës së ardhjes në Jugosllavi në kuadrin e bashkëpunimit të dy universiteteve, të Prishtinës dhe të Tiranës, ka bërë mjaft takime shumë interesante me një numër të madh profesorësh të kombësisë shqiptare. Pas ngjarjeve kundër-revolucionare të vitit 1981, kur u ndërpre bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës, Bujar Hoxha u bë një nga autorët më me tirazh të pamfleteve armiqësore kundër Jugosllavisë. Pastaj u transferua si nëpunës i lartë diplomatik në Ankara, Turqi, prej nga ku organizoi punën armiqësore kundër Jugosllavisë. Pas një aksidenti me makinë, u kthye në Shqipëri.
Edhe prof. Burhan Çiraku, pas vitit 1981, del në fushatën anti-jugosllave. Meqenëse, në të njëjtën kohë, Bujar Hoxha dhe Burhan Çiraku studiuan në Arkivin e Kosovës, Arkivi i Kosovës, me shkresën me Nr. 622, datë 10.XII.1979, kërkoi nga Arkivi Diplomatik i Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme, miratimin për vazhdimin e punës së ndërprerë studimore. Duke arsyetuar kërkesën e vet, Arkivi i Kosovës theksoi se dikur i është lejuar studimi dhe mikrofilmimi në këtë Arkiv, kryesisht nëpërmjet punonjësit të Arkivit Diplomatik, Dragutin Kiçoviç dhe në veçanti janë bërë studime në vitin 1969 dhe në vitin 1970 në Seksionin Politik për periudhën deri në vitin 1921. Sipas kërkesës së Arkivit të Kosovës, të cilën e nënshkroi drejtori Fejzullah Çerkini, ndërprerja u bë për shkak të mungesës së mjeteve financiare, ”kështu që duke marrë parasysh se u siguruan mjetet e nevojshme financiare në saje të bashkësisë krahinore për punën shkencore, jemi të lirë t’i drejtohemi këtij Arkivi për leje”.
Si shtojcë e këtij akti sillet një fotokopje e aktit të Arkivit të Kosovës dhe të Metohisë numër 612 të 11 dhjetorit 1969, i cili gjithashtu, para dhjetë vjetësh, i është dërguar Seksionit të Historisë të Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme. Në atë kohë u konstatua se Arkivi Diplomatik e lejoi Arkivin e Kosovës që të shihte dhe të regjistronte dokumente në Seksionin Politik dhe në Seksionin Arsimoro-propagandistik të Mbretërisë së Serbisë. Aty përmendej edhe lejimi i mikrofilmimit. Në këtë akt gjithashtu thuhet se zgjedhjen e rreth 5.000 dokumenteve prej disa mira faqesh për nevojat e Arkivit të Kosovës, e kishte bërë gjatë dy vjetëve Dragutin Kiçoviç, drejtor i Arkivit Diplomatik të Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme. Këtë kërkesë e ka nënshkruar drejtori i Arkivit të Kosovës, Ismet Dërmaku.
Materiale edhe për Enver Hoxhën
Mbi bazën e një kërkese paraprake të Arkivit të Kosovës, Shërbimi për Çështje Dokumentare dhe Arkivore i dërgoi më 2 dhjetor 1979 mijë akt nënsekretarit të Sekretariatit Federativ për Punët e Jashtme, në të cilin kërkohet miratimi që Arkivi i Kosovës të lejohet të shohë Arkivin Diplomatik, sidomos që Dragutin Kiçoviç, shef i Seksionit për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e materialeve në Sekretariatin Federativ të Punëve të Jashtme, jashtë orarit të punës të studiojë për nevojat e Arkivit të Kosovës.
“Propozojmë që të miratohet vazhdimi i punës nga ana e Arkivit të Kosovës dhe shoku Kiçoviç për studimin, rregullimin dhe mikrofilmimin e materialeve të Arkivit që kanë të bëjnë me të kaluarën e Kosovës. Në përputhje me dispozitat përkatëse, Arkivi i Kosovës materialin e siguruar në këtë mënyrë nuk mund ta botojë në përmbledhje dokumentesh ose t’ua japë për përdorim studiuesve të huaj, pa pëlqimin e Sekretariatit Federativ të Punës të Jashtme”, thuhet në këtë dokument që e ka nënshkruar ambasadori Mihajllo Stevoviç.
Me këtë u pajtua nënsekretari i Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme, Aleksandër Voinoviç. Pas marrjes së këtij pëlqimi, Shërbimi për Çështje Dokumentare dhe Arkivore më 11 janar 1980, numër 1202/15 informon Arkivin e Kosovës se: është miratuar studimi i materialeve të Arkivit lidhur me historinë e Kosovës në Arkivin Diplomatik dhe se këtë punë do ta bëjë Dragutin Kiçoviç, jashtë orarit të punës.
Dragutin Kiçoviç për të gjithë punën e vet për nevojat e arkivit të Kosovës si në fillimin e viteve shtatëdhjetë, ashtu edhe më vonë, është shpërblyer mirë. Në librin e honorareve të Arkivit të Kosovës përcaktohet saktë se sa është paguar Kiçoviçi për çdo studim, fotokopjim dhe faqe të mikrofilmuara në Arkivin diplomatik.
A mund të jetë e rastësishme që arkivin e Kosovës dhe Arkivin Diplomatik të Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme, kanë arritur ta shfrytëzojnë profesorë nga Shqipëria, e ndërkohë Arkivi i Kosovës kërkoi nga Arkivi Diplomatik leje për të parë materiale që kishin lidhje të drejtpërdrejta me ato materiale për të cilat u kërkua leje për profesorët Shqiptar. Në asnjë mënyrë –Jo
Siç u bind më vonë pas vitit 1981, edhe opinion i gjerë politik Jugosllav, diplomatët Shqiptar i kanë shfrytëzuar disa nga këto materiale për qëndrimet e tyre anti Jugosllave në Kombet e Bashkuara, e disa prej tyre i ka shfrytëzuar edhe vetë Enver Hoxha në pamfletet e tij siç është rasti me “Titistët”.
Thëniet e shumë politikanëve, të cilët ndodheshin në funksione drejtuese shtetërore dhe partiake të Jugosllavisë, në kohën e shkallëzimit të nacionalizmit dhe të separatizmit shqiptar në Kosovë, se nuk kishin informacione dhe nuk dinin çfarë po ndodh në Kosovë, janë thjesht përpjekje për të hequr përgjegjësinë nga vetja.
Është shprehur bile edhe habi se si ndodhi kundër revolucioni. Një përmbajtje të tillë ka dhe vetë pyetja: Në emër të cilave parimeve u pranua që të vendoseshin marrëdhënie kulturore, sportive, turistike, etj., midis Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
E ndërkohë diheshin mjaft gjëra. Dihej se shqiptarët nga Shqipëria kishin arritur të vinin dorë në Arkivin Diplomatik të Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme, gjë që, siç mendojmë ne, ka qenë e pakuptimtë në marrëdhëniet Jugosllave-Shqiptare./Memorie.al
XH.Ke /M/ ATSH/
(Marrë nga gazeta “Borba” dt. 20 prill 1989 shkruar nga Dragan ….)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016