Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të një zonjë franceze e cila në periudhën e Monarkisë së Zogut ishte martuar me një djalë të ri shqiptar me origjinë nga Puka që studionte në Paris, i cili i kishte thënë, se; pasi të zbrisnin nga vapori në Portin e Durrësit, do merrnin trenin në metro dhe më pas në pajton për të shkuar në shtëpinë e tij, por e kishte hipur në një mushkë dhe e kishte dërguar në mes malesh të largëta në një fshat të thellë të Pukës, rrëzë Malit të Munellës.
Si mbeti francezja simpatike në Shqipëri për shkak të fillimit të Luftës së Dytë Botërore dhe si e shtyu jetën atje mes malesh të larta deri në vitin 1964, kur gjatë një rigonicioni që bëri Mehmet Shehu më ushtarakët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, për ndërtimin e Vend-Komandës së Shtabit të Përgjithshëm, i ra në sy shtëpia e veçantë dhe urdhëroi që t’ja sillnin në zyrë francezen simpatike, të cilën e nisi menjëherë në Francë së bashku me bashkëshortin e saj pukjan, pasi urdhëroi Nesti Nasen që t’i pajiste menjëherë me pasaporta dhe dokumentet përkatëse…?!
Zoti Mehmeti, në ç’rrethana e njohu ish-kryeministri Mehmet Shehu atë grua që ju thoni se e dërgoi në Francë?
Në 1964, pasi përfundoi rikonicioni dhe ndërtimi i pjesshëm i objekteve të rëndësisë së veçantë në rrethin e Skraparit, si vend-komanda e përgjithshme e Ushtrisë në Qafë-Devri, tuneli i Thesarit dhe 4 vilat e udhëheqësve kryesorë në periferi të Çorovodës, (në lagjen Guak), kryeministri Mehmet Shehu, i cili i ndoqi drejt për drejt dhe me një përkujdesje të veçantë ndërtimin e tyre, dha urdhër që disa objekte të asaj natyre, të ndërtoheshin edhe në Veri të Shqipërisë. Kështu pas pak ditësh, Mehmeti së bashku me një ekip të Ministrisë së Mbrojtjes, i përbërë prej kuadrove kryesorë të saj dhe i kryesuar nga Beqir Balluku e Petrit Dume, u nisën për në malin e Munellës, në rrethin e Pukës. Udhëtimi nga Tirana në Pukë, u bë me helikopter, kurse një pjesë e ekipit të Ministrisë, së bashku dhe me disa nga kuadrot kryesorë të korpuseve të veriut, udhëtuan për atje me makinat e tyre.
Ju ishit në përbërje të atij ekipi?
Në atë ekip të Ministrisë së Mbrojtjes, bëja pjesë dhe unë, pasi në atë kohë punoja si inspektor në degën e Planifikimit të Mbrojtjes pranë Shtabit të Përgjithshëm.
Më konkretisht në ç’fshat të Pukës u ul helikopteri ku udhëtonte Mehmet Shehu me ekipin e Ministrisë dhe për çfarë do të shërbente ai objekt ushtarak?
Helikopteri u ul në pllajën veriore të malit të Munellës, ku kishte vetëm disa shtëpi të rralla dhe s’më kujtohet se cili fshat i Pukës i përmblidhte ato. Aty do të ndërtohej Vend-Komanda e Ushtrisë për Veriun e vendit, e cila do të shërbente për drejtimin e shtetit dhe luftës, në një sulm eventual të fqinjëve tanë veriorë. Ajo do të ishte kopje e asaj të Skraparit, që ishte ndërtuar për Jugun e vendit.
Çfarë bëtë pas mbërritjes së ekipit të ministrisë në atë vend?
Në mbarim të punës, kryeministri Mehmet Shehu, mori dylbinë dhe nisi të vrojtonte shtëpitë e fshatarëve që shtriheshin në pllajën veriore të malit të Munellës. Ai e përqëndroi shikimin e tij në atë pllajë ku ndodhej një shtëpi e veçuar, e cila ishte ndërtuar në mes një are të gjelbëruar. Pa e hequr dylbinë prej syve, Mehmet Shehua na u drejtua ne ushtarakëve, duke na thënë: “Më bën përshtypje ajo shtëpi nuk është e ndërtuar me të njëjtin stil si ato të tjerat të krahinave të veriut”.
Ç’farë i thatë ju, iu përgjigj njeri nga ushtarakët?
Asnjë nuk foli, por siduket se ajo shtëpi i la mbresa dhe i lindi një kuriozitet, pasi kur po zbrisnim poshtë në xhade, ku na prisnin makinat, për të shkuar për drekë në Fush-Arrëz, Mehmeti më tha: “Shko shiko se kush banon në atë shtëpi”. Unë u nisa menjëherë për në drejtim të asaj shtëpie dhe kur shkova atje, i thirra të zotit të shtëpisë.
A ju përgjigj njeri?
Po, prej saj doli një grua rreth të 50-ve, shumë simpatike, e cila ishte e veshur jo me rrobat që mbanin zakonisht gratë e asaj krahine. Pasi u përshëndetëm, unë me shumë takt, e pyeta atë duke i thënë se më bëri përshtypje ajo shtëpi e një stili të veçantë dhe doja të dija nëse të zotët e saj ishin vendas apo të ardhur.
Si iu përgjigj ajo?
Ajo me një shqipe të çalë, duke folur me belbëzime më tha: “Unë jam franceze, por kam ardhur këtu pasi dashurova dhe kam marrë për burrë një djalë shqiptar”.
A kishte njeri tjetër në atë shtëpi dhe a ju ftuan brenda siç është zakoni i shqiptarëve dhe kryesisht malësorëve të krahinave të Veriut të Shqipërisë?
Ajo hyri brenda që të lajmëronte bashkëshortin e saj dhe të dy bashkë dolën në oborr aty ku prisja unë. Nuk jam në gjëndje të përshkruaj pamjen dhe konstruktin fizik të atij burri. Pasi u takuam, me të qeshur unë iu drejtova të shoqes së tij duke i thënë: “Edhe unë po të isha vajzë në Paris, do të vija me këtë burrë në malet e Shqipërisë”.
A ju treguan se në ç’rrethana kishte përfunduar ajo gruan e huaja në mallet e Pukës?
Po, ndërsa ai më tregonte historinë e lidhjes martesore me atë grua që e kishte njohur në Paris, kur ishte me studime në periudhën e Luftës, gruaja e tij franceze hyri brenda në shtëpi dhe na nxorri qerasjet e zakonshme me kafe e raki.
Cila ishte historia që u tregoi ai?
Studenti shqiptar me origjinë nga Puka, ishte martuar me vajzën franceze në Paris dhe kishin lindur edhe dy vajza. Ai më tregonte se ia kishte mbushur mëndjen asaj që të vinte në Shqipëri, duke i thënë se: pas zbritjes nga vapori do hynin në metro, e më pas në pajton, por e kishte hipur vetëm në mushkë dhe e kishte sjellë aty mes malesh.
E kishte mashtruar…?!
Në një farë mënyrë po, e kishte mashtruar, por ndërsa ai tregonte atë histori, gruaja e tij franceze, më tha se kishte qëndruar me dëshirën e saj në vendlindjen e bashkëshortit të saj shqiptar.
Pse kishin vendosur të qëndronin aty në male?
Për këtë gjë ajo më tha: “Erdhëm përkohësisht këtu, por për fat të keq na zuri Lufta dhe u bë e pamundur kthimi në Francë. U detyruam të ndërtonim këtë shtëpi dhe vazhdojmë të jetojmë në këtë pllajë”. Në këtë çast ajo me sy të përlotur shtoi: “Fatëkeqsia jonë më e madhe nuk qëndron se erdhëm dhe mbetëm të dy këtu, por se ne kemi lindur dy vajza dhe i kemi lënë tek njerëzit e mi në Paris”. Pas këtyre fjalëve u përlot dhe burri i saj dhe të dy më tregonin se i kishte marrë shumë malli për vajzat e tyre.
A ju premtuat për ndonjë ndihmë, pra që ata të lidheshin me dy vajzat e tyre…?
Ndërsa ata më ftuan në shtëpi për drekë, unë u mundova t’i qetësoja dhe u dhashë fjalën se do të shkoja njëherë tjetër aty për të biseduar më gjatë për hallet që kishin.
Si quheshin ata dhe përse nuk qëndruat për drekë?
Emrat e tyre nuk më kujtohen, pasi kanë kaluar gati 40 vjet nga ajo kohë. Ndërsa për drekë unë nuk mund të qëndroja, pasi kisha një mision nga shoku Mehmet Shehu dhe nuk mund të rrija më gjatë aty.
Si u ndave me ta…?
Pasi u përshëndeta me ta, zbrita poshtë në xhade ku më priste makina dhe menjëherë u nisa për në Fush-Arrëz ku ishte Mehmeti me gjithë ekipin e Ministrisë. Ata sapo kishin filluar drekën ku asistonin dhe drejtuesit kryesor të Komitetit Ekzekutiv dhe atij të Partisë të rrethit të Pukës. Unë u ula afër Mehmetit dhe ia bërë prezent atij të gjithë historinë e tyre.
Si reagoi Mehmeti, çfarë ju tha?
Mehmeti ndjeu një dëshpërim por nuk foli asnjë fjalë. Por pasi mbaruam drekën dhe do të niseshim me makina në drejtim të Pukës, ai më thërriti tek makina e tij e më tha: “Do kthehesh përsëri atje dhe do të thuash të vijnë në Tiranë. Do t’i presësh ti. Dhe me Gilo Lamen, do m’i bini në zyrë”. Unë u nisa menjëherë duke e zbatuar me fanatizëm porosinë e kryeministrit.
Çfarë ju thanë ata kur shkuat për herë të dytë atje?
Ata e pritën me gëzim të madhe kur më panë për herë të dytë në derën e shtëpisë së tyre dhe u përlotën kur u thashë porosinë e Mehmetit e të dy m’u hodhën në qafë. Unë u ndava me ta, pasi u caktova ditën dhe vëndin ku do i prisja në Tiranë?
A erdhën ata?
Ata erdhën aty ku ka qenë biletaria e autobuzëve, pas Kullës së Sahatit, ngjitur me Ministrinë e Punëve të Brendëshme dhe unë menjëherë i shoqërova për në kryeministri. Aty më priti Gilo Lame dhe së bashku me të u ngjitëm në zyrën e kryeministrit Mehmet Shehu, ku në ato momente ndodhej edhe Ministri i Jashtëm, Nesti Nase.
Si e kujtoni takimin me Mehmetin, çfarë ju tha ai atyre?
Pasi u takuam, Mehmeti u kërkoi sqarime të mëtejshme për jetën e tyre se si kishin ardhur nga Franca në Shqipëri. Biseda në mes tyre e cila u bë në prezencën tonë, në fillim nisi shqip dhe më pas përfundoi në frengjisht. Në fund të bisedës, Mehmeti shprehu keqardhjen për fatin e tyre dhe u premtoi se do t’i niste menjëherë të dy në Francë. Në atë moment në prezencën tone, ai i vuri detyrë Nesti Nases, që menjëherë të nisej për në Ministrinë e Jashtëme dhe të përgatiste dokumentet e pashaportat e tyre, për t’i nisur në Paris. Ne u larguam dhe atë natë, ata të dy fjetën në shtëpinë time që asokohe e kisha tek rruga “Mine Peza”.
A u realizua largimi i tyre për në Francë?
Pas disa ditësh, me përkujdesjen direkte të Nesti Nases, ata ikën të dy në Paris dhe që andej pas dy javësh më dërguan një letër falenderimi (në adresë të shtëpisë sime) ku shprehnin konsideratat e tyre të larta për të gjithë ne që i kishim ndihmuar. Ajo ishte letra e parë dhe e fundit që ata më dërguan.
“Pllaja e Munellës në Pukë, ku jetonte gruaja franceze nga Parisi”
Po me çfarë merrej dhe si jetonte në malet e Pukës, gruaja franceze që fati e kishte përplasur largë vendlindjes dhe të afërmve të saj? Lidhur me këtë, koloneli në pension, Ahmet Mehmeti, njeriu i cili u bë sebep që ajo të kthehej përsëri në Paris, midis të tjerash na tregonte: “Shtëpia e tyre ishte dy katëshe dhe me një stil krejt tjetër nga ato të shtëpive të tjera të krahinave veriore të Shqipërisë. Ajo ishte e rrethuar me një mur guri jo shumë të lartë dhe brenda saj ndodhej një avlli e gjelbëruar. Siç më tregoi vetë gruaja franceze dhe bashkëshorti i saj pukjan, ata kishin mbetur aty që nga koha e Luftës dhe të gjitha tentativat e tyre për t’u kthyer legalisht në Francë kishin dështuar. Pas kësaj ata e kishin fjetur mendjen dhe kishin ndërtuar atë shtëpi të re aty mes malesh, larg shtëpive të tjera të fshatrave aty pranë. Ata jetonin duke u marrë me bujqësi dhe blegtori, pasi kishin shumë bagëti dhe disa dynym tokë që i punonin vetë. Kaq munda të mësoja prej tyre atë natë që ata fjetën në shtëpinë time”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016